Këtë vit qyteti festoi celjen e sezonit turistik ne nje jave festimesh te pasur me aktivitete. Pavaresisht detajeve ne infrsatrukture ende te papermbylluara Vlora serish ka qene atraktive . Deti , thyerjet e forta te relievit, riviera e mrekullueshme, kulinaria, peisazhi i pakrahasueshem , kane qene vetem pak nga ajo cfare shijohet dhe preket ne Vlore. Te “kripur” dhe “solar” Vlonjatet kane hapur qytetin, zemren dhe njesite e akomodimit per ti thene te gjitheve : Ejani ne Vlore!
Sezoni ka nisur zyrtarisht më festimet e dates 5 Maj dhe ngritjen e siparit te kampionatit te nente boteror te fluturimeve te lira me precizion ,plote 28 shtete pjesmarrese , 150 pilote, shume energji pozitive e plote ngjyra, parashutat dekoruan qiellin e percollen ne mbare boten “pakez” shije nga qyteti, Himnet e dhjetra shteteve u luajten ne sheshin e ri te “lungomares” ku mes bluse se detit e qiellit nisi gara.
Mbremja u ideua per te mbedhur sebashku, te rinj e te vjeter, pushues e vendas, ndaj bizneset lokale u perqendruan ne panairin e organizuar ne po te njejtin shesh.
Atmsfera elektrizuese u percoll edhe te shtunen e dates 6, ku sezoni turistik mbajti emrin e “kraheve te celikta” te motorristeve te qytetit, ne shesh mbizoterroi rroku , lekura , motorrat dhe parada me ne krye steelëingsin e ri kreun e bashkise zgjoi kuriozitetin e qytetareve te cilet ju bashkuan 500 motorristeve nga trevat.
Por ne jemi “Vlore” e keshtu tentuam te zgjojme paksa traditen. Kete sezon u rikthyen sportet dhe qyteti u “marketua” mes zerit te tyre .
Kampionati kombetar i ciklizmit i zhvilluar ne vazhden e aktiviteteve te sezonit mbajti emrin e te madhit”Muharem Ahmeti”. Per kete titull garuan mbi 100 cikliste nga mbare vendi per xhiron e 35 km.
E po ashtu pallati sportit Flamurtari priti per here te pare edhe Kampionatin Ballkanik , te taekëondo. Nje sporti disipline dhe force e ekuilibri.
11-12-13 maj, kulmuan nen tingujt, konstumografine folklorin dhe traditen e auolona folk festival, ne edicionin e tij te nente.
Festivali Aulona Folk vazhdon të mbetet një manifestim i jashtëzakonshëm i folkut europian e më gjerë si dhe një promovim i rrallë i hapjes zyrtare të sezonit turistik të Vlorës.
Një gërshetim i bukur i turizmit kulturor me turizmin natyror të rërës e ujit të detit.
Festimet e sezonit turistik u permbyllen me finalen e aeronautikes , ne molin e plazhit te ri , mes kercimeve latine, veshjeve ekstravagante e nje shoë per te mos u harruar .
2017-ta ndoshta do te jete fillimi i nje epoke te re turistike per qytetin , por dicka është e sigurt , askund dhe asgje nuk i ngjan Vlores, vizitojeni ate , duajeni ate !
sezon te mbare ne “Vloren qe projekton te ardhmen ”
Nën ritmin e muzikës,fishekzjarreve dhe një atmosfere të krijuar nga dhjetëra dhe qindra qytetarë në sheshin e lungomares, Vlora ka celur sezonin 2017, duke ftuar dhe mirëpritur në Vlorë turistët vendas dhe të huaj.
Programuar ndryshe nga vitet e tjera, celjes zyrtare të sezonit turistik, i kanë paraprirë për gjithë javën dhjetëra aktivitete të ndryshme, të organizuara nga bashkia Vlorë, aktivitet të cilat janë shtrirë në të gjithë qytetin bregdetar.
Kampionati botëror i fluturimeve te lira, aulona folk festival, koncerte në cdo mbremje në sheshin e lungomares, kanë shoqëruar aktivitetet e shumta të bashkisë Vlorë deri në mbrëmjen e datës 12 maj, aty ku zyrtarisht mes nje koncerti rinor ka nisur rrugë sezoni turistik 2017, i celur nga vetë kryetari i bashkisë Vlorë Dritan Leli, i cili ka ftuar turistët të bëhen pjesë e Vlorës, e mikpritjes dhe ndryshimit të saj.
