Problematika

Mafia e tokave, pandëshkueshmëria në Hipoteka ndihmon përhapjen e korrupsionit me pronat

Gjatë tre viteve të fundit në Shqipëri janë regjistruar qindra çështje penale për tjetërsim të paligjshëm të pronës publike dhe private, por prokuroritë dhe gjykatat janë treguar të buta ndaj zyrtarëve të Zyrave të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme dhe ALUIZNIT, duke thelluar më tej pandëshkueshmërinë dhe korrupsionin.

Me 31 maj, Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në prokurori shtatë ish-regjistrues, katër specialistë dhe një ish- specialist të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ZVRPP, Elbasan, të dyshuar për shpërdorim detyre pas një auditimi të ndërmarrë në këtë institucion.

Zyrtarët dhe ish-punonjësit e ZVRPP-së Elbasan akuzohen se kanë kryer regjistrime të pasurive në objekte arkeologjike pa dokumentacionin e duhur ligjor, regjistrime me dokumente të parregullta dhe ndryshime nga zëri kadastral “liqen” dhe “rrugë” në kullotë dhe truall, si dhe regjistrim pasurie shtetërore pa dokumentacionin ligjor për një sipërfaqe totale toke prej 232,931 metrash katrorë. Të njëjtët punonjës gjithashtu dyshohet se kanë shmangur procedurat ligjore për arkëtimin e 257 milionë lekëve [2 milionë euro] të ardhura, të cilat mungojnë në arkën e shtetit.

Kallëzimi i bërë nga KLSH ndaj punonjësve të ZVRPP Elbasan nuk është rast i izoluar. Të dhënat e siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtë informimi tregojnë se gjatë 4 viteve të fundit, KLSH ka kallëzuar në prokurori qindra punonjës të ZVRPP-ve dhe ALUIZNIT – që rankojnë nga ish drejtorë e deri në specialistë në terren, të akuzuar se nëpërmjet shpërdorimit të detyrës i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej qindra milionë lekë.

Kallëzimet për zyrtarët e ZVRPP-ve nuk vijnë vetëm nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por edhe nga qytetarët dhe institucionet e tjera. Sipas të dhënave të mbledhura nga BIRN në Prokurori, gjatë të njëjtës periudhë ka pasur qinda kallëzime ose procedime penale të iniciuara nga organi i akuzës, nga të cilët me shumë se gjysma janë pushuar dhe vetëm ¼ janë dërguar për gjykim.

Në fund, nga qindra kallëzime vetëm dy persona janë dënuar.

Numri i lartë i çështjeve dhe masat e pakëta dhe të lehta të dënimit konfirmohen dhe nga prokurorët, të cilët propozojnë ashpërsim të politikës penale për çështjet e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve të pronave, si dhe hetim pasuror për zyrtarët e shpallur fajtorë nga gjykata në bazë të ligjit anti-mafia.

Për papërgjegjshmërinë e zyrtarëve të institucioneve që merren me regjistrimin e pronave si dhe pandëshkueshmërinë nga organet ligjzbatuese ankohet edhe KLSH-ja, e cila nënvizon që vetëm në pak raste, kallëzimet e saj ndiqen nga Prokuroria.

Korrupsioni me pronën

Gjatë regjimit komunist në Shqipëri, tokat u konfiskuan dhe i kaluan në pronësi të shtetit, një princip i konsoliduar në kushtetutën e vitit 1976. Pas rënies së regjimit në vitin 1991, në kushtet e një krize ekonomike të thellë, parlamenti abrogoi Kushtetutën e regjimit dhe miratoi ligjin ‘Për principet kushtetuese’ – i cili u njoh si ligj bazë deri në miratimin e Kushtetutës së vitit 1998. Ky ligj garantonte të drejtën e pronës private dhe e shtynte shtetin të ndërtonte marrëveshje duke u bazuar në principet e ekonomisë së tregut.

Gjatë viteve 1991-1992 u miratuan tre ligje të cilën iniciuan transferimin e pronës shtetërore te qytetarët dhe personat juridik – më i njohuri mes tyre ligji nr. 7501 ‘Për tokën’, që i kalonte tokën e kooperativave dhe fermave bujqësore familjeve. Në vitin 1993, këtyre ligjeve iu shtua dhe ligji “Për kthimin dhe kompensimin e pronës,” që synonte të kthente prona të sekuestruara nga regjimi komunist ish- pronarëve.

