Turizem

Vunoi i lshte – Atje ku parajsa gjen parajsen

Arjan Konomi
E shkuara e lavdishme dhe e tashmja ku ndihet rreziku i braktisjes. Fshati ku qëndruan Lord Bajroni dhe piktori Eduard Lear, që u mrekulluan me ndërtimin dhe afresket e kishave. Vendlindja e shumë personaliteteve të artit, kulturës, por edhe i patriotizmit, për të cilët vendasit ndihen krenarë.
Udhëtim në Vuno, në një prej fshatrave bregdetarë të Jugut nga më të rrallët në Shqipëri për arkitekturën e veçantë e të rafinuar, urbanizimin, për historinë, protagonizmin në ngjarjet e mëdha të kombit, si dhe kontributin që ka në kulturën kombëtare.

I dëshmuar në shek. e dytë para Krishtit.
Nuk dihet se sa mijë vjet më parë njerëzit u ndalën në këto anë dhe u mahnitën nga relievi i përthyer por mrekullisht i bukur. Pastaj hoqën gurët, ngritën ledhe e ndërtuan tarraca. Thuhet se vetëm për një hektar tokë atyre u është dashur të zhvendosin rreth 3000 metra kub gurë! Ishin njerëz të punës, me vështrim drejt së ardhmes, trima, të besës, plot pasione dhe shumë të bukur.
Banorët e Kaonisë, siç thirreshin në kohë të lashta, shtëpitë i ndërtuan rrëzë maleve si për t’u mbrojtur nga piratët e detit dhe për të kursyer ato ngastra toke që i përftonin me mund të madh.
U ngritën fshatrat e Rivierës, njëri më i bukur se tjetri, gati-gati qytete të vegjël, të gjithë në një harmoni të habitshme ndërtimesh, që i dallon në gjithë vendin.
Vunoi është një nga këto fshatra që i bën nder krahinës për historinë, protagonizmin në ngjarjet e mëdha të kombit, si dhe kontributin që ka në kulturën tonë kombëtare.
Fshati është vendosur në shpatullat e malit të Mjegulloshit, me shtëpi të gurta dy a tre katëshe, ku do të ndeshesh me atë dukuri që vëren Kadareja për Gjirokastrën “nëse do të rrëzohesh nga çatia e një shtëpie do të biesh në çatinë e një tjetre më poshtë!”
Ndërtesat “shohin” të gjitha nga deti, por pa ia zënë dritën njëra-tjetrës. Ato lidhen me rrugë të kalldrëmta duke krijuar një konfiguracion të përsosur, madje shpesh ato gjarpërojnë poshtë qemerëve mbi të cilat ngrihen shtëpitë e banimit.
Harqet dhe qemerët i sheh në faqet e jashtme të dyerve dhe dritareve, në raste të tjera ato shërbejnë si konstruksione mbajtëse të kateve të mësipërme të shtëpive. Banesat e fortifikuara, apo kullat, i gjejmë si në Vuno ashtu dhe në fshatrat e tjerë të bregdetit. Kulla në lagjen e poshtme të fshatit, një kompozim vertikal, me bazë katërkëndëshe, tri katëshe, me frëngji, është shpallur prej vitesh monument kulture.
Në vizionin e ditëve të sotme të bën përshtypje fryma qytetare dhe ndjenja e komunitetit, vizioni për një fshat “të të gjithëve”, ku “ligjet” e bashkëjetesës i kanë respektuar pa marrë parasysh interesin e ngushtë të njërit a tjetrit. Të gjithë thonë se në krye të fshatit kanë qenë njerëz të urtë e të mençur, të drejtë e largpamës.
Dy shekuj më parë në familjen e njohur të Kasnecëve në Vuno qëndroi Eduard Liri, piktor i njohur anglez: “U çudita me llojin e ndërtesave në Vuno disa prej të cilave, si ato të Kasnecëve, në veçanti, qenë më tepër si “palazzit” e shumë qyteteve provinciale në Itali”- shkruan Liri. Më tej vazhdon: “Himarjotët përdorin gjuhën italiane më tepër se çdo banor i Shqipërisë; të gjithë fshatrat që kam kaluar, ndonëse të krishterë, janë të tërë shqiptarë me përjashtim të pak familjeve…”

Njerëzit e diellit të Jugut
Kjo shprehje metaforike i ka rrënjët në legjendat e hershme të këtij fshati. Kështu prej shumë e shumë kohësh, nuk mbahet mend se kur, në kambanoren e fshatit është një qiparis i vogël, që as hedh shtat, por as thahet. Të moçmit thonë se është simbol i vazhdimësisë së jetës.
Tregime epike lidhen me përroin e Mardhës, në krye të kanionit të mrekullueshëm të Gjipesë, ku u hodhën drejt vdekjes një tufë vajzash për të mos rënë në duar të pushtuesve; thuhet po ashtu se Jeronim De Rada, me rrënjë të hershme nga Himara, i ka vendosur ngjarjet e poemës së tij “Këngët e Milosaos” në Skutara të Vunoit. Skutarai është një kodër në dalje të fshatit, drejt Himarës, ku shihen ende gjurmët e një banimi të hershëm, një mjedis pastoral, sikurse duken rrugët e gurta, shkurrnajat, lisat dhe poshtë bregu poetik i Jonit, teksa pulëbardhat fluturojnë mbi det.
Por nëse këto mund të merren edhe si pandehma tashmë është e provuar se Odise Kasneci nga Vunoi dhe Jani Kocani nga Dhërmiu morën pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Në rrjedhat e kohërave vunjotësit kanë qenë të ndjeshëm dhe aktivë ndaj ngjarjeve historike, në krahinë, në tokën e të parëve të tyre, ashtu edhe te fqinjët, në Greqi, gjë që jo rrallë e ka patur koston e vet.
Në mesin e shekullit të shkuar ata morën pjesë në luftën antifashiste, ku simbol i fshatit mbetet Zaho Koka. Në reflektimet e ditëve të sotme ai është pa mëdyshje hero dhe viktimë, pasi luftoi trimërisht kundër pushuesve, sikurse u bë kurban i atyre me të cilët e bashkoi çlirimi i vendit. Zaho Koka në ato vite u lidh në një dashuri të madhe me Ramize Gjebrenë, gjithashtu në forcat partizane, gjë që i kushtoi jetën si njërit dhe tjetrit.
Por mbi të gjitha Vunoi është vendi i arsimdashësve dhe njerëzve të dijes, i intelektualëve të shquar që i kanë dhënë shumë kulturës sonë kombëtare. Nga ky fshat është Odise Grillo, shkrimtari i talentuar i letërsisë për fëmijë, autor i shumë librave, këngëve, botimeve enciklopedike.
Po të shkosh ditëve të verës në Jal, një plazh i bukur dhe kurativ, do të takosh regjisorin e madh, Dhimitër Anagnostin me të shoqen, aktoren e mirënjohur Roza Anagnosti. Dhimitri është “djalë bregu”- siç thonë në ato anë – dhe krijimtaria e tij i ka rrënjët në Bregdet, në historinë e familjes së tij e mbushur plot me patriotizëm. Pa e tepruar mund të themi se Anagnosti është një personalitet dhe vepra e tij i bën nder Vunoit, Himarës dhe gjithë Shqipërisë. Krijimtaria e tij është një gur themeli në artin shqiptar që do t’u mbetet kohërave. Në vitet vitet ’30-të të shekullit të kaluar shtëpitë e Anagnostëve ishin shkollë dhe internat, ku vinin vajza nga Jugu i vendit dhe mësonin zanate: qëndismën, tezgjahun, gatimin.
Nga ky fshat janë edhe aktorët e njohur të teatrit dhe filmit shqiptar: Robert Ndrenika dhe Anastas Kristofori. Ata kanë lënë një trashëgimi të pasur rolesh, karakteresh, dhe pa mëdyshje janë produkt i shpirtit himarjot në gjithë gamën e vet
Atdheu fillon nga prona
Pamjet e fshatit të sotëm mund t’i gjeje edhe para 20 a 30 vjetësh, sepse Vunoi pak ka ndryshuar. Thuajse po ato shtëpi, po ato rrugë, ku ndonjë ndërtim i ri më shumë ia ka prishur bukurinë duke zhbërë atë traditë të mrekullueshme të ndërtimeve në Rivierë. Kisha e fshatit u dogj gati 10 vjet më parë, në ditët kur kishte mbaruar restaurimi i saj !
-Kush i vuri flakën – pyeta një të njohur aso kohe.
-Ne e ruajtëm në ditët më të vështira…pyesni më mirë ata që shkuan! – dukej që burri ish prekur në sedër.
Si për ironi kisha kish qenë monument kulture!
Para ca vitesh në Jal të Vunoit u prishën disa ndërtime, pa leje, siç u tha, duke hedhur në mes të detit miliona lekë të mbledhura me mund dhe djersë në mërgimin e vështirë. Natyrisht shteti s’kish pse bënte sehir dhe një ditë të bukur të bënte gjëmën!
Të moshuarit jetojnë me brengën e viteve të rinisë, të asaj kohe të largët kur nga çdo rrënjë ulli merrej gati një kuintal prodhim, kur në dimër bregu zverdhte nga portokallet dhe gjithë vitit karvanët e ngarkuar me djersën e njerëzve të punës ngjiteshin në fshat.
“Kanë ikur djem e vajza, nuk punon më rinia dhe fusha ka mbetur e shkretë!
Të gjithë në një emigracion të çuditshëm si jashtë ashtu dhe brenda vendit.
Në fakt emigracioni ka qenë pjesë e Vunoit, si edhe gjithë krahinës. Po ai i shekullit të kaluar ka qenë me të vërtetë dramatik. Në vitet ’60 kur kish mbaruar kolektivizimi filloi braktisja e madhe: të gjithë donin të iknin dhe u turrën drejt Vlorës, Tiranës, Fierit, Elbasanit, deri në Shkodër.
Fusha, sakrificat e breznive të para nuk kishin asnjë kuptim për të rinjtë që e ndjenin veten të huaj në pronën e të parëve të tyre. Pas viteve ’90 ia behu braktisja e dytë më e madhe dhe sot për sot gati e pakthyeshme. Kështu thuajse “të dy palët” ndihen “të huaj” në vendlindje, madje jo rrallë e shohin njëri-tjetrin shtrembër, në mos me armiqësi sepse ligji i jep të drejtë njërës palë të marrë pronë të prindërve të vet, kurse tjetrës jo!
Kështu shpeshherë të duket sikur Vunoi i takon së kaluarës, sepse historinë, jetën, të ardhmen e bëjnë njerëzit nën fjalën e mençur “atdheu fillon nga prona” përndryshe s’u mbetet gjë tjetër veçse të mbeten të largët!.
“Ne kemi mbetur në mes të detit – më thoshte një emigrant nga Vunoi – dikur mësues. Matanë, në Greqi, Itali a gjetkë ndihemi të huaj, por edhe kur vijmë këtu prapë të huaj mbetemi.”
“Na duket sikur na kanë vënë traun e kufirit në rrugën e Llogorasë!. Duam të shkojmë, po ku? Të tjerë po bëhen zot në djersën e të parëve tanë!http://www.albaniantravel.inf

