Turizem

Mrekulli për të mos u humbur !10 fshatrat turistik në Shqipëri që duhen vizituar patjetër

Agjencia Kombëtare e Turizmit ka listuar këto 10 fshatra turistike si vende që duhen vizituar patjetër.
Specifikat dhe kriteret që janë marrë në konsideratë kanë qenë: natyra e bukur, ekosistemi, kuzhina dhe infrastruktura.
Vendin e parë e zuri Thethi, i cili ka tashmë një famë ndërkombëtare
Ja lista e vendeve që duhen vizituar patjetër:
Theth (Park Kombëtar – Shkodër)
Voskopoja (Korça)
Benja (Përmet)
Lin (Pogradec)
Dragot (Tepelenë)
Vuno (Vlorë)
Valbona (Park Kombëtar – Tropoja)
Kallmet (Lezhë)
Petrela (Tiranë)
Belsh (Elbasan)

Mrekulli për të mos u humbur !10 fshatrat turistik në Shqipëri që duhen vizituar patjetër Read More »

Troja, lindi Romën apo Orikumin?

Pjesa jug-perëndimore e vendit njihet jo vetëm për plazhet e bukura dhe ujin e kristaltë, por edhe për historinë e pasurinë e saj që në antikitetin e hershëm. Një nga vendet më të rëndësishme dhe që ka pasur një rol strategjik gjatë gjithë kohës është pikërisht qyteti i Orikumit, ose ndryshe i quajtur Pashaliman, porti detar i Jonit dhe Adriatikut.

Për herë të parë Orikumi përmendet nga gjeografi dhe historiani grek Skylaksi, shek. VI-V p. Krishtit në veprën e tij “Lundrimi”. Sipas legjendës, fisi pellazg i Eubeasve, pas shkatërrimit të Trojës, kthehet në tokat e të parëve dhe themelojnë qytetin e Orikut në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër.
Duke marrë parasysh që ishte një qytet i cili kishte dalje në dy dete të rëndësishme për kohën, do të bënte që qyteti i Orikut të ishte një qendër me vlera të larta dhe sigurisht me një arkitekturë të veçantë. Kjo vihet re në mënyrën se si ishte ndërtuar qyteti dhe gjithë çfarë mbante brenda. Një nga ndërtesat ka qenë edhe teatri Antik i Orikut, i ndërtuar në shek. III-II p. Krishtit, i cili vjen gati identik me teatrin ë Trojës. Kapaciteti i Teatrit shkon nga 400-600 spektatorë dhe është përdorur për mbledhje publike e për shfaqje të ndryshme. Madje në epokën romake (shek. III-I p.  Krishtit) janë organizuar edhe ndeshje me gladiatorë dhe kafshë të egra dhe kjo dallohet vetëm 40 metra në jug-perëndim të teatrit, ku mund të shikosh fare mirë vendndodhjen e Altarit. Thuhet se para se të fillonte një mbledhje, ceremoni ose shfaqje në Teatër bëhej theroria e zakonshme në Altar. Pastaj fillonte shfaqja.

Akropoli- Në faqen lindore të Akropolit zbresin dy palë shkallë të gdhendura në trupin shkëmbor të kodrës, me gjerësi 2.5 metra që kufizojnë ambiente godinash publike, të gdhendura thellë në gurë me dimensione të ndryshme.

Pusi antik nr.1 është i gdhendur në trupin shkëmbor të Akropolit. Përdorej për ujë të pijshëm në raste kur ujësjellësi binte në dorë te armikut.

Pusi antik nr.2 është më i ruajtur. Tullat e murit dhe të dyshemesë ruhen pjesërisht.

Puset antik nr. 3 dhe 4 ndodhen e pjesën jugore dhe Jug-Perëndimore të Akropolit.

Një shpellë shumë e rëndësishme ka qenë edhe ajo  Gramës e cila ndodhet në bregun perëndimor të gadishullit të Karaburunit e ku ruhen rreth 2000 mbishkrime të cilat datohen nga shek. IV para Krishtit deri më tani. Shpella e Gramës ka qenë e shfrytëzuar si gurore për ndërtime publike. Shpella vetë ka ambiente të brendshme qe janë përdorur si objekte kulti.

Duket qenë se pozicioni i saj ishte  strategjik, u shfrytëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonasve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.

