Problematika

Shqiptarë! Shikoni si po na vrasin çdo ditë!

Bisedova me një mjek sot, i cili më tha se shkaku kryesor i rritjes së sëmundejeve kancerogjene janë ilaçet(përdorimi pa kriter që bëhet si nga vetë njerëzit ashtu dhe me rekomandim mjeku) dhe ushqimet.

Bisedova me një mik, pedagog i veterinarisë. Më renditi rreziqet që vijnë nga mishi i kafshëve që rriten me hormone. Më foli për produktet blegtorale që prodhohen nga qumështi pluhur. Më foli për kosin e “lopës” me qumësht pluhur. Më foli për djathin e “deles” e të “dhisë” që bëhen me qumësht pluhur dhe aromatizues artificialë. Më foli për rrezikun e sallameve që bëhen me 3-4 fishin e kimikateve për ti zgjatur jetën sallamit.

Bisedova me një tjetër njeri, ekspert i sigurisë ushqimore dhe më foli për miellin që përdoret për bukë, me nivel proteine shumë të ulët. Më foli për bukën e “zezë” që nxihet vetëm nga solucione kimike dhe shitet si bio. Më foli edhe për verën, një shishe e të cilës kushton sa një kg rrush, që prodhohet me ujë, alkol dhe ngjyrues artificial.

Pastaj edhe domatet me hormone që piqen për 24 orë, kastraveci që rritet për 48 orë, shalqini që peshon 15 kg e qe mban aromë kungulli…

Lexova edhe fjalimin e djeshem te Albin Kurtit në parlamentin e Kosovës, që fliste fiks për të njëjtat gjëra. Që akuzonte një grup tregtarësh vrasës që importonin krundet e Serbisë e i shesin për miell buke në tregun e Kosovës dhe Shqipërisë. Që fliste për prodhuesit e bulmetit që nuk ua blejnë qumështin fermerëve, por produktet i bëjnë me qumësht pluhur…

Mjeku që takova këtë mëngjes më tha se këta jo po e vrasin popullin, por po i ndryshojnë edhe genin me këto që po i fusin në trup.

Por ku flitet për këto probleme? Kush ngre zërin? Askush. Të gjithë flasin për politikë. Të gjithë e kanë mendjen tek koalicioni. Po na vrasin o njerëz, po na shkatërrojnë organizimin, po na deformojnë fëmijët fizikisht dhe mendërisht.

Në djall vaftë koalicioni dhe zgjedhjet, këta po na vrasin. Ndërsa ata që i prodhojnë dhe na i shesin këto produkte, së bashku me ata që duhet t’i kontrollojnë, fëmijët e tyre i kanë në Vjenë, në lagjen e oligarkisë shqiptare.

Shqiptarë! Shikoni si po na vrasin çdo ditë! Read More »

Zbardhet një tjetër skandal me pronat në gjirin e Lalzit

Aferat me pronat në bregdet, ndër vite kanë prodhuar skandale, me bekimin e institucioneve të drejtësisë. Disa herë radhazi, CNA.al,  ka publikuar  fakte dhe dokumente se si ka ndodhur tjetërsimi dhe abuzimi me bregdetin e Gjirit të Lalzit.

Një sipërfaqe toke prej 3.6 dynym  e ndarë sipas ligjit 7501, e ndodhur në fshatin Draç, është regjistruar në Hipotekën e Durrësit si ranishte, me anë të një vendimi gjykate, në pronësi të trashëgimtarëve të shtetasit R.H.

Ndërkohë, që kjo pronë është e regjistruar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme si ranishte, në Seksionin e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës Durrës, nuk rezulton e regjistruar asnjë sipërfaqe ranishte në pronësi të shtetasit R.H.

CNA.al, është interesuar pranë kadastrës në Durrës, rreth kartelës së pronësisë të shtetasit R.H dhe bazuar në informacionet e dhëna nga kreu i këtij sektori, nuk rezulton e regjistruar ndonjë sipërfaqe ranishte.

“Pronat e R.H. në fshatin Likmetaj janë të regjistruar në Modelarin numër 2 si  vijon :Tokë arë 48 dynym, livadh 13 dynym, pemishte  1 dynym, rrënjë ullinj  90 copë, ullishte  28 dynym dhe pyje 200 dynym”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga kreu i Seksionit të Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës Durrës, Endrit Abdyli.