Vunoi i lshte – Atje ku parajsa gjen parajsen Read More »

Zverneci – Bukuroshja e fjetur e Vlores

Gurë-varri apo statueta e vajzës greke është rrëmbyer. Në vitin 1997, ajo ishte gjëja më e vogël, që mund të ndodhte në këtë vend. I ati i saj, doktor, nuk kishte mundur të shpëtonte. Kishte derdhur të gjitha ato, që profesioni i kishte mësuar nga Hipokrati, por më kot. Në fund kishte gjetur pajtimin. E kishte lënë në prehjen e gjelbërimit dhe në kujdesin e shpendëve të shumtë, që popullojnë këtë ishull të vogël. Kishte ikur. I qetë. Pas, qetësi. Në amshim…Një ditë, krijesat e luciferit e kishin marrë. E kishin dërguar diku gurin. Ia kishin tretur në keqësi.

Këtë nuk mund të na e shpjegojë një roje objektesh, që tash ruan Kishën e “Fjetjes së Hyjni-lindses në Manastirin e Zvërnecit. I duket si tjetër gjë. Duhet të jetë rreth 50 vjeç, ndërsa hedh sytë tutje-tëhu si për të kapur ndonjë të pabërë. Jemi vetëm: Ne dhe Ai. Bash në sheshin brenda manastirit, ku sapo kemi kaluar urën e drunjtë.
Më në fund qetësohet dhe roja. Bindet se para vetes ka vetëm tre njerëz, që janë të interesuar të shikojnë manastirin, kishën dhe pyllin. Ndaj, sikur ta ketë krejt në terezi, ulet… dhe kërkon shpjegim: “Pa ta marrim shtruar.
Çfarë doni?” I shpjegojmë se duam të fotografojmë dhe të shikojmë pyllin. Tund kokën, sikur do të thotë: mua doni të ma hidhni. Duket qartë se do të shtyjë shërbimin, ndërsa ne, që duam të mos na bezdisë, dhe të na krijojë mundësinë të shohim të gjithë hapësirën ku gjendet manastiri. Na bën pritë për aparatin, për diktofonin, për lëvizjen, për gjithçka. Sus. Jam unë. Sa i mjerë?-mendojmë. “Sa kot”, duhet të mendojë çapkëni i vjetër, që tashmë butaforisë së tij i ka shtuar edhe një fije bari në gojë.

Sa i pistë
Dikur ky vend ka qenë pronë e Frashërlinjve. Mit’hat bej Frashërit ia mori më pas një familje nga Kanina. Më vonë, ajo bëhet pronë e shtetit shqiptar. Ishulli i vogël prej 7 ha është një monument natyror. Në një gazetë kam lexuar se vetëm 0.1645 ha janë pronë e objektit të kultit, pjesa tjetër është monument natyror. Por, shqiptarëve, pak u bën për monumentin. Në vend të tij, janë të kënaqur me zdërhalljen në këtë mrekulli të natyrës. Ku më shumë vlerën ia provojnë, kur lëshohen të hazdisur në ditën e nderuar të pelegrinazhit. Dhe, atë ditë bëjnë qejf. Në Shqipëri pelegrinazhi është qejf, piknik..urraaaa. Kjo ka bërë që kisha të vuajë damkën e përvetësimit të gjithë mjedisit. Çdo fund-verë, falë saj bëhen kampingje me të rinj, gjë që ia ka përcjellë imazhin e mrekullisë së këtij vendi, shumë më larg. Por, gjithashtu dhe duke i sjellë probleme drejtuesve të kishës shqiptare, të cilët i akuzojnë se kanë marrë të gjithë ishullin. Jo se nuk kanë dhe ata pak siklete. Eshtë e pamundur, falë një rregulli të brendshëm, që t’i të kesh mundësi të takosh priftin. Ai nuk është, por edhe po të jetë- duhet leje që të shikosh interiorët brenda. E vërteta është se vendi është krejt i papastër dhe mungon dora e njerëzve. Ajo rregullohet disi në momentin, kur afrohet kremtimi i 15 gushtit. Por, kaq. Besimtarët e Zotit nuk e kanë shumë qejf pastërtinë, ndërsa pylli, tutje manastirit është edhe më i pistë. Kushdo mund ta provojë, po të ngjitet nga pas manastirit dhe të ikë tutje. Plastmase, mbeturina, të pëgëra që duket se nuk treten- i gjen kudo. Një tabelë akoma më e vjetër se manastiri, për hir të së vërtetës të përgatit që në hyrje me rregulloren e brendshme. Por, ndryshku dhe shëmtia e saj (e para ca kohëve) ta konfirmonte se nuk mund të bëhej më shumë. Roja ka tagër që të shoqërojë vizitorin deri brenda në manastir; Nuk lejohet futja e njerëzve të armatosur; Nuk lejohet njeri veç ditës dhe ndalohet gjuetia. Na bind kështu edhe karshillëku i rojes, që me sa duket e ka mësuar përmendsh këtë tabelë, që është e lakuar nga pas. Në ditën e festës të këtij viti, një kremtues më ka thënë se për “të nderuar”, Hyjni-lindsen, shqiptarët zbrisnin nga pylli me degë të thyera dafine. Qeshnin. Lumturoheshin. Dhe, askujt nuk i bënte përshtypje se po e dëmtonin këtë mrekulli. Kremtimi i ditëve do të thotë thjesht orgji ngrënie, ndërsa vari i Marigosë, këtij personazhi interesant, ishte i pa pamundur, që ta shpëtonte këtë zallamahi…

Këto objekte gjenden në perëndim të lagunës së Nartës, në brezin ranor, që ndan lagunën me detin. Përfaqëson një grup dunash ranore, të formuara nga veprimi i erës. Gjatësia e brezit me duna arrin disa kilometra. Ato kanë lartësi deri ne 5-6 m. dhe gjerësi deri 20-30 m. Dunat kanë vlera shkencore, estetike, turistike dhe ekonomike.
I gjithë vendi vizitohet duke ndjekur almanakët turistikë-duke ndjekur itinerarin qyteti i Vlorës-Kriporja-bregdeti i Nartës-Hidrovori. Manastiri i Zvërnecit është monumenti kulturor më i rëndësishëm në hapësirën e Nartës. Një nga arsyet për të vizituar ishullin e Zvërnecit është fakti që të shikohet ky manastir. Ai është ndërtuar më shekullin e XIII, sipas karakterit bizantin, dhe i kushtohet Shën Mërisë. Çdo 15 gusht ka një festim të kishës ortodokse me rastin e lindjes së Shën Mërisë në këtë kohë.

