Turizem

Qeveria zgjeron sipërfaqen e parkut kombëtar të “Malit të Tomorit”

Parku kombëtar i “Malit të Tomorit” do të ketë një sipërfaqe edhe më të madhe pasi Këshilli i Ministrave vendosi që të zgjerojë sipërfaqen e këtij parku me një sipërfaqe prej 1383.0758 (një mijë e treqind e tetëdhjetë e tre pikë zero shtatëqind e pesëdhjetë e tetë) ha.

Pas ndryshimeve sipërfaqja totale e parkut kombëtar të “Malit të Tomorit” do të ketë në total një sipërfaqe prej 26106.1758 (njëzet e gjashtë mijë e njëqind e gjashtë pikë një mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e tetë) ha.

 VENDIMI I PLOTË

V E N D I M

PËR

ZGJERIMIN E SIPËRFAQES SË PARKUT KOMBËTAR “MALI I TOMORIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 36, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Zgjerimin e sipërfaqes së parkut kombëtar “Mali i Tomorit”, me një sipërfaqe prej 1383.0758 (një mijë e treqind e tetëdhjetë e tre pikë zero shtatëqind e pesëdhjetë e tetë) ha, sipas hartës dhe kufijve të paraqitur në tabelën e koordinatave, përkatësisht në shtojcat 1 e 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
  2. Nga ky zgjerim, kufiri i parkut kombëtar “Mali i Tomorit” do të ketë një sipërfaqe prej 26106.1758 (njëzet e gjashtë mijë e njëqind e gjashtë pikë një mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e tetë) ha.
  3. Zona e zgjerimit të parkut përfshin zona bujqësore dhe pyjore, shkurre dhe kullota. Mbulesa e tokës brenda shtesës së sipërfaqes së parkut kombëtar “Mali i Tomorit” jepet në tabelën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
  4. Sipas zonimit, zona shtesë bën pjesë në zonën e përdorimit tradicional (ZPT), ku zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes.
  5. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me ministritë e tjera të linjës dhe me njësitë e qeverisjes vendore, me institucionet kërkimore-shkencore, me përfaqësuesit e biznesit e të pronarëve privatë, organizata të shoqërisë civile, brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, hartojnë planin shtesë të menaxhimit të sipërfaqes së zgjeruar, si pjesë e planit të menaxhimit të parkut kombëtar, i cili miratohet nga ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura mjedisore.
  6. Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura të Qarkut Berat kryen funksionet e administratës së parkut kombëtar “Mali i Tomorit”.
  7. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe organet përkatëse të qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. /atsh

Qeveria zgjeron sipërfaqen e parkut kombëtar të “Malit të Tomorit” Read More »

CNN: Pse ia vlen ta vizitoni Liqenin e Shkodrës?

Për një vend që shumë njerëz zor se e kanë dëgjuar, kjo masë gjigante uji ka shumë emra.

Në varësi të vendit nga vini, mund të quhet Shkodra, Shkodër apo Scutari, ndërkohë që pjesë më e madhe e vizitorëve e njohin si Liqeni i Shkodrës, shkruan rrjeti informativ prestigjioz amerikan, CNN.

Ky destinacion qëndron nga të dy anët e kufirit mes Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe është liqeni më i madh i Europës Juglindore, një hapësirë e pacënuar dhe park kombëtar.

Ai nuk është ndoshta në listën e vendeve më të vizituara për turistët globalë, por ata që marrin mundimin shpërblehen me një mjedis unik dhe një përvojë shumë speciale udhëtimi.

Liqeni është i paprekur nga zhvillimi apo komercializimi – të paktën tani për tani. Megjithatë, ekziston shqetësimi se Projekti i Portit të Liqenit të Shkodrës, një resort i ri ekologjik në liqen, mund të kërcënojë ekosistemin dhe speciet e rralla, përfshirë shumë që janë endemike.

Ndërkohë, të tjerë përgjigjen se projekti do të jetë i ndjeshëm ndaj mjedisit dhe do të kontribuojë në krijimin e vendeve aq të kërkuara të punës, infrastrukturës dhe rritjes ekonomike.

Ndërsa debati vazhdon, këtu ka disa arsye se pse porti dhe ligatina me rëndësi ndërkombëtare, që mbulojnë një sipërfaqe mbi 200 miljesh katrore, i bëjnë ato një destinacion kaq imponues.

Kur vizitoni Shkodrën, ju duhet ta ulni një marsh, pasi për adhuruesit e udhëtimeve të ngadalta, ka pak destinacione më të mira.

