Loading...

Ndau burrin duke i thene ‘S’plasa per b…. e tua’ dhe ndertoi Shkollen e kuqe ne Tragjas ! Nga Zyba Hysen Hysa !

Përgjatë kërkimeve dhe studimeve të ndryshme, për efekt të shkrimit të një libri për Tragjasin e Vërtetë, më habit fakti, që aty ishte ndërtuar  shkolla e parë shqipe qysh më 6 mars 1890, sepse mësimi i gjuhës shqipe bëhej në këtë fshat qysh në vitin 1870 me abetaren e Hoxha Tasimit, i cili pas « Beslidhjes së Arsimit » të krijuar në 1864 në Filat të Camërisë,  Hoxha Tasim, vendqëndrimin e kishte në Tragjas, në Kullën Ferhati, ku zhvillohej edhe mësimi nga anëtari i kësaj Beslidhje dhe miku i Hoxha Tasimit, Haris Ferhati.
Kjo gjë më nxiti për të mësuar më shumë për historinë e kësaj shkolle dhe pyetja e parë që më lindi ishte, se cili qe ideatori dhe ndërtuesit i shkollës?

Duke qënë vatër e patriotizmit, në Tragjas vinin patriotë dhe mendimtarë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, por edhe nga jashtë, nga Stambolli dhe ideatorët për hapjen e kësaj shkolle ishin Hoxha Tasimi, Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Ismail Qemali, dhe, Abdyl Frashëri, i cili, para se të shkonte në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, la Abetaren e tij në Tragjas.

Bisedat për përhapjen e gjuhës shqipe bëheshin në çdo krahinë, fshat e vatër shqiptare, por epiqendra e pritjeve dhe përcjelljeve të këtyre patriotëve që vinin nga larg, ka qënë KULLA FERHATI dhe s’kish se si Feratajt të mos ishin bindur për rëndësinë dhe domozdoshmërinë e ngritjes së një shkolle në fshat.
Si çdo gjë që kërkon bindje e më pas të bëhet realitet, edhe fshatarët e Tragjasit kishin mbërritur në një pikë, që duhej pa tjetër të ngrihej kjo shkollë, por vërtet, fshati iveston në ngritjen e një çezme, në dërgimin e një nxënësi për studime jashtë shtetit, por të ngrihej një shkollë, kërkonte ivestim të madh.
Haris Ferati, s’kishte djalë. Ai kishte tre vajza, të cilat i martoi të trija dhe para se të vdiste, i lë amanet vajzës së tij të vigël, Sutës, që pasurinë e tij ta shiste dhe të ndërtonte shkollë.

I shoqi i Sutës, ishte kumarxhi dhe kërkon me insistim që këtë pasuri ta merrte ai, por Suta nuk pranoi.
Një ditë u mblodh populli tek dy rrapat, pranë kroit të fshatit dhe varrit të Alem Memetit për të diskutuar për shkollën, por i shoqi i Sutës nuk pranonte dhe në mes kuvendit i hakërrehet Sutës:
– Unë të vë edhe Ty, edhe pasurinë në kumar!
– Ti jo pasurisë i vjen anës, por edhe unë s’plasa për … e tua, ndaj sikterisu e mos të shoh më fytyrën!
Ishte Suta e Hariz Ferhatit, e cila u nda edhe nga burri për të çuar amanetin e babait në vend për ndërtimin e shkollës së parë shqipe në Tragjas, ku në historikun e këtij fshati thuhet: « Rreth viteve 1890, patrioti arsimdashës, Haris Ferhati, nga fshati Tragjasit, me që nuk kishte fëmijë (djem) dhe simbas zakonit, për të mos i humbur emri, ai la amanet ndërtimin e një shkolle.

