Problematika

Fëmijëria mes plehrave; Të miturit që po rriten në landfillin e Durrësit (Video)

Dhjetëra fëmijë sigurojnë jetesën së bashku me familjet e tyre nga mbledhja e mbetjeve të diferencuara në Durrës.

Çdo ditë ata rendin pas makinave që transportojnë mbetjet e zonave përreth. Klevisi dhe tre anëtarë të tjerë të familjes së tij e sigurojnë jetesën përmes punës në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të zonës së Sukthit.

Prindërit e tij nuk punojnë. Familja nuk përfiton as nga skema e ndihmës sociale. E ka braktisur herët shkollën, ndërsa e motra është analfabete. E kanë të vështirë të thonë dhe sa para fitojnë nga puna në landfill.

-“Nuk dua të shkoj. Punoj këtu e me lekët marr ushqime për familjen. Na e prenë asistencën dhe e lashë shkollën”, shprehen disa prej fëmijëve. Ka dhe nga ata të cilëve dëshira për shkollën nuk u mungon. “Unë vij këtu kur mbaroj shkollën. Jam në klasë të shtatë. Fitoj 3500 lekë. Blej ushqime. Jemi 7 veta në familje. Vetëm babi punon në Maqedoni. Mami është e sëmurë.”

Në pamundësi për të gjetur alternativa punësimi, prindërit pranojnë që fëmijët të punojnë këtu për të siguruar të ardhurat për familjen.

“Nuk shkojnë në shkollë se nuk kanë ç’të hanë. Unë fitoj 2 mijë lekë në ditë. Tërë ditën të rrish këtu për 2 mijë lekë. Kjo nuk mjafton. As një çokollatë për fëmijët nuk blihet”, shprehet një banor i zonës.

Asnjë prej këtyre fëmijëve, nuk thotë se një pjesë të parave i përdor për të plotësuar dëshirat prej fëmije. Fëmijëria është një realitet i harruar për ta në frontin e parë të rrezikut që vjen nga ndotja.
Top Channel

Fëmijëria mes plehrave; Të miturit që po rriten në landfillin e Durrësit (Video) Read More »

10 vite tmerr me burrë të alkoolizuar e kumarxhi

Antoneta erdhi nga Pogradeci në Tiranë në fillim të viteve ‘90. Me bashkëshortin nisi një jetë të re. Të dy shisnin në treg për të fituar jetesën, por jeta e Tiranës i mësoi burrit të saj zakone të reja.

“Letra, loto shumë nëpër xhepa. Vinte lahej dhe nxirrte nga 3-4 dhe kur nuk fitonte pinte raki. I hyri në gjak bixhozi dhe po të mos luante, edhe sikur pesë lekë të kishte, ishte e pamundur. Po i lë, thoshte, por do t’i marr”, tregon ajo.

Loto dhe alkool e më pas dhunë ndaj gruas dhe djalit, atëherë 7 vjeç që e lajmëronte nënën kur futej në shtëpi në këtë mënyrë.

“Është i pirë më thoshte, por mos bëj shamata më thoshte djali. I vija bukën në tavolinë, e hidhte poshtë bashkë me tavolinën. Më ka rrahur shumë herë, nuk numërohen. Me shishe, grusht. Më ka bërë për spital, por i duroja dhimbjet në shtëpi. M’u ça nofulla njëherë dhe nuk më pushonte gjaku. Nuk e lajmërova policinë se më vinte turp”, rrëfen ajo mes lotësh.

Kaluan 10 vjet nën dhunë fizike, ankth e sherr.

“Më parë ta kisha marrë vendimin e të shkoja në gjykatë. Fëmijët nuk donin të rrinin me të, asnjëri. As i madhi, as i vogli. Më thoshte që unë do të vars, unë do të bëj…”, shton ajo.

Në gjykatë njohu edhe gra të tjera si ajo.

“Aty sikur u bëra me krahë kur kisha shoqe në gjykatë. Nuk isha e vetme për shkak të bixhozit, lotove e rakisë. Kur pinte më godiste dhe herë tregoja e herë jo. Doja ta falja, por më shumë lot sesa bukë kam ngrënë. Halle pa peshore”, deklaron ajo.

Nga stresi dhe jeta e vështirë kaloi disa sëmundje të rënda, por në fund arriti t’i mbijetojë si sëmundjes, ashtu edhe dhunës.

“Hoqa gjirin, i kisha hequr që të dy po ato strese të mos i kisha kaluar. Jo zemra, tensioni të gjitha nga streset që kam kaluar”, vazhdon ajo.