Por, me  vendim gjykate, një pronë e ndarë sipas ligjit 7501, ka përfunduar e regjistruar në Hipotekë si ranishte.

Shtrohen pyetjet, nëse është ranishte përse nuk është regjistruar në kadastër dhe përse nuk është marrë parasysh kartela kadastrale nga gjykata, kur ka dhënë vendimin për regjistrimin e pronës si ranishte.

Skandali i abuzimit me pronat në bregdetin e Lalzit është zbuluar pas denoncimit të shtetasit LL.M, i cili është në kontest me trashëgimtarët e R.H. Në të njëjtën çështje është përfshirë edhe  Avokati i Popullit.

Avokati i Popullit ka konstatuar me prova  se është bërë zhvendosja e pronës nga fshati Likmetaj, në bregun e detit në fshatin Draç. I  njëjti institucion ka depozituar pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë Tiranë, kallëzim ndaj ekspertit të thirrur nga Gjykata për kryerjen e akt eskpertimit të rremë.

Gjithashtu, Avokatura e Shtetit ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë dhe është në pritje të shqyrtimit të kësaj çështjeje.

Zbardhet një tjetër skandal me pronat në gjirin e Lalzit Read More »

8-vjeçarja në skamje: S’kërkojmë kurrë çokollata

Bajrami 7 vjeç dhe Erjola 8, janë dy fëmijë mjaft të zgjuar, që jetojnë në kushte të tejskajshme të mjerimit. “Jetoj me babin, me vëllain, dhe me nusen e xhaxhait të babit,  mami jeton në Kosovë, na ka lënë” thotë Erjola për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” në News24. Pjesa më e bukur e ditës së saj është shkolla dhe detyrat që bën pas mësimit. Kur e pyet se çfarë bën babai i saj për të, ajo nuk i përmban lotët. “Na blen gjëra babi,” thotë e përlotur.

I ati, Agimi është pika e dobët e Erjolës. “Babi na ka rritur, na ka ushqyer”. Agimi nuk ka mundësi t‘ua plotësojë kushtet dy fëmijëve të tij të mitur, as bukën e përditshme. “Kam pasur probleme me nusen, ajo mi mori fëmijët u largua. Pas dy muajsh arrita t’i marr fëmijët e mi. IshA në një gjendje depresioni. Kam rreth 2 vjet që i mbaj unë fëmijët, vetëm i ushqej se mundësi tjetër nuk kam. Nuk kam mundësi të tjera, të kemi drita, të kënë rroba. Kërkojnë rroba dhe lodra se shikojnë të tjerët, unë nuk e përballoj dot,” thotë Agimi.

Më tej shton se nuk ka pasur mundësi t’u blejë fëmijëve librat e shkollës. “Fëmijët më kërkonin librat, lekët i gjeta diku. Librat i bleva pas 4 ditësh, fëmijët u trembën se gjithë nxënësit i kishin librat, vetëm fëmijët e mi shkonin në shkollë pa libra” shprehet i dëshpëruar Agimi. “Blej ushqime me listë, i shlyej në fund të muajit”

Edhe pse fare të vegjël ato nuk i kërkojnë  asnjeherë babait me tepër se çmund të përballoji ai.  “Janë të zgjuar vetë fëmijët nuk kërkojnë gjëra tepër që janë jashtë mundësive” thotë Agimi. “Çokollatat nuk i hamë shumë ngaqë na dhemb barku, vetëm në ditëlindje na ka thënë babi më kërkoni, edhe unë atëhërë i kërkoj babit që të na i festojë”.

Erjola ka edhe probleme me shëndetin. “Ka probleme në bark, nuk kam pasur mundësi ta operoj,” thotë i ati. Në këtë panoramë mjerimi, iu është gjendur Hajrija,nusja e xhajes së Agimit, edhe pse  60 vjeçe ajo përpiqet çdo ditë t’ua lehtësojë sadopak vuajtjet dhe mundimet.

“Kam rrit 7 jetimë për vete. Ushqimi është gjithmonë i pakët, në darkë fëmijët kërkojnë të ëmën e tyre. Rri hallë këtu të strukemi tek gjiri yt më thonë.

Unë qaj, më keq është se na mungon edhe buka e gojës, kur të kërkon fëmija bukë çfarë ti japësh?” thotë gruaja që është bërë si nënë e dytë për Erjolën dhe Bajramin e vogël.