Gjatë dy dekadave në vijim këto ligje u amenduan disa herë, ndërkohë që zbatimi i keq i tyre dhe vendimet shpesh arbitrare të gjykatave sollën konflikte dhe korrupsion për shkak të pronës. Në të njëjtën periudhë, lëvizja e popullsisë nga zonat rurale në ato urbane si dhe mungesa e planeve vendore të zhvillimit, solli ndërtimin e qindra mijëra ndërtimeve pa leje, të cilat e komplikuan edhe më shumë çështjen e pronës private. Tre institucionet kryesore që u mandatuan të administrojnë transferimin, regjistrimin dhe legalizimin e pronës ishin Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Agjencia e Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, ALUIZNI.

Si rrjedhojë e situatës së trashëguar, sot shkelja e të drejtave të pronësisë konsiderohet një problem serioz për qytetarët, zhvillimin e ekonomisë dhe shtetin ligjor në Shqipëri.

Të dhënat e siguruara nga BIRN nga Kontrolli i Lartë i Shtetit tregojnë se vetëm gjatë viteve 2013-2016 dhe 6 mujorit të parë të vitit 2017, institucioni më i lartë publik i auditimit kallëzoi penalisht 187 zyrtarë të zyrave vendore të regjistrimit të pasurisisë dhe ALUIZN-it, të akuzuar se i shkaktuan shtetit një dëm ekonomik prej 932.9 milionë lekësh. Për të njëjtat shkelje, KLSH dha 129 masa për largim nga puna.

“Shkeljet ndodhin për shkak të stafit jo të trajnuar, por dhe njerëzve që punojnë në këto institucione, që mesa duket janë vullnetarë për çdo firmë që hedhin, se sa përgjegjës për detyrën që bëjnë, “ shpjegoi Ermal Yzeiraj, drejtor i departamentit juridik në KLSH.

BIRN gjithashtu iu drejtua me një kërkesë për të drejtë informimi të gjithë prokurorive të rretheve gjyqësore në vend, duke kërkuar informacion mbi çështjet e regjistruara për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre të regjstruara ndaj zyrtarëve të ZVRPP-ve gjatë periudhës 2013-2016.

Në total 11 prokurori iu përgjigjën kërkesës për informacion, duke njoftuar se gjatë kësaj periudhe u regjistruan 210 procedime penale me 83 të pandehur. Nga këto procedime, 135 u pushuan dhe 43 çështje u dërguan në gjykatë. Deri më tani janë regjistruar 2 dënime dhe një pafajësi. Prokuroria me më shumë çështje të regjistruara kundër zyrtarëve të ZVRPP-së është ajo e Vlorës me 137 procedime.

Shumë nga këto kallëzime janë bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por KLSH ankohet se shumica e kallëzimeve të dorëzuara në prokurori gjatë viteve të fundit janë pushuar.

“KLSH ka depozituar shumë kallëzime, ku pak nga këto kallëzime janë ndjekur nga prokuroria, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre është pushuar, raste këto që ne si institucion i kemi ankimuar të gjitha në gjykatë,” tha Yzeiraj.

“Shumë kallëzime janë kryer edhe për nëpunës të ALUIZN-it, të cilët në shumë raste kanë abuzuar me detyrën,” shtoi ai.

Ashpërsimi i dënimeve

Rezultatet e dobëta në luftën kundër korrupsionit me pronën nuk njoftohen vetëm nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por gjithashtu pranohen edhe nga organi i akuzës.

“Kemi shumë raste të zyrtarëve që kanë abuzuar me detyrën e tyre, dhe si përfundim, nëse janë dënuar, janë dënuar me masa të lehta penale,” shprehet Besnik Muçi, prokuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.

Muçi shton se për shkak të gjithëpërhapjes së krimeve me pronën, është e nevojshme të amendohet Kodi Penal për të ashpërsuar masat e dënimit për këtë lloj vepre penale.

“Unë personalisht jam për shtimin e një dispozite tjetër, tek neni për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumentave”, duke qartësuar se nëse këto vepra kryhen me qëllim tjetërsimin e pronës së individit apo të shtetit, duhet të jetë një dënim më i madh me burg, dënim i cili duhet të përllogaritet në masën e dënimit të shkaktuar nga zyrtari që kryen veprën penale,” tha ai.

Kolegia e tij nga Kruja, Mirela Kapo, e cila ka hetuar një çështje ndaj dy zyrtarëve të ZVRPP Krujë, e cila është në fazën përfundimtare të gjykimit, shprehet më pesimiste ndaj efikasitetit të ashpërsimit të masës së dënimit.

