[sgmb id=”1″]
Reforma Zgjedhore do t’i kalojë për shyrtim komisionit të posaçëm parlamentar, i ngritur rreth një vit e gjysmë më parë.
Paketa e Reformës, pas shqyrtimit në komisionin ad hoc do t’i përcillet seancës së Kuvendit në orën 18:00.
S’mblidhen “Ligjet”, reforma direkt te komisioni ad hoc
Burime pranë Kuvendit thanë për Shqiptarja.com se nuk do të mblidhet komisioni i Ligjeve siç edhe ishte deklaruar më herët, por paketa e Reformës do t’i përcillet direkt komisionit ad hoc. Mbledhja e komisionit do të nisë në orën 17:00, ndërsa në 18:00 është njoftuar thirrja e Kuvendit në seancë të jashtëzakonshme, ku edhe do të miratohen propozimet.
Shqiptarja.com ka siguruar ndryshimet që pritet të prekin reformën, të cilat sjellin ndërhyrje në Kodin Penal. I tërë kapitulli ka të bëjë me kundravajtjet elektorale, të cilat do të konsiderohen krime zgjedhore dhe parashikohet ashpërsim i masave për rastet e shitblerjes së votës.
Për këtë pikë duket se kanë dhënë “Ok”-in si PD ashtu edhe PS. Ndryshimet në Kod parashikojnë burg deri në dy vjet minimumi, ndërsa dënimi vlen njësoj si për blerësin e votës ashtu edhe për atë që e shet. Maxhoranca dhe opozita janë dakord për pjesën e parë të nenit, atë të dënimit, ndërsa po negociojnë nëse penaliteti do të jetë njësoj të dyja kategoritë e shkelësve.
Gjithashtu, një tjetër pikë e rëndësishme është ndryshimi i ligjit për financimin e partive.
Sipas propozimit të PD, partitë politike nuk duhet të përfitojnë më financime nga privati, por vetëm nga shteti.
Ndërkohë që një propozim i tillë sipas PS bie ndesh me Kushtetutën, sepse partitë kanë dhe kuota anëtarësie. Megjithatë edhe për këtë çështje, vijojnë negociatat mes partive politike deri në arritjen e një pike dakordësimi.
Gjithashtu, pritet që gjatë kësaj të hëne të zhvillohen negociata mes palëve për finalizimin e reformës me konsensus.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme sot në 18:00, Kuvendi pritet të mbyllë paketën e ndryshimeve në Reformën Zgjedhore.
Në fillim të seancës komisioni do t’i kërkojë Kuvendit zgjatjen e mandatit, thjesht për formalitet kjo, sa për të miratuar ndryshimet.
Ndërsa në fund të seancës do të depozitohet paketa e ndryshimeve në Kodin Penal për ashpërsimin e masave lidhur me shitblerjen e votës si dhe ato për financimin e partive .