Fishekzjarret në qiellin e Vlorës, ritmet e muzikës me emrat më të njohur të muzikes shqiptare dhe një atmosferë e jashtëzakonshme e krijuar nga qindra të pranishem të cilët kanë nisur keshtu sezonin e kësaj vere në Vlorë në një mbrëmje të menduar dhe ideuar ndryshe nga vitet e tjera.
Vlora fton turistët, të huaj dhe vendas të jenë pjesë e qytetit bregdetar në këtë sezon turistik, që ka nisur rrugë mbrëmjen e datës 12 maj, duke besuar dhe pritur një sezon të jashtëzakonshem dhe një sezon të mbarë për të gjithë.
Gjatë muajit Maj celet sezoni turistik në të gjitha bashkitë e Qarkut Vlorë, i cili mbyllet në mesin e muajit Tetor.
Me rastin e celjes se sezonit veror 2017, DRKK Vlorë ka marrë të gjitha masat dhe ka krijuar kushtet optimale për pritjen e vizitorëve vendas dhe të huaj të cilët kanë filluar të vijnë në masë pranë monumenteve të kulturës që mbulon DRKK Vlorë.
Oraret e vizitave pranë monumenteve me biletë janë:
– Kalaja e Kaninës, nga dita e Hënë deri të Dielën, ora: 09:00-14:00 – 17:00-20:00, cmimi i biletes 100 Lekë.
– Kalaja e Himarës, nga dita e Hënë deri të Dielën, ora: 09:00-14:00 – 17:00-20:00, cmimi i biletes 100 Lekë.
– Kalaja e Porto Palermo, Himarë, nga dita e Hënë deri të Dielën, ora: 09:00-14:00 – 17:00-20:00, cmimi i biletes 100 Lekë.
– Manastiri i 40 Shenjtorëve, nga dita e Hënë deri të Dielën, ora: 09:00-14:00 – 17:00-20:00, cmimi I biletes 100 Lekë.
– Parku Arkeologjik i Finiqit, Sarandë, nga dita e Hënë deri të Dielën, ora: 09:00-14:00 – 17:00-20:00, cmimi I biletes 200 Lekë.
– Parku Arkeologjik i Amantias, Plocë, Vlorë, nga dita e Hënë deri të Dielën, ora: 09:00-14:00 – 17:00-20:00, cmimi I biletes 200 Lekë.
– Parku Arkeologjik i Orikut, Orikum, Vlorë, nga dita e Hënë deri të Dielën, ora: 09:00 – 17:00, cmimi i biletes 200 Lekë. (Për hyrjen në P. A. Orik vizitorët vendas duhet të njoftojnë të paktën 1 ditë më parë DRKK Vlorë ndërsa vizitorët e huaj të paktën 10 ditë më parë për kryerjen e procedurave të marrjes së lejes së posacme pasi P. A. Orik ndodhet brenda territorit të bazës ushtarake Pashaliman).
Për grupet e organizuara, DRKK Vlorë lëshon edhe faturë tatimore në qoftë se kjo kërkohet nga organizatorët e grupeve.
Vizitoni Vlorën, Himarën dhe Sarandën, Mbretëreshat Shqipëtare të turizmit që ofrojnë jo vetën det dhe diell por edhe Thesare të Trashëgimisë Kulturore Kombëtare.
Ju mirëpresim!
Kontaktet: Vlore A. Haxhiraj 0697570368, K. Çipa 0699550086, Himare V. Doko 0693846535, Sarande V. Demaj 0692129629.Email [email protected], [email protected]
“Të zbulosh zonën e Orikumit, Dukatit, Tragjasit është si të rrugëtosh në gjurmët e historisë. Vlera të ralla, kala, qytete antike, monumente kulture që i gjen kudo, e që kanë shumë për të thënë, edhe pse nuk kanë pasur mjaftueshëm zë, për të treguar gjithçka ato fshehin”.
Rreth 20 kilometra nga qyteti i Vlorës, Tragjasi i ri qëndron në këmbët e Tragjasit të vjetër. I riu ngre krye me banesat e reja shumëkatëshe, ku jetojnë mëse 1300 banorë, ndërsa më tej mijëra sy të gurtë ku s’jeton askush derdhen në horizont. Tragjasi ka një histori shekullore që shtrihet, sipas studiuesve, që prej shekujve 4-7 para Krishtit. Disa herë është djegur që nga koha e Sulltan Bajazitit, është masakruar, por nuk është shuar. Këto gërmadha të mbetura mbajnë brenda shekuj histori, mbajnë peshën e rëndë të moteve të shkuar. Banorët nisën të zbrisnin ngadalë, vit pas viti, shekull pas shekulli, nga ky fshat, shënjestër e sulmeve të shumta të okupatorëve, që nuk rreshtën edhe në Luftën e Dytë Botërore, kur Tragjasi u dogj nga gjermanët. Sot këtu gurët flasin e tregojnë me rrudhat e gdhendura mbi trupin e tyre nga shekuj histori.