Flota maqedonase e Aleksandrit të Madh e pushtoi në vitin 214 p.e.r e në shekullin e lll p.e.r preu monedha me emrin e bashkësive qytetare. Në shekullin e ll p.e.r u dëmtua nga një tërmet i rëndë, u rindërtua dhe fortifikua në shekujt e V-Vl.

Në kohën bizantine dhe në mesjetë njihet si një port i vogël me emrin “Jeriko”.

Në shekullin e Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin e Marisë.

Parku Arkeologjik i Orikumit, me qytetin e fortifikuar, akropolin e teatrin, portin, shkallët shkëmbore, altarin, oborrin e pusit dhe tempullin, dëshmon për një zhvillim të hershëm të jetës qytetare. Shtrirja e tij midis gjirit të Vlorës dhe lartësive me pyll pishe të Llogorasë, me një peizazh të larmishëm, me florë e faunë të pasur, përbën një destinacion të kërkuar nga të gjithë në të gjitha kohërat.

Troja, lindi Romën apo Orikumin? Read More »

Vendi ku bashkohen Perënditë Iliriane – ORIKUMI

Një diell kaq të bukur, që bën të shkëlqejnë valët si mijëra pasqyra vezulluese, të gërshetuara nga rryma detare në mënyrë të tillë, sa që të duket se vetë deti ashtu, luspa-luspa është në sfidë të hapur edhe me shtatë ngjyrat e ylberit. Këtu, ku bregu zbret shkallë-shkallë, edhe ngjyra zbret shkallë-shkallë, kemi dhjetëra nuanca të bojë-qiellit, po aq të jeshiles, po aq të së bardhës. Në këtë bregdet, ku ndihet pushteti i krenarisë që je bir i kësaj toke Arbënore, për të gjithë shqiptarët, edhe mrekullia që ka bërë zoti, shkrihet me mrekullitë që po ndërton njeriu shqiptar ditë pas dite. Këtu, fillon dhe njësohet deti Jon me atë Adriatik, këtu njësohet era e detit me të malit, këtu njësohet rëra me zallin, sa dhe ngjyrat e ndërtesave njësohen e luajnë me natyrën përreth si luan pranvera me ngjyrën e luleve të saj. Sa kemi lënë pas Vlorën dhe kemi kaluar në atë që quhet “Përroi i Vrizit”, jemi futur në atë kufi institucional, që i përket bashkisë së Orikumit. Nuk ka njeri të kësaj zone që të mos e dijë se futesh në Radhimë , ku të vjen në mend një këngë e këtyre viseve: “Dukat, Tragjas e Radhimë/ U derëzeza o djem” .Kjo është zona ku tre fshatrat e një krahine që quhet Dukat, janë të lidhur me njëri –tjetrin me gjak, vëllazëri e krushqi të përjetshme. Kjo zonë, që kufirin fillestar e ka direkt mbas shkëmbit natyror që ngrihet si një ballkon madhështor mbi det e që vlonjatët e quajnë me emrin “Kalaja” , mbaron mbi Qafën e Llogorait, kur zbret për në Palasë, dhe ashtu si fillon dhe mbaron, në një vijë natyrore ku qielli, toka, deti bëhen njësh, ashtu bëhet njësh dhe e shkuara me të sotmen, duke folur me të njëjtën gjuhë, duke kënduar të njëjtat këngë.

