Problematika

Bllokohen 10 tonë miell ardhur nga Greqia, etiketa e dyshimtë

Autoriteti Kombëtar  i Ushqimit ka konstatuar dhe bllokuar një ngarkesë prej 10 ton miell gruri për shkak se kishte parregullsi në dokumentacion.  Të dhënat sipas dokumentave shoqërues nuk korrespondonin me të dhënat në etiketë e kundraetiketë të produktit.

Trupa inspektuese e AKU-t në Korçë gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën Doganore Kapshticë konstatoi se një subjekt, i cili pretendonte të fuste në Shqipëri produktin “ miell gruri” kishte parregullsi në vërtetësinë e dokumentacionit që shoqëronte ngarkesën, konkretisht, raporti i analizës.

Nga kontrolli fizik i produktit “miell gruri” rezultoi se ky produkt nuk kishte nr.loti, datë prodhimi dhe datë skadimi të stampuar në thasët prej letre 25 kg, por vetëm një kundraetiketë të ngjitur në gjuhën greke, pa përkthim në gjuhën shqipe.

Menjëherë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u bë bllokimi i ngarkesës me sasi 10 ton duke u bazuar ne legjislacionin në fuqi; gjithashtu do të ndiqen procedurat doganore për kthimin në origjinë.

AKU tha se i inkurajon qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”.

Bllokohen 10 tonë miell ardhur nga Greqia, etiketa e dyshimtë Read More »

Krim mjekësor/ KLSH kërkoi asgjësimin e 378 mijë ilaçeve të skaduara, QSUT i rifuti në përdorim, me blerje false

Mbaheshin 3 vjet stok në depo e nuk u jepeshin spitaleve, vjedhja 1.6 miliardë lekë
Një skandal me përmasa krim mjekësor-njerëzor, me pasoja të rënda për shëndetin e pacientëve, rezulton të jetë zbuluar nga KLSH në fund të vitit 2017 dhe është konstatuar përsëri prej saj, para 1 muaji, pas lënies së detyrave për zbatim (nuk janë zbatuar).

Skandali i zbuluar, ka lidhje me 146 nijë e 863 medikamente të skaduara, me vlerë 382 milionë lekë, të mbajtura stok në depon farmaceutike të QSUT, qysh prej vitit 2014 kur janë blerë, duke mos u përdorur, të blera me tender jo për nevoja të QSUT, por për t’u bërë “nder” bizneseve private të ilaçeve, ndërkohë që ato kanë pasur kohë përdorimi deri në qershor 2015 dhe tetor 2016.

Ky skandal është mbajtur “sekret” nga QSUT dhe Ministria e Shëndetësisë, duke bërë edhe “rifreskime letrash të blerje-magazinimit” të tyre, për të fshehur skandal-krimin dhe vjedhjen, që lidhet me shëndetin e pacientëve, por dhe me vlera të mëdha financiare, të zhvatura në formë “tendera-qokash”, me blerje ilaçesh me shumicë mbi planifikimin vjetor, tek firmat private klienteliste, biznese ose të lidhura me shefat e mjekësië shqiptare.

Skandali thellohet më tej, kur mëson se për 40% të sasisë dhe emërtesave të këtyre ilaçeve, kanë pasur nevojë emergjente pavionet, por nuk u janë dhënë nga drejtoria e QSUT, pa harruar faktin (sipas KLSH), që dyfish abuzim sasisor e 3 fish financiar është bërë me ilaçet donacione, të cilat nuk u janë dhënë spitaleve nën refrenin mashtrues “nuk ka” megjtihëse ishin gjendje, por janë mbajtur stok në depot e QSUT edhe pa inventor, sasi e cila është 234 mijë e 405 medikamente, në vlerën 1. 2 miliardë, 339 mijë e 026 lekë.

Sipas raportit të KLSH, blerja e barnave zë rreth 45% (rreth 4 miliardë lekë) të buxhetit vjetor të QSUT dhe nga ana tjetër, flitet për mungesë të theksuar ilaçesh në spitale, ndërkohë që niveli i barnave të skaduar vijon të shtohet nga viti në vit, mbasi drejtoria e QSUT dhe Ministria e Shëndetësisë nuk i hapin depot, duke bërë pazare të pista, që duhen hetuar me imtësi nga anti-krimi ekonomik-financiar, mbasi ka efekte të mëdha negative në administrimin e fondeve, për barna dhe materiale mjekësore.