Sot pamja që ofron Tragjasi i vjetër është impresionuese; nga shtëpitë mund të kuptosh pozitën e lartë që kanë pasur banorët e tij, ndërsa “varri i çifutit”, siç e njohin banorët e që gjendet diku në një pjesë të fshatit, e bën edhe më mistike e misterioze historinë e këtushme. I sigurt është fakti se ky fshat mund të kthehet në një burim të jashtëzakonshëm turistik, një muze në natyrë, një natyrë muze, që flet me shtëpitë e çdo gur të tij.
Nuk do të duhej shumë investim, por do të duhej imagjinatë e dëshirë për t’i dhuruar turistëve një perlë të tillë identitare, një vend ku ke ç’të shohësh e mësosh, pas çdo kthine e çdo rrugice, sot të vetmuar.
“Një dorë e vogël, një ndihmë e vogël e një fuqie të madhe, do të bënte mrekullinë. Mendoj se do të ishte një nga vendet më të vizituara”, thotë Lame Troqe, banor i zonës.
Jo larg nga fshati i vjetër, e as nga ai i riu, ngrihet edhe kalaja e Gjon Boçarit. Ai mendohet se ka qenë një nga luftëtarët e Skënderbeut, që më pas u kthye në këtë vend për të ngritur këtë fortesë, që daton sipas disa studiuesve që në shekullin e 14. E megjithatë, në kala e kemi të pamundur të shkojmë, pasi e vetmja rrugë është e rrethuar brenda një prone private, ndaj çdo tentativë tjetër është e pamundur mes pemishteve, ferrave e gjelbërimit të hazdisur. Në Shqipëri ndodh edhe kështu, të detyrohesh të shohësh një vlerë të tillë veç nga larg, ose veç përmes fotografive.
19 kilometra na ndajnë nga një tjetër fshat historik, që emrin e mban që prej të paktën shekullit të tretë para Krishtit, Dukatit. Në krye të tij, në pjesën e vjetër, ngrihet shtëpia e një prej krerëve më të njohur të kryengritjeve antiosmane të viteve 1847, Dervish Ali Dukatit. Kulla, monument kulture, që më shumë i përngjan një kalaje të vogël, në masën më të madhe ka rënë mbi vete, e kjo sepse edhe fondet që janë kërkuar nga Zyra Rajonale e Monumenteve të Kulturës duket se kanë fjetur sirtarëve, e kurrë nuk janë miratuar.
“Ky objekt me të cilin duhet të mburret krahina, është krenari e krahinës, por ka mbetur kështu siç është. Ka nevojë për investime, rregullime, mirëmbajtje dhe për fonde”, tha Sokrat Gjikoka.
Në kullat mbrojtëse, ato të vrojtimit, odat dhe gjithë ambientet e tjera, vërehen dëmtimet e shumta të ndërtesës, që dikur në kohën e diktaturës ka qenë muze, ndërsa sot është kthyer në një rrënojë.
Jo larg ngrihet edhe shtëpia e një tjetër figure të madhe, Pilo Andon Gjikokës, luftëtar i shumë betejave, i internuar e masakruar nga osmanët tek italianët. Edhe këtu gjithçka është shkatërruar.
Në Dukat Fushë kalojmë edhe nga ujësjellësi i Ferrunit, i ndërtuar në vitin 1888 nga mjeshtrat vendas, e që sot duket i dënuar me shembje për shkak të degradimit të tij. Diku më tej, edhe Kisha e Marmiroit, një tjetër monument kulture i shekullit të 12. Dikur në vitet 1970, Instituti i Monumenteve të Kulturës, nën kujdesin e profesor Aleksandër Meksit, e ngriti nga gërmadhat duke e kthyer thuajse në gjendjen fillestare, ndërsa sot fati po shkon drejt rikthimit të saj ashtu siç u zbulua, në shesh.
Laguna e Orikut të drejton për nga qyteti antik, pjesa më e madhe e të cilit gjendet brenda territorit të bazës së Pashalimanit. Oriku, që mendohet se është themeluar në shekullin e 6 para Krishtit shtrihet përreth kodrës së Paleokastrës.
Përtej zbulimeve, që këtu ende vazhdojnë, e për të cilat Zyra Rajonale e Vlorës dhe Instituti Arkeologjik kanë dhënë kontributin e tyre, problemi më i madh duket mungesa e një mbështetjeje të denjë, e mbi të gjitha fondet që do t’i jepnin më shumë hijeshi e mundësi gërmimesh të reja.
