Problematika

Vlore:Moti i keq, ja zonat pa energji elektrike…

Kushtet atmosferike te perkeqesuara gjate oreve te mbremjes, por edhe ne oret e para te dites se sotme kane shkaktuar deme ne rrjetin elektrike, ku shtylla e linja te tensionit jane demtuar, duke lene pa energji disa zona…Radhime, Kocul, Uji i Ftohte, Pylli i Sodes, Mifol, Aliban etj.. Punonjesit e OSHEE Vlore kane qene ne dispozicion duke riparuar cdo defekt te shkaktuar ne rrjetin elektrik.

Fotografia e ONETV VLORA

Vlore:Moti i keq, ja zonat pa energji elektrike… Read More »

Mashtrues dhe të mashtruar nga Ballkani – punësimi ilegal në Gjermani

Dhjetë mijëra njerëz nga Ballkani Perëndimor punojnë në të zezë në Gjermani. Në shumë raste kushtet e punës janë të vështira. Shpesh ata mbeten edhe pa para. Industria mashtruese e “ndërmjetësve” lulëzon.

Oferta e punës që iu bë Dino Mehiçit tingëllonte shumë joshëse. Ai duhej të paguante vetëm 200 euro për dhomën nëpërmjet një transferte bankare, dhe duhej të shkonte në Gjermani me shpenzimet e veta. Atje, në fshatin Spiegelau të Bavarisë, e priste një vizë pune  dhe një vend pune në sektorin e teknologjisë informative. I riu nga Bosnja nuk u mendua dy herë dhe u nis për Bavari.

Por realiteti ishte krejt ndryshe. Shtëpia ku do të banonte ai ishte një rrënojë, veç tij aty banonin edhe 50 punëtorë të tjerë nga Bosnja, Serbia dhe Kroacia. Shtrati i fjetjes në dhomën e mbushur cyt më cyt kushtonte jo më 200, por 500 euro. Vendi i punës nuk ekzistonte fare. Dino kishte frikë se do të përfundonte si punëtor ilegal në ndërtimtari. Kur “ndërmjetësi” i kërkoi edhe pasaportën, ai vendosi të kthehej menjëherë në Bosnjë.

Gjurmët të çojnë në Ballkan

Dino Mehiç në fakt quhet ndryshe. Por ai ishte i gatshëm të fliste për Deutsche Welle-n vetëm nëse nuk do t’i tregohej emri i vërtetë. Sikurse edhe shumë të tjerë që kanë pasur fatin e tij, ai ndiehet i nëpërkëmbur, meqë është bërë pre e rrenave të rëndomta. Por nga ana tjetër, secili prej punëtorëve ilegalë kanë shkelur ligjet gjermane duke rrezikuar që, nëse kapet, t’u ndalohet hyrja në hapësirën Schengen. Veç kësaj ,ata kanë frikë nga ndërmjetësit e tyre, të cilët thuhet se janë të organizuar dhe të rrezikshëm.

Deutschland Razzia gegen organisierte Schwarzarbeit (picture-alliance/dpa/C. Seidel)

Që kjo frikë nuk është pa baza, këtë e dëshmoi edhe rezultati i një kontrolli të befasishëm që u bë para disa ditësh në landin Nordrajn Vestfalen. Si pasojë u arrestuan tetë persona që bënin fatura të rreme për qindra firma ndërtimi në Gjermani. Firmat ua dërgonin paratë me bankë, ndërsa ata ua kthenin sërish në dorë, duke mbajtur një komision deri në dhjetë përqind. Me paratë e mara në dorë ata paguanin punëtorët ilegalë. Evazioni fiskal i shkaktuar në këtë mënyrë kap shumën prej së paku 35 milionë euro. Ndër të arrestuarit janë edhe tre serbë dhe një boshnjak. Hetuesit konfiskukan edhe armë, ndër të tjera dy armë automatike antitank, para dhe disa automjete.

