Turizem

Vithkuqi, midis harresës dhe mrekullisë natyrore

24 KARATËSHI I HARRUAR
I rrethuar ndërmjet kontrastit të pemëve, rrjedhshmërisë së ujit të burimeve, rrugëve të dredhuara që sikur duan të mashtrojnë me thjeshtësinë e së bukurës natyrë përngjitur, gurëve të zinj e rrëpirave ku ngjit balta, ndodhet një fshat i quajtur Vithkuq. Me këtë pamje si të stisur ai të fton ta vizitosh. Rrethimi i dytë vjen nga shumëllojshmëria e pejizazheve historike kulturore që i japin identitet Vithkuqit. Pozicionohet 26 km në jugperëndim të Korçës. Dikur ka pasur 24 mijë banorë dhe 7 lagje, sot 1200 banorë.

Një mrekulli që të fton në 4 stinët e vitit ta shikosh, sot një nga vendet e rrezikuara sipas organizmave ndërkombëtarë pas Gjirokastrës e Voskopojës. Në të ka jo pak por 24 kisha, megjithatë problem është harresa.

Për nga rëndësia ai reshtohet në fshatrat më të bukura të Korçës, krijon trinomin e turizmit kulturor malor me Dardhën dhe Voskopojën.

Plot tri herë e kanë djegur po Vithkuqi qëndron në këmbë si mace me 7 shpirtra. Në luftën e I Botërore u dogj nga grekët që kryen masakra të papara aty. Në luftën E II-të botërore u dogj nga italianët. Nuk kishin të mbarruar djegiet, radha më pas ishte e gjermanëve. Aty ku shkel gjermani nuk mbin as bari thoshin të vjetrit dikur, por Vithkuqi rezistoi, më jeshillëk u bë.

Fshati ka nxjerre Naum Veqilharxhë po kohët e sotme nuk kanë Veqilharxhë, duhet t’i riformojnë ata.
Për çudi të madhe është një stoli 24 karatëshe që nuk ka kush ta mbajë në dorë e të gëzohet me të, një fshat pa turistë masivë. Resurset e shumta turistike nuk depërtojnë në mendjen e turistëve për arsye të ndryshme.

Dikur plakat e fshatit thoshin se më e vështirë se grindja mes njerëzve ishte harresa. Më mirë thoshin të më trokisë te pragu i portës e të më shajë, sesa të më harrojë e mos të më vijë fare. Kishin të drejtë, legjenda thotë se shtriga largohet vetëm duke qenë indiferentë me të. Po jo vetëm shtriga, edhe të bukurën plot sharm ne e largojmë me indiferencën e ‘egos’ sonë, në mos me ‘ego’ me harresë.

Ka disa arsye që Vithkuqi sot vuan për një turizëm të pasur kulturor. Një arsye e hapur është çështja e pronave. Akoma nuk është stabilizuar ky problem themelor ku fillon a-ja e turizmit. Nuk ka kapitalizëm pa prona, prona është a-ja dhe zh-ja e, jo vetëm kapitalizmit dhe demokracisë, por edhe dinjitetit dhe zhvillimit të njeriut.

Ndryshe Vithkuqi quhet fshati i 100 krojeve, që dhe po t’i numërosh humbet në shifra dhe në mendje, por ato duhen eksploruar më shumë se reklamuar.

Azis Panariti, kryetar i komunës, thotë për portalin korçajonë.com se ‘’Vithkuqi vuan që pas viteve 1990-të mungesën e një masterplani. Ai shton se nuk janë azhornuar tokat e fshatit, si toka bujqësore edhe toka truall, dhe kjo ka ndalur në vend çdo inisiativë në dobi të mirqënies e zhvillimit’’
‘’Vasil Shoren, është një inisiator që pret krahapur në lokal po ku ai në të shumtën e kohës rri i zbrazur.’’

Mungesa e infrastrukturës dhe e problemeve të pronave nuk duhet t’i stepë vithkuqarët që të mendojnë ta rikonstruktojnë fshatin e tyre për turizëm. Ka shumë mundësi që format organizative komunitare të jenë dobiprurëse për Vithkuqin.

Fare mirë shtëpitë të fshatit mund të rikonstruktohen si hotele. Të ardhurat prej tyre mund të shërbejnë edhe për rregullimin e rrugëve, shtëpive të tjera dhe të ngritjes së traditave të kaluara si përpunimi i leshit me grep ku vithkuqarët kanë qënë të mirë. Qilimat, velenxat, kuvertat, perdet e punuara nga duart e këtyre grave janë nga më të bukurat.

Nisma industriale si punishte të vogla mund të ngrihen për të tërhequr edhe me turizëm. E çfarë kërkon më shumë nga jeta një turist i huaj nga bukuritë e Shqipërisë. Një Vithkuq, po nuk e di ku bie ose di shumë pak për të. Të huajt janë shumë të interesuar për fshatra që ruajnë origjinalitetin e tyre.

