Problematika

Faturimet aforfe të ujit, ankohen familjarët: Paguajmë më shumë sesa harxhojmë

Në raportin e performancës për vitin e kaluar publikuar këtë qershor Enti Rregullator i Ujit (ERRU) vlerëson se ky nivel matjeje mbetet relativisht i ulët.

“Duke pasur parasysh riorganizimin e shoqërive me ndarjen e re administrative, aktualisht asnjë shoqëri UK nuk i ka të pajisur 100% të konsumatorëve me matës, madje në disa shoqëri ky tregues është në nivelin nën 10%” thuhet në raport.

Në lidhje me faturimin aforfe, ERRU thekson se shumica e konsumatorëve paguajnë më shumë sesa konsumojnë dhe se rastet e shtëpive private me konsum më të lartë sesa faturohen përmes aforfesë janë më të pakta.

“Konsumatorët duhet të paguajnë për sasinë reale të ujit të konsumuar prej tyre. Pjesa e konsumatorëve që paguajnë për sasi uji pa matje (aforfe 150 litra/ditë/banor) nuk është korrekte dhe mbart në vetvete padrejtësi dhe abuzim. Kjo për faktin se shumica e konsumatorëve familjarë konsumojnë nën këtë normë të presupozuar, ndërkohë që një pjesë e tyre konsumojnë shumë më tepër për ujitje (shtëpia private dhe zona rurale)” vijon raporti.

Po ashtu ky Ent shprehet më tej se aforfeja u leverdis financiarisht ujësjellësve pra marrin më shumë para sesa uji që është konsumuar edhe pse në disa raste nga ana tjetër stimulohet konsumi më të lartë.

“Në disa raste shoqërive u vjen përshtat financiarisht faturimi aforfe, por kjo shpeshherë stimulon mbikonsum të ujit në zona të caktuara duke cenuar cilësinë e shërbimit (orët e furnizimit dhe presionet) në zonat shpërndarëse mbas tyre sidomos gjatë stinës së nxehtë. Pajisja 100% me ujëmatës në të gjithë komponentët kyç të sistemeve të furnizimit me ujë duhet të jetë prioritet bazë i shoqërive UK dhe i mundësisë të financimit të tyre nga qeveria qendrore.

Sipas ”Monitor” shoqëritë UK për vitin 2017 kanë raportuar instalimin e 63 820 ujëmatëseve më shumë krahasuar me vitin 2016, por akoma sektori është larg objektivit për të pajisur 100% të konsumatorëve me matësa” vlerëson Enti Rregullator i Ujit.

Faturimet aforfe të ujit, ankohen familjarët: Paguajmë më shumë sesa harxhojmë Read More »

Pritet të bëhet nami pas pak orësh në gjithë Shqipërinë! Kujdes pasditen, ndiqni këtë këshillë

Pasditen e sotme parashikohen stuhi shiu dhe shtrengata ne disa zona te vendit.

Rrufetë mund të japin një spektakël në qiell, por në të njëjtën kohë mund të jenë shumë të rrezikshme.

Çdo vit rrufetë vrasin mesatarisht 6000 njerëz në botë. Prandaj është e rëndësishme të siguroheni siç duhet gjatë një dite me rrufe. Ky artikull do t’ju mësojë disa këshilla të thjeshta se si të jeni të sigurt gjatë një stuhie.

Nëse jeni jashtë shtëpisë:

Kërkoni për ndërtesën më të sigurt të afërt dhe vraponi drejt saj.

Nëse keni ndonjë makinë afër, qëndroni brenda saj, por sigurohuni të mbyllni dritaret.