Kur ecën në rrugën gjarpëruese të Radhimës, aty ku mushmollat, limonët, ullinjtë, ndërthurën me pishat, gjineshtrat e verdha e xinat buzë rrëzomave, që herë bëhen njësh me detin, e herë bien thikë duke u zvarritur nëpër hone, mahnitesh se sa shumë ka ecur kjo zonë në këta pak vjet, sa bukur ka ndërhyrë njeriu e sa afër dukesh me Mesdheun e përtejmë, ku konkurrenca kalon deri në marrëzi. Kohët e fundit, këtu kanë ardhur dhe turistë që ecin e lëvizin shpateve në këmbë, e me mushka duke mohuar edhe makinat e shtrenjta që as këtu nuk mungojnë. Duke i parë kështu grupe-grupe, të kujtohet koha që kjo zonë u përshkua në të njëjtën mënyrë në 29 maj 1920, kur u bë Kuvendi i Barçallait që përgatiti Ultimatumin dhe u morën vendimet e rëndësishme të Luftës së Vlorës. Me mendje, po të kthehemi mbrapa në ato vite, lexojmë se çfarë ka lënë të shkruar për këtë krahinë një nga udhëheqësit kryesor të asaj lufte, mëmëdhetari i madh Osmën Haxhi Muhameti: “Kur i hipa kalit për në Barçalla e Radhimë nëpër penxhere kishin vënë flamurë kuq e zi me shkabë. Njerëzit ishin gati të linin punën dhe të vinin në luftë. Kurse nëpër sokakët ndihej era e fortë e petullave. Në Tragjas e mbyllën shkollën dhe ishin gati që burra dhe gra të vinin me mua. Piva dhallë të ftohtë në shumë stane. Në Dukat ishin mbledhur të gjithë burrat dhe ata që nuk kishin dyfek kishin marrë kërrabën ose shkopin prej drize. Aty pashë dhe gjeta një nocion nacional që Shqipëria është Dukati, apo Dukati është Shqipëria”.

Është bukur kur sheh njerëz që vijnë për mallin e largët, për kureshtje, për gëzim në këto anë, që më shumë kanë pritur ushtri të huaja dhe i kanë përballuar ato me dinjitetin e shqiptarit. Në horizont ishulli i Sazanit dhe gadishulli i Karaburunit, janë aq afër dhe aq larg, si dhe rrëfenjat që flasin gjuhën e sotme. Dikur ishte vetëm një gadishull, por si pasojë e një tërmeti dhe shkëputje nënujore ai u nda dhe u krijua ishulli i Sazanit. Kjo zonë dikur përfshihej në zonën e Himarës prej 50 fshatrash, dhe nga njëri prej tyre, Radhima e ka prejardhjen dhe arbëreshi i famshëm Jeronim De Rada. Pra pak kohësh këto gurë i preku dhe studiuesi francez me origjinë shqiptare, Mathieu Aref, autor i librit “Shqipëria-Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen” i cili duke studiuar ato që shkruan Hamond se në malet Akrokeraune (në malet e Vetëtimës) në Dukat, ka lindur Zeusi, erdhi këtu për t’i parë e shkelur këto troje mitike. Ndoshta, studiuesin që ka bërë të mendohen shumë shkencëtarë, e kanë shtyrë përpara dy fakte: i pari është fakti se dijetari C.Roth në librin e tij shkruan se në malet Keraune jeton fisi Albanoi, domethënë Albanopoli i dikurshëm, dhe i dyti se E.Gilbert thotë se emri Labëri është emri i vjetër i Albanopolit që ndodhet në malet e Akrokeraunëve.

Ptolemeu në hartat e tij të famshme ka dhënë koordinata të sakta për Vlorën, Orikun, Pashalimanin, Palermon, ndaj mendohet që s’ka si të ketë gabuar kur Albanopolin e ka vendosur në juglindje të Keraunisë, në krye të rrjedhës së lumit të Celydnos. Si për koincidencë, lumi i Dukatit burimin lindor e ka në Vrizë. Këtu, ku shtrihet Orikumi, qyteza 2500 vjeçare, që dikur është thirrur me emrin Erihoi, gjenden dhe rrënojat e lashta të tij, me amfiteatrin, që i kanë dhënë të drejtë ministrisë së Turizmit e Kulturës për ta shpallur atë “Park Arkeologjik Kombëtar”. Në fakt, koha e saktë për themelimin e Orikumit nuk dihet. Ka shumë gjasa që kjo qytezë është themeluar si koloni mbi ndonjë vendbanim ilir më të vjetër, se shekulli VI p.e.s , ashtu si ka ndodhur edhe për shumë qyteza të tjera ilire, sepse dihet që Orikumi është pjesë e tokës së fisit ilir të amantëve. Në gjithë këtë zonë ka shumë shpella që brenda tyre ka shumë histori për të dalë në dritë. Dikur Lukiani shkruante se “këtu strehohen varkëtarët, kur Adriatiku të gjitha fuqitë e veta i vë në lëvizje dhe kur Keraunia fshihet ndërmjet reve.” Mbas Karaburunit gjendet një liman që quhet Gramata e banorët i thërrasin Grama. Ky liman, në ditët e sotme, është një kompleks, me tuma, qeramikë, amfora nënujore, aty është gjetur dhe një anije me vela ilire. Dijetari i shquar gjerman Hans Treidler ka shkruar se Gramata e sotme ka qenë limani i fisit të vogël ilir Encheler, që nuk mund të dilte drejtpërsëdrejti në Orikum, ku ish vendosur kolonia greke, ndërsa mitologu grek Apolonius Phoius thotë se Zeusi i drejtonte vetëtimat për të dëbuar gjindin e racës së Encheler. Në një nga shpellat e famshme të kësaj zone do të strehohej, për tu ruajtur në shekujt që do të vinin më pas edhe ulqinakasi i famshëm Haxhi Aliu, emrin e të cilit e mban kjo shpellë sot e kësaj dite.

