Koalicioni, Presidenti i ri dhe bojkoti i opozitës kanë qenë temat e diskutuar dje në takimin mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentarit Ilir Meta.
Rama i kërkoi aleatit të tij që të firmosnin për vijimin e koalicionit, ndërsa Meta është shprehur se kjo nuk është aspak problem, por pengesa është t’i jepet fund krizës politike.
“Koalicionin e konfirmojmë në çdo moment, kjo nuk përbën asnjë problem, por nuk mund të firmos në kushtet kur opozita është në rrugë dhe nuk regjistrohet që të hyjë në zgjedhje. Të mendojmë si do të zgjidhim këtë krizë, sepse koalicioni nuk është aspak problem për mua”, i ka thënë Meta, Ramës.
Po kështu, në të njëjtën linjë kanë qenë edhe bisedimet për Presidentin, teksa kreu i kuvendit ripërsëriti qëndrimin e tij që më parë t’i jepet zgjidhje protestës së opozitës.
Kryeministri i quajti të papranueshme kërkesat e opozitës që të jepte dorëheqjen, duke thënë se mandatin ja ka dhënë populli me votë dhe në 18 qershor do të jetë sërish populli që do të vendosë.
Ndërkohë, burime për Syri.net sqarojnë se Edi Rama i propozoi Ilir Metës që negociatorë për zgjidhjen e krizës me opozitën të jenë eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein.
Kreu i Kuvendit refuzoi me arsyetimin se “ata nuk e kanë besimin e opozitës”.
Në këtë pikë, Meta ka hedhur idenë që negociatore të jetë PPE, Partitë Popullore Europiane pjesë e së cilës është edhe Partia Demokratike.
“Meqë ti pretendon se PPE është kundër Bashës dhe pro teje dhe meqë PD është anëtare, ftojmë ata si negociatorë. Unë do bëj çfarë të thotë PPE”. Kështu i është drejtuar Meta aleatit të tij Edi Rama, thonë të njëjtat burime për Syri.net.
Mësohet gjithashtu se po ditën e djeshme, Ilir Meta i dërgoi një letër PPE ku i informonte për situatën politike dhe u kërkoi të negocionin për bisedimet mes palëve dhe shprehu gadishmërinë e LSI për të bërë çdo gjë që thonë ata.