Kapo i tha BIRN se vetëm ashpërisimi i dënimeve nuk do të sillte zgjidhjen e problemit, duke sugjeruar se është e nevojshme që zyrtarëve të dyshuar duhet t’i hetohet edhe pasuria.

“Nëse një drejtues hipoteke apo zyrtar i këtij institucioni kryen veprime të kundraligjshme me qëllim tjetërsimin e mijëra metrave katrorë, siç ka ndodhur në disa zona të vendit, në bregdet e zona malore, nuk e ka problem të qëndrojë disa vite në burg apo qoftë edhe me masa ndaluese në arrest shtëpie. Kjo pasi tjetërsimi i mijërave metrave katrorë tokë, automatikisht ka dhe një përfitim të konsiderueshëm,” u shpreh ajo.

“Ajo që është më e rëndësishmja për hetimin e kësaj kategorie zyrtarësh është verifikimi i pasurisë së tyre. Për të goditur këtë shtresë unë jam me parimin “ndiq paranë”,pasi kjo është mënyra e vetme për t’i frikësuar, duke i vënë saksione mbi pasurinë,” shtoi ajo.

Besnik Muçi nënvizon se në draftin origjinal të ligjit antimafia përfshihej dhe vepra penale e shpërdorimit të detyrës, por ky parashikim u hoq gjatë procesit legjislativ.

“Shpërdorimi i detyrës si vepër, thuajse u fut në dispozitat që do hetonte ligji antimafia në kohën kur ky ligj diskutohej në komisionet parlamentare, por në momentet e fundit kjo dispozitë u hoq dhe nuk është diskutuar më në këtë pjesë,” tha Muçi.

“Nëse një kryetar hipoteke apo një jurist dhe inxhinier topograf në hipotekë shkel ligjin dhe bën shpërdorim detyre duke ia hequr pronën njërës palë dhe duke ia dhënë një tjetre, nuk besoj se e bën pa përfituar një të mirë materiale,” shtoi ai.

Sipas Muçit, ndryshimet e fundit të Kodit të Procedurës Penale parashikojnë që i dëmtuari të bëhet palë në gjyqin penal, çfarë e ndihmon të kërkojë rikthimin e pronës së tjetërsuar.

“I dëmtuari do kërkojë pronën në anën proceduriale civile, ndërsa prokurori në atë penale. Të dyja bashkë këto tani janë ndërthurur me njëra-tjerën dhe kjo është një gjë e mirë, që gjykata njihet me shkeljet dhe jep vendim edhe penal, por edhe civil, duke i rikthyer pronën që i është rrëmbyer individit,” tha prokurori i Krimeve të Rënda.

“Një gjë e tillë duhet të ndodhë edhe me shtetin, kur i dëmtuar është vetë ai. Shumë raste kemi dëgjuar kohët e fundit që pronat e shtetit në bregdet janë grabitur. Në këto raste, Avokatura e Shtetit duhet patjetër të bëhet palë në proceset penale që prokuroria do zhvillojë, duke kërkuar dhe mbrojtur interesat e shtetit,” përfundoi Muçi.

Mafia e tokave, pandëshkueshmëria në Hipoteka ndihmon përhapjen e korrupsionit me pronat Read More »

‘Ministri dhe deputeti na grabitën pronat në Karaburun’/I moshuari përlotet para KPK: S’morëm drejtësi

Një i moshuar nga Vlora denoncoi sot përpara KPK-së, gjyqtaren e Apelit të Vlorës, Brikena Ukperaj, e cila sipas tij nuk bëri drejtësi për dosjen e pronave të Karaburunit. Isuf Bodo, 76-vjeç, pretendon se pronat i janë marrë padrejtësisht, ndërsa akuzon se të përfshirë në këtë aferë janë një ministër dhe një deputet. I moshuari nuk i mbajti dot emocionet teksa komisioni i Vettingut mbylli seancën dëgjimore me gjyqtaren, fati i të cilës do vendoset në 25 qershor.

90% të jetës ne i kemi kaluar pa gjumë për pronësinë në Kaburun. Përballë nesh janë falsifikatorët, Pëllumb Petriti ka gjetur një varrmihës në Vlorë dhe i thotë hajde se ke prona, e çon tek noterja që quhet Blerina Serja. Jo merr firma nga qytetarët. Unë nga natyra nuk kam vrarë asnjë mizë, por as nga Vettingu nuk mora drejtësi. Në vitin 2012 me falsifikim Pëllumb Petriti më mori 220 hektarë tokë në Karaburun dhe u dënua vetëm me 4 vjet burg, prokuroria kërkoi 21 vjet, dhe ai akoma vazhdon si sekser.

