Turizem

Thesaret e fshehura të Drinit. Mrekullia e liqenit që gjarpëron në luginën magjepsëse që fillërojnë kreshtat e maleve

Kur shqipton fjalën Drin të ndërmendet lumi, ndoshta edhe ndonjë djalosh me emrin Drin e pa dyshim dhe hidrocentralet e ngritura mbi rrjedhën e tij bujare 160 km të gjatë. Por pak ose jo aq sa duhet, kujtojmë bukurinë që të merr frymën, natyrën si një amazonë e pazbutur që dashurohet dhe lufton pambarimisht me liqenet që njeriu në përpjekje për ta zotëruar, për t’ia marrë energjinë krijoi duke e përmbytur përjetësisht luginën e tij me ujë. Luginën e gjatë që nis nga Vau i Dejës e shtrihet sipër në Koman për të përfunduar me Fierzën, liqene mbi të cilat mbështeten nevojat më të mëdha për energji të të gjithë vendit.

Por Drini është edhe një mënyrë jetese, përveçse një përcaktues natyror i brigjeve, ku kanë gjalluar gjithnjë shqiptarë, arbnorë apo ilirë. Në metropolin tonë real dhe virtual diskutojmë shpesh për nevojat që “modernizmi” ynë ka për energji duke marrë për të mirëqenë jo vetëm bujarinë e lumit dhe natyrës, por edhe të banorëve, që si flora dhe fauna i janë përshtatur një mënyre të re jetese për t’i mbijetuar lumit të kthyer në liqen. E pranova ftesën për të vizituar Komanin dhe rrjedhën e Drinit kryeneç jo thjesht nga kureshtja për natyrën, por edhe prej faktit se nga IntbauAlbania, organizatorët e këtij rrugëtimi nën çadrën me emrin e bukur “DrinCorda” m’u evidentua vizita në vendbanimet e hershme të Komanit, për të cilët fëmijëria dhe leximet në shkollë më kishin ngacmuar fantazinë.

Si shkohet në Koman?

Ndryshe nga ç’besohet, Komani nuk ndodhet shumë larg nga Tirana, diçka më shumë se një orë larg ndodhet Vau i Dejës për ku ndahet rruga për në Koman. Gjatë rrugës ndeshim disa grupe turistësh, që edhe ata si ne sa mahniten me bukuritë përreth, aq mallkojnë rrugën në të cilën nuk është vënë dorë as për mirëmbajtje prej të paktën 26 vitesh. Janë 32 km që të kujtojnë se je në Shqipëri përkundër peizazhit që të krijon iluzionin se ndodhesh në Alpet zvicerane, një peizazh aq frymëmarrës që të fton ta zbulosh pas çdo kthese duke të bërë të harrosh paksa shkundjet e makinës.

Drini ka filluar të na joshë me ngjyrën e tij të smeraldë dhe mban fshehur ishullin e Sardës apo të Shurdhahut, ku kishin selinë Dukagjinët, qendër ndërlidhëse e rëndësishme deri në shekullin e XV mes Malësisë, Mirditës dhe Zadrimës. Veç sa e përshëndesim nga larg ishullin e Sardës pasi udha gjarpëron drejt thesareve të tjera. Ndërsa natyra ka çelur e gjitha nga lartësia e malit dallojmë një rezervat gjigant peshku…(banorët do të na rrëfejnë më tej se rezervati një investim turk ka ndryshuar shumë morfologjinë e specieve natyrore të Drinit. p.sh trofta e rezervatit e çliruar nga rrjetat po han troftën e egër për të cilën Drini është aq i famshëm). E ti kujtohesh se në ç’kohë të egra jetojmë dhe se si koncensionet me bazë vetëm fitimin pa respektuar natyrën dhe mjedisin kthehen kundër njerëzve që ende nuk e kanë braktisur këtë vend të bekuar nga Zoti.

Në besën e Berishajve

Pas ndoshta 40 minutave nga Vau i Dejës mbërrijmë në Koman, na pret Mirjani një djalosh që ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij nuk e ka braktisur natyrën e egër, por përpiqet ta zbusë atë duke e kthyer në burim jetese duke jetuar me të ardhurat e turizmit që ka filluar të shfaqë interes për këtë zonë.  Ai na pret në portin e Komanit dhe ka bërë gati varkën e tij me motor për grupin e arkitektëve, inxhinierëve të mjedisit, arkeologëve, ekspertëve të trashëgimisë kulturore, sociologëve dhe gazetarëve. Për të shkuar deri në lagjen Berishë dhe në kullën e tyre do lundrojmë mbi liqenin e Komanit që na shfaq pak nga pak madhështinë e tij. Në gjithë Komanin kanë mbetur ndoshta rreth 200 banorë dhe ndër mbijetuesit, ose ata që nuk e shohin Drinin si armik, por si aleat janë edhe familja e zgjeruar e Mark Berishës. Nga oborri i shtëpisë ku kanë shtruar drekën për ne, na pret një peizazh piktoresk, fshati dhe kulla përballë dhe kryqet vendosur mbi maja kepash për të na kujtuar se ky territor ka luftuar shumë për të ruajtur identitetin e vet të krishterë. Sapo e kemi marrë veten nga pamjet që të ngopin syrin dhe shpirtin një banket i thjeshtë por që të kujton se parajsa e shijes ekziston na pret me gjithë mirësitë, djathë dhie, bukë shpie, troftë e kapur në liqen dhe një gotë raki për t’u përshëndoshur me të zotin e shtëpisë rreth, të cilit janë bashkuar nipa e mbesa për ta mbajtur gjallë jetën në këtë copë tokë mes malesh që Drini nuk e ka marrë me vete. Marku i thinjur na rrëfen dhe historinë e kishës dhe atyre viseve “është bërë luftë e madhe këtu, rreth viteve 1100 aq sa thuhet se lumi u mblue n’gjak, e prej atëherë lumi në këtë pjesë u quejt dhe lumi i gjakut.” – thotë Marku. Por sot veç një kryq afër kullës tipike të malësisë tregon për histori të lashta betejash kryqtare. E pas një dreke “bukë e zemër” mjalti i luleve nga bletët e shtëpisë na kujton se nektari i bjeshkëve ekziston.