Nga gërmimet që ka bërë në trevën e Dukatit arkeologu shqiptar Pr. Neritan Ceka, ka gjetur varreza të lashta ilire të mijëvjeçarit të tretë p.e.r. Në thikat prej bronzi, karficat, sendet e tjera të stolisjes, që u gjendën në ato tuma, tregohej qartë se ilirët kaonë kanë jetuar në këto troje në periudhën kur shoqëria fisnore ishte duke u shkatërruar. Në Dukat toponimi “Gropa e Pirit”, vjen nga emri i lashtë “Gropa e Epirit”, ku i pirë do të thotë i pjerrët, që laget nga uji. Këtu ndodhet edhe një hon që quhet Gërxhinë, që s’është gjë tjetër veçse një gërxh i vogël, banorët fjalës Greqi i thonë Gërqi, dhe njerëzit e gërxheve, i quajnë me fjalën “grekërit” apo “gërxhianët” dhe është plotësisht e mundshme që romakët t’i kenë quajtur banorët e gërxheve, “graccianë” e vendin “Grecia”, nga që bregu ka qenë gjithmonë gërxhe-gërxhe. Këtu shtrohet dhe pikëpyetja e aludimi i madh i shumë shkencorëve, gjuhëtarë e historianë, se s’ka pasur kurrë grekë të vjetër, por ata ishin pallazgo-ilirët e gërxheve. Në se duam të studiojmë të vërtetat tona të mohuara, duhet gërmuar thellë në këtë zonë, sepse këtu është filli që pështjellon lëmshin, kjo zonë është palca e shqiptarisë./gazetainfopress.com/

Nga Laureta Petoshati

Vendi ku bashkohen Perënditë Iliriane – ORIKUMI Read More »

‘Syri i Kaltër’ parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë

Syrin e Kaltër”, ky vend i cili tërheq shumë vizitorë nga mbarë bota, mediat italiane e kanë quajtur si një parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë, si dhe perlë të turizmit veror.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, për të iu uruar një ditë të mbarë ndjekësve të tij në Facebook ka zgjedhur një mënyrë më të veçantë.

Ai ka shpërndarë një artikull për atraksionin turistik në Shqipëri, “Syrin e Kaltër” i publikuar në mediat italiane.

Një pjesë nga reportazhi mund ta lexoni më poshtë:

“Burimi i Syrit të Kaltër”, një parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë. Duket tamam si një sy i bukur ngjyrë blu.

Quhet “Burimi i Syrit të Kaltër” falë ngjyrës së kristaltë të ujërave të tij dhe formës e cila ngjan tamam si një sy të madh.

Syri i Kaltër, në gjuhë origjinale, është një burim natyror në zemër të Shqipërisë, një perlë e re e turizmit veror Mesdhetar e cila të surprizon vazhdimisht.

Bëhet fjalë për një burim karstik vetëm njëzet e dy kilometra në lindje të Sarandës, vendpushimi bregdetar më i famshëm dhe i gjallëruar përgjatë “Rivierës Shqiptare” në shpatet perëndimore të Malit të Gjerë.

Temperatura e ujërave të këtij burimi është rreth 12°C, por thellësia e tij ende nuk dihet.

Shkëmbi i bardhë gëlqeror që i bën sfond këtij burimi, e ngjyros atë me ngjyra të mrekullueshme dhe, sipas legjendave, ai mund të vizitohej vetëm nga anëtarët e partisë gjatë periudhës komuniste.

Ndërsa pjesa e brendshme e burimit ka një ngjyrë blu të errët, të ngjashme me beben e një syri, pjesa e jashtme ka tonalitete më të hapura, njësoj si një iridë.