“Është ‘i mbyllur’, sepse në fakt është i hapur, por s’pret njeri. Pa vënë dorë nga institucionet përkatëse dhe vështirë për t’u parë, për të gjetur rrugët për të identifikuar monumentet një e nga një, siç i ka parku”, shprehet Eduard Demo, kryetar i shoqatës “Oriku”.
Vlera të mëdha, që shqiptarët nuk kanë ditur kurrë t’i nxjerrin e promovojnë mjaftueshëm.
Në Orik, mbi të gjitha duhet të bëhesh gati edhe për një betejë, vështirë të përballueshme, me mushkonjat, duhet të jesh me fat të kalosh pa ndonjë virus nga pickimet e shumta, që vijnë nga laguna ku shtrihet sot edhe një pjesë e mbytur e qytetit antik.
Do të duheshin ditë të tëra të rreshtoje monumentet e kësaj zone, e mbi të gjitha vlerat historike e kulturore që ajo ka, e ku gjithçka bie ndesh me harresën, indiferentizmin, mungesën e investimeve disavjeçare, që kanë qenë veç grimca e asgjë më shumë.
“Ky është një rrugëtim për të sjellë në vëmendje vlerat kulturore e historike të këtyre zonave, këto pasuri të ralla, me shpresën se zëri i tyre do të dëgjohet për të shkundur harresën e apatinë”. / Top Channel
jë sindikatë e vogël, e quajtur Sindikata e Pavarur e Ushqimit dhe Bashkim Balili ndodhen në konflikt gjyqësor prej vitit 2000 për pronësinë e Santa Quarantës-pasuri e cila u tjetërsua në mënyrë të kundraligjshme përmes dy vendimeve të kundërta të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura.
Nga Lindita Çela – BIRN
Prej marsit 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetim për pasuritë e familjarëve të Klement Balilit-mes të cilave edhe hotelin luksoz “Santa Quaranta”, i shtrirë në 30 mijë metra katrorë buzë detit të Sarandës.
Resorti turistik, i ngritur mbi godinën e rrënuar të ish-kampit të punëtorëve në Sarandë u inaugurua me bujë nga politikanë të lartë të mazhorancës në gusht 2015-ai u quajt “një investim serioz i jashtëzakonshëm”.
Megjithatë, dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se shkëlqimi i hotelit “Santa Quaranta” u ngrit mbi një konflikt gjyqësor 17-vjeçar për pronësinë mes Bashkim Balilit dhe një sindikate të vogël, të quajtur Sindikata e Pavarur e Ushqimit.
Ish-kampi i punëtorëve në Sarandë është vetëm një prej shumë pronave të trashëguara nga regjimi komunist, që përmes një dekreti të Presidentit të kohës i kaluan Sindikatave në fillim të viteve ’90. Njësoj si shumica e tyre, edhe ish-kampi i Sarandës u përfshi në një tranformim të paligjshëm pronësie-konflikti i së cilit vazhdon sot e kësaj dite në dyert e gjykatave.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Ushqimit, Maksim Mebelli i tha BIRN se e kishte përfituar pronën përmes një akti dhurimi të vitit 1997 nga Bashkimi i Pavarur i Sindikatave të Shqipërisë. Mebelli kujton se mbeti i shtangur në gusht 2015, kur pa në televizor drejtues të lartë të shtetit t’i thurnin lavde investimit mbi një pronë-që ai pretendon se i takon Sindikatës së drejtuar prej tij.
“Në vitin 2011, unë kam marrë një vendim gjykate të formës së prerë dhe atë e kam çuar në hipotekë. Unë nuk di se si mund të përurohet një pronë, ndërkohë që ajo rezulton e regjistruar në emër të Sindikatës. Nuk e kuptoj dot,” tha Mebelli për BIRN.
Dokumentet e proceseve gjyqësore dhe të një hetimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit tregojnë se para se të firmoste dhurimin tek sindikata vertikale, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë kishte krijuar një shoqëri aksionere të quajtur “Dea” shpk së bashku me një kompani italiane, ku aksionet ndaheshin 40 % për BSPSH dhe 60 për qind për italianët.
Ish-kampi i punëtorëve në Sarandë kaloi gjithashtu si objekt i kësaj kompanie.
Kundërshtar i Mebellit në këtë çështje- Bashkim Balili pretendon sipas padive të dorëzuara në Gjykatë se 60 për qind të pronës e kishte blerë në ankand në vitin 2000 dhe për pjesën tjetër kishte një kontratë afatgjatë qiraje me Bashkimin e Pavarur të Sindikatave.
