Votime Sondazhe

Partitë maqedonase në garë për votat e shqiptarëve

[sgmb id=”1″]

Partitë politike maqedonase në zgjedhjet lokale, që do të mbahen në tetor, janë futur në garë që në mënyrë të drejtpërdrejtë të fitojnë votat e elektoratit shqiptarë, për dallim nga herët e kaluara kur vota shqiptare orientohej për kandidatët maqedonas në komunat me shumicë maqedonase dhe qytetin e Shkupit përmes partive politike shqiptare.

Risi paraqet partia maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE, udhëhiqet nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, parti e shquhet për idetë nacionaliste në garën për të fituar qytetin e Shkupit si njësi e veçantë e vetë administrimit lokal që në vete ngërthen 10 komuna, ka premtuar se nëse fiton kandidati i kësaj partie Koce Trajanovski edhe një mandat, do të vendosë për herë të parë për zëvendëskryetar të Shkupit një shqiptar.

Koce Trajanovski kërkon të bëhet kryetar i qytetit të Shkupit për të tretën herë me radhe, megjithëse kësaj radhe është shfaqur në bilbordet e qytetit bashkë me Muhamet Ahmetin, kandidat për këshilltar në listën e VMRO-DMNE-së, i cili njëkohësisht është dhe kandidat për zëvendëskryetar të qytetit të Shkupit nën sloganin e shkruar në gjuhën shqipe: “Fillon epokë e re në Shkup”.

Njohësit e çështjeve politike thonë se qytetarët shqiptarë vështirë se do t’i besojnë VMRO-DPMNE-së, gjersa kjo parti nuk bën reforma rrënjësore brenda saj.

“VMRO-DPMNE si parti ishte ajo e cila tërë kohën ka kundërshtuar shumë çështje që prekin interesat e qytetarëve shqiptarë dhe tani përnjëherësh në fushatë zgjedhore del me idenë duke promovuar një epokë të re edhe për shqiptarët , kjo tek qytetarët më nuk kalon”.

“Për çështje të ndjeshme, që kanë të bëjnë me raportet mes shqiptarëve dhe maqedonasve nuk mund të veprohet në bazë të interesave të politikës ditore. Si e para, VMRO-DPMNE duhet të reformohet si parti, që të fillojnë t’i besojnë fillimisht maqedonasit dhe pastaj shqiptarët”, thotë Nikolla Dujovski, ligjërues i shkencave politike në Shkup.

Sipas tij, VMRO-DPMNE dhe Nikolla Gruevski si drejtues i partisë nuk kanë bërë asnjë hap drejt reformimit të partisë, ngase Gruevski edhe pse është akuzohet nga Prokuroria Speciale Publike për shumë raste, vazhdon të jetë kryetar i pakontestueshëm i partisë, ndërsa në shumicën e komunave kjo parti garon me kandidatët e vjetër, të cilët ishin pjesë e përgjimeve.

Ndërkaq, Abdulla Memeti, kryetar i Akademisë Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve, me seli në Shkup për Radion Evropa e lirë thotë se elektorati shqiptarë është drejtuar kah partitë maqedonase si rrjedhojë e dështimit të partive shqiptare, por pavarësisht dështimeve orientimi i votës shqiptare kah partitë maqedonase paraqet rrezik për artikulimin e kërkesave të shqiptarëve.

“Nuk duhet të harrojnë shqiptarët se në këtë shtet ende trajtohen si qytetarë të rendit të dytë, si qiraxhinj në shtëpinë e vet, me status të pakicës kombëtare. Ky fakt nuk i jep komoditetin askujt të bëjë eksperimente me çështjen kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, sepse vetvetiu pas vetes bart rreziqe të tjera, për shfaqjen e tendencave për ndarjen e Maqedonisë, copëtimin e saj mes shteteve fqinje dhe zhbërjen përfundimtare të këtij shteti”, thotë Mehmeti.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë e drejtuar nga kryeministri Zoran Zaev, në zgjedhjet e kaluara parlamentare arriti të sigurojë një numër të konsiderueshëm të votave në vendbanimet e banuara kryesisht me shqiptarë.