Gjurmët e krimit të organizuar të çojnë në Ballkanin Perëndimor. Policia tatimore gjermane, që është përgjegjëse për punën ilegale, nuk parapëlqen të japë statistika. Por sipas një raporti në “Welt am Sonntag” (Gusht 2017), ku citohej një raport konfidencial i Doganës, vetëm në gjysmën e parë të 2017-ës ishin hapur  65.755 procese gjyqësore kundër punës ilegale. Shifrat reale mendohet të jenë shumë më të larta. Sipas raportit, në Gjermani punohet kryesisht në ndërtim dhe në gastronomi në të zezë. Ndër dhjetë vendet, prej të cilëve vijnë punëtorë ilegalë në Gjermani, janë edhe asiprantët për anëtarësim në BE: Serbia, Bosnja-Hercegovina, Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.

Kërcënim me padi

Darko Sekulic (26) nga Valjevo e Serbisë mund të flasë shumë për këtë temë. Nëpërmjet firmës sllovene “Sluger”, ai ka punuar si bojaxhi në Austri dhe Gjermani – pa letra. “Katër shtretër në një kontejner, aty duhej të flinim. Na jepnin 50 euro në javë për të ngrënë – por ato nuk na dilnin. Nuk kisha kontratë pune. Ne kishim nënshkruar diçka, por askush nuk e dinte se çfarë ishte.”

Kur Darkoja e publikoi në facebook përvojën e tij, atij iu lajmëruan shumë bashkëvuajtës që ishin mashtruar në të njëjtën mënyrë nga firma e tij. Mashtruesit e kërcënuan me dhunë, raporton Darko, dhe prandaj ai e denoncoi rastin te policia serbe dhe sllovene. “Unë do të këmbëngul në zbardhjen e çështjes. Ka dëshmitarë që dinë gjithçka”, i premton ai DW.

Dosja e tij ështe edhe në tryezën e Goran Zrniçit. Presidenti i shoqatës “Delavska svetovalnica”, një organizatë sllovene, që merret me të drejtat e punëmarrësve, thotë, se naiviteti i punëmarrësve të dëshpëruar nga vendet e varfra të Ballkanit është jashtëzakonisht i madh. “Ka nga ata që janë mashtruar disa herë dhe kërkojnë ndihmën tonë. Këta punëtorë duhet ta kuptojnë se është në interes të tyre dhe të familjeve të tyre që të informohen më mirë,” thotë Zrnic për DW.

Megjithë përpjekjet e përsëritura, kompania “Sluger” nuk ishte e gatshme të jepte një prononcim për DW. Në të kundërt, agjencia ndërmjetësuese “Fortuna Personal”, e cila nga shumë punëtorë, duke përfshirë këtu edhe Dino Mehiçin, përshkruhet si “aparat mashtrues”, thotë se është me mijëra punëdhënës në kontakt dhe se mjafton jetëshkrimi dhe të dhënat personale dhe vendi i punës jashtë është thuajse i sigurt.

Deutschland Razzia gegen organisierte Schwarzarbeit (picture-alliance/dpa/C. Seidel)

“Fortuna Personal” organizon transportin, ofron kurse gjuhe dhe merret me dokumentet e nevojshme”, shkruan Sanja Kovaç, e cila i bën reklamë firmës në rrjetet sociale dhe vetë prezantohet sikur jeton në Berlin.  Por ajo vetë përshkruhet prej shumë punëtorëve si mashtruese. “Janë thashetheme të përhapura nga konkurrenca”, i thotë ajo DW. “Ju paralajmëroj se do t’ju padisim, nëse do ta përmendni emrin e firmës tonë në ndonjë kontekst negativ”, na shkroi Kovaç.

“Kapitalizmi i egër”

Firma ofron një platformë kontakti edhe për punëmarrës nga Serbia, megjithëse ajo nuk bën pjesë në listën e kompanive të liçensuara për punësim në Gjermani. Në listën e verifikuar edhe nga ministria e punës e Serbisë janë 105 agjenci ndërmjetësimi.  “Shumë shpesh qytetarët e gjejnë vetë vendin e punës jashtë, pa ndërmjetësim. Atëherë rreziku është i madh që të jenë të pambrojtur”, i përgjigjet ministria pyetjes së DW.