Varret e mistershme të Komanit

Udhërrëfyesi ynë është arkeologu i ri Ulsi Tota që punon me misionin arkeologjik franko-shqiptar. Ulsi na parapërgatit për një ngjitje të vështirë nga fshati Koman drejt misterit që rrethon atë që edhe në shkollë e kemi mësuar si “kultura e Komanit”. Një zonë A, e cila për pak u shkatërrua nga lufta e përjetshme e trashëgimisë kulturore me projektet e zhvillimit siç ishte përcaktimi i linjës së Interjeksionit pikërisht në gjurmët e gërmimeve arkeologjike. Një dashamirësi fatlume e minutës së fundit i shpëtoi kishat e Shën Janit. Shën Todrit dhe Shën Nikollës si dhe Nekropolin e Komanit nga dëmtimi i pashmangshëm duke e spostuar linjën në largësi nga siti i rëndësishëm arkeologjik. Ngjitemi thuajse 580 m mbi nivelin e detit është një e përpjetë që shumë mirë mund të shërbejë edhe për të apasionuarit pas hiking. Mes bimësisë së dendur arkeologët, të cilët punojnë intensivisht çdo gusht që prej vitit 2011 kanë shënjuar shtigjet nga duhet të shkosh. Kur ngjitesh mbi pllajë, gurët janë rreshtuar si dëshmi e asaj që njëherë e një kohë ishte një qendër e banuar dhe me disa lagje, aq sa çdo lagje kishte kishën dhe varret e saj. Teksa Ulsi rrëfen i apasionuar dhe i palodhur ne ende nuk e kemi marrë veten nga lodhja e ngjitjes së thikët. Por gurët në kishën pa emër na joshin jo pak bashkë me rrëfimin e arkeologut. Njohuritë për këtë kulturë të vjetër dolën në dritë rreth vitit 1898 kur arkeologë të huaj ranë në gjurmët e një varreze të madhe pranë kalasë së Dalmacës. Dalmacija e vjetër, vendbanimet e Komanit që datojnë (shek VI-VIII) në historiografinë dhe arkeologjinë shqiptare kanë një peshë shumë të rëndësishme si përkufizues të hipotezës së kalimit nga ilirët tek arbrit. Ndonëse Ulsi tregohet shumë i matur në termat që zgjedh për të mos bërë kategorizime absolute në lidhje me datimet rrëfen punën gjigante të bërë gjatë viteve të misionit arkeologjik franko-shqiptar. Edhe pse ne nuk shohim dot pasuri nga objektet që vendoseshin bashkë me eshtrat në këto varre për ne është kurioze të mësosh se popullata e këtyre vendbanimeve vdiste relativisht e re ndër të paktën 150 varret e evidentuara.

E shkuara dhe e ardhmja natyrore e Drinit

Qytetërimet e mëdha kanë lindur përgjatë lumenjve të rëndësishëm. Drini fsheh jo pak site antike gjatë rrjedhës së tij, por po ashtu është një pasuri më vete për shkak të shumëllojshmërisë së specieve që e gjallojnë. Sipas biologes së apasionuar shkodrane Aurora Zylaj, rrjedha e Drinit zotëron një pasuri prej 4 mijë speciesh dhe mikrogjallesash shumë prej tyre në rrezik zhdukjeje për shkak të ndryshimeve drastike që i janë bërë habitateve natyrore. Dhe kënga e një bilbili na e kujton sa e rëndësishme është kënga e zogjve për të na kujtuar se nga vijmë. Po të dëgjosh arsyetimet e një eksperti të trashëgimisë kulturore si Kreshnik Merxhani; – trashëgimia si edhe natyra janë motorët e asaj që na propagandohet si hovi i turizmit. Pa një mbështetje të integruar jo vetëm nuk kemi zhvillim turizmi por rrezikojmë të kemi vetëm investime gjigande që pasi kanë shfrytëzuar çdo resurs hidrik dhe natyror lënë pas veç varfëri dhe braktisje.

E tingëllon marrëzi dhe makutëri ekstreme kur mëson se vetëm gjatë viteve të fundit janë dhënë 160 leje për ndërtime HEC-esh vetëm në territorin shqiptar përgjatë kaskadës së Drinit. Dhe siç pohon edhe Mirjani, djaloshi që nuk e ka braktisur Komanin: “Drini është thesar që duhet mbrojtur dhe promovuar me krenari”.

​Nga Mira Tuci

Rezultate imazhesh për foto mrekullia drini fotoRezultate imazhesh për foto mrekullia drini fotoRezultate imazhesh për foto mrekullia drini foto

Thesaret e fshehura të Drinit. Mrekullia e liqenit që gjarpëron në luginën magjepsëse që fillërojnë kreshtat e maleve Read More »

Vlora e lashtë !Kjo është historia e Vlorës, për ata që nuk e kanë ditur

Të dhënat arkeologjike dhe historike tregojnë se qytetit i Vlores bën pjesë në ato qytete që kanë lindur në periudhën antike. Gjurmët më të hershme i takojnë shek.VI Dy shekuj më vonë qytetit rrethohet me mure të lartë të punuar me gurë të latuar.

Për herë të parë Aulona përmendet si qytet nga gjeografine Klaud Ptolomeu kur në veprën e tij “Gjeografi” flet për Ilirine e përmend Aulonën si qytet dhe skelë. Në fund të shek. IV Aulona i përkiste Perandorise Bizantine. Në vitin 1081 ushtritë normande të Bohemundit, zbarkuan në gjirin e qytetit duke pushtuar edhe Kaninen e Orikun.

Në 1259 Vlora u pushtua nga Manfredi, mbret i Sicilise dhe pas vitit 1272 ajo është qytetit i “Mbreterise se Arberise” i themeluar nga Karli I i Anzhuninëve. Për herë të fundit kështjella që rrethonte Aulonën e vjetër përmendet në vititn 1274 në betejat e ashpra kundër anzhuninëve.

Trakte të kësaj kështjelle janë zbuluar në qendrën e sotme të qytetit pranë monumentit të Pavarsise. Në 1379-1385 sundimtarë të Vlorës ishin Balshajt dhe prej këndej, kalon nën sundimin e Komnenes. Në shek.XV Vlora përmendet si një ndër portet më të rëndësishëm të mesdheut dhe ishte e dëgjuar për punimin e shpatave, mëndafshit, argjendit dhe për nxjerrjen e kripes. Në vitin 1417 pushtohet nga osmanet.

Në vitin 1531 Sulltan Sulejmani me gurët e Aulonës së vjetër ndërtoi Kalanë e Skelës në formë tetëkëndëshe të përshtatur për artileri. Nga pikëpamja urbanistike në këtë kohe qyteti përbëhej nga dy pjesë : Kalaja ku përveç popullsise civile ishte vendosur edhe garnizoni ushtarak dhe administrata qytetare, në lagjet e jashtme banonin zejtarët dhe funksiononte tregu i qytetit. Me ardhjen në fuqi të Ali Pashe Tepelenes në vitin 1812 Vlora u bë qëndra ekonomike e Shqiperise së Jugut.

Rezultate imazhesh për vlora e lashte fotoRezultate imazhesh për vlora e lashte foto

E njëjta gjë dëshmohet edhe në vendbanimet e tjera të lashtësisë që janë qytete-kala si Amantia, Olympia, Kanina, Himara, Cerja, Armeni, Hadëraj, Triporti dhe vet Vlora (Aulona) etj.

Amantia, e themeluar në shek. V p.e s., është një nga qytetet e pakta të Ilirisë jugore që ka pasur jetë 1000 vjeçare, ku spikat më shumë ndërtimi në terren malor i stadiumit antik madhështor, i ndërtuar me blloqe të mëdhenj gurësh.

Në jug të qytetit të Vlorës gjendet qyteti i Orikumit, i cili ka qenë një nga portet më të lashte të bregdetit të Vlorës, i themeluar si vendbanim në shek. VI-V p.e s.

