Turizem

Vlora eshte mbreteresha!Vlora dhe s’ka tjeter !

Nga Rudina Xhunga

“Unë kam në Vlorë një apartament shumë të vogël, që më mjafton të pushoj dhe mësoj time bijë me dashurinë për qytetin ku linda.

Dikur nga ballkoni shikoja detin, perëndimi mbi Sazan më derdhej në shtëpi, tani e marr me mend që është, aty pas pallateve, ngjeshur e plasur, të gjitha bosh, me tabela mbi dritare, shitet.

Sa herë vij këtu, e vëzhgoj qytetin, ia dalloj dhe tregoj mungesat, më mërzit e trishton çdo kujtim që më kanë prishur e zëvendësuar me asgjënë.

Siç bën një njeri me gjënë që do më shumë. Duke dashur ta shohë më mirë, ta shohë aty ku duhet të jetë, aty ku ti ëndërron për të.

Por tani, kur dëgjoj aq shumë njerëz të thonë se Vlora kaq mundet, kaq di, se ja shikoni Korçën çfarë mrekullie, më kap inati.

Ç’lidhje ka Vlora me Korçën? Përvec faktin që ata kishin Peleshin dhe Vlora Gjikën. Tani Korça ka po Peleshin dhe Vlora Dritanin, fakt që ka të bëjë me qeverisjen dhe fondet për qytetin, asgjë tjetër nuk flet në favor të Korçës.

Keni parë korçar që mendon përveç se për hallet e veta?

Ja shikoni Peleshin, po për Korçën i dhemb zemra, edhe pse është zv/kryeministër.

Ndërsa një vlonjat mendon për të gjithë botën.

Pyesja komshiun dje si ia bën tani,  që nuk ka më gruan,  atë zonjën e shtatpakët, që dikur mbushte me buzëqeshje gjithe pallatin. Më tha: “Ah, ajo ç’më bëri, po ç’bëhet kështu moj vajzë, është zënë Haxhinasto me Ahmetaj, si zihen këta, këta duhet të shkojnë mirë. Do të na sjellin Berishën këta prapë?”

Apo të jesh në Vlorë të shikosh ndeshjen mes Italisë dhe Gjermanisë, ti harron që je vërtet në Vlorë, qyteti befas shndërrohet në Bari, është më italian se çdo qytet italian, për nervin dhe të sharat që hanë gjermanët, kur shënojnë gol.

Ky është qyteti i  njerëzve që nuk rrinë dot pa u bërë merak për çdo hall global. Të vetat iu duken të vogla, por kur nxehen të vënë para, e të mundin, siç kanë bërë me pushtues dhe pushtete.

Qyteti i dhjetëra mrekullive që ankohet se lungomare nuk po ecën dhe harron se thesarin e ka te deti.

Qyteti unik që laget nga dy dete, aty ku Adriatiku përqafohet me Jonin dhe një tunel të çon nga një parajsë te tjetra.

Është qyteti që ka det për gjithë shqiptarët.

Kur i shoh sesi mpleksen e përplasen,  kurriz me kurriz,  në Sarandë, më vjen të bërtas, po ejani në Vlorë.

Ka plazhin e vjetër me rërë e kum, ku mund të lahen e lozin gjithë ditën, gjithë fëmijët tuaj, ka Ujin e Ftohtë, Radhimën, Orikumin, ka Karaburunin, ka shpella,  plazhe të bardha, për nudistet që zhvishen nç Ksamil, duke shijuar më shumë se diellin, aparatet që çojnë fotot e tyre në portale.

Ka restorantet më të mira të jugut, sepse ushqimi këtu nuk gënjen, është si njerëzit e këtij qyteti, i vërtetë.

Mjafton të çohesh në mëngjes dhe shikon peshkatarët plot me merlucë e karkaleca, që në drekë t’i sjellin në tavolinë, pa i ndërruar rrugës me ato që vijnë nga jashtë.

Nëse do të hash peshk,  eja vetëm në Vlorë.

Ka restorantet më të bukura ne vend, luksoze dhe të bukura, për kë harxhon më pak e do ta shijojë ushqimin për vete, jo për në instagram, ka Nartën dhe Zvërnecin, plot taverna me ngjala dhe midhje. Ka Italinë dhe Greqinë, bashkë në një qytet.

Ka hotelet më të bukura, në vend, të gjitha me detin në dhomë.

Ka Liron që është unik, edhe pse të pushtuar nga të huajt që ia njohin Vlorës, bukuritë, më shume se ne.

Ka Bolonjën plot histori, buzë shëtitores, ka qindra hotele me emër dhe nam të mirë.

Ka hotele e komplekse pafund nga Radhima në Orikum, është plot plazhe private dhe publike për të gjithe, ka afër Llogaranë, për të ndryshuar klimë, si me thikë, një lagje qyteti është Kanina, ku nuk të ngop, as uji, as ajri.

Pse piktorët më të mirë në Shqipëri janë nga Vlora?

Sepse kanë treguar,  çfarë kanë parë. Det, mal, perëndime dielli që nuk i sheh dy mbrëmje njësoj.

Kur thonë Saranda, mbretëresha e verës, e them dhe vetë në te vertetë, habitem sesi nje mbretereshë mund të ketë aq pak det e tokë.

Ajo është ndoshta një princeshë, mbretëresha është Vlora, me shtirjen, me detet, me malet, me peshkun dhe mishin në hell, me këngët, me lulet, me njerëzit.

Vlora është mbretëresha, që pret e përcjell çdo verë e më shumë, duke të magjepsur sesi nuk plaket, nuk ndryshon, nuk mburret, nuk bërtet.

Është si argjinaret e saj, me ngjyra dhe gjemba për kë nuk di ta trajtoje, por për kë di, të jep zemrën, zemrën e madhe të një mbretëreshe.

Nuk ka qytet të bërë për turizmin si Vlora. Unë e shoh çfarë ishte dhe do të jetë, sicc shoh detin, pas këtyre pallateve. E di që ai det, ka qenë dhe do të jetë, ndërsa këto ndërtime janë çeshtje kohe.

Siç po ju gërryhen fasadat e bëra me nxitim dhe leje ndërtimi të dyshimta, ashtu do të përfundojnë, të pavlera.

Vlera e vërtete e qytetit do të dalë, kur rrugët të sistemohen, kur të rritet pisha bregdetare, kur të mbushet me lule, si dikur avllitë e vlonjatëve.

Atëherë çdo njeri do të punësohet në një mënyrë apo tjetër, në të vetmen  industri që mund ta zhvillojë Vlorën, turizmi.

Deri sa kjo të ndodhë, çdokush mund të përmirësojë shtëpinë e tij, veten e tij.

Kur shoh peshkatarët ngarkuar për tavernat familjare, mendoj për gratë e tyre, që lajnë peshkun e ujisin luleboret.

Pse nuk bëjnë liko si dikur, kur qyteti i portokalleve e nerenxave, ia kalonte Përmetit, që nuk e bën dot kurre likonë, aq të ëmbël sa duhet, aq të hidhur sa durohet.

Një liko në fund të ushqimit, një fjalë e mirë në fillim të tij, kaq e bën diferencën, ca detaje. Nuk mungon uji, as dritat, as siguria.

Po dëgjove që ankohen, duhet të jenë nga Vlora, ata që e duan të gjithë detin për vete. Por e kemi bashkë dhe do ta kemi plot, më shumë në det, se në rrugë këtë sezon.