Ka një mesazh për gratë që po vuajnë atë që ajo kaloi.

“Të mos durojnë asnjë fije floku! Jeta një herë vjen. Një burrë pijanec e bixhozxhi, po nuk ndryshoi vitin e parë, të ndahet. Me punë i dilet mbarë çdo gjëje”, këshillon Antoneta.TCh.

https://youtu.be/VZoBkm6M5yQ

10 vite tmerr me burrë të alkoolizuar e kumarxhi Read More »

Kumari si droga! Psikologët: Krijon varësi

Besarda Taçi është psikologe klinike. Prej 5 vjetësh ka punuar në shërbimin e toksikologjisë dhe varësive në Piemonte të Italisë, ndërsa prej dy vjetësh drejton një qendër për shërbime psikologjike.

“Në Shqipëri ekziston multivarësia, pra nuk ka më individë që vijnë ekskluzivisht për varësinë. Ka persona që kanë varësi nga kokaina, alkooli dhe lojërat e fatit”, thotë ajo.

Psikologia trajton aktualisht 8 individë nga mosha 18 deri në 50 vjeç.

“Kam studentë që vijnë nga qytete të tjera dhe pridërit i kanë mundësitë ekonomike. Këta studentë nuk shkojnë nëër universitete, por mbyllen në kazino e Tiranës, ose individë që kanë pasur një biznes dhe e kanë humbur, ose individë që nën ndikimin e lëndëve narkotike humbasin gjithçka”, shton psikologia.

Besarda thotë se ndikimi që lojërat e fatit kanë në tru është i njëjtë me atë që shkakton droga.

“Depresioni i tyre është në nivele të larta, saqë nuk arrijnë dot më që të gjejnë një punë, të kujdesen për familjen dhe fëmijët e tyre. Pra janë persona që shprehen se kanë humbur çdo shpresë nga jeta”, vijon ajo.

Cili është identikiti i një personi të varur nga lojërat e fatit?

“Harron që ka familje, harron të ushqehet dhe nuk e ka më kontaktin ditën me natën. E gjithë jeta e tij përmbyllet në një vend ku ofrohen lojërat e fatit. Jetojnë nën trysni të madhe sociale e mendojnë edhe vetëvrasjen”, deklaron psikologia Taçi.

Varësia nga lojërat e fatit është një varësi pa substanca. Asgjë nuk është rastësi te lojërat e fatit.

“Makinetat që kanë shumë ngjyra, tinguj të përsëritshëm, ngjyra të forta, tinguj që krijon ndjesinë e nevojës, janë të gjitha të menduara për të krijuar një varësi tek truri i individit”, shprehet Besarda.

Psikologët thonë se varësia nga lojërat e fatit është patologji e sistemit familjar.

“Kërkesa e parë për ndihmë nuk vjen nga individët, por vjen nga familjarët. Është shumë e vështirë që një person që ka varësi nga lojërat e fatit të kuptojë që është i varur prej tyre”, shton psikologia.

Ajo sjell shembullin e kryetarit të Bashkisë së Isola D’asti në Itali i cili sa mori detyrën, duke qenë me profesion psikolog ndërmori një veprim drastik për lojërat e fatit.

“Vendosi që të mos ekzistojë asnjë makineri lojërash fati në një distancë prej 20 kilometra nga qyteti. Kjo do të thotë që individi duhet ta kërkojë, jo e kundërta që shteti ta ofron poshtë tek lagjja. Prania e makinerive është një tregues që shteti nuk po ruan shëndetin e individëve”, përfundon ajo.

Kumari si droga! Psikologët: Krijon varësi Read More »

Skandali në Vlorë, policia s’lejon izraelito-amerikanen të hyjë në shtëpinë e saj të uzurpuar (Video)

“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së martës një skandal në Policinë e Shtetit. Një shtetase shqiptare e amerikane, me kombësi hebreje, u ankua se Policia e Vlorës e shoqëron sa herë që tenton të futet në shtëpinë e saj, që e ka me hipotekë.

Rashel Sollomoni ka bërë 4 kallëzime penale në Policinë e Vlorës, kundrejt shtetasit Saimir Selimi. Sipas saj, ky shtetas i ka uzurpuar një apartament banimi në qytetin e Vorës, në Zonën Kadastrale 8.603, me adresë “Rruga Sadik Zotaj, godina 1.104, hyrja 1”, me sipërfaqe 73.4 metra katrorë, me pronarë Neti Loni Matathia dhe Rashel Loni Sollomoni.