Oriku u bë port i fortifikuar, bazë e rëndësishme ushtarake në Adriatik dhe në shek. II-I p.e.s ishte kantier i rëndësishëm detar për ndërtim e riparim anijesh, gjë që favorizohej nga prania e madhe e pyllit me pisha të Llogarase dhe Sera e Selenicës. Në shek.I p.e.s. Oriku shërbeu si kryeurë e fuqive pushtuese të kohës, arenë luftrash midis Romës, Maqedonisë dhe Ilirisë, si dhe në luftën rivale midis Çezarit e Pompeut që i solli Orikut shumë shkatërrime. Në shek.II p.e.s., Oriku u godit nga një tërmet i fuqishëm dhe u shkatërrua duke e humbur rëndësine e tij, pa mundur të rimbëkëmbej më. Ishte pikërisht koha kur në gjirin e Vlorës del në pah një tjetër qytet-Skelë, që ishte “Aulona – Vlora e sotme”. Dëshmi arkeologjike e lashtësisë dhe autoktonisë është edhe vetë simboli i saj – “Vajza aulonase”, një skulpturë “hyjnesh” 87 cm., e gdhendur nga mjeshtër vendas me gurin gëlqeror të Kaninës, që simbolizon veshjen e grave ilire.

Emrin e qytetit – Skelë të Aulonës së lashtë e gjejmë të përmëndur në shek.II e.s., nga shkrimtari Lukani dhe nga gjeografi Aleksandrin Ptolemeu. Këto të dhëna burimore përputhen me të dhënat e tjera të përafërta, siç janë dëshmitë arkeologjike për një kështjellë, port e bankinë të madhe (kështjella e Jangjeçit, Triport), që kanë ekzistuar ndoshta kur lumi Vjosa e kish grykëderdhjen aty në Lagunën e Nartës. Por,ndoshta kur Vjosa u largua në drejtimin verior,Triporti humbi mundësinë dhe rëndësinë. Pikërisht në këtë kohë duhet të ketë origjinën Aulona port i spostuar në JL, e cila del si skelë – qëndër tregëtare – dhe Kanina – qëndër administrative – ushtarake në shek. VI e.s. Fakti që në shek.V-VI e.s., ka pasur në Vlorë edhe një peshkop,varur nga metropoliti i Durrësit, tregon se Aulona ka qenë vendbanim me rëndësi. Këtë e mbështet edhe zbulimi i viteve të fundit i traktatit të murit rrethues mbrojtës, fortifikues në qëndër të qytetit të sotëm të Vlorës (pranë monumentit të Pavarësisë) si dhe zbulimi i disa dëshmive të reja për ekzistencën e molit të vjetër, në afërsi të stacionit të trenit.

Gërmimet e fundit në Kaninë dhe Himarë kanë dhënë dëshmitë e tjera për kulturën ilire të antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme, për autoktoninë dhe vazhdimesinë iliro-arbërore dhe mesjetare shqiptare. Në shek. VI e.s., dhe vazhdimisht gjatë mesjetës, Aulona përmëndet në listën e qyteteve bregdetare si port i rëndësishëm, me detari të zhvilluar, që tregëton vaj ulliri, kripë, valanidh, lëndë drusore, ullinj si dhe panairet që bëheshin në afërsitë e Vlorës, ashtu edhe në vende të ndryshme të Europës. Edhe në grykën e Vjosës ishte skela e Spinaricës, ku zhvillohej tregti dhe aty ishin të pranishëm edhe konsuj tregtarë të Raguzës, Venedikut etj.

Në mesjetë Vlora dhe viset e saj ranë nën pushtimin normand më 1081, më pas nën pushtimin e Venedikut më 1205 dhe atë të sundimit të Hohenstaufenëve gjerman, siç e përshkuan edhe Jireçeku në studimin e tij.

Si një qëndër e zhvilluar dhe e kulturuar Vlora shfaqet edhe në mbrëtërinë e Arbërisë më 1272, ku kronikat e kohës shënojnë lulëzimin e zejtarisë, tregëtisë, blegtorisë dhe pemtarisë, të përfshirë si despotat më vete.

Një rol të madh në jetën politike, ushtarake e shoqërore të Vlorës, ka lozur edhe familja e madhe Arianitët, të cilët përmënden në shek.XI, nëpërmjet të parit të tyre Arianit Komnen Golemi Topisë, sidomos në shek. XV-XVI. Një nga figurat e shquara të shek.XV është Gjergj Arianiti, i cili organizoi qëndresën kundër pushtuesve osman më 1431-1432 e më pas në grykat e Labërisë. Me bëmat e tij, Gjergj Arianiti mori përgëzimet e Fuqive të Mëdha të Europës të asaj kohe. Edhe pse ishte aleat me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe vjehrri i tij, pasi Donika, e bija e tij u martua me Skënderbeun, Gjergj Arianiti ishte i pavarur në zoterimet e tij në jug dhe në Shqipërinë e Mesme. Në Kuvendin e Lezhës, më 2 Mars 1444, për t’i bërë ballë rrezikut të pushtimit osman, Gjergj Arianiti u rradhit ndër të parët krerë sundimtarë shqiptarë, në këtë lidhje ushtarake mbarëkombëtare. Në shek.XV-XVI pushtuesit osman e kthyen portin e Vlorës në një nyje të rëndësishme të Adriatikut për pushtimin e Italisë.

Në regjistrin turk të vitit 1520 shënohen 701 familje vendase dhe 531 familje çifute. Kjo dëshmon për një klimë paqësore e tolerancë ndaj çifutëve në qytet në një kohë kur gjetke ata persekutoheshin egërsisht. Kështu qyteti përmblidhte 6300-6500 banorë. Nga Vlora u nisën fuqitë ushtarake osmane kundër Italisë së Jugut, më 1480, kundër kryengritjes së himarjotëve më 1492 dhe shërbeu si bazë e sulltan Sulejmanit kundër Korfuzit, më 1537. Po në këtë vit u ndërtua kështjella e qytetit (aty ku sot ndodhet stadiumi “Flamurtari”), gurët e së cilës u morën nga kështjella e Jangjeçit në Zvërnec dhe nga muri rrethues i Aulonës.

Në shek.XVII-XVIII Vlora ishte një nga limanet më të rëndësishëm të Shqipërisë së Jugut, pas Prevezës, pasi gjiri i saj u siguronte anijeve mbrojtje nga stuhitë. Në skelën e Vlorës ishin ndërtuar depo të mëdha për grumbullimin e prodhimeve buqësore e blegtorale të fshatarësisë, ku përfshiheshin zona e Beratit, Gjirokastrës dhe Myzeqesë. Në eksportin e tij ky qytet zhvillonte tregti më Triesten, Venedikun, Vjenën, Korfuzin, Stambollin, Izmirin, Breshian, Barin, Manastirin, Janinën, Maltën e Qipron. Në portin e Vlorës hynte rregullisht çdo javë vapori austriak “Lloid” dhe ai italian “Pulja”, të cilët vetëm për vitin 1904 kishin kryer respektivisht 224 dhe 181 hyrje-dalje. Vlora eksportonte: vaj ulliri – 20.000 fuçi, ullinj të vjelur – 11.000 barrë, kripë – 1.5 milion kilogram, lesh të palarë – 15.000 okë, lëkurë qengji e lepuri – 20.000 copë, breshka – 40.000 copë, shushunja, shpende, dele, kuaj, mish të therur, peshk të kripur, vezë peshku, serë, asfalt, misër, tërshërë, thekër, fasule, dru zjarri, valanidh, mjaltë të bardhë Kanine, verë të Nartës dhe verë “Vlosh” të Vlorës.