Për të mbërritur aty mjafton një shëtitje në këmbë prej rreth dy kilometrash prej udhëkryqit në rrugën kryesore që lidh Sarandën dhe Gjirokastrën dhe, edhe pse është një vend ku nuk mund të bësh plazh për shkak të temperaturave të ulëta, është sidoqoftë një vend ku mund të freskohesh gjatë ditëve të gjata nën diellin e nxehtë, tipike të Shqipërisë.

Gjelbërimi i dendur i lisave që rrethojnë burimin, ku fluturojnë të lira qindra flutura dhe pilivesa, edhe ato me një ngjyrë blu elektrike, e bën atë vendin ideal për të organizuar një piknik, ose për të konsumuar diçka në barin dhe restorantin e zonës ku gatuhen pjata tipike dhe të shijshme, ndërsa nga tarraca mund të sodisni pamjen e burimit.KultPlus.com

https://youtu.be/NwVe803_a78

‘Syri i Kaltër’ parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë Read More »

Një mrekulli për turistët dhe një mister për arkeologët – Laguna e Orikumit

Laguna ndodhet në brigjet e Gjirit të Vlorës dhe Detit Adriatik. Sipërfaqja ujore e kësaj lagune është 1.5 km2. Në periferi dhe nën ujërat e lagunës gjenden gërmadhat e qytetit të vjetër të Orikumit.

Kjo lagunë veç vlerave historike është e pasur dhe me specie të ndryshme të florës e faunës. Laguna e Orikumit është në një zonë përherë e lidhur me detin nëpërmjet një kanali. Gjiri është shumë i përshtatshëm për zogjtë migrues.

Rezerva e madhe e peshkut rrit mundësinë për Karabullakët, Çafkat e mëdha të bardha dhe Çafkat gri. Peshkimi dhe rritja e peshkut në lagunë nuk janë shumë të shfrytëzueshme.

Kryesisht peshkohen Ngjalat, Venerupis pullastra dhe Koca.

Poshtë shtratit të ngjelmët të lagunës, ndodhet misteri i pa zbuluar i një qytetërimi të hershëm, Oriku.

Një nga qendrat më të mëdha në këtë zonë ka qenë dhe është Orikumi, që shtrihet në bregun jugperëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore gëlqerore në fundin e një skele druri që e ndanë nga laguna e vogël nga gjiri (Pasha-Liman).

Orikumi ka qenë qytet antik i disa periudhave, që nga ato greke, romake dhe deri në mesjetën e hershme.
Sot ai është kthyer në një qytet modern, që merr më shumë rëndësi dhe gjallëri në vërshimin e turistësh të shumtë vendës dhe të huaj, që vijnë dhe e vizitojnë atë.

Orikumi ka akoma mundësi dhe resurse të tjera turistike të pashfrytëzuara.

Ende një pjesë e tij, mbase më intriguesja, nuk është zbuluar akoma apo mbahet peng nga repartet ushtarake në një vijë të gjatë bregdetare.

Orikumin nuk duhet ta marrësh të shkëputur nga e gjithë zona për rreth që fillon nga Lugina e Llogarasë deri në Pasha-Liman tek Gjiri i Bristanit duke u kufizuar me Gadishullin e Karaburunit, me luginën e Llogarasë dhe Dukatit fushë duke përfunduar me lagunën e Orikumit.

E vendosur midis Parkut Kombëtar Llogara dhe Rezervatit Natyror të Menaxhuar Karaburun kjo zonë shërben si një urë lidhëse midis dy ekosistemeve natyrore, dhe është pjesë e pandarë natyrale e tyre.
Edhe laguna zë pjesën e vetë në aktivitet turistike dhe mjedisore të kësaj zone të pasur me vepra arkeologjike që dëshmojnë historinë e saj. Misteri nuk është zbuluar akoma i gjithi, nuk dihet çfarë ka nën shtratin e Lagunës?!…

Një mrekulli për turistët dhe një mister për arkeologët – Laguna e Orikumit Read More »

Pak histori brenda shpellës së Haxhi Aliut

Ka shumë pak kohë që ishulli i Karaburunit është bërë i mundur që të vizitohet nga vendasit, por edhe nga të huajt, të cilët tashmë kanë mundësi ta shijojnë në maksimum madhështinë e kësaj pjesë të Shqipërisë. Një nga shpellat më të bukura në këtë zonë është ajo e Haxhi Aliut, e cila mban mbi supe një legjendë po aq të mrekullueshme sa ç’ është vetë.