E veçantë dhe mjaft e pasur është kulinaria e këtij fshati me pastërmatë, trahanatë, mishin e pjekur, turshi, lakrorë me miell gruri e misri, tava me qumështorë. Ushqimi në këto zona është një traditë e vjetër e gjithë krahinës, një ndërthurje midis tradicionales, autentikes dhe shkëmbimeve kulturore të ndryshme.

Mund të provosh dhe rakinë e dashur të kumbullës, karakteristikë e kësaj zone. Kjo mund të ndërthuret me prodhimet artizanale dhe shtëpitë karakteristike, aq të lakmuara për turistët.
Sot Vithkuqi përmblidhet në tre lagje, Grekasi, Saraqi, Dukasi. Botanika dhe zoologjia është mjaft e pasur. Kjo është diçka pozitive për ndërthurjen e turizmit, e zhvillon atë.

Pjesë e rëndësishme e zhvillimit të turizmit në Vithkuq duhet të jetë gjithashtu thesari historik që është jo i pakët. Ai fillon që nga antikiteti e deri në mesjetën e vonë për të ardhur në ditët tona si kulturë e trashëguar ku duhet të ndihemi krenar por edhe përgjegjës. Aty ka shumë monumente kulture, ngjarje dhe figura historike që i kalojnë përmasat e një fshati apo qyteti.

Vithkuqit të fton në monumente kulturore, do vetëm takat dhe nge. Shumë vizitorë i janë rikthyer fshatit si miq. Ndër vizitat që ngelen në mendje është Manastiri i Shën Pjetrit, Manastiri i Shën Kollit, i Shën Minait dhe Mitropolia e Shën Millit. 8 kisha të rikonstruktuara si Shën Pjetri, Kozma Damianov ose Qimitiri, Shën Kostandini, Vangjelizmoi, Shën Milli, Shën Gjergji, Shën Dëllia, Shën Mëria, Shën Nikodhimi.

Një rëndësi të veçantë si vepër historike dhe fetare, paraqet kisha e Shën Pjetrit, e cila u ndërtua në shek XVIII, rreth 1764-1773, e cila përbëhet nga afreske të mrekullueshme me rreth 2000 piktura, e punuar e gjitha me kontributin e vetë vithkuqarëve dhe e ndërtuar nga mjeshtërit vithkuqarë që kishin punuar në Venecia si Dhima Dukasi, Hari Venetiku, Dine Krekasi, Vaso Sumbulla, Kule Deti.

Në mesjetë zhvillimin kulturor, ku futej dhe arsimimi, e kishte në dorë kisha, duhet të nderohemi që kemi kaq shumë kisha dhe monumente kulturore fetare që i japin fizionomi kulturës tonë.

Në krah të Shën Pjetrit është ajo e Kozma Damianoit, në të cilën ruheshin eshtrat e të vdekurve. Kisha e Shën Millit të Vithkuqit, ka një bukurie të rrallë, ruan në brendësi thesare të afreskut pikturuar nga Zografët dhe Shpatarakët, të cilët kanë pikturuar dhe shumicën e kishave.

Sot Vithkuqi vuan nga indiferenca e bashkisë dhe e vetvetes. Lufta më e vështirë nuk është lufta me të tjerët, është lufta me vetveten, ne duhet ta ringrejmë vetveten tonë. Gjithashtu duhen menduar edhe bashkëveprime ndërkomunitare nga bashkia dhe komunat, komunitarizmi është pjesë e rëndësishme e ringritjes së turizmit kulturor.

Te njohesh Vithkuqin në miniaturë është si të njohësh një Korçë e gjysmë e nuk mjafton. Një kopësht Edeni që nuk duhet të presë përgjigjen e Zotit nga qielli. Ai e ka dërguar shenjën e tij plot me 24 kisha ku tashmë kanë ngelur 14. Vithkuqarët duhet të organizohen vetë të ringrejnë vithkuqarët.

Vithkuqi, midis harresës dhe mrekullisë natyrore Read More »

Bylisi, një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë

Renditur për vlerat monumentale, krahas Apolonisë dhe Butrintit, vazhdon të mbetet një atraksion turistik me një numër në rritje të vizitorëve. Për periudhën janar-korrik 2018 shënohet numri 3132 i vizitorëve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ku numri i vizitoreve shënonte 2636.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro inspektoi Parkun Arkeologjik Kombëtar Bylis , i cili shumë shpejt do t’i nënshtrohet projektit madhor të konservim-restaurimit. Ministria e Kulturës sapo ka hartuar projektin madhor të këtij parku, i cili parashikon konservim dhe restaurim të monumenteve, përmirësim të infrastrukturës, vendosjen e sinjalistikës, etj. Nëse Apolonia tërheq vizitorin me butësinë e saj, Butrinti me natyrën ekzotike, Bylisi me pozitën zotëruese mbi kodrat e Mallakastrës dhe mbi hapësirën e luginës së Vjosës që ofron një pamje krejt të veçantë në krahasim me qytetet e Antikitetit Klasik, transmeton atsh.