Një artikull i kërkuar ishte edhe stralli i gurores së Drashovicës, që përgatitej me blloqe dhe ashkla. Për eksport, gëzofet prej lëkure, velenxat dhe brucat labe ishin artikuj mjaft të preferuar për Istrien, Triesten dhe vendet alpine…Ulliri i markës “Vlonjak”, që ishte më i lashtë se marka italiane dhe frënge, dallohej për prodhueshmëri të lartë, vaji dhe regjie lëkure. Në vitin 1900 Vlora regjistronte mbi 100.000 rrënjë ullinj.

Vlora njihet si një vatër e rëndësishme e patriotizmit ndër shekuj, ku përpjekjet për liri, pavarësi dhe prosperitet kanë qenë në shpirtin e çdo vlonjati.

Luftrat kundër pushtimeve të huaja dhe përpjekjet për përhapjen e arsimit shqip bënë që në Vlorë të krijoheshin shumë shoqëri patriotike.

Në vitet 1908-1912 klubi “Labëria” u bë një vatër e ndezur e përpjekjeve për pavarësinë e vendit dhe luftën kundër pushtuesve xhonturq. Kryetar nderi i këtij klubi atdhetar ishte Ismail Qemali. Çelja e shkollës shqipe të Muradies (7 Gusht 1908) ishte një ngjarje e shënuar në jetën arsimore të Vlorës.

Por ngjarja më kulmore e qytetit të Vlorës ishte 28 nëntori 1912 kur plaku i urtë e diplomati i shquar Ismail Qemali, së bashku me delegatët e ardhur nga vise të ndryshme të vendit, shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe njëkohësisht ngriti flamurin kombëtar në Vlorë. Kështu Vlora u bë kryeqyteti i parë i Shqipërisë së pavarur.

Më 25 dhjetor 1914 Vlora u pushtua nga imperializmi italianë. Pas zgjerimit të pushtimit italian nisi rezistenca kundër pushtuesve. Në vitin 1920, pas Kongresit të Lushnjes, u krijuan Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” me kryetar Osman Haxhiun, i cili organizoi forcat luftarake në Luftën e Vlorës. Lufta e Vlorës është një nga epopetë më të lavdishme të shqiptarëve. Vlora u kthye në “Termopilet” e Shqipërisë, siç thoshte patrioti Halim Xhelo.

Në vitet 1920-1924 Vlora u përfshi në rrjedhën e proçeseve të demokratizimit të jetës së vendit. Këtu u krijua Federata “Atdheu” (1921) dhe dega e shoqërisë “Bashkimi” (1922). Një rol të madh në këto vite ka lozur edhe shtypi me gazetat “Politika”, “Mbrojtja Kombëtare”, “Fjala e Lirë”, “Shpresa Kombëtare” etj që botoheshin në Vlorë.

Në Luftën e Dytë Botërore Vlora u bë një nga vatrat e rëndësishme të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve nazifashist. Ajo mbajti një barrë të madhe të Luftës dhe kontributi i saj ishte i shquar. / Burimi: Bashkia Vlorë

Vlora e lashtë !Kjo është historia e Vlorës, për ata që nuk e kanë ditur Read More »

Njihuni me kalanë e Gjon Bocarit dhe arkitekturën e saj të vecantë !

Kalaja e Gjon Boçarit sot ka një vlerë historike në funksion të turizmit. Ndodhet mbi një kodër të ulët që shtrihet në perëndim të fshatit Tragjas i Ri, pranë Dukatit të rrethit të Vlorës.

Kjo kala, së bashku me atë të Sofës në perëndim, 2 km larg saj, zotërojnë pamjen e hapur të fushës së Dukatit deri në gjirin e Orikumit të lashtë, duke kontrolluar dhe rrugën kryesore që lidhte në mesjetë Vlorën dhe bregdetin e Himarës deri në Sarandë.

Në vitin 1978, një ekspeditë njohëse arkeologjike evidenton dhe rilevon kalanë.

Për kohën e ndërtimit të kalasë, e cila nuk përmendet në burimet historike, janë shprehur mendime të ndryshme, që e datojnë atë nga shek. XIV deri në shek. XVIII-XIX.

Kalaja e Gjon Boçarit formohet nga një katërkëndësh kënddrejtë (30 x l8 m), me dy kulla poligonale në qoshen veriore dhe lindore, ndërsa hyrja e vetme, 2 m e gjerë ndodhet në mesin e njërës nga brinjët e ngushta të katërkëndëshit.

Kurtinat kanë një trashësi prej 1.80 m dhe po aq është edhe gjerësia e mureve të kullave. Gjithashtu e barabartë është edhe lartësia e tyre.

Kalaja e Gjon Boçarit sot ka një vlerë historike në funksion të turizmit. Ndodhet mbi një kodër të ulët që shtrihet në perëndim të fshatit Tragjas i Ri, pranë Dukatit të rrethit të Vlorës.

Kjo kala, së bashku me atë të Sofës në perëndim, 2 km larg saj, zotërojnë pamjen e hapur të fushës së Dukatit deri në gjirin e Orikumit të lashtë, duke kontrolluar dhe rrugën kryesore që lidhte në mesjetë Vlorën dhe bregdetin e Himarës deri në Sarandë.

Në vitin 1978, një ekspeditë njohëse arkeologjike evidenton dhe rilevon kalanë.

Për kohën e ndërtimit të kalasë, e cila nuk përmendet në burimet historike, janë shprehur mendime të ndryshme, që e datojnë atë nga shek. XIV deri në shek. XVIII-XIX.

Kalaja e Gjon Boçarit formohet nga një katërkëndësh kënddrejtë (30 x l8 m), me dy kulla poligonale në qoshen veriore dhe lindore, ndërsa hyrja e vetme, 2 m e gjerë ndodhet në mesin e njërës nga brinjët e ngushta të katërkëndëshit.

Kurtinat kanë një trashësi prej 1.80 m dhe po aq është edhe gjerësia e mureve të kullave. Gjithashtu e barabartë është edhe lartësia e tyre.

Lartësia e mureve, deri në shtegun e rojes arrin 4 m, ndërsa parapeti, i ruajtur vetëm si gjurmë kishte një gjerësi prej 0,54 m.

Në shtegun e rojes të çonin nga dy palë shkallë të ndërtuara brenda trashësisë së mureve veriperëndimore dhe juglindore, të cilat, si në kalanë e Peqinit janë vendosur në trajtën e shkronjës V. Kullat janë krejtësisht të hapura nga ana e brendshme e fortifikimit, duke qenë kështu më tepër një vazhdim i mureve rrethuese.

Muret e tyre, në pjesën e poshtme përshkohen nga frëngji për armë zjarri, të mbuluara me rrasa horizontale guri. Me frëngji të tilla duhet të ketë qenë pajisur edhe parapeti i mureve dhe i kullave.

Ndërsa trashësia e plotë e kurtinave përshkohet vetëm prej dy frëngjish të vendosura në të dyja anët e portës. Sot, kuriozë të historisë dhe monumenteve të kulturës e vizitojnë atë për të mësuar më shumë rreth bëmave “mitike” të Gjon Boçarit.