Policia tatimore gjermane merret me luftimin e punës ilegale, por punëtorët e mashtruar dhe të papaguar mbeten në mëshirë të fatit. “Nëse ndonjërit nuk i jepet rroga, ai duhet të hedhë në gjyq punëdhënësin. Ne nuk mund të bëjmë asgjë”, thotë Klaus Salzsieder, nga policia tatimore. Edhe në qoftë se punëmarrësi dëbohet nga Gjermania, sepse nuk ka letra, ai prapë ka të drejtë ta hedhë në gjyq punëdhënësin e tij”.

Mbrojtësi i të drejtave të punëtorëve, Zrniç, thotë se as vendet e Ballkanit e as Gjermania nuk luftojnë sa duhet kundër këtyre “tutorëve”, kështu i quan ai mashtruesit dhe ndërmjetësit e punës ilegale.  “Të parët duan të eksportojnë njerëzit e tyre, të tjerët duan vetëm t’i shfrytëzojnë. Ky është kapitalizëm i egër i gërshetuar me politikën.”

Serbi Darko Sekuliç dëshiron të kthehet prapë në Gjermani. Ai tani punon si larës makinash në Serbi. Me rrogën që merr nuk arrin ta ushqejë të gjithë familjen. Përpjekja e tij e dytë në Gjermani do të jetë legale, premton Darko. “Unë tani po shkoj në një kurs gjuhe dhe pastaj do të aplikoj. Gruaja ime dhe unë jemi kopshtarë. Kemi dëgjuar se për këtë punë ka kërkesë në Gjermani.

Mashtrues dhe të mashtruar nga Ballkani – punësimi ilegal në Gjermani Read More »

Eneda Tarifa përlot me rrëfimin prekës: Më gjuante, më shfrytëzonte dhe …

Këngëtarja dhe moderatorja e njohur Eneda Tarifa ka rrëfyer një histori prekëse në rrjetin e saj social Instagram.

Historia bën fjalë për një vajzë së cilës i fillon emri me S. e cila rrëfen lidhjen e saj dhe vështirësitë pasi mbeti shtatzënë.

Eneda Tarifa shkruan në fund të postimit se kjo është një nga historitë që e ka lexuar në koncertin e bamirësisë “Ende ka jetë”.

Statusi i Eneda Tarifës në Instagram 

Unë jam S.
Në fillim ishim të lumtur. U njohëm në Greqi dhe gjithçka mes nesh shkonte për mrekulli. Pastaj, kur mbeta shtatzënë e kur mendoja se do të përjetoja emocionet më të bukura, në pritje të fëmijës së parë, jeta ime u përmbys e u nxi e gjitha.
Ai u bë i dhunshëm dhe shumë i rrezikshëm. Më gjuante, më ofendonte dhe më shfrytëzonte ndërkohë që isha shtatzënë.
Për vite me rradhë jetuam kështu, me dhunë.
Edhe kur erdhi fëmija i dytë, i tretë… asgjë nuk ndryshoi, përkundrazi ai nisi t’i keqtrajtojë edhe ata.
Sillej keq, nuk na donte e na linte edhe pa bukë.
Unë punoja por lekët mi merrte gjithmonë ai.
Kisha frikë dhe nuk kisha mbështetje askënd deri në momentin kur dikush më zgjati dorën dhe më ofroi mbrojtje, mua dhe fëmijëve.
Tani jam këtu, e ndihmuar nga organizata që më riktheu në jetë, ndërsa ai është aty ku e meriton, në burg!
Tani ndjehem e sigurtë. Çfarëdo që të ndodhë, nuk do të dorëzohem më, asnjëherë.

