Policia e Shtetit:
Sqarim në lidhje me lajmin e dalë sot në mediat Italiane dhe mediat vendase në lidhje me një sasi për narkotike të kapur rreth 60 milje larg Barit në Itali.
Gomonia me 590 kg Cannabis Sativa ku u arrestuan dy shtetas Shqiptarë e dhënë sot në media është ndaluar më datë 1 Prill 2017 gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë së Shtetit dhe Policisë Italiane.
Mbi bazën e një informacioni të marrë në rrugë operative , gjatë mbrëmjes së datës 31.03.2017 shërbimet e Policisë së Shtetit kanë sinjalizuar për një mjet lundrues të dyshimtë.
Për ndjekjen dhe kapjen e gomones u organizua operacioni i përbashkët i Policisë së Shtetit me shërbimet e Policisë italiane në Shqiperi, Guardia di Finanza në Durrës dhe Guardia di Finanza në Bari. Si rezultat, rreth orës 05:00 të datës 01.04.2017, rreth 60 milje larg Barit – Itali u bë e mundur kapja dhe sekuestrimi në det të hapur i mjetit lundrues tip gomone, 10 m e gjatë, me dy motorë Yamaha x 350 kf.
Në bordin e saj ndodheshin dy skafistë shtetas shqiptarë:
R.H., 36 vjeç nga Vlora dhe B. D. , 25 vjeç nga Kavaja, të cilët për t’i shpëtuar ndjekjes së Policisë e hodhën lëndën narkotike në det.
Pas rekuperimit të lëndës narkotike në det nga GdF rezultoi një sasi prej 590 kg lëndë narkotike e llojit cannabis sativa.
Informacioni për këtë ngjarje jepet sot më datë 14.04.2017 pas dhënies së miratimit nga Gjykatësit e çështjes pasi ngarja ishte ende në hetim.
Rastet e fundit janë dëshmi e një veprimtarie të përbashkët policore të dy vendeve edhe në hetimin tyre.
Dy skafistët kishin hedhur drogën në det dhe u desh një kohë e gjatë për dokumentimin e provave para gjykatësit Italian për konvalidimin e urdhër-arresteve.