Hetimet nisura lidhur me këtë skandal të ialçeve që nuk u jepen pacientëve, por mbahen qëllimisht stok, kanë si informacion paraprak, një tjetër skandal të bërë nga drejtuesit e QSUT dhe Ministria e Shëndetësisë.

Ata jo vetëm nuk i kanë asgjësuar këto 378 mijë ilaçeve të skaduara, siç është lënë detyrë urgjente nga KLSH, por gjersa ato nuk janë më në depot e QSUT dhe nuk ka protokoll të filmuar asgjësimi, siç e detyron ligji, ekziston dyshimi i plotë se këto ilaçe të skaduara janë shitur e janë rifitur në përdorim brenda spitalevee të QSUT dhe nëpër spitalet e farmacitë private, me “letra të reja” furnizimi, plan-shpërndarje nëpër spitale dhe shit-blerje nëpërmjet tenderëve, duke mos harruar që bëhet fjalë, për 1.6 miliardë lekë, të paguara dy herë nga taksat e shqiptarëve, për të “vrarë” shëndetin e shqiptarëve./Pamfleti

Krim mjekësor/ KLSH kërkoi asgjësimin e 378 mijë ilaçeve të skaduara, QSUT i rifuti në përdorim, me blerje false Read More »

Stuhia e rrebeshi nuk pyet, në pak orë u bë nami në Shqipëri. Ju sjellim pamjet pikante

Nje situate sa te pazakonte, aq edhe te njohur per ne tashme ka krijuar shiu qe ra sot ne disa qytete te vendit, duke shkaktuar probleme e incidente.

 

Fotot me lart tregojnë bresher te fotografuar ne Shkalle – Xiber, Mat.

Qyteti i Beratit është përfshirë nga një stuhi e fuqishme shiu ku erërat e forta kanë sjellë pamje të frikshme, ku raportohet edhe për pemë të shkulura.

Në Durrës, ka patur reshje të dendura shiu e rrugët janë përmbytur dhe makinat janë detyruar që të “notojnë”.

Në bregdetin e Orikumit, siç shihet nga pamjet, çadrat e plazhit kanë dalë në rrugë, ndërkohë që shezlongët janë dëmtuar.

Stuhia e rrebeshi nuk pyet, në pak orë u bë nami në Shqipëri. Ju sjellim pamjet pikante Read More »

Stuhia në qytetin e Vlorës shkakton probleme në rrjetin elektrik, institucionet në gatishmëri

Reshjet e dendura lokale të shiut, të cilat kanë shkaktuar një sërë dëmesh në qarkun e Vlorës, kanë vendosur në gatishmëri institucionet.

Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) thekson se reshjet e dendura të shiut të shoqëruara me erë të fortë, kanë shkaktuar disa dëme në rrjetin elektrik të zonës, duke përcaktuar si prioritet rikthimin e energjisë në hidrovorin e Vlorës.

“Për momentin jemi angazhuar në 2 drejtime, në risjelljen e energjisë elektrike në hidrovorin e qytetit të Vlorës dhe zonës së Radhimës, për shkak të erërave të forta që kanë rrëzuar pemë mbi telat e tensionit të lartë dhe gjendjes së katamaranëve që kanë dalë në zonën e Karaburunit që po menaxhohet nga kapitaneria e portit të Vlorës”, – theksoi prefekti Mamaj.

Duke u ndalur tek angazhimi i forcave për përballimin e kësaj situate, prefekti theksoi se për momentin ndërhyrja e Forcave të Armatosura nuk është e nevojshme, por institucioni i Prefekturës së bashku me bashkinë e Vlorës, OSHEE-në dhe kapitenerinë e këtij qyteti, janë në ndjekje të situatës.