Drejt Zvërnecit
Po. Zvërneci nuk është shumë larg magjistralit kryesor. Si të gjitha, objektet e religjionit dhe ato kulturore-historike kudo në Shqipëri, nuk janë shumë larg magjistraleve kryesore…Por, pas kësaj rruge të gjatë që të drejton në të ashtuquajturin “Pusin e Mezinit”, nuk jemi në Lagunë. Duhet të përshkosh qetësinë e Nartës, një qytezë-fshat, me shtëpira, që i ngjajnë pa fund shtëpive të Bregut të Jonit.
Ende, gratë e vjetra, që ngjasojnë me ato të Jonit, të flasin me një greqishte arkaike, ndërsa burrat e pakët nuk i sheh kurrkund. Më të rinjtë në kurbet, kurse më të vjetrit në kafene. Askush nuk di për Kompleksin e madh, por të gjithë të konfuzojnë. Në sheshin, që përbën qendrën e Nartës, gjendet një kishë, e cila është e mbyllur zakonisht. Më duket sikur i shoh sërish ato dy karrige dhe togun e hedhurinave, që i gjej gjithmonë në këtë vend dhe sërish të patrazuara. Por, nuk kemi kohë.
Rendim për në Lagunë, një vend ku dikur punohej për të gjetur naftë. Njësoj sot, pretendohet që të bëhen afër Depozitat e mëdha. Sërish naftë. Sërish protesta. Dhe, jo më kot, rrugës i has plehrat kudo. Inertet. Tashmë, nuk ka rëndësi.
Shumë shpejt brazat e pishave nuk do të jenë. Dikur, banorët e Zvërnecit i bën një rezistencë të mirë INA-Naftaplin, operatori kroat i kërkimit të naftës, që kishte marrë në konçesion Bllokun e Panajasë në Shqipëri.
Kurse, nuk po e përballojnë dot Kompleksin e madh, që po merr jetë pak nga pak…
Edhe pse Këshilli Bashkiak po i bën rezistencë, puna duket se do të marrë jetë. Fshatarët kanë heshtur. Janë paqtuar. Këtë herë ambjentalistët duken si të nënshtruar…

Invers-Kisha dhe manastiri i njohur
Rruga bëhet më strapacuese dhe shtuar me aq shumë kodrina rrugës, të nxjerr jashtë pyllit. Me një makinë të mirë për gati 20 minuta të duhet të lësh pas Nartën. Pas një traseje të gjatë, rruga i ngjitet nga shumë afër Lagunës. Në këtë vend, ajo qarkon një ishull të vogël , ku gjendet manastiri dhe kisha e kahershme e zonës. Me një pasarelë, që shkon drejt, ndërtuar nga kisha ortodokse për 60 milionë lek (?)- futesh në një ishull të mbuluar me pisha, ku gjendet kisha e ndërtuar e shekullit të XIII dhe manastiri i vitit 1636. Historianët pretendojnë se në anën tjetër të ishullit, është edhe një kishë tjetër, të cilës i kanë mbetur rrënojat. Ajo është restauruar për herë të fundit në shekullin e XVIII. Në varrezat e saj ishte varrosur Marigoja e flamurit të Ismail Qemalit, bashkë me dy fëmijët dhe pak njerëz të tjerë. Dominon mbi gurët e varrit, greqishtja bizantine. Edhe vetë kisha është bizantine, sepse është e ndërtuar me gurë dhe me tulla të asaj kohe, sipas specialistëve. Një hajat me kolona, që i ngjan “Shën Nikollës” së Voskopojës, të mirëpret në hyrjen e kishës së njohur. Por gurët janë ngrënë nga motet dhe duket se nuk do e kenë të gjatë. Një dorë restaurimi i pret akoma t’i fusë në jetë. Një tjetër, ajo e kohës, pret t’i shkatërrojë. Roja, i cili na shoqëron me një bisedë absurde në ishull, bën rezistencë pasive. Kam urdhër,- thotë. Por, na mundëson të rifutemi në kishën e manastirit. Nuk na lë të fotografojmë brenda. Eshtë kategorik. Brenda nuk ka ndryshuar shumë, por duket se kisha ka dorë dhe është e restauruar më mirë. I veçuar, roja, ruan për ndonjë padrejtësi, kurse ne gjejmë mundësinë që të shikojmë në absidën e Kishës figurat bizantine. Ky element ka mbetur pak edhe në kupolën e vogël, që është mbi kishë. Ajo që ndoshta është shumë e njohur për kishën e Zvërnecit dhe që përmendet si një gjë unikale, është një kafkë me një gjarpër dhe mbishkrimi i greqishtes bizantine, që i qëndron sipër, rrasës së varrit të një personazhi, përballë hyrjes kryesore. Eshtë varri i Kostas Karanxhas dhe ka të ngjarë, sipas Prashnikerit, që të ketë qenë një figurë shumë e njohur e lidhur me perandorët e Bizantit. “Këtu prehet Kostas Karanxha, burrë fisnik, filiz i një dere fisnike”, thuhet mbi varrin e tij.
Një pjesë dafinash, që janë mbi varret e të paktëve të mbetur mbi manastir, janë shenja e plotë e paqësisë të manastirit. Pasi bëjmë një qarkore rreth tij, ai na drejton vetë drejt largimit…Njësoj kanë bërë ndoshta dhe ata. Ashtu si zbrisnin atë ditë me dafina dhe dukeshin të gëzuar se po i blatoheshin Shën Mërisë. Por mua më dhimbsen dafinat, më kujtohen fjalët e njeriut, që më ka shpjeguar pak për festën e vitit 2007.

Vetë ishulli
Ishulli i Zvërnecit është një nga peizazhet, ku paqja është e rrallë në Shqipëri. Në festën e 15 gushtit mblidhen bashkë të ikurit, lulëzojnë pemët dhe qetësohen peshkatarët. Pak më tej, në lagunën e Nartës, peshkatarët presin peshqit, ndërsa vreshtat përgatiten që nxjerrin ende atë rrushin kualitativ, që më pas prodhon atë verë të mrekullueshme, që e kërkojnë të gjithë. Pastaj, pelegrinët, prehen në ishull dhe para syve të natës i bëjnë fli gjumin dhe qetësinë- festës fetare. Në kohën e regjimit vinin fshehtas dhe e përshkonin ishullin me varka dhe depërtonin deri atje. Kurse sot, vinë në mes të ditës. Është mrekullueshëm. Ashtu, ishte bukur edhe atëherë në kohën e Anti-krishtit. Por, gjurmët e hershmërisë, sipas studiuesve, shkojnë që nga shekulli i 1 para Krishtit dhe më vonë. Duhet të largohemi. Puna e mirë veç të tjerave është kjo urë e stërgjatë 200 metra që i merr sëbashku vizitorët dhe i fut në ishull. E mirë se edhe të largon. Më 1967 bashkë me murgun e fundit që e liruan nga ky vend u dëbua për pak kohë dhe mrekullia e këtij vendi nga kujtesa. Thuhet se atje është djegur një thesar, nuk është më biblioteka e bollshme me literaturë…se kishte…
Roja është më shumë se indiferent, por tash bën dhe hokatarin. Na ngacmon pa fund dhe tallet me interesin. Na tregon për priftin, që meshon. Nga vjen dhe se duhet të hanë fëmijët… Nuk e dëgjojmë. Më nget për Marigonë, që e ka parë në film. Për ushtarakun, që është varrosur në kishë, nuk di pothuaj asgjë. Eshtë i qetë.

E pyesim për vajzën dhe gurin e saj. “Eh, ç’ia kini ngenë ju”, na përgjigjet, kur i dalim nga sfera e tij e logjikës. “Ta kisha ditur, një m…kisha për t’iu lënë”. I qeshim. A thua të ketë qenë ndonjë nga ata që e di, se ku është guri i vajzës greke?! Po ç’i duhet atij. E presin në shtëpi. Manastiri këtu ka qenë dhe këtu do të jetë. Eshtë viti 2007.
Ben Andoni  : Revista Mapo

Zverneci – Bukuroshja e fjetur e Vlores Read More »

Kumbaro : Vlora – Pol i rëndësishëm turistik

Qendra Historike e Vlorës po rijetëzohet duke u shëndrruar në një vlerë tjetër të shtuar për turizëm dhe në një destinacion atraktivë dhe tërheqës kulturor.

Punimet për Qendrën Historike të Vlorës kanë nisur dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka inspektuar punimet që po kryhen, ku u shpreh se pas përfundimit të projektit kjo zonë do të kthehet në një destinacion të rëndësishëm për turistët.

“Një qendër e re turistike e komerciale në Vlorë, e cila nuk është vetëm mure e fasada. Punimet do të përfshijnë rrjetin inxhinierik e atë të ujësjellësit, bashkëpunim i bashkisë e fondacionit me qëllim që kjo të kthehet në qendër komerciale turistike. Vlora është nga polet më të rëndësishme turistike”, u shpreh ministrja Kumbaro gjatë inspektimit.

Programi i qeverisë shqiptare, që udhëhiqet nga Ministria e Kulturës, për rijetëzimin e qendrave historike dhe kthimin e tyre në pole jo veç tërheqëse për turistët, por dhe për t’i dhënë hov zhvillimit ekonomik të zonës ka filluar të japë frytet e veta.
Brenda kufijve të zonës së projektit ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat arkitektonike‐historike që mbart: Rruga “Justin Godard”.

Rruga Justin Godard ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes së Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në Lagjen Partizani në drejtim të Babicës ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920. Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik.

Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “lagjja e hebrenjëve”, klubi “Laberia” dhe ish-Sinagoga. Në fund, nga ana lindore ka qënë dhe xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka patur disa ndërtesa shoqërore në shekullin e XIX, si një sahat (kullë) dhe Posta e qytetit. Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar dhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apolloni.

Ky projekt bëhet i mundur falë bashkëpunimit teknik dhe financiar me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, sipas të njëjtit model me të cilin është punuar për rijetëzimin e Pazarit të Korçës, të Krujës, Gjirokastrës./ATSH

Kumbaro : Vlora – Pol i rëndësishëm turistik Read More »

Turizmi që duam- mbresa nga Orikumi

Mbresa nga biologu Aleko Miho, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës

Turizmi është një çështje tepër e përfolur në gjithë këtë periudhë tranzicioni, i quajtur shpesh si një nga shtyllat më të forta të ekonomisë, si shpresë për të nxjerrë vendin nga prapambetja e trashëguar. Natyrisht, në gjithë këto vite ky sektor ka pësuar ndryshime të dukshme në përmasa dhe infrastrukturë, më e theksuar kjo në zonën bregdetare, nga Velipoja në Ksamil. Kjo tregon qartë se turizmi veror bregdetar mbetet sundues. Mendoj se turizmi historik-kulturor ka pësuar një farë rritje, aty këtu edhe turizmi fetar, kurse turizmi dimëror ende më pak, kjo për mungesë infrastrukture rrugore dhe shërbimesh në zonat tona malore, por edhe për mungesë tradite turistike në vend. Ky është një dallim thelbësor me turizmin në vendet e tjera të rajonit, në të cilat shërbimet janë pak a shumë më të balancuara gjatë vitit, më të larmishme, ku përveç drejtimeve të mësipërme përfshihet edhe turizmi rural, ai i peizazhit, agroturizmi, ekoturizmi etj.

Është e vërtetë se të huajt e pëlqejnë Shqipërinë, bukuritë tona natyrore, peizazhin, historinë, traditën, folklorin, përfshirë dhe kuzhinën, por kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të njohim të metat tona dhe të mos rreshtim përpjekjet që ato të ndreqen dhe vendosen në lartësinë e duhur.

Pavarësisht nga arritjet, unë mendoj se mbetet ende për të bërë, për ta ngritur turizmin në nivelin që e kërkon koha. Kjo varet nga zgjidhja e mangësive të trashëguara. Unë këtu do të trajtoj tri prej tyre, të cilat i konsideroj si themelore për jetën tonë në përgjithësi dhe për standardet e turizmit të qëndrueshëm në veçanti. Këto janë:uji i pijshëm, ujërat e zeza dhe cilësia e ushqimit. Si shembull do të marr Orikumin, ku shkoj vazhdimisht me pushime, edhe pse këto shqetësime nuk janë vetëm në Orikum, por kanë paralele të shtrira thuajse në gjithë vendin, përfshirë edhe Tiranën.

Orikumi dhe lidhjet e mia me të

Para viteve 1990-të Orikumi ishte një qytezë e vogël me përbërje kryesisht me ushtarakë të Bazës detare të Pashalimanit dhe me punonjës të Uzinës përkatëse. Ai u ngrit si qytet i ri në vitet 1950-të, në kohën e marrëdhënieve shqiptaro-ruse. Që nga ajo kohë zona zhvilloi edhe bujqësinë, kryesisht frutikulturën; shumë produkte të zonës shkonin edhe për eksport. Brezaret me agrume dhe ullinj nga Vlora në Orikum krijonin një peizazh rural bujqësor mahnitës, gërshetuar kjo edhe me detin blu poshtë tyre. E them me bindje se vreshti në Radhimë mund të ketë qenë ndër më të mirët jo në Shqipëri, por në gjithë rajonin. Edhe para viteve 1990-të kishte një farë turizmi veror, por kuptohet në përmasa tepër modeste. Pas ndryshimit të sistemit, zona pësoi ndryshime rrënjësore, shoqëruar me dëmtime të rënda dhe braktisje të gjithë ndërmarrjeve, përfshirë këtu edhe në vetë Bazën ushtarake. Orikumi është një nga zonat tona bregdetare që pësoi emigrim në masë të madhe të gjithë fuqisë punëtore.

Si i tillë Orikumi vjen sot pas 25 vitesh tranzicion tepër i ndryshuar. Është shtuar shumë me ndërtime si vetë qyteti, dhe përgjatë gjithë bregdetit prej rreth 20 km deri në Vlorë, ku vështirë të gjesh sot një pëllëmbë të pa shfrytëzuar me hotele, restorante dhe shërbime të tjera; të gjitha këto janë në funksion të turizmit veror (kryesisht), dhe atij shëtitës/lëvizës, meqë shumë prej tyre gjenden në rrugën kombëtare që lidh me Rivierën jonike dhe më gjerë. Bujqësia është thuajse e braktisur, brezaret me agrume dhe ullinj, me fiq apo kumbulla janë të lëna thuajse në mëshirë të fatit, pa asnjë kujdes; ndoshta kjo për shkak të largimit të fuqisë punëtore, apo për shkak të përqendrimit të interesit vetëm tek turizmi veror; ndoshta prej shkatërrimit të sistemit të vaditjes, apo ndoshta se historikisht zona në përgjithësi nuk ka shumë traditë në bujqësi. Blegtoria ka njëfarë rritje, ndoshta prej të traditës dhe nevojës për bulmet e konsum mishi, siç do të flasim më poshtë për ushqimin. Akuakultura ka pësuar rritje dhe bashkë me peshkimin mbeten, gjithashtu, drejtime të rëndësishme për ekonominë e zonës. Megjithatë, vendasit, Orikumi, por dhe Dukati, Tragjasi dhe Radhima, duhet të kuptojnë se kujdesi në bujqësi ka rëndësi si për sigurimin e produkteve për plotësimin e nevojave vetjake dhe për turistët; por është po aq e rëndësishme ripërtëritja e arkitekturës së peizazhit bujqësor, që zona të jetë sa më tërheqëse dhe çlodhëse për syrin.

Zona ka shumë natyrë, duke filluar nga deti blu me bregdet zallor të kombinuar me atë shkëmbor, me një kurorë kodrinore e malore përreth që lartësohet deri në mbi 2000 m në majën e Çikës; ka ujëra të ëmbla (burime dhe lumenj), të kripura (në detet Adriatik dhe Jon, gjire dhe det të hapur) dhe të njelmëta (lagunë, kënetë), ka gadishull dhe ishull. Kjo bën të ketë një florë dhe faunë të pasur, si nënujore dhe tokësore, me shumë lloje të rralla dhe të kërcënuara, por edhe me rëndësi ekonomike po qe se flasim për bimët aromatike-mjekësore apo për peshqit, dy sektorë këta të zhvilluar në zonë. Kjo bën që një pjesë e mirë e hapësirës të jetë e mbrojtur, me dy parqe kombëtare, një tokësor, PK i Llogorasë (10.2 km), dhe një detar, PKD i Karaburun-Sazanit (126 km). Të dy këta parqe bashkohen nga rezerva natyrore e menaxhuar e Rrëzë-Karaburunit (200 km); brenda gjithë zonës shtrihen shumë monumente natyrore (bio-, gjeo- dhe hidromonumente). Më shumë për këto vlera lexuesi i interesuar mund t’i gjejë në ekoguidën e botuar prej nesh në faqen e FShN, UT (http://www.fshn.edu.al/home/publikime-shkencore).

Por zona ka edhe shumë vlera arekologjike dhe historike, duke filluar nga rrënojat ende të pa zbuluara mirë të Orikut të lashtë (që datojnë deri në shekullin V p.e.s.), dhe ngjitur me të Baza detare që ka shërbyer si e tillë në gjithë qytetërimet, si në periudhën romake, atë osmane (emri sot Pashaliman), atë të Traktatit të Varshavës, të periudhës kineze, e deri sot në përbërje të NATO-s. Në rrethina gjenden kisha të vjetra, kala dhe të tjera gjurmë të historisë së lashtë të një populli me tradita luftarake dhe atdhedashëse. Zona dallohet nga një folklor i pasur, me veshje, këngë dhe valle, si dhe nga një mikpritje e veçantë. Të gjitha këto janë pasuri për një turizëm të larmishëm dhe të shtrirë në të katër stinët.

Sipas INSTAT Orikumi ka rreth 11,000 banorë, por unë mendoj se ky numër është shumë më pak gjatë një pjese të mirë të vitit, pasi një pjesë e mirë e banorëve janë emigrantë në Itali, Greqi e gjetkë, ose me punë në Tiranë. Ky numër shumëfishohet në verë dhe – në mos qofsha i gabuar – ndoshta e gjithë zona shkon deri në 30,000 banorë. Shumica janë emigrantë vendas që kthehen në verë për të takuar të afërmit dhe për t’u çmallur me vendlindjen, pse jo edhe për të pushuar pas një viti me siguri të lodhshëm në kurbet; ndonjë nga të rinjtë përfiton nga rasti edhe për të vendosur kurorë; Orikumi në muajin gusht gëlon nga dasmat. Natyrisht, një pjesë e çlodhjes së emigrantëve është edhe deti pranë. Ata kanë ndrequr shtëpitë e dikurshme duke i bërë ato të përshtatshme për pushimet e verës. Pjesa tjetër e pushuesve, jemi ne që punojmë në Tiranë ose gjetkë dhe mblidhemi në Orikum për pushime, në shtëpitë tona të trashëguara apo të blera rishtas. Pushues të tjerë janë shqiptarë vendas ose nga diaspora, por dhe të huaj që vijnë me qira në Orikum ose në hotelet e ndërtuara enkas përgjatë gjithë bregdetit deri në Vlorë (nga pak ditë deri në 2 javë). Këtë verë kam hasur targa makinash deri edhe nga Polonia dhe Lituania. Orikumi ka edhe një port të vogël jahtesh që sjell gjithashtu turistë vendas apo të huaj. I gjithë ky popullim në stinën e verës është ndoshta pasuria më e madhe ekonomike e kësaj zone.

