[sgmb id=”1″]
Në Shqipëri kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha arritën sot në orët e para të mëngjesit një marrëveshje për t’i dhënë fund krizës politike. Të dy udhëheqësit kryesorë u takuan kokë më kokë në mbrëmje për më shumë se tre orë. Ata dolën së bashku përpara mediave për të njoftuar arrijtjen e kompromisit, por pa dhënë detaje. Zoti Basha tha se marrëveshja ka në bazë të ashtuquajtuarën “Platforma McAllister Plus” e cila iu ofrua si zgjidhje dy ditë më parë nga Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Brian Yee, në përpjekje për të mundësuar përfshirjen e partive opozitare në procesin zgjedhor. Zoti Basha tha se marrëveshja do të detajohet në 24 orët e ardhshme. Zoti Rama nga ana e tij u mjaftua të deklaronte se ishte plotësisht dakort me pohimet e kreut të opozitës. Të dy më pas u ndanë duke shtrënguar duart me një gjest sportiv dhe aspak protokollar, si shenjë e një marrëveshjeje që i kishte kënaqur të dyja palët.
Ndonëse për afro tre muaj këmbënguli për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, opozita pranoi dje një tërheqje, përfshirë dhe nga disa kërkesa të tjera, duke deklaruar se është plotësisht dakort me propozimin e integruar të paraqitur ditën e hënë nga zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit Hoyt Yee. Një propozim i cili përfshinte të ashtuquajturën “Paketa McAllister” si dhe propozimet që më pas kryeministri Edi Rama bëri në dy takimet që ai pati me zotin Basha, ku oferta e shumicës kushtëzohej me përfshirjen e opozitës në komisionet parlamentare që do të duhet të përzgjedhin anëtarët e strukturave të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Siç saktësoi dhe një deklaratë e koalicionit opozitar, përgjigja për zotin Hoyt Yee, duhej të ishte vetëm një ‘PO’ ose një ‘JO’, dhe se çdo propozim shtesë do të konsiderohej refuzim. Opozita deklaron se ka thënë ‘PO’, përfshirë dhe votën për Vettingun. “Duke pranuar propozimin e integruar McAllister Plus të paraqitur nga zoti Hoyt Yee, i cili nuk përfshin shumë nga kërkesat tona thelbësore, opozita ka dëshmuar vullnetin dhe mirëbesimin për të punuar drejt një zgjidhje politike që do t’u garantojë shqiptarëve kushtet minimale për zgjedhje të lira dhe të ndershme me pjesëmarrjen e opozitës”, thekson deklarata e koalicionit opozitar, duke shtuar se “tani është koha që Zoti Rama të thotë ‘PO’, dhe të hapë rrugën për të garantuar së bashku përmes dialogut që ky propozim të jetë plotësisht i zbatueshëm”.
E majta duket se nuk ishte dakort me shtyrjen e datës së zgjedhjeve e cila sipas “Paketës McAllister” mund të jetë 16 korriku. Në një deklaratë të sajën Partia socialiste akuzoi opozitën për “abuzime mediatike në një proces serioz dhe delikat për të kthyer Partinë Demokratike në rrugën e arsyes”, theksohet në tekst, ndërsa më pas shton se PS është angazhuar për arritjen e një rezultatati pozitiv që sipas saj do të thotë “garanci si asnjëherë për opozitën në zgjedhjet e 18 qershorit, në respekt të kushtetutës dhe ligjit”.
Në një letër dërguar kryeministrit, zoti Basha ritheksoi pranimin e propozimit të integruar të paraqitur nga zoti Hoyt Yee dhe i bëri thirrje atij që të konfirmonte publikisht “pranimin pa kushte të propozimit amerikan”. Kryeministri është përgjigjur shkurtimisht përmes një postimi në Twitter, duke i kërkuar kreut të opozitës që të lerë letrat publike dhe të fokusohet te oferta që ka në tryezë.
Por fjala e fundit nuk ishte thënë ende. Ambasadori amerikan Donald Lu pati dje një takim gati dy orësh me zotin Basha, ndërsa menjëherë më pas takoi për afër 20 minuta kryeministrin Rama. Në mbrëmje, me nismën e dy partive opozitare, Partisë Republikane dhe Partisë Agrare Ambientaliste, u mblodh një tryezë e krerëve të forcave politike, ku të pranishëm ishin si kryeministri edhe kreu i opozitës. Takimi zgjati për afër 1 orë, pas të cilit dy drejtuesit kryesorë politik, Rama dhe Basha, vijuan bisedimet kokë më kokë mes tyre, pa dëshmitarë, percjell VOA.
Pas shumë orëve të gjata të diskutimit, nga dhe ku doli ‘tymi i bardhë’, kryeministri Edi Rama dhe lideri i PD-së, Lulzim Basha nuk nguruan që t’i jepnin dorën njëri-tjetrin para gazetarëve dhe të pranishmëve të tjerë.
Kjo ka bërë që këta të fundit të ‘shpërthenin’ në duartrokitje dhe brohorasnin, pasi u bënë dëshmitarë të vendosjes më në fund të një marrëveshje mes palëve.