[sgmb id=”1″]
Ka bërë udhëtime të rrezikshme me anijen e tij “Baby Orca”. Kur e sheh në portin e peshkatarëve në Rradhimë të Vlorës, mund të thuash se është një pirat, i egër dhe i vendosur. Shumëkush kish menduar se ai, Ardian Cerga, e kishte braktisur përgjithmonë, edhe skenën edhe filmin edhe artin në përgjithësi. Por u gabua. Cerga kishte një nevojë dhe një uri të madhe për Detin, peshkimin, arratisjet me varkën e tij të shpejtë. Kishte nevojë të bashkëbisedonte me zërat e Detit dhe klithmat e pulëbardhave, për një rimëkëmbje shpirtërore, për një shërim pa ilaçe, të zemrës së vet, të thyer shpesh herë nga tallazet e jetës.
Mirëpo tani pirati është fort mirë dhe kthehet në skenë.
Ja çfarë shkruan kritiku i artit, pranë 360grade.al, për karierën e Cergës dhe rikthimin e tij të bujshëm.
***
Viti 2017 e ka gjetur aktorin e shquar të viteve 80-të në skenën e TK, por edhe në sheshin e xhirimit, pas shumë vitesh…
Aktori i mirënjohur i viteve 80-të, Ardian Cerga, u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar, pas 28 vitesh mungesë. Roli i fundit i tij në këtë skenë, i takon vitit 1989 në dramën “Rajmonda” të Artur Zhejit, ku interpretoi për herë të fundit përkrah emrave të shquar të kohës, si Besa Imami, Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Margarita e Ndriçim Xhepa, Agim Shuke etj. Në TK, u rikthye para disa javësh me rolin e memecit Sotir, në dramën “Pushteti i grave” të Aristofanit. Ishte regjisori Spiro Duni, që e riktheu në skenë, një shok i “vjetër” i rinisë e fakultetit. Janë jo pak, por tre dekada dhe ka rrjedhur shumë ujë… Ky vit është viti i 60-vjetorit të tij. Pas 28 vitesh, në skenën e Teatrit Kombëtar, ai gjen aty shumë djem dhe vajza të talentuar dhe interpretimi përkrah tyre, në atë skenë ka magjinë dhe të bukurën e vet. Por në teatër Ardiani ka pak role, sikurse edhe në film, por në ekranin e vogël është ndryshe. Në teatër, për t’u veçuar janë pjesët “Avni Rustemi”, me trupën e Teatrit të Beratit, ku fitoi çmimin e parë në Festivalin e Teatrove në vitin 1988, “Unë dhe Mefistofeli”, një dramë e Bashkim Hoxhës, në 1987 dhe “Rajmonda” e Artur Zhejit në 1989.
Ndryshe ndodhi me ekranin e kinemasë. Ra në sy që kur ishte student. Nga viti 1979 – 1982 interpretoi pesë role, njëri pas tjetrit, dy filma televizivë, “Me hapin e shokëve” (1979), me regjisor Esat Telitin dhe “Era e ngrohtë e thellësive” (1982) me Vladimir Priftin. Dy rolet që e bënë të njohur anembanë vendit janë, pa dyshim, Kajua te “Mësonjëtorja” e Muharem Fejzos dhe Leka te “në çdo stinë e Viktor Gjikës si dhe roli në filmin “Yje mbi drin” (1979). Janë role të interpretuara mjeshtërisht nga Ardian Cerga, komiti Kajo dhe Leka “ i vërtetë”. Në ekran do të shfaqej edhe me dy role të tjerë, në fundin e viteve 80-të, me një rol në filmin “Pranvera s’erdhi vetëm” (1988), me regjisor Piro Milkani dhe “Njerëz në rrymë” i Besnik Bishës, në heroin qendror të filmit. E veçanta e Ardian Cergës është se në të gjithë filmat ka krijuar karaktere të veçanta, role që nuk i ngjajnë njëri-tjetrit, as si imazh e as si interpretim. Janë pak role por që mbahen mend e kujtohen nga spektatori ynë. Në kohën që flitet për ndalimin e këtyre filmave, Ardiani mendon se “përsa i përket personazheve, që unë kam luajtur në atë periudhë, mundet edhe që të rrija i qetë nga ky debat, sepse personazhet e mi janë të gjithë personazhe, “rebel”, që nuk lodhen me idenë e ideologjisë”. Në kinemanë shqiptare u rikthye nga regjisori Artan Minarolli në filmin “Nata pa hënë” (2004) dhe së fundi, në proces, filmi “Ndërkombëtarët” i Pluton Vasit, ku interpreton një ambasador anglez i vendosur në Shqipëri.
Aktualisht Ardiani ka paraqitur edhe një projekt filmik dhe po pret që ai të shqyrtohet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. “Ndërkohë unë jam aktivizuar gjatë këtyre viteve me filmat në Itali, bashkëpunime me regjisorë italianë për kinemanë. Regjisori i njohur Daniele Vicari kishte bërë një kërkese në ambasadën tonë në Romë për aktorë që jetonin në Itali. Kështu që u takuam. Më thirri për dy filma me metrazh të gjatë “L’orizzonte degli eventi” dhe “Il passato è una terra straniera”, në të cilët kam luajtur me aktorë si Elio Germano dhe Valerio Mastandrea. Duke qenë se në Itali unë kam ndërtuar dhe një aktivitetin tim privat (që vazhdon edhe sot), me dhjetëra të punësuar, nuk mund të lija njërën për tjetrën. Unë e kisha “tradhtuar” artin dhe i dedikohesha artit vetëm në kohën e lirë”.
Ardian Cerga u largua nga Shqipëria në fillim të viteve 90-të, jo për shkaqe ekonomike apo si “arratisje”, po për “probleme” familjare. Në fillim bënte jetën si të gjithë emigrantët e tjerë shqiptarë. Sot, pas 27 vjetësh Ardiani ka shumë miq dhe shokë të atyre viteve që sot, sikurse ai, janë integruar në jetën sociale në Itali me shumë dinjitet. Pas shumë vitesh emigracion në Itali, Ardiani sot jeton mes Romës dhe Vlorës. Tashmë duket sikur gjërat i ka vënë në vijë dhe gjen kohë për t’iu përkushtuar pasionit të rinisë, dy dashurive të hershme të tij, teatrit dhe filmit. Me qejf i pranon ftesat që i vijnë, që do të thotë se nuk e kanë harruar dhe se e vlerësojnë ende artin e tij. Tashmë është në moshë të pjekur ku pjekuria artistike dhe profesionalizimi lartë do të japë ende efektet e tij tek brezi i ri. Ashtu siç thotë Leka, personazhi i tij i dashur, erdhi koha: “Tani do ta shikojmë Ardian e vërtetë!”