Në shek. XVIII, himariotët dërguan në Rusi Pango Bixhilin dhe Hil Kristoforin tek Caresha e Rusisë, Elisabeta Petrovna. Në letrën që iu dërgua careshës, thuhej: “Flasim shqip, atë gjuhë që flitet në tërë Shqipërinë deri në Bosnje.
Himara është një nga perlat e Kaonisë ilire në shekuj, banorët e brigjeve të saj janë quajtur fisi i Kerauneve (nga emri i vargmalit). Zeusi i keraunëve është më i vjetër se ai i mitologjisë greke. Vetë kreshtat malore të Akrokeraunëve, ose Maleve të Vetëtimave kanë qenë sipas profesorëve të Kembrixhit, djepi i lindjes se kultit të Zeusit, që ka si atribut rrufenë. Ky prototip i Zeusit u zhvendos më vonë në Olimp të Greqisë. Zeusi i keraunëve përfaqëson kështu një mitologji paragreke, që duhet marrë në konsideratë nga studiuesit. Duket sikur parahistoria zanafillore e Himarës është spërkatur me yllësi perëndish dhe qeniesh të shpirtëzuara. Kaq shumë autorë legjendarë të antikitetit kanë folur për të, për të mos harruar më vonë, gjeniun e romantizmit, poetin Bajron, i cili ka shkruar vargje të shkëlqyera për himariotët luftëtarë.
Arkeologu francez, Leon Rei ka skalitur këto fjalë: “Nëse Shqipëria ka me se të mburret, ajo, në radhë të parë duhet të mburret me historinë e Himarës”. Dhe ja, në Palasë para shumë vitesh është gjetur një përkrenare bronzi tipike ilire e shek. V para Krishtit. Për fat të keq, kjo përkrenare sot është zhdukur. Është e pafalshme që nga shteti shqiptar nuk janë organizuar ekspedita arkeologjike në Himarë. Themelet e mureve të kalasë së Himarës kanë gurë të mëdhenj ciklopikë, të tipizuar si mure pellazgjike, që të paktën janë të lashtë nga shek. V para Krishtit. Padyshim në këto mure, jeta ka qenë akoma më e vjetër. Një forcë e çuditshme, një lloj elani jetësor, siç do te thoshte filozofi Bergson, e ka ngritur jetën e njerëzve në shpatet e Bregut te Detit, duke i emërtuar përfundimisht ata si bregdetas.
Fshatrat e Himarës mund të quhen si qytete të vogla, tepër të lashta, që përbejnë një bizhuteri përrallore. Shtatë fshatrat e Himarës, si në një numër padidik Palasa, Dhërmiu, Vunoi, Himara, Piluri, Kudhësi, Qeparoi. Por në dokumente flitet edhe për një koncept më të gjerë të Himarës, ku përfshihet dhe Nivica, Piqerasi, Lukova, Dukati, Radhima, Tragjasi, Gumenica, Tërbaçi, Lopësi, Mavlova, Vranishti, Smokthina, Kallarati, Lepenica, Progonati, Tepelena, etj.
Himarioti Anton Linerosa, sipas Barletit mori pjesë në Kuvendin e Lezhës dhe u vra në betejën e Torviollit me 40 trima të tij me 1444. Me 31 gusht 1431, i biri i Gjergj Kastriot Skënderbeut, Gjoni zbret nga Italia në Himarë dhe çliron tërë zonën dhe kështjellën e Borshit. Princi shqiptar, Balsha II ka qenë zotërues i Himarës, pas vdekjes së tij zotëruese qe gruaja Komita Muzaka. Më 12 korrik 1577, pleqtë e Himarës dërgojnë një letër për Papën, të cilën e dërguan në Romë Gjik Kola me Gjergj Katasin. Në këtë letër ata i thonë Papës se janë arbër, se krenohen me Skënderbeun dhe se kërkojnë që Europa t’u japë armë për të luftuar kundër pushtuesve. Në shek. XVIII, himariotët dërguan në Rusi Pango Bixhilin dhe Hil Kristoforin tek Caresha e Rusisë, Elisabeta Petrovna. Në letrën që iu dërgua careshës, thuhej: “Flasim shqip, atë gjuhë që flitet në tërë Shqipërinë deri në Bosnje”. Me 1818 Regjimenti Shqiptar në Korfuz luftoi për mbrojtjen e Psarës. Anglezi Millingen ka shkruar “Himariotët kishin pamje më luftarake në tërë ushtrinë. Nuk kanë dallim nga shqiptarët e tjerë. Veshja dhe gjuha – krejt e njëjtë”….Nuk është e rastit, që Papa Dhimitri nga Dhërmiu përktheu në shqip katekizmat, u hapën shkolla shqipe gjatë shek. XVI-XVIII. Historia e Kishës Katolike në Himarë nuk mund te zhduket dhe nuk mund të mohohet.