 

8-vjeçarja në skamje: S’kërkojmë kurrë çokollata Read More »

Abuzime në regjistrimin e 673ha tokë, kallëzohen 3 ish-zyrtarë të Pronave

Dy ish-regjistrues dhe një ish-specialist hartograf në Malësinë e Madhe, janë kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Shkodrës. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përpiluar ndaj tyre një dosje me shkeljet e kryera në regjistrimin e pronave.

Sipas KLSH-së, ata kanë kryer regjistrimin e pasurive pa dokumentacionin e duhur ligjor me dokumente të parregullta të AMTP-së, me sipërfaqe prej 673ha si dhe kanë shmangur procedurat ligjore për arkëtimin e 37,468 mijë lekë të ardhura këto të munguara për buxhetin.

Në bazë të këtyre provave, KLSH i ka kërkuar Kryeregjistruesit në Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të vlerësojë shkallën e përgjegjësisë dhe marrjen e masave disiplinore për 3 punonjës: E.S jurist, G.K specialist dhe F.SH me detyrë regjistrues.

Për z.I.H dhe A. B ish-regjistrues dhe M.M me detyrë ish-specialist hartograf, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

KLSH ka përcjellë me shkresë nr. 1077/11 prot., datë 27.03.2018 indicie për kallëzim penal Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.

Njoftimi i KLSH:

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 1077/1, datë 23.10.2017, ka audituar Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Malësi e Madhe, miratuar nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit me Vendimin nr.18, datë 27.03.2018 për periudhën korrik 2014 deri më shtator 2017.

Nga ky auditim, u konstatuan shkelje të dispozitave ligjore, për të cilat KLSH ka kryer indicie për kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, për z.I.H dhe A. B ish Regjistrues dhe M.M me detyrë ish specialist hartograf, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal, për:

Në 5 raste që i përkasin ZK 2220, qyteti Koplik kanë regjistruar pasuritë e paluajtshme sipas AMTP-ve, të cilat rezultojnë të korrigjuara, duke shtuar parcela për rrjedhojë sipërfaqja takuese, është rritur fiktivisht duke përfituar më tepër 25100 m2, në favor të poseduesve të AMTP-ve.

Në 11 raste , ka regjistruar pasuri të paluajtshme për një trung familjar janë lëshuar 2 e më shumë AMTP, mbi normën për frymë të çdo fshati, për rrjedhojë nga regjistrimi i tyre kanë përfituar më tepër në total tokë me sipërfaqe 274500 m2, se sipërfaqja takuese e ndarë sipas normës për frymë.

Në 8 raste, kanë regjistruar pasuri të paluajtshme sipas AMTP-ve, të cilat janë lëshuar për persona që nuk janë përfitues të tokës sipas ligjit, pasi nuk janë brenda juridiksionit që ushtron detyrën Komisioni i Ndarjes së Tokës në Fshat.

Në 4 raste me sipërfaqe totale 9696 m2, kanë regjistruar pasuri në favor të poseduesve të AMTP-ve, ndërkohë që në KPP dhe regjistrat përkatës figuron e llojit: “shesh”, “truall” dhe “kullotë”, pasi pasuritë e regjistruara nuk janë të llojit “tokë bujqësore”, në të gjitha rastet janë lëshuar certifikata pronësie për tokë arë.

Në 11 raste me sipërfaqe totale 139045 m2, kanë kryer veprime në KPP dhe regjistruar sipas AMTP-ve në kushtet kur: Përfituesit e AMTP-ve nuk rezultojnë të kenë qenë subjekte të trajtimit me tokë bujqësore.

Në 2 raste, kanë kryer veprime në KPP për pasurinë e regjistruar sipas AMTP nr. 154 me sipërfaqe 14644 m2, pasi përfituesi i AMTP-së nr.154 e 189, nuk rezulton të ketë qenë subjekt i trajtimit me tokë bujqësore dhe kanë spostuar pronat, duke regjistruar rrugë e sjellë pasoja me probleme sociale.

Në 7 raste, kanë kryer veprime në (KPP) për pasuritë Pyll, kullotë, truall+ndërtesë me sipërfaqe 9064 m2, duke ofruar shërbimin e kërkuar subjektit, pa e hequr më parë kufizimin dhe pa plotësuar kushtin për të cilin ishte vendosur.