Vizitorët që shkojnë në Bylis, mrekullohen jo vetëm nga pamja, panorama por edhe nga monumentet dhe mënyra e restaurimit. Bylisi zotëron një hapësirë të madhe. Nga aty mund të shohësh gjysmën e territorit të Shqipërisë. Nga aty, syri ta kap Janinën, Tomorrin, Detin Adriatik dhe Fushën e Myzeqesë.

Bylisi, një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë Read More »

Gjiri i Hënës në Zvërnec ose “Karaibet shqiptare”…

Gjiri i Hënës, me një det të pastër dhe i fshehur në ishullin e Zvërnecit, frekuentohet në verë nga pushues të veçantë që preferojnë qetësinë, familjaritetin dhe intimitetin.

Vetë ishulli dhe laguna e tij quhen nga vendasit si “Karaibet shqiptare”, një përcaktim tipik vlonjat, por që i shkon shumë përshtat këtij vendi të bukur. Gjendet pak kilometra larg qytetit të Vlorës, në pjesën veriperëndimore të saj.

Një urë druri rreth 100 metra e ndërtuar rishtas mespërmes kënetës të çon drejt manastirit të vjetër. Në anën tjetër të ishullit gjendet “Kisha e Shën Triadhës”, një objekt kulti bizantin.

I tërë peizazhi krijon një ansambël shumë të bukur natyror, me plot kontraste dhe ku gjenden në harmoni bukuria me qetësinë e këtij vendi. Përveç bukurisë natyrore, interes të veçantë paraqet për vizitorët Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e vogël ku çdo ditë ka vizitorë të shumtë. Manastiri është një ndërtim tipik bizantin i ndërtuar në shek. X pas Krishtit.

Murgu i fundit nga manastiri është larguar në vitin 1967, kur në Shqipëri u mbyllën objektet fetare. Për shumë kohë manastiri qëndroi i mbyllur, u plaçkit dhe u dëmtua. Gjatë kohës së komunizmit, ishulli i Zvërnecit shërbeu si vend internimi për kundërshtarët e sistemit dhe manastiri si strehëz e tyre. Pas vitit 1990, manastiri iu rikthye përsëri funksionit të tij fetar.

Sot, ai gjendet i rikonstruktuar dhe shumë interesant për t’u vizituar. Veçanërisht ditën e 15 gushtit, e cila përkon me ditëlindjen e Shën Mërisë. Manastiri dhe gjithë ishulli është i mbushur me vizitorë besimtarë dhe vizitorë turistë të natyrës dhe historisë.

Jo vetëm Zvërneci me ishullin dhe Manastirin e tij, por e gjithë zona me lagunën dhe detin, përbëjnë një ekosistem shumë interesant dhe tërheqës për turistët.

Me një sipërfaqe prej rreth 42 km², laguna e Nartës zë gjithë pjesën veriperëndimore të gjirit të Vlorës dhe ndahet nga deti Adriatik me një rrip të ngushtë toke, i cili përbëhet nga duna ranore dhe plazhe të vegjël.

Plazhet intime të Zvërnecit të kujtojnë ato të Karaibeve dhe janë tepër të frekuentuara. Tashmë jemi në periudhën e verës dhe vizitorët e shumtë preferojnë të shlodhen në brigjet e këtyre plazheve.

Zvërneci është listuar në projektin “100 fshatrat”, ndërsa në qarkun e Vlorës, prezanton një investim në një prej fshatrave më piktoreskë e më të vizitueshëm të kësaj zone./atsh

Gjiri i Hënës në Zvërnec ose “Karaibet shqiptare”… Read More »

Harrojeni Zvicrën/ Kjo mrekulli gjendet në Shqipëri! Shikoni ku ndodhet

Ta mendosh se Shqipëria do ketë 1 milionë banorë pas një dekade. Për shumëkënd është e paimagjinueshme që vazhdon të zbrazet një vend që i ka të gjitha.

Jo vetëm detin, por edhe malet janë spektakolare. Këto foto nuk vijnë nga Zvicra.

Ato janë bërë në malet e Kukësit, në zonën e Novosejit. Fotot janë postuar nga faqja ‘Prodhuar në Kukës’.