E di që kjo verë do të jetë e tejmbushur, e di që ata që ikin do të kthehen sërish, sepse Vlora është e tillë,  që ka vend për të gjithë, që ke çfarë të bësh e ku të shkosh, që nuk të mërzit kurrë, sa herë të shkosh e ta shijosh.

Ndaj kur dëgjoj Korça ia doli, e bëri, aty ke ku çon njerëzit, kur të vijnë, nuk e pranoj dot.

Sepse Korça është e bukura e një dite, Vlora është gjithë pushimet e tua, Vlora të mëson notin, detin, të mëson peshkun, të mëson malin, të mëson të ecësh, të mëson të shijosh verën e të ikësh i lumtur.

Ndaj, për këto pushime,  mos ia kurse vetes Vlorën!

Vlora eshte mbreteresha!Vlora dhe s’ka tjeter ! Read More »

Ura 230 vjeçare drejt rrënimit

Ura e Kaçarellos një prej monumenteve më të rrallë arkitekturor në zonën e Pogonit, në bashkinë e Dropullit ka nevojë urgjente për restaurim.

Vegjetacioni i dendur që mbulon trupin e urës dhe dobësimi i strukturës në pjesën jugore të saj mund ta çojnë drejt shembjes objektin mesjetar të kërcënuar nga rrjedha e lumit.

Ura rreth 230 vjeçare dikur shfrytëzohej për tregti duke lidhur dy krahët e krahinës së Pogonit. Megjithëse roli funksional me kalimin e viteve është reduktuar për shkak të emigrimit masiv të popullsisë nga kjo zonë vlerat historike dhe shpirtërore të monumentit me statusin e kategorisë së parë janë të mëdha.

Administratori i njësisë së Pogonit thotë se banorët janë të shqetësuar se ura mund të ketë fatin e asaj të Hoshtevës që u shemb këtë fillim shkurti ndaj duhet ndërhyrë para se të jetë vonë.

Ura 230 vjeçare drejt rrënimit Read More »

Kurveleshi, një zonë me potenciale të larta turistike !

Kurveleshi është një krahinë që jep mundësi për një turizëm në disa fusha si ajo e natyrës, turizmit malor, kulturor, historik dhe të traditës. Por deri më sot kjo krahinë pothuajse ka mbetur e pa zhvilluar në këtë fushë.

Kjo për arsyen se ajo është një zonë tepër e thellë në zemër të labërisë. Infrastruktura rrugore është e vështirë dhe mundësitë e lëvizjes janë të kufizuara. Ka disa mundësi të futesh në Kurvelesh, nga Tepelena, Gjirokastra, Vlora dhe Borshi. Nga Borshi në Kurvelesh futesh nëpërmjet Çorrajt dhe Kuçit.

Kjo është një zonë pothuajse e harruar por me potenciale të mëdha për turizmin. Krahina e Kurveleshit është zonë malore, e ndërtuar kryesisht nga shkëmbinj gëlqerorë e pjesërisht nga flishi, me reliev të lartë e të ashpër në pjesën më të madhe të tij, që në Kurveleshin e Sipërm merr karakterin e një rrafshnalte shumë të copëtuar nga përrenjtë me shtretër të thellë e gryka të ngushta në trajtë kanionesh që shkojnë deri në 150 m të thella, rrëpirash e humnerash si në Nivicë,kurveleshi Lekdush etj.

Janë të përhapura shumë dukuritë dhe format karstike si: gropa, puse, galeri, shpella si dhe mjaft fusha karstike si ajo e Progonatit, e Golemit etj, ku janë përqendruar edhe qendrat kryesore të banimit dhe tokat bujqësore. Ujërat e shirave e të borës së shumtë, nëpërmjet hinkave, puseve e të çarave të tjera depërtojnë shpejt në thellësi të tokës. Kjo bën që, sidomos Kurveleshi i Sipërm, të ketë burime të kufizuara uji, si edhe varfërim të bimësisë.

Më e pasur është zona barishtore me kullota të shumta, ku gjenden shumë bimë mjekësore, mjaltesa e bimë aromatike çaji, salepi, trëndelina etj., duke e bërë Kurveleshin një vend të përshtatshëm për zhvillimin e blegtorisë, sidomos asaj të imët, por edhe një vend me një natyrë të veçantë për t’u vizituar sidomos në periudhën e verës.

Kurveleshi i Sipërm, në pikëpamje natyrore, është një kështjellë nga ku, për të dalë në qendër të tij, në Gusmar, mund të futesh vetëm nëpër disa drejtime e kryesisht grykash malore si: Gryka e Bënçës, Gryka e Vërmikut, Gryka e Borshit për në Kuç e Grykë të Shurit deri në Gusmar dhe Gryka e Kaparielit, që të nxjerr në Golem-Gusmar apo edhe Qafa e Kreshtës.

Ky pozicion gjeostrategjik e shkëput disi Kurveleshin, sidomos atë të Sipërm, nga krahinat e tjera dhe ka favorizuar qëndresën e armatosur të vendasve, por edhe ruajtien e vlerave etnokulturore sa më autoktone. Burimet e jetesës për këtë zonë janë kryesisht blegtoria dhe pemtaria. Tokat bujqësore janë të pakta dhe në vështirësi për tu ujitur.

Kjo krahinë me një histori heroike në mbrojtjen e gjuhës amëtare dhe të territoreve të saj, akoma ka problem të zhvillimit dhe të prezantimit të traditës dhe kulturës së saj te vizitorët e huaj që duan të njihen me të. Kjo për shkak të infrastrukturës rrugore të mundimshme.

Kurveleshi, një zonë me potenciale të larta turistike ! Read More »

Shpellat e Velcës, si një vendbanim i hershëm, i përkasin kulturës së neolitit të vonë !