Nje nga historite qe lexova ne koncertin e bamiresise “Ende ka jete”

eneda tarifa

Eneda Tarifa përlot me rrëfimin prekës: Më gjuante, më shfrytëzonte dhe … Read More »

Skadon ‘Traktati i Miqësisë’, grekët zyrtarisht në luftë me shqiptarët, zbulohet skandali që fshehin politikanët

Më 31 janar përfundoi Traktati i miqësisë mes Shqipërisë dhe Greqisë i nënshkruar në 31 mars të vitit 1996. Këtë e bëri të ditur dje Elida Petoshati, drejtore e drejtorisë së Rajonit dhe Fqinjëve në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

E ftuar në emisionin “Debati në Channel one” të gazetarit Roland Qafoku Petoshati shtoi se rinovimi dhe pasurimi i këtij traktati është pjesë e paketës së bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Petoshati ka qenë një nga pjesëmarrësit e më shumë se 10 takimeve dhe bisedimeve të palës shqiptare që ka zhvilluar me palën greke si pjesë e paketës dy palëshe për zgjidhjen e shumë çështjeve mes dy vendeve. Lidhur me kufirin detar Petoshati tha që gjithçka që flitet është në kuadrin e bisedimeve dhe palët nuk kanë bërë marrëveshje.

Në fakt skadimi kohor i këtij traktati si forma më e lartë e bashkëpunimit mes dy shteteve ka kaluar në heshtje dhe arsyet nuk dihen. Edhe pse Greqia mbante ende ligjin e luftës të vendosur në vitin 1940 më 31 mars të vitit 1996, në kohë kur në pushtet ishte Partia Demokratike dhe Sali Berisha president I Republikës, nënshkroi Traktatin e Miqësisë. Për afro 22 vjet ky traktat ishte në fuqi dhe komentohej si një nga arritjet më të mëdha të diplomacisë shqiptare por edhe asaj greke. Madje sa herë diskutohej dhe përmendje ligji I luftës, pala greke argumentonte se ky ligj ishte nul për faktin se mes dy vendeve ekziston Traktati I miqësisë mes dy vendeve si forma më e lartë e bashkëpunimit. Por aktualisht ne jemi në stadin që ky traktat nuk ekziston për shkak të skadencës dhe e vetmja gjë që është aktualisht në fuqi është ligji i Luftës që Greqia ka ndaj Shqipërisë.

Por historia e vetë Traktatit është një ligj që nuk është zbatuar, sidomos nga pala greke. Në vitin 2016 qeveria shqiptare dhe qeveria greke nisën bisedimet dy palëshe për të zgjidhur një sërë problemesh të mbetur pezull. Mes tyre ishte edhe rinovimi i Traktatit të Miqësisë. Në atë kohë ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Kotzias deklaroi se “ne duam të ripërtërijmë, për të përmirësuar atë” , por tashmë kanë kalur 48 orë nga skadimi i këtij traktati dhe aktualisht e vetmja gjë e shkruar zyrtare është ligji i Luftës që Greqia ende e ka në fuqi.

Skadon ‘Traktati i Miqësisë’, grekët zyrtarisht në luftë me shqiptarët, zbulohet skandali që fshehin politikanët Read More »

Fadroma e INUK prish murin rrethues. Gruas sa s’i bie të fikët, i biri nuk zbret nga çatia

Ka nisur shembje e murit rrethues të banesës që ndodhet tek Liqeni i Thatë, në Tiranë. Brenda banesës ndodhen persona të shumtë, ndërsa në çatinë e saj ka hipur 25-vjeçari Klajdi Peti.
Ai dhe të afërmit kërcënojnë se do të vetëflijohen nëse shtëpia e tyre preket, por ndërkaq, fadroma e INUK-ut ka nisur prishjen e të gjithë murit rrethues.

Kryefamiljarja, e cila ende nuk është identifikuar, është ndier keq, ç’k ka detyruar njërin prej djemve të saj, vëllanë e Klajdit, të zbresë nga çatia.

Ajo është larguar nga banesa mes ulërimash dhe një gjendjeje të rënduar shëndetësore. Gruaja qan e bërtet, ndërsa janë policët bashkiakë ata që e largojnë nga banesa, në praninë e të afërmve të saj.

Në momentin që ka mbërritur fadroma, punonjësit e INUV janë larguar, ndërsa brenda banesës nuk ndodhen vetëm familjarët, por edhe fqinj e persona të tjerë të afërm të tyre.