Gjithë këto vlera të përmendura lart janë aty dhe janë të shfrytëzueshme, por deri sot vetëm pjesërisht, gjatë verës. Nga fundi i korrikut deri në mesin e gushtit, zona është plot jetë, ku është vështirë të lëvizësh me makinë, vështirë për parkim; po shkove me vonesë në plazh, vështirë të gjesh çadër, vështirë të gjesh vend për t’u ulur për të pirë një freskuese, të gjitha dyqanet janë plot me klientë, madje duhet të bësh radhë edhe për të blerë një misër të pjekur anës rrugës. Pas kësaj periudhe, bashkë me dallëndyshet shtegtojnë edhe pushuesit, dhe rikthehet sërish qetësia për banorët vendas. Pas kësaj periudhe mund të parkosh dhe të ulesh ku të duash. Në 28 nëntor para dy vitesh, kemi darkuar me mish të pjekur, vetë i dytë bashkë me gruan, të vetëm nën një dritë qiriri, në një nga restorantet e Radhimës, shumë të zhurmshme në verë! Ishte shumë romantike, por dhe e trishtë njëkohësisht, po qe se kemi parasysh zhvillimin e qëndrueshëm të zonës!

Unë nuk jam lindur në Orikum, por me të më lidh një periudhë mbi 50 vjeçare. Aty kam mbaruar shkollën 8-vjeçare. Kam punuar si i ri gjatë verës, në praktikë apo në stazh thuajse në gjithë ndërmarrjet e dikurshme, NBU, NB Rinia, Bonifikim, Dolomit, deri dhe në Uzinën ushtarake. Trashëgova nga prindërit një apartament dhe për këtë nuk e kam zëvendësuar Orikumin për pushimet e verës me asnjë vend tjetër. Mund të rrëfej për lexuesin se si flihet në Orikum nuk flihet gjetkë! Është kënaqësi të zgjohesh në mëngjes nga cicërimat e zhurmshme të dallëndysheve (Hirundo rustica) që në gjithë zonën janë të bollshme. Në Orikum njihem mirë me vendasit dhe ndihem si në vendlindje. Kjo është edhe shtysa për të shkruar këto komente menjëherë pas kthimit nga pushimet, me bindjen se Orikumi meriton më shumë vëmendje, dhe i ka të gjitha mundësitë të jetë një model i turizmit në Shqipëri, gjithëvjetor, në gjithë larminë turistike të mundshme.

Uji është jetë!

Pa ujë nuk ka jetë! Ky është një postulat i dijes që ne ua mësojmë studentëve të biologjisë qysh herët. Në fiziologjinë bimore i kushtojmë ujit dhe regjimit ujor një kapitull të tërë. As që bëhet fjalë që uji për njeriun ka shumë rëndësi jetike! Kudo ku vendoset njeriu e para gjë që siguron është uji. Në vitet 1990-të, thuajse i gjithë vendi trashëgoi furnizim me ujë të pijshëm të ndërprerë. Nga ana tjetër, menjëherë filloi riparimi i banesave, duke filluar nga banja dhe këndi i gatimit. Për të siguruar ujë 24 orë secili vendosi në tarracë një fuçi, pak a shumë të madhe, duke filluar nga 500 l e sipër. Me ujin e fuçisë, ne përdoruesit plotësojmë të gjitha nevojat për higjienën personale, larje dhëmbësh, fytyre dhe trupi, larje-shpëlarje rrobash, të gjitha larje-shpëlarjet në këndin e kuzhinës; shumica edhe gatuajmë me atë ujë, dhe kush është ‘hollë’ nga ekonomia e përdor atë edhe për të pirë.

Për ta sjellë në trendin e kohës, këto fuçi u emërtuan depozita ose bolierë të huazuara nga italishtja. Unë këtu do të përdor termin shqip ‘fuçi’ për t’i dhënë më shumë theksin kësaj çështje, dhe kursyer ca gërma në shkrimin tim të gjatë. Një sistem të tillë furnizimi me fuçi bota e qytetëruar e ka braktisur me shekuj si të dëmshëm dhe shpërdorues. Atë e gjejmë sot vetëm në filma ku tregohen vendbanime të Perëndimit të Largët. Kurse te ne, edhe sot e kësaj dite gjithë ndërtimet në vend bëjnë ç’është e mundur që të vendosin një sistem fuçish për të siguruar ujin, i cili vazhdon të vijë me ndërprerje, kjo duke filluar nga Tirana. Vetëm se në pallatet e reja ka një farë përmirësimi pasi sistemi është i përbashkët për secilin pallat, me një motopompë dhe një sistem fuçish të përbashkëta. Duket se vetëm qyteti i Korçës ka mundur të bëjë ndryshimin, duke siguruar ujë për 24 orë pa fuçi, falë kjo vullnetit të mirë dhe mbështetjes së qeverisjes vendore.

Fuçia me ujë, një herë e vendosur sipër në tarracën e pallatit, pak është më pas nën kujdesin e përdoruesit. Në ca raste fuçia mund të jetë e mbyllur automatikisht, por në shumë raste është jo e mbyllur hermetikisht, duke bërë të rrjedhë ujë mbi tarracë, herë në mënyrë të dukshme dhe herë jo; pra në këtë mënyrë të shpërdorojë ujë kur vjen nga rrjeti i ujësjellësit, por edhe duke u vetëndotur nga atmosfera përreth. Për ata të kateve të fundit, fuçia në tarracë duhet të ketë një farë lartësie për të pasur presionin e duhur të shtyjë ujin e ngrohtë të fuçive ngrohëse të dusheve që secili prej nesh ka brenda në banjë; kjo bën që për këtë fuçitë në tarracë të vendosen disi më lart se të tjerat, duke krijuar një peizazh tepër të veçantë, origjinal, në tarracat e pallateve tona, edhe aspak tërheqës.

Në varësi të lartësisë, fuçia mund të mbushet vetë nga presioni i rrjetit; por, ka plot raste kur secili duhet të sigurojë një pompë personale për të shtyrë ujin nga poshtë deri në fuçinë e tij sipër në tarracë. Në rastin tonë në Orikum, për ne të katit të parë mundet që fuçia të vetëmbushet sot me presionin e rrjetit. Kurse ata të katit të dytë e më sipër kanë nevojë për ta shtyrë ujin nga rrjeti me ndihmën e një pompe të vogël. Në këtë mënyrë, çdo mëngjes apo pasdite kur vjen uji në Orikum, korit të cicërimave të dallëndysheve të palodhura që ushqejnë të vegjlit në pullazet e pallateve u shtohet edhe kori i çjerrë i motopompave; ka prej banorëve, që për të plotësuar nevojat me ujë gjatë periudhës së mbingarkuar të gushtit, pompat i vendosin në punë edhe kur nuk ka ujë në rrjet, për të thithur drejt fuçive të tyre edhe ato pak kullesa brenda rrjetit të përbashkët. Edhe pse nuk jam i kësaj fushe, e shpjegova gjithë këtë ‘inxhinieri’ popullore hidroteknike që ne kemi vënë në zbatim, për të treguar se si është zgjidhur dhe mbahet në funksion sigurimi i pandërprerë i ujit të pijshëm në familjet shqiptare apo gjithë shërbimet e tjera. Aq shumë është harxhuar në gjithë vendin në këta vite tranzicion për fuçitë në tarracat e pallateve, pompat dhe gjithë shtojcat përkatëse të tyre, sa po t’i kishim mbledhur bashkë ato lekë do t’i kishim ndërtuar ujësjellësit disa herë në mbarë vendin.

Para viteve 1990-të në Orikum uji vinte tri herë në ditë me sasi relativisht të bollshme. Në atë periudhë as që bëhej fjalë për fuçi në tarracë, pasi nuk ishte e lejuar! Pas viteve 1990-të qyteti u zgjerua shumë me ndërtime, dhe nga sa duket ende është në fuqi sistemi i dikurshëm, vetëm se sjell ujë 2 herë në ditë dhe në një kohë më të kufizuar se dikur për shkak të zgjerimit të ndërtimeve. Sasia e ujit që konsumohet ende nuk matet dhe ende paguhet në mënyrë të përafërt për frymë. Kjo duket se nuk përbën problem për banorët vendas që në të shumtën e vitit nuk janë të shumtë në numër. Por kur konsumi shumëfishohet gjatë muajit gusht, çështja ‘ujë’ bëhet me të vërtetë shqetësim. Atë ditë që nuk na mbushet fuçia ne ndihemi të shqetësuar pasi nga kjo varet plotësimi i nevojave të ditës. Ky shqetësim bartet prej disa vitesh dhe është gjithnjë në përkeqësim. Po aq shqetësim është edhe gjetja e gjuhës së përbashkët në pallatin ku jetoj në Tiranë, në rastet kur ky sistem dëmtohet dhe duhet rregulluar!.