Rezultate imazhesh për foto kalaja e gjon bocaritRezultate imazhesh për foto kalaja e gjon bocarit

https://www.facebook.com/TragjasiUnion/videos/442260202649651/?t=0

Njihuni me kalanë e Gjon Bocarit dhe arkitekturën e saj të vecantë ! Read More »

Shqipëria – Toka e shqiponjave ofron shumë për të gjithë (Foto)

Blogeria e famshme italiane për udhëtimet Marianna Norillo, i ka dedikuar një hapësirë të veçantë Shqipërisë dhe vendeve turistike të vendit tonë duke sugjeruar eksplorimin e këtij të fundit.

Ajo ka ndarë eksperiencën e saj në vendet që ka vizituar duke dhënë disa sugjerime interesante turistëve të huaj në këtë fillim sezoni turistik.
Marianna Norillo e nis shkrimin në blogun e saj për Shqipërinë duke u shprehur se ”toka e shqiponjave me të vërtetë ofron shumë për të gjithë. Unë propozoj një artikull me rreth 10 vendet më të bukura për tu vizituar në Shqipëri të cilat i kam vizituar dhe vet. Zgjidhni atë që ju intrigon më së shumti”, shprehet ajo.

  1. Kruja
    Ndër gjërat më të bukura për të parë në Shqipëri, nuk mund të mungojë Kruja e heroit kombëtar Skënderbeut, qyteti ku kam vizituar kështjellën me të njëjtin emër dhe pazarin e vjetër. Ky është një qytet i vogël i qetë dhe me vlerë të rëndësishme historike të kalasë, me praninë e muzeut historik “Gjergj Kastrioti”, një itinerar mbi historinë e qytetit të Krujës dhe historisë së Skënderbeut dhe rezistencës së tij kundër osmanëve, ngjarje që kujtohet me krenari nga të gjithë shqiptarët.

  1. Tirana
    Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë gjithashtu meriton të jetë në listën e vendeve më të bukura për të parë në Shqipëri. Dhe jo sepse është madhështorë, emocionues, modern, kozmopolitë, por sepse është një kryeqytet i ndryshëm nga të gjithë të tjerët. Një kryeqytet që nuk kujdeset për tu mbushur me gjëra të padobishme, por dëshiron të paraqitet thjesht për atë që është me të vërtetë. Tirana është një kryeqytet i këndshëm dhe i vërtetë. Për ta çmuar atë, është e nevojshme të shkojmë përtej klisheve dhe konceptit stereotipik të bukurisë. Në këtë mënyrë mund të përshtatesh me bukurinë e saj, një bukuri që tejkalon pamjen.

  1. Berati
    Në listën e asaj që duhet të shohim në Shqipëri duhet të përfshihet Berati, “qyteti me një mijë dritare” trashëgimi e UNESCO-s që nga viti 1992. Për të arritur atje, duhen dy orë për të udhëtuar nga Tirana. Pasi të arrini, përveç një shëtitje në qytetin e vjetër dhe një shëtitje përgjatë lumit Osum, nuk mund të humbisni një vizitë në kala, një nga monumentet më të mëdha historike në Ballkan.

  1. Vlora
    Vlora është një nga vendpushimet më të famshme turistike në bregdetin shqiptar, edhe për shkak se ajo gëzon një klimë vërtet të mrekullueshme gjatë gjithë vitit. Vera është e nxehtë, por edhe në dimër është shumë mirë dhe reshjet janë të rralla: në 365 ditë, të paktën 266 janë me diell, dhe Vlora konsiderohet si një nga qytetet me ditët më me diell në Shqipëri. Nuk është çudi që është një nga destinacionet më popullore për turistët të cilët mund të shijojnë si detin e qetë ashtu edhe plazhin me rërë tipike të Adriatikut dhe ato plazhe shkëmbore tipike të detit Jon.

  1. Zverneci
    Ka një vend shumë të veçantë në periferi të Vlorës që pak e dinë: Ishulli i Zvernecit, i vendosur në mes të lagunës së Nartës. Ai ofron një pamje spektakolare dhe mistike veçanërisht në perëndim të diellit, një pjesë e vogël toke të çon në manastirin ortodoks të Shën Marisë, që daton në shekullin e 13-të dhe 14-të, dhe që i mbijetoi braktisjes së filluar në vitin 1966 pas fushatës së ateizmit të dëshiruar nga diktatura e Hoxhës. Ndër të gjitha gjërat që kam parë në itinerarin tim 5-ditor në Shqipëri, Zvernec është një nga më të bukurit, më besoni,shprehet blogeria Norillo.

  1. Llogaraja
    Shëtitja në Llogara është një kalim i pabesueshëm malor brenda në Parkun Kombëtar me të njëtin emër , është një nga gjërat më të bukura për të parë në Shqipëri. Prej këtu ju mund të shijoni një pamje të jashtëzakonshme të Rivierës Shqiptare, të arritshme në pak minuta një pamje spektakolare dhe panoramike, midis detit dhe malit të Çikës. Gjithashtu në Llogara do të keni një mundësi për të shijuar një ëmbëlsirë shqiptare tipike të kësaj zone, kos me mjaltë dhe arra të grira.

  1. Port Palermo
    Të gjitha vendet e Rivierës Shqiptare janë të bukura. Unë mendoj për plazhin e Dhermiut dhe atë të Himarës, me vendet karakteristike ku mund të pini diçka me pamje nga deti. Një pikë e e veçantë është gjiri i Porto Palermo që më ka lënë pa fjalë aq shumë sa që unë mendoj se kam marrë të paktën 50 fotografi në të njëjtin peizazh. Këtu qëndron kalaja e Ali Pashës, e quajtur në mënyrë të pahijshme kështjellë, të cilën ushtarët italianë që ishin në këtë vend të shkretuar gjatë Luftës së Dytë Botërore e quajtën “Porto Palermo”, në kujtim të portit të njëjtë italian.

  1. Syri i kaltër
    Syri i Kaltër është një parajsë natyrore e bukurisë së rrallë, e mbushur nga turistët dhe e përfshirë në çdo itinerar udhëtimi në Shqipëri. Emri nuk është i rastësishëm, por i referohet formës së burimit që ngjan me një sy të madh ngjyrë blu dhe blu të errët. Unë e pashë atë në fund të një dite të gjatë, paksa me shpejtësi. Nëse keni më shumë kohë, ndaloni ta admironi syrin e kaltër dhe peizazhin përreth.

  1. Saranda

Saranda, një qytet në Shqipërinë jugore, i pasur me histori dhe bukuri natyrore, është ndër më të dashurit nga vendasit dhe turistët e huaj që kalojnë pushimet në plazhet e rërës së bardhë ose gëlqeror, plazhe me ujëra të pastër kristalor dhe marinës magjepsëse me restorantet me pamje nga deti për të kaluar mbrëmjet e ngrohta të verës. Ndër gjërat që duhen parë në Shqipëri, kjo është një nga më të bukurat, atë që vështirë do ta harroni. Më pëlqeu vërtet!

Image result for butrinti

  1. Butrinti
    Një vend tjetër për të parë në Shqipëri është Butrinti, një domosdoshmëri për ta vizituar. Vizita në parkun arkeologjik të Butrintit, një tjetër trashëgimi e madhe e UNESCO-s në Shqipëri, ishte vërtet emocionuese, më besoni jo vetëm për rëndësinë e saj kulturore, historike dhe arkeologjike, por edhe për ambientin romantik dhe poetik . Nëse jeni të interesuar për arkeologjinë ose thjesht dëshironi të përjetoni një mrekulli të vërtetë të Shqipërisë, shkoni atje!/ATSH

Shqipëria – Toka e shqiponjave ofron shumë për të gjithë (Foto) Read More »

Ujësjellësi i Vranishtit si destinacion turistik (foto)

Ujësjellësi i Vranishtit ndodhet në fshatin Vranisht të Rrethit të Vlorës dhe përbëhet nga dy pjesë.