Kallëzimin e parë e ka bërë në datën 23 mars 2018. Më pas ka bërë kallëzime në muajin prill dhe në muajin maj.

Ajo tregon se gjyshërit e saj kanë ardhur nga Greqia dhe janë vendosur në Vlorë. Pas mbylljes së kufijve, pas Luftës së Dytë Botërore, familja e saj qëndroi në Vlorë. Familja mori në administrim një apartament në Vlorë, të cilin e hipotekuan. Në vitet ’90, kur u hapën kufijtë, Rasheli dhe e motra, Neti, emigruan drejt Izraelit, ndërsa prindërit e saj një vit më vonë. Por, gjatë kësaj kohe, apartamenti i saj në katin e parë u uzurpua nga një familje, që dikur kishin qenë komshinj.

Familja e saj ka hapur disa procese gjyqësore në Gjykatën e Vlorës, Apel, e deri në Gjykatën e Lartë, ku rezulton se është bashkëpronare me të motrën e këtij apartamenti. Madje ka edhe një certifikatë pronësie të lëshuar më 13 dhjetor të vitit 2017, ku rezulton pronare. Ajo thotë se, sa herë që shkon në këtë apartament, Policia e Vlorës e shoqëron atë dhe jo personin që ia ka zënë.

Pas denoncimit, “Fiks Fare” shoqëroi zonjën në këtë apartament. Menjëherë sapo shkoi atje, ajo debatoi me personin që ia kishte uzurpuar, Saimir Selimin. Ai i tha të mos tentonte ta hapte, pasi do të lajmëronte policinë. I telefonoi ndërkohë policisë dhe i tha se ka ardhur sërish shtetësja në fjalë. Madje e fotografoi dhe ua dërgoi punonjësve të policisë. Nga ana tjetër, zonja Rashel kishte marrë masa për ta hapur shtëpinë, pasi kishte marrë me vete edhe një marangoz.

Pas disa momentesh, në vendngjarje mbërrin një agjent policie, i cili i kërkon zonjës Rashel të mos tentojë të hapë shtëpinë, pasi do ta shoqëronte në komisariat. Ai thërret një furgon policie dhe, bashkë me marangozin, i shoqërojnë ata në polici. Ndërkohë, për denoncuesin, policët u thanë atyre se do të vinte vet.

Gjatë kohës së shoqërimit, “Fiks Fare” kontaktoi me zëdhënësen e Policisë së Vlorës, së cilës i treguan për shoqërimin e zonjës Rashel Sollomoni. Ajo u përgjigj se “është proceduar penalisht për shkatërrim të pronës”.

Pas më shumë se tri orësh e shoqëruar, zonja u lirua. Edhe pse tha se u shoqërua vetëm ajo dhe marangozi, ndërsa denoncuesi erdhi vet. Në fund, izraelito-amerikania tha se apartamentin e ka me certifikatë pronësie. “Fiksi” kontaktoi sërish me zëdhënësen e Policisë së Vlorës, duke i bërë të ditur se zonja Rashel Sollomoni pretendonte se prona është e saj. Ajo iu përgjigj gazetarëve se “banesa është në pronësi të një shtetasi tjetër. Për pjesën e pronësisë, palët janë në proces gjyqësor në Gjykatën e Lartë, Tiranë”. Gazetarët e “Fiks Fare” i dërguan asaj të gjitha vendimet e gjykatave, nga Shkalla e Parë deri në Gjykatën e Lartë, ndërsa zëdhënësja u shkroi se “çështjet i ka Prokuroria si rast”.

“Fiksi” pyeti prokuroren e Vlorës, Flora Çela, e cila është koordinatore e informimit, e cila u tha gazetarëve se në vitin 2017 është regjistruar një procedim për falsifikim ndaj zonjës Sollomoni, por çështja është pushuar. Sipas saj, për kallëzimet e fundit për thyerje e dhunim banese, Prokuroria ka vendosur të mos fillojë hetime, pasi janë konflikte që zgjidhen në gjykatë. Në lidhje me kallëzimin e bërë nga zonja Sollomoni për vetëgjyqësi, prokurorja tha se çështja është ende në verifikim e sipër.