“Jemi të angazhuar me bashkinë e Vlorës kryesisht, me OSHEE-në dhe me kapitenerinë e portit, në këto tre drejtime dhe jemi në kontakte të vazhdueshme. Deri tani nuk kemi patur probleme serioze, por po kërkojmë që të risjellim energjinë në hidrovorin e qytetit dhe në spitalin rajonal, të cilët për shkak të erërave të forta janë pa drita dhe për riparimin e këtij defekti janë angazhuar grupe nga OSHEE e Fierit dhe e Vlorës”, – përfundoi ai.

Nga stuhia e fortë që përfshiu Vlorën janë shkaktuar një sërë dëmesh në strukturat e lehta metalike. /atsh

Stuhia në qytetin e Vlorës shkakton probleme në rrjetin elektrik, institucionet në gatishmëri Read More »

Gjarpërinjtë dhe insektet ‘pushtojnë’ Myzeqenë, ‘viktimat’ e pickimeve mbushin spitalin

Në Myzeqe fermerët po sulmohen nga gjarpërinjtë dhe insekte të rrezikshme. Mjekët në spitalin e Fierit thonë se këtë verë, situata është alarmante si asnjë vit tjetër.

Temperaturat e larta kanë bërë që gjarpërinj dhe merimanga helmuese të rendin nëpër fusha në kërkim të ujit. Rastet e pickimeve kryesisht nga gjarpërinj dhe vejusha e zezë, janë shtuar duke vënë repartin e toksikologjisë në gjendje alarmi.

“Situata e kafshimeve nga zvarranikët dhe e pickimeve nga insektet helmuese ka qenë më e rëndë sesa e njëjta periudhë të vitit të kaluar. Kemi pasur më tepër kafshime nga nëpërka dhe gjarpëri”, tha mjeku toksilog në spitalin e Fierit, Lulëzim Banushi

Zvarranikët dhe insektet në Myzeqe shquhen për helmin e tyre të fortë. Në mungesë të antidotit brenda 24 orëvë dhe nën temperaturat e larta pasojat e pickimeve të tyre bëhen vdekjeprurëse.

“Zonat më të prekura janë zonat kodrinore që janë përreth qytetit tonë. Zona e Cakranit, e Festanit, e Frakullës të cilat konstatohen gjatë punës që bëjnë ata në ambientet e tyre dhe në bujqësi”, tha mjeku Banushi.

Duke qenë se kontakti me gjarpërinjtë është i pashmangshëm në këtë periudhë janë veshjet mbrojtëse e vetmja zgjidhje që sugjerojnë specialistët. Por në temperaturat e larta të Korrikut për fermerët këto pajisje mbrojtëse e bëjnë punën në arë të pamundur.

Mesatarisht në spitalin e Fierit mbërrijnë të pickuar nga gjarpri dhe merimanga e zezë 4 raste në javë, një shifër kjo më e lartë se ajo e vitit të kaluar. Përveç temperaturave të larta, faktor në shtimin e zvarranikëve dhe insekteve të rrezikshëm është edhe mungesa e dezinfektimit të sipërfaqeve bujqësore.

Gjarpërinjtë dhe insektet ‘pushtojnë’ Myzeqenë, ‘viktimat’ e pickimeve mbushin spitalin Read More »

Skandal, 7 ngarkesa me pula të ngordhura nga Greqia

Një raport i thelluar për sigurinë ushqimore në vend pritet të nxjerrë fakte tronditëse mbi cilësinë e tyre. Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit paralajmëron rezultatet e analizave. Në treg, do të ngelin vetëm të licencuarit

Në vendin tonë deri një vit e gjysmë më parë kanë hyrë shpendë, kryesisht pula që duheshin groposur në vendin fqinj, Greqi, por që pseudo tregtarë i kanë marrë e shitur këtu si të ishin të freskëta. Duke rrëzuar pretendimet e suksesshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit,e cila thotë se mishi i importuar që hidhet në treg është i sigurt, Stafa foli për 7 ngarkesa me mish “të kalbur” që ka hyrë në Shqipëri, prej të cilave janë kapur vetëm dy të tilla.