Edhe kjo gjyqtare nuk dha drejtësi. Ata që kanë falsifikuar janë deputetë, janë me emra, janë ministra. Njëri është deputet dhe njëri është edhe ministër. I jemi drejtuar edhe Kryeministrit për problemin e pronave. E gjeni fare mirë juve se kush janë. Mua më ka ndodhur një fatkeqësi dhe nuk do vazhdoj t’i sjell fatkeqësi familjes time. Ne kërkojmë pronësinë tonë. Beteja jonë është përballë falsifikatorëve. Nga Komisioni i Vettingut ne presim drejtësi, vetëm kaq.

Isuf Bodo, denoncues i skandalit të pronave në Karaburun
Familja Bode i bëri thirrje Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që të shkarkojnë gjyqtaren e Apelit të Vlorës, Brikena Ukperaj.

‘Ministri dhe deputeti na grabitën pronat në Karaburun’/I moshuari përlotet para KPK: S’morëm drejtësi Read More »

Fshati i mallkuar që “noton” në naftë! Nëse katastrofa nuk ndalet, fshati rrezikon të fshihet nga harta

Në Kocul të Selenicës shumë banesa po shkatërrohen. Tërmetet, por më së shumti shembjet e tokës, shkaqet e të cilave janë të shumta, i kanë bërë të pabanueshme disa prej tyre.

Për të shkuar në fshatin Kocul nga qyteti i Vlorës të duhen 1 orë e 30 min, edhe pse nuk është më shumë se 30 km larg. Rruga e shkatërruar e vështirëson mbërritjen në këtë fshat me 150 shtëpi. Por rruga, përballë dramës që të shfaqet në shtëpitë e fshatit, duket të jetë problemi më i vogël.

 

Një problem shqetësues është edhe shembjet e banesave. 5 banesa janë shembur, dhe më shumë se 30 të tjera janë të pabanueshme nga dëmtimet, çarjet e mureve dhe themeleve kanë detyruar banorët të largohen dhe të strehohen tek të afërmit e tyre .

Koculi shtrihet në një zonë të pasur me naftë si dhe pranë minierës së Selenicës. Por ajo çfarë duhet t’i jepte begati zonës, duket se është kthyer në një mallkim.

Banorët fajësojnë shfrytëzimin pa kriter të këtyre burimeve nëntokësore për demet. Nëse katastrofa nuk ndalet thonë ata, fshati rrezikon të fshihet nga harta.

Fshati i mallkuar që “noton” në naftë! Nëse katastrofa nuk ndalet, fshati rrezikon të fshihet nga harta Read More »

Moti i keq në Fier shkakton defekt në sistemin elektrik, qyteti pa ujë të pijshëm

Moti i keq në Fier ka shkaktuar dëme në sistemin elektrik, ndërsa qyteti ka ngelur pa ujë të pijshëm.

Si pasojë e erës së fortë, ka pasur dëmtime të linjave të tensionit të lartë dhe të mesëm, linja që furnizojnë me energji elektrike stacionin e pompimit të ujësjellësit të Fierit në Kafaraj.

Raportohet se grupet e punës së OST dhe OSHEE ndodhen në terren, për riparimin e defekteve.

Moti i keq në Fier shkakton defekt në sistemin elektrik, qyteti pa ujë të pijshëm Read More »

Në Koculë të Selenicës, fshatit mes naftës dhe varfërisë !

Në Kocul të Selenicës shumë banesa po shkatërrohen. Tërmetet, por më së shumti shembjet e tokës, shkaqet e të cilave janë të shumta, i kanë bërë të pabanueshme disa prej tyre.
Për të shkuar në fshatin Kocul nga qyteti i Vlorës të duhen 1 orë e 30 min, edhe pse nuk është më shumë se 30 km larg.

Rruga e shkatërruar e vështirëson mbërritjen në këtë fshat me 150 shtëpi. Por rruga, përballë dramës që të shfaqet në shtëpitë e fshatit, duket të jetë problemi më i vogël.

Një problem shqetësues është edhe shembjet e banesave. 5 banesa janë shembur, dhe më shumë se 30 të tjera janë të pabanueshme nga dëmtimet, çarjet e mureve dhe themeleve kanë detyruar banorët të largohen dhe të strehohen tek të afërmit e tyre .