Nuk keni as ndërtesë as makinë afër? Mënyra më e mirë është të shtriheni përmbys në tokë. Mbajini këmbët të bashkuara dhe vendosini duart tek veshët për të mos dëgjuar zhurmat. Jeni me anëtarë të familjes, miq ose të huaj? Mos u shtrini në tokë ngjitur me njëri tjetrin. Sigurohuni të rrini të paktën 30 cm larg njëri tjetrit. Keni një çantë shpine me vete?  Hiqeni nga kurrizi. Pjesët metalike të saj si zinxhirët apo perçinat tërheqin rrufetë.  Sigurohuni të rrini 30 cm larg saj.Gjithashtu mos rrini pranë shtyllave të dritave, shtyllave të telave të rrobave, gardheve metalike dhe shkallëve metalike.

Mos qëndroni poshtë pemëve sepse mund të shërbejnë lehtësisht si një rrufepritës. Distanca nga pema duhet të jetë rreth dy herë sa lartësia e saj.

Asnjëherë mos qëndroni pranë vendeve me ujë. Të gjithë e dimë se uji është një përçues i mirë i energjisë elektrike.

Nëse jeni duke notuar në det ose pishinë, dilni menjëherë sapo të shihni që një stuhi po afrohet.

Nëse jeni brenda shtëpisë:

Qëndroni larg dyerve dhe dritareve dhe mos qëndroni në verandë.

Mos përdorni telefon me kabëll. Nëse një rrufe godet linjat e jashtme telefonike, elektriciteti përcohet edhe tek ju, edhe pse jo me voltazh shumë të lartë.

Gjithashtu duhet të shmangni edhe përdorimin e pajisjeve elektrike si televizori dhe kompjuteri.

Siç e përmendëm dhe më herët, mos qëndroni kurrë pranë një vendi me ujë. Edhe brenda shtëpisë mos lani enë, ose mos bëni dush. Uji është përcjellës.

Nëse dikush goditet nga rrufeja:

Telefononi menjëherë ambulancën, por mos përdorni një telefon me kabëll, sepse mund t’ju vërë në rrezik gjatë një stuhie.

Nuk ka problem nëse prekni një person të goditur nga rrufeja. Ai ose ajo nuk përmban asnjë ngarkesë elektrike.

Sekreti është të jeni gjithmonë vigjilentë. Nëse qielli po errësohet, shpejtësia e erës po rritet dhe fillojnë vetëtimat, shkoni në një vend ku do të jeni të sigurt.

Pritet të bëhet nami pas pak orësh në gjithë Shqipërinë! Kujdes pasditen, ndiqni këtë këshillë Read More »

Përmbytja e Biblotekës Kombëtare, Erion Kristo hedh dyshime: Ku është Prokuroria?

Pedagogu Erion Kristo ka reaguar lidhur me përmbytjen e Biblotekës Kombëtare ku rReth 12 mijë libra ishin prekur nga uji.

Ai thotë se është jashtëzakonist i zemëruar për “sulmin e dyte terrorist ndaj trashegimise tone kulturore”.

Nga ana tjetër ai shprehet se më e rendë është mungesa e reagimit shoqëror dhe papërgjegjshmëria institucionale.

“Dhe propaganda pa piken e turpit ben deklarata devijuese. “Nuk jane lagur librat e vyer”. Me nje fjale, jane lagur librat e pavyer, botuar ne cerek shekullin e fundit. Jane lagur librat e shkruar prej meje dhe kolegeve te mi. Po a ka papergjegjshmeri me te madhe se sa kjo?”- shkruan ai.

Kristo nga ana tjetër i bën thirrje Prokurorisë që të hetojë, ndërsa hedh dyshime se e gjitha kjo nuk është aksidentale dhe po bëhet për të krijuar mjergullën e duhur ku “ujku të bëjë kërdinë”.

“Ku eshte prokuroria?”- pyet ai.