Vlerat e këtij monumenti natyror janë shkencore, historike, arkeologjike, kulturore e turistike. Por, sot ky gji i bukur detar shfrytëzohet edhe si një plazh i vogël e intim.
Jemi në pragfillimin e sezonit turistik verorë dhe deti bëhet prioriteti kryesor i turizmit të kësaj stine. Një nga destinacionet për pushime detare është dhe Gjiri i Gramës në Orikum. Saktësisht gjendet në rrëzën e shpatit perëndimor të malit Rrëza e Kanalit, në perëndim të qytezës së Orikumit në rrethin e Vlorës.
Gjiri detar futet deri disa qindra metra në tokë, ku formon një bregdet shkëmbor me faleza. Duhet të ketë edhe shpella nënujore. Peizazhi natyror është shumë tërheqës për çdo vizitor. Ky gji është përdorur shumë për mbrojtjen e anijeve nga furtuna në det. Gjithashtu ai është përdorur gjatë në antikitet si gurore. Gurorja e Gramës është mjaft e njohur që në lashtësi.
Detarët që strehonin aty anijet, punëtorët që nxirrnin blloqe shkëmborë që përdoreshin për ndërtim në qytetet ilire e më gjerë kanë gdhendur aty emrat e shumë të dhëna të tjera. Ndaj dhe shpesh shpella që ndodhet aty emërtohet si shpella e shkrimeve. Arkeologët i kanë studiuar dhe kanë shkruar për këto dokumente historike të gdhendura në shkëmb, shkruan atsh.
Vlerat e këtij monumenti natyror janë shkencore, historike, arkeologjike, kulturore e turistike. Por, sot ky gji i bukur detar shfrytëzohet edhe si një plazh i vogël e intim.
Drejt tij shkohet me rrugë tokësore por edhe detare. Shfrytëzohet nga aventurierët e ujit dhe të shpellave
Në 23 Prill 1451 Skënderbeu bëhet dhëndër i Gjergj Arianitit, Gjergj Arianiti Topia Komneni.
Ai u martua me Donikën (Andronika), e cila ishte 23 vjeçe, ndërsa vetë ishte 46 vjeç.
Ajo ishte një nga tetë vajzat dhe shquhej për bukurinë e rrallë ndër vajzat e krahinës.
Ashtu siç e thotë edhe Barleti, ajo ishte një ndër vajzat më të bukura të dyerve bujare të Shqipërisë së shekullit të XV.
Legjendat dhe gojëdhënat për martesën e Skënderbeut në Kaninë kanë mbetur të gjalla edhe sot në Rajonin e Vlorës.
Njëra prej tyre e ruajtur në Himarë, e cila ishte zotërim i Gjergj Arianitit thotë se: “Ditën e dasmës në Kaninë shkuan edhe Kapedanët e Himarës me peshqeshe për çiftin.
Ata e shoqëruan nusen deri në Krujë”.
Ndërkohë që në Qishbardhë dhe Penkovë (Vlorë), ruhen katër toponime të tilla si: Qisha e Skënderbeut, Rrapi i Skënderbeut, Vau i Skënderbeut dhe Ara e Skënderbeut; dëshmi të shekullit të XV.
Kurorëzimi i çiftit, midis Gjergjit 46 vjeçar dhe Donikës 23 vjeçare, u bë në kishën e vjetër të Manastirit të Ardenicës , i cili ndodhet 10 km në veri të Fierit.
Ndërsa motra tjetër e Donikës, Angelina, u martua me princin serb Stefan Brankoviç dhe është shpallur Shenjt nga Kisha Ortodokse Serbe.
Pas vdekjes së Skënderbeut në 17 Janar 1468 , Donika u shpall regjenti i të birit Gjonit, trashëgimtarit legjitim të Skënderbeut.
E ndodhur në kushte të tilla në të cilat ajo nuk mund të ushtronte funksionin e saj, kur turqit kërcënonin në mënyrë më serioze shtetin shqiptar, Donika në 23 Maj 1468 u largua së bashku me të birin në Itali.
Në vitin 1468, suita e saj u vendos në Itali në dy feudet që Ferdinandi i Aragonës, mbret i Napolit, i kishte dhuruar Skënderbeut në vitin 1463, si kompensim i ndihmës së çmuar që heroi i dha atij.