Në 8 raste janë regjistruar pasuri me leje legalizimi, pa u përcaktuar marrëdhëniet me truallin, si dhe nuk janë kryer veprimet në KPP për vendosjen e hipotekës ligjore.

Në 1 rast kanë regjistruar leje ndërtimi rikonstruksion objekti, duke regjistruar në pronësi të subjektit E. K, ndërtesë me sipërfaqe 114 m2, rezulton se tjetërsimi i pasurisë shtet është bërë në mungesë të dokumentacionit të fitimit të pronësisë, me detyrim financiar për tu arkëtuar nga subjekti në vlerën 4,617,000 lekë.

Në 643 raste me sipërfaqe totale 610 ha,në ZK 1010 Aliaj, pasuritë janë regjistruar me mungesa të dokumentacionit tekniko ligjor në seksionin (C) të kartelës pronar Shtet dhe në seksionin (E) të kartelës janë regjistruar në posedim me emrat respektivë posedues.

Në 414 raste pasuritë me sipërfaqe totale 145487 m2, në ZK 2220 Koplik janë regjistruar në seksionin (C) të kartelës pronar Shtet dhe në seksionin (E) të kartelës janë regjistruar në posedim me emrat posedues, në mungesë të dokumentacionit tekniko ligjor, për të cilët nuk posedohet dokumentacion në kuptim të nenit 193 të Kodit Civil të RSH.

Në 7 raste që i përkasin ZK 2220, qyteti Koplik, kanë regjistruar pasuritë e paluajtshme për poseduesit e AMTP-ve përkatëse, duke mos zbatuar kërkesat ligjore, pasi regjistrimi i pasurive është kryer duke tjetërsuar pasuritë truall +ndërtesë , duke kaluar truallin në pronësi të individëve posedues të AMTP-ve, ndërsa pasuritë ndërtesë me sipërfaqe totale 932 m2, janë hequr nga KPP, rezulton vlera 37,746,000 lekë mungesë të ardhura për tu arkëtuar.

-Në 8 raste që i përkasin ZK 2220, qyteti Koplik, kanë regjistruar pasuritë e paluajtshme dhe lëshuar certifikatë pronësie, për poseduesit e AMTP-ve përkatëse, duke mos zbatuar kërkesat ligjore, pasi regjistrimi i pasurive është kryer duke tjetërsuar pasuritë truall+ndërtesë në pronësi “shtet”, duke kaluar truallin me sipërfaqe totale 1362 m2 në pronësi të individëve posedues të AMTP-ve, ndërsa pasuritë ndërtesë me sipërfaqe totale 932 m2 janë fshirë si pasuri duke u hequr nga KPP.

– Në 3 raste që i përkasin ZK 2220, qyteti Koplik, kanë regjistruar pasuritë e paluajtshme sipas AMTP-ve: nr. 733; nr. 746; nr. 827, në favor të poseduesve , të cilat rezultojnë të korrigjuara, duke shtuar parcela për rrjedhojë sipërfaqja takuese, është rritur fiktivisht, duke përfituar më tepër në total sipërfaqen 17550 m2.

– Në 18 raste që i përkasin ZK 2220, qyteti Koplik, ka regjistruar pasuritë e paluajtshme sipas AMTP-ve, duke mos zbatuar kërkesat ligjore, pasi janë regjistruar si tokë bujqësore edhe trualli që përmban AMTP-ja përkatëse dhe regjistruar në favor të poseduesve të AMTP-ve, më tepër sipërfaqe toke prej 4810 m2 dhe kanë lejuar regjistrimin e pasurive të paluajtshme, pasi për një trung familjar janë lëshuar 2 e më shumë AMTP.

– Në 3 raste, kanë lejuar regjistrimin e pasurive të paluajtshme sipas AMTP-së nr. 920, të cilat janë lëshuar për persona që nuk janë përfitues të tokës, pasi nuk janë brenda juridiksionit që ushtron detyrën Komisioni i ndarjes së tokës në fshat, duke lëshuar certifikatë pronësie për pasuri të paluajtshme sipas AMTP-ve nr. 912 dhe nr. 73 të cilat janë të parregullta dhe nuk mund të shërbejnë si Titull Pronësie.