Pra, në të gjitha rastet, Prokuroria nuk po e heton zonjën Sollomoni për shkatërrim prone, siç pretendon Policia e Vlorës..Top Channel

Skandali në Vlorë, policia s’lejon izraelito-amerikanen të hyjë në shtëpinë e saj të uzurpuar (Video) Read More »

Nuk ka ndodhur më në Shqipëri që në kohën e zogut! Një lajm i hidhur sot për të gjithë ne

Të dhënat demografike po sinjalizojnë një situatë alarmante më shumë se ajo që pritej në zhvillimet e popullsisë në tremujorin e parë të vitit 2018.

Shtesa e natyrore për herë të parë ka hyrë në territor negativ të paktën qysh nga viti 1923 kur u bë censusi i parë zyrtarë i popullsisë, në kohën e Mbretit Zog.

Që nga ajo kohë popullsia Shqipërisë ka njohur vetëm rritje duke mos u ndalur edhe në kohën e luftës së dytë botërore, për të ndryshuar kah vetëm këtë vit (Shiko grafikun më poshtë).

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT për herë të pare vdekjet ishin me shumë se lindjet në tremujorin e parë të vitit. Gjatë tremujorit të parë 2018 lindën 5,669 persona dhe vdiqën 5,954, duke bërë që personat që u ndanë nga kjo jetë të ishin 285 më shumë se numri i foshnjave që erdhën në jetë.

Emigracioni i lartë dhe numri i pakët e lindjeve duket se kanë po e çojnë rënien e popullsisë në pikiatë më shumë se parashikimet.

Projeksionet e popullsisë 2011-2031 sipas skenarit të mesëm prisnin që shtesa natyre e popullsisë të ishte në nivel negativ në vitin 2023, ndërsa varianti optimist priste që  shtesa natyrore të ishte negative në vitin 2028. Por zhvillimet reale tregojnë se në të vërtetë ecuria e popullsisë në këtë mënyrë nuk është parashikuar as nga varianti me pesimist i eksperteve të demografisë.

Popullsia e vendit është futur në një tranzicion të vështirë që në kohën e perandorisë ku datojnë të dhëna zyrtare për popullsinë.

Statistikat e para zyrtare të popullsisë për Shqipërinë ishin regjistrimi i vitit 1923, kur vendi kishte gjithsej 823,000 banorë. Rritja e popullsisë u përshpejtua nga shpallja e pavarësisë në vitet 1912-1944 në 0.7% në vit. Kjo ishte pjesërisht për shkak se Shqipëria kishte nivelin më të lartë të lindjeve dhe shkallën më të ulët të vdekjeve në Evropë në atë kohë. Pas Luftës së Dytë Botërore, politikat e rritjes së popullsisë të ndjekur nga qeveria komuniste dhe një jetëgjatësi e madhe, nxitën një rritje vjetore prej 2.5 për qind për 45 vitet e ardhshme . Pas viteve 1990, popullsia tregoi një rënie mesatare prej rreth 0.3 për qind në vit, shkaktuar nga emigrimi. Në regjistrimin e vitit 2001, popullsia u zvogëlua në 3.023.000 nga afërsisht 3.3 milion në vitin 1990. (shiko më poshtë grafikun e ecurisë së popullsisë 1950-2015)

Numri i lindjeve në tremujorin e parë 2018 rezulton 5.669, duke shënuar një rënie prej 18,0 %, krahasuar me tremujorin e parë 2017. Numri i vdekjeve në tremujorin e parë 2018 rezulton 5.954, duke shënuar një rënie prej 12,3 %, krahasuar me tremujorin e parë 2017, teksa shtesa natyrore shënoi rënie me 285 persona.

Shtesa natyrore e popullsisë në 2011 ku u bë censusi i fundit ishte 15,761 individë, teksa në 7 vite më pas përkeqësimi ka qenë shumë i lartë. Në vitin 1990 shtesa natyrore e popullsisë ishte mbi 63 mijë persona.

Nëse marrin në konsideratë emigracionin atëherë  rënia e popullsisë në vendit tonë do të jetë më e shpejtë se të gjitha parashikimet edhe me pesimiste.  Nëse kufijtë do të ishin të mbyllur për 20 vitet e ardhshme, numri i lindjeve do të ishte rritur edhe më shumë deri në vitin 2020 në krahasim me parashikimin nga skenari i rritjes së lartë pavarësisht nivelit të ulët të lindshmërisë.

Emigrimi i vazhdueshëm dhe lindjet e pakta do ta rëndojnë këtë efekt strukturor në kufizimin e rritjes natyrore në të ardhmen. Migrimi ndërkombëtar neto manifeston një tendencë të kundërt me rritjen natyrore.