Fadroma e INUK prish murin rrethues. Gruas sa s’i bie të fikët, i biri nuk zbret nga çatia Read More »

Shoferi nga Tirana transportonte i dehur nxënësit, nuk pranon testin e alkoolit, por policia e arreston menjëherë

Ne kuader te planit te masave për kontrollin e automjeteve të transportit publik, e në veçanti të atyre të transportit të specializuar për nxënës shkolle, policia ka kapur mat nje shofer qe transpoetonte nxenes ne gjendje te dehur.

“Nga kontrolli i ushtruar në disa zona në Tiranë, ka rezultuar se disa automjete të transportit publik transportonin fëmijë e nxënës në shkelje flagrante të rregullave të Qarkullimit Rrugor, si pa kontroll teknik, pa licencë transporti, pa vendosur rripin e sigurimit, pa Leje Qarkullimi, nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur, etj”- njofton policia.

Sipas saj, nga kontrollet e ushtruara ndaj mjeteve të shërbimit publik, kryesisht mjetet e transportit të specializuar për nxënës shkolle, në zonën e Unazës së Re ka rezultuar se një drejtues autobusi shkolle që transportonte nxënës drejtonte mjetin pa leje qarkullimi, pa kontrollin teknik të mjetit, pa certifikatë transporti për nxënës, në gjendje të dehur, si dhe debitor, pasi ishte ndëshkuar edhe disa herë të tjera për mospërdorim të rripit të sigurimit.

“Nga verifikimi me aparatin Drager ka rezultuar se shtetasi Isuf B., drejtonte autobusin në gjendje tej mase të dehur, ku testi i parë rezultoi 1.38 mg/l dhe testi i dytë 1.47 mg/l”- njofton policia.

Në këto kushte është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Isuf B., 56 vjeç, banues në Tiranë për veprën penale të “Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur” parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.

Gjithashtu është bërë bllokimi i mjetit si dhe është përpiluar masa administrative për shkeljet e gjetura gjatë kontrollit.

Policia Rrugore e Tiranës, do të vijojë kontrollet edhe ditët në vijim dhe gjen rastin t’ju bëjë apel prindërve dhe mësuesve, por edhe vetë nxënësve, që të mos pranojnë të qarkullojnë me automjete që vënë në rrezik sigurinë e jetës së fëmijëve, si dhe të sinjalizojnë Policinë në numrin pa pagesë 112, për çdo problematikë të hasur në këtë drejtim

Shoferi nga Tirana transportonte i dehur nxënësit, nuk pranon testin e alkoolit, por policia e arreston menjëherë Read More »

Myslym Pasha që rrëzoi paktin e Berishës për detin, bën deklaratën e fortë: Prisni, ja pse ministri grek nuk e di cfarë thotë

Koloneli në pension Myslym Pasha, ish-drejtor i Institutit të Topografisë Ushtarake të Shqipërisë, iu përgjigj interesimit të gazetës “Panorama” për të hedhur dritë mbi negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufirit detar.

Kolonel Pasha, i cili ndodhet këto kohë në Uashington DC, shprehet se nuk ka pakt apo marrëveshje për detin mes dy palëve, por vetëm bisedime, për standarde ndërkombëtare detare si një parapërgatitje, por jo pakt.

Sipas tij, termi zgjerim hapësire me 12 milje për Greqinë, i cituar nga ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, nuk është asgjë tjetër përveçse e drejta që i njihet si Shqipërisë ashtu dhe Greqisë mbi bazën e Konventës Montego Bay, ku të dy vendet janë anëtarësuar. Ai denoncon reagimet e ditëve të fundit të opozitës, të Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Tritan Shehut, të cilët, sipas tij, mbrojnë paktin e 2009- s, të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