Postimi i plotë:

Jam jashtezakonisht, jashtezakonisht i zemeruar per sulmin e dyte terrorist ndaj trashegimise tone kulturore. Ne nje kohe kaq te shkurter, Biblioteka Kombetare u dogj dhe u permbyt. 12 mije libra u ujiten, si per tua kujtuar faktin e celulozes. Po kjo nuk eshte gje. Me tremb me shume mungesa e reagimit shoqeror dhe e pergjegjshmerise institucionale. Nuk ka pergjegjes per kete. Dhe propaganda pa piken e turpit ben deklarata devijuese. “Nuk jane lagur librat e vyer”. Me nje fjale, jane lagur librat e pavyer, botuar ne cerek shekullin e fundit. Jane lagur librat e shkruar prej meje dhe kolegeve te mi. Po a ka papergjegjshmeri me te madhe se sa kjo? Le ti leme librat te lagen, se ata ne fakt po thahen. Po shteti ku eshte?
Ku eshte prokuroria?
A vleresohet ky dem?
Ku eshte qeveria e vendit tone?
Pse nuk ka ndodhur kjo gje me pare?
A ka lidhje ngjarja me punimet shumemilion euroshe te kompanive te privilegjuara te qeverise?
A do ta hetoje prokurori perkates firmen e vet?
A do kete persona qe ligji do ti ngarkoje me pergjegjesi?
Jam i prire te besoj se keto ngjarje nuk jane aksidentale, por te projektuara me qellim per te krijuar mjegullen e duhur ku ujku te beje kerdine. E kush mund te ma ndaloje kete hamendesim. Aq me teper qe jane situata te perseritura.
Fuqia ime eshte vetem te protesta ime. Po une mund te bej dic me teper. Une mund te refuzoj te coj kopje te librave te mi ne kete institucion te papergjegjshem. Dhe ti ftoj gjithe njerezit qe mendojne si une, te bejne te njejten gje. Nuke di si do duket kjo. Por kur ndien dhembje, lejohet bertima.
Por nese jeni dakord me mua, e beni bertimen time te kaperceje dyllin e veshit te shtetit.

Përmbytja e Biblotekës Kombëtare, Erion Kristo hedh dyshime: Ku është Prokuroria? Read More »

Si po zhduken pyjet në Shqipëri?

Shfrytëzimi pa kriter i pyjeve tona gjithë këto vite ka bërë që habitati në të cilin jetojmë të ketë më pak sipërfaqe me pyje.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka Botërore dhe të përpunuara nga portali Our World in Data, sipërfaqja pyjore në Shqipëri përllogaritet 7,715 km2. Në krahasim me dhjetë vite më parë, ka rreth 109 km2 më pak pyje në vend.

Ndërsa krahasuar me vendet e tjera në Ballkan Shqipëria renditet e fundit me vetëm 27% të sipërfaqes pyje. Renditja pasohet nga Serbia që edhe pse në vlerë absolute ka një sipërfaqe pyjore disa fish më të madhe se Shqipëria, në raport me totalin e sipërfaqes së saj, vetëm 30% zihet nga pyjet, shkruan Monitor.
Më pas renditet Maqedonia me 39% dhe Bosnja me 43% të totali të sipërfaqeve pyje. Ndërkohë sipas të dhënave Mali i Zi është vendi më i pyllëzuar i rajonit, ku 60% e sipërfaqes së zihet nga pyjet.
Shtetet e zhvilluara janë në përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur pyjet. Sipas të dhënave të publikuara Rusia, Brazili, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja janë shtete që kanë sipërfaqet më të mëdha pyjore, ku tejkalojnë 2.5 milionë kilometër në katror.

Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) ka mbledhur dhe ka analizuar të dhënat mbi pyjet që prej vitit 1964. Kjo bëhet në harkun kohor të 5 deri në 10 vite. FAO raporton të dhëna për 229 shtete dhe territore.
Të dhënat përfshijë zonat me dru bambuje, palmat, rrugët pyjore, pyjet në parqe kombëtare, rezervat natyrore, dhe zonat e tjera të mbrojtura, si ato me interes të veçantë shkencor, historik dhe kulturor ose me interes shpirtëror, shpellat, brezat dhe korridoret e pemëve.

