Është koha perfekte për një byrek me kungull veror, të cilët, të freskët sapo kanë dalë në treg.
Tradita shqiptare e përgatitjes së byrekëve është unike në botë, aq sa kuzhina shqiptare identifikohet me recetën e tij.
Askush nuk i reziston dot byrekut shqiptar. Menjëherë sapo del nga furra ai mbledh gjithë shtëpinë rreth tij.
I shijshëm dhe i kombinuar me mbushje të ndryshme, me djathë e me qumësht, me hithra a lakra të egra, me qepë e domate apo preshë, të gjitha mënyrat e gatimit të tij janë të mrekullueshme.
Por ka dhe një tjetër recetë, shumë familjare dhe shumë të dashur në tryezat shqiptare: Byreku me Kungull.
Shija e tij është fantastike pikërisht në këtë kohë, kur kungujt e freskët, të verdhë të sapo mbledhur nga zona të ndryshme të Shqipërisë kanë mbushur tregjet plot e për plot.
Përgatitja e Byrekut me Kungull
Përbërësit:
700 gr tul i kungullit veror
500 gr Miell
250 ml Ujë
10 gr Kripë
Vaj Ulliri
Pak gjalpë fshati
Sodë Buke
Një gotë qumësht
Një kokërr vezë
Përgatitja e brumit dhe mbushjes me kungull
Si fillim, përgatisim brumin, duke hedhur në një tas të madh miellin.
Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë ndërsa nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës.
Brumin e përftuar e mbulojmë me një pecetë të pastër dhe e lëmë përreth gjysmë ore që të fryhet ndërsa nisim përgatitjen e harxheve.
Për përgatitjen e kungullit, pasi e kemi prerë në copa mesatare i hedhim në një tenxhere me ujë në mënyrë që të zjejë.
Sapo copat e kungullit të jenë zbutur. Kullojmë ujin dhe i shtypim derisa të marrin formën e puresë.
Më pas, në një tenxhere hedhim kungullin pure, vezën, kripën, një lugë gjalpë fshati dhe gotën e qumështit.
I vendosim në zjarr për 8-10 minuta derisa të krijojmë një masë të njëtrajtshme, jo të lëngshme.
Përgatitja e Byrekut
Pasi e përgatisim mbushjen me kungull, e lëmë të ftohet. Gjatë kësaj kohe brumi është gati për t’u punuar. Brumin e ndajmë në 10 kuleçë të vegjël dhe nisim hapjen e petave.
Në tepsinë e lyer me vaj ulliri, shtrojmë tre petat e para duke u hedhur secilës nga disa pika vaj ulliri.
Më pas shtrojmë pjesën e parë të mbushjes me kungull. (Masën e kungullit e planifikojme te ndarë për tre shtresa)
Vijojmë me shtrimin e dy petave të tjera dhe më pas hedhim sërish një pjesë të mbushjes së kungullit.
Pas kësaj, sërish shtrojmë dy peta të tjera duke i spërkatur gjithmonë me disa pika vaj ulliri.
Hedhim dhe pjesën tjetër të mbushjes dhe vijojmë shtrimin e dy petave të tjera.
Hedhim edhe pjesën tjetër të mbushjes së kungullit dhe më pas shtrojmë tre petat e fundit duke u sërish disa pika vaj ulliri.
Byrekun e pjekim në furrë në 180 gradë për 20-30 minuta deri sa të marrë pjekjen e duhur.
Në fund të përgatitjes, pasi byreku është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me një lugë gjalpë fshati./AgroWeb.org