Turizem

Përkundër ankesave për çmimet e kripura, Vlora plot me turistë e pushues

Vlora edhe këtë vit nuk mundi t`i shpëtojë kritikave për çmimet e kripura të sezonit veror.

Por kjo nuk i ka penguar aspak pushuesit ta zgjedhin si destinacion për muajt e nxehtë të verës.

Teksa dita kalohet anës detit, mbrëmja i gjen pushuesit në restorante e lokale, ku zgjedhin të shijojnë produktet tradicionale shqiptare.

Ashtu si edhe në qytetet e tjera bregdetare, numri më i lartë i turistëve ka qenë nga Italia dhe Polonia.
Drejtuesit e bizneseve shprehen se sezoni i ka përmbushur pritshmëritë.
Por ka edhe nga ata operatorë turistikë që thonë se shërbimet duhen përmirësuar.

Lungomarja është zona më e frekuentuar nga turistët në Vlorë, ku operojnë rreth 160 biznese, për tu ulur në tavolinat e të cilëve shpesh gjatë mbërmjeve duhet të presësh./oranews

Përkundër ankesave për çmimet e kripura, Vlora plot me turistë e pushues Read More »

Pojani në “100 fshatrat”, zhvillim turizmit të qëndrueshëm

Edhe pse shpesh identifikohet me Parkun Arkeologjik të Apolonisë, fshati Pojan në Fier ka përfituar pak ose aspak nga ky potencial i rëndësishëm turistik.

Ndaj, nxitja e turizmit të qëndrueshëm rural është një ndër synimet e përfshirjes së këtij fshati në programin “100 fshatrat”. Krahas Pojanit, janë edhe dy fshatra të tjerë (Libofsha dhe Cakrani), të përzgjedhur në kuadër të këtij programi për bashkinë e Fierit.

Lidhja organike që ka Pojani me Parkun Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë, i cili mban mbi vete 2606 vite histori qytetërimi dhe kulture, është një bazë e fuqishme për nxitjen e turizmit në gjithë zonën.

I shtrirë pranë sitit të rëndësishëm arkeologjik të Apolonisë, Pojani përmbledh një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit historik, por jo vetëm. Programi “100 fshatrat” parashikon po ashtu nxitjen e agroturizmit në këtë zonë, përmes mbështetjes direkte për sipërmarrjen fermere.

Zbatimi i këtij modeli të ri për zhvillimin rural përmes programit “100 fshatrat” parashikon investime të rëndësishme në infrastrukturë.

Aktualisht, Bashkia e Fierit ka bërë një përmirësim të infrastrukturës rrugore që të çon drejt fshatit Pojan, por investimi pritet të jetë më i plotë dhe pjesë e një projketi kompleks dhe të ndërthurur me të gjithë elementët urbanë.

Më herët, kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi është shprehur për ATSH-në se, “po punohet për hartimin e projekteve të plota që kanë në vetvete shumë plane të detajuara infrastrukturore”.

“Këto projekte nisin nga kanalizimet, ujësjellësi, infrastruktura rrugore, elementët urbanë, planifikimi i hapësirave publike, çlodhëse, gjelbërimin, vend pozicionimet më të favorshme agrokulturore, kultivuese etj, pa harruar dhe trajnimin e banorëve të këtyre zonave nëpërmjet formimit profesional që do t’u duhet për rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj turistëve”, tha ai.

Është një projekt madhor, që sipas Subashit, përbëhet nga shumë miniprojekte të tjerë.

“Kemi përcaktuar prioritetet për ndërhyrje për çdo zonë, mbi bazën e të cilave po përgatisim projektet e plota, të cilat do t’i prezantojmë për financim”, tha ai.

Programi parashikon po ashtu nxitje të punësimit përmes mbështetjes direkte për sipërmarrjen fermere.

Ai synon të adresojë sfidat me të cilat përballet sot fshati dhe hapësira rurale për t’i shndërruar ato në qendra të zhvilluara ekonomike nëpërmjet agroturizmit të qëndrueshëm
rural.