E njëjta gjendje është thuajse në gjithë vendin, përfshirë dhe Tiranën. Por Tirana është qytet i madh, tepër i shtrirë, me ndërtime që nuk kanë të sosur edhe sot e kësaj dite, dhe zgjidhja kërkon jo vetëm vullnet të madh, por edhe shumë punë e shumë para.
Kurse për Orikumin më thonë se ujësjellësi i ri, i filluar që në qeverinë Berisha, është ndërtuar pjesërisht, dhe është në pritje që investimi të vazhdojë deri në fund. Kujdes!
Kur sisteme të tilla lihen në mes, pa u vënë në punë, ato dëmtohen më shpejt (nga amortizimi, thonë specialistët)! Por, kjo do të thotë që ekzistojnë edhe sot mundësitë në Orikum që të paktën të shtojnë sasinë e ujit në periudhën e konsumit maksimal (gjatë muajit gusht) për të plotësuar më mirë nevojat po me këtë sistem, pavarësisht nga të metat që bart. Natyrisht, me vullnet të mirë dhe përpjekje, Orikumi i ka të gjitha mundësitë të ketë një Ujësjellës të rregullt, hermetik, me furnizim 24 orë, pa fuçi në tarracë.Shendeti.com.al

Turizmi që duam- mbresa nga Orikumi Read More »

Ja si e shikon media e Zvicres Vloren , Orikumin dhe …

“Gjiri i Vlorës në jug të Shqipërisë, vetëm disa kilometra nga Greqia, aty arkeologët kanë lënë që të takohen. Atje ku gurët që rrihen nga dielli ruajnë me xhelozi sekretin e tyre të varrosur”, përshkruhet ndër të tjera në dokumentarin e realizuar nga Radio Televizioni Zvicerian për zonën arkeologjike të Orikumit.

Dokumentari pasqyron udhëtimin e arkeologëve të Universitetit të Gjenevës në Shqipëri por edhe misionin e tyre të veçantë në bashkëpunim me homologë të tyre nga Tirana.

E ftuar për të komentuar këtë reportazh në Radio Televizionin Zvicerian, për udhëtimin e arkeologëve, të cilët janë angazhuar të bëjnë gurët të flasin, ato të zonës së Orikumit, në jug të Shqipërisë dhe përpiqen gjithashtu të zbulojnë enigmën e historisë së rrënjëve tona, ishte Albana Krasniqi drejtoreshë e Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë.

E pyetur se cili është qëllimi i institucionit që drejton prej 10 vitesh, Krasniqi shprehet se “qëllimi kryesor është integrimi i popullsive të huaja që vijnë në Zvicër, në fillim ishte për popullsitë ballkanike që vinin nga Ballkani në periudhën e luftës”.

“Por, aktualisht, pas gati 20 vitesh eksperiencë, kemi vënë në dispozicion të personave me leje qëndrimi dhe të migrantëve të tjerë, eksperiencën dhe ekspertizën tonë dhe aktualisht kemi më shumë se 45 kombësi të ndryshme që frekuentojnë kurset dhe mësimet tona”, thekson Albana Krasniqi.

Më tej reportazhi prej mëse 1 orë, pasqyron gjurmët e udhëtimit të arkeologëve nga Gjeneva në Jug të Shqipërisë.

“Guri është jeta, mbi të gjitha për arkeologët sepse ne i bëjmë gurët të flasin dhe qëllimi i arkeologjisë është që të transmetojë njohurinë tek njerëzit, pra arkeologjia nuk është një punë në izolim. Është e vërtetë që na jep kënaqësi, përpiqemi të kuptojmë atë që zbulojmë. Por më e rëndësishmja në jetën e një arkeologu, ose të paktën në jetën time është që të ndajë njohuritë, zbulimet me publikun”, shprehen ata.

“Zona arkeologjike e Orikumit është pjesë e një bashkësie gjërash. Laguna, malet dhe më pas të gjitha së bashku deri këtu tek Kisha e Marmiroit, që është një kishë e vogël bizantine e rrethuar nga një gjelbërim i jashtëzakonshëm, insekte, zogj, ka një paqe… personalisht e pëlqej shumë këtë vend. Ideja për të kombinuar historinë dhe mjedisin ka lindur mjaftueshëm shpejt dhe mjafton të shëtisësh këtu për ta kuptuar përse. Kjo godinë është ndërtuar me material të marra nga qyteti i vjetër i Orikumit. Qoftë metalet, gurët e ndërtimit, kërkohet ajo që jep territori dhe atje gurë të prerë ka shumë. Ekziston gjithashtu kërcënimi që të vijnë buldozerët dhe betoni që mund të shkatërrojnë këtë parajsë të dytë”, shprehen përshkruhet në dokumentar.

Duke treguar për gërmimet e tyre, ata shprehen se “në fillim punuam mbi një teatër, pastaj në një burim, ndërsa tani flasim për fortifikime byzantine. Në fakt, Orikumi është një zonë shumë e pasur. Është një vend i vogël por me një trashëgimi shumë të pasur, jo vetëm materiale, por edhe jomateriale. Kemi ilirët, grekët, romakët, bizantinët, osmanët, venecianët e gjithë kjo duhet të shihet si një pasur dhe duhet të drejtohemi në të ardhmen me gjithë trashëgiminë tonë të së kaluarës.”

Një tjetër arkeologe rrëfen në këtë reportazh edhe për vizitën e tyre në fshatin Dukat të Vlorës.

“ Po shkojmë të shohim fshatin e Dukatit. Në fakt kjo është për mua edhe një mundësi që të shikoj fshatin e origjinës së punëtorëve. Janë 4-5 që vijnë çdo ditë të bëjnë këtë rrugë mes maleve për të ardhur të gërmojnë me në në zonën e Orikumit. Jam arkeologe, kam përfunduar masterin tim për arkeologji në Universitetin e Gjenevës. Vij nga Friburgu, por jam me origjinë shqiptare nga Maqedonia”, tregon ajo.

Orikumi është një zonë shumë e veçantë, me detin në njërën anë dhe lagunën në tjetër, me kafshët, zogjtë, peshqit që ajo ruan. Ndodhet një bazë ushtarake shumë e rëndësishme për Shqipërinë, sot një bazë e NATO-s. Pra është një zonë që përfaqëson shumë gjëra./ATA

Ja si e shikon media e Zvicres Vloren , Orikumin dhe … Read More »

Vunoi ky fshat i vendosur në një nga pjerrësitë e vargmalit të Çikës te mahnit me bukurite e tij

Fshati i Vunoit, i vendosur në një nga pjerrësitë e vargmalit të Çikës, në një truall të ashpër shkëmbor me shtrirje në formë harku, të mahnit me arkitekturën dhe pamjen piktoreske që ofron.

Ky fshat me bukuri të rrallë, nga pikëpamja urbanistike karakterizohet për kompaktësinë e ndërtimeve, harmonizimin e përsosur me truallin dhe vendosjen e shkallëzuar të banesave, të cilat shfaqen qartë, pa mbuluar njëra-tjetrën, duke krijuar një ansambël piktoresk.

Një projekt i qeverisë shqiptare për rijetëzimin e fshatrave historikë ka përfshirë edhe Vunoin.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, tha për ATSH-në se “në këtë fshat po vijojnë punimet për rregullimin e çative, fasadave, dritareve rrugëve të brendshme, kanalizimeve, ndriçimit, etj”.

Sipas tij, kjo është një punë e madhe që po bëhet për kthimin e fshatrave historikë.

“Ky investim i qeverisë shqiptare që po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, së bashku me projektin për kthimin si fshat historik të Dhërmiut, si dhe shëtitoren e Dhërmiut dhe Jalit, kap shifrën e rreth 7-8 milionë euro”, theksoi Goro.

Goro tha se ky projekt do të përfundojë në fund të vitit 2018.

Qendra Historike e Fshatit Vuno është shpallur Qendër Historike me vendim të Këshillit të Ministrave më 20 janar 2016. Elementi më i spikatur i Qendrës Historike të Vunoit është pikërisht arkitektura e tij.

Arkitektura dhe pamja piktoreske e Vunoit i bëri mjaft përshtypje edhe shkrimtarit të njohur anglez Edward Lear, i cili nga vizita e tij në vitin 1848 shprehet: U habita nga madhësia, karakteri, rregulli dhe pastërtia e shtëpive në Vuno, të cilat ngjanin me ”Palazzi” të qyteteve italiane.

Ndërtimet shumë afër njëri-tjetrit, kanë krijuar një rrjetë të dendur rrugore. Kjo ka bërë që në mjaft raste të ngrihen banesa edhe mbi rrugë duke siguruar kalimin nëpërmjet qemerëve cilindrike.