Për herë të parë del në pah kontributi i një femre tragjasiote në drejtim të ndërtimit dhe çeljes së shkollës së parë shqipe në Tragjas, e cila ishte e para edhe për gjithë jugun e Shqipërisë dhe kjo grua me tipare sorkadhje, por me një shpirt luftarak e mendje të ndritur, si bijë e Ferhatajve, ku në vitin 1808, Jaup Ferhati, gjyshi i saj, ka çliruar Tragjasin nga pushtuesit grekë, dërguar nga Ali Pashë Tepelena, duke çpopulluar Tragjasin, se tragjasiotët i shpërnguli duke i internuar në Lubonjë dhe u shtroi poshtë driza për ta zhdukur këtë rracë atdhetare. Jaup Ferhati i parë, bashkë me të gjithë patriotët e Jugut të Shqipërisë, që më vonë do të themelonin Beslidhjet e Jugut, të vitit 1828 në Berat, ku do të kërkonin zyrtarisht pavarësinë e Shqipërisë.
Në Beslidhjen e Picarit në 1846 si dhe të Mesaplikut 1847, ku ka marrë pjesë gjyshi dhe babai i Ismail Qemalit, Ismail bej Qemali i I dhe Mahmut bej Qemali.
Babai i Sutës është djali i Jaup Ferhratit I, mik i Hoxha Tasimit nga Nihati i Filatit të Çamërisë, anëtar i Beslidhjes së Arsimit në 1846, themeluar në Nihat të Çamërisë.
Në vitin 1870, Haris Ferhati, i biri i Jaupit të I, ishte mësues dhe një dhomë të « Kullës Frehati » e ktheu në shkollë, ku dha mësim shqip me abetaren e Hozha Tasimit dhe të Stambollit në 1869. Ky mësim u dha deri në vitin 1890 në Kullë.
Haris Ferhati, babai i saj (Sutës), vdiq në vitin 1885 dhe me kërkesën e Ismail Qemalit, Hoxha Tasimit, Abdyl e Naim Frashërit, në vitin 1890 më kapitalin e familjes Ferhati, dy kushërinjtë Suta dhe Jaup Ferhati II, ndërtuan shkollën dhe i vunë emrin e mësuesit të parë, « Haris Ferhatit ». Në këtë shkollë bëhej mësimi shqip, ndaj familjes Ferati dhe Tragjasit, pas ndërtimit të shkollës, e cila ishte e « pa ligjshme » u ndërmorën raprezalje kundër Sutës, jo vetëm ushtria turke, por edhe bashkëshorti i saj ishte kundër ndërtimit të shkollës, të cilin ajo e ndau dhe fëmijët (tri vajzat e saj u rritën në Kullën Ferhati.
Menjëherë u nis drejt Tragjasit xhandarmëria turke nën drejtimin e oxhakut « Vlora » (jo familja Qemali e Kaninës) rrethuan Tragjasin bashkë me shkollën. Turqit, sipas zakonit të kohës, nuk luftonin me gratë. Suta u doli përpara dhe u thotë: « Unë e ndërtova shkollën! Ju keni ardhur të luftoni me çitjanet e grave? » Turqit e turpëruar, hoqën rrethimin, arrestuan Jaup Ferhatin e II dhe e burgosën në Janinë.
Shkolla është ndërtuar me gurë specialë, të skalitur, llaçi ka qënë lyer me ngjyrë të kuqe, por kështu edhe suvaja me ngjyrën e kuqe, në krahun e djathtë u gdhend shqiponja dy krenore, sipas flamurit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mermeri është marrë nga mali i Dukatit dhe është ngjyer nga gratë e fshatit me katran, me të cilën është gdhendur shqiponja dhe e mori emrin SHKOLLA E KUQE FLAMUR, “HARIS FERHATI ».

Shkolla kishte një gjatësi 28 m dhe gjerësi 8 m, fat që edhe sot qëndron në këmbë. U ndërtuan dy klasa dhe dhoma e mësuesit, në një dhomë të mësonin vajzat dhe në tjetrën djemtë, se edhe Suta ishte me shkollë. Para shkollës ishte një oborr i madh, toka ku u ndërtua shkolla është blerë nga Ali Islami, nga Tragjasi. Këtë tokë Jaup Ferhati e bleu Ali Islamit dhe për pozicionin që kishte në ballë të fshatin, ajo kushtoi shtrenjtë. Projektin e saj e bëri Ibrahim Abdullahu, i cili ishte pjesë e banorëve të Tragjasit, i biri i Haxhi Abdullahut, gjysmatar në kapitalin e Ferhatajve.
Kjo shkollë, deri në 1912 u financua nga familja Ferhati. Në 1908, Ismail qemali, Luigj Gurakuqi erdhën në Tragjas për fushatën elektorale. Mori një abetare nga kjo shkollë dhe ja dorëzoi djalit të familjes Duka në Vranisht, Xhemil Veli Dukës, që ashtu si në Tragjas dhe në Vranisht të mësohej gjuha shqipe. Kulla e Kuqe “Frehati” dhe Shkolla e Kuqe Flamur “Haris Ferhati”, u bënë qëndra e agjitacionit dhe propagandës atdhetare. Në 1913, Luigj Gurakuqi dërgoi mësues Avni Rustemin, i cili dha mësim 8 muaj dhe  Jaup Ferhati, duke i falur një « bruskë » kuq e zi dhe e nisi për në çetën e Çerciz Topullit, bashkë me Muço Ferhatin.

