Letra e LGBT drejtuar Kryeministrit:
I nderuar zoti Rama,
Në datën 13 maj, në orën 11.00, Aleanca LGBT dhe Pro LGBT, dy organizatat kryesore për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTI në Shqipëri, do të organizojnë Paradën e 6-të me biçikleta të quajtur Tirana Gay (P)Ride.
Përmes kësaj letre ne ju ftojmë, që si kryetar i një partie të majtë dhe si Kryeministër i të gjithë shqiptarëve, të merrnit pjesë në këtë event, që për komunitetin LGBTI është një mundësi e jashtëzakonshme për t’u ndjerë të lirë dhe për të jetuar me dinjitet.
Ne besojmë se ka ardhur koha që Ju personalisht dhe partia që ju drejtoni, anëtare e partive progresiste të majta në Europë, të mos ngurroni të keni një qëndrim publik në mbështetje të të drejtave të komunitetit LGBTI.
Siç besojmë se jeni në dijeni, në Europën perëndimore edhe më tej përtej Atlantikut, nuk ka më asnjë forcë politike, e majtë ose e djathtë apo e qëndrës qoftë, që të ngurrojë të mbështesë publikisht të drejtën e qytetarëve LGBTI për të jetuar të padiskriminuar dhe të papërjashtuar.
Në pritje të një përgjigje, ju falenderojmë paraprakisht.
Me respekt,
Xheni Karaj, Drejtore e Aleanca LGBT
Kristi Pinderi, Drejtor i ProLGBT