Kjo parti në zgjedhjet lokale të 15 tetorit garon me një kandidat shqiptar në komunën e Haraçinës së Shkupit, ndërkohë që në komunat e tjera shqiptare ka ftuar elektoratin e saj të mbështesë kandidatët e BDI-së si partner koalicioni, dhe në këmbim pret që votat e elektoratit të BDI-së të orientohen në kandidatin e socialdemokratëve për qytetin e Shkupit.

Partitë maqedonase në garë për votat e shqiptarëve Read More »

Pavarësia e Katalonjës, 90 për qind e banorëve votojnë pro, qindra të plagosur

[sgmb id=”1″]

Referendumi i pavarësisë së Katalonjës ka marrë mbështetjen e 90 për qind të banorëve të krahinës autonome të Spanjës.

Përpjekjet e qeverisë spanjolle për të bllokuar një referendum rajonal mbi pavarësinë e Katalonias, kanë përfunduar në dhunë pasi policia mbylli vendvotime dhe konfiskoi kutitë e votimit, pavarësisht rezistencës nga votuesit në të gjithë rajonin.

Sipas zyrtarëve katalanas, më shumë se 761 njerëz janë duke u trajtuar për dëmtime të shkaktuara nga oficerët e policisë spanjolle në përleshjet që po intensifikohen.

Zëvendëskryeministrja spanjolle Soraya Saenz de Santamaria tha të djelën në Madrid, se “nuk është mbajtur referendum apo diçka që i ngjason një referendumi”. Ajo tha se heqja e lidhjeve të internetit të zyrës rajonale të regjistrimit nga policia ka neutralizuar çdo aftësi për të formuluar rezultatet e votimit.

Por zëdhënësit e qeverisë rajonale katalanase që kërkuan mbajtjen e votimit, thonë se 73 për qind e vendvotimeve janë të hapura dhe teknikët e tyre po përpiqen të rregullojnë linjat e prera të internetit.

Personi, duke folur për Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti, thotë se votat do të numërohen fizikisht dhe rezultatet do të njoftohen nga një bord i posaçëm zgjedhor të formuar nga “ekspertë dhe akademikë”.

Ministri i Brendshëm spanjoll Juan Ignacio Zoido thotë se përpjekjet për të legjitimuar votimin e së dielës janë një “parodi”.

Dhuna shpërtheu herët të djelën kur policia e pengoi presidentin e qeverisë rajonale katalane, Carles Puigdemont, që të votonte në distriktin e tij të Geronës. Puigdemont u filmua më pas duke votuar në një vendvotim tjetër. Autoritetet katalanase u kërkuan votuesve të hedhin votat në çdo vendvotim të hapur që ata mund të gjejnë. Në disa raste njerëzit kanë hedhur vota në kutitë e votimit të vendosura në rrugë.

“Shteti spanjoll ka penguar katalanasit që të ushtrojnë të drejtat e tyre, duke i dhënë një imazh të tmerrshëm Spanjës” u tha Puigdemont gazetarëve.

Zyrtarët e policisë spanjolle thonë se janë të zhgënjyer nga forcat policore rajonale të Katalanasve, të cilët i kishin siguruar ata se nuk do të lejonin hapjen e qendrave të votimit.

Nga mesi i mbasdites, duket se situata po normalizohej në disa vende kryesore votimi. Partia kryesore opozitare, PSOE e cila në fillim mbështeti politikën e ashpër të qeverisë konservatore ndaj shkëputjes katalane, i bëri thirrje kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy dhe Puigdemont të jepnin dorëheqjen dhe të organizonin zgjedhje të reja. Në shenjë proteste kundër përpjekjeve të qeverisë qendrore për të ndërprerë referendumin, skuadra e futbollit të Barcelonës anuloi një ndeshje me një ekip tjetër spanjoll, sepse ekipi tjetër njoftoi se do të luante me ngjyrat e Spanjës qepur në fanellat e futbollistëve. Nën kërcënimin e sanksioneve nga shoqata spanjolle e futbollit, ekipi i Barcelonës më në fund ra dakord të luante një ndeshje me dyer të mbyllura me ekipin nga Ishujt Kanare, ku mbështetja për qeverinë qendrore është e fortë.

