Loading...

AKADEMIA E ARBITRIMIT, PRESIDENTI DUKA PARA STUDENTËVE TË UNIVERSITETIT TË ELBASANIT

Si shumë nisma të tjera, Federata Shqiptare e Futbollit ka shpallur që në krye të vitit edhe një nga prioritetet e saj kryesore, atë të AKADEMISË së ARBITRIMIT.

Me prezencën e Presidentit të FSHF-së, Armand DUKA, anëtarit të KE së FSHF-së, Tahir Kastrati dhe shefit të Katedrës sportive në Universitetin e Elbasanit, Edmond Biçoku dhe përballë një auditori të gjërë studentësh dhe studentesh, sot nisma u prezantua në Elbasan. Presidenti i FSHF-së Armand Duka përcolli përpara studentëve të Fakultetit të Shkencave dhe të Edukimit një iniciativë të tillë e cila do të marrë start shtatorin e këtij viti.

Akademia do të jetë një shkollë më vete për të gjithë ata që duan të japin drejtësi në futboll dhe duan të jenë pjesë e arbitrimit në të ardhmen. Pikërisht për këtë, FSHF ka vendosur që këtë vit ti japë një suport të madh pjesës së masivizimit për arbitrimin, duke e kanalizuar në një rrugë të qartë, zyrtare dhe meritueshmërie për këdo dëshiron të ndjekë fushën e arbitrimit, djalë, apo vajzë qoftë. “Gjithsecili prej jush të dijë se ku të trokasë, të njihet me tërë praktikën, të njohë rrugën e qartë dhe pikat e kontaktit me Federatën dhe të gjithë kapacitetet që federata do të vërë në dispozicion për ju për Akademinë e Arbitrimit.

Nisëm këtë tur promovues pikërisht me Universitetet, thjesht dhe vetëm t’ju bëjmë publike atë që kemi menduar tashmë të bëjmë. Të përcjellim atë që për pak muaj do të jetë një Akademi më vete arbitrimi me kushtet, mbështetjen, vëniën në dispozicion të të gjithë resurseve tona, trainimin dhe më pas testimin e më tej”,- u specifikua ndër të tjera në këtë prezantim nga kreu i FSHF-së.

Nisma dhe prioriteti i FSHF-së është dhe mbetet vënia në shtrat e lindjes, krijimit dhe të të bërit arbitër futbolli. Me një procedurë të plotë, me një program konkret, me një trainim të profilizuar, me një staf të specializuar dhe me testimet për ti dhënë mundësinë në këtë pikë edhe Kolegjiumeve që të mund të thithin dhe rekrutojnë elementë nga kjo Akademi.

Në shtator do të bëhet edhe grumbullimi i parë me të gjithë ata që kanë aplikuar dhe do të vazhdojnë të aplikojnë dhe më pas Sektori përkatës do të vazhdojë më tej punën. Mbështetja e FSHF-së nuk do mungojë pasi Akademia e Arbitrimit mbetet prioritet maksimal.

Po kështu, duke përfituar edhe nga një prezantim i tillë kreu i FSHF-së përcolli edhe një mesazh për të gjithë arbitrat aktualë, në lidhje me situatën e gjykimeve, duke i transmetuar faktin për të bërë kujdes në vendimmarrjet e tyre në fushë, dhe për të qëndruar larg përcaktimit të fatit të garës prej tyre, në të kundërt penalizimet do të jenë të menjëherëshme.

Nisma e Akademisë së Arbitrimit u prezantua më pas në detaje teknike nga Sokol Jareci i sektorit të arbitrimit, teksa më tej në vijim pati pyetje të ndryshme drejtuar presidentit. Akademia e Arbitrimit do të vazhdojë me turin e saj promovues, kur stacioni i radhës do të jetë Shkodra, e më pas Korça, me studentë e studente të Universiteteve përkatëse atje.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com