Problematika

Në fshatin ku uji nuk shkon, por faturat aforfe po !

Banorët e Çervenit në Fier e mbushin ujin me kafshe shtëpiake nga fshati fqinje.

Rreth 200 familje paguajnë aforfe faturën e ujit te pijshëm edhe pse prej 7 vjetësh nuk furnizohen me ujë te pijshëm.

Faturat u shkojnë në derë por ujë nuk ka ndonëse janë vetëm 1 km larg stacionit të pompave nga ku furnizohet me ujë të pijshëm i gjithë qyteti i Fierit.

Në këto ditë të nxehta banorët e Çervenit kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për furnizimin me ujë të pijshëm./shqip

Në fshatin ku uji nuk shkon, por faturat aforfe po ! Read More »

Qendra e shërbimit shëndetësor në fshatin Bashaj të Vlorës, në kushte skandaloze

Qendra e shërbimit shëndetësor  në fshatin Bashaj të Vlorës  tërheq vëmendjen me paraqitjen e saj skandaloze.

Siç shikohet edhe nga pamjet, e gjithë ndertesa ka probleme.Në të gjithë infrastrukturën ndërtimore,jashtë dhe brenda saj, është jashtë çdo kushti teknik për të qenë një qendër shërbimi shëndetësore. Korridoret e saj janë mbuluar të gjitha nga lagështira , sapo hyn brenda ndihet era e mykut.

Banorët thonë se kushtet janë skandaloze dhe qendra ka vite në këtë gjendje , ndërkohë për një vizitë të thjeshtë që duhet të bëjnë, banorët u duhet të shkojnë në ambulancën qëndrore të fshatit. Askush nuk interesohet për ta vënë në gjendje pune, sipas kushteve që duhet  të ketë një  qendër shëndetsore

Qendra e shërbimit shëndetësor në fshatin Bashaj të Vlorës, në kushte skandaloze Read More »

I paguante sa per buke shqiptaret ,dhe i linte te jetonin mes minjve, kush është pronari shqiptar që u arrestua në Itali

Pak euro në orë, asnjë kontratë pune, ose ditë pushimi, të detyruar të jetonin midis minjve dhe insekteve në shtëpitë e shkatërruara me kanalizime të hapura. Kjo ishte ajo që u ofrohej shqiptareve nga sipermarresi i tyre po shqiptar, i cili u vu ne pranga nga policia italiane.

Agjentët e Skuadrës së Raguzës dhe të stacionit të policisë arrestuan shqiptarin me emrin Auglent Lalollarit, 33 vjeç, i cili akuzohet per shfrytezim dhe kushte skandaloze pune per 6 bashkeatdhetare te tij.

Ai po hetohet gjithashtu për vjedhjen e energjisë elektrike, marrjen dhe punësimin e punëtorëve të parregullt në vend.

Policia beri nje kontroll te befasishem ne fermen e tij, duke u skandalizuar nga kushtet e punes.

I paguante sa per buke shqiptaret ,dhe i linte te jetonin mes minjve, kush është pronari shqiptar që u arrestua në Itali Read More »

Çfarë po ndodh?! Greqia dëbon mijëra emigrantë shqiptarë, u ndalon hyrjen në territoin grek!

Policia greke ka njoftuar sot se sipas planit për trajtimin e emigrantëve të parregullt, për muajin maj janë dëbuar edhe 1,323 emigrantë të nacionaliteteve të ndryshme dhe u kthyen për në vendet e tyre e tyre nga kishin ardhur.

Për këta emigrantë është marrë vendimi për kthim dhe deportim në vendin e tyre me qëllim ndalimin e hyrjes në Greqi.

738 persona janë shqiptarë, 143 nga Iraku, 141 nga Pakistani, 45 nga Gjeorgjia, 42 nga Algjeri, 38 nga Turqia, 24 nga Afganistani dhe 20 nga Irani.

Shqiptarë të dëbuar në 5 muaj:

Janar-628

Shkurt-648

Mars-668

Prill-745

Maj-738

Në total në 5 muajt e parë të vitit 2018, janë kthyer 3.427 shqiptarë.

Çfarë po ndodh?! Greqia dëbon mijëra emigrantë shqiptarë, u ndalon hyrjen në territoin grek! Read More »

Shisnin ilaçe kontrabandë, ”Medikamenti” çon në pranga administratorin dhe punonjësen e farmacisë. Shpallet në kërkim drejtuesja teknike

Janë vënë në prangat e policisë një administrator I një pike farmacie, një farmaciste si dhe në kërkim është shpallur drejtuesja teknike, pasi shisnin mallra kontrabandë. Në kuadër të operacionit policor të koduar ‘’Medikamenti’’ nga Sektori për Krimin Ekonomik dhe Financiar, janë sekuestruar 520 medikamente dhe produkte farmaceutike të llojeve të ndryshme.

Njoftimi i plotë

Operacion policor i koduar “Medikamenti” nga Sektori për Krimin Ekonomik dhe Financiar.