Për lashtësinë e shpellave dhe ekzistencën e tyre si vend banime të hershme ka një numër të kufizuar të dhënash historike. Një vendbanim i veçantë me një kompleks shpellash, që nuk besoj të gjendet rreth nesh prej kohëve të hershme të njerëzisë, por që ruhen edhe në kohët e sotme duke dëshmuar këtë kohë me pagabueshmërinë e tyre, janë shpellat e Velçës. Shpellat e Velçës gjenden në katundin Velçë, në komunën Brataj të rrethit të Vlorës.
Kultura e neolitit të vonë të Velçës, i takon mijëvjeçarit III p.e.re, thotë Pr.Dr .M.Korkuti.
Në Shqipëri, banimet më të hershme janë vërtetuar në shpellën e ……më parë si në Velçë të Vlorës ose rastësisht në rrethet e tjera të vendit, …thuhet në vëllimin e parë të Historisë së Shqipërisë.Dëshmi interesante rreth këtyre vendbanimeve sjell L. Cardini.Prehistoriani italian udhëtoi gjerësisht në të gjithë Shqipërinë jugperëndimore dhe ka regjistruar mbi 60 shpella natyrore( strehime guri), ndërkohë që në vitin 1936, ai ka hulumtuar shpellat e Velçës dhe ka kryer një studim paraprak të dhjetë shpellave atje, thotë K.Francisë.
Vendodhja e shpellave në fshatin Velçë
Vendodhja e shpellave në fshatin Velçë .Koordinatat gjeografike në sekonda, gradë, minuta janë :40 19 ’12” dhe 19 40 ’56”. Nën këto koordinata gjendet ky territor i këtij katundi (Velçë), juridikisht i pozicionuar në komunën Brataj, qendra e kësaj të fundit shtrihet përtej fshatrave të lumit në një shesh guri. Nga toponimi:”Varri i Tavës”, udha lë rrjedhën e ujërave të Shushicës. Ngjitja fillon me lartësi dhe me kthesa. Çdo km ,lartësia rritet. Një përrua me ujëra të kthjelltë zbret nga Beuni.Befasia, sikurse edhe vendi këtu, emërtohen në gjuhën vendase Trubull. Fshati i sotëm Velçë tregon portretin e tij me rrënjët e lashtësisë për të udhëtuar në kohët e hershme të njerëzimit. Pra, në zanafillë duhet të kuptojmë se ata(banorët) strehoheshin, (bënin jetën e tyre), në një vendbanim të veçantë në mijëvjeçarin e 3 p. Krishtit.Vendbanimi ishte tërësia e kompleksit të shpellave.
Kompleksi i shpellave është nga atraksionet kulturore më të veçanta, që gjenden në vendin tonë. Është shenjë e ekzistencës së jetës në kohët e hershme dhe është dëshmi, që ruhet e trashëgohet si pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit tonë. Nëse s’do të kishin ekzistuar këto banesa të gdhendura në brendi të shkëmbit, atëherë dëshmitë e së kaluarës do të ishin të mangëta.
Mirëpo ato i ruajti koha nga erozionet e furishme, por edhe nga dora shkatërrimtare e njeriut, që vazhdon t’i cingëris pa shkak, pa e ditur se dëmtimi i tyre rrezikon seriozisht humbjen e një kulture të lashtë të njerëzimit. Banesat e këtij katundi gjatë udhës në ngjitje të lartësisë i ke para syve. Kjo vijë demarkacioni nuk përbën kufirin e fshatit të vjetër. Fshatrat e shullërit aty kanë rrugë-nisjen për të dalë më pas në zonën e Smokthinës. Ngjitemi majtas, nëpër kthesa…
Udha të ngjitë tek shpellat…
Velça është fshati që ka në territorin e saj shpellat misterioze të cilat dëshmojnë vendbanime të hershme autoktone. Sot, sipas shumë autorëve historianë apo arkeologë, ata pra (vendasit), kanë përdorur ekzistencën e këtyre ngujimeve në shkëmb( pra të shpellave).Aktualisht këto vendbanime i tregojnë si fakte e dëshmi, se sa të hershëm janë banorët e këtyre territoreve dhe sa të lashtë janë vetë këto troje. Njoftimet e para ti japin banorët, por ata nuk kanë më tepër të dhëna për të treguar se çfarë është gjetur në këto shpella, si është jetuar në këto banesa prej shkëmbi dhe sa ka zgjatur jetë në strehime prej guri? Një grup studiuesish( së pari misioni italian i vitit 1936),por më tepër arkeolog, në studimet e tyre shkencore, ndërmorën edhe hulumtime pas shpalljes së tyre monument kulture.Nga ky mision u bë i njohur fakti i lashtësisë së shpellave të cituara më vonë prej arkeologëve shqiptarë.
Banorët të tregojnë vendndodhjen e tyre .Shpellat e Velçës janë të njohura dhe të listuara ndër monumentet e kulturës që ka rrethi i Vlorës. Zgjedhja e shpellës së Presaranit për të treguar historinë e fshatit të tyre, si shpella më komplekse dhe e punuar nga dora e njeriut përbën, pikësëpari, një tregues domethënës.
Shpellat e fshatit Velçë -monument kulture, viti 1948
Shpellat e fshatit Velçë, janë shpallur monument kulture me këtë emërtim: “Shpella e Velçës në fshatin Velçë. Viti 1948. Koordinatat gjeografike të ekzistencës së tyre janë: gjerësi 40 19′ 12” dhe gjatësi 19 40 ’56”. Faktikisht vendimi i vitit 1948 njofton për një shpellë, që merret në ruajtje me status monument kulture. Shtatdhjetë vite më vonë sillen si dëshmi dhjetë banesa natyrale të punuar nga njeriu, që kanë moshën e shpellës së sipërpërmendur .Arkeologët thonë për një kompleks shpellash të cilat gjenden në një varg shkëmbor. Ato tashmë njihen si shpellat e Velçës me emërtimet: Kalaja, Skota, Shpella me Qiell, Presarani, Shpella e Bushit, Shpella e Maçit, Kushtègjini , Mèngjilli , Rasali , etj.
Autorët që i kanë studiuar këto vendbanime bëjnë fjalë për studiues italian. Prehistoriani italian L.Cardini, në vitet ’30, ka gjurmuar një numër të madh shpellash dhe shpellat e Velçës i ka emërtuar me numra. Përpara syve të prehistorianit italian u shfaqën dhjetë shpella në një masiv guri. Për ekzistencën e shpellave, kryesisht në lidhje me lashtësinë e tyre, në vitet ‘30 ka pasur një interesim nga arkeolog italian të misionit italian, që kryenin gërmime në Shqipërinë jugperëndimore.
L.Cardini ka regjistruar mbi 60 shpella natyrore. Në vitin 1936 ka hulumtuar Velçën
Karen Francis shkruan: “Në vitin 1930, drejtori i Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, Luigi Maria Ugolini rekrutoi Cardinin si prehistorian të misionit. Ndërmjet viteve 1930 dhe 1939, Cardini udhëtoi gjerësisht në të gjithë Shqipërinë jugperëndimore me ndihmën e një grupi tepër të përkushtuar shqiptarë.Ai ka regjistruar mbi 60 shpella natyrore( strehime guri) ndërkaq, që në vitin 1936, ai ka hulumtuar Velçën dhe kryer një studim paraprak të dhjetë shpellave. Në 1937 Cardini është rikthyer në Velçë, ku ai kishte kryer gërmime sistematike në kuadër të “shpellës pjellore” (shpella 2)”.
Raporti, që bënë D.Mustili ‘41,thotë se : “Në gërmimet e tij u zbuluan: akse guri,vegla stralli dhe një lloj e panjohur më parë e qeramikës së pikturuar Eneolitike.
Domenico Mustili shkruan:”Si provë e shkëmbimeve, janë fragmente të qeramikës neolitike të ngjyrosura, të gjetura në Velçë , jo shumë larg Vlorës ….
Kush ishte hulumtuesi i shpellave të Velçës?
Skeda e ndërtuar nga K.Francis, vërteton se ishte pikërisht, Luigi Cardini. Pas një karriere fillestare si mësues, Cardini ndjek kurse specializimi në Universitetin e Firences (anatomi kurrizore dhe osteology).Nga viti 1923 është trajnuar si studiues ( Istituto di Etnologia Antropologia në Universitetin e Firences). Pesë vjet më vonë, në moshën 30 vjeçare, u promovua në pozitën e drejtuesit të Istituto Italiano di Umana Paleontologia(Instituti Italian i Paleontologjise Njerëzore). Në nëntor 1966 stuhitë shkatërruese goditën Firencen ,ku sende të çmuara dhe libra të L. Cardinit, humbën. Duke u bazuar te K.Francisë në vitin 1999, një koleksion i vogël i L.Cardinit me fletore për hulumtimet në terrenin shqiptar nga viti 1930, si dhe fotografi të vlefshme e harta, janë gjetur brenda në arkivat e Istituto Italiano di Umana Paleontologia në Romë. Një pjesë e madhe e mbledhjes arkivore lidhet me shpellat Velçës, të cilat L.Cardini i ka shqyrtuar në vitin 1936 dhe 1937.