Veprimet e dyfishta juridike nga zyrtarët e BSPSH së asaj kohe përbëjnë edhe zanafillën e konfliktit gjyqësor të pronësisë, që ndodhet aktualisht në Gjykatën e Lartë.
I kontaktuar nga BIRN, kryetari i Bashkimit të Pavarur të Sindikatave të Shqipërisë, Gëzim Kalaja nuk iu përgjigj pyetjeve mbi pronësinë e ish-kampit të punëtorëve në Sarandë.
Zyra juridike e BSPSH i ofroi BIRN dokumente të pjesshme, për të mbështetur pretendimin se si dhurimi i ish-kampit te Sindikata e Pavarur e Ushqimit ashtu edhe kontrata e qirasë me kompaninë e Bashkim Balilit nuk janë nënshkruar nga kryetari aktual, Kalaja.
Maks Haxhia, avokati i Bashkim Balilit në këtë çështje nuk iu përgjigj gjithashtu pyetjeve të BIRN.
Ndryshimi i pronësisë
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se pas përfitimit të pronës, zyrtarë të ndryshëm të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë kishin kryer veprime të kundërta për fatin e mëpasëm të ish-kampit të lakmuar të pushimit në Sarandë.
Të dhënat nga paditë gjyqësore dhe verifikimi në hipotekë tregojnë se fillimisht prona i ka kaluar shoqërisë “DEA”, e cila zotërohej në 60 për qind nga kompania italiane “Mare Monti Holding” dhe 40 për qind nga BSPSH, me premtimin se në të do të investoheshin 100 mijë dollarë.
Të dhënat e siguruara në hipotekën e Sarandës nga Kontrolli i Lartë i Shtetit tregojnë pronësia e ish-kampit të Sarandës i ka kaluar kompanisë “DEA” me firmë të sekretarit të përgjithshëm të BSPSH, Fatmir Musaku.
Në vitin 1996 italianët i shitën kuotat e tyre, ndërsa 60 për qindëshi i kompanisë kaloi në dy duar derisa përfundoi tek firma piramidale “Kamberi”, së bashku me një kontratë qiraje prej 25 vjetësh për pjesën tjetër të ish-kampit.
Dokumentet tregojnë se në vitin 2000, Bashkim Balili e ka blerë 60 për qind të pronës në ankand për rreth 84 milionë lekë, ndërkohë që ka lidhur kontratën e qirasë për pjesën takuese të Bashkimit të Pavarur të Sindikatave për 25 vjet.
Më parë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, përmes një sekretari tjetër të Përgjithshëm të quajtur Xhevdet Llubani kishte firmosur aktin e dhurimit të ish-kampit të punëtorëve në dobi të Sindikatës së Pavarur të Ushqimit në maj 1997. Ky akt-dhurimi është reflektuar në regjistrat e hipotekës së Sarandës në maj të vitit 2000.
Në qershor 2000, pasi kishte dështuar të regjistronte kontratën e qirasë në hipotekë, kompania “Titan Konstruksion” e Bashkim Balilit ka paditur në Gjykatën e Sarandës Sindikatën e Pavarur të Ushqimit, me objekt “deklarimin e pavlefshëm të kontratës së dhurimit”.
Argumenti kryesor i padisë ishte fakti se Bashkimi i Pavarur i Sindikatave nuk mund të falte ish-kampin e pushimit, pasi ishte pronare në vetëm 40 për qind të tij.
Në një seancë të vetme, trupi gjykues i kryesuar nga Petrit Aliaj vendos në favor të kompanisë “Titan Konstruksion” dhe urdhëron Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që të regjistrojë kontratën e qirasë në favor të Balilit.
Gjyqi i mësipërm nuk është marrëdhënia e vetme që gjyqtari Aliaj, aktualisht në Apelin e Vlorës kishte me vëllezërit Balili. Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi se Aliaj deklaroi në ILDKPKI se kishte punuar si konsulent ligjor i dy kompanive të vëllezërve Balili në vitin 2005 dhe se ishte paguar prej tyre 47 mijë dollarë.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Ushqimit, Maksim Mebelli i tha BIRN se gjyqi ishte zhvilluar pa praninë e tyre dhe se ata e kishin mësuar rastësisht që kishin humbur. Ai e konsideron procesin gjyqësor të manipuluar, ndërsa dokumentet e servirura nga pala kundërshtare si të falsifikuara.
“Ne nuk morëm asnjë njoftim për zhvillimin e këtij gjyqi dhe nuk dinim se çfarë veprimesh të tjera janë bërë. E mësuam krejt rastësisht se objekti, ish kampi i pushimit në Sarandë kishte kaluar në pronësinë e Bashkim Balilit,” thotë ai.
