Titulli i katërt rresht kampion për Ansi Agollin në Azerbajxhan. Dy javë pa përfunduar sezoni i rregullt, kapiteni i Kombëtares shqiptare dhe skuadra e tij, Qarabag, arritën të shpalleshin kampionë pas suksesit të pastër 3-0 në fushën e Inter Baku.
Futbollisti shqiptar u aktivizua titullar në sfidën e zhvilluar në kryeqytetin e Azerbajxhanit, ku Qarabagu dominoi në lojë dhe e gjeti avantazhin që në pjesën e parë me autor Medetov.
Në pjesën e dytë, Ndlovu shënoi edhe dy gola të tjerë duke siguruar suksesin e skuadrës së Qarabagut që mbyll një tjetër sezon të suksesshëm dhe siguron të drejtën për të marrë pjesë në fazën para-eliminatore të Ligës së Kampionëve, transmeton SuperSport.
Kur duhen edhe dy javë nga fundi i sezonit, skuadra e Agollit kryeson me 56 pikë, 17 më shumë se Kabala ndjekëse që u mund të udhëtim te Kapazi.
Gjatë këtij sezoni, Agolli është aktivizuar në 20 ndeshje në kampionat duke dhënë një kontribut të madh në titullin e katërt rresht të fituar me skuadrën azere.
Ky është sezoni i shtatë i lojtarit shqiptar me Qarabagun pas eksperiencave njëvjeçare me Tiranën në vitin 2008 dhe Kryvbas në Ukrainë një vit më pas.