Ura e parë  e punuar me një hark dhe ura e dytë  e mbështetur në 6 harqe dhe 5 dritare lehtësuese. Është ndërtuar në periudhën e Ali Pashë Tepelenës (filllim Shek. XIX) dhe shquhet për vlerat ndërtimore të një ujësjellësi të ndërtuar nga mjeshtra vendas.

Ujësjellësi i Vranishtit është me trase horizontale.

Ujësjellësi është i ndërtuar me gur dhe zall lumi të lidhur me llaç gëlqereje dhe përdorej edhe si urëkalimi.

Ura e Bratit dhe Ujësjellesi i Vranishtit, janë prova të një qytetërimi të hershëm e një trashëgimie arkitekturore të pasur, e cila gjen shprehje dhe në ditët e sotme në banesat karakteristike në
këtë  zonë.

Tani këto vepra arkitektonike kanë humbur funksionin e tyre dhe janë kthyer në destinacione për turizmin historik.

Udhëtimi turistik në këtë zonë mund të përshkruaj  itinerarin,Olympe, Mavrovë, Plocë, Shpella e Velcës, shpella e shkruar e Lepenicës, ura e Bratit, Cerja, ujësjellësi i Vranishtit, guri me qiell, kalaja e Katafiqit Kuç , Borsh etj.

Por edhe anasjelltas, nga Himara ose Saranda drejt këtij destinacioni. Është një udhëtim turistik tepër interesant dhe i mundshëm./atsh

Rezultate imazhesh për foto ujesjellesi i vranishtit

Ujësjellësi i Vranishtit si destinacion turistik (foto) Read More »

Pak Paris në Korçë !Një qytet i habitshëm

Ka disa variante pse Korça u quajt Parisi i vogël. Disa e lidhin me datën 22 tetor 1916, kur ushtria franceze hyri në Korçë. Ka të tjerë që mendojnë se e mori emrin nga hapja e liceut francez ose kjo shprehje u huazua nga vetë francezët. Disa mendojnë se kjo shprehje lindi nga nostalgjia që kishin parizienët ndaj qytetit të tyre, e shumë e shumë hipoteza të ndryshme.

Edhe ngritja e kullës “Eifel” në qendër u ngrit me këtë qëllim. Por ka dhe nga guximtarë që thonë se ky emër erdhi dhe nga fakti që në Korçë gjatë pushtimit francez kishte pesë shtëpi publike. Të gjitha janë hipoteza të pavërtetuara, por Korça kishte me të vërtet tiparet e një qyteti europian…

Ideja e Edith Durham

Shkrimtarja dhe studiuesja e madhe angleze do e vizitonte Korçën në vitin 1904. Vlerësimet e saj për këtë qytet  ishin kaq të magjishme, sa banorët mbetën të lumturuar. Puna ishte se Korça u bë një rrugë tregtare që në vitet 1644 sepse porti i Durrësit ishte mbyllur dhe të gjithë udhëtarët bënin rrugën Elbasan-Korçë-Sojadhë-Korfuz-Venedik.

Në tregun e Korçës ata blinin prodhime blegtorale, zejtarie dhe shisnin stofra të sjella nga Venediku. Sipas shumë dokumenteve të vitit 1712, banorët e Voskopojës kishin shkuar tek mjeshtrat e Kazasë së Korçës ku kishin mësuar zejet e rrobaqepësisë, këpucarisë dhe farkëtarisë.

Qyteti pra tregonte një lulëzim të admirueshëm. Kështu pra Korça nisi të bëhej rivale e tregjeve të tjera, aq sa konsulli i Austrisë në Janinë, albanologu Han do shkruante  “…Tani në kohët e fundit po bëhet Korça që është në lulëzim e sipër, një konkurrent i rrezikshëm i Janinës përsa i përket tregtisë me viset e veriut…. Pozita e saj, ku kryqëzohen shumë rrugë kryesore, është shumë e përshtatshme për tregtinë, ndaj tregtarët e Janinës kanë filluar të shqetësohen”.  

Ndërsa sipas Karmicit, “Korça është depoja natyrale e Selanikut dhe e Stambollit dhe pjesërisht e Janinës, duke i përhapur prodhimet industriale dhe natyrale të Evropës e të kolonive siç janë stofrat e ndryshme, sheqeri etj, në tërë periferinë e Shqipërisë Juglindore”.

Edith Durham: Korça qyteti më i pastër i Perandorisë turke

“Ndërsa Ohri është ende mesjetar, shkruan Edit Durham. Korça është e qytetëruar. Në shkollën shqipe të vajzave m’ u bë një pritje shumë e ngrohtë. Shkolla ishte aq “moderne”, sa m’ u duk sikur befas isha kthyer prapë në Evropë.

Është e vetmja shkollë në të gjithë Shqipërinë e Jugut ku fëmijët shqiptarë lejohen të mësojnë shkrim e këndim në gjuhën e tyre amtare. Në shkollë përdoret alfabet i veçantë i shqipes dhe jo ai latin”. “…Me qenë se Korça është një nga qytetet që Greqia kërkon ta aneksojë, dhespoti grek i Korçës është kundër mësimit të gjuhës amtare.

Kurse shkolla e vajzave deri tani i kanë bërë ballë çdo furtune, sepse është nën mbrojtjen e austriakëve dhe amerikanëve”.  “…Korçarët më pritën shumë mirë dhe u entuziazmuan me planin tim për udhëtimet me kalë nëpër Shqipëri. Familjet ku shkova ishin të gjitha shqiptare, shtëpitë ishin të rehatshme dhe të rregulluara me shije”.

Edit Durham kishte dhënë në librat e saj dhe vlerësimet e famshme për qytetin e Korçës, të cilat kanë mbetur të paharruara: “Korça është një qytet që të habit, është i pastër, shumë i pastër, madje qyteti më i pastër që kam parë në Perandorinë Turke, me rrugë të drejta të shtruara mirë, pa qenë e plehra nëpër këmbë…”.

Korça e qytetëruar

Ky qytet do të dallohej për shumë veçansi. Korça do të ishte qyteti i parë që kishte mjek që nga shekulli XIX. Do funksiononte një barnatore dhe që në atë kohë mendohej për ndërtimin e një spitali dhe ngritjen e një tipografie ku mendohej të botoheshin autorët klasikë. Korça do të dallohej jo vetëm për traditën por do e meritonte këtë emër edhe për kulturën qytetare që kishte në vetvete.

Femrat korçare kanë qenë gjithë kohën të emancipuara dhe Konica.al ka siguruar foton e një kafeneje ku femrat uleshin me burrat që në vitin 1927. Por jo vetëm kaq. Lëvizjet feministe në Korçë kanë qenë me të vërtet të lavdërueshme dhe për faktin se femrat u shkolluan qysh herët, për shkak të emigracionit por dhe traditës arsimdashëse.