Pesë vite më vonë, në mars 2005, një vendim i Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës vendos të rrëzojë vendimin e shkallës së parë, duke e kaluar të drejtën sërish në krah të Sindikatës së Pavarur të Ushqimit.
“Na u deshën 5 vite gjyq vetëm që të legjitimoheshim dhe më pas filloi shqyrtimi i çështjes në themel,” tregon Mebelli. Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, “Titan Konstruksion” bëri rekurs në Gjykatën e Lartë dhe fitoi.Në vitin 2008, edhe Gjykata Kushtetuese rrëzoi padinë e Sindikatës së Pavarur të Ushqimit.
Por procesi u rihap sërish në prill të vitit 2011, pasi Gjykata e Lartë legjitimoi si provë të re një hetim të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili vlerësonte se pronësia e ish-kampit të punëtorë ishte transformuar në kundërshtim me ligjin.
Shkeljet sipas KLSH
Në proceset e stërzgjatura gjyqësore, Sindikata e Pavarur e Ushqimit e ka pasur kundër Bashkimin e Sindikatave të Pavarura, e cila ka kërkuar gjithashtu anulimin e kontratës së dhurimit të vitit 1997.
Megjithatë, një dokument i siguruar nga BIRN tregon se në dhjetor të vitit 2008, Gëzim Kalaja ka firmosur një akt-dhurimi të dytë, duke dhënë 40 % e mbetur nga ish-kampi për llogarinë e Bashkim Balilit.
Sipas kontratës së nënshkruar, Kalaja i dhuron pjesën e zotëruar të ish kampit të punëtoreve Bashkim Balilit, në këmbim të një sipërfaqe toke prej 3500 m2 në Linzë të Tiranës.
Ky këmbim është bërë në dhjetor të vitit 2008, ndonëse Kontrolli i Lartë i Shtetit e kishte quajtur tjetërsimin e pronave të sindikatave të paligjshëm. Në tetor të vitit 2006, Kontrolli i Lartë i Shtetit nisi një verifikim të historikut të tjetërsimit të ish-kampit të pushimit në Sarandë pas ankesës së Sindikatës së Pavarur të Ushqimit dhe arriti në përfundimin se regjistrimi në favor të Balilit ishte bërë në kundërshtim me ligjin.
KLSH rekomandon pezullimin e veprimeve, deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes nga gjykata.
Regjistrimin e pasurisë në emër të shoqërisë “Dea” shpk, Kontrolli i Lartë i Shtetit e gjen të paligjshëm. Sipas saj, shkresa e sekretarit të përgjithshëm së BSPSH-së, i cili përcakton se kampi është objekt i shoqërisë tregtare nuk përbën dokument për regjistrimin e pasurisë, pasi “nuk ka një dokument ligjor si kontratë shitblerjeje apo një vendim të veçantë për tjetërsimin e saj”.
Po kështu, KLSH vë në pikëpyetje faktin se aksionerët e DEA zotërojnë edhe ish-kampin e pushimit, pasi sipas dekretit të vitit 1992, pasuria e Sindikatave nuk mund të tjetërsohet deri në vitin 2020.
Pas kërkesës së Sindikatës së Pavarur të Ushqimit, Gjykata e Lartë ka vendosur të rihapë çështjen, duke e njohur kontrollin e KLSH-së si një provë të re në gjykim. Që prej vitit 2012, çështja është në pritje të gjykohet në Gjykatën e Lartë. E pyetur nga BIRN, zëdhënësja e Gjykatës së Lartë tha se shqyrtimi i çështjes është shtyrë për shkak të mosplotësimit të kuorumit të trupës gjyqësore.
Maksim Mabelli i tha BIRN se pas 17 vitesh në gjyq, është ende në pritje të nisjes së procesit në Gjykatën e Lartë. “Nuk do të heq dorë asnjëherë nga e drejta e pronësisë që zotëron Sindikata e Pavarur e Ushqimit,” përfundoi ai.
Ishulli i Sazanit është ishulli më i madh i Shqipërisë i cili ndodhet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Sipërfaqja e ishullit është 5.7 kilometër katrore. Lartesia e tij është 342 metra. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër. Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër. Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer dhe ka gjatësinë 11.3 kilometra.