Në vitin 1501 kur mbërriti në Spanjë si pjesë e një delegacioni, Donika Kastrioti tashmë ishte 73 vjeçe dhe nuk do të ketë pasur mundësinë të kthehet më në Napoli.
Ajo mendohet të ketë vdekur në harkun kohor midis Marsit të vitit 1505 dhe Shtatorit 1506.
Ky fakt dëshmohet nga testamenti i Giovanna-s së III, në të cilin pohohet se Andronika është varrosur në kishën e Trinisë së Shenjtë në Valencia të Spanjës.
…nga Maria Frëngu, Rugina Balsha e deri te Donika, bashkëshortja e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut
Ilirjan Gjika
Kështjellat janë objekte të trashëgimisë kulturore me origjinë antike dhe mesjetare. Edhe vendi ynë, Shqipëria, ka trashëguar nga e kaluara një sërë kështjellash, të cilat sot përfaqësojnë një pasuri të vyer kulturore dhe historike. Ndërkohë që secila prej tyre përmban në vetvete histori nga më të ndryshmet rreth ngjarjeve që lidhen me to.
Edhe sot janë të njohura dhe të famshme legjendat e vjetra mbi Rozafën dhe Argjiron e deri tek ato më të rejat për Vasiliqinë e Ali Pashës. Por kështjella shqiptare që bart histori të shumta, të ngjashme me ato të tragjedive shekspiriane është padyshim ajo e Kaninës.
Në këtë fortesë kanë ushtruar aktivitetin e tyre një sërë emrash të njohur nga historia si Robert Guiskardi, Boemundi i Tarentit, despotët e Epirit, admirali Filip Kinardi, Jovan Komnen Asenin, pasardhësi i tij Aleksandri, i pari i dinastisë së Kastriotëve, Balsha II, princi serb Merksha Zharkoviç, Gjergj Arianiti, Gjegju Sinan Pash, etj.
Ndërkohë që krahas burrave të përmendur dhe të fuqishëm të kohës, në Kaninë, kanë vepruar edhe shumë “figura femërore”, të cilat janë bërë tashmë objekt shkrimesh të ndryshme, që nisin nga folklori popullor për të mbërritur deri te letërsia e kultivuar apo historia.
Le ta nisim me temën e parë, për të cilën, në librin e tij “Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera”, një autor modern si Eqrem Bej Vlora, citon një kronikë anonime normane të titulluar “Breve cronica normanna”. Sipas saj gjatë fushatës normane të vitit 1081, kalorësi i shquar i shquar i Perëndimit, Boemundi i Tarentit, pasi pushtoi Vlorën rrethoi edhe kështjellën e Kaninës. Në pamundësi për ta marrë me luftë, njerëzit e tij përdorën një tjetër taktikë.
Ata e bindën gruan e komandantit bizantin që për një shpërblim të mirë të vriste të shoqin dhe t’u hapte portat e fortesës. Gruaja tradhtare veproi sipas porosisë dhe u shpërblye për veprën e kryer. Por kur në Vlorë mbërriti nga Italia e Jugut, Robert Guiskardi, i ati i Boemundit ngjarjet morën një tjetër rrjedhë.
Pasi dëgjoi për këtë ngjarje, kalorësi i shquar norman u revoltua nga kjo vepër e ulët dhe urdhër, që gruan tradhtare ta burgosnin në Manastirin e Zvërnecit (Eqerem Bej Vlora, Kalaja e Kaninës dhe Shkrime të tjera, Koçi, 2004, f. 32).
Ky ishte fundi tragjik i kësaj historie të trishtë, e cila do të vijonte përsëri në Kaninë. Dhe vijmë kështu te historia e dytë, e cila është edhe ndodhia më mbresëlënëse dhe njëkohësisht më e dhimbshme e tematikës së sotme. E tillë është ajo që lidhet me një nga zonjat e Kaninës, Maria Frëngun, të cilën jo pa qëllim, historiani Pëllumb Xhufi, në librin e tij “Nga Paleologët te Muzakajt” e quan edhe si: “Zonja fatale e Kaninës”.
Si gruaja e dy burrave të fuqishëm të kohës, Maria, do të bëhej autorja kryesore e vrasjeve të tyre, që përbëjnë një kapitull të rëndësishëm të “kronikës së zezë’’ të shekullit XIII, në historinë e Arbërisë mesjetare. Duhet thënë se Maria Frëngu ishte kunata e despotit të Epirit, Mihal II dhe për qëllime politike u martua fillimisht me qeveritarin bizantin të Arbërit, Kostandin Habaronin. Pas vdekjes së tij për të njëjtat motive politike ajo u martua përsëri, por këtë radhë me mëkëmbësin e mbretit të Napolit, admiralin Filip Kinardi (Pëllumb Xhufi, Nga Paleologët te Muzakajt, 55, 2009, f. 72).