E si të mos mjaftonte kjo, shqiptarët vijojnë të konsumojnë mish dhe nënproduktet e qumështit nga bagëti të pa vaksinuara, të paregjistruara. Pikërisht në zonat e thella të Dibrës dhe Matit ku flitet së fundmi për shfaqjen e sëmundjes së plasjes, Hasa tha se 80 për qind e bagëtive janë të paregjistruara. Sa për qumështin më aflatoksinë, ai tha se i gjithë skandali për të cilin folën mediat erdhi pas veprimeve të disa segmenteve të caktuara për të dëmtuar konkurrencën e ndershme.

Jo vetëm temperaturat e larta, por edhe një sërë faktorësh të tjerë, po shkaktojnë vdekjen e ngadaltë të shqiptarëve, të cilët konsumojnë çdo ditë ushqime të pakontrolluara, të skaduara dhe pa garancinë e organeve shtetërore. Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit ngre shqetësimin se në kryeqytet dhe në zonat pranë plazheve, po lejohen individë të shesin produkte pa vulë sigurie, produkte të cilat në mos të skaduara janë të predispozuara për të humbur vlerën ushqimore në çdo çast. Drejtuesi i kësaj zyre, Hasan Stafa në një intervistë për “Shekulli”-n tregon skemën e shitjes në kushte informaliteti dhe tregjet problematike, ndërsa zbulon edhe të dhënat paraprake të një raporti që do dalë pas kontrollit dhe analizave të ushqimeve që tregtohen në vend.

Z. Stafa, konsumi i ushqimeve në këtë periudhë shton riskun e helmimeve, jo vetëm për arsye klimatike, por edhe për arsye që në shoqërinë tonë ekzistojnë prej vitesh. A keni evidentuar ankesa të shtuara nga konsumatorët, sikundër edhe tregje problematike nga burojnë këto ankesa?

Në këtë periudhë është kulmi i ankesave nga konsumatorët. Një pjesë e tyre, të pandërgjegjësuar bien pré e shumë mashtrimeve, pasi nuk orientohen në zgjedhjen e produktit. Ata nuk dinë se cili produkt është më i ekspozuar dhe më i rrezikuar. Joshen nga çmimi apo vendi që kanë pranë kur blejnë. Produkt i rrezikuar nga temperaturat e larta në këtë periudhë është qumështi, i cili në tregun informal vijon të tregtohet në mënyrë abuzive.

Në katër tregjet e bashkisë së Tiranës, (Ali Demi, Komuna e Parisit, Kinostudio dhe Ish-Uzina Dinamo) që në orën 4:00 të mëngjesit tregtohet në formë abuzive, nga subjekte të pa licencuar të ashtuquajtur fermerë. Këta të fundit e shesin me bidonë plastikë, duke lënë gjurmë te konsumatori përmes sëmundjeve gastro-intensinale, skuqjeve në lëkurë apo të vjellave. Konsumatori, si viktimë e këtij abuzimi nuk di as ku të ankohet, sepse nuk ka në dorë asnjë provë, si p.sh kuponi tatimor.

Në të tilla raste, cilat zyra apo institucionet shërbejnë si katalizatorë për zgjidhjen e ankesave?

Janë një sërë institucionesh, që fillojnë me Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit e vijojnë më tej me Komisionin e Mbrojtjes së Konsumatorit në Ministrinë e Financave, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, Instituti i Shëndetit Publik etj. Legjislacioni shqiptar përcakton të gjitha kompetencat, që jo thjesht të japin informacion paraprak apo të edukojnë konsumatorin, por të marrin masa konkrete për mbrojtjen e tyre, sepse paguhen nga taksapaguesit.

Në njësinë nr. 2 në Tiranë pranë zonës së “Ali Demit”, po ndeshim një situatë të paprecedentë ku bashkia ende nuk po ndërhyn. Aty janë me dhjetëra tregtarë që shesin pranë kazanëve të plehrave. Është një rast abuzimi dhe papërgjegjshmërie e bashkisë, e cila së paku duhet të largojë 70 metra ato subjekte. Po ashtu, po vihen ré edhe kushte të papërshtatshme pranë plazheve, me tregtimin e produkteve që ekspozohen gjatë në diell dhe për ta nuk po merren masa parandaluese.

Zyra juaj harton apo delegon raporte mbi subjektet tregtare dhe cilësinë e ushqimeve që ato shesin në treg?