Pavarësia e Katalonjës, 90 për qind e banorëve votojnë pro, qindra të plagosur Read More »

Franca përshëndet fitoren e Merkelit, e shqetësuar me rritjen e krahut ekstrem

[sgmb id=”1″]

Zëdhënësi i qeverisë franceze, Christophe Castaner përshëndeti fitoren e kancelares Angela Merkel, por ka shprehur shqetësim me rritjen e ekstremit të djathtë, siç e quajti “e krahu të dhunshëm”.

”Fillimisht duhet përshëndetur fitorja e Angela Merkel. Është e katërta dhe në Francë kur konstatohet që një drejtues qeverie të fitojë katër herë radhazi mbetet një fakt mjaft për t’u admiruar”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë franceze për mediat RMC dhe BFMTV.

“Më pas, po konstatohet që kjo fitore është e hidhur. Të lë një shije të hidhur, pasi po konstaton rritjen e një ekstremi të djathtë mjaft të dhunshëm, mjaft të ashpër, mjaft radikal aq më tepër kur bëhet fjalë për Gjermaninë. Është një fakt që lë gjurmë”, shtoi Castaner.  Partia e së djathtës nacionaliste, AFD, regjistroi të dielën një fitore historike për një lëvizje të këtij formati në zgjedhjet gjermane, duke thyer një tabu në këtë shtet i gjendur përballë një sfide të re, sipas deklaratave të Angela Merkel.

Franca përshëndet fitoren e Merkelit, e shqetësuar me rritjen e krahut ekstrem Read More »

Merkel fiton mandatin e katërt e nacionalistët rriten

[sgmb id=”1″]

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është rizgjedhur për mandantin e katërt, derisa nacionalistët kanë shënuar rritje historike në zgjedhjet federale.

Blloku konservator i Merkelit CDU/CSU ka fituar 33 përqind të votave, duke shënuar rezultatin më të keq në gati 70 vjet, por do të mbetet më i madhi në parlament.

Partneri aktual i koalicionit, SPD, tha se do të kalojë në opozitë, pas humbjes historike me 20.5 përqind të votave.

Partia nacionaliste AfD ka dalë e treta me 12.6 përqind të votave, duke fituar për herë të parë ulëse në parlament.

Rritja e AfD-së, parti anti-islamike e ekstremit të djathtë, ka shkaktuar protesta në Gjermani.

Dhjetëra njerëz janë mbledhur para selisë së AfD-së në Berlin, me thirrjet: “Refugjatët janë të mirëpritur”.

Protesta ka pasur edhe në Frankfurt dhe Këln.

Merkel fiton mandatin e katërt e nacionalistët rriten Read More »

Misioni më i vështirë i Merkelit: Gruaja më e fortë në botë rrezikon të bëhet “kancelare e paradave”

[sgmb id=”1″]

Deri tash i mbrojtur nga ekstremizmi dhe populizmi i djathtë, vendi më i fuqishëm i Bashkimit Evropian me këto zgjedhje parlamentare ka treguar se nuk mund të mbetet ishull i stabilitetit në një botë që po ndryshon në mënyrë dramatike.

Pavarësisht papunësisë së ulët, pavarësisht rritjes së qëndrueshme ekonomike, pavarësisht suficitit buxhetor, pavarësisht stabilitetit pothuajse të bezdisshëm… Gjermania të dielën u bë një nga shtetet e BE-së ku ekstremistët djathtë do të jenë në Parlament.