Duke i shërbyer qëllimeve ekspansioniste të kunatit të saj, despotit Mihal II, Maria do të komplotonte dhe do të arrinte të eliminonte fizikisht të dy burrat e saj. Këtë aktivitet vrastar dhe tipik bizantin ajo do ta ushtronte me gjithë talentin e saj pikërisht në kalanë e Kaninës, atje ku kishte edhe pronat e saj.
Ndërkohë gratë do të ishin përsëri protagoniste të ngjarjeve që kishin të bënin drejtpërdrejt me këtë kështjellë. Historia e tretë ka të bëjë me gratë e familjes Balsha. Kështu pas vrasjes së princit Balsha II, në betejën e Savrës së vitit 1385, në Kaninë do të zotëronte e veja e tij, Komnena Muzaka, e quajtur ndryshe edhe “Zonja e Vlorës”. Por vdekja e parakohshme e të shoqit, njërit që kishte marrë përsipër të bashkonte Arbërinë do ta sillte Komnenën në krye të një zotërimi të rëndësishëm strategjik, që ishte e pazakontë për rolin e një gruaje. Gjithsesi, kjo gjë duhet parë edhe në kushtet e kohës kur rreziku osman në Ballkan kërcënonte Adriatikun. Në këtë kontekst edhe përpjekjet e saj për t’iu gjetur zotërimeve një princ apo për t’i vënë ato nën mbrojtjen e Venedikut dështuan. Pikërisht në kohën kur Vlora nisi të kërcënohej nga ky pushtim, ajo do të vdiste dhe në krye të principatës do të vihej e bija, princesha Rugina Balsha.
E përmendur në folklorin popullor njëlloj si Rozafa apo Argjiroja por ndryshe nga ato, Rugina, njihet si një personazh i mirëfilltë historik. Ajo qëndroi në krye të zotërimeve të Vlorës në vitet 1415-1417. Por Rugina nuk pati fat t’i mbronte zotërimet e saj nga sulmi osman. Pasi dështoi në përpjekjet për t’ia dorëzuar principatën Venedikut ajo u largua në ekzil. Një natë të errët pasi doli nga kështjella e Kaninës Rugina, kaloi përgjatë shpateve të malit të Shashicës dhe mori rrugën drejt Himarës për t’u vendosur përfundimisht në Korfuz ku dhe vdiq në dëshpërim (E. B. Vlora, f. 44). Edhe sot në Vlorë, përgjatë shpateve të maleve të Shashicës, Lungarës dhe majës së Llogorasë ruhet një toponimi e dendur që lidhet me shtegtimin e tragjik dhe të dhimbshëm të saj. Emra të tillë si “shkëmbi”, “përroi” apo “burimi” i Ruginës kanë qenë një lëndë e pasur etnografike e mbledhur dhe publikuar prej kohësh prej studiuesve të kësaj fushe.
Ndërkohë që emri i historisë së fundit që lidhet me figurat femërore në Kaninë është padyshim ai i Donika Arianitit, bijës së princit Gjergj Arianiti, njërit prej heronjve të qëndresës anti-osmane të shekullit XV. Në ditët e sotme historia aludon se dasma e saj u zhvillua në Kaninë atje ku Gjergj Arianiti kishte selinë. Kurse gojëdhënat popullore e “dëshmojnë” një fakt të tillë duke theksuar se ceremonia e martesës së Donikës me Skënderbeun u zhvillua këtë kështjellë. Njëra prej tyre e ruajtur në Himarë, e cila ishte zotërim i Arianitit tregon se: “Ditën e dasmës në Kaninë shkuan edhe Kapedanët e Himarës me peshqeshe për çiftin. Ata e shoqëruan nusen deri në Krujë” (Akademia e Shkencave. Epika Historike, I, Tiranë 1983, f. 133).
Kështjella e Kaninës
Kështjella e Kaninës ngrihet mbi një kodër prej 380 m të lartë në pjesën juglindore të qytetit të Vlorës. Arkeologët e kanë përcaktuar si një fortesë me karakter mbrojtës që i shërbente qysh në antikitet bashkësisë ilire të Amantëve. Me një sipërfaqe prej 3.5 ha dhe e rrethuar me mure që i përkasin teknikave, stileve dhe kohëve të ndryshme, kështjella, ishte e aftë të strehonte njerëz dhe mjete të konsiderueshme. Qëllimi i saj ishte kontrolli mbi gjirin e Vlorës, fushat bregdetare dhe luginën e poshtme të Lumit Shushica. Këtë rol ajo e luajti edhe gjatë shekullit të fundit, kur në vitet ‘90, kur prej saj u largua i fundmit nënrepart i Ushtrisë shqiptare.