Koculi shtrihet në një zonë të pasur me naftë si dhe pranë minierës së Selenicës. Por ajo çfarë duhet t’i jepte begati zonës, duket se është kthyer në një mallkim.

Banorët fajësojnë shfrytëzimin pa kriter të këtyre burimeve nëntoksore për demet. Nëse katastrofa nuk ndalet thonë ata, fshati rrezikon të fshihet nga harta./t.ch

Në Koculë të Selenicës, fshatit mes naftës dhe varfërisë ! Read More »

Raiffeisen Bank masakron shqiptarët, ja si na mban jashtë Evropës banka më e madhe në Shqipëri, operon me dy standarde me bankën “mëmë”

“Raiffeisen” është e para bankë europiane që ka hyrë në vendit tonë, duke ngjallur shpresa të mëdha tek shqiptarët se do të ofronte një shërbim po aq europian sa në vendin e origjinës së saj. Mirëpo a e vendosi kjo bankë standartin dhe çfarë shërbimi ofron aktualisht? Përgjigjen e jep gazetari i ekonomisë, Bardhi Sejdarasi, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Ja çfarë përcjell Sejdarasi nëpërmjet tekstit të mëposhtëm:

“…Ndonjë dekadë e ca më parë, me kolegë gazetarë vizituam selitë e dy prej bankave të njohura europiane: OTE dhe RZB, pra “Raiffeisen Bank”. Ishte koha kur shitej banka me e madhe shqiptare, Banka e Kursimeve, dhe qeveria e kohës kërkonte një blerës!

Ne, gazetarëve na u duk më “europiane” RZB dhe shkruam për këtë në mediat ku punonim.
Po në fakt banka që spikatëm nuk e di se sa europiane u bë në Shqipëri! Unë jam klient i hershëm i saj, madje me status “gold” ose Premium! Që do të thotë se kam disa favore!

Jam jashtë vendit! Shkoj të ushqehem dhe dua të paguaj si europianët, me kartë krediti! Por RZB ime nuk funksionon! PIN gabim thotë ATM portative?! Kontrolloj zarfin, ku RZB më kishte shënuar kodin sekret! Isha ekzakt, nuk kisha gabim! Njeriu përballë po me shihte me dyshim! Isha shqiptar, karta e kreditit nuk paguante dot!? Vij Në Shqipëri, shkoj në bankë dhe provoj PIN. Gabim thotë RZB! E provoj pas pak: tani tjetër gjë: limiti për futjen e PIN u tejkalua!

E pamundur të kuptohesh me RZB dhe të marrësh paratë e tua!? Shikoj zarfin e RZB, PIN i ri ishte shënuar në 27 Mars 2018! Tani RZB kërkon PIN të ri tjetër, dmth 7 mijë lekë të tjera shërbim për të marrë PIN tjetër. Dhe duhet të shkosh ku ke nxjerrë kartën e kreditit për herë të parë! Askund tjetër! Mendo psh të kesh ndryshuar vendbanim! Nuk do t’ia dijë RZB e Shqipërisë!

Një njësi e re në rrugën Teodor Keko! Një shërbim mjeran! As një kasë e thjeshtë për të prerë kuponin e rradhës, por ose shty me bryla, nëse ke fuqi, ose miqesohu me rojen të përfitosh! Paçka se je klient “gold” me demek!

Kjo bankë që fiton miliarda (për shkak të profesionit, unë e di se sa) nuk arrin të blejë një kasë kuponash për të mbajtur rradhën…

Raiffeisen Bank Albania, çfarë keqardhje për një shërbim të munguar, madje edhe abuzues! Imagjino çfarë ndodh me “jo goldët!?”

RZB europiane po bëhet dalëngadalë thjesht RZB shqiptare! Ndjehem keq kur kujtoj se çfarë pashë në RZB mëmë dhe çfarë shoh sot e gjithë ditën në RZB bijë! Në Tiranë! Fuck RZB!”./Pamfleti

Raiffeisen Bank masakron shqiptarët, ja si na mban jashtë Evropës banka më e madhe në Shqipëri, operon me dy standarde me bankën “mëmë” Read More »

Skandali me pronat tek Rana e Hedhun, organizatori i skemës: “Janë shpërndarë për 50 mijë lekë e një gotë raki”

Lek Frroku i akuzuar si organizator i skemës së tjetersimit të pronave në zonen e Ranës së Hedhun në Shëngjin, ka pranuar se tokat në Shëngjin janë shpërndarë nga ish zyrtarë shtetërorë për 50 mijë lekë ose siç tha ai “për një gotë raki”. Frroku tha se ai dhe pjestaret e tjerë të familjes së tij e kanë blerë këtë prone dhe se nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje.