Harrojeni Zvicrën/ Kjo mrekulli gjendet në Shqipëri! Shikoni ku ndodhet Read More »

Media italiane: I njëjti det me çmime të ulëta, Shqipëria ia kalon Salentos

Deri pak vite më parë, ne mund të shkonim në port të njëjtën mbrëmje, pa rezervim. Tani, vendet në tragetet nga Brindisi në Vlorë nuk janë as nëse i paguan me peshën e arit: ato janë shitur prej një kohe të gjatë dhe ata që duan të nisen mund të gjejnë vetëm disa vende në këmbë në tragetin Bari-Durrës.

Në një reportazh të transmetuar nga televizioni i Leçes, telenews, realizuar nga gazetarja Tiziana Colluto, theksohet se “Shqipëria ia kalon Salentos dhe mund konkurrencën e afërt, duke konfirmuar parashikimet që ishin në ajër: është destinacioni i vërtetë për verën e vitit 2018. Ajo ka thithur edhe fluksin me destinacion Puglia-n, veçanërisht ato të të rinjve”.

Sepse, deri para pak vitesh ishte një destinacion i ngrohtë sidomos për entuziastët dhe të dashuruarit anglezë, austriakë dhe japonezë, tani vendi i Shqiponjave është hapur edhe për turizëm masiv me të gjitha pro-të dhe kundër. Receta? Deti i pabesueshëm, peizazhe që të lënë pa frymë, çmime të ulëta dhe shumë argëtim. Vlora dhe Saranda, mbi të gjitha, janë bërë Rimini dhe Gallipoli nga ana tjetër.

Konfirmimi vjen gjithashtu nga kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, i cili ditët e fundit ishte mysafir në San Dana, një qytet i vogël i Gagliano del Capo, për të bërë homazhe për shenjtorin origjinal të qytetit të tij, gjatë ngjarjes “Salento – Shqipëri”. Një urë mes dy brigjeve “.

“Ne kemi një qytet krejtësisht të ri, por edhe një natyrë fantastike – thotë ai – dhe një gji fantastik me qendrën e ishullit Sazanin, plazhe të bukura, një tregim për të treguar dhe zbuluar, si dhe ushqime të shkëlqyera dhe të ngjashme me kuzhinën italiane. Shumë italianë që vijnë në Vlorë thonë se edhe makaronat tek ne janë më të mira!”.

Shpenzimet: një natë në destinacionet turistike më të njohura, si Orikumi, Ksamili, Himara, përgjatë bregut të Adriatikut, mund të kushtojë vetëm 25 euro për një natë (për një çift), nëse ju prenotoni përmes një portali online jo dhe shumë kohë më parë. Darka të bollshme dhe dreka të bazuara në peshk të freskët ose mish – qengji dhe derra të egër – kanë çmime më të larta deri në 30 euro. Biletat për anijet arrijnë në rreth 90 euro.

Do ta tejkalojë turizmin salentin? “Nuk jam në konkurrencë me asnjeri, shprehet kryebashkiaku i Vlorës, por vetëm me veten time, për të mirën e qytetarëve të mi. Kam ardhur në San Dana edhe për të zhvilluar lidhjet tona historike. Kur u tregoj shqiptarëve fotografitë që ju bëni nga këtu maleve tona, ata mendojnë se bëhet fjalë për fotomontazh.Dy vendet tona janë kaq afër”.

Të dhënat e publikuara nga Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT) për katër muajt e parë të këtij viti kanë treguar tashmë se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur një rritje totale prej 7% me +5.6 % të turistëve italianë, pas të cilëve vijnë polakët (+ 33%) dhe kosovarëve (5.9%). Në vitin 2017 kishte mbi 5 milionë turistë të huaj.

Një industri e pushimeve që gjithashtu bën dëmin e saj, përsërit gabimet tona, me rrjedhat e mëdha të betonit pranë plazheve. Një risi që përparon kudo, një turizëm i ri, por i arratisur, midis klubeve të modës dhe hoteleve të reja kudo. Për Salenton, duke u përballur me ekzaminimin e saj të ndërgjegjes, një tjetër spunto për të menduar./atsh

Media italiane: I njëjti det me çmime të ulëta, Shqipëria ia kalon Salentos Read More »

Në Kurvelesh, në zemër të etnisë së lebërve

Zylyftar Hoxha

Fshati ynë ka qenë i vogël, me 10-12 shtëpi (u mpak në Grekun e parë, ku shumica e familjeve shkuan në Berat dhe nuk u kthyen më) dhe, si i tillë, dasmë apo gosti të ishte, ishin të gjithë aty të mëdhenj e të vegjël në të gjitha ditët e ritualit. Tani, pas kaq vitesh, më vinë në mend disa prej kronikave të tyre. Njëra nga të cilat ka të bëjë me Kurveleshin.