Kështjella e Kaninës mbetet edhe sot një nga destinacionet e preferuara të turizmit historik dhe kulturor në Vlorë. Nuk mund të kuptohet Vlora pa Kaninën dhe anasjelltas Kanina pa Vlorën. E natyrisht që një shkrim i tillë nuk shërben veçse si një “ngacmim” që nëpërmjet përmendjes së këtyre personazheve të historisë, të “pasurojmë pasaportën” turistike të këtij monumenti.
Këto pamje fantastike vijnë nga fshatrat Velcë, Matogjin, Ramicë, Bashaj dhe Vërmik. Në këtë zonë ndodhet dhe Kalaja e Boderit e cila i përket periudhës së antikitetit të vonë. Kjo kala është e ndërtuar në një kodër në bregun e majtë të lumit të Smokthinës. Muret e saj rrethojnë pjesën më të lartë të kodrës dhe formojnë një shumëkëndësh të crregullt, me perimetër rreth 270 metra.
Në pjesën jugore muret ruhen deri në 4 metra lartësi. Në këtë anë ndodhet dhe kulla e vetme e këtij fortifikimi. Kjo është një zonë me vlera të veçanta monumentale veçanërisht në prehistori me shpella karstike të cilat paraqesin shumë interes për historianët dhe spelologët. Vlen të përmenden 70 shpellat karstike të Velcës nga të cilat njëra prej tyre është monument kulture i kategorisë së parë si dhe shpella në lagjen Hysaj në Ramicë e cila ka qenë e shfrytëzuar si spital partizan gjatë Luftës së Dytë Botërore ku janë kryer dhe operacione të vështira kirurgjikale me mjete primitive. Emri Smokthinë rrjedh nga sllavishtja dhe do të thotë: Vendi i Fiqve.
Në këtë zonë me bukuri mahnitëse rrjedh lumi i Smokthinës i cili është degë e Lumit të Vlorës për të cilin studiuesi E. Novak shkruan në vitin 1923: Lugina e Lumit të Vlorës është një luginë me bukuri heroike. Po kështu në fshatrat Ramicë dhe Matogjin janë vërejtur shtëpi me dy kate me vlera të vecanta ndërtimore si banesat e vëllezërve Dervishaj në Ramicë dhe banesa e fisit Musaraj në Matogjin. Matogjini është vendlindja e shkrimtarit të soc-realizmit Shevqet Musaraj. Në fshatin Matogjin ndodhet dhe Rrapi shekullor i cili është monument natyre.
Shpella e Shkruar e Lepenicës ndodhet në rrjedhën e mesme të Lumit të Vlorës, 800 m mbi nivelin e detit, në faqen lindore të malit të Lepenicës
Ajo u bë e njohur për studiuesit dhe vizitorët pas viteve 1970.
Në vitin 1930 është vizituar nga Shtjefën Gjeçovi i shoqëruar nga patrioti vlonjat Tol Arapi.
Në faqet e brendshme të shkëmbit tavanor gjenden të vizatuara 19 figura antropomorfe dhe 8 figura gjeometrike.
Vizatimet janë realizuar me bojë minerali ngjyrë kafe dhe datohen në mijëvjeçarin e tretë para Krishtit.
Ato flasin për një nivel të lartë të artit neolitik në vendin tonë.
Për Shpellën e Lepenicës, kanë shkruar e bërë studime personalitete të shkencës si Prof.Myzafer Korkuti, Prof.Dhimitër Shuteriqi, Dr.Shpend Bengu,etj.
Sot, kjo shpellë vizitohet nga studiues dhe kurioz spelolog, por edhe nga turistë të zakonshëm që kërkojnë të njihen me natyrën dhe historinë.