Pojani ka rreth 2000 banorë dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 11 km2, nga të cilat 458 ha sipërfaqe toke në fushë dhe 56 ha në kodër.

Banorët merren me bujqësi, blegtori dhe kohët e fundit me vreshtari dhe bletë. Shquhet për tradita të kultivuara myzeqare: të mikpritjes, bujarisë, të kulturës, folklorit, të gatimeve plot shije.

Banorët i përkasin besimit ortodoks, çka duket edhe në kishat shumëvjeçare pranë tij, si ajo e Shën Mërisë në Apoloni. /atsh

Pojani në “100 fshatrat”, zhvillim turizmit të qëndrueshëm Read More »

Prestigjiozja izraelite ”Ha’aretz”: Shqipëria, destinacion i mrekullueshëm turistik

Rezulton se jo vetëm Greqia mund të jetë e bukur dhe tërheqëse. Shqipëria, fqinji i saj, ka gjithçka që duhet për të kaluar pushimet, duke filluar që nga vendet e trashëgimisë, plazhet, muzetë, arkitektura osmane si dhe natyra në fshatrat e izoluara që përshkohen nga lumenj të egër, e cila të lë pa frymë.

Kështu shkruan gazeta e përditshme prestigjioze izraelite “Ha’aretz”, në artikullin kushtuar Shqipërisë, duke përshkruar pikat turistike, shumëllojshmërinë e vendeve si dhe bukuritë që ofron vendi ynë.

Shqipëria është kthyer një nga destinacionet më të mira turistike të vitit edhe pse për tri dekada ajo ka qenë e izoluar nga pjesa tjetër e botës. Sot, ajo pranon turizmin e ardhshëm, duke mirëpritur turistët nga gjithë vendet, pasi është një nga vendet më të bukura në rajonin e Ballkanit.

Me një kuzhinë të larmishme me ndikime nga kuzhina greke, turke dhe italiane, ky komb bujar ka peizazhe të egra dhe plazhet më të bukura në rajon.
Për shumë izraelitë, ky është një zbulim, falë faktit që për herë të parë këtë vit filluan fluturime të drejtpërdrejta me Shqipërinë, kështu që pak para se të vizitohet nga turistët dhe të bëhet Mikonosi tjetër, duhet të shkoni për të eksploruar këtë vend.

Në Shqipëri është shumë e vlefshme të marrësh me qira një makinë për të lëvizur në qytete të ndryshme dhe udhëtimi do të jetë i bukur, pasi udhëtarëve nuk do t’ju mungojnë peizazhet malore, fshatrat dhe bregdetet e bukura.

Shqipëria, ju ofron dhjetë destinacione të lira për t’u eksploruar:

Mendoni për plazhet e vogla dhe më pak të njohura

Shqipëria vendos një standard të lartë për fqinjët e saj në ato që quhen plazhe perfekte për pushime familjare, për të mos përmendur çmimet e ulëta të akomodimit në fshatrat turistikë. Nëse merrni me qira një makinë, është shumë mirë të filloni në fundin jugor, ku do të gjeni “Maldivet” shqiptare duke vizituar Ksamilin, një fshat të vogël me një nga plazhet më të bukura në Shqipëri. Ai është futur në listën e 20 plazheve më të bukura në Europë dhe tashmë është zbuluar edhe nga turistët. Një gjysmë ore me makinë është Saranda, ku përveç një plazhi spektakolar, mund të vizitoni edhe burimin e quajtur “Syri i Kaltër”. Vendi është një fenomen i mrekullueshëm natyror, ku burimi i ujit që vjen nga toka e ngjyros me blu të thellë dhe të kaltër. Pak kilometra në veri në të njëjtën rrugë, disa limane të izoluara janë fshehur midis maleve dhe që zbresin ndjeshëm në det, Palasa, Jala, Gjipeja dhe Dhërmiu, plazhe ideale për ndalesa të qeta dhe të bukura.