Arrestohet administratori dhe punonjësja e farmacisë për kontrabandë produktesh farmaceutike, si dhe shpallet në kërkim drejtuesja teknike e farmacisë.

Sekuestrohen 520 medikamente dhe produkte farmaceutike të llojeve të ndryshme.

Më datë 12.05.2018, Sektori për Krimin Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Medikamenti”, arrestoi shtetasit :

– Julian Ll., 40 vjeç, banues në Tiranë (me detyrë administrator farmacie)

– E. P., 29 vjeçe, banuese në Tiranë, (me detyrë punonjëse farmacie)

Si dhe u shpall në kërkim dhe po punohet për ndalimin e shtetases:

– A. P., 66 vjeçe, banuese në Tiranë (me detyrë drejtuese teknike e farmacisë)

Shtetasit e mësipërm në një pikë farmacie në rrugën “Kongresi i Manastirit”, tregtonin dhe shisnin produkte farmaceutike kontrabandë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit”, parashikuar nga nenet 178, 180 dhe 149/a të Kodit Penal.

Shisnin ilaçe kontrabandë, ”Medikamenti” çon në pranga administratorin dhe punonjësen e farmacisë. Shpallet në kërkim drejtuesja teknike Read More »

Përmbytjet, plan masash për Vjosën, Bunën dhe lumin e Fushë-Krujës

Për të shmangur përmbytjet, qeveria po punon me dy projekte të rëndësishme që do të fillojnë zbatimin, për të shmangur përmbytjet nga lumenjtë Vjosa dhe Buna.

Kjo u bë e ditur nga Kryeministri i vendit, Edi Rama gjatë turit të llogaridhënies në qytetin e Durrësit, ku një banore nga Shijaku shprehu pakënaqësi lidhur me përmbytjet nga lumi Erzen duke kërkuar zgjidhje.

“Lumi ka 30 vjet që është inatosur nga gërryerjet, nga plehrat, nga qeset plastike, nga mbeturinat që na kanë sjellë në këtë gjendje. Nuk i bëjmë dot të gjitha dhe menjëherë. Për të bërë ndërhyrje në lumin Erzen kërkohet një investim shumë i madh dhe problemi është sa mbrohet ai investim. Ne po bëjmë dy projekte që do të fillojmë t’i zbatojmë për Vjosën dhe Bunën që përmbysin dynjanë”.

Rama tha se për të shmangur një nga faktorët që ndikojnë në përmbytjet, që janë mbeturinat dhe qeset plastike, për këto të fundit qeveria është e vendosur për ndalimin e tyre.

“Jam që të vendosim ndalimin e qeseve plastike në Shqipëri. Që e gjithë kjo katrahurë të ndalet dhe mbi të gjitha të ndalojmë shkatërrimin e mëtejshëm të së ardhmes të fëmijëve tanë. Kemi një situatë tjetër me lumin në Fushë-Krujë dhe aty prapë na duhet një ndërhyrje, do të bëjmë një financim aty”, – përfundoi Rama./ATSH

Përmbytjet, plan masash për Vjosën, Bunën dhe lumin e Fushë-Krujës Read More »

Mjeku shqiptar jep papritur informacionin mbi orizin! Ju të gjithë e hani kaq shumë, por ka diçka urgjente që duhet ta dini

Mjeku i njohur infeksionist Tritan Kalo na jep nje informacion te vlefshem lidhur me menyren se si duhet te konsumohet sidomos tani ne vere orizi. Ai shkruan ne nje postim ne rrjetet sociale se “orizi i sapoblerë përmban spore të Bacillus cereus-it, një bakter që mund të shkaktojë helmim nga ushqimi dhe që i mbijeton jo rallë edhe temperaturës së gatimit”.

Mjeku shqiptar jep papritur informacionin mbi orizin! Ju të gjithë e hani kaq shumë, por ka diçka urgjente që duhet ta dini Read More »

”S’ka arsye që të shpëton o i pangopur nga paratë, i babëzitur nga zilia dhe i pashpirt nga akti që kryen”

Sot nuk mund t’i gjej dot më një emër profesionit tënd. Tashmë ti lopatën e ke zëvendësuar me shiringë metali, gërshërën me agë të mprehtë dhe ujin e vaditjes me lëngje të helmuara që pompohen orë e çast.

Shkruan Andrea Danglli

Mbase ti nuk di mirë shkrim dhe këndim për të më lexuar drejt. Më saktë bën sikur je analfabet pasi frikesh të mësosh anën vrastare të punës që bën, ku në vend të gropave për të mbjellë fidanë, je shndërruar në varrmihës që hap tokën për të mbjellë kufoma.

Gjithsesi shpresoj që fëmija yt, ai për të cilin ti po punon dhe e sheh në dritë të syrit, të vijë aty tek sera e errët kur përgatit dozat e vdekjes, dhe me pafajësinë e një të mituri të t’i tregojë këto rreshta. (Uroj që ai mos të ta kuptojë kurrë maskarallëkun)

Dëgjo! Këtu nuk po flasim për një bujk të zakonshëm dhe as për një tregtar të rastësishëm, por fjala është për vrasës me pagesë… si ti.