Orikumi dhe Karaburuni ndodhen midis Gjirit të Vlorës në Lindje dhe Detit Jon në Perëndim. Lartësia e Karaburunit shkon nga 15-30 m deri në 800 m mbi nivelin e detit. Pikat më të larta janë Maja e Flamurit (826 m) e ajo e Caderes (839 m). Kjo zonë ka statusin Rezervat Natyror i Menaxhuar, kategoria e IV. Zona e Karaburunit karakterizohet nga një diversitet biologjik dhe pejzazhor, i cili i dedikohet pozitës gjeografike, orografisë, hidrografisë, vertikalitetit, kushteve tokësore dhe klimatike të ndryshme. Kjo zonë mban habitate të ndryshme, të cilat nga ana e tyre përdoren nga një numër i konsiderueshëm kafshësh (shpend e gjitarë) të një rëndësie kombëtare dhe rajonale për ruajtje. Zona e Karaburunit aktualisht gjendet afër një popullate të konsiderueshme ku qendra më e madhe urbane është qyteti i Orikumit. Mjedisi social ekonomik i zonës është pothuajse agrar, ndërsa në verë merren me turizëm. Banorët përreth zonës së Karaburunit merren kryesisht me pemëtari, vreshtari, bimë foragjere, blegtori. Brenda zonës Karaburun gjatë periudhës së dimrit, është zhvilluar aktiviteti i blegtorisë (dhi e dhënë). Duke qenë në një pozicion të ndërmjetëm në rrugën e vetme nacionale që lidh Vlorën me Orikumin, Himarën e me tej deri ne Sarandë, ajo ka favorin të ofrojë pika me interes historik si Vlora, Kanina, Amantia, Mavrova, Orikumi, Himara etj.
Të dhënat historike, shumë gjetje arkeologjike dhe 19 monumente kulture, evidentojnë se rajoni ka qenë ndër me të zhvilluarit dhe të civilizuarit në Shqipërinë e Jugut. Kjo vërtetohet me gjetjet në shtatë qytete antike mjaft të pasura me vepra arti, arena, objekte kulti, varre monumentale, etj.
Nuk po flasim për Orikun e lashtë, por atë të kohëve të sotme. Në këtë vend ishte këneta dhe kullotat e Dukatit dhe asgjë tjetër. I gjithë vendi ishte një pyll i përzier me hilqe, frashër, që e bënte të pakalueshëm për njerëzit. Këneta vetë, kishte puse dhe vende ku uji ishte deri 1 deri 2 metra ujë. “Ishte e pashfrytëzuar se e bënin vetë kushtet që kombinonte me detin dhe ushqehej dhe me puset vetë. Deri në vitin 1956 s’kish gjë prej gjëje përveç një poste policie. Për herë të parë u ndërtuan rreth 20 apartamente ku do strehoheshin rusët që do të vinin për bazëne Pashalimanit dhe shqiptarët gjithsej 72 familje të tyre”. Dalëngadalë punët ecën, kurse Pallati i Kulturës, një ngrehinë tipike e stilit sllav, u inaugurua më 15 gusht të 1960. Kështu u krijua Orikumi si qytet tipik socialist, me ndërtesa tipike dhe njerëz tipikë, oficerë, marinarë dhe familjet e tyre.
Me fundin e epokës së Luftës së Ftohtë, kur baza u prish dhe banorët mbetën në ato dy katëshit e vjetër, që u ndërtuan fillimisht për ushtarakët rusë dhe kolegët e tyre shqiptarë, fytyra e qytetit ndryshoi. Nevoja i mësoi banorët që t’i faleshin emigracionit, ndërsa pjesa e mbetur rregulloi shtëpitë dhe mendoi për turizmin shtëpiak. Falë punës së paqme të kryetarëve të bashkive, u shtrua rruga deri te baza, që nuk u bë kurrë gjatë viteve të Luftës së Ftohtë dhe sot ajo lidh vendin që nga fundi i Unazës së Re të qytetit dhe derisa përfundon në hyrje të Bazës Ushtarake të Pashalimanit në krahun jugor të Rrugës Nacionale Orikum- Pashaliman. U rregulluan kanalizimet dhe u rregullua bulevardi kryesor në qytet. Që sot gëlon nga të rinj dhe mijëra pushues nga vendi dhe të huaj.
Tani banorët e këtij qyteti i kënaqen plazhit të paanë, që shtrihet nga pranë Bazës dhe vijon deri buzë qytetit, ku një rreth pallatesh të tëra e kanë ndryshuar Orikumin krejtësisht duke e bërë një nga atraksionet më të mëdha të pas bregdetit të Vlorës. Dhjetëra shitore të vogla, rrethojnë qytetin, ku mbizotërojnë merkatat e vogla, pijetoret dhe në barazim me këto kafe-internet. Në këto mjedise, fëmijët e brezave të tashmë të Orikumit, ardhur nga emigracioni mbajnë gjallë fantazinë kibernetike dhe përcjellin trendin e moshës së tyre, që e ka bërë sërish të vjetër qytetin vogëlan.
