Ditën e djeshme, rreth orës 15:00, në rrugën e “Durrësit”, tek zyra e një shoqërie që jep automjete me qira, dy persona për shkak të prishjes së kushteve të kontratës për qiradhënien e një automjeti, janë konfliktuar me pronarin e firmës.
Policia bën me dije se pas debatit me pronarin e shoqërisë, situata ka agravuar më tej dhe një prej të dyshuarve ka tentuar të vrasë me armë zjarri punonjësin e kësaj shoqërie, L.Sh., 26 vjeç.
Ky punonjës gjatë përleshjes fizike, ka arritur t’i kapë armën e zjarrit pistoletë njërit prej autoreve dhe pas kësaj dy personat janë larguar me vrap.
Policia ka arritur të identifikojë dy autorët e kësaj ngjarje dhe po punohet për kapjen e tyre:
– D. I., 24 vjeç, banues në Tiranë
– S. T., 26 vjeç, banues në Tiranë
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit me silenciator, tip “Zastava”, me 5 (pesë) copë fishek kalibër 7.65 mm.
Materialet iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale të “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë”.