MYSLYM PASHA

Prej dy ditësh një pjesë e bashkësisë së shqiptarëve janë të trazuar dhe shumë të goditur prej lajmeve që përhapen në bazë të deklaratave qeveritare diplomatike, që bëhen nga Republika e Greqisë dhe ajo e Shqipërisë për delimitimin e kufijve detarë midis dy shteteve. Le të qetësohemi në përqendrim dhe arsyetim… S’ka Marrëveshje, askund. Ka vetëm Diplomaci dhe instrumente të saj. Ka përçapje që të sillet në tavolinën diplomatike diskutimi i rinisjes së negociatave. Por, ama nuk ka ende Negociata të drejtpërdrejta teknike (siç e kuptoj unë). Janë përafrime reale, paqësore dhe racionale për të ritrajtuar një Marrëveshje, e cila e ka rrënjën në fajin e shtetit shqiptar të kohës së Berishës, që jo vetëm fali detin e shqiptarëve, por përkeqësoi marrëdhëniet me Greqinë. Shqiptarët dëgjojnë terma të së Drejtës Detare Ndërkombëtare, të cituara dhe pastaj vënë duart në kokë dhe komentojnë ashtulloj sa të të luajë tepeleku i kokës. Kriza morale që po kalojmë, është duke u thelluar edhe më keq. Shqiptarët, me të drejtë, nuk besojnë në shtetin e tyre. Ndaj aq shumë reagime ka pasur në mediume të ndryshme e portale, sa s’qenë përfytyruar.

Po komentoj se si është prurë në mediumet tona intervista e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Kotzias.

  1. Pala shqiptare ka pranuar se Greqia ka të drejtë që t’i shtrijë deri në 12 milje ujërat e veta territoriale.

“Është e papranueshme ta sjellësh për shqiptarë dhe grekë këtë deklaratë diplomatike për një çështje kaq të ndjeshme se sa kjo ndarje detare aq shumë e debatuar, pa i bërë sqarimet e duhura. Ka 36 vjet që në UNCLOS (Konventa e Montego Bay) është vendosur e Drejta Detare e 12 miljeve detare (22,22 km shtrirje) për shtetet, sikundër edhe për Shqipërinë dhe Greqinë. Si mund të “bisedohet” në këto trajtesa diplomatike për një të Drejtë kaq të njohur të të dy shteteve, të cilën nuk e vendosin ata?! Nga shumë shqiptarë kjo është kuptuar sikur “Greqia do të marrë 22,22 km det në hapësirën detare”!! Ja se ç’bëhet!

Ky standard është ai i Detit Territorial (Territorial Sea = Det Shtetëror) të secilit shtet. Duke filluar nga përmbyllja gjeometrike detare: Othoni-Vijat e Bardha ku përvijon Kanali i Korfuzit, i gjithë deti midis nesh është Territorial Sea (Det Territorial), të dy shtetet nuk tejkalojnë 24 milje detare. Otranto dhe ngushtica e saj ku ndodhet dhe pika “treshe” ka një hapësirë detare ku tejkalohet Deti Territorial 12 milje, ku del në pah, Hapësira Ekonomike Ekskluzive dhe Shelfi Kontinental.”

  1. I pyetur nga gazetari se çfarë po bëhet me Shqipërinë për zonat ekskluzive ekonomike, Kotzias është përgjigjur:

“Ramë dakord”.

“Ratë dakord?”

“Po”, përgjigjet ministri i Jashtëm grek.

Në vijim ne duhet të shpjegojmë… se është “rënë dakord” për diçka që “s’është rënë dakord”, por ndoshta ia vlen që të shpjegohet për grekë dhe shqiptarë se ç’janë standardet e Ligjit të Detit.

Kjo të bëhet që të mos interpretohet nga Kazani, intervista e ministrit të Jashtëm grek, Kotzias.

Ndaj ne po citojmë për njohje se ZEE janë tej 22,22 km (Det Territorial) dhe po kështu 22,22 km është ZEE (Ligji i Detit rrëfen se tej 12 miljeve detare, vijon deri në 200 milje e kjo shtrirje përbën EEZ brenda së cilës shteti bregdetar, Greqia dhe Shqipëria kanë kontroll mbi peshkimin dhe shfrytëzim të tij.