Ne po hartojmë një raport kombëtar në të 12 qarqet e vendit. Këtij raporti i nënshtrohen të gjitha njësitë dhe subjektet tregtuese në 61 bashkitë e vendit. Në po identifikojmë dhe hetojmë probleme në mënyrë të pavarur, duke bërë analiza në laboratorë të posaçëm. Po punojmë, në mënyrë që të nxjerrim një raport sa më të saktë e të detajuar, dhe subjektet që manipulojnë apo tregtojnë jashtë kritereve, t’i drejtohen organeve të specializuara, për t’u përgjigjur para ligjit. Këto subjekte do të bllokohen dhe dalin nga tregu, sepse Kodi Penal përcakton qartë përgjegjësitë penale të tyre. Ne do jemi transparentë dhe të qartë me këtë raport, në mënyrë që të parandalojmë fenomenin e abuzivizmit dhe viti tjetër të vijë më shumë siguri për konsumatorin.

Në projeksionet paraprake, çfarë mund të zbulojmë nga ky raport?

Nga të dhënat paraprake, mund të themi se në raport me vitin 2017, kemi një përmirësim dhe shtim të kontrolleve. AKU i Tiranës dhe Durrësit, të cilat kanë pasur një performancë negative kanë filluar të angazhohen dhe të kërkojnë bashkëpunim dhe shohim se janë të vendosur për të luftuar fenomenet që bien në kundërshtim me ligjin. Nga ana tjetër, mund të themi se këtu nuk ka një ligj specifik për të luftuar tregun informal. Ky është problemi më i madh në tregun shqiptar dhe pothuajse të gjitha rreziqet vijnë nga tregtimi i produkteve në këto tregje.

Pjesa më e madhe e zonave periferike, ende nuk janë bashkuar për të grumbulluar prodhimin dhe për ta shitur në një treg të licencuar. Fermerët nuk janë të ndërgjegjësuar për të bërë shërbimet sipas standardeve. Duke mos plotësuar këto kritere, ato vijojnë të ruajnë atë forcën e zakonit duke shitur në kushte të papërshtatshme. Sot për sot, këshillojmë konsumatorët të bëjnë kujdes me konsumin e ushqimeve të shpejta (alias Fast Food), të cilat ofrohen në plazhe. Ne konstatojmë se janë të rrezikshme dhe të pasigurta, ku vaji përdoret e ripërdoret mbi normat e lejuara, duke u kthyer në rrezik të madh për konsumatorin, si vrasës i ngadaltë./shekulli

Skandal, 7 ngarkesa me pula të ngordhura nga Greqia Read More »

Hordhia që ka zaptuar vijën bregdetare, me lejen e pushtetit lokal dhe të qeverisë

Zaptimi i vijës bregdetare nga disa dhjetra persona në përbërje të të cilëve gjen biznesmenë, të fortë, persona me precedentë penalë, sekserë e gjithëfarëlloj tipash e prototipash, është një nga dukuritë me përmasat më të shëmtuara të këtij sezoni veror. Një dukuri e cila sa vjen e përhapet më shumë, duke mos njohur asnjë lloj kufizim.i. Që nga Velipoja, Shëngjini, Durrësi, Golemi, Semani, Kavaja, e duke kaluar më pas në Vlorë, Rradhimë, Himarë, Dhërmi, Lukovë, Jal, Borsh e deri në Sarandë, kjo hordhi zaptuesish thuajse ka futur nën kthetrat e saj të gjithë rripin bregdetar, duke vendosur taksë ndaj pushuesve nëpërmjet çadrave e shezllongjeve.

Kjo hordhi zaptuesish mban pas vetes dhe qindra persona të tjerë të cilët operojnë si ‘taksidarë’, duke mos lejuar njeri të hapë çadrën dhe të vendosë shezllongjet, pa u paguar atyre më parë haraçin. E gjitha kjo bëhet ‘ditën për diell’. Pa asnjë mëdyshje edhe në bashkëpunim me segmente të korruptuara të pushtetit lokal në nivelet më të larta të tij, deri dhe tek kryebashkiakët. Eshë pikërisht pushteti lokal, i cili ka nën administrim këto territore, që i jep plazhet me qira. Natyrisht është një aferë e pastër korruptive deri dhe kriminale. Por ajo që është edhe më tronditëse është heshtja e shurdhët e qeverisë përballë këtij fenomeni që u’a ka bërë shqiptarëve jetën ferr në plazh dhe ka shtuar kostot e tyre të pushimeve.