“Ato prona janë shpërndarë që në vitin 2002 nga kryepleqnit e fshatrave se këtu me një gotë raki, me 50 mijë lekëshe…se kur janë në administratë njerëz pa shkollë kështu vazhdon” tha Frroku, sipas të cilit prokuroria po luan me dy standarte.

Gjatë një prononcimi për mediat, Frroku nuk ngurroi të akuzojë prokurorin me veting, ndërsa vuri në dukje se në burg janë futur vetëm zyrtarë të PD dhe LSI dhe asnjë socialist.

“Unë ndoshta seancën tjetër do kërkoj edhe dorëheqjen e Prokuror nuk ma merr mendja të kalojë vettingun për një arsye se së pari duhet ti kontrollohen dëftesat. Vetëm janë futur zyrtarët e PD dhe të LSI, asnjë zyrtar tjetër. Është folur për një dosje tjetër, pse prokuroria nuk e nxjerr këtë dosjen tjetër” tha Frroku.

Lek Frroku i cili ka aktiviete biznesi në Lezhë, është vënë nën akuzë për tjetersimin pronave tek Rana e Hedhun, ndërsa vijon të qëndrojë në arrest shtëpie prej më se dy muajsh.

Skandali me pronat tek Rana e Hedhun, organizatori i skemës: “Janë shpërndarë për 50 mijë lekë e një gotë raki” Read More »

“Shokët më tallin se nuk them fjalë të pista”, 15-vjeçari nga Lushnja i kërkon falje së ëmës

Bulizmi është një fenomen që po përhapet me shpejtësi në shoqërinë tonë dhe ata që e vuajnë më tepër këtë janë adoleshentët. Një prej tyre është edhe Sabjani nga fshati Dushk i Lushnjes.

Ai është përbuzur nga shokët për shkak se është i ndrojtur dhe nuk përdor fjalë të pista për të qenë në modë. Ai ka qenë sot në “Ka një mesazh për ty” dhe ka treguar se mësuesit e kanë vënë re sjelljen e shokëve të tij por janë treguar indiferentë.

15-vjeçari ka provuar të bëjë shoqëri me një vajzë, por ajo të gjitha sekretet e tij ja ka treguar shkollës. Të gjithë këtë energji negative, Sabjani ja ka shkarkuar të ëmës në shtëpi duke u rebeluar e ngritur zërin.

Sabjani ka treguar:

Në shkollë ndihem paksa ndryshe nga të tjerët. Ato kanë tipin të thonë llafe të pahijshme. Kjo më ka bërë mua më të tërhequr. Ndoshta nuk mund t’ua ktheja dot atyre fjalën dhe i’a ktheja më shumë mamit në shtëpi në vend që t’ua ktheja personave që e meritonin.

Për këtë gjë më vjen pak keq sepse nuk e kam treguar veten si në shtëpi edhe në shkollë. Kam dashur disa herë t’i hapem mamit por s’e kam patur guximin sepse kam pasur frikë se mami do thoshte pse nuk e ngre dhe ti zërin si të tjerët. Me mësime nuk shkoj mirë. Deri në klasën e pestë kam qenë nxënës shumë i mirë ndërsa këto tre vitet e fundit jo. Mami, ti e di që kam shumë gjëra për të të thënë por ngaqë kam emocione po i bie pak shkurt.

Të falenderoj për gjithë sakrificat që ke bërë për gjithë ne fëmijët sepse të gjitha problemet ti i ke kaluar me një buzëqeshje. E mbaj mend qëkur isha fëmijë që ti më thoje mua që çfarëdo që të të thonë njerëzit ti duhet t’ua kthesh me buzëqeshje, duhet të rrish gjithmonë pozitiv. Dua të të premtoj që do të të ndihmoj me punët në fshat sepse e di që aty ka shumë punë dhe nuk do të ngre më zërin. Dua të të kërkoj falje për ato gjëra që kam bërë e që ty të kanë mërzitur.”

Nga ana tjetër e ëma e pranoi ndjesën dhe tha se ndihej fajtore që nuk i kishte kushtuar vëmendje këtij problemi që po kalon i biri adoleshent.

“Shokët më tallin se nuk them fjalë të pista”, 15-vjeçari nga Lushnja i kërkon falje së ëmës Read More »