Tej 22,22 km (Det Territorial), i cili është ashtu sikundër hapësira tokësore me të Drejtat e Sovranitetit në Det dhe Hapësirë Ajrore, vjen edhe një standard tjetër (Deti i Afërt) me 22,22 km shtrirje, që përbën vijimin e ZEE. Këto standarde janë të pranishme në Ngushticën e Otrantos midis tre shteteve Itali, Greqi dhe Shqipëri, për të cilën del një problem shumë pikant, mbasi të tre këto shtete edhe pse standardet e Ligjit Ndërkombëtar ekzistojnë, nuk kanë të njëjta rrethana gjeografike, pasi Greqia përbën në këtë gjeohapësirë një Arkipelag ishujsh që s’mund të jenë të njëvlershëm me Hapësirën e Dheut Kontinental të Shqipërisë. Kjo është “thembra e Akilit”, e diskutimit, jo pse Shqipëria ka humbur aq shumë Det nga Marrëveshja e parë (që tani nuk ekziston). Pra, besoj se në këto shqyrtime përgatitore është folur për parime dhe standarde, por s’është përgatitur asnjë dokument i shkruar dhe pranuar. Duke besuar edhe Ditmir Bushatin, ministrin e Çështjeve Europiane, dhe Kotzias se kanë rënë dakord për standarde ndërkombëtare detare si një parapërgatitje, por jo Pakt!

  1. Kur thoni “ramë dakord”, do t’i shtrini ujërat territoriale në 12 milje? Vijon intervista e Kotzias…

Si mund ta shpjegosh, pas kësaj, këtë shtrirje 12 milje… mbasi tej kësaj, nuk ka det Territorial, (sepse ai është vetëm 12 milje) pra, kësisoj, këtu nuk është faji i ministrit, por i kazanit të lajmeve. Vetëm këtu bëhet fjalë për ZEE (Zonat Ekonomike Ekskluzive). Prandaj shqiptarët e dashur, por që nga pashpjegimi i duhur, të ndjeshëm siç janë ndaj çështjes kombëtare, janë gati të ngrihen në kryengritje e të dalin për shembull siç i ka lajmëruar një Bej, të bëjë një miting proteste!? Në atë miting mund të shkojë Berisha, Shehu, Meta gjithë negociatorët që presin me veshët ngritur që të ndodhë vijimi i së njëjtës shitje… sepse këta, sot e kësaj dite, janë mbështetësit e Paktit që s’ekziston më. Ç’bëhet në nahijen tonë? Për ta ditur se vetëm në Otranto, siç e shpjeguam aty pari, bëhet fjalë për ZEE midis tre shteteve, hapësirat që përfitojnë nuk janë të barabarta, por në vlerësim peshor sipas kushteve (Dhe kontinetal, Ishuj, Shkëmbinj detarë etj.).

  1. “Këto janë zonat bregdetare, po do ta bëjmë kur të vijë koha.”

Nuk ka “zona bregdetare”, por terminologji ndërkombëtare për përcaktimet e Ligjit të Detit. E rëndësishme është të kuptohet nga qytetarët shqiptarë dhe grekë se do t’i vijë koha siç thotë ministri i nderuar Kotzias që të trajtohen e të negociohen. Ky është kumti më i rëndësishëm që marrim në këtë parapërgatitje.

  1. “Zonën ekskluzive ekonomike mund ta shpallësh kur tjetri ka pranuar që, sidoqoftë, e ke të drejtën për 12 milje.” Sërish jemi në trajtim standardesh ndërkombëtare dhe jo në një Pakt Delimitues Detar. Ne kemi pranuar Detin Territorial 12 milje. Shteti grek e ka pasur sipas ligjit të brendshëm 6 milje dhe Montego Bay e ka çuar në 12 milje. Mirëpo, vini re me kujdes se, siç u tha, nga Othoni e deri në Ftelia, e gjithë hapësira është Det Territorial. Vetëm në Otranto, por edhe në Kanalin e Korfuzit, kur të arrihet Pakti, do të diskutohet se a janë rrethana të njëjta gjeografike dhe a mund të përfitojë një ishull apo një Shkëmb aq sa fiton një Dhe Kontinental? Pakti Greqi – Itali, fatmirësisht, ka bërë qasjen shembullore kur nuk i ka dhënë të njëjtën largësi Greqisë, në krahasim me Italinë që është Dhe i vijueshëm Kontinental.