Kjo mendohet se ka qenë banesa më e sigurt e ulqinakasit Haxhi Ali Ulqinaku, i cili bashkë me tartanët e tij kishte qenë kryekomandant i flotës turke të Mesdheut e në fund të shekullit XIX, kapedani i detit erdhi u vendos në Karaburun dhe mbronte brigjet shqiptare nga sulmet që bënin venecianët, saraçenët nga Malta dhe Egjipti, spanjollët, anglezët dhe francezët. Për plotë 22 vjet u bë mbrojtësi i këtyre brigjeve. Në luftë me venedikasit ai u vra dhe varri i tij thuhet se është në det.

Anijet kur kalonin i binin sirenave dhe hidhnin bukë e vaj për shpirtin e tij në det. Këtë zakon e vijojnë dhe disa nga banorët e Dukatit, në zonën e Ravenës, ku kanë bagëtitë që jetojnë atje. Çdo mëngjes gushti hedhin bukë e vaj në det për shpirt të Haxhi Alisë.

Kjo është shpella më e madhe e bregdetit shqiptare cila ka një lartësi me hyrje mbi 60 metra mbi nivelin e detit dhe sipas historianëve kjo është edhe shpella që emrin e vjetër e ka dhe Shpella Iliriane. Shpella iliriane e përdorur  nga  Haxhi Aliu është një dëshmitare interesante e historisë.

Duke u futur në brendësi të shfaqet një liqen në forme eliptike me aksin e madh të drejtuar nga hyrja. Salla ka një shtrirje në gjatësi prej 60 m e orientuar sipas Veriperëndimi-Juglindja dhe një gjerësi nga baza (mbi nivelin e detit) rreth 40 m në pikën më të gjerë. Në tërësi shpella është e gjatë rreth 100 m.

Thellësia e liqenit të brendshëm arrin 10,4 m drejt anës verilindore të fundit të shpellës. Në paretet shkëmbore të sallës përballë hyrjes paraqiten stalaktite të pjerrta me origjinë të mundshme organogjene ose të përzier. Në hyrjen e saj janë gjetur fragmente amforash antike të shekujve të parë të epokës sonë. Kjo shpellë vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen e detarëve të huaj e shqiptare. Detari i guximshëm shqiptar Haxhi Aliu e ka përdorur atë si strehë mbrojtëse duke u përleshur me anijet e huaja grabitqare, të cilat tentonin të hynin në Gjirin e Vlorës apo të grabisnin piratisht bagëtitë e vendasve në Karaburun.

Rreth viteve 1540-1545, është përdorur nga piratët francez për t’u mbrojtur siç thuhet edhe në toponimet afër shpellës.

Pak histori brenda shpellës së Haxhi Aliut Read More »

A eshte ky vendi me i bukur i bregdetit shqiptar? (Foto)

Pak veta e njohin dhe akoma me pak e kane vizituar. Por ky eshte padyshim gjiri me i bukur i bregdetit Jon ne Shqiperi.

Behet fjale per Gjirin e Gramit, i cili ndodhet ne zonen e Karaburunit, midis Vlores dhe Dhermiut. Thuajse 30 minuta me skaf te shpejte nga Dhermiu, Gjiri nuk ka akses nga toka. Deti eshte e vetmja mundesi per te arritur aty. Gjiri eshte mjaft i mbrojtur dhe ka nje zgjatin ne forme bishti qe lejon ankorimin e anijeve ne furtune dhe i mbron ato nga stuhia. E vecanta e tij eshte se per afro 2500 vjet ka sherbyer per te strehuar anije dhe marinare te ndryshem ne kercenimin e stuhise. Sot, ne shkembin ne ane te tij, mund te gjesh shenime nga me antiket, deri tek me te rejat qe jane bere ne vite nga marinare qe jane strehuar aty per ti shpetuar terbimit te detit. Mbishkrimet jane ne disa gjuhe, qe nga latinishtja e greqishtja e deri tek anglishtja, italishtja, frengjishtja dhe gjuhet arabe.