Në këto statistika nuk merren parasysh tokat e mbjella për prodhim me pemë frutore dhe as ato të parqeve në qytete apo kopshte./Njekomb

Si po zhduken pyjet në Shqipëri? Read More »

12 mijë materiale të lagura, Biblioteka Kombëtare shpall gjendjen e emergjencës

Biblioteka Kombëtare ka shpallur gjendjen e emergjencës pas përmbytjes së katit të parë të godinës nga reshjet e së shtunës.

Sipas Bibliotekës, plot 12 mijë materiale rezultojnë të lagura nga shiu.

Biblioteka Kombëtare njofton se në orët e para të datës 23 qershor 2018, mbas reshjeve të vrullshme të shiut, është konstatuar prani uji në një nga sallat e saj në katet e nëndheshme të hapësirave depozituese të koleksioneve bibliotekare (libra, revista, gazeta), duke dëmtuar/lagur materialet bibliotekare të sistemuara në nivelet e ulëta të sallës.

Institucioni shpalli gjendjen e emergjencës për trajtimin e materialeve bibliotekare të lagura ose pjesërisht të lagura me qëllim tharjen dhe restaurimin e tyre të plotë.

Biblioteka Kombëtare thekson se nuk janë prekur mjediset ku ruhet fondi i Vlerave të rralla dhe Arkivi i librit e i periodikut shqip.

Nga të dhënat paraprake, numri i njësive bibliotekare me gjurmë lagështire rezultoi rreth 12 mijë. Gjatë punës së deritanishme janë tharë plotësisht rreth 70% e tyre.

Mbizotërojnë tekstet mësimore dhe botime të 15 viteve të fundit, të cilat për shkak të mungesës së theksuar të hapësirave depozituese nuk kanë mundur të ruhen sipas standardeve tekniko-profesionale.

Në funksion të kësaj emergjence dhe në respektim të protokolleve profesionale, njoftojmë se Biblioteka Kombëtare do të qëndrojë e mbyllur nga data 25 deri 30 qershor.

12 mijë materiale të lagura, Biblioteka Kombëtare shpall gjendjen e emergjencës Read More »

Pas shiut që ka rënë shpallet gjendje emergjencë, merrni vesh çfarë po ndodh!

Pas shiut të rënë pak ditë më parë Biblioteka Kombëtare ka shpallur gjendjen e emergjencës.

Biblioteka Kombëtare ka njoftuar janë dëmtuar disa materiale bibliotekare.

Në një nga sallat e saj në katet e nëndheshme, në të cilën ndodhen libra, revista dhe gazeta, ku mbizotërojnë tekstet mësimore dhe botime të 15 viteve të fundit, të cilat janë përfshirë nga uji.

Biblioteka ka shpallur gjendjen e emergjencës për trajtimin e materialeve bibliotekare të lagura, me qëllim tharjen dhe restaurimin e tyre të plotë, ndërsa thekson se nuk janë prekur mjediset ku ruhet fondi i Vlerave të Rralla dhe Arkivi i Librit e i periodikut shqip.

Biblioteka Kombëtare do të qëndrojë e mbyllur nga data 25 deri më 30 qershor

Pas shiut që ka rënë shpallet gjendje emergjencë, merrni vesh çfarë po ndodh! Read More »

Akuzat e familjes Bodo, zbardhet vendimi i gjyqtares Ukperaj për tokën në Karaburun

Gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Brikena Ukperaj (Lubonja) u përball të premten me akuzat e një pale ndërgjyqësuese jashtë dyerve të vetingut. Familja Bodo-një ndër denoncuesit e Ukperajt në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit pretendoi se “gjyqtarja kishte marrë një vendim të padrejtë në shkelje të afateve ligjore”, por ankesa e tyre në KPK kishte rënë në vesh të shurdhër.

Familja Bodo është përfshirë prej vitesh në një kalvar gjyqësor për pronësinë e 404 hektarëve tokë në gadishullin e Karaburunit. Në vitin 2016, ajo u bë e njohur me denoncimin e falsifikimeve masive dhe tjetërsimit të 220 hektarëve tokë në këtë zonë të lakmuar turistike, duke nxitur më pas një hetim të gjerë të Prokurorisë për tokat në bregdet.

