Porti i Vlorës, i dyti për nga madhësia në vend pritet te ketë një terminal të ri pasagjerësh. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit u miratua leja e ndërtimit për zgjerimin e terminalit të pasagjerëve pasi situata aktuale e këtij objekti nuk përmbush kushtet e domosdoshme për numrin e pasagjerëve të cilët udhëtojnë. Nga ana tjetër nga mungesa e këtij investimi shpesh krijohen flukse të madha dhe të papërballueshme për pasagjerët dhe vonesa në përpunimin e të dhënave.
Projekti është realizuar nga një studio e njohur në Padova të Italisë. Ajo ka bërë rifreskimin e projektit në funksion të perspektivës dhe profilit të ri të portit, me aktivitet atë të ankorimit dhe përpunimit të trageteve.
Masterplani është financuar nga Cooperazione Italiana dhe është investimi më i madh i realizuar në portin e Vlorës. Ai ka një kosto të përgjithshme prej 31 milionë eurosh. Është parashikuar që, ky masterplan të realizohet në katër faza, tre prej të cilave financohen nga Cooperazione Italiana me një vlerë të përgjithshme prej 15.3 milionë eurosh.
Masterplani parashikon rikonceptimin e strukturës aktuale të portit në një mjedis portual me kapacitet ankorues
dhe përpunues për tre-katër tragete, nga një që është aktualisht. Projekti i ri për zgjerimin e terminalit të pasagjerëve në portin detar të Vlorës konsiston në rritjen e
cilësisë së shërbimit; në krijimin e një projekti bashkëkohor për shpejtësi në veprime dhe kontrolle; krijimin e një terminali me kapacitet të plotë për çdo periudhë lëvizjesh.
Në dokumentin e miratuar nga KKT-ja thuhet gjithashtu se problemi kryesor që ekziston në portin ekzistues është pozicionimi i nisjes dhe mbërritjes së pasagjerëve.
Është parashikuar që primare në projekt të jetë ndarja e këtyre dy funksioneve që nënkupton hyrje – dalje të veçanta. Objekti shtesë në portin ekzistues është parashikur dy kate me lartësi maksimale prej 7.5m. Në katin përdhes në të cilin do të pozicionohet lëvizja e pasagjerëve do të përshijë kryesisht
ambjente ndihmëse për to. Siperfaqja e këtij kati do të jetë 2,148 m2.Monitor