Gjiri ka qene i mbyllur per publikun ne vitet e komunizmit sepse ishte zone ushtarake. Deti eshte i jashtezakonshem, i paster dhe ne thellesi mund te dallohen objekte antike. Per shume vete, ai mbetet gjiri me i bukur ne Shqiperi dhe cdo njeri duhet ta vizitoje patjeter nje here.

A eshte ky vendi me i bukur i bregdetit shqiptar? (Foto)Rezultate imazhesh për foto gjiri i gramitRezultate imazhesh për foto gjiri i gramitRezultate imazhesh për foto gjiri i gramitRezultate imazhesh për foto gjiri i gramitRezultate imazhesh për foto gjiri i gramitRezultate imazhesh për foto gjiri i gramitRezultate imazhesh për foto gjiri i gramit

A eshte ky vendi me i bukur i bregdetit shqiptar? (Foto) Read More »

Misteret e Kishes se Shen Marenes aty ku bashkohet mistikja me artin!Vizitoni kishen dhe merrni me vete nje zopez guri nga Shpella

Lexoni legjendën e Shën Marenës… Vizitoni kishën dhe merrni me vete një copëz guri nga Shpella…
KISHA DHE SHPELLA E SHËN MARENËS
Kisha dhe Manastiri i Shën Marenës së Llëngës, ndodhet jo larg këtij fshati, në anën veriore të tij, mbi një breg nga ku pamja përreth është shumë e bukur, me male, pyje e livadhe. Në këmbë të këtij vendi rrjedh si një përrua i madh e ujëplotë, lumi i Shkumbinit, që e merr fillimin e tij prej këtyre anëve.
E gjithë kisha është e mbuluar në pjesën e brendshme me piktura murore (afreske). Tematika e pikturave është ajo e zakonshmja e kishës ortodokse. Muret e kishës janë të ndarë në pesë breza horizontalë. Në brezin e katërt paraqiten skena nga martirizimi i Shën Marenës, shenjtores së cilës i dedikohet kisha.

Këto piktura janë bërë nga dora e mjeshtrit të talentuar Kostandin Shpataraku. Realizimi i tyre është bërë 10 vjet më vonë se ikonat e kishës së Ardenicës në Lushnjë. Kjo flet për pjekurinë artistike të piktorit. Kostandin Shpatarakut i përkasin një pjesë e ikonave të ikonostasit, duke përfshirë kryqin mbi ikonostas, dyert e bukura, një balldakin me 15 figura dhe 17 ikona të vogla me skena nga jeta e Krishtit dhe Shën Marisë. Pikturat murore të kësaj kishe janë punuar prej tij më 1754 me porosi të qytetarëve, klerikëve dhe esnafëve të qytetit të Llëngës”.
Dita e Shën Marenës, ndonëse bie më 17 korrik (sipas kalendarit të ri), festohet më shumë më 30 korrik (sipas kalendarit të vjetër), sipas një tradite të krijuar prej vitesh. Në këtë festë marrin pjesë e vijnë jovetëm besimtarët e fesë së krishtere, por edhe ata të fesë myslimane; jo vetëm nga Mokra Sipër e rrethi i Pogradecit, por edhe nga krahina të tjera si Korça e, sidomos, nga fshatrat e Librazhdit e madje të Elbasanit. Kishës së Shën Marenës i atribuojnë veti çudibërëse. Besimtarët besojnë në vetitë çudibërëse të Shën Marenës, i luten asaj dhe hedhin ndonjë monedhë e ndezin qirinj në kishë, në mënyrë që shenjti t’i ndihmojë në zgjidhjen e ndonjë halli apo në shërimin e ndonjë sëmundjeje.Legjenda për Shën Marenën
Për jetën e shenjtores tregohen dy variante:
Varianti i parë. Ajo është shfaqje e shpirtit të Shën Marenës, e lindur në fshatin Qesan të Pisidisë në Azinë e Vogël në vitin 270 pas Krishtit, e cila ka qënë një nga shenjtoret më të reja në moshë, shumë e njohur dhe shumë çudibërëse. Sipas këtij varianti janë pikturuar edhe pikturat murore (afresket) në muret e kësaj kishe nga piktorët që përmendëm më sipër. Ky variant gjendet edhe në librin “Shën Marena midis nesh” të Gaqo Bazes..
Varianti i dytë. Shën Marena është shenjtorja e krahinës, e cila ka ardhur në këtë vend prej diku nga larg. Ajo ia kushtoi jetën e saj Zotit, e ka ardhur këtu për t’u ardhur në ndihmë njerëzve. Pra një personazh konkret.