Për entuziastët e kampingut në përgjithësi, Parku Kombëtar i Valbonës është pikërisht vendi i duhur. Parku, i vendosur në Alpet shqiptare që kufizohet me Malin e Zi, është një nga vendet misterioze të fundit në Europë. Atje mund të shihni një peizazh me frymë alpine, burime të fshehura në mes të maleve, luginave dhe ujëvarave, kafshëve të egra dhe natyrë që ju nuk mund ta shihni më në vende të tjera. Turistët mund të akomodohen në fshatin e afërt që ofron një shtëpi mysafirësh dhe disa restorante. Për turistët që kanë dëshirë të eksplorojnë majat me dëborë, luginat e gjelbra, liqenet dhe fshatrat e izoluara mund të vazhdojnë të shkojnë në luginën e Thethit. Një rrugë prej 10 kilometrash që kalon midis peizazheve madhështore, ku gjatë udhëtimit do të shihni kasolle barinjsh dhe dele. Meqë zona është relativisht e lartë dhe e ftohtë në verë, është shumë e rekomandueshme që të informoheni për motin dhe temperaturat para se të niseni.

Shqipëria është e mbushur me liqene dhe lumenj. Liqeni i Komanit në veri të vendit, është një nga vendet më të njohura në Shqipëri. Liqeni është i rrethuar nga shkëmbinjtë e pjerrët që kryqëzohen me shkëmbinjtë e gurit, të cilat formojnë një nga kanionet më të bukura të vendit. Struktura topografike dhe bimësia e dendur në zonë kontribuojnë në krijimin e habitateve të ndryshme për kafshët, që shpesh shihen në brigjet e lumit. Lëvizja e njerëzve bëhet me traget dhe ka pamjen si fjordet e Norvegjisë. Në pjesën jugore të Shqipërisë do të gjeni liqenet e Ohrit dhe Prespës. Liqeni i Ohrit, që shtrihet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, është një nga liqenet më të vjetra të zbuluara në Europë dhe një nga më të thellët. Ky është një nga vendet më magjike që “takojmë” në Shqipëri. Pranë Ohrit është liqeni i Prespës së Madhe, i cili ndahet mes tre shteteve, Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë, ku zona përfshin tre parqe nacionale. Zona është e pasur me monumente të lashta të tilla si kisha, kështjella dhe manastire që rrethojnë liqenin.

Qyteti i Korçës

Pas gjithë udhëtimeve nëpër plazhe dhe male, keni nevojë për një qytetërim të vogël dhe një ndalesë për pushim. Qyteti i Korçës në Shqipërinë juglindore, është një nga më të bukurit e vendit. Rrugicat me kalldrëm të shoqërojnë kudo dhe duket se në to koha ka ndaluar. Gjithashtu, këtu mund të shihni Katedralen e qytetit një nga monumentet më interesante i cili përmban kultin brenda. Por mund dhe të festoni në festivalin e përvitshëm të birrës, më i famshmi në qytet dhe është ngjarja më e madhe në Shqipëri, me rreth 100,000 pjesëmarrës për pesë ditë, ku çdokush mund ta shijojë birrën falas.

Kryeqyteti, Tirana

Krahas arkitekturës komuniste e cila vërehet dhe sot, ka dhe ndërtime moderne. Disa thonë se kontrasti i madh të kujton Berlinin. Vitin e kaluar, Tirana është renditur si një nga vendet më të lira në Europë për mënyrën e jetës, për të pirë dhe ngrënë me një kosto më pak se pesë dollarë. Në Tiranë do të gjeni pesë qendra tregtare të lira dhe me firma të njohura. Përtej pazareve dhe qendrave tregtare, Tirana ka një numër të madh institucionesh kulturore, muze dhe vende përkujtimore që janë ruajtur që nga periudha e hershme romake. Gjithashtu me vlerë për t’u vizituar është dhe Piramida, e cila është si një muze për të ruajtur trashëgiminë e qytetit.

Ushqimi më i mirë për të ngrënë

Shqipëria nuk është një vend vetëm me peizazhe të bukura, por edhe një vend që reflekton një ushqim të larmishëm, për shkak të ndikimeve të lëna nga perandoritë e ndryshme që e kanë sunduar. Për shembull, një nga gatimet më të famshme në Shqipëri është byreku, i bërë nga brumi fli, i mbushur me spinaq apo mish, një traditë nga Perandoria Osmane. Rakia, sinonimi i pijeve të famshme greke si dhe Grappa italiane, është pija më e konsumuar alkoolike në të gjithë vendin. Qoftet janë kudo si dhe nuk mungon dhe kebapi turk.