Në maj 2016, Prokuroria urdhëroi sekuestrimin e 220 ha tokë në Karaburun dhe 89 ha tokë në Zvërnec -të cilat ishin tjetërsuar përmes krijimit të dosjeve të rreme gjyqësore në arkivën e Gjykatës së Vlorës dhe falsifikimeve të tjera.

Prokuroria akuzoi fillimisht një rrjet të gjerë njerëzish për veprat penale, por Gjykata e Vlorës dënoi në mars 2018 vetëm përfituesin “në letra” të tokës, Raimond Mëzin me 18 vjet burg si dhe një ish-punonjëse të hipotekës dhe arkivisten e Gjykatës së Vlorës. Në të njëjtin proces u dënua me 16 vjet burg edhe Lefter Gjergji për përfitimin e 33 hektarëve tokë në Palasë.

Paralelisht me procesin penal, familja Bodo dorëzoi në Gjykatë një padi civile përmes së cilës kërkonte njohjen e falsitetit të dokumenteve për tjetërsimin e sipërfaqes prej 220 hektarësh në Karaburun si dhe kthimin fizik të 404 hektarëve pyll dhe kullotë në të njëjtin vend.

Familja Bodo paditi në këtë proces Raimond Mëzin, Agjencinë e Trajtimit të Pronës Tiranë, Avokaturën e Shtetit, Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Vlorë si dhe dy kompanitë private “House of Arts” dhe “DigitalNetëorks”, të cilat kishin blerë 90 hektarë për 180 mijë euro nga Mëzi.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se familja Bodo e fitoi çështjen në shkallën e parë, por një vendim i Gjykatës së Apelit me relatore gjyqtaren Brikena Ukperaj (Lubonja) e rrëzoi vendimin për “shkelje të rënda proceduriale” dhe e riktheu çështjen për rigjykim.

Vendimi i shkallës së parë u apelua nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Avokatura e Shtetit dhe dy kompanitë private “House of Arts” dhe “DigitalNetëorks”.

“House of Arts” është një kompani organizimi eventesh e deputetit socialist Fidel Ylli, por që administrohet nga personi i besuar, Elida Heba. Ndërsa “Digitalnetëorks” zotërohet nga biznesmeni Gerian Kuka, njëherazi konsull nderi i El Salvadorit në Shqipëri.

Më 16 nëntor 2017, Gjykata e Apelit me relatore Brikena Ukperaj dhe anëtarë Skënder Damini dhe Gjinovefa Gaba rrëzuan vendimin e shkallës së parë si të marrë “në shkelje të rënda proceduriale” dhe vendosën rikthimin e çështjes në shkallë të parë.

Sipas vendimit të Apelit që BIRN e disponon, shkelja e parë e konstatuar lidhet me mungesën e vlerës së padisë, ç’ka ka sjellë edhe gjykimin e çështjes nga një gjyqtar i vetëm.

Duke iu referuar nenin 35 të Kodit të Procedurës Civile, Gjykata e Apelit argumenton se vlera e padisë në këtë proces ka qenë lehtësisht e përcaktueshme dhe referuar kontratës së shitjes së 90 hektarëve për 180 mijë euro, ka qenë më e madhe se 20 milionë lekë.

“Gjykata e rrethit gjyqësor Vlorë duhej ta fillonte shqyrtimin e çështjes me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë,” argumenton Gjykata e Apelit.

Apeli konstaton gjithashtu se në seancën e fundit gjyqësore në shkallë të parë, avokati i kompanive “House of Arts” dhe “DigitalNetëorks” ka hequr dorë nga përfaqësimi dhe është larguar. Në këto kushte, gjykata ka vazhduar çështjen në mungesë dhe e ka kaluar çështjen në fazën e konkluzioneve përfundimtare në të njëjtën seancë, duke dëgjuar vetëm konkluzionet e palës paditëse.