Lajmi kryesor i zgjedhjeve për Bundestagun është se me 13 për qind të votave – sa i fitoi Alternativa për Gjermaninë (AfD) – djathtistët kanë tërhequr më shumë se një milion votues demokristianë, duke përdorur veç politikat anti-emigracion dhe anti-islam. Për AFD-në dihet se për çfarë janë kundër, por tek me punën opozitare në Bundestag do të dihet se për çfarë janë për. Për shembull, si do votojnë për reformën e sistemit të pensioneve, duke pasë parasysh faktin se partia nuk ka qëndrim të unifikuar për çështjen, siç tha në fushatë kandidati i tyre kryesor, Alexander Gauland, transmeton Telegrafi.

Po ashtu, do të jetë interesante të dihet nëse përditshmëria parlamentare do të urtësojë 80 anëtarët e AfD-së – në mesin e të cilëve ka revizionistë famëkeq dhe neonazistë të maskuar keq – apo do të vazhdojë marshimi i suksesshëm i ndryshimeve radikale të skenës politike gjermane. Gauland sonte njoftoi se detyra e tyre kryesore do të jetë “gjahu në të”, pra në Merkelin.

Kancelarja ka humbur 8-9 për qind të votave në raport me zgjedhjet e mëparshme, por mbetet ende në pushtet. Merkel ashiqare është dobësuar, por ende është e pashmangshme. Atë e pret detyra e vështirë për koalicionin qeverisës, i cili nuk mund të llogarisë te socialdemokratët të cilët me 20 për qind të votave kanë përjetuar përmbysje historike për çka duan të shkojnë në opozitë. Kjo është gjë e mirë për ta dhe për demokracinë gjermane, sepse në Gjermani – që nga viti 2005 – ka dominuar një koalicion i madh i zi dhe i kuq që nuk ishte i mirë për vendin, gjë që i dha hapësirë AfD-së. Merkel pra duhet të shkojë në koalicion me FDP-në liberale dhe Të Gjelbrit që kanë më shumë vota se katër vjet më parë dhe të cilët tash kanë apetite më të mëdha. Raportet e tilla në Gjermani quhen Koalicioni-Xhamajka, sipas ngjyrave të partive që bashkë janë si ngjyrat e flamurit të Xhamajkës: kuq, verdhë dhe gjelbër. Të gjithë që tani po paralajmërojnë biseda të vështira për koalicion.

Derisa qëllimi i parë i CDU-së dhe partisë simotër bavareze CSU është të kthejnë votat që i ka marrë AfD-ja, FDP dhe Të Gjelbrit kanë qëllim ndalimin e një programi konservator qeveritar. Në fakt, të dyja këto të fundit duan ndryshime, për çka Merkel në mandatin e katërt mund të jetë kancelare e paradave, sepse partnerët janë ata që do të caktojnë rendin e ditës.

Për socialdemokratët nuk ka diçka të veçantë, pos që qëndrimi në opozitë mund t’i ndihmojë nga rënia edhe më e madhe. Qendra e majtë sot nuk është pozita që mund të kthejë socialdemokratët e BE-së së sotme në pushtet apo në rezultate më të mira, prandaj Martin Schulzi dhe kolegët e tij është mirë të studiojnë politikat e laburistëve të Jeremy Corbynit në Britani të Madhe dhe të kryeministrit socialist të Portugalisë, Antonio Costa.

Misioni më i vështirë i Merkelit: Gruaja më e fortë në botë rrezikon të bëhet “kancelare e paradave” Read More »

Sot votojnë gjermanët

[sgmb id=”1″]

Sot në Gjermani 61.5 milionë votues me të drejtë vote do të zgjedhin përbërjen e re të Parlamentit gjerman (Bundestagun).

Kancelarja aktuale Angela Merkel ka hyrë në garë për të fituar mandatin e katërt me radhë, kurse rezultate të mira në këto zgjedhje pret edhe e djathta radikale.

Në 299 njësi votimi do të zgjidhen 598 deputetë, kurse votuesit paralelisht do të zgjedhin edhe deputetët nga rajonet e tyre në lista të hapura, si dhe do të votojnë për partitë politike të preferuara.