Për të lehtësuar kalimin në kthesat e forta, qoshet e ndërtimeve zbuten me thyerjen karakteristike. Tipologjia e banesave është mjaft e larmishme, duke nisur me ato më të thjeshtat me kat e gjysmëkat, banesat e fortifikuara e deri tek komplekset ndërtimore. Elementët arkitektonikë të harqeve, qemerëve e qosheve të punuara janë përdorur mjaft dendur, duke u dhënë ndërtimeve pamje monumentale.

Emri i këtij fshati shfaqet për herë të parë në defterin përmbledhës të regjistrimit osman, në vitin 1431-1432, si pjesë e Himarës, ku figuron si një fshat i vogël me 22 shtëpi. Ndërsa dy shekuj më vonë në vitin 1693 ai shfaqet si një ndër fshatrat më të mëdhenj të zonës së Bregut të Detit. Banorët e këtij fshati kanë qenë shumë aktiv në rezistencën antiosmane të krahinës së Himarës.

Emri i Vunoit apo banorëve të tij shfaqet pothuajse në të gjitha letrat që zona u dërgonte kancelerive perëndimore për të lidhur aleancë kundër pushtuesve osman, duke nisur me letrën dërguar Papa Gregorit XIII në vitin 1577, e deri tek ajo drejtuar careshës ruse Elisabetës, në vitin 1759.

Duke qenë një nga qendrat më të zhvilluara të zonës së Bregut, me kontakte të vazhdueshme me botën perëndimore, banorët e këtij fshati ishin mjaft të emancipuar. Për këtë arsye ata ishin ndër të parët që u përfshinë në lëvizjen kombëtare, kontribuan në shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar, morën pjesë në Luftën e Vlorës dhe ishin pjesë e lëvizjes antifashiste në Luftën e Dytë Botërore.

Shumë nga personalitetet e spikatur në fushën e artit dhe kulturës, si dramaturgu Spiro Çomorra, shkrimtari i letërsisë për fëmijë Odhise Grillo, regjisori Dhimitër Anagnosti e aktori Robert Ndrenika e shumë të tjerë, janë me origjinë nga ky fshat./ATSH

Vunoi ky fshat i vendosur në një nga pjerrësitë e vargmalit të Çikës te mahnit me bukurite e tij Read More »

Tragjasi fshati piktoresk – Mes 100 fshatrave turistikë

Në Luginën e Dukatit, 20 km në jug të Vlorës ndodhet Tragjasi.

I shtrirë rrëzë malit të Lungarës i cili e mbron në dimër dhe e hijeshon gjatë verës është një nga perlat e turizmit shqiptarë.

Është një fshat piktoresk me monumente të Natyrës dhe të historisë.

Në Tragjas burojnë ujërat e  njohura të Tragjasit ( Izvori ) me rrepet shekullore.

Këto burime pasi mblidhen në një rrjedhë, krijojnë lumin e Izvorit i cili pas një rruge rreth 3 km, derdhet në detin Adriatik.

Janë tre fshatra të radhitur bukur, Dukat-Tragjas-Radhimë që bëjnë pjesë në bashkinë e Orikumit.

Ekonomia e Tragjasit dikur bazohej te blegtoria dhe bujqësia, por së fundmi, një drejtim i ri i ekonomisë duket se është turizmi edhe për shkak të bukurive natyrore, historisë së tij, por dhe të  distancës së vogël nga plazhet e Orikumit dhe Radhimës.

Fare pranë fshatit ndodhet  kalaja e Gjon Boçarit që është një atraksion për turizmin historik dhe atë kulturorë.

Fshati ka një histori  të lashtë sepse lidhet me qytetërimin e hershëm të Orikut.

Gjurmët e vendbanimit të lashtë janë shfaqur në qytezën e Sofës, ku janë shfaqur dhe tuma(varre) Ilire.

Akoma dhe sot  pranë Tragjasit të vjetër, gjendet një vend i quajtur “maja e qytetës”. Arkeologët kanë datuar rrënojat e disa ndërtimeve qysh nga shekulli i IV-VII para Krishtit.

Ky fshat ka qenë i njohur me disa emra si: Tregas, Dragjat, Tregasaj, Dragjiates.

Në antikitet ky vendbanim bënte pjesë në qendrat e fortifikuara të gjirit të Vlorës dhe lidhej me Orikumin.

U shkatërrua disa herë nga pushtuesit Osmanë e u rindërtua në shekullin XVI, ku ngre krye dhe kalaja e Gjon Boçarit.

Ndërtimi i saj është i lidhur me fisin e Boçarëve bashkëkohës të Skënderbeut. Banorët e këtij fshati kanë marrë pjesë aktive në jetën politike dhe ushtarake të periudhës së mesjetës, në kryengritjet antiosmane dhe më pas gjatë rilindjes kombëtare.

Në ditët e shpalljes së pavarësisë në 1912, Tragjasi ka qenë një bazë dhe një mbështetje e rëndësishme  për Ismail Qemalin në betejat e brëndshme politike që zhvilloheshin në Vlorë.

Ky fshat ka nxjerre burra të shquar me bëma patriotike dhe epike që kanë lënë histori edhe sot.

Vizitori apo turisti që ngjitet në Tragjas apo në krejt luginën e Dukatit, do të soditë jo vetëm natyrën e bukur me det e qiell, me burime ujore Monumente të Natyrës, por do të njihet  dhe me historinë e lashtë të tij, me Boçarët dhe kështjellën e tyre, me rrënoja e murrana që tregojnë historinë e kësaj lugine që së shpejti do të futet në investimet me prioritet të 100 fshatrave turistik shqiptarë. /a.g/

Tragjasi fshati piktoresk – Mes 100 fshatrave turistikë Read More »

Rama publikon shkrimin e “Boat International” për Shqipërinë: “Riviera e fundit”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka nisur mëngjesin e kësaj të diele me një shkrim dedikuar turizmit në Shqipëri.

“Mirëmëngjes dhe me këtë shkrim për Shqipërinë në revistën më prestigjioze të jahteve, Boat International, ju uroj një të diel të qetë”, shkruan Rama në Facebook.

Shkrimi i “Boat International”:

Riviera e fundit

Një vijë bregdetare e mbushur plot me plazhe me rërë të bardhë, zona antike, limane të fshehur, por nuk duket asnjë superjaht.

“Shqipëria ka qenë e fshehur nën hundën tonë gjithë këtë kohë”, thotë Tristan Rutherford, shkruan revista “Boat International” .

Në një park të mbuluar nga gjethet në Westminster në Londër, ambasadori shqiptar, Qirjako Qirko mburr aftësinë për jahte të Malit të Zi, një komb që pak persona mund të arrinin ta dallonin në hartë një dekadë më parë. Në të kundërt, zhvillimi detar i Shqipërisë është ende në hapat e parë.

Qirko dhe unë biseduam për brigjet e virgjëra, rihapjen e ishullit të Sazanit, një bazë ushtarake e izoluar për një shekull si dhe për mundësitë që mund të ofrohen nga vendi për jahtet.

“Ne jemi krejtësisht të hapur për këtë biznes. Por, në fillim duhet të shkoni ta shihni vetë”, përfundoi Qirko.

Për shkak të kësaj mora avionin që kalonte sipër Venecias dhe më pas vazhdonte drejt Istrias dhe ishujve Koranti në Kroaci. Aty shfaqen qindra jahte, që nga qyteti i Dubrovnikut, dukeshin si yje që këputen. Më pas vijon peizazhi perfekt i Gjirit të Kotorrit në Malin e Zi.

Në vitin 2006 e njëjta pamje magjepsi investitorin kanadez, Peter Munk kur fluturoi sipër bazës së braktisur të nëndetëseve në Tivat dhe vendosi të ndërtojë aty “Porto Montenegro”.

Ndërkohë që hyj në hapësirën ajrore shqiptare, shkëmbijtë gëlqerorë bien mbi plazh. Në zbritjen e fundit, sytë e mi tërhiqen në të djathtë ku, rreth 350 kilometra vijë bregdetare shumë pak e zhvilluar, kalon Sazanin dhe shkon drejt Korfuzit.

Kur mbërrin në ekstremin jugor të Shqipërisë, Korfuzi duket aq pranë sa që mund të arrihet duke notuar. Qiparisët e tij të lartë dallohen edhe një milje larg, në bregun shqiptar, ku rrënojat e Butrintit, të mbrojtura nga UNESCO-ja, rrethohen nga deti i kaltër.

Emri Rothschild, sinonim i një prej vilave më luksoze në Korfuz, peshon në të dyja krahët e bregut. Fondacioni “Butrint” i lordit Rothschild ndihmon në mirëmbajtjen e këtij muzeut të hapur.

Qyteti i rrënuar ka pritur më të mirën dhe të madhërishmen e Adriatikut për mijëra vite nga agoratë greke, te vilat romake dhe banjot bizantine. Kjo është Shqipëria, ku një pjesë e madhe është e pazbuluar dhe mbuluar nga bimësia, një zonë arkeologjike për Indiana Jones.