Po mor po, fiks si ti që ashtu pa kuptuar ke marrë tiparet e një dose nëntoke dhe në vend të rrënjëve të bimëve, po kafshon pamëshirshëm kapilarët e jetës së qindra njerëzve të pafajshëm që blenë prodhimet e tua.

Sot nuk mund t’i gjej dot më një emër profesionit tënd. Tashmë ti lopatën e ke zëvendësuar me shiringë metali, gërshërën me agë të mprehtë dhe ujin e vaditjes me lëngje të helmuara që pompohen orë e çast.

Ti mendon gabim kur thua se nëse lahen frutat dhe perimet, atëherëpesticidet zhduken. Ato janë aty, potencialisht toksike për ne konsumatorët.

Qasja Ndërkombëtare Strategjike për Menaxhimin e Kimikateve (SAICM ), i ka të përcaktuara normat dhe standardet që duhet të ndjekësh, por ti s’ke faj që nuk t’i kanë sqaruar dhe ndaj konkurron kaq pandershmërisht tregun.

E di ç’thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë në raportet e saj mbi pesticidet që media dhe  institucionet përkatëse përtojnë t’i përkthejnë?

Dhjetëra toksikologë kanë arritur në përfundime se shkaktojnë tumore të ndryshme, mutacione në gjene, sterilitet, dëmtime në tru, ndikojnë mbi sistemin imun, sjellin diabet, lindin autizëm dhe reflektojnë 1001 dëmtime të tjera në organizëm. Ke informacion për këto apo ke mësuar përmendësh veç ditët që i duhen një sallatori për t’u rritur shpejt?

Ekzistojnë, dhe ndryshe nga ti që gatuan lëngata për fëmijët e të tjerëve, askush nuk do që vogëlushi yt të kishte ndonjë nga këto sëmundje të tmerrshme. (Largqoftë)

Ne të gjithë e pranojmë me keqardhje që demek-demokracia jonë 28 vjeçare, historikisht ka hapur këmbët ndaj çdo politike bujqësore, duke e shndërruar këtë sektor në humnerë ekonomike.

E dimë që edhe shtigjet e tregut janë kyçur babëzisht dhe djersa e fermerëve herë pas here përfundon nëpër ujëra kanalesh pa pasur mundësi të përkthehet në të holla.

Gjithashtu dimë për naftën, për ujin, farën, stërmundimin dhe vlerësimin që në fund prodhojnë veç hambarë të mëdhenj zhgënjimi.

Këto i njohim mjaft gjerë, por ama as njëra dhe as tjetra s’janë justifikim që ti o katil i paditur të vrasësh nënat, baballarët, motrat, vëllezërit dhe fëmijët tanë që sot kërkojnë të hedhin shtat mbi tokë dhe jo të numërojnë centimetrat nën të.

Nëse je i zemëruar me “pushtet-tarët” tanë 28 vjeçar, (ashtu si unë) sille zetorin me prodhime dhe t’ia flakërijmë bashkë nëpër oborre. Silli këtu domatet e pashitura t’ipërplasim mureve tëkryeministrisë, patëllxhanin stok ta hedhim fasadave të Bujqësisë, kungullin t’ia derdhim Mjedisit, trangujt t’ia lemë në derë Infrastukturës dhe kalbësirat e djeshme t’ia vërvitim forcave opozitare që gjithashtu janë pjesë e skemës së falimentimit të fermerit.

Kjo formë proteste na nderon më tepër se sa rruga e skëterrshme ku ke zgjedhur të ecësh duke përfituar se agjencitë e paguara nga taksat tona s’kanë as kapacitete, as seriozitet dhe as vullnet për të të penguar.

Sot dhe nesër s’ka argument qëta justifikon mëkatin,pasi serën tënde dale-nga-dalë e ke shndërruar në një morg të kobshëm ku arkat që duhen mbushur me prodhime të freskëta bimore, i konsideron si arkë-morte bosh që do mbushen me njerëz prej gjaku e prej mishi.

S’ka arsye që të shpëton o i pangopur nga paratë, i babëzitur nga zilia dhe i pashpirt nga akti që kryen.

Vendosa të të shkruaj këto reshta ku edhe pse mendoj që e ke helmatisur shpirtin tënd para se të helmosh organizmin tonë, besoj se do gjesh ndonjë grimcë përgjegjësie para fëmijës për të mos ja bërë tjetrit atë që nuk do dëshiroje të ta bënin ty.

Ndaj para se t’i skuqësh domatet artificialisht, mendo se po i skuq me gjak vogëlushësh dhe po i shpëlan me lot prindërish nëpër korridore spitalesh.

Jepi fund marrëzisë, para se ajo të ulet këmbëkryq edhe në sofrën tënde!

”S’ka arsye që të shpëton o i pangopur nga paratë, i babëzitur nga zilia dhe i pashpirt nga akti që kryen” Read More »