Stili lokal i jetesës duket se reflekton një pamundësi për t’u ngutur, ndërkohë që deri tani rruga më e mirë për të vizituar pjesën më të madhe të liqenit është nëpërmjet udhëtimit me varkë, fillimisht nga qyteti i fjetur malazez i Virpazarit.

Flora

Lojtës Videosh

00:00
00:17

Të gjitha kafshët e egra kanë nevojë për bimësi dhe në mesin e shumëllojshmërisë së tyre gjenden më shumë se 25 specie të konsideruara të rralla dhe të rrezikuara, duke përfshirë një varietet të gështenjës ujore, krokëllit dalmat dhe orkide të shumta të mbrojtura.

Bambuja është shpesh e dukshme në bregun e liqenit, ndërkohë që disa prej luleve më fotozhenike duhet të jenë zambakët e bardhë dhe të verdhë që dalin nga ligatina.

Mund të mos jenë aq të bukura, por ka qindra lloje algash, shumë prej të cilave përsëri janë të rralla ose unike. Pyjet gjithashtu mbulojnë pjesën më të madhe të peizazhit përreth, duke përfshirë shelgun e bardhë dhe lisin.

Histori

Pavarësisht nga qetësia dhe natyra kryesisht e paprekur e liqenit, ai ka qenë dëshmitar i një historie shpesh të trazuar.

Rreth liqenit qëndrojnë mbetjet e 18 manastireve, fortesave, monumenteve dhe kishave.

I banuar nga ilirët e lashtë, grekët dhe romakët, Shkodra dikur ishte pjesë e Perandorisë Bizantine dhe u pushtua nga Perandoria Osmane për pesë shekuj, siç tregohet nga rrënojat përfshirë fortesën e Besakut në Virpazar.

Pas rënies së perandorisë në shekullin XIX, Mali i Zi më pas u bë një principatë e pavarur para se Virpazari të bënte histori si vendi i kryengritjes së parë partizane të Malit të Zi në kohën e Luftës së Dytë Botërore.

Alcatrazi i Malit të Zi

Sundimi i Perandorisë Osmane nxori gjithashtu një nga legjendat më famëkeqe të liqenit. Kështjella e Gërmozurit u ndërtua në 1843 në një ishull me gurë, përpara se të shndërrohej në versionin malazez të Alcatrazit nën mbretin Nikolla I.

Thuhej se as të burgosurit dhe as rojet e burgut, të cilët ishin në gjendje të notonin, e kishin teorikisht të pamundur arratisjen.

Por, dy të burgosur, me sa duket, ia dolën të ikin, duke përdorur një derë si trap.

Për rojet e pafat që i vëzhgonin, dënimi ishte të vuanin të njëjtin dënim si të burgosurit e shpëtuar.

Ushqimi

Ndërsa liqeni është një strehë e mbrojtur e kafshëve të egra, peshkimi me leje është i mundur në disa zona, që do të thotë se peshku nuk mund të jetë më i freskët sesa kur vjen në tryezën tuaj.

E njëjta gjë vlen edhe për produkte të tjera, duke përfshirë djathrat e shkëlqyer të bërë në shtëpi, bimë të tilla si rozmarinë dhe sherbela si dhe pirgje me fruta dhe shegë të kudogjendura, fiq, qershi dhe arra.

Një numër i vogël opsionesh për të ngrënë janë të dallueshme përgjatë liqenit. Në një prej tyre, me pamje nga rrënojat e shtëpive të lashta dhe shtretërve të kallameve, ushqimi është i thjeshtë, por i shijshëm.

Një çift i moshuar mbikëqyr gjërat, në karrige plastike kopshti dhe tavolina pikniku që ofrojnë sfond të përsosur për festë.

Mund të fillojë me proshutën, domate të shkëlqyera lokale të bëra sallatë, përpara se krapi të skuqet dhe të shërbehet me bukë të bërë në shtëpi.

Dollitë me një pije alkoolike ”të zjarrtë” të quajtur raki të sigurojnë një udhëtim të butë me varkë gjatë të cilit mund të jeni edhe të përgjumur.

Manastiret

Një numër manastiresh historike janë të shpërndara në dhe përreth liqenit, në heshtjen, paqen dhe bukurinë natyrore që i rrethon.

Manastiri i Vraninës, më i njohur si Shën Nikolla, është një manastir ortodoks serb dhe gjithashtu një nga më antiket e zonës, që daton në shekullin XIII. Ai ndodhet lart në një kodër në një ishull me të njëjtin emër duke patur një pamje të pabesueshme.

Megjithëse është sulmuar dhe pothuajse është shkatërruar gjatë historisë së saj, kisha u restaurua rreth 20 vjet më parë, ndërsa përpjekjet vazhdojnë për rinovimin e gërmadhave të tjera në vend.