Për herë të parë në këtë qytet është zhvilluar një garë bukurie dhe i takon viteve 30-të,  zgjedhja e misit të parë korçar që tregon se ky qytet ecte me hap galopant drejt zhvillimit dhe qytetërimit duke e dalluar nga të gjitha krahinat e tjera, ku lëvizja për emancipim ishte me të vërtet shumë problematike.

Rezultate imazhesh për foto korcaRezultate imazhesh për foto korcaRezultate imazhesh për foto korcaRezultate imazhesh për foto korcaRezultate imazhesh për foto korcaRezultate imazhesh për foto korca

Pak Paris në Korçë !Një qytet i habitshëm Read More »

Gjiri i Kakomesë – Një nga perlat e natyrës shqiptare

Gjiri i Kakomese, në bregdetin e Jonit, 10 km nga Saranda, futet rreth 550 metra në brendësi të tokës dhe ka një gjatësi afro 2 kilometra. Nga të dyja anët e gjirit bregdeti lartësohet nga ngritje me lartësi 500-800 metra, që bien thikë mbi det, duke formuar rrëpira, shkëmbinj të zhveshur, kepa shkëmbinjsh mbi ujorë e nën ujorë të veshur me korale, guaska, iriqë e bimësi ujore me forma e ngjyra të ndryshme, me ujë të pastër e të tejdukshëm.

Gjiri i Kakomesë, pjesë e komunës së Lukovës, një nga perlat e natyrës shqiptare tashmë është pjesë e një investimi të madh. Projekti i firmës franceze “Club Med”, që zbatohet në terren nga firma shqiptare e ndërtimit “Riviera”, planifikon të ndërtojë 350 vila, me kapacitet 700 dhoma për 12 mijë turistë. Sipas projekti, ky fshat turistik do të jetë një ndër më të bukurit në Mesdhe.

Ky fshat turistik do të ofrojë shërbime cilësore me te gjitha kapacitetet, ku përfshihet transporti, akomodimi, ushqimi, zbavitja etj”, thonë burimet, sipas të cilave- projekti parashikon ndërtimin e shtëpive me gurë, duke ndërthurur traditën vendase me kërkesat për një turizëm elitar”.Fshati turistik i Kakomesë do të jetë funksional gjatë gjithë vitit, duke ofruar një tjetër vizion për turizmin.

 

 

Sipas projektit të vitit 2004, firma franceze “Club Mediterane & Riviera sh.p.k” do të ngrinin fshatin turistik në Kakome, i konsideruar si një nga zhvillimet më të rëndësishme për infrastrukturën e turizmit në vendin tonë. Zv.presidenti i kompanisë franceze, Eduardo Silviero, kishte marrë edhe lejen ne 2006 nga kreu i ish qeverisë, Sali Berisha, në një takim kokë më kokë, të zhvilluar në selinë e Kryeministrisë në Tirane.

Vendimit të ish kryeministrit për zhbllokimin e investimit të nisur që në 2004 i kishte paraprirë një deklaratë e ministrit të Turizmit, Bujar Leskaj, në të cilën “Club Med & Riviera Sh.p.k” ishin ftuar të vazhdojnë investimin. Kjo kishte ndodhur pas kapërcimit të konfliktit për pronësinë e tokës, zgjidhje që u dha nga një vendim i Komisionit Vendor të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Qarkut Vlorë, i marrë më 18 korrik 2006, i cili nuk u njohu pronësinë mbi tokën banorëve të fshatit Nivicë. Rreth 70 ha tokë në zonën e Kakomesë iu dha firmës “Club Mediterane & Riviera”, ndërkohë që, sipërfaqja e ndërtimit do të ishte 32,3 ha. Kompania “Club Mediterane” ishte shprehur se do të investonte 75 milionë euro për një resort luksi në Kakome, shumë që do të financohej nga IFC-ja dhe banka të tjera prestigjioze.

Pas largimit të kompanisë franceze Club Mediterane pronësia kaloi tërësisht në pronësi të kompanisë Riviera Ltd në tremujorin e parë të vitit 2012. Edhe sot kompania është pronare e vetme e gjithë zonës në Gjirin e Kakomesë, ku zhvillimi i ndërtimit të projektit është i mundur.  Tani, qëllimi kryesor i kompanisë është të gjejë partnerë me përvojë ndërkombëtare së bashku me të cilët të hartojë një projekt të qëndrueshme dhe fitimprurëse për zhvillimin e një prej resorteve më të bukura në të gjithë zonën e Mesdheut

 

Gjiri i Kakomesë – Një nga perlat e natyrës shqiptare Read More »

Shpellat e Smokthinës dhe Guri me Qiell i Vranishtit

Zona e Lumit të Vlorës, një pjesë e të cilës përfshihet në atë që njihet me emrin Krahina e Labërisë, është një nga hapësirat më me vlerë në qarkun e Vlorës.

Resurset natyrore dhe ato kulturore-arkeologjike, spikasin në këtë mjedis me emër, që përmbledh 58 fshatra me një popullsi prej rreth 50 mijë banorësh.

Kjo zonë nis me Kurveleshin e Poshtëm tek Buronjat dhe gryka e Kuçit dhe vazhdon deri në Myzeqenë e Vlorës, në një gjatësi të përgjithshme prej rreth 80 km dhe një sipërfaqe 332 km katrorë.

Me ndarjen e re administrative në Lumin e Vlorës përfshihen dy komuna dhe shtatë njësi administrative, mes të cilave, Horë-Vranisht, Brataj, Kotë, Sevaster, Vllahinë, Shushicë dhe Armen.

Bukuria natyrore, pyjet, malet, traditat në gatime dhe në veshje, përbëjnë ato vlera që kanë nisur të ngacmojnë kuriozitetin dhe vëmendjen e turistëve për zonën e Lumit të Vlorës. Mjaft të huaj, kanë mbërritur dhe kanë kaluar në fshatrat e kësaj zone, ditë të këndshme, të mbushura me surpriza.

Ata kryejnë udhëtime të paharruara që zgjasin 5-6 ditë me nisje fshatin Lapardha e sosje në bregdet, duke të gjithë zonën deri tutje në Kuç, në atë që emërtohet Qafa e Dërrasës. Ose duke kaluar nga Vranishti për të dalë në Dhërmi.

Lumi i Vlorës është një zbulim i vërtetë për turistët, pasi kalojnë në vende ku rrallë shkel këmba e njeriut. Në këtë rrugëtim turistët shuajnë etjen në ujërat e burimeve, hanë mish qengji të pjekur, pinë raki të vërtetë dhe kënaqen me bukuritë e rralla natyrore që ka kjo zonë, ndër të tjera edhe me këto dy që po përmendim më poshtë:

Shpellat e Smokthinës…

…Kompleksi Velçë, Matogjin, Ramicë, Bashaj dhe Vërmik

Kompleksi i shpellave është nga atraksionet kulturore më të veçanta që gjenden në vendin tonë. Është shenjë e ekzistencës së jetës në kohët e hershme dhe është dëshmi, që ruhet e trashëgohet si pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit tonë.

Nëse s’do të kishin ekzistuar këto banesa të gdhendura në brendi të shkëmbit, atëherë dëshmitë e së kaluarës do të ishin të mangëta.