Emri i ishullit të Sazanit përmendet që në kohërat antike, duke filluar nga shekulli i VI p.e.s. me emrin SASON. Në vitin 1389 ishulli kaloi në zotërimin e Venedikut. Në 1815 së bashku me ishujt Joniane të Greqisë u pushtua nga Anglia. Gjatë periudhës së sundimit të Ali Pashë Tepelenës, fshati që ndodhej në ishull quhej Sebep dhe banorët e tij u dëbuan nga ky i fundit dhe migruan drejt brigjeve të Vlorës duke u vendosur në qytetin e Vlorës dhe në fshatin Zvërnec duke ndërruar dhe fenë. Vlen të përmendet ish kryebashkiaku I qytetit të Vlorës Ibrahim Abdullai i cili ishte pinjoll i familjes Noti, njëra prej familjeve të dëbuara nga ishulli.
Gjatë Luftërave Ballkanike, Greqia e pushtoi ishullin. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 e detyruan atë që të tërhiqej nga Sazani. Gjatë Luftës së Parë Botërore në 1915 ishulli u pushtua nga Italia dhe një vit më vonë në 1916 nga Austro-Hungaria. Lufta e Vlorës në vitin 1920 bëri të mundur që Italianët të tërhiqeshin nga Vlora, por mbajtën ende nën sundim Sazanin, deri më 1943, kur Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë.
Më 21 tetor 1944 ishulli u çlirua nga Ushtria Nacional Çlirimtare Shqiptare dhe që nga ajo kohë është pjesë e integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar. Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, në Orikum të Vlorës, u shndërrua në një ndër pikat kyçe të ushtrisë sovjetike dhe asaj shqiptare në Mesdhe.
Gjatë kësaj periudhe ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet katerasiluruese, artilieria bregdetare etj. Gjatë asaj periudhe ishulli ka qenë i banuar nga rreth 3 mijë banorë të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull. Gjatë kësaj periudhe në ishull u ndërtuan 3600 bunkerë dhe 2840 qëndra zjarri.
Në Sazan gjenden varret e piratit ulqinak Haxhi Aliu dhe të birit të tij. Aty ka jetuar dhe shkrimtarja salentine Rina Durante.
Ishulli i Sazanit eshtë i pasur me atraksione dhe bukuri natyrore ku vlejnë të përmënden Gryka e Xhehenemit, Gjiri i Djallit, Gjiri i Japrakut, Gjiri i Shënkollës, Plazhi zallor i Admiralit etj. Në Sazan ndodhen dhe dy kisha, ajo e Shën Kollit dhe e Shën Mërisë si dhe një mur venecian. Atraksion turistik në këtë ishull janë edhe reliket e mbetura nga regjimi komunist.
Këtë vit, në bazë të një marrëveshjeje midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes, ishulli i Sazanit do të jetë i hapur për vizitorë në periudhën 1 Maj – 15 Tetor 2017 dhe do të administrohet nga Bashkia Vlorë.
Po të më kërkonin një këshillë për vendin që duhet vizituar këtë verë, nuk do të kisha dyshime: Shqipëria.
Ndonëse ka qenë një vend disi i keqtrajtuar, tani turizmi po e bën të njohur dhe është koha për ta vizituar, para se të bëhet një vend turizmi masiv, gjë për të cilën jam e sigurt.
Këtu janë 10 arsye që shpresoj të shërbejnë si frymëzim për ata që kanë ende dyshime dhe t’i bëjnë të ndryshojnë mendje.
1 – Deti i Shqipërisë dhe plazhet
Motivi i parë për të vizituar Shqipërinë këtë verë janë pa dyshim kilometrat e plazheve ende për t’u zbuluar, me rërë dhe det kristal, sidomos ato pranë Greqisë, Saranda dhe Ksamili.
Askush nuk mund t’i rezistojë dëshirës për t’u zhytur në ujërat blu kristal të këtyre plazheve thjesht të jashtëzakonshëm.
2 – Malet
A ka vend më tërheqës në botë se ata që kanë plazhe ëndrrash vetëm pak kilometra larg maleve të lartë? Jo, dhe në Shqipëri do të gjeni me shumicë nga të dyja. Kërkoni në internet për liqenin e Komanit apo për lokalitetin e pabesueshëm të Thethit në veri të vendit.
Alpet Dinarike ngrihen në veri dhe arrijnë lartësi mbi 2000 metra, duke krijuar lugina alpine të pabesueshme, liqene të kaltër dhe biodiversitet të shumtë.
Kush pëlqen ekskursionet dhe natyrën nuk do të zhgënjehet dhe nuk duhet ta humbasë në asnjë mënyrë “Peaks of the Balkans”, një nga ekskursionet më mahnitës që mund të imagjinohet.