Butrinti dhe Apolonia

Butrinti dhe Apolonia, janë dy vendet më të vjetra dhe më të rëndësishme në vend. Butrinti është një tjetër koloni greke nga periudha e Paleolitit, i cili u shpall Trashëgimi Botërore nga UNESCO. Një nga pamjet më intriguese, Parku Arkeologjik i Apolonisë është në fakt një qytet dhe koloni e lashtë greke e themeluar në vitin 588 p.e.s., një qytet që është bërë një qendër popullore kulturore në atë kohë. Për më tepër Shqipëria ka dhe disa vende të tjera historike për t’u vizituar si Kruja, Berati dhe Gjirokastra.

Festat dhe ngjarjet

Shqipëria është gjithashtu një destinacion i përsosur për dashamirësit e festivalit. Pas suksesit të festivalit Kala (Kala), një festival muzikor ndërkombëtar, Shqipëria vazhdon të presë dhjetëra mijëra turistë të huaj përgjatë Rivierës, siç priti në festivalin “Kala Fest” i cili dhuroi muzikë elektronike dhe një atmosferë të mahnitshme për të pranishmit. Gjithashtu dhe Festivali i Jugut (South Outdoor Festival), një ngjarje e jashtëzakonshme që përfshin disa fshatra për tri ditë, gjatë së cilës ju mund të ndiqni sporte ekstreme, turne me xhip, zhytje, kampe në natyrë, të hani ushqime tradicionale dhe të konsumoni birrë vendase si dhe të merrni pjesë në festa plazhi, pra një alternativë e mrekullueshme për këdo. Festivali Fustanella është ndoshta versioni lokal i Festivalit Arad. Është pak më modeste dhe është e përkushtuar tërësisht folklorit lokal, sidomos këngëve tradicionale shqiptare dhe zgjat tri ditë, në Gjirokastër.

Berati ose Gjirokastra?

Berati dhe Gjirokastra janë qytetet më të lashta në Shqipëri. Berati, i njohur gjithashtu si qyteti i “një mbi një dritareve” ndahet në dy pjesë: Qyteti i vjetër dhe qyteti i ri. Është e mundur të bëhet dallimi ndërmjet zonave sipas arkitekturës: Qyteti i vjetër me pamjen osmane dhe qyteti i ri me ndërtimet me karakter komunist.
Në qytetin e vjetër ka rrënoja mesjetare dhe ju gjithashtu mund të vizitoni kalanë dhe Muzeun e Ikonografisë. Ndërsa errësira bie, mijëra dritare fillojnë të ndriçojnë dhe qyteti bëhet edhe më i bukur.

Gjirokastra është një perlë shqiptare e fshehur mes maleve dhe ndoshta është arsyeja pse shumë turistë nuk e “takojnë” atë. Dhe një keqardhje! Në qytetin e vjetër ka rrugë të pjerrëta me kalldrëm dhe një mauzoleum antik otoman dhe përtej kësaj, kalaja e dytë më e madhe në Ballkan. Në kështjellë ju mund të admironi topat e rëndë dhe kullën e sahatit, por kryesisht aeroplanin amerikan që u rrëzua gjatë regjimit komunist.

Muzeu Historik Kombëtar

Gjatë historisë së saj, Shqipëria u pushtua disa herë, iu nënshtrua një numri të madh luftërash dhe u udhëhoq nga diktatori Enver Hoxha, që udhëhoqi një regjim të egër komunist. Tani gjithçka që mbetet është të shohësh muzeun më të rëndësishëm në vend. Muzeu më i madh në Shqipëri ka shumë kuratorë (zbulime të rralla arkeologjike), koleksione të rralla dhe eksponate të dedikuara për ata që vuajtën përndjekjen nga regjimi komunist dhe nga ekspozitat e tjera të Luftës së Dytë Botërore./atsh