Sabriu ishte një nga burrat më të mirë të fshatit. Kishte qenë njeri i “i dalë” dhe si xhandar kishte bredhur “bythën e dreqit”, siç kisha dëgjuar të thoshin! Në dasma, kur vinte radha e këngës, ai, pas këngëve me avazin tonë, sado që ishte i pari i muhabetit, kërkonte leje të këndonte një këngë që nuk ishte e anëve tona. E bënte aq shpesh këtë në dasma a gosti, saqë dihej, dhe në kohën e caktuar pjesëmarrësit i drejtoheshin Sabriut: “Shkrepja tani”! Dhe ai ia niste, në fillim vetëm, më pas bashkohej edhe një tjetër dhe më pas akoma bashkoheshin të gjithë që ishin aty me një iso jo si jona, me lëvizje buzësh gjoja këndonin, por në të vërtetë nxirrnin një zanore të zgjatur, “o”, “e” apo “ë” midis  “e”-së dhe “ë”-së. “Kurvelesh, zemra ime, Kurvelesh”, ia merrte Sabriu! Sakaq gratë linin punët matanë e grumbulloheshin te dera të dëgjonin. Kur shikoja këtë skenë, unë, si i vogël që isha, nuk e kisha mendjen te kënga, por te ai Kurveleshi, që zihej aq shpesh në gojë. Vrisja mendjen ç’të ishte ai, burrë, grua apo çfarë!?…Por që ishte gjë e mirë, e mirë do të qe, derisa ishte zemra e Sabriut. Vonë, kur shkova në shkollë, e mësova se ç’ishte Kurveleshi!…

Dhe ja tani pas kaq e kaq vitesh jam “në zemrën e Sabriut të ndjerë”, në Kurvelesh, madje në atë të sipërmin, që është çatia e Labërisë, me një qiell drite mbi krye. Janë pesë fshatra; Nivica, Rexhini, Gusmari-historikisht qendra e nënprefekturës, Progonati dhe Lekdushi. Si gishtërinjtë e një dore, të cilët s’bëjnë dot pa njeri-tjetrin. Natyra ngjason me një pikturë impresionuese të kapur pas reve. Në sfond, mali i Gribës (Këndrevica) 2221 m, qarkuar me malet e tjera. Njerëzit janë të rrëmbyer si rrëketë, dhe shumë krenarë. “Brenda humnerave pellazge dhe kanioneve të shumta e të frikshme, është historia e banorëve të zonës, zërat njerëzorë. Dhe kjo s’është një krahinë çfarëdo, por krahina emërshquar e Kurveleshit. Aty s’kanë vlerë lekët, qofshin edhe flori, s’ka peshë pushteti, qoftë edhe i sulltanit, aty ka vlerë krenaria dhe fjala, e cila, para se të thuhet peshohet me kandar dhe vret njëlloj si plumbi!…”  (Mihal Gjergji, “Ngjyrat e mendimit”, Tiranë 2010, fq 56.)

Në vitet 1908-1919, u hapën edhe shkollat e para shqipe në këtë krahinë; në Nivicë nga Shuko Dalipi, në Gusmar nga Magrip Bana, në Progonat nga Shaqo Buxo, në Lekdush nga Sinan Tare Kërpi.

I paçmuar është edhe kontributi i mëmëdhetarit gusmariot Bilal Rukia, në hapjen e këtyre shkollave, këtu dhe në treva të tjera, aq sa drita e të cilit i verboi shovinistët grekë, të cilët e masakruan këtë pishtar në lartësitë e fshatit Pilur, në fushën e Vanovës.

Pushka dhe pena, një binom i pandarë i këtyre banorëve. Kudo që të rrëmosh, qoftë edhe sipërfaqësisht, është pëllëmbë e histori.

Rexhini krenohet me atdhetarin, publicistin dhe luftëtarin e arsimit kombëtar, Saliun, që jemi mësuar ta njohim si Sali Nivica.  “Saliu ishte portë e shtyllë, a thue nji shkamb në të cilin tash 10 vjet i turren tallaze të mëdha pa mujtë me e bremun kërkund…”. Janë fjalët vlerësuese të  Gjergj Fishtës, më shumë se çdo titull apo dekoratë e munguar.