Për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 19-ta federale në Gjermani janë angazhuar rreth 650 mijë njerëz në 73.500 vendvotime.

Në garën zgjedhore marrin pjesë 42 parti politike me gjithsej 4.828 kandidatë.

Sot votojnë gjermanët Read More »

Merkel përpiqet t’i bindë votuesit e pavendosur

[sgmb id=”1″]

Kancelarja gjermane, Angela Merkel i bëri sot kërkesë partisë së saj konservatore që të përpiqen të afrojnë votuesit e pavendosur, ndërkohë që zgjedhjet fillojnë nesër.

Gjatë një fjalimi në një miting të partisë KristianDemokrate (CDU) në Berlin, Merkel tha se “qëllimi është që të arrihet numri i lartë i votuesve të pavendosur të cilët marrin vendimin e tyre vetëm në orët e fundit”.

Sipas një sondazhi që u publikua sot nga gazeta “Bild”, 45 për qind e gjermanëve do të zgjidhnin Merkel si kancelare, përballë 32 për qind që do të zgjidhnin rivalin e saj, liderin e Partisë Socialdemokrate (SPD), Martin Schulz.

Katër javë më parë i njëjti sondazh tregonte se përballja Merkel dhe Schulz ishte në nivelet, respektivisht, 51 për qind kundër 22 për qind.

Merkel përpiqet t’i bindë votuesit e pavendosur Read More »

Analistët: 22 tetori mund të na befasojë, priten ndryshime

[sgmb id=”1″]

Kosova do të mbajë zgjedhje për të dytën herë brenda vitit. Ndonëse, më 11 qershor u votua për nivel qendror, më 22 tetor do të votohet për qeverisjen lokale.

Se a priten ndryshime në zgjedhjet lokale nga ato nacionale, kanë folur analistët e çështjeve politike në vend.

Në një prononcim për “Indeksonline”, Ernest Luma ka thënë se ndonëse zgjedhjet për qeverisje lokale ndryshojnë nga ato nacionale, mund të ketë befasi më 22 tetor.

“Mendoj që mund të ketë befasi, por prapë se prapë zgjedhjet lokale mund të rezultojnë ndryshe, mund të ketë tjetër trend nga zgjedhjet nacionale. Është e rëndësishme kandidati, por në radhë të parë e rëndësishme është se si partitë politike janë përcaktuar tek kandidatët e tyre për komuna. Kandidatët më të mirë do të fitojnë dhe qytetarët do të votojnë për kandidatët dhe jo për subjektet në radhë të parë”, ka thënë ai.

I bindur se 22 tetori do sjellë ndryshime, është analisti Bajrush Morina, sipas të cilit kjo do të ndodhë për shkak të vetëdijesimit të qytetarëve se pothuajse të gjitha partitë politike nuk kanë çka të ofrojnë.

“Zgjedhjet kanë kuptim vetëm kur prodhojnë ndryshime. Edhe zgjedhjet e 11 Qershorit sa do që nuk revoltuan me fitore ato sollën ndryshime. Edhe në zgjedhjet e 22 tetorit unë pres ndryshime. Kjo do të ndodhë për shkak se qytetarët tashmë janë vetëdijesuar më shumë dhe se partitë politike, pothuaj të gjitha, janë shpenzuar…nuk kanë më çka të japin e çka të premtojnë më shumë”, ka thënë ai për “Indeksonline”.

Morina ka deklaruar se ndonëse procesi i ndryshimit ecë ngadalë në Kosovë, e rëndësishme është që  siç shprehet ai, “të bijnë poshtë të mëdhenjtë, e të vegjlit të çohen!”.

Koalicioni PAN ishte renditur i pari në zgjedhjet nacionale të 11 qershorit. Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje ka pasur rritjen më të madhe duke dyfishuar numrin e deputetëve.

Analistët: 22 tetori mund të na befasojë, priten ndryshime Read More »