Sot atje jeton vetëm një murg, i cili kujdeset për kishën dhe gjithashtu punon si bletar duke prodhuar mjalt mesa duket me përfitime mjekësore./ atsh.

CNN: Pse ia vlen ta vizitoni Liqenin e Shkodrës? Read More »

Bashkia Vlorë miraton taksë për turistët, ja sa do të paguani nëse vizitoni Karaburunin dhe Sazanin

Këshilli Bashkiak në Vlorë ka miratuar një tjetër taksë për qytetarët dhe turistët. Çdo individ që do të udhëtojë drejt gadishullit të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit do të jetë i detyruar të paguaj 200 lekë çdo herë që viziton këto zona.

Në fillim të sezonit u miratua taksa për ishullin e Sazanit, ndërsa sot është miratuar edhe për Karaburunin. Ky projekt-vendim u kundershtua nga këshilltaret e djathtë, ndërsa u miratua me shumicë votash nga këshilltarët e majtë./Faxweb

Bashkia Vlorë miraton taksë për turistët, ja sa do të paguani nëse vizitoni Karaburunin dhe Sazanin Read More »

Nga janari deri në korrik 2018 Divjaka u vizitua nga 207 mijë turistë

Ajri i pastër, natyra e bukur dhe plot gjallëri si dhe bregdeti ranor i pastër, kanë bërë që Divjakën nga muaji janar deri në korrik 2018 ta vizitojnë plot 207 mijë turistë të huaj dhe vendas.

Të dhënat janë bërë publike për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) nga bashkia e Divjakës, ku vihet re një trend në rritje i vizitorëve të huaj për të kaluar pushimet në Divjakë, krahasuar me shifrat e një viti më parë.

Parku i Karavastasë është një nga atraksionet kryesore, pasi së fundmi këtij parku i është vendosur në dispozicion edhe guida me barka, e cila përshkon një gjatësi prej 5 kilometrash.

Kryetari i bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi theksoi për ATSH, se dy nga faktorët kryesorë për përthithjen e kaq shumë vizitorëve në Divakë janë projektet e “Rilindjes Urbane”, si dhe stabiliteti që po kalon vendi.

“Besoj se një nga elementët kryesorë që doja të theksoja kanë të bëjnë me pjesën e stabilitetit në tërësi të gjithë vendit, si edhe me gjithë punën e bërë për krijimin e kushteve optimale për turistët në të gjithë vendin, ku ndër to përfshihet edhe bashkia e Divjakës. Doja të theksoja që ndër punët tona kryesore që kanë synuar përthithjen e turistëve ka të bëjë me projektet e “Rilindjes Urbane”. Nga muaji janar-korrik 2018 Divjakën e kanë vizituar plot 207 mijë turistë. Veç atyre janë edhe projektet tona të përfunduara këtë vit, siç kanë të bëjnë ato me krijimin e një infrastrukture të përshtatshme për t’i bërë më shumë të njohura edhe bukuritë natyrore të Divjakës.

Kuptohet që peshën kryesore e zë shëtitja me varka duke u njohur më mirë me biodiversitetin e zonës, florën dhe faunën e parkut, si dhe përtej asaj, që të krijohen aktivitete argëtuese për turistët.

Janë krijuar shumë kilometra shëtitore, por kemi ndërtuar edhe pika referimi në këtë zonë, siç është edhe Kulla. Nga Kulla shikohet pjesa panoramike e qytetit dhe ajo çfarë e bën këtë më të veçantë është vështrimi në një pozicion tjetër, ku syri mund të shikojë lirshëm bukuritë e këtij parku, lagunat, por shikimi mund të shkojë edhe më larg, ku mund të shihet edhe mali i Tomorrit si dhe ishulli i Sazanit”, – theksoi Kokoneshi.

I pyetur për turistët e huaj dhe nacionalitetet që preferojnë të kalojnë pushimet në qytetin e Divjakës, Kokoneshi thekson se Divjaka është një vend i cili preferohet së tepërmi nga turistët francezë, të cilët zënë edhe vendin e parë.

“Ndër nacionalitetet që vizitojnë Divjakën të parët janë ata francezë, pastaj vijnë turistët çekë, polakë dhe nga vendet nordike. Jam i befasuar nga fluksi i turistëve të huaj. Jo vetëm në fundjavë, por në qytet ata vërehen çdo ditë, thjesht një lëvizje me pak financa, ne kemi arritur të përthithim shumë turistë këtë vit”, – u shpreh kreu i bashkisë Divjakë.