Situata nuk duket optimiste edhe sipas OKB-së. Organizata e Kombeve të Bashkuara në parashikimin e saj për popullsinë shqiptare sipas normës së fertilitetit parashikonte në Variantin pesimist që në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë. Ndërsa skenari normal parashikon që Shqipëria të popullohet me vetëm 1 milionë e 600 mijë banorë. Skenari optimist që parashikon emigracion zero dhe ecuri normale të normave të fertilitetit parashikon që popullsia e vendit deri në vitin 2100 të jetë 2 milionë e 800 mijë banorë, nga rreth 2,9 milionë që numërohen afërsisht aktualisht

Nuk ka ndodhur më në Shqipëri që në kohën e zogut! Një lajm i hidhur sot për të gjithë ne Read More »

Skandali/ 500 skllevërit e guroreve në Skrapar të pa siguruar, bëhen 100 denoncimet e para kundër firmës ilegale “Meta Shpk”

Kur reagonin, kërcënoheshin “me qetësi e dashuri”: “Rrini urtë, se u ikën buka fëmijëve, këtu e kemi pushtetitn ne (LSI)”! Skandali/ 500 skllevërit e guroreve në Skrapar të pa siguruar, bëhen 100 denoncimet e para kundër firmës ilegale “META Shpk”

Shkruan: Memo Aliaj

Megjithëse aktiviteti i tyre korruptiv si biznes dhe shkatërrues për mjedisin, u mbyll përfundimisht me urdhër të qeverisë, akoma nuk pushuar “zhurma” e guroreve të Ilir Metës në malet e Skraparit.
Përkundrazi, nga maja e atyre maleve të rrafshuara prej biznes-pisnesit të familjes presidenciale është dëgjuar dy ditë më parë, “sokëllima” rebeluese e 500 punëtorëve skellvër (siç i quan Monika), që shfrytëzoheshin në këto geto pune si të kohës së mesjetës.

Të bindur më në fund, se edhe çuarja e tyre në protestë si “delet” para zyrave të prefekturës me urdhër të Monikës e menaxhim të kryebashkiakut LSI-st të Beratit, “lolos” së saj Petrit Sina, skellvërit e gruroreve të Ilir Metës, braktisën “efendikoin” e tyre tashmë President Republike dhe i janë drejtuar shtetit, për të zgjidhur të drejtat e mohuara e të pa dhëna prej vitesh.

Sipas një lajmi nga Berati, 100 prej skllevërve të gruroreve të Skraparit, kanë zbritur përsëri me protestën e tyre në zyrat e Prefekturës, por këtë herë jo si “ushtarë” të familjes së “efendikoit” Meta, por si denoncues të tij.

Nëpërmjet një letre depozituar në Prefekturën e Beratit, ata sqarojnë se prej vitesh nuk u janë paguar sigurimet shoqërore e shëndetësore. Pagat mujore, u janë dhënë me bordero defterë bakalli “poshtë hijes së fikut”. Kjo paligjshmëri pagesash ilegale shpesh edhe me dy bordero false, njera e ulët për punonjësit dhe tjetra e lartë për efekt letrash, i nxiti të interesoheshin në Degën Rajonale të Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësore pr të parë nëse ishin në regjistrat e sigurimit dhe në Degën e Tatim Taksave, ku bizneset depozitojnë borderotë e pagave dhe detyrimet e sigurimeve për punonjësit. Rezulton, se ata nuk janë të siguruar prej vitesh.

Të shqetësuar për mos regjistrimin e viteve të punës për shkak të “punës në të zezë”, ata i kanë kërkuar Prefekturës që të ndërhyjë urgjent, për të detyruar institucionet ligjzbatuese, të sekuestrojnë pasuri nga llogaritë dhe çifliqet e pronarit të guroreve “Meta Shpk” dhe nga vlerat e tyre, t’u bëhen pagesat e detyrimeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

Pyetjes drejtuar disa punonëjsve, se përse nuk e kanë kërkuar më parë këtë të drejtë ligkore që lidhet me vjetërsinë e tyre në puynë, ata iu përgjigjën kështu: – “Sa herë e kemi kërkuar librezat me vitet e punës, të “fortët” që kishte lënë pronari Ilir Meta si shefa” në gurore, na kërcënonin me “qetësi e dasshuri”, duke na parlajmëruar: “Rrini urtë, se u fluturon buka e çiliminjve (fëmijëve) dhe nuk iu merr askush në punë, mbasi këtu (Skrapar) e deri në Urën Vajgurore e kemi pushtetitn ne (LSI)”!