  2. Domethënë e pranuan?

Kotzias: Po.

Me aq tejdukshmëri sa ka nga këto intervista, ne hamendësojmë se Ministrat dhe stafet e tyre diplomatike kanë folur për standarde dhe parime. Këto standarde dhe parime janë zbatuar në disfavor dramatik për Shqipërinë. Në qoftë se do të bëhet ndonjë miting grotesk e i turpshëm antikombëtar, kryengritës, ma merr mendja se tre nga njerëzit shtetarë shqiptarë që vijojnë të mbështesin Paktin e Përmbysur, të cilët janë, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Tritan Shehu do të dalin me llogari dhe harta, në mbrojtje të atij Pakti.

Myslym Pasha që rrëzoi paktin e Berishës për detin, bën deklaratën e fortë: Prisni, ja pse ministri grek nuk e di cfarë thotë Read More »

Deputetët grekë me mbiemra shqiptarë i frikësohen njohjes së Kosovës, zbardhen debatet e parlamentit grek për marrëveshjen me Shqipërinë

Gjatë një raportimi të ministrit të Jashtëm grek Kotzias për kufirin detar në Komisionin Parlamentar për Çështjet e Jashtme dhe ato të Mbrojtjes, dy deputetë ishin veçanërisht të interesuar për kushtet ndaj Shqipërisë.
Ata janë deputeti i Agimit të Artë, Mihali Arvanitis dhe ai i Demokracisë së Re, Stefanos Gjikas. Mbiemrat e tyre gjejnë kuptim në fushën e onomastikës historike. Arvanitis, një nga figurat qendrore të Partisë Agimi i Artë ka qenë radikal sa i përket marrëdhënieve me Shqipërinë, duke shprehur kundërshtinë e tij për një njohje të mundshme të pavarësisë së Kosovës nga Greqia, shkruan Dita. Më i moderuar, por gjithsesi me kushtin që Shqipëria të mos pranohet në Bashkimin Evropian nëse nuk firmos marrëveshjen me kufirin detar me Greqinë ishte deputeti i Demokracisë së Re, Gjikas.

Ministri Kotzias kërkoi që ato të ezaurohen në një seancë tjetër me dyer të mbyllura. Më poshtë pyetjet e dy deputetëve drejtuar ministrit të Jashtëm:

Mihali Arvanitis:

“I nderuar zoti ministër do të më gjeni kundër konstatimit tuaj se me kënaqësi do të bënit një marrëveshje me shqiptarët dhe do të njihnit Kosovën në rast se shqiptarët do të njhnin kufijtë tanë detarë… Jam kundër zoti ministër, pasi ne nuk mund të hapim një çështje të tillë, ne nuk e kemi njohur ligshmërinë e atij shteti. Marrëdhëniet tona me serbët do të përkeqësoheshin në rast se njohim Kosovën dhe ajo që do të kërkoni si këmbim është shumë e pabarabartë. Unë do t’ju thosha të kërkonit pavarësinë e Vorio Epirit. Duhet të kujdesemi shumë për marrëdhëniet tona me Serbinë, i vetmi vend ballkanik që është miqësor ndaj nesh dhe kemi lidhje historike”

Stefanos Gjikas:

“Pyetja ime ka të bëjë me përpjekjet që u bënë nga qeveria e mëparshme lidhur me çështjen e kufirit detar me Shqipërinë dhe mbyllja e kësaj marëveshje a do të kushtëzohet me hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Unë jam i mendimit që ajo të shoqërohet me këtë kusht”

Marrë nga faqja zyrtare e Parlamentit grek:

http://www.hellenicparliament.gr/Vouli-ton-Ellinon/ToKtirio/Fotografiko-Archeio/#1f2afe5b-b808-4754-9d3c-a46000c274f1

Deputetët grekë me mbiemra shqiptarë i frikësohen njohjes së Kosovës, zbardhen debatet e parlamentit grek për marrëveshjen me Shqipërinë Read More »