Po Rexhini ka përkundur në djepin e tij edhe komandantin e famshëm të Bilbilenjve, kordhëtarin Bilbil Shako. (“Dale bej, të ndez cigarë/  Se s’jam çanaku me dhallë/ Po jam Bilbili me pallë…”)

Gusmari, një vatër qëndrese dhe bujarie, i pakrahasueshëm me asnjë fshat tjetër, kryesisht  me shtëpi dykatëshe dhe odat e stolisura të burrave; të Gumene, Duke, Bane, Gjergje, Horjete, Gjoke, Çele etj. Vendlindja e Hasan Gjostojës që luftonte në krah të Zylyftar Podës, në kalanë e Melesinit. (“Hasan Labi bën dyfek/  Shtatë ditë e shtatë netë/  Sa dridhej foshnja në djep…”, e pas këtij luftëtari rendën të tjerë trima, Xheladin Serjani (“Kucoi”), i cili luftoi me tri mbretëri, Mero e Xhafer Gumeni, Rakip Duka, Xhafer Meta e deri te luftëtarët e fundit, dëshmorë të atdheut, Sami dhe  Tafil Skëndo Gjergji, Çobo Mërkuri, Zigur Gjoka etj. Edhe vendlindja e rapsodëve popullorë, aq shumë të njohur, Ali Dine e Tahir Bana.

Pikërisht këtu, në Gusmar, dua të përshkruaj edhe një veçori interesante. Me polifoninë  labe, të cilën do më pëlqente ta quaja simfonia labe, ka ngjashmëri interesante edhe ligjërimi i grave (kolli), të cilat vajtojnë një trim të vrarë apo një jetë të humbur. Vetëm atëherë, oda e burrave është e detyruar të heshtë, në nderim të perëndive.

Veziko Gumeni, simboli i dhimbjes dhe qëndresës njerëzore, do kujtohet gjatë, shumë gjatë, edhe nga brezat  e ardhshëm, për vajtimin e mençur dhe drithërues.  Çuditërisht, vdekja është më e uritur se mjerimi i banorëve, ndoshta kjo e shtyn të jetë e pamëshirshme.

Progonati, fshati më i madh i krahinës, vendlindja e Hetem Totos (ministër i Brendshëm në Mbretërinë e Zogut), Ismail Leskos,  i Bilbilenjve, i Asllan Kucës, (dhëndër i Zylyftar Podës), një nga më të besuarit e Ali Pashë Tepelenës, i Asim Zenelit dhe dëshmorëve të tjerë, të cilët ranë martirë për këto troje. Fshati me numrin më të madh të alpinistëve dhe organizatorëve të ekipit të futbollit të zonës.

Lekdushi arsimdashës, një fshat i vogël, por interesant, për peizazhin dhe njerëzit e tij. Pikërisht nga ky fshat është shpërngulur edhe fisi e familja e Çelo Picarit, shekuj më parë, dy apo treqind vjet, për t’u vendosur në një kohë doemos të vështirë në fshatin tjetër ngjitur, Picar. Dhe historia e këtij luftëtari të shquar njihet nga bashkëkohësit tanë. Vendlindja e Mustafa Matohitit, luftëtar vizionar dhe orator, viktimë e idealizmit të tij.

Nivica, i dyti pas Progonatit për numrin e banorëve, me histori interesante, me pika të shumta kulmore, emra që kanë lënë gjurmë në kujtesën kolektive apo të shkruar, dhe një natyrë  piktoreske.

Emrin e këtij fshati e mban si mbiemër një prej figurave të ndritshme të krahinës, Hodo Bej Nivica. Është luftëtari legjendë i rezistencës antiosmane, krahas Tafil Buzit, Veis Vasjarit, Zenel Gjolekës e Çelo Picarit. (“Fushë e Delvinës u nxi/ Tetë mijë suvari/ I shkreti Hodo Ali/ I kish djemtë  çilimi…”).

Historia është e mbushur me emra të tjerë trimash niviciotë, deri te dëshmorët e fundit të luftës së dytë botërore, Dalip Seferi, Abaz Aliu (Malaj), etj. S’mund të flitet për Nivicën pa u ndalur së pari te miti-Hodo Ali, që ka ushqyer imagjinatën e disa brezave: “Si gjerdan mbi supe/ Të mban Këndrevica/ Vështron thellë në kohëra/ Hodo bej Nivica/ Ja, përtej Delvinës/ Paska rënë mavrija/ Plagët e Janinës/ I lidh Çamëria/…Lotët që s’ta puthën/ Syrin si fajkua/ Po i nxjerr nga shpirti/ Për dhimbjet e tua…”– (Mihal Gjergji, “Udhë të këputura”, Tiranë 2017, fq 13.).

Krahina e Kurveleshit të sipërm ka nxjerrë personalitete të kulturës, artit, e historisë; mendimtarin Ismet Toto, historianin e mirënjohur Pëllumb Xhufi, poetët e shquar Agim Shehu dhe Mihal Gjergji, sikurse të tjerë autorë të gjinive të ndryshme; Halil Qëndro, Ibrahim Gani, Martin Cukalla, Daut Gumeni, Azis Gjergji, Agim Basha, Izet Qulli, Çobo Skënderi, Veli Hodaj etj. E, të pesë fshatrat, kanë valltarë e këngëtarë virtuozë, të vlerësuar në festivalet kombëtare. Do përmendja emblematikët e valles labe, Remzi Banën e Alush Milorin: Xhufkat e kuqe ua puthte era, teksa nisnin shqiponjat për të fluturuar larg, ndërsa palët e fustanellës kërkonin lartësitë.