Velça përmban skica të kujdesshme të fakteve nga gërmimet e tij në shpellën 2, si dhe përshkrime të qarta si stratigrafia e depozitave etj. Materiale të tjera në lidhje me gërmimet në shpellën 2 përfshijnë: fotografi, vizatime teknike dhe një raport mbi eshtrat e dhëmbëve të njeriut, skica dhe një raport të detajuar nga gjeologu Alberto Pelloux, për të shtatë akset prej guri. Gjatë vitit 2001, një numër i fotografive të shpellave të paidentifikuar nga arkivi “u njohën si imazhet e shpellave të Velçës”, thotë K. Francis.
Shpella të vogla dhe të mëdha janë të dukshme kudo, në këtë fushë- shkruan K.Francis. Në qershor të vitit 2000, një ekip arkeologësh nga Instituti i Arkeologjisë Botërore,( Britania e Madhe )dhe Instituti Shqiptar i Arkeologjisë filluan një studim në terren me qëllim gjetjen e një numri shpellash prehistorike, që janë hulumtuar për herë të parë në vitin 1930 nga një arkeolog italian, (Luigi Cardini). Mbi rrugë, në të majtë, ishte mbresëlënëse fytyra e shkëmbit me vertikale të ndryshme në lartësi, me shpella të shumta të mëdha të dukshme brenda saj.
Në ngjitje, duke vazhduar përgjatë rrugës edhe për disa kilometra, duke kaluar nëpër një fshat të vogël, një kthesë në të majtë. Nga atje, plani i parë i Cardinit, për grykën e Velçës,erdhi në jetë .
Blloqe të mëdha guri gëlqeror ishin shpërndarë në frontin e shpellave, brenda një faqeje të pjerrët, të thepisur, të mbuluara me bar dhe bimësi shkurre. Menjëherë kemi filluar një ekzaminim sistematik të shkëmbit dhe shpellave të saj, duke përdorur shënime të hollësishme të L.Cardinit si referencë. Shpellat, një linjë nga veri- perëndimi në jug-lindje (nga e majta në të djathtë) së bashku, u regjistruan nga 1-10 të tilla ,vetëm në atë drejtim.
Në 1936, pas vëzhgimeve në pjesën e mbetur të grykës, L.Cardini është kthyer në shpellën 2, ku ai kryen gërmime të detajuara brenda në dhomën e parë dhe të dytë. E tërë shpella, por sidomos dhoma e dytë është e ftohtë dhe e lagësht.
Në zonën e treguar dhoma nuk është ende aktive. Nga reshjet toka poshtë është e çimentuar rëndë. Depozita e formuar e dheut dhe guri i grimcuar nga erozioni i mureve përfshin fragmente qeramike dhe eshtra. Kjo shtresë e rëndë e tokës është shumë e hollë. Themeli është vetëm nën tokë në llogore [IPU: Cardini fletore, 3 korrik 1936]. Cardini i është referuar shpellës 2 si:” shpellë pjellore”, sepse është dëshmuar të jetë jashtëzakonisht e pasur në aspektin e depozitave arkeologjike dhe me objekte. Gjatë vizitës sonë, ne kemi mësuar se shpella është e njohur lokalisht si :”Shpella Maçi”. Ekzaminimi ynë i kësaj shpelle ishte e kombinuar me shpalljen e emocioneve, se ajo ishte një nga shpellat e mëdha, fotografuar nga L.Cardini në vitin 1937 ( një shpellë e tillë më parë e paidentifikuar për ne mendohet të jetë ajo e Dragotit pranë Tepelenës) . Tipari më i njohur i shpellës Maci ishte shkëmbi në formë zemre, që pjesërisht ka penguar hyrjen. Ajo është ashtu siç duket sot edhe pse faqja e pjerrët e dukshme në të djathtë të fotografisë të L.Cardini, tani nuk është më, ndoshta është përdorur për të riparuar rrugën ngjitur. Hyrja në shpellën 2 në jug-lindje ishte rreth 6.5 m e gjerë, 8 m e lartë dhe 6-7 m mbi nivelin e rrugës. Brenda shpellës, dhoma e parë ishte e gjerë 6 m dhe 8 m e thellë dhe e ndriçuar mjaft mirë. Duke përdorur planin e Cardinit ishte e lehtë për të identifikuar pozicionet e dy llogoreve të saj, një prapa shkëmbit në formë zemre dhe një tjetër në afërsi të murit të djathtë të dhomës së parë. Zona e reshjeve, që gjendet prapa kanalit të dytë, është ende e dukshme dhe aktive. Brendësia e dhomës së parë, përmban një numër gurësh të mëdhenj, të cilët formonin një zonë të ngritur në pjesën e prapme të dhomës në anën e majtë. Kati përmbante ende depozita të dukshme, e vendosur pothuajse horizontalisht në hyrje të dhomës së dytë, ishte vendosur në formë të rrumbullakët në të djathtë. Dyshemeja e dhomës së dytë, “Korridorin e errët” të Cardinit, ishte e mbuluar me depozita të konsiderueshme të tokës së kuqe dhe me gurë të shpërndarë. Pesëmbëdhjetë fragmente u gjetën këtu nga epoka e bronzit dhe hekurit (qeramikë). Dhoma, rreth 7 m e gjatë, ishte jashtëzakonisht e errët dhe atmosfera ishte mjaft e thatë. Kati i pjerrët në drejtim e pasmë të dhomës ka patur një të çarë shumë të vogël dhe tunele kryesore që zbresin në nivelin e tokës. Në pjesën e prapme të dhomës së dytë ishte një platformë e ulët, ku shpella e ngushtuar dhe hyrja e tunelit akoma më e ngushtë e ilustruar nga Cardini, ishte e dukshme, duke na nxjerr jashtë në mal, drejt veri-lindjes. Pjesa e parë e këtij tuneli u ekzamina derisa ajo merrte një kthesë, drejt një qosheje rreth një depozite ku spikat një stalagtit, e më tej ai bëhet nëpërmjet një kalimi edhe më të ngushtë i ndarë në dy pjesë nga një kolonë stalagmit. Ky korridor, që u raportua nga Cardini, të çon direkt në shpellën 4, e vendosur më tej në faqen e shkëmbit, një fakt që u konfirmua për ne edhe nga njerëzit e zonës.
Shpella 4 është i njohur nga banorët e fshatit si:” Shpella Kala”. Vizualisht, ajo është më mbreslënëse nga të gjitha shpellat e Velçës e përbërë nga një hapësirë e madhe, me dy kate, me zgavër në jug-lindje, vlerësohet si 18-20 m e lartë dhe rreth 6-8 m gjerë. Në front, një mur është ndërtuar i cili ka transformuar dhomën e ulët në një plevicë. Muri fundor i ulët dhe një zgavër, kthesa e dhomës në një pikë te caktuar, duke formuar dhe një zgavër tjetër është pothuajse e paarritshëm më poshtë. Kjo zgavër e sipërme lidhet me shpellën pjellore [Nr 2] nga një korridor i brendshëm ,në të njëjtin nivel. Për faqen e pjerrët të jashtme në frontin e shpellës një hendek i matur ishte 1,50 nga 1,20 metra. Në një thellësi prej 60 cm, një gur i sheshtë i matur 80 x 50 cm u gjet direkt në themele. Punëtorët thonë se kjo është një “tryezë shqiptare”, një gur i sheshtë mbi të cilën ruhen ushqime. Nga llogoret u gjetën një kockë dele ,pak qymyr,brenda baltë e kuqe, një fragment i hekurit dhe një copë qeramikë .Hyrja në shpellën 4 është vulosur nga muri me fija të ndërtuar me gur gëlqeror që përshkruan Cardini, rreth 8 m i lartë dhe përmban një derë dhe një dritare. Mbi mur ishte një zbrazëti 2 m i lartë,( atëherë 4 metër) .Kati i gurit ishte me një zgavër tepër të madhe. Zgavra e sipërme është vlerësuar të jetë 7 ose 8 m e lartë, 6 m e gjerë dhe duket të jetë brenda e bollshme. Sipas banorëve, tuneli kryesor nga Shpella 2 hyn në shpellën 4 në këtë nivel .Gërmimet e Cardinit në shpellat e Velçës sollën hulumtime të pasura dhe të larmishme të burimeve eneolitike,si vegla stralli, objekte të eshtrave dhe qeramikë e gdhendur dhe e pikturuar. Në analizën e tij të Velçës, bazuar në punën e Cardinit, Mustilli (1941: 682), njoftoi se nuk ishte e mundur, që të caktojë ndonjë ndarje kronologjike të materialit. Megjithatë, në dritën e zbulimeve të mëvonshme të periudhës së njëjtë (Prendi, 1982: 198), kjo tani mund të jetë e mundur për të ri interpretuar materialin Velça , duke përdorur fletoret e Cardinit për Velçën dhe fotografitë e sendeve. Studimi gjeti se, shpellat eVelçës kanë mbetur praktikisht të pandryshuar që prej gërmimeve të kohës Cardini. Megjithëse depozitat e faqeve të pjerrët ishte larguar nga e pjesa e jashtme e shpellës Maçi, nuk pamë asnjë provë për ndryshimin ose dëmtim të depozitave të pasura arkeologjike brenda tyre.
4. Në Shqipëri,banimet më të hershme janë vërtetuar në shpellën e Velçës Vlorës .