Prestigjiozja izraelite ”Ha’aretz”: Shqipëria, destinacion i mrekullueshëm turistik Read More »

Gumëzhin Lungomarja, ambiente sportive dhe lojëra për fëmijët me pushime në Vlorë/Foto-Video

Buzëqeshja dhe hareja e fëmijëve i jep jetë çdo natë Lungomares së Vlorës, ku ata kanë një hapësirë të dedikuar për argëtim. Fusha sportive, pjesë e hapësirës publike, por edhe lojërat elektronike të vendosura aty gjatë sezonit janë një destinacion në këto nëte të nxehta të fundgushtit, ku gëzojnë jo vetëm fëmijët.

Gushti ka mbipopulluar Vlorën me mijëra turistë.Qyteti bregdetar plotë ngjyra dhe drita gumëzhin.

Buzë detit, aty ku shëtitorja nis, buzëqeshjet, lojrat dhe argëtimi nuk mungon.

Aty është hapësira e fëmijëve.

Fusha sportive ne formën e amfiteatrit, kinemaja verore, lojrat në lartësi e  makinat elektrike duket se argëtojnë jo vetëm fëmijët. Prindërit janë po kaq të perfshirë. Gjyshërit gjithashtu.

Vogëlushët e ardhur shpesh herë edhe nga jashtë vendit, me buzeqeshje përcjellin emocionet e të qënurit në Vlorë.

Ata listojnë thjesht gjërat që kanë ndryshuar dhe që ju pëlqejnë.

Çdo mbrëmje përgjatë sezonit turistikë këto hapësira të dedikuara kanë pritur mijëra fëmijë që po kalojnë pushimet apo jetojnë në Vlorë.

Gumëzhin Lungomarja, ambiente sportive dhe lojëra për fëmijët me pushime në Vlorë/Foto-Video Read More »

MBI 225 SPECIE SHPENDËSH NË ZONËN PILOT NATURA 2000 LLOGORA, KARABURUN, ORIKUM DHE BRIGJE DETARE.

MBI 225 SPECIE SHPENDËSH NË ZONËN PILOT NATURA 2000 LLOGORA, KARABURUN, ORIKUM DHE BRIGJE DETARE.

Vrojtimet e para rikonfirmojnë rëndësinë e jashtëzakonshme të kësaj hapësire për biodiversitetin e sidomos për shpendët. Mbi 225 specie shpendësh, më shumë se 2/3 e shpendëve të Shqipërisë janë shënuar deri më sot në Parkun Kombëtar Llogora, Gadishullin e Karaburunit, Lagunën e Orikumit dhe brigjet detare.

Vetëm në pak vende ndodh që në pak minuta të shkosh nga bregu i detit me lagunën e Orikumit në habitatet e larmishme malore të pyllit të pishës, bredhit, rrobullit, kullotat alpine në lartësi mbi 2000 metra

Këto ishin gjetjet e para të ekspeditës së ndërmarrë nga AOS dhe Nexhip Hysolakoj i ARZM Vlorë me mbështetjen e Projektit NaturAL: “Forcimi i kapaciteteve kombëtare në mbrojtjen e natyrës – përgatitja për rrjetin Natura 2000”.

Kundroni me ne disa nga habitatet dhe shpendët e vëzhguar gjatë kësaj ekspedite ku do të vecojmë Shqiponjën e malit, Shqiponjën gjarpërngrënëse, Gjeraqinën e shkurtës, Thëllëzën e malit, Fishkëllyesin e madh, Qukapiku e zi etj.

Kjo vizitë e parë do të pasohet së shpejti me vizita të tjera për shpendët shtegtarë një pjesë e të cileve do të unazohen së shpejti në një kamp të përbashket me kolegë hungareze.

Qëndroni me AOS!