Ligji për hapësirat në zonat e plazheve përcakton qartë se cila është hapësira për shfrytëzim nga biznesi i vijës bregdetare dhe cila është hapësira e plazhit publik. Ky ligj e shtrin veprimtarinë e tij përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Velipoja deri në Sarandë. Por si zbatohet praktikisht ligji në terren? As që pyet njeri për ligjin. Me letra merret hapësira që përcakton ligji. Në terren thuajse të gjithë zaptuesit e 4 fishojnë deri 10 fishojnë hapësirën që u është dhënë me letra, duke mos lënë asnjë vrimë për plazh publik. Për këtë zaptim ata paguajnë edhe haraçin ndaj zyrtarëve të pushtetit lokal duke blerë me këtë rast edhe heshtjen e tyre ndaj shkleljes së ligjit.

Por shkelja e ligjit nuk ka të bëjë thjeshtë me zaptimin e hapsirës përgjatë vijës bregdetare. Për pjesën dërrmuese të çadrave dhe shezllongjeve, që njerzit paguajnë, nuk lëshohet asnjë kupon tatimor dhe nuk paguhet asnjë detyrim fiskal për këto të ardhura në buxhetin e shtetit, duke qenë në këtë mënyrë një fitim i pastër pa asnjë mund me pasuritë publike. Në kohën kur shteti ‘fut në vrimë të gjilpërës’ dhe një këpucar në skemën e TVSH, hordhia zaptuese me qindra çadra përgjatë vijës bregdetare, as që do t’ia dijë për TVSH. Qindra mijëra tatimorë nuk lenë rrugicë qorre pa kontrolluar në Tiranë dhe pa vënë gjoba mbi njerëz që mezi mbajnë në këmbë bizneset familjare, ndërsa në bregdet nga Velipoja në Sarandë nuk sheh këmbë tatimori.

Në këtë aferë të pacipë antiligjore, për nga kurajo, është i përfshirë kokë e këmbë pushteti lokal. Janë ata përgjegjësit e drejtpërdrejtë të kësaj katrahure, të cilve u’a kanë mbyllur gojën me para. Nëse merr lejen për 20 çadra dhe në terren janë 200 të tilla, nuk do shumë mënd për të kuptuar se mungesa e reagimit vjen nga fuqia e korruptimit. Për të mos vijuar më tej se zaptuesit ose janë njerëz të afërt të kryetarit të bashkisë ose ndonjë zyrtari tjetër të lartë, ose janë të afërm të deputetëve të zonës. Nuk ka si shpjegohet ndryshe që përballë këtij realiteti askush nuk reagon.

“Deti është i joni, deti është i të gjithëve’. Ky është një postulat që vjen nga qindra shekuj. Por mesa duket për t’u larë në det duhet të biesh nga qielli se nga toka të gjitha shtigjet thuajse janë mbyllur. Këtë situatë të pashembullt jo vetëm që se gjen në Evropë, por as në Ballkan. As që mund të çohet në mend që vijën bregdetare ta pushtojnë dhe përçudnojnë në këtë mënyrë as në Kroaci, as në Mal tyë Zi, as në Greqi, Bullgari, Rumani etj., etj. Kjo situatë ka rritur kostot e pushimeve duke i bërë ato deri në kufijtë e pamundësisë, pasi duhet të paguash për çadrën, të mos guxosh të kesh marrë ujë apo ndonjë pije freskjuese me vete se befas 3 veta të shfaqen në çadër e të zbojnë që aty pasi duhet të blesh nga lokali i tyre pa leje, nuk guxon dot të marrësh bukë me vete se shpërthen sherri me bishta çadrash, nuk mund të parkosh pa paguar lek në parkingun pa leje etj. Vetëm shpenzime akomodimi në ditë minimalisht shkojnë 1500 lek të reja, pa llogaritur të tjerat.