Përse bëjmë të ditur argumentimin shkencor të kryer nga arkeologët?Krahas legjendave që qarkullojnë për jetën dhe mitet e ndërtuara në kohëra të ndryshme,mendimi shkencor është më i kualifikuari për të sjelle argumente rreth jetës së banorëve në ndërtesat e shkëmbit. Ndërtesat në shkëmb i gjejnë edhe në dy qytete antike siç është Amantia dhe Oriku.Në Amantia gjenden brenda zonës të njohur si “kala” në Orik në anën jugperëndimore të njohura me emërtimin:”kompleksi i banesave”. Në Shqipëri, banimet më të hershme janë vërtetuar në shpellën e ……më parë si në Velçë të Vlorës ose rastësisht në rrethet e tjera të vendit, …thuhet në vëllimin e parë të Historisë së Shqipërisë.Ky nuk është njoftimi i parë historik. Sipas botimit të vitit 1959 vëllimi i parë i Historisë së Shqipërisë, dhe të vitit 1965, vëllimin e dytë si dhe botimit maket 1973. Në vitin 1977, ky botim për shpellat dhe jetesën në këto vendbanime të lashta thotë:Jeta në vendin tonë gjatë neolitit u zhvillua në kushte shumë të përshtatshme natyrore. Klima e ftohtë dhe e lagësht e paleolitit, e cila kishte filluar që në mezolit t’i lëshonte vendin një klime më të butë, tani merr pak a shumë karakterin e klimës së sotme. Si rrjedhim edhe flora e fauna thuajse nuk ndryshojnë prej asaj të ditëve tona. Këto rrethana të favorshme natyrore ndihmuan që vendi ynë gjatë neolitit të arrijë në një nivel të lartë zhvillimi ekonomik dhe kulturor për atë kohë. Njeriu nga skllav i natyrës, siç ishte në paleolit, shndërrohet tani pak e nga pak, në zotërues i saj. Në këtë kohë lindin e zhvillohen forma të ndryshme të veprimtarisë prodhuese të njeriut, të cilat me plot të drejtë mund të merren si zanafilla e degëve të veçanta të ekonomisë dhe të përparimit teknik e kulturor të shoqërisë së sotme. Të tilla janë bujqësia e blegtoria, prodhimi i qeramikës, tjerrja dhe endja, teknika e ndërtimit të banesave etj. Përsoset në këtë kohë edhe teknika e punimit të veglave prej kocke dhe prej guri. Hyn në përdorim të gjerë dhe bëhet karakteristike për epokën dhe teknika e lëmimit të gurit. Nga fundi i neolitit (eneolit), për të parën herë dalin dhe veglat e objektet prej bakri, të cilat shënojnë dhe fillimet e metalurgjisë në vendin tonë.Në këto periudha të largëta, të prehistorisë, vendbanimet i ndeshim zakonisht nëpër tarraca lumore, pranë burimeve ose në vende me toka pjellore dhe të pasura me pyje, që strehonin shumë kafshë të egra. Por krahas këtyre, vazhdonin të shërbenin si vendbanim edhe shpellat (shpella e Velçës, e Trenit, e Konispolit, e Blazit etj.). Banesat paraqiten dy llojesh: në formë gropash nëndhese (Cakran) dhe të tilla të ndërtuara drejt mbi tokë (Maliq, Kamnik, Kolsh etj.). Zakonisht këto kishin planimetri drejtkëndëshe dhe ishin një ose dy dhomëshe. Muret e tyre thureshin me thupra ose me kallama dhe lyheshin pastaj me baltë në njërën ose në të dy faqet e tyre. Dyshemetë ishin gjithashtu prej balte në disa raste ato vendoseshin mbi shtroje trarësh për të izoluar lagështirën.
5. Kultura e neolitit të vone të Velçes, qe i takon mijëvjeçarit III p.e.re
Lugina e lumit të Vlorës ruan në brendi të vet thesare të pashpallura ,që janë thinjur nga ciklet e gjata të stinëve, në muzgje të kohërave. Në rrjedhën e kësaj lugine gjenden disa qyteza ilire, që kanë njohur qytetërime madje kanë pasur zhvillime të fuqishme siç është kryeqendra Amantia Cerja, Olympja(Mavrova),shpella e shkruar e Lepenicës dhe shpellat prehistorike të Velçës. Shpellat e Velçes i përkasin kulturës së Neolitit të vone të mijëvjeçarit III p.e.s. Për kërkimet arkeologjike dhe kulturën që ka ekzistuar në këtë zonë,na jep një informacion të bollshëm Dr.Prof. M.Korkuti i cili ka studiuar shpellën e Lepenicës, që gjendet rreth 10 km në vijë ajrore si dhe në përgjithësi për artin shkëmbor në Shqipëri:”Piktura e Lepenicës”. “Lugina,shkruan ai,nga pikëpamja arkeologjike, është ende e pa studiuar në mënyrë te mjaftueshme. Në vitet 30 të shek. XX u bënë kërkime në shpellat prehistorike të Velçes, (Mustili 1954-1955). Nga sa mund të gjykojmë nga njoftimet paraprake, që janë dhënë nga disa materiale, që ruhen në muzeun historik te Vlorë dhe nga fragmente, që kemi patur mundësi t’i mbledhim mbi sipërfaqen e vendbanimit shpel­lor, kultura e Velçes i takon neolitit të vonë e lidhet në kohë me kulturën e Maliqit (Prendi, 1976). Epoka e bronzit dhe ajo e hekurit, në luginën e Shushicës,janë te njohura nga zbulimet e bëra në tumat e Vajzës, lënda arkeologjike e të cilave ka tipare të qarta të kulturës ilire (Prendi, 1957) . Edhe gjatë periudhës qytetare e më pas kjo lugine ka qenë banuar pandërprerë. Qyteza e Mavrovës (Olympe), kalaja e Cerjes dhe qyteti i rëndësishem ilir i Amantias janë dëshmi të zhvillimit dhe të nivelit të larte, që arriti kultura qytetare ilire në këtë zonë (Anamali, 19-7′). Kultura e neolitit të vonë të Velçes, që i takon mijëvjeçarit III p.e.re, karakterizohet para se gjithash nga një qeramike e pikturuar e cilësisë së lartë, traditë e cila, në një mënyrë ose në një tjetër, duhet të këtë ndikuar qoftë në kohën e vet, qoftë edhe në traditën e mëvonshme të banorëve të epokës së bronzit (d.m.th. te mijëvjeçarit II p.e.re), kulturën materiale të cilëve e gjejmë në tumat e Vajzës (Prendi 1957).Afërsitë stilistike, që ka piktura jone me ato të zbuluara në Verdi Rock, në Valtellina në Porto Ba­discos, si edhe atë të Zhlijebi, gjithashtu edhe afërsia territoriale e saj me Velçën e Vajzën nga ana tjetër, janë tregues të rëndësishëm, që na japin të drejtën të shprehemi se piktura e Lepenices është një krijim i rralle i artit të vonë prehistorik, që duhet të jete bërë gjatë neolitit të vonë dhe e neolitit, d.m.th, gjatë mijëvjeçarit të III p.e.re,konstaton Dr.Prof M.Korkuti. Si përfundim, konstatimi edhe sipas autorëve të tjerë të cilët shprehen se :Shpellat e Velçes i përkasin kulturës se Neolitit të vone të mijëvjeçarit III p.e.s. është shkencërisht i bazuar. Kompleksi i shpellave të Velçës shtrihen në një masiv shkëmbor ku ato qarkohen në largësi jo shumë larg njëra tjetrës . Ky shkëmb masiv që zë një sipërfaqe të konsiderueshme,përbëhet nga shtresa më ngjyrë të kuqërremtë,sipër ka një mbulesë shkurore . Shpellat qarkohen rreth perimetrit të shkëmbit.
Sipas shënimeve të Prof.Piero Marcone( shkrime prill 1937), kjo shpellë duhet të ketë qenë banesë 1000 vjet para Krishtit. Shpellat e Velçës duke radhitur kompleksin e tyre : shpella e Bushit, shpella e Prezaranit,shpella e Skotës etj, janë vendbanime të lashta të banorëve autoktonë. Katundi Velçë ka pasur një emërtim tjetër që lidhet më shpellat. Po aty nga vitet ’30 nga një regjistrimi i qeverisë së kohës , ky fshat emërtohej :Nr 21- Velçë-Shpella”, emërtim ky që do t’i shkonte më tepër këtij fshati në ditët tona, se sa një emërtim sllav.
Me këtë kulturë e histori dëshmohet qartazi se asimilimi, që është synuar nga armiqtë e kombit nuk do të mund të realizohet. Dëshmi të këtilla mbeten të shkruara në shkëmbinjtë tanë. Sllavët dhe pushtuesit e tjerë, që qëndruan me shekuj në këto troje ndryshuan emrat e vendbanimeve , besimet, por nuk arritën dot të mbyllin apo të shkatërrojnë gojët e shpellave, sepse do t’u duhej të shkatërronin gjithë shkëmbinjtë e këtij vendi.
Reference
Cardini, L. 1938. Recenti Scavi dell’Istituto Italiano di Paleontologia Umana alla Barma Grande di Grimaldi. Archivio per l’Antropologia e la Etnologia 68:385-9.
Cardini, L. c.1939. Culture paleolitiche della Grotta S. Croce a Bisceglie (Bari). In: Atti della Società Italiana per il Progresso delle Scienze: 28· Riunione, Pisa 1939: 85.
Karen Francis, Institute of Ëorld Archaeology, University of East Anglia, Norëich,
Dr.Prof M.Korkuti:”Piktura e Lepenicës””.Arti shkembor ne Shqiperi”.
Vëllimi i parë i Historisë së Shqipërisë..Në vitin 1959 u botua në Tiranë vëllimi i parë i Historisë së Shqipërisë, vëllimin e dytë, doli më 1965, përbën u botua si maket në vitin 1973.
*Master. Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve

Rezultate imazhesh për velca fshatImazh i ngjashëmRezultate imazhesh për velca fshat

Shpellat e Velcës, si një vendbanim i hershëm, i përkasin kulturës së neolitit të vonë ! Read More »

Radhima – Pak histori për Fshatin që ndodhet në shpatin perëndimor të malit të Lungarës

Zbulimi i parë arkeologjik datohet qysh gjat’ luftës së parë botërore në punimet që kryheshin për ndërtimin e një moli në zonën e mavreneroit ,mbeturina të ndëritmit të mevonshëm kanë ekzistuar deri në ditet tona ,kështu shpesh me daljen ujrave mbi shtratin e perroit te Kroit ,gjat reshjeve intensive, në faqen e krahut verior, zbuloheshin hera herës qeramika me dimensione të mëdha si dhe çfaqeshin konfigurime të një muri të mbuluar nga prurjet e dheut që ishte i ndërtuar prej këtyre qeramikave. Për herë të parë në një hartë emri Radhime gjëndet i hedhur në vitin 1118. Të dhëna më të detajuara mund të gjënden në librin “Bota Radhimjote” shkruar nga Neki Lameborshi ,në muzeunarkeologjik të qytetit të Vlores apo dhe atë kombëtar në Tiranë ku janë dorezuar objektet e zbuluara.

Sipas historianëve , si edhe në gjithë jugun e Shqipërise pas vdekjes së Skënderbeut, Radhima ka shërbyer si vënd vendosje për shqipëtaret që kanë emigruar në jugun e Italisë , për një pjesë të tyre, u kthye në vënd banim.shumë emërtime vëndesh fisesh rrugësh etj ruhen edhe sot dhe përbëjnë një dëshmi të këtij fakti. emërtime si Sokaku i Gjikniket ,Baçat e Gjinet, maja e Nikgjonmitrit etj vijojnë të përdoren edhe në ditët tona. Deri para pushtimit osman Radhima ka qënë e banuar kryesisht nga Katolikë dhe Ortodoksë. Po t’i referohesh listës emërore të kryefamiljarëve , vërehen kryesisht emra katolikë dhe të krishterë(“Historiku i fshatit Radhimë” 1973 Zenell Hamiti dhe “Bota Radhimjote” Neki Lameborshi 2007). Gjat lëvizjes për pavarësi si dhe për çlirimin e vëndit gjat luftës së dytë botërore Radhima ka dhë kontributin e vet nëpërmjet bijve dhe bijave të saj.

Në vitin 1956 u formua koperativa bujqësore dhe pas disa vitesh u bë bashkimi me Tragjasin e më vonë edhe me Dukatin që formuan koperativëën e bashkuar. Duke filluar nga vitet 1968 deri 1970 u realizua ç’pyllëëzimi dhe teracimi i kodrave nga Jonufra deri në Nisi dhe në vitet 1973 deri 1974 Radhima kaloi gradualisht me ndërmarrjen bujqësore”Rinia” Gjat kësaj periudhë dhe deri në ditët e sotme ,në Radhimen filluan ta popullojnë në masë familje të reja, sidomos të grykës së Mesaplikut të cilat filluan të punonin në N.B.”Rinia” dhe të ndërtonin jetën në kushte të reja në fshat. Deri në vitet 1975 Radhima ka qënë e banuar me rreth 80 familje pas kësaj kohe u rrit numuri i familjeve dhe filloi zgjerimi i kontureve të banimit në jug të fshatit dhe paksa në lindje e veri lindje në teritore të kufizuara për shkak të terrenit.