Karaburuni
Karaburuni, kjo perlë e natyrës dhe historisë shqiptarët me plazhe te cilat vitet e fundit po shfrytezohen nga pushuesh dhe turiste
Llogaraja, porta e Rivierës Shqiptare
Parku Kombëtar i Llogarasë gjendet në juglindje të qytetit të Orikumit dhe 37 km larg qytetit të Vlorës. Ai përmbledh një siperfaqe prej 1,010 ha. Ajri i freskët e i shendetshëm, pamja e mrekullueshme e drurëve halorë,fshati turistik dhe ujët e ftohtë që burojnë nga brendësia e maleve i japin këtij parku vlera turistike e kombëtare. Nga të huaj e vendas cilësohet si një nga vendet më të bukura të Rivieres Shqiptare. Parku i Llogarasë përbëhet nga dru halore, pisha e zezë, bredhi, lisi, dëllenja e butë e robulli. Ështe shpallur monument natyror dhe kulturor në vitin 1966, po në atë vit ka marrë dhe statusin e parkut kombëtar. Prej disa vitesh në park funksionojnë një sërë objektesh turistike si hotele të vegjel, restorante, bare të hapura në natyre, etj.,të cilët kënaqin kërkesat e turistëve dhe udhëtarëve.
Orikumi antik dhe Orikumi modern
Një nga qendrat më të mëdha në këtë zonë ka qenë dhe është Orikumi, që shtrihet në bregun jugperëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore gëlqerore në fundin e një skele druri që ndan një lagunë të vogël nga gjiri (Pasha-Liman). Një kanal, tani i shndërruar në një kënetë lidhte lagunën me detin. Orikumi ka qenë qytet antik i disa periudhave, që nga ato greke, romake dhe deri në mesjetën e hershme. Sot ai është kthyer në një qytet modern, që merr më shumë rëndësi dhe gjallëri në nerv me vërshimine turistëve të shumtë vendës dhe të huaj. Orikumi ka akoma mundësi dhe resurse të tjera turistike të pashfrytëzuara. Ende një pjesë e tij, më e bukuara, mbahet nga repartet ushtarake në një vijë të gajtë bregdetare. Por Orikumin nuk duhet ta marrësh të shkëputur nga e gjithë zona për rreth që fillon nga Lugina e Llogarasë deri në Pasha-Liman (tek Gjiri i Bristanit) duke u kufizuar me Gadishullin e Karaburunit, me luginën e Llogarasë dhe Dukatit fushë duke përfunduar me lagunën e Orikumit. E vendosur midis Parkut Kombëtar Llogara dhe Rezervatit Natyror të Menaxhuar Karaburun kjo zonë shërben si një urë lidhëse midis dy ekosistemeve natyrore, dhe është pjesë e pandarë natyrale e tyre.
Mes bukurive dhe çudive natyrore të Llogaras
Të shkosh në plazhet e gjirit të Vlorës nga Uji i ftohtë e deri në Orikum dhe të mos lësh një pjesë nga koha jote për në Llogara, mos thuaj isha në Vlorë. Një vakt në Llogara, mëngjes apo drekë, është një kënaqësi mbresëlënëse. Ushqimet blegtorale bio këtu janë fantastike, ose, ndoshta kështu të duket mes freskisë së pishave, që nga mishi i pjekur në hell, nga djathi, gjiza, salca e lëkurës e deri te harapashi, gatim tradicional i zonës me të përbrendshmet e qengjit, miell misri dhe gjalpë. Kënaqësia tjetër më e madhe, është rruga që mbi Dukat e deri në qafë sipër, ku duket Riviera, fshatrat e Himarës, Korfuzi dhe brigjet e Jonit. E shijon këtë mrekulli me makinë, snatyrisht duke ecur ngadalë, por edhe duke zbritur here pas here nga makina për të marrë një dorë çaj apo rigon mali, apo për të soditur pishat, që për shkak të erës, i ngjajnë një flamuri të shpalosur, dhe bash për këtë ato quhen pisha flamur. Në qoftë se je i ngeshëm dhe kurioz mund të hysh thellë në pyll dhe të relaksohesh me pamjet e mrekullueshme dhe bimësinë që gjen atje. Ndërsa po vajte te km 31 i rrugës Sarandë-Vlorë, ne dalje të Parkut, në të djathtë të rrugës kryesore, ndodhet Pisha Flamur, që është shpallur Monument Natyre dhe që është lehtesisht e dallueshme. Ajo ndodhet në lartësinë 910m mbi nivelin e detit, ka një moshë mbi 100 vjeçare dhe mbart vlera unikale, si vepër artistike e ererave të Jugut. Është e gjatë 17 m, ka perimetër 3.30 m, diametri maksimal 75m. Pisha flamur vazhdimisht ka terhequr vemendjen e vizitorëve vendas e të huaj dhe është botuar në guida të ndryshme turistike dhe botime shkencore. Natyrisht këtu nuk mund të rrish pa bërë një foto, me të cilën mund t’u mburresh miqve në Facebook, duke u thënë: “A e shihni ku kam qenë unë”?!..