Me pushtimin Italian, në 1918, Italia kërkonte të fuste gjuhën italiane në këtë shkollë, por tragjasiotët nuk e lejuan. Në vitin 1933, shkolla shtetzohet, ashtu si gjithë shkollat e Shqipërisë nga Qeveria e Ahmet Zogut. Reformatori më i madh i të gjithë kohrave, ministri i Arsimit të asaj kohe, Mirash Ivanaj, gjatë vizitës që bën në Tragjas, mahnitet nga mënyra e ndërtimit, organizimit dhe mësimdhënies dhe në 1934 dekorohet « Si shkolla më e mirë në Shqipëri » duke vendosur dekoratën në ballë të shkollës. Po, Mirash Ivanaj, në tavolinën e tij, kishte vendosur në një shtizë të argjëndë flamurin shqiptar, ku shkruhej poshtë shqiponjës « Shkolla e kuqe flamur, “Haris Ferhati”, Tragjas ».
Me gjithse kemi qënë antizogistë të tërbuar, Ahmet Zogu vlerësoi shkollën dhe Sinan Ferhatin, të birin e Jaupit, i cili u plagos në kufi me serbinë e Malin e Zi, më 1936 dhe mbeti invalid i përjetshëm, derisa vdiq në 2001, e dekoroi « Për veprimtari të lartë patriotike ».

Qëllimi i këtij shkrimi, përpos zbulimit të historisë së përhapjes së gjuhës shqipe në trevat shqiptare, histori e cila është mohuar, është shtrembëruar sipas konjukturave të pushtuesve dhe tradhëtarëve të vendit, ka për qëllim të sensibilizojë opinionin publik dhe institucionet shtetrore për vlerën e pallogaritshme të kësaj shkolle, e cila ishte shkëndia e parë e përhapjes së gjuhës shqipe në Shqipëri, nga kanë dalë kuadro drejtuese për Shpalljen e Pavarësisë, për luftën e 1920 dhe të 1944 – ës, edhe për të përkujtuar veprën dhe kontributin e fisit Ferhati e në veçanti femrave të këtij fisi, përfaqësuar denjësisht nga Hanko Ferhati, bashkëshortje e mësuesit Mahmut Hoxha, i cili ka dhënë mësim shqip në Kullë, jo në shkollë, se kishte vdekur kur u hap shkolla, Suta Ferhati, e cila për hir të shkollës, në mes të fshatit deklaroi divorcin me bashkëshortin, sepse me tokat e Ferhatajve nuk mund të luhej kumarë, të përkujtojmë Kadënë Xhaferr Ferhatin, komandante për mbrojtjen e Tragjasit në luftën e 1920, e cila me gratë e fshatit e mbrojti Tragjasin të mos digjej.

Të kujtojmë Velide Ferhatin, të bijën e Xhaferr Xhuvelit (Xhaferrit të Ismail Qemalit) që dhimbjen e saj për masakrat që ju bënë dy fëmijëve e ktheu në forcë dhe Kulla dhe shkolla Flamur, u kthyen në një kështjellë për mbrojtjen e vlerave dhe mbivlerave kombëtare, Sade Ferhati (Muratin), mbesën e patriotit Alem Tragjasit…
Këto gra luftëtare kanë qënë bashkëshorte të mrekullueshme, luftëtare të lirisë, nëna të rralla dhe mjeke popullore.
Të shkruash për këto, siç thonin pleqtë « duhet një ditë qershori dhe nata më e gjatë e dhjetorit » secila nga këto gra ka një histori të lavdishme që përfundon me tragjedi…
Këto nuk kërkojnë vlerësim dhe shpërblim, por rehabilitim bashkë me fëmijët e tyre!
I paharruar qoftë kujtimi i tyre!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com