Radhima ndodhet në Jug të qytetit të Vlorës ,tashmë gati e bashkuar me periferinë e qytetit .Në kufirin e hershëm të Radhimës ,në vëndin e quajtur Ura e Vrizit , sot ndahen kufijtë administrativë midis bashkisë së Vlorës dhe bashkisë Orikum.

Fshati ndodhet në shpatin perëndimor të malit të Lungarës. Dëshmohet si vendbanim i lashtë i shekullit te III-II p.e.r. Përmendet për rritjen e derrave, prodhimin e verës dhe të shajakut. Ka drejtim kryesor prodhimin e agrumeve, ullirit, vreshtarinesi dhe turizmin. Ka shkollë 9-vjecare, qendër shëndetsore, njësi tregëtare dhe komunale.

Sipërfaqja që përfshin kufijtë tradicionalë të fshatit është afërsisht 2000 hektarë.Fshati është i vendosur në një kuotë 150 deri 180 m mbi nivelin e detit , distanca maksimale veri Jugë është rreth 7.5 km ndërsa lindje perëndim ( deri tek buza e detit )është 4.5 km, distanca në vijë ajrore nga qëndra e fshatit deri në buzën e detit është rreth 1100 m.

Radhima ka një bregdet që përfshihet nga Ura e Vrizit deri tek derdhja e lumit të Izvorit dhe kap nje gjatësi prej 7450 ml ,ndërsa perimetri i kufirit tokësor është 15 700 ml. Kufiri verior tokësor fillon tek Ura e Vrizit dhe ndjek në lindje,veri-lindje aksin e përroit të Vrizit ( versioni aktual ) por shih shënimin më poshtë *!, duke lënë në veri teritorin e bashkisë Vlorë deri në lindje e veri lindje ,pasi kalon Bregun e Lëmënjëve ,del në Rrethin e Xhelit ,zbret në përroin e Kroit më në veri të vëndin ku ai bashkohet me përroin e Pallaramës ,pastaj vijon në aksin e këtij të fundit duke lënë teritore të Kaninës në veri në majen e Shturos vijon në kufirin e sipërm verior të faqes së përroit të Pallaramës(zona e Shashicës), deri në ngjitje në krye të përroit te Pallaramës vijon në drejtim të majës së malit duke lënë në veri çesmën e Zonjës .

Radhima ka një kufi verior Jonufër-Shashicë tek një varr i para bërë i Mehmet Halilit dhe një kufi Jugor tek një varr tjeter i para bërë i Miftar Musait. me tej kisha në veri Jonufër. (sipas Vendim gjyqi te vitit 1933 dhe miratuar mbreti Ahmet Zogu ” Konflikti me Kaninen i zgjidhur gjyqesisht” )

Pasi ngjitet në kulmin e malit të Radhimës (Lungara) vijon në drejtim të Jugut dhe Juglindjes duke lënë në lindje teritoret e fshatrave te Mazharit dhe te Lapardhase deri ne kufirin me maline Tragjasit perbri sheshit te Llustres ne krahun lindor te ketij sheshi ,zbret duke perfshire ish trojet e vatherave te Ramosaçuet ne krye te Bulgerit deri ne drejtim te vend ndodhjes se varrit te Zanko Manes , ngitet perseri ne kodrat e Lugut te Gegeve duke lene ne jug konaket e Stepet dhe Hoxhet deri ne Qafen e Sheges e ne vijim ne kodrat e Petrit Radhimes ( shitur Yzeir dhe Ismail Llakatundit deri tek konaket e Xhezo Iliazit duke u hedhur edhe ne perendim te derdhjes se lumit te Izvorit. (ky percaktim i kufirit eshte vetem orientues dhe nuk mund te merret per reference juridike)

Në Radhimë mbizotëron një klimë tipike mesdhetare me dimër të butë dhe verë të freskët e me plot diell. Brënda këtij teritori ka pas qënë i zhvilluar gjith aktiviteti i fshatit , kjo zonë është quajtur pjese e Labërisë nën administrimin e Vilajetit te Kaninës dhe të ish Sanxhakut të Vlorës. Nga të dhënat që arrijnë deri edhe në ditët tona, disa emërtime vëndesh jo të pakta në numër, (Gjiknikaj ,Gjonhila,Gjikhila, Nik Gjon Bitri ,Shënkoll,Baçat e Gjinet etj) ,si dhe gjetje arkeologjike në varret e zbuluar në majën e Bregut dhe tek shtëpitë e Beqir Mjaltit e Brahim Begotare, si edhe disa gjetje në Mavrenerua dhe Virua tregojnë se Radhima ka qënë një vend-banim i hershëm që datohet minimalisht prej shekujve të III dhe II para erës sonë.

Rezultate imazhesh për foto radhima hunda e rizit

Rezultate imazhesh për foto radhima hunda e rizitRezultate imazhesh për foto radhima hunda e rizit

Imazh i ngjashëm

Radhima – Pak histori për Fshatin që ndodhet në shpatin perëndimor të malit të Lungarës Read More »

Skenë idilike e lumit Izvor !

Kjo foto është shkrepur disa kilometra larg fshatit Tragjas të Vlorës, përgjatë rrjedhës së Izvorit drejt detit.

Lumi shquhet për ujra të kristalta por tepër të ftohtë, edhe kur temperatura jashtë është afër 40 gradëve celcius.

Pak vetë e dinë se rrugës për në Dhërmi, para se të mbërrijnë në Orikum, mund të ndalojnë për të pushuar buzë Izvorit të akullt, ku mund të shijojnë gatimet e zonës, freskun dhe pamjen.

Kjo skenë mu duk si një subjekt i përkryer për një tablo impresioniste. Një mulli uji i dalë jashtë përdorimit dhe bimësia që harliset rreth lumit, ca më tutje kulloste një lopë, që nuk deshi të dalë në foto… 🙂

Skenë idilike e lumit Izvor ! Read More »

Bukuri e paperseritshme LURA – Nje bukuri e lene ne harrese !

Infrastruktura rrugore drejt Lurës, kësaj bukurie të papërsëritshme të vendit tonë është  shumë e dëmtuar dhe krijon problem në lëvizjen drejt saj. Janë dëmtuar shumë vlera natyrore dhe kulturore, por ajo që quhet “Lurë” ka mbetur dhe ia vlen të vizitohet.