Duke u ndalur te kushtet dhe komoditetet që ofron Divjaka ndaj turistëve të huaj dhe vendas, Kokoneshi bën me dije se këtë vit ka një risi, që të gjitha ndërtesat që akomodojnë turistët janë restauruar dhe se arma e fortë e Divjakës mbetet gatimi tradicional, ku turistët e huaj mbeten të kënaqur nga shija që ofrojnë produktet bio të zonës. /atsh

Nga janari deri në korrik 2018 Divjaka u vizitua nga 207 mijë turistë Read More »

Turistë gjermanë marrin pjesë në “Festën e Bjeshkëve” në Tropojë

Tropoja është një destinacion i ri turistik. Përveç Luginës së Valbonës, një mrekulli e natyrës, Tropoja ofron atraksione të reja për turizmin malor.

Në njësinë administrative Margegaj të bashkisë Tropojë u promovua “Festa e Bjeshkës” në “Trokuz” ku pati lojëra popullore, këngë e valle të trevës.

“’Festa e Bjeshkëve’ që është kthyer në traditë këto katër vitet e fundit, falë dhe punës së bërë nga Bashkia dhe institucionet lokale atje, ka tërhequr vëmendjen e mjaft turistëve. Mbi 200 persona, pavarësisht se kushtet meteorologjike nuk ishin të përshtatshme rendën në ‘Festën e Bjeshkëve’”, – tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Granit Kurmekaj, N/Prefekt i Qarkut të Kukësit, pjesë e të cilit është bashkia e Tropojës.

“Ishte pjesëmarrje mjaft e kënaqshme, duke parë dhe kushtet atmosferike jo të mira. Pati lojëra popullore të zonës, veshjet tradicionale të zonës së Tropojës, konkurs bukurie, ku zgjodhëm zonjushën më të bukur. Pati opinione mjaft të mira nga pjesëmarrësit, veçanërisht ata me moshën të lartë, të ftuarit mbetën të kënaqur, si deputeti i zonës etj. Nga Kosova pati shumë të ftuar. Patëm vizitorë dhe nga Gjermania. Shkëmbyem mendime dhe ata treguan se ishin mjaft të mahnitur nga Bjeshkët e Tropojës. Ishin tejet të kënaqur me mikpritjen, me ushqimin, shërbimin në tërësi të ofruara nga bujtinat. Atyre i pëlqente mjaft fakti që shtëpia ishin ende me stil tradicional, që zonat kishte ruajtur çdo gjë si shumë vite me parë”, – rrëfeu Granit Kurmekaj.

“Në fund të festës u shtrua një drekë me gatime tradicionale të Tropojës. Festa u organizua nga bashkia e Tropojës. Ka katër vite që organizohet, qëllimi është që të promovojmë Bjeshkët e Tropojës dhe është festë njëditore dhe ka synim për t’u zgjatur në kohë. Është një festë kryesisht që kërkon të demonstrojë se Tropoja meriton të promovohet për bukuritë që ofron, si nga kulinaria, si nga natyra, si nga vlerat kulturore, si një destinacion i ri për turizmin malor në vendin tonë”, – tha N/Prefekti Kurmekaj. /atsh

Turistë gjermanë marrin pjesë në “Festën e Bjeshkëve” në Tropojë Read More »

Shqipëria, bum turistësh në qershor

Hyrjet e qytetarëve të huaj që vijnë në Shqipëri për të kaluar pushimet ka shënuar një rritje neto prej 23.9% në muajin qershor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan portali italian albanianews.it.

Sipas statistikave të Institutit të Statistikave (Instat), në fakt, janë rreth 500 000 të huaj që kanë mbërritur në Shqipëri në fillim të muajit të verës.

Më shumë se gjysma e tyre kanë deklaruar në kufirin shqiptar se do të kalojnë pushimet.

Maqedonasit (+ 58,3%) dhe polakët (+ 16,9%) janë ata që kanë regjistruar rritjen më të madhe.

Nga ana tjetër, qytetarët anglezë (-10,9%) dhe ata zvicerane (-7,9%) janë ata që kanë bërë regjistrimin më të ulët në krahasim me vizitorët e ardhur në Shqipëri.

Nëse konsiderohet se në gjysmën e parë të vitit 2018, numri total i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri ishte rreth 1,9 milionë, kjo do të thotë një rritje prej 9,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ajo që bie lehtësisht në sy (-0,4%) është rënia e numrit  të qytetarëve kosovarë, duke u zëvendësuar nga turistë të vendeve të tjera si SHBA dhe vendet e Europës.