Objekte me vlerë historike
Pushuesit që vijnë në gjirin e Vlorës dhe Orikum, veç plazhit, në orë të veçanta të ditës mund të vizitojnë edhe objekte historike që ndodhen në të gjithë zonën si:
Kisha e Marmiroit
Në fund të gadishullit të Karaburunit, aty ku ai bashkohet me luginën e Dukatit gjendet një objekt kulti i vetmuar, i ndërtuar mbi një kodër fare pranë bregut të detit. Është një kishë bizantine me kupole, ndërtimi i së cilës datohet diku ne shek. XII. Për të vizituar Kishën e Marmiroit ndiqet rruga që përshkon qytetin e Orikumit deri tek pompat e ujësjellësit dhe prej andej ndiqet rruga që të çon në rreze të kanalit.
Gramata
Gjiri i Gramatës (ose siç thirret nga vendasit, Gjiri i Gramës) ndodhet rrëzë shpatit perëndimor të Gadishullit të Karaburunit. Në një zonë të pabanuar ku mund të me vështirësi në rrugë këmbësore. Ne antikitet që nga shek. VI p.e.r. shkëmbinjtë masivë që gjenden në këtë gji kanë shërbyer si gurore për ndërtimin e qyteteve. Në muret e tij të gurta, gjenden shkrime të marinarëve që i shprehin falenderimin perëndisë Poseidon. Sot përbën një vlerë unikale për detin e Mesdheut. Në këtë zonë ndodhet gjithashtu edhe shpella e Gramës, muret e gurta të së cilës përmbajnë vizatime dhe shkrime, shumica e të cilave i referohen mikpritjes se vendasve.
Kalaja e Gjon Boçarit
Kalaja mesjetare e shekullit XV, e lokalizuar pranë fshatit Tragjas. Përbëhet nga dy kulla gjashtëkëndore në skajet veriperëndimore dhe juglindore. Ka një gjatësi prej rreth 50 metra, me mure 5 metër të lartë dhe 1.25 metër të gjerë. Në këtë kala Princesha e Kaninës dhe e Vlorës, Rugjina e Balshajve, pati rezidencën e fundit ndaj pushtueseve Osmanë në vitin 1417. Për të vizituar këtë monument kulture ndiqet rruga që të çon në fshatin Tragjas.
Kullat e Dervish Aliut në Dukat
Kullat e Dervish Aliut në afërsi të fshatit Dukat ndodhet një kompleks ndërtimor me vlera historike. I ndërtuar në fillim të shek. XIX ky kompleks mban emrin e Dervish Aliut, personazh i njohur si organizator i revoltave fshatare kundër reformave të Tanzimatit në Shqipëri gjatë viteve 1847-1848.Banesa është e tipit Kullë, që i ngjan një keshtjellëze të fortifikuar.
Shpella e Haxhi Alisë
Ndodhet në gadishullin e Karaburunit në afërsi të kepit të Gjuhëzës. Shpella e Haxhi Alisë është quajtur ndryshe shpella ilirike. Thuhet se një luftëtar dhe detar i shquar Ulqinas i quajtur Haxhi Ali u strehua bashkë me të birin në këtë shpellë. Prej aty ata sulmonin piratet e detit dhe duke bashkëpunuar me barinjtë, mbronin tregtaret dhe udhëtarët që kalonin nga ato anë. Edhe sot anijet që kalojnë pranë shpellës i bien sirenës në nder të tij.
Rrepet e Izvorit
Në fund të Tragjasit janë shtatë rrepe të mbjellë, ndoshta, para 250 vjetesh. Përmasat e rrapit më të madh janë: lartësia 60 m, diametri maksimal 2 m, perimetri i trungut 10 m dhe kurora e rrapit ka një diametër pre 40 m. Në rrepet e Izvorit organizoheshin takime dhe kuvendet e popullit. Rrepet e Izvorit janë lehtësisht të dallueshëm nga rruga kryesore.
Shpella e Dukë Gjonit
Kjo shpellë ndodhet në faqen jugore të Gadishullit të Karaburunit në vendin e quajtur Petrunë, 400 m mbi nivelin e detit. Atë e ndajnë në disa salla e kate stalaktidet e stalagmitet. Në sallën e parë ndodhet një burim i vogël që ka ujë gjatë gjithë vitit. Kjo shpellë ka bukuri të rralla, vlera shkencore, kulturore e turistike.