Brenda kësaj vlere, ka vendin e tij të padiskutueshëm edhe mësuesi model, njëkohësisht edhe poet popullor, Halo Malaj, autor i teksteve të këngëve.

Largohem nga Nivica duke vërshëllyer me buzë ison e lehtë drithëruese të asaj kënge që përcjell kryetrimin e këtij fshati, pikërisht në një ditë të bekuar, kur e enjtja ia dorëzon pushtetin “të xhumasë”, ditës së faljes: “Të ënjtën dhe të xhumanë/ Hodo trimi e dha xhanë/ Hingëllin i shkreti kalë/ Hingëllin e s’do të hajë/ 20 trima dot s’e mbajnë…”

U zgjatëm pak në historinë e këtyre fshatrave, që përbëjnë zemrën Labërisë, pasi këtu, si askund tjetër në Shqipëri, historia i hyn në hak, i lë pak vend gjeografisë. Labëria është unike në kulturë materiale e shpirtërore, me zanat blegtorinë, pushkën dhe këngën.

Kurveleshi është një hapësirë unike, me nuanca gati të padallueshme nga një zonë në tjetrën brenda  tij. Një i huaj, psh, si unë, e ka të vështirë, që, në gjithë atë etni të lebërve, të vërë kufij: të ndajë Kurveleshin e Sipërm me atë të Poshtmin; Kurveleshin e Tepelenës me atë të Gjirokastrës; të  Lumit të Vlorës  me atë të Dukatit; të Bregut me atë të Delvinës etj. Këta janë kufijtë natyrorë, por karakteri i fortë lab, trimëria, humori dhe kënga labe kanë çarë më tej, kanë zgjeruar ëmbël dhe butë këtë kufi në Myzeqenë e Vogël (e Vlorës), Mifol; në Mallakastër përtej Vjosës; përtej Memaliajt, përtej Drinos në Rrëzë të Gjirokastrës, madje edhe përtej Gjirokastrës, në Lazarat etj.

Thesaret e historikë dhe natyrorë të Nivicës

Në fshatin, dikur më të zhurmshëm e më të bujshëm të Labërisë, shkretia dhe heshtja është vrasëse. Dy “thesaret” më të mëdhenj, që ka ky fshat, kalaja mbi, dhe kanionet poshtë tij, përbëjnë kompleksin historiko-natyror më unik dhe më të rrallë, që, edhe me qiri ta kërkosh, vështirë ta gjesh në të gjithë Shqipërinë. Nivica që herët ka zgjuar interesin e studiuesve të huaj, të cilët, sapo u është dhënë rasti, kanë “vrapuar” në këtë fshat. Nuk është munduar kot deri këtu  gjeografi i famshëm Skilaksi, 50 vjet p.k për të parë nëse ky qytet ishte Amantia apo ndonjë tjetër. Diçka ka ditur konsulli francez pranë Ali Pashë Tepelenës, Pukëvili, i cili që në ditët e para të mbërritjes në Janinë, ka lënë mënjanë punët diplomatike dhe ka shpejtuar për në Nivicë. Pas tij, fshatin e ka vizituar H. Holand, duke i lënë radhë topografit dhe arkeologut të shquar të kohës, njëkohësisht konsulli anglez pranë Ali Pashë Tepelenës, William Martin Lik. Në fillim të shekullit të 20-të Nivicën e ka vizituar udhëtarja e shquar angleze, Edith Durham. Ajo i ka lënë Nivicës dy kujtime të rralla, një hartë të zonës dhe një vizatim në formën e një skice, ku shihen portrete të burrave të fshatit të Nivicës në shtëpinë ku ajo kishte bujtur. Por  në Nivicë, në vitin 1930, u ngjit edhe i famshmi L. M. Ugolin, zbuluesi i Butrintit dhe i Foinikes.

Por Nivica ka edhe ca thesare të tjerë natyrore,  janë thellinat poshtë fshatit, janë kanionet, për të cilët është folur pak më parë. Vetëm tani vonë, me lëvizjen e turistëve, ata janë jo vetëm të njohur, por edhe të vizitueshëm.