Turizmi: strategjia e re për vitet 2018-2022

Strategjia e re për turizmin e publikuar nga Ministria shqiptare e Turizmit dhe Ambientit, në fillim të këtij viti, tregon se si objektivat kryesorë për këtë vit dhe për katër vitet e ardhshme do të jenë rritja e kontributit të turizmit në PBB, zhvillimi i ofertës turistike dhe të shërbimeve, rritja e numrit të punonjësve në këtë  sektor, përmirësimi i cilësisë së jetesës dhe zbutja e varfërisë në zonat turistike të të gjithë territorit si edhe rritja e investimeve publike në turizëm, rritja e të ardhurave nga aktivitetet dhe shërbimet turistike dhe garancitë e mbrojtjes ligjore dhe institucionale të të drejtave të udhëtarëve dhe vizitorëve.

Gjithashtu, rritja e numrit të turistëve do të kërkojë edhe më shumë struktura hotelerie.

Për këtë arsye, qeveria ka ofruar disa incentiva për ndërtimin e tyre, veçanërisht për ato me nga katër ose pesë yje, si masa për përballimin e fluksit turistik në rritje. Janë parashikuar më së paku pesë resorte të reja nga 4 apo 5 yje brenda vitit 2022./atsh

Shqipëria, bum turistësh në qershor Read More »

1-24 korrik, ankorohen 81 jahte turistikë në Portin e Durrësit

Numri i jahteve turistike që ankorohen në kalatat e portit më të madh të vendit gjatë vitit 2018 pritet të dyfishohet, krahasuar me vitin e kaluar.

Që nga fillimi i muajit korrik të këtij viti në kalatat 1, 2, 4 dhe 5 janë ankoruar 81 jahte të përmasave të ndryshme, një shifër 72%  më e lartë se sa i gjithë muaji korrik i vitit 2017.

Nga Sektori i Statistikave në Autoritetin Portual Durrës (APD), mësohet se në Durrës që nga viti 2017 është ankoruar një numër i madh jahtesh me gjatësi nga 30-100 metra, përgjithësisht prodhime të viteve të fundit në kantiere të njohura të botës. Përveç shërbimeve portuale, turistët dhe drejtuesit e jahteve kanë vizituar qendrat arkeologjike të qytetit.

Nga të dhënat operative të Sektorit të Statistikave në APD, mësohet gjithashtu se që nga fillimi i muajit janar 2018 në Durrës kanë mbërritur 214 jahte, ndërsa shifra e të gjithë vitit 2017 ka ndaluar në 294 jahte gjithsej.

APD ka marrë masat për të mbështetur me shërbimet përkatëse personelin e jahteve gjatë qëndrimit në portin e Durrësit. Koha e qëndrimit të jahteve turistike në kalatat 1-5 të Terminalit perëndimor shkon deri në një javë. /atsh

1-24 korrik, ankorohen 81 jahte turistikë në Portin e Durrësit Read More »

Mrekullia e natyrës ! Shqipërisë i shtohet edhe një ishull, vërshojnë turistët (Video/Foto)

Në këto zona të Shqipërisë ku vetja të duket si në plazhet e Vietnamit ose Tailandës, është e pafalshme të mos shkoni qoftë një herë të vetme…

Këto vende fantastike me bukuri përrallore të papërshkrueshme, i përkasin Liqenit të Komanit dhe lumit të Shalës, në zonën e malësisë së Mbi-Shkodrës.

Lumi i Shalës me një gjatësi prej 37 km buron tek kroi i Shtrazës në krye të fshatit Theth, në rrëzë të majës së Radohinës, nga ku zbret poshtë nëpër luginë të Shalës, nga Thethi, Ndërlysa e Musha, nga Breg-Lumi tek Porta e Shalës (Gryka e Rrshqëmit), nëpër Lotaj, e në luginën e Shoshit, dërisa derdhja e tij shkon në Lesniqe në Drin (sot liqeni i Komanit).

Aty disa mendje të holla kanë inprovizuar disa plazhe spektakolare dhe një resort tepër origjinal, i cili për pamjet që ofron është vertetë si një copë “Parajsë”.

Fotot e këtyre vendeve të rralla kanë bërë tashmë xhiron e botës, ndaj aty kanë nisur të vërshojnë si turistë nga Shqipëria, ashtu edhe të huaj.

Por ajo që mbetet vërtetë mahnitëse është edhe ishulli i vogël në liqenin e Komanit, i cili vitit e fundit ka nisur të mbulohet nga bimësia e harlisur.

Shikoni këto foto që të kuptoni se për çfarë mrekullish po ju flasim

Mrekullia e natyrës ! Shqipërisë i shtohet edhe një ishull, vërshojnë turistët (Video/Foto) Read More »