“…House of Arts dhe DigitalNetëorks u është mohuar e drejta për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur në fazën e konkluzioneve përfundimtare. Për sjelljen e avokatit, ka dispozita të tjera ligjore që e ngarkojnë atë me përgjegjësi,” argumenton Apeli.

“Gjykata në vendim nuk ka arsyetuar asnjë vendim të palës së paditur, pasi asnjë prej të paditurve nuk ka dhënë konkluzionet përfundimtare,” shtohet më tej.

Apeli argumenton gjithashtu se ndërgjyqësia nuk është formuar drejt, duke iu referuar mosthirrjes në cilësinë e personit të tretë të Artur Shehut, që sipas vendimit i është mohuar gjithashtu e drejta për t’u dëgjuar.

Artur Shehu, një biznesmen kontrovers që jeton prej vitesh jashtë Shqipërisë, sipas prokurorisë së Vlorës, përfitoi 130 hektarë nga 220 të tjetërsuara gjithsej në Karaburun përmes një kontrate shkëmbimi me Raimond Mëzin.

Gjykata e Apelit të Vlorës vlerëson gjithashtu se pasuria prej 404 hektarësh për kthim fizik dhe 188 hektarë për fondin e kompensimit që gjykata e Shkallës së Parë ka disponuar t’i kthehet familjes Bodo janë pjesë e fondit pyjor dhe kullosor shtetëror, në pronësi dhe administrim të Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Vlorë.

“Qënia e kësaj pasurie në pronësi të kësaj të fundit detyronte gjykatën ta thërriste DSHP/Vlorë si palë ndërgjyqësuese në gjykim,” shton më tej vendimi.

Për konstatimet e mësipërme si “shkelje të rënda proceduriale”, Gjykata e Apelit të Vlorës kërkoi rikthimin e çështjes për rigjykim në shkallë të parë, por me një trupë tjetër gjykuese.

Vendimi i mësipërm, por edhe pretendimi për moszbatim të afateve gjyqësore e kanë shtyrë familjen Bodo t’i drejtohet me denoncim për gjyqtaren Brikena Ukperaj (Lubonja) në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

“Zonja Ukperaj nuk ka analizuar provat dhe nuk ka shpallur vendimin e arsyetuar brenda 20 ditëve,” tha të premten pas përfundimit të seancës dëgjimore në KPK Vjosa Bodo.

Duke iu referuar denoncimeve nga publiku për Ukperajn, relatorja e çështjes në KPK, Etleda Çiftja tha se “ato ishin verifikuar me kujdes nga komisioni”.

Megjithatë, ajo konstatoi se denoncimet ishin të tilla që “mund të zgjidhen në rrugë gjyqësore”./reporter.al

Akuzat e familjes Bodo, zbardhet vendimi i gjyqtares Ukperaj për tokën në Karaburun Read More »

500 banorë pa rrugë e pa ujë, kryetari i bashkisë: S’kuptoj pse ankohen

Banorët e fshatit Mesaplik ankohen në Fiks Fare se nuk kanë rrugë dhe ujë të pijshëm. Rruga që të çon në fshat, nga segmenti kryesor i rrugës së lumit të Vlorës, nuk është më shumë se 7 km, por ka gropa, dhe në të mund të kalohet vetëm me fuoristradë.

Fshati ka vetëm dy të tilla. Për çdo hall apo problem shëndetësor ata janë të detyruar të zbresin në Vlorë me fuoristrada, pasi mjet transporti tjetër nuk ka. Rruga është aq e keqe sa nuk përshkohet dot as nga mjetet e vogla. Ndërsa në rrethinat e Mesaplikut shkohet vetëm me kafshë se nuk ka fare rrugë.

Pas ankesës së banorëve të bërë në redaksinë e emisionit Fiks Fare nëpërmjet postës elektronike, gazetarët e Fiksit u nisën drejt Mesaplikut. Rruga në ndërtim e sipër e Lumit të Vlorës nga ku shkon për në fshat është rreth 30 km. Këto 30 km u bënë për 3 orë, sidomos në segmentin 7 km para se të ktheheshe për në fshat rruga ish aq e keqe sa edhe furositrada nuk bënte punë.