Investime nga privati largpamës, duken aty-këtu si dallëndyshet që lajmërojnë një stinë tjetër,më të ngrohtë e më të begatë. Ky individ kurajoz duhet mbështetur dhe inkurajuar për t’i rikthyer kësaj natyre vlerat e humbura.
Parku Kombëtar i Lurës shtrihet në malësinë e Lurës dhe zë një sipërfaqe prej rreth 1300 ha.Territori i parkut është shumë i thyer nga një radhë përrenjsh malorë ku më të njohurit janë Seta, Uraka, Malla e Lurës. Parku shtrihet përreth malit Kurona e Lurës (2121 m). Pylli i Lurës përbëhet nga drurë gjethore e halore. Përhapjen më të madhe e ka ahu, që formon pyje të dendura me një shtrirje deri në lartësinë 1600-1700 m. Mbi ahun rritet rrobulli, pisha e zezë, pisha e bardhë. Mbi lartësinë 1700 m rritet arneni i zi dhe arneni i bardhë.
Bukuri e kësaj zone janë dhe liqenet e saj. Gjithsej në këtë zone ndodhen 12 Liqene që në gjithë Shqipërinë njihen si Liqenet e Lurës. Ndër to përmendim Liqenin e Madh, Liqenin e Zi, Liqenin e Lopëve, Liqenin e Luleve etj.
Liqenet shtrihen ne shpatin lindor, në pragun e Nezhdës së Lurës. Rol në formimin dhe ruajtjen e këtyre liqeneve ka luajtur pozicioni i tyre në shpatin Lindor.Pamje nga Lura
Mbi liqene rritet një bimësi Ujore,siç është zambaku i ujit me lulet e bardha të mëdha, të cilat në verë pushtojnë gjithë sipërfaqen e tyre duke u dhënë një bukuri të rrallë. Vlera botanike dhe ekologjike e parkut pyjor te Lurës lidhet si me pasurinë, shumëllojshmërinë dhe vjetërsinë e drurëve, shumë prej të cilave kanë moshë shekullore, ashtu dhe me liqenet akullnajore, që janë nga më të bukurat e vendit tonë.
Liqenet e Lurës janë liqene akullnajore. Malet e Lurës kane drejtim veri-jug. Malet e Lurës ngrihen ne 2250 m.
Flora dhe fauna e kësaj zone është nga më të rrallat e vendit tonë. Ariu i murmë është kafsha grabitqare gjitare më e madhe e vendit dhe që gjendet në Lurë (arrin 2 metra gjatësi,1 metër lartësi dhe ka një peshë prej 180-200 kg).
Rrëqebulli është kafshw grabitqare,që arrin deri në 1 metër gjatësi, me gëzof shumë të bukur lara-lara dhe të kushtueshëm. Ai gjendet në Lure. Zardafi është kafshë grabitqare e ngjashme me shqarthin, por me trup më të madh dhe gezof të çmueshëm dhe ngjyrë kafe të thellë. Gjendet me shumicë në Lur.
Kaprolli ose sorkadhja, është një gjitar ripërtypës dythundrak i familjes së drerëve, me trup elegant 60-70 cm të lartë, deri 130 cm i gjatë dhe me një peshë 15-25 kg. Mashkulli ka brirë të degëzuar kurse femra nuk ka brire,gjendet ne Lure
Gjeli i egër është shpendi më i madh i familjes së fazanëve por mjaft i rrallë. Jeton në gjithë zonat kodrinore e malore të Evropës, po ashtu dhe në Lurë.
Bimësia është e shumëllojshme. Tipi i parë përbëhet nga drurë gjethe gjerë, që i lëshojnë fletët gjatë stinës së dimrit, dhe në lartësitë e mëdha nga drurët halorë të tipit subarktik. Këto janë masivet pyjore më të mëdha të Lurës si dhe të vendit.
Brezi i dushkut shkon deri ne 700-800 m dhe ne jug deri ne 1000 m. Ka disa lloje dushqesh si qarri, bulderi.
Brezi i ahut fillon nga 900-1000 m deri në kufinjtë më të lartë të pyllit, 1900-2000 m mbi nivelin e detit. Ai ka bimësi më të dendur dhe formacioni kryesor është ai i ahut, i cili ka dhe dendësinë më të madhe. Në brezin e ahut rriten dhe formacione halore dhe pikërisht pisha e zezë që formon pyje të veçanta në tokat më të varfëra, kryesisht në shkëmbinjtë magnetikë të Lurës. Përvec pishës së zezë, në këto lartësi takohet dhe bredhi i bardhë, i vetmuar ose në grupe me pyllin e ahut, por aty-këtu formon pyje më vete në Lurë, Bjeshkët e Oroshit…
Mbi brezin e ahut takohen pyjet e rrobullit dhe arnenit, qe formojnë pyjet më të përhapura të vendit tonë. Pyjet e rrobullit takohen në Lurë. Pyjet me arne kanë pamje më të kufizuar dhe takohen në malin e Runjes, Lurës, Dejës.
Vargmalet e Lurës ose siç quhen ndryshe Vargmalet Qëndrore shtrihen midis luginës së Drinit të Zi në lindje, pellgut të Matit në perëndim, luginës së Serriqes në veri dhe luginës së Zallit të Bulqizës në jug. Këta kufinj janë kryesisht morfologjike. Ata shtrihen në drejtim veri-jug, në një gjatësi rreth 75 km dhe gjerësi 20 km.
Lartësitë më të mëdha arrihen në pjesën qëndrore me malin e Dejës 2246 m dhe Kurorën e Lurës 2121 m. Nga kjo lartësi ato ulen në drejtim te veriut dhe jugut nen 2000 m.
Në kujtesën e vizitorit shqiptar por jo vetëm Parku i Lurës ka mbetur një ëndërr e bukur që pritet të rishfaqet. Shumë bukuri natyrore të vendit tonë u cënuan në këtë periudhë të gjatë tranzicioni por dhe shumë prej tyre janë ribërë me kujdesin e njësive vendore apo të vet individit. Ndërsa Lura e bukur, pret që në rrugët që të çojnë drejt saj të ribëhen e të jenë funksionale në dobi të banorëve të asaj zone dhe të turizmit të shumëkërkuar në këtë zonë. Lura është një Park Kombëtar dhe kështu kërkon një vëmëndje shtetërore nga institucionet që menaxhojnë natyrën shqiptare. Stina e verës po afron dhe parku kombëtar i Lurës përgatitet të presë vizitorët e parë.
Publiciteti për natyrën e bukur të Lurës është shumë i madh por kështu duhet të jetë edhe interesi dhe kujdesi për të vjelur të ardhura nga ky turizëm  prej pushtetit lokal apo atij qëndror. Ka shumë pika turistike që presin investime, por deri tani kanë ngelur jashtë vëmëndjes së organeve kompetente.

Kështu rrezikohet imazhi i mirë i vlerave tona natyrore, kulturore dhe largojmë investitoret dhe klientët e këtyre fushave./ATSH

Rezultate imazhesh për foto fantastike nga orikumi

Bukuri e paperseritshme LURA – Nje bukuri e lene ne harrese ! Read More »

Lamtumirë Llogora? Së shpejti tunel për të shmangur rrugën e gjatë

Qeveria shqiptare po shikon mundësinë e krijimit të një tuneli në Llogara për të ulur distancën kohore nga Dhërmiu në Vlorë, por edhe për të thithur më shumë turistë.

Deklarata u bë nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri në studion e “Tonight Ilva Tare”

Gjiknuri: Po bëhet një studim, po shihet interesi i shoqërive të huaja, për një tunel alternativ për në Llogara, për të nxitur turizmin dhe për të shmangur kalimin nga ana e Parkut të Llogarasë dhe zbritjen që merr gati një orë.

Tare: Po bëhet një studim për këtë apo ka ndonjë ofertë?

Gjiknuri: Jemi me qasjen që ka ardhur një moment që mund të bëhet një tunel në mënyrë që distanca nga Dhërmiu në Vlorë mos jetë më shumë se 20-25 minuta.

Tare: Po kosotja sa do të jetë se e beri edhe Podgorica në Kolashin po çoi turizmin e gjithë rajonit atje.. ne ia dalim dot?

Gjiknuri:A ka potenciale për turizëm? Që turizmi të zhvillohet duhet të jetë aksesueshëm?! Që të jetë i aksesueshëm duhet një infrastrukture, por ça zgjidhje ka? Me parashutën do hidhemi? Do hapen tunele.

Lamtumirë Llogora? Së shpejti tunel për të shmangur rrugën e gjatë Read More »