Qeveria e ka shpallur turizmin si një nga alternativat më të mira për zhvillimin e vendit. Në fakt e tillë është sepse gjeneron jo pak të ardhura për bizneset, por edhe për turizmin familjarë. Por nëse qeveria e ka konceptuar zhvillimin e turizmit për një grusht njerëzish nga tarafi i saj dhe për zaptuesit e vijës bregdetare, atëhere ky objektiv strategjik i qeverisë në një të ardhme shumë të afërt do të pushojë i qenë i tillë. Për momentin kjo që po ndodh nuk është turizëm, por zhvatje publike ë njerëzve nëpërmjet pasurive publike. Një qeveri që nuk arrin të kontrollojë territorin është një qeveri që nuk është për publikun, por për një taraf njerëzish rreth saj. Në këto kushte, për uljen e kostove të pushimeve, duket se do të na duhet të negocojmë me hordhitë që kanë zaptuar vijën bregdetare./javanews

Hordhia që ka zaptuar vijën bregdetare, me lejen e pushtetit lokal dhe të qeverisë Read More »

Alarmi i merimangës violinë, shtohen rastet e pickimeve helmuese – Ja rreziqet serioze

Ndryshe nga shumë lloje merimangash që jetojnë në Shqipëri, kjo merimangë është helmuese.

Dhe nxehtësia, sipas ekspertëve, mund të shpjegojë rritjen e rasteve të pickimeve gjatë periudhës së fundit.

Sipas ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik sidomos në qytetet e jugut të vendit, numri i rritur i raportimeve është për shkak të faktit se ky insekt tërhiqet nga nxehtësia.
Pse quhet merimanga violinë?
Quhet kështu prej karakteristikave që ka në trup. Insekti ka përmasa mjaft të vogla, rreth shtatë milimetra dhe femrat janë më të mëdha se meshkujt.

Emri shkencor i merimangës violinë është Loxosceles rufescens.

Kjo merimangë ka ngjyrë të verdhë në kafe, këmbët e saj janë të gjata, të holla dhe të mbuluara me push të lehtë.

Ndryshe nga tetë sytë e shumicës së merimangave, ajo ka gjashtë grupuar në tre çifte.

Në kohët e fundit po regjistrohen mjaft raste të kafshimeve nga ky insekt i vogël, e cila shpjegohet me faktin se merimanga violinë bëhet agresive në kohë të nxehtë.

Një tjetër pamje nga afër e merimangës violinë.

Burime shkencore të konsultuara nga AgroWeb.org raportojnë se zakonisht merimanga qëndron larg njerëzve duke zgjedhur vende ku mund të fshihet, si këpucë, kuti të vjetra, etj.

Por me raste shëtit edhe në sirtarët e rrobave dhe vende të tjera të izoluara.
Çfarë shkakton pickimi i merimangës violinë?
Pickimi i insektit shkakton kruajtje, djegie dhe skuqje brenda dy apo tre ditësh nga pickimi.

Pickimi i merimangës violinë mbart baktere anaerobe, të cilat, nga ana tjetër, arrijnë të shkaktojnë dëmtime në lëkurë, tek muskujt dhe te veshkat, madje arrin të sjellë edhe hemorragji.

Prandaj, sipas ekspertëve, është e rëndësishme të shkoni menjëherë në urgjencën mjekësore.

Pickimi i kësaj merimange nuk sjell ndonjë dhimbje të fortë kur ndodh madje lëkura nuk tregon menjëherë ndryshime apo shenja.

Gjatë orëve pas pickimit, vendi bëhet i kuq dhe jep ndjesi shpimi.

Çfarë duhet të bëni në rast të një pickimi?

Plagë e shkaktuar nga pickimi i merimangës violinë.

Lani zonën e prekur nga pickimi me sapun dhe ujë të rrjedhshëm. Dezinfektojeni zonën e pickimit me alkool dhe paraqituni tek mjeku./AgroWeb.org

  • Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Alarmi i merimangës violinë, shtohen rastet e pickimeve helmuese – Ja rreziqet serioze Read More »