Fotografia e Welcome To Vlora - Albania

Fotografia e Welcome To Vlora - Albania

Fotografia e Welcome To Vlora - Albania

Fotografia e Welcome To Vlora - Albania

Fotografia e Welcome To Vlora - Albania

Fotografia e Welcome To Vlora - Albania

Fotografia e Welcome To Vlora - AlbaniaFotografia e Welcome To Vlora - AlbaniaFotografia e Welcome To Vlora - AlbaniaFotografia e Welcome To Vlora - AlbaniaFotografia e Welcome To Vlora - AlbaniaFotografia e Welcome To Vlora - Albania

MBI 225 SPECIE SHPENDËSH NË ZONËN PILOT NATURA 2000 LLOGORA, KARABURUN, ORIKUM DHE BRIGJE DETARE. Read More »

Në 7 muaj, 3 milionë turistë të huaj në Shqipëri

Shqipërinë e zgjodhën si destinacion pushimesh 20 mijë polakë më shumë se një vit më parë. Për numrin e rritjes polaket janë në vendin e parë me 78 mijë. Shifrat e shtatë muajve të parë të këtij viti në Shqipëri kanë hyrë 3 milionë të huaj. Grupi më i madh i pushuesve në Shqipëri vijojnë të mbeten shtetasit nga Kosova.

Pushuesit polake janë ato që kanë rritjen më të madhe në numrin e turistëve që kanë vizituar Shqipërinë për janar-korrikun e këtij viti.

Mbi 33 përqind është rritja vjetore e pushuesve polakë, të cilët sipas INSTAT llogariten në mbi 78 mijë për 7 mujorin e 2018.

Zhvillimi i sektorit të turizmit dhe integrimi i i tij me rrjetin e agjencive ndërkombëtar ka bërë që pushuesit të mos vijnë vetëm spontanisht, por edhe në mënyrë të organizuar.

Nisja e sezonit ka qenë pak e vakët, por gjithçka është rikuperuar në 2 javët e fundit të korrikut dhe gjatë gushtit thotë menaxherja e një rrjeti hotelesh.

Në rrugën e plazhit të Durrësit mëngjesin e së premtes kishte trafik të rënduar. Automjete të shumta nga vendi dhe rajoni i janë drejtuar plazheve për të pushuar edhe këtë fundjave të nxehtë gushti, po trafiku i ngarkuar e kthen në një sfidë të vërtetë udhëtimin. Ashtu si në shifrat e INSTAT turistët polakë dominojë me plazhin e Golemit.

Si numër të përgjithshëm kosovarët zënë vendin e parë me mbi 911 mijë vizitorë.

Për t’u rikthyer tek shifra numri të huaj të hyrë në vendin tonë në 7-mujorin e 2018-s është gati 3 milionë me një rritje prej 12,4 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë./tch

Në 7 muaj, 3 milionë turistë të huaj në Shqipëri Read More »

Zbulohet plani i arkitektëve për të zbukuruar fshatin e peshkatarëve në Zvërnec

Vlore- Zbulohet plani që ka një studio arkitekture dhe dizajni me seli në kryeqytetin shqiptar Tiranë. “UDVarchitects” pritet të ndërtojë një kompleks me shtëpi pushimi në Zvërnec, në pjesën e lagunës, mes tokës e ujit. “UDVarchitects” ka zgjedhur një terren të përshtatshëm, me një peizazh mahnitës, në një nga vendet më të qeta që ofron natyra shqiptare.

Të gjithë ata që do kenë fatin të akomodohen në këto shtëpi, do kenë mundësinë unike të shijojnë edhe produktet e një rezervati peshku të ndërtuar afër tyre.

Por ky nuk është projekti i vetëm. “UDVarchitects” ka në plan të ndërtojë edhe një fshat turistik në brendësi të pyllit në Llogara. Shtëpitë do të ndërtohen në harmoni me natyrën, pa beton, me dru e xham, siç mund të shihni edhe në foto.

Këto vila ju japin mundësinë të flini duke parë yjet, e të zgjoheni nga rrezet e para të diellit. Projekti duket mjaft ambicioz. Shihni fotot për të kuptuar të ardhmen e ndërtimit dhe ndjehuni me fat që janë në Shqipëri, e mund t’i shijoni!/shqiptarja.com

Zbulohet plani i arkitektëve për të zbukuruar fshatin e peshkatarëve në Zvërnec Read More »