3 – Vende arkeologjike dhe mrekulli të UNESCO-s
Nëse plazhet e ëndrrave dhe peizazhet idilike alpine nuk ju mjaftojnë, por doni edhe historinë dhe arkeologjinë, Shqipëria do t’ju befasojë vërtet. Nuk mungojnë kështjellat dhe vendet e mbrojtura nga UNESCO, nga kishat bizantine të Beratit në rrënojat greke e romake të Butrintit, kështjellat otomane e deri në qytetin korinthian të Apolonisë.
4 – Kuzhina e shijshme
Kuzhina në Shqipëria pasqyron varitetin e madh të territorit të saj. Pjata ofrojnë nga furtat e detit, te djathrat e freskët dhe mishi i pjekur. Për të mos folur për zgjedhjet e shumta për fruta dhe perime. Dhe ëmbëlsirat… ëmbëlsirat në Shqipëri meritojnë një artikull më vete.
Dhe ta dini që krijojnë varësi! Edhe nga kjo pikëpamje nuk mund të ngeleni të zhgënjyer nga ky vend i vogël plot gjallëri.
5 – Ende e panjohur
Një nga gjërat që pëlqen më tepër në vendet që vizitoj është kur ende nuk kanë hyrë në cirkun e turizmit masiv dhe kanë ruajtur një origjinalitet të vetin. Shqipëria është një nga pak vendet që kanë mbetur të tillë.
Mjafton të largohesh pak nga qytetet për të gjetur fshatra të izoluar ku traditat mbeten të paprekura, ku gratë veshin ende rrobat tradicionale dhe prej shekujsh ruhen të njëjtat zakone.
6 – Përzemërsia e njerëzve
Çfarë mund të thuash për njërin nga popujt më mikpritës që kam parë ndonjëherë? Shqiptarët janë të lumtur tek shohin që vendi i tyre po shndërrohet e po bëhet në një nga destinacionet kryesore të Mesdheut.
Kur nisa udhëtimin tim për në Shqipëri e vetme, shumë miq më pyetën nëse kisha frikë. Nuk e di se si mund të kem pasur kaq shumë paragjykime në të shkuarën.
E pranoj që surpriza (dhe dhurata) më e madhe që më bëri ky vend i vogël madhështor ishin njerëzit. Më ndihmuan për gjithçka, të hipja në autobus, më tregonin rrugën, disa madje edhe ndryshonin itinerar për të më shoqëruar atje ku kisha nevojë dhe gjiçka e bënin përherë me një buzëqeshje të madhe.
7 – Shumë gjëra në pak hapësirë
Edhe nëse ke vetëm një javë apo pak më tepër kohë, Shqipëria është e përkryer për një udhëtim apo pushime. Sigurisht që do të meritonte më tepër kohë për ta vlerësuar deri në fund, por nëse nuk keni mundësi të largoheni nga shtëpia për më tepër se një javë nuk do të zhgënjeheni, përkundrazi, do të ktheheni me idenë që të shkoni përsëri atje.
Merrni një makinë me qira dhe shiheni të gjithën, duke kaluar nga malet te plazhet e fshatrat dhe do ta shijoni plotësisht.
8 – Është ekonomike
Një det i mrekullueshëm si ai i Sarandës në vende të tjera do të kërkonte një sforco të madhe ekonomike. Në Shqipëri udhëtohet fare mirë me pak, hotelet dhe shtëpitë me qira kanë ende çmime të pranueshëm për të gjithë xhepat.
Në restorante hahet shumë mirë me 10 euro dhe si mund të mos jesh i lumtur kur birrën e gjen për më pak se 3 euro?
9 – Është afër
Pse të bësh 12 orë me avion për të shkuar kushedi ku, kur mund të bësh vetëm një orë dhe të kesh gjithçka përshkruar më sipër?
Shqipëria është shumë afër dhe nga Italia arrihet shumë shpejtë me avion apo traget, ndaj është ideale për një arratisje të vogël verore!
10 – Shqiptarët flasin italisht
Pjesa më e madhe e njerëzve flasin italisht, kështu që barrierat gjuhësore që mund të vështirësojnë udhëtimin nuk ekzistojnë. Sikur të më kërkoni një arsye për të mos shkuar në Shqipëri, ju betohem që nuk më vjen asnjë në mendje.
Përkundrazi, janë shumë gjëra që nuk i kam përmendur dhe që ia vlejnë, si për shembull toleranca midis feve: katolikë, ortodoksë, muslimanë jetojnë bashkë dhe dialogojnë për paqe. Në këtë aspekt Shqipëria duhet të jetë një shembull për të gjithë.
Akoma po mendoheni? Shpejt, Shqipëria ju thërret!
/Nga Martina Santamaria, autore e shkrimeve për udhëtimet në pimpmytrip.it/