Gazetarët intervistuan një grup të madh banorësh që kishin dalë për t’i pritur. Ata ankohen që nuk kanë ujë e rrugë, bashkia i ka harruar. Ata thonë – “Partitë kujtohen të vijnë vetëm kur kanë vota për të marrë. Është e pamundur të jetohet pa ujë, sidomos gjatë periudhës së verës nuk ka thuajse fare, gjatë dimrit edhe ka se ujë është me vet rrjedhje. Për të zbritur në Vlorë na duhen më shumë se 3 orë, ndërkohë që nuk janë më shumë se 30 km.”

Ata janë të irrituar më pushtetin lokal dhe qendror që i ka harruar në këtë zonë. Ata thonë se për ujësjellësin janë dhënë disa herë fonde, por ujë nuk ka. Sipas tyre para dy javësh për shkak të emergjencave pas shirave të rënduar, nga Bashkia Selenicë u sistemua rruga rreth 7 km dhe veprat e artit, por në vend të rregullohej, sipas banorëve ajo u shkatërrua më keq. Njëri prej tyre tregon se si para dy ditësh kishin varrosur një bashkëfshatar, dhe makina e mortit ngeci në mes të rrugës. Nuk e çonin dot tek varrezat e fshatit. Gropat e thella dhe shirat e rrëmbyeshëm e kishin bërë të pamundur kalimin.

Në këtë segment rrugor, nuk është ndërhyrë asnjëherë seriozisht apo me projekt konkret, për sistemimin e tij, as nga Bashkia Selenicë, por as nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili në përgjigjen kthyer për Fiksin thotë se për këtë segment të shkurtër, nuk kanë patur asnjëherë kërkesë për sistemim.

Kryetari i Bashkisë Selinicë, Përparim Shahmetaj, u shpreh për Fiksin që pikërisht në këtë rrugë janë bërë disa sistemime, por nuk janë të mjaftueshme dhe rruga ka tek-tuk ka ndonjë gropë. Sipas tij, pas ndërhyrjes që është bërë nga bashkia me sistemin e rrugës me çakull, kanaleve dhe veprave të artit, situata ka ndryshuar.

“Nuk e kuptoj pse ankohen banorët” shprehet i çuditur kreu i bashkisë.

Për këtë sistemim nuk pati një fond pasi u bë me mjetet dhe punëtorët e bashkisë. Ndërsa për Ujësjellësin ai thotë se janë bërë investime të pjesshme. Por nuk kanë rezultuar të suksesshme, pasi rrjeti amortizohet nga lumi i Vlorës. Por ndryshe nga çfarë thotë numri 1 i bashkisë ne faqen zyrtare të saj të publikuar, ofrohet një tjetër e vërtet. Investimi i fundit është ai i vitit 2017 ku për të gjithë ujësjellësit e Selenicës, mirëmbajtjen dhe sistemimin, sipas shpalljes së bërë në tender është shpenzuar rreth 140 milionë lekë. Përpos kësaj, sot banorët nuk kanë ujë.

Fiksi kontaktoi edhe me FSHZH-it. Sipas tyre në Komunën Brataj nga FSHZH-it është ndërhyrë gjatë viteve 2004 – 2005 ku është zbatuar një investim prej rreth 6.1 mln lekë financuar nga Banka Islamike. Projekti konsistonte në pastrimin dhe sistemimin e veprave të artit ekzistuese, pastrimin e kanaleve, shtrimin me çakull dhe stabilizant.

Gjatësia e trajtuar në total është rreth 2 km. Kjo është e vetmja përfshirje e FSHZH-së në këtë zonë në të shkuarën. Gjithashtu Fiksi u informua se pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit nuk ka asnjë kërkesë për financim të këtij segmenti rrugor.

500 banorë pa rrugë e pa ujë, kryetari i bashkisë: S’kuptoj pse ankohen Read More »