Skandali/ 500 skllevërit e guroreve në Skrapar të pa siguruar, bëhen 100 denoncimet e para kundër firmës ilegale “Meta Shpk” Read More »

Bashkia Selenicë po punon për sistemimin e përroit “Otimë” dhe forcimit të argjinaturës

Bashkia Selenicë, ditë e shtunë dhe e dielë, në punë për përballimin e situatës së krijuar nga shirat ditët e fundit.

Si rezultat i shirave të rrëmbyeshëm në disa fshatra të Bashkisë Selenicë ka patur shkarje të disa rrugëve, dalje të përrenjëve nga shtrati si dhe erozion në disa toka bujqësore.

Drejtoria e Shërbimeve,Bujqësisë dhe Urbanistikës me mjetet dhe punonjësit e Bashkisë po punojnë njëkohësisht për normalizimin e situatës në disa njësi Administrative.

Në qendër të Bashkisë Selenicë po punohet për sistemimin e përroit “Otimë” dhe forcimit të argjinaturës.

Po kështu po vazhdon puna edhe në fshatin Shkozë.

Prezent në këto punime për situatën e krijuar ka qënë edhe kryetari i Bashkisë z.Përparim Shametaj.

Bashkia Selenicë po punon për sistemimin e përroit “Otimë” dhe forcimit të argjinaturës Read More »

Mëshira, bijë bastarde e etërve dinakë! Hidri, i shtati minator që humb jetën në galeritë e Bulqizës

Një 62 vjeçar humbi jetën nën një masiv gurësh në një nga galeritë e nxjerjes së kromit në Bulqizë paraditen e së premtes. Viktima e radhës në minierën e Bulqizës quhet Medi Hidri dhe sipas policisë “ishte duke kontrolluar frontin, (kur) është shembur një masiv shkëmbor i cili i ka shkaktuar vdekjen”.

Policia nuk bëri me dije në njoftimin paraprak, ashtu si edhe në raste të tjera, se cila nga kompanitë e menaxhonte galerinë- nga më shumë se 100 të tilla që operojnë në Bulqizë. Sipas saj, aksidenti ka ndodhur sërish në Zonën D. Policia thotë se “vijojnë hetimet në vendngjarje dhe po punohet të zbardhen shkaqet”.

Hidri është i shtati minator që humb jetën në galeritë e zonës së Bulqizës brenda 7 muajsh. Ndërkohë, megjithë pretendimet e autoriteteve për hetime, BIRN gjeti në disa shkrime të mëparshme se në shumicën dërrmuese të rasteve, faji u lihej viktimave dhe në pak të tjera kolegëve të tyre minatorë.

Gjatë dekadës së fundit, rreth 300 minatorë kanë humbur jetën në të gjithë vendin si pasojë e aksidenteve në miniera. Por pavarësisht bilancit tragjik të viktimave, asnjë drejtues kompanie nuk është ndjekur penalisht gjatë tre viteve të fundit nga Prokuroria e Dibrës.
Nga informacionet mësohet se kjo galeri administrohet nga Sajmir Mane, i cili në vend që të rrisë standardet e sigurisë shfaqet sikur bën bamirësi.

“Varfëria nuk është natyrore, ajo është e krijuar nga sistemi ku jetojmë i cili na detyron që parajsa e Samirit të jetë ferri jonë. Bamirësia jo vetëm që të varfëron po të çon në mizerje pasi të mbyll gojën për të kërkuar drejtësi me një pako makarona dhe krijon idenë që varfëria po zhduket, ndërkohë që ajo vetëm sa po thellohet.

Sot e vetmja mënyrë që mjerimi të zhduket është ORGANIZIMI, ku të gjithë bashkë t’i marrim privilegjet Samirit dhe t’i kthejmë në të drejta duke ndërtuar një shoqëri ku zhvillimi yt të jetë edhe zhvillimi jonë dhe anasjellta.

Sot në zonën D të minierës së Bulqizës është vrarë në punë minatori Medi Hidri. Kjo është fytyra e vërtetë e kapitalizmit dhe jo kjo foto.
Mëshira, bijë bastarde e etërve dinakë!”, shkruan aktivisti Kristjan Zoto.

Mëshira, bijë bastarde e etërve dinakë! Hidri, i shtati minator që humb jetën në galeritë e Bulqizës Read More »