Kanionet fillojnë sa kalon fshatin Bёnç duke ndjekur të kundërtën e rrjedhës së lumit, ku në krah të djathtë ndodhet mali i Çoçkos me shumë shpella që mund të vizitohen. Në këto shpella u strehua çeta e Bilbilenjëve të ndjekur nga turku. Këtë kanion të  madh e kanë krijuar lumi i Nivicës me degët e tij, si përroi i Lekdushit, përroi i Progonatit, i Gusmarit dhe i Gjonmushit, qendra është Guva e Nivicës. Kanionet në lashtësi kanë qenë të lidhur me ura si rrugë kalimi të fshehtë në kohë rreziku nga kalaja e Nivicës për në vendbanimin e hershëm Gradishtë, Progonat dhe Gusmar. Duke u nisur nga Guva në drejtim të  rrjedhës së lumit, në krahun e majtë e përball kalasë, në lindje, ndodhen dy ujëvara, ajo e Pesjakut dhe ajo e Kastravicës. E para, me një lartësi 30 – 40 m dhe, e dyta, me një lartësi rreth 100 m, ku uji bie vertikalisht dhe në fund ka krijuar një gropë të madhe. Në kohë me shira ka një pamje madhështore.

Zagoi i Vasos është një vend disi i sheshtë me bimësi të gjelbër në  mes të  shkëmbinjve dhe në të gjitha anët rrethuar me humnera të  thikta. Më pas vjen Vinja, i shfrytëzueshëm nga banorët, kryesisht për dimër për dhitë. Dhitë  i çonin duke ndërtuar  ura dhe skela, bagëtia qëndronin atje deri në pranverë, sepse s’kishte rrezik as nga egërsirat as nga njerëzit, pasi nuk shkonin dot.

Një tjetër kanion ka qenë Drimoi, disi i shfrytëzueshëm,  me 4 – 5 ha tokë të sheshtë për 20-30 krerë dele ose dhi.

Veç kanioneve në Nivicë dhe rrethinat fqinje ka shpella të panjohura dhe të pa eksploruara, që përbëjnë një resurs turistik për zonën. Do të përmendim disa prej tyre: Shpella Kishë e Drimoit,  e përdorur nga banorët në kohën e dy luftërave, të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Ka marrë emrin Kishë, ndoshta do të ketë qenë kish eremiti. Shpella e Guvës, ndodhet në humnerën poshtë kalasë; Shpella e Labës, Shpella e Gjonushit, Shpella e Aliqënde, Shpella e Ariut, Shpella e Gusmos, e Murtajës, Gropa e Merje etj.

Në Kurvelesh, në zemër të etnisë së lebërve Read More »

Sazani dhe Karaburuni, plazhet më të bukura shqiptare/Video

Anija Teuta, një mesjavë gushti Vlore, është ëndrra e një dite vere, të çdo pushuesi që s’di ku t’i çoje ditët e lejes në Vlorë.

Mos rri te Lungomare, se ajo është për darkë, as te Bolonja, se ajo është për dreke, as te Liro se aq vend ka, nuk del për këtë dyndje.

Merr një anije e nisu për ne Karaburun.

Vlora -Karaburun këtë vere është bërë si Vlorë – Skelë, dikur. Madje në këtë copë det ka më shumë taksi detare, se autobuza urbanë.

 

Teuta, është plot me portugezë dhe italiane që nuk heqin nga dora celularin dhe cigaren.

Mua si cigare m’u dukën.

Ndalesa e parë në Sazan.

Plazh si këtu nuk ka. Nuk e themi ne, e thonë të gjithë. Kur e sheh nga bregu, ndërsa ulërijnë napoletanët dhe pak më tutje anglishtfoles te kush e di sa shteteve, nuk dalin nga deti, te vjen befas vegimi i Sazanit siç do jete.

Tani është kështu dhe është ndalesa më e bukur e një barke në det.

https://youtu.be/xOQKWHdPnZE

Nuk të iket që këtu. Të gjithe xhirojnë dhe duan te ndalojnë sërish, por Teuta ka rregulla. Xhirim po, ndalim jo kudo.

https://youtu.be/DONWyOZFuiM

Ndalojmë te Shpella Piratëve.

Këtu nuk mbetet njeri ne barke, të gjithë në det se thonë po nuk u fute në atë ujë, kot i thua vetes e dua detin. As të do, as e do.  Ndaj , ec , hidhu!

https://youtu.be/EsmBNMg28Qk

Dhe në fund Karaburuni. Në Shën Vasil nuk ka më vend. Ne jemi anija 12 sot. Pa numëruar skafe, jahte plot me dashnorët e shkuma party tallava.

 

Po punë e madhe që nuk ka vend. Mund të rrish në det e të thahesh në çdo anije, që në dreke, kthehet ne restorant ne Karaburun.

Dhe mos ik pa dëgjuar edhe këtë. Se valle Tropoje në Karaburun, nuk dëgjon përditë.

https://youtu.be/j-77rLvC5ng

Të gjitha këto ndodhin vetëm ne një qytet. Në Vlorë, ku tjetër. Që nuk do ta njohësh

më, kur të vish./ dritare.net

Sazani dhe Karaburuni, plazhet më të bukura shqiptare/Video Read More »