Një vendbanim i veçantë me një kompleks shpellash, janë shpellat në zonën e Smokthinës në fshatrat Velçë, Matogjin, Ramicë, Bashaj dhe Vërmik të njësisë administrative Brataj të Bashkisë së Vlorës.

Dëshmi interesante rreth këtyre vendbanimeve sjell Luigi Cardini, i dërgua nga zbuluesi i “Trojës Shqiptare”, drejtori i Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, Luigi Maria Ugolini.

Prehistoriani italian i cili udhëtoi gjerësisht në të gjithë Shqipërinë jugperëndimore dhe që ka regjistruar mbi 60 shpella natyrore( strehime guri), ndërkohë që në vitin 1936, ai ka hulumtuar shpellat e Velçës dhe ka kryer një studim paraprak të dhjetë shpellave atje.

Pas tij me shpellat e Velçës janë marrë arkeologët tanë, të cilët edhe kanë propozuar që ato të shpallen monument kulture. Kështu ato janë shpallur si të tilla që në vitin 1948. Në kompleks ato tashmë njihen si shpellat e Velçës me emërtimet: Kalaja, Skota, Shpella me Qiell, Presarani, Shpella e Bushit, Shpella e Maçit, Kushtègjini , Mëngjilli , Rasali , etj.

Në qershor të vitit 2000, një ekip arkeologësh nga Instituti i Arkeologjisë Botërore ( Britania e Madhe)dhe Instituti Shqiptar i Arkeologjisë filluan një studim në terren me qëllim gjetjen e një numri shpellash prehistorike, që janë hulumtuar për herë të parë në vitin 1930 nga Luigi Cardini. Studimi gjeti se shpellat e Velçës kanë mbetur praktikisht të pandryshuar që prej gërmimeve të kohës Cardini.

Sipas studimeve italiane, kjo shpellë duhet të ketë qenë banesë 1000 vjet para Krishtit. Shpellat e Velçës duke radhitur kompleksin e tyre: shpella e Bushit, shpella e Prezaranit,shpella e Skotës etj, janë vendbanime të lashta të banorëve autoktonë. Katundi Velçë ka pasur një emërtim tjetër që lidhet me shpellat.

Ajo quhej Velçë-Shpella. Emërtimi sllav është vendosur më vonë. Po kështu edhe emri Smokthinë rrjedh nga sllavishtja dhe do të thotë vendi i fiqve. Sllavët dhe pushtuesit e tjerë, që qëndruan me shekuj në këto troje ndryshuan emrat e vendbanimeve, besimet, por nuk arritën dot të mbyllin apo të shkatërrojnë gojët e shpellave, sepse do t’u duhej të shkatërronin gjithë shkëmbinjtë e këtij vendi.

Veç shpellave, në këtë zonë ndodhet dhe Kalaja e Boderit e cila i përket periudhës së antikitetit të vonë. Kjo kala është e ndërtuar në një kodër në bregun e majtë të lumit të Smokthinës.

Muret e saj rrethojnë pjesën më të lartë të kodrës dhe formojnë një shumëkëndësh të çrregullt, me perimetër rreth 270 metra. Në pjesën jugore muret ruhen deri në 4 metra lartësi. Në këtë anë ndodhet dhe kulla e vetme e këtij fortifikimi.

Vlen të përmendet një tjetër objekt në këtë zonë që është monument kulture i kategorisë së parë dhe që është shpella në lagjen Hysaj në Ramicë e cila ka qënë e shfrytëzuar si spital partizan gjatë Luftës së Dytë Botërore ku janë kryer dhe operacione të vështira kirurgjikale me mjete primitive.

Në këtë zonë me bukuri mahnitëse rrjedh lumi i Smokthinës i cili është degë e Lumit të Vlorës për të cilin studiuesi E. Novak në vitin 1923 shkruan se Lugina e Lumit të Vlorës është një luginë me bukuri heroike.

Sofra e Zotit ose Guri me Qiell

“Sofra e Zotit” ose “Guri me Qiell” është atraksioni më i madh i natyrës në vendin tonë. Për nga mënyra e vendosjes, pesha dhe forma mund të quhet më i veçanti edhe më gjerë gadishullit tonë.

Asgjëkund syri, nuk të ndesh një monument natyre kaq të veçantë që të tundoj me pamjen e tij, formën, mënyrën e vendosjes. Larg çdo përfytyrimi, guri me qiell përbënë dhuratën e natyrës, për një vend të ashpër malor, vendosur në një vend me pjerrësi diku në faqet e një mali jugor.

Ky monument ngrihet në majën e malit të Lipes mbi fshatin Vranisht, rreth 50 kilometra larg qytetit të Vlorës. Prej lartësisë ku ndodhet ky monument i natyrës, spikat një pjesë e madhe e luginës së Lumit të Vlorës.

Banorët e zonës e konsiderojnë atë si një dhuratë e natyrës për një vend të ashpër malor, sikundër është Lumi i Vlorës, me fshatrat e veta.  Nga ana tjetër, ky monument, është i vendosur përballë malit të Bogonicës, që shqipërohet “Vendi i Zotit”.

Është një monument prehistorik i përhapur ne neolitin e vonë dhe ne epokën e bronzit 4 – 9 mijë vjet më parë.

Kjo vepër e arkitekturës prehistorike ka lidhje me kultet mbivarrore si dhe atë të Diellit. Sipas arkeologut të njohur Moikom Zeqo, “është një gur gjigant i vendosur nga dora e njeriut mbi dy shkëmbinj të tjerë, duke krijuar një tryeze për perëndite…”.

Përfundimi i studiuesit Zeqo niset nga fakti që shkenca monumente të tilla i njeh me emrin dolmenë, thënë ndryshe tipe varresh megalitikë të ndërtuar me gurë të punuar ose jo. Në disa raste ato ishin vend-prehje, në të tjera vend-sakrifikime apo edhe tempuj të shenjtë ku njerëzit u faleshin perëndive.

Gjatë verës në ditët me mot të keq në këtë vend ka shumë vetëtima (bubullima).

Nuk është çudi që edhe emërtimi Vranisht të vijë nga pellazgjishtja e vjetër, i vranët, dhe që më pas me krijimin e perëndive, mori  emrin Urani, si perëndia e stuhive dhe luftërave, duke u përjetësuar si planet në yjësinë e qiellit.

Lidhur me emërtimin si Sofra e Zotit, ka lidhje me shpellën Lëmi i Lelerëve, vendosur jo shumë larg, por edhe me malin përballë të Bogonicës.

Është për të ardhur keq, që, si për gjithçka tjetër të kësaj natyre në vendin tonë, edhe për Sofrën e Zotit plot enigma, mite dhe legjenda, mungon një studim, një guidë a përcaktim i saktë për t’u trajtuar si objekt natyror, historik apo si një resurs turistik, siç ndodh në shumë vende të botës për objekte e fenomene të tillë mbinatyrorë.

Të dhëna

Emërtimi : Sofra e Zotit ose Guri me Qiell

Pesha: Afërsisht rreth 10 ton

Forma: Drejtkëndëshe

Pozicionimi: Vendosur mbi dy gurë (këmbë)

Vendndodhja: Faqja veriore e malit të Bogonicës

Afërsia: Me vendin e shenjtë Lëmi i Lejlerëve

Rituali: Vend pagan

Shpellat e Smokthinës dhe Guri me Qiell i Vranishtit Read More »