Hedh një gur në një pus që ende funksionon, ku kanë mbetur shenjat e litarëve në gurë pas mijëvjeçarësh përdorimi të vazhdueshëm.

I paduruar që të vizitoj bregun e Butrintit që rrihet nga dielli, marr një motoskaf.

Çmimi ishte 140 euro, duket shumë i lartë për këtë zonë, por e kuptova që kisha shtuar një zero. Ishte vetëm 14 euro, gjysma e çmimit të një koktejli në “Hôtel de Paris” në Monako, për të marrë anijen bashkë me kapitenin. Shqipëria është vërtetë një vend sa ekonomik aq edhe i paeksploruar.

Laguna që rrethon Butrintin me të drejtë është një park kombëtar. Poshtë varkës tonë lundrojnë qindra lloje peshqish. Kjo zonë pret gjithashtu më shumë se 250 lloje zogjsh, përfshirë çafka dhe bilbila uji që shoqërojnë varkën tonë drejt Korfuzit.

Gjatë regjimit të ashpër komunist të Shqipërisë, studentë të talentuar dolën vullnetarë për të zhvilluar gërmime arkeologjike në këtë rajon.

Ata mund të bëjnë banjo dielli në qetësi të plotë, të pinë duhan në kështjellën me pamje nga deti që është vizituar nga Lordi Bajron, dhe madje edhe të nxjerrin ndonjë amforë nga shtrati i detit kur të vijë momenti për të dorëzuar trofetë e gjetura

Në kthim drejt skelës së Butrintit, vëzhgoj të vetmit autobuza turistikë që ndesh përgjatë gjithë udhëtimit. Shifrat e vizitorëve flasin për një rritje me 20% në të dyja vitet 2016 dhe 2017, siç dëshmojnë statistikat në Kroacinë e viteve 1990.

Statistikat e rritjeve vjetore reflektojnë edhe mbërritje të superjahteve. Agjencia e jahteve dhe udhëtimeve, e cila gjendet në portin historik të Sarandës, së fundmi ka kaluar nëpër duar dokumentet për “SS Delphine”, një ish-anije 100-vjeçare e Flotës Detare Amerikane, 79 metra e gjatë, dhe “Barbara”, me një gjatësi prej 88,5 metrash.

“Jahtet, që sa vijnë e shtohen, hyjnë nga Korfuzi,” shpjegon Serani. “Nisja nuk është e vështirë por nevojitet një ndërmjetësues për të udhëzuar ku të ankorojnë apo të marrim me qera një makinë për të vizituar qendrat tona nën mbrojten e UNESCO-s që janë në Gjirokastër”.

Serani përmend një aeroport të ri afër Sarandës i cili pritet të vihet në punë në 2019. Ai do të tërheq jahtet ashtu si pista modeste e Tivatit rriti numrin e vizitorëve vetëm 160 milje detare larg nesh, në Malin e Zi.

Jahtet mund të ankorohen përgjatë bregdetit tonë përrallor, dhe në Orikum Marina 100 kilometra në veri, por një kompleks detar luksoz do t’i shtonte këtij vendi sa Toskana një magji të prekshme. Serani nxjerr iPhonin dhe më tregon një plan detar për portin e mallrave në Limion, vetëm dy kilometra në veri të qytetit, ku toka sapo ka nisur të gërryhet.

Kur të mbarojë, sipas parashikimeve, ai pritet të akomodojë jahte deri 120 metra të gjatë dhe perceptohet si çelësi që hap rrugën drejt kësaj vije bregdetare. Duke ndjekur këshillat për superjahte të ofruara prej Seranit si udhërrefyese, nisem drejt vijes bregdetare sipër Sarandës. Ankoroj në Qefal, i cili më ngjason me bregdetin e Amalfit 100 vite më parë.

Shkëmbinj të shkëputur nga njëri-tjetri rrethojnë plazhe të veçuar të cilat lagen nga deti i pastër Jon. Do justifikohesha nëse nuk do largohesha nga plazhi i Kakomesë, një plazh në formën e një gjysmë hëne më rërë të argjendtë, ku nuk mungon edhe një skelë e vjetër prej nga ku mund të kërcesh për në parajsë.

“Por, ne kemi nevojë për një port elitar”, shprehet ajo.

Megjithatë, unë zgjodha të ndjek rrugën e pelegrinazhit duke lënë pas dy manastiret e zbukuruar me afreske për të shkuar në plazhin e Krorëzës – dy harkore perfekte me rërë që do të përbënin kryelajm në Kroaci, Turqi apo Greqi. Këtu jam i vetëm në plazh. Isha në dijeni se sa qetësi ishte në këtë parajsë me rërë, kështu që i dhashë nën dorë një pronari të një plazhi atje rreth 10 euro për të më marrë në barkën e tij dhe për të më lënë në shtëpi pas një banjo dielli. Varka e tij e vjetër me motor 20 kuaj fuqi ndizet duke tërhequr një litar.

Mikrobuzi im i kampimit që zhurmon në perëndim të diellit, duke kaluar silurat sovjetike të gdhendura në shkëmbinj, do t’i bëjë miqtë e mi të jahtit që duan të shikojnë gjithçka, të mbyten në pije.

Më tutje drejt veriut qëndron një çudi akoma dhe më e madhe: gadishulli i fortifikuar i Porto Romanos – një Kep Ferrat francez në miniaturë që ka në majë një kështjellë veneciane që daton nga koha e luftës dhëmb për dhëmb në Adriatik mes anijeve veneciane dhe flotës osmane.

Vendqëndrimi është aq strategjik saqë kur udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov e vizitoi në 1959-ën, ai foli edhe për një bazë nëndetësesh.

I armatosur vetëm më një kajak, të marrë me qera dhe maskë, unë ndërmarr një sulm mëngjesi kundër bazës pa roje. Duhet t’i afrohesh me shpejtësi dokut të madh dhe më pas të përkulesh dhe lëvizësh në det pa qëllim. Brenda gjendet një katedrale betoni që mund të shërbejë si sfond për një film me Xhejms Bond. Jam shumë i druajtur për të bërë një zhytje të lirë, prandaj vozis për plot 100 metra derisa shikoj dritë vezulluese në anën tjetër të tunelit.

Ditë tjetër, tjetër pushtim i një ish-pike të fortë ushtarake. Ka qenë e ndaluar të shkoje në ishullin e Sazanit, një instalim ushtarak shumë sekret që nga koha e Luftës së Parë Botërore, por në 2017 u hap për turistët kureshtarë. Më një gjatësi prej pesë kilometrash është ishulli më i madh i pabanuar në të gjithë Mesdheun. Është i mbuluar nga pyje të dendura, ashtu si “Lufta e humbur” nga Jurassic Park.

Forcat special sovjetike dhe kineze lanë 2 800 bunkerë dhe kazerma, një hapësirë që tashmë është plotësuar nga shqiponjat që ngjiten lart si shigjetë dhe delfinët që kërcejnë. Meqë leja ime në Sazan më lejon të bëj vetëm një vizitë të shpejtë, udhëtimin tim e përfundoj me një ecje në këmbë drejt shtëpisë së shkatërruar të governatorit italian. Panorama detare ku Joni i kripur dhe i kaltër takon Adriatikun blu të bën të pyesësh veten se përse nuk ka jahte të tjerë që vijnë nga Italia, Kroacia, Mali i Zi apo Greqia?

“Ata vijnë”, thotë Nicolas Fry, menaxher i udhëtimeve me çarter në Camper & Nicholsons: “Në 2017, ne vumë re një rritje të popullaritetit. Fry pronotoi disa udhëtime çarter për në Shqipëri me Eclipse,” një anije 43 metra e pajisur me lodra eksploruese për një aventurë të pazakontë shqiptare.

“Klientët ia kaluan mirë”, tregon Fry, por ajo që mungon “është një port i klasit të parë i ndërtuar dhe i menaxhuar për superjahte”. Nuk është nevoja të pritet shumë për këtë. Fry thotë: “Kur pyet për Shqipërinë, më parë shiko se çfarë ndërtoi Mali i Zi në 10 vjet

Shkurtimisht, “Porto Montenegro” duhet të jetë model për zhvillimin e sektorit të jahteve në Shqipëri.

“Të huajt mund të ndërtojnë porte jahtesh në Shqipëri, një subjekt i legjislacionit vendas dhe duket se ka lëvizje në këtë drejtim. Në Kavajë, ka një propozim për një port jahtesh me 650 vende për jahte deri në 75 metra. I quajtur “Porto Albania”, projekti duket se ka marrë mbështetjen e kompanise zvicerane të zhvillimit “Finsec”. Ndërsa lidhur më zhvillimin në Limioni afër Sarandës, nuk ka një datë. Nëse merresh me këtë punë për zhvillimin e porteve të jahteve apo vetëm nëse mendon gëzueshëm për një plazh sekret të harruar nga turizmi botëror, atëherë e di ku të kërkosh.

Nuk do të jetë e largët dita, kur Shqipëria do të marrë vendin e duhur në qendër të skenës të xhiros verore të superjahteve.

Rama publikon shkrimin e “Boat International” për Shqipërinë: “Riviera e fundit” Read More »