[sgmb id=”1″]
Të enjten u përcollën në varrezat e Babicës në Vlorë, Roland Saliu dhe Mirvjen Hyseni, të cilet u vranë në një atentat në kafen e Hotel Vlora, hoteli te Sheshi i Flamurit.
Vrasja bëri shumë bujë për shkak të vendit ku ndodhi, paqartësisë pse ndodhi dhe sidomos sepse të dy ishin të rinj, vlonjatë dhe njerëz të respektuar në qytet.
Dritare.net sjell disa nga detajet që treguan dje vlonjatët ndërsa përcillnin dy djemtë e qytetit.
Roland Saliu ishte mik i familjes Hyseni. Ai kishte ardhur të sillte një kasetë për televizionin ku Mirvjen Hyseni ishte pronar.
Afër të dyve luante vajza e Mirvjenit, 5-vjeçarja me biçikletë dhe një shoqe e saj. Sapo është dëgjuar krisma e parë që ka qëlluar Saliun, Mirvjen Hyseni nuk është fshehur, por është ngritur në këmbë sepse ka menduar se i qëlluan vajzën e vogël, pak hapa larg tij. Aty, ndaj tij, është zbrazur një karikator. Vajza e vogël ka lënë biçikletën dhe ka vrapuar te i ati. Ashtu e kanë gjetur, kur krismat mbaruan, mbi kokën e babit, duke i fshirë gjakun, ndërsa ai, me një buzëqeshje në buzë, që e bija nuk kishte pësuar gjë, ka mbyllur sytë. Me atë buzëqeshje për të bijën, e kanë parë, ata që i qenë pranë, kur pak minuta më pas, dha shpirt.
Dje në varrim, vajza e vogël nuk ishte, pasi është e traumatizuar. Njerëz të afërt kujdeseshin për të voglën, që nuk pranonte të hiqte pantallonat e lojës, se ishin me gjakun e babit.
Policia ende po kërkon për pistat e vrasjeve. Zbulimi vështirësohet nga mungesa e kamerave në Hotel Vlora, pasi pronari Hyseni, nuk kishte të tillë në hotelin e tij. Ndërkohë një vajzë e vogël pa tmerr me sy, vetëm sepse është nga Vlora, një qytet tanimë i damkosur nga krimi, ku shuhesh për një fjalë goje.