Në gojëdhënë thuhet se babai i saj ishte pagan dhe nuk deshte që e bija e tij të merrej me përhapjen e fesë së krishterë. Vajza largohet nga shtëpia dhe vjen në Mokrën e Sipërme dhe në fshatin Llëngë, ku jetonte me lëmoshat që i jepnin. Nuk dihet se prej nga kishte ardhur vajza. I ati i saj dërgoi njerëz për ta vrarë, por ajo hyri në shpellë në pjesën më të largët të saj, atje ku ishte më ngushtë, atje ku nuk mund të hynte asnjeri. Ata që e ndoqën dhe hynë në shpellë, nuk e gjetën dhe kujtuan se në atë vrimën e vogël e shumë të ngushtë që kishte mbetur pa u kontrolluar ajo nuk mund të hynte, kështu u larguan. Shën Marena dilte çdo ditë me zbardhjen e ditës dhe lahej në kroin përballë shpellës, që sot quhet Najazmë. Ky ujë është i bekuar dhe nuk prishet, sado të rrijë në një shishe të mbyllur.
Burrat e krahinës së Mokrës e kanë rrahur shumë kurbetin për të nxjerrë bukën e gojës. Shumë kurbetllinj të vendeve të tjera, ku mokrarët kishin shkuar për të punuar, flisnin për çuditë e shenjtorëve. Një ditë u fol për Shën Marenën, për jetën, martirizimin dhe çudirat e saj.
Midis tyre, disa nga Llënga, Niça e Grabova treguan interes të veçantë për të dhe dhanë fjalën se po t’u shkonte mbarë kurbeti, do të ngrinin një kishë me emrin e saj. Me kalimin e kohës ata u pasuruan, por kur u kthyen të pasuruar nga kurbeti, e harruan premtimin e dhënë. Dhe ja, një ditë, shenjtorja u shfaq në krua (sot i thonë kroi i Shën Marenës), ku po mbushnin ujë vajzat fshatare të familjeve të tyre. Të gjitha u mahnitën nga bukuria e saj dhe pyesnin njëra-tjetrën se e kujt ishte kjo vajzë e kur ka ardhur. Shenjtorja iu përgjegj njërës prej motrave të kurbetllinjve:
– Quhem Marena, nuk ju kanë treguar për mua? Apo harruan ? -dhe menjëherë u zhduk.
Të gjitha vajzat ikën të trembura në fshat. Atëhere, i vëllai me emrin Nikolla (emër që është shkruar në pllakën e kishës), mori takim me shokët e tij kurbetllinj dhe më pas bisedoi edhe me parësinë e fshatit për premtimin që kishin bërë. Pati edhe hezitime, sepse emrin e shenjtores nuk e njihnin dhe se në fshat e kishin kishën e Shën Thanasit dhe të Shën Gjergjit.
Kur po bëheshin këto biseda shenjtorja u shfaq në mes të fshatit, ku dëshmoi edhe njëherë veten e saj. Ajo iku drejt vendit të manastirit të sotëm dhe hyri në shpellë duke thënë se këtu banonte. Të gjithë e ndoqën me sy dhe disa shkuan atje. Pas disa ditëve bariu i fshatit kishte parë një vajzë që lahej në krua kur dilte dielli, pastaj shkonte për në shpellë. Kjo dhe shumë shfaqje të tjera i bindën banorët për të ngritur një kishë në vendin ku është sot kryqi. Gjatë transportimit të materialeve të ndërtimit u vërejtën mrekullira. Të gjithë u habitën kur i gjetën materialet në vendin ku shenjtorja dëshironte ngritjen e kishës. Kështu, rreth vitit 1660 u ndërtua kisha e Shën Marenës. Më vonë u dogj dhe u rindërtua përsëri me kontributin e fshatit në vitin 1754.
DRKK Korçë

Fotografia e DRKK KorçëFotografia e DRKK KorçëFotografia e DRKK Korçë

Misteret e Kishes se Shen Marenes aty ku bashkohet mistikja me artin!Vizitoni kishen dhe merrni me vete nje zopez guri nga Shpella Read More »