[sgmb id=”1″]
Djegia e makinave pas kryerjes së krimeve të rënda, duket se është kthyer në “modë” në Shqipëri, për të humbur çdo gjurmë të mundshme të autorëve. Por ndryshe ka ndodhur me autorët e atentatit të bujshëm të ndodhur tre ditë më parë në Vlorë që i mori jetën pronarit të një televizionit, Mirvjen Hyseni, dhe kreut të OSHEE-së në qytetin bregdetar Roland Saliu. Makina e përdorur në krim nuk është djegur totalisht, duke bërë që ekspertët të gjejnë prova të rëndësishme, si gjurmë gishtërinjsh dhe fije floku.
Autorët qëlluan me breshëri kallashnikovi teksa Hyseni dhe Saliu ishin ulur në një lokal në sheshin e Flamurit, dhe menjëherë u larguan me një makina tip BMË e cila rezultoi të ishte vjedhur në qytetin e Durrësit. Por derisa shkuan në Panaja, ku dhe i vunë flakën automjetit, autorët janë filmuar nga disa kamera teksa kanë lëvizur në Vlorë. Me qëllimin që makina të shkrumbohej, autorët janë larguar ‘të qetë’ ku ende vijojnë të jenë të paidentifikuar dhe në arrati.
Por policia duket se është në rrugë të mbarë, pasi ka në duar një provë të fortë që mund ti identifikojë ata. Automjeti nuk është shkrumbuar, pasi forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në kohë për të shuar flakët, ku siç u pa dhe nga ekspertët, makina ishte djegur vetëm në brendësi të saj, në disa pjesë.
Flakët nuk kanë depërtuar fare jashtë saj, pasi xhamat e makinës kanë qenë të mbyllura. Burime nga policia thonë se brenda makinës janë gjetur fije flokësh dhe gjurmë gishtërinjsh. Po ashtu, brenda automjetit, efektivët gjetën edhe armën kallashnikov që u përdor për ekzekutimin e Mirvjen Hysenit në Vlorë dhe të kreut të OSHEE-së.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet që shënjestër e atentatit të ketë qenë, Hyseni, biznesmen i njohur në Vlorë, por edhe më një të shkuar problematike, ndaj nuk përjashtohet mundësia që të kemi të bëjmë me larje hesapesh.