– Në 2 raste, kanë regjistruar pasuri të paluajtshme sipas lejeve të legalizimit, duke lëshuar certifikata pronësie për pasuri truall+ndërtesë, me sipërfaqe totale trualli prej 405 m2 dhe ndërtesa me sipërfaqe totale prej 234 m2, rezulton se regjistrimi i tyre është bërë në mungesë të dokumentit që shërben si Titull pronësie, pasi AMTP-ja e përcaktuar si Titull pronësie, nuk mund të shërbejë si e tillë.

– Në 2 raste, kanë kryer veprime në (KPP) për pasuritë: nr. 282/1, truall me sipërfaqe 415 m2 volum 2, faqe 38, ZK 1010; nr. 204/5, Pyll me sipërfaqe 3000 m2, duke i ofruar shërbimin e kërkuar subjektit në kushtet kur: Për VKKP nr. 143, ish/Agjencia Rajonale e KKP Qarku Shkodër me shkresën nr. 908/29 datë 17.07.2008 është shprehur se nuk ka vendim me të dhënat e kërkuara, bashkëlidhur këtij vendimi nuk ndodhet procesverbal i marrjes në dorëzim të pronës dhe nuk janë bërë verifikimet e elementëve dhe të dhënave të aktit.

Në 6 raste, kanë regjistruar troje me AMTP në ZK 3982 Bajze, ndërsa ndërtesa që pasqyrohet në hartën treguese nuk është hedhur në KPP, gjithashtu kanë regjistruar pasuri pa kërkuar konfirmim nga bashkia, në mungesë të dokumentacionit tekniko ligjor, konkretisht; mungon plan rilevimi, çertifikata e gjendjes familjare datë 01.08.1991 dhe pa konfirmim nëse është subjekt i trajtimit me tokë.

– Kanë regjistruar leje ndërtimi për rikonstruksion objekti, duke regjistruar në pronësi të subjektit pasurinë nr. 2/121-Nd3, ndërtesë me sipërfaqe 114 m2 v. 3, faqe 29, lëshuar certifikatë pronësie, nga ku rezulton se tjetërsimi i pasurisë shtet është bërë në mungesë të dokumentacionit të fitimit të pronësisë, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik në vlerën prej 5,105,000 lekë.

/Ora News.tv/

Abuzime në regjistrimin e 673ha tokë, kallëzohen 3 ish-zyrtarë të Pronave Read More »

“I abortuar, por gjallë. Ja pse aborti është KRIM”

Abortet janë shtuar në numër gjatë viteve të demokracisë, krahasuar me ato të periudhës së komunizmit. Një fëmijë i abortuar është një fëmijë që mund të të thoshte: “Nënë, të dua shumë”, ndaj mendohuni dy herë përpara se t’i merrni jetën.

Një video që po qarkullon me shpejtësi në internet, e publikuar nga një mjek Indian, tregon se si një fetus vijon të jetojë edhe pasi është abortuar dhe është nxjerrë nga barku i nënës.

Mjeku që ka publikuar pamjet me mesazhin sensibilizues në internet bën thirrje që t’i themi JO aborteve.

Ai shkruan:

Një fëmijë i abortuar që është gjallë edhe pas abortit… Kjo është arsyeja pse aborti është vrasje dhe është Haram. I thoni JO abortit!”.

“I abortuar, por gjallë. Ja pse aborti është KRIM” Read More »

Dy plazhet në Vlorë ku nuk duhet të laheni për shkak të ndotjes së madhe

Kur duhet vetëm një muaj nga çelja zyrtare e sezonit turistik, në plazhet e Vlorës vijojnë të mbeten evidente problematikat e viteve të kaluara, siç është edhe derdhja e ujërave të zeza në det.
Situata më shqetësuese konstatohet në dy plazhet publike. Në Plazhin e Vjetër dhe plazhin pranë Akademisë së Marinës, ku ujërat e zeza e kanë derdhjen në det, ndonëse sezoni është në prag. Deri më tani nuk është marrë asnjë masë për zgjidhjen e kësaj situate dhe duket se edhe këtë vit nuk do të ketë ndërhyrje.
Aktualisht, nuk është vënë ende në funksion impianti i përpunimit të ujërave të zeza, që ndodhet në fazën e dytë të implementimit të tij, çka do t’i jepte një zgjidhje përfundimtare derdhjes së ujërave të zeza në det. Në fakt, më shqetësuese situata mbetet në zonën e Plazhit të Vjetër, në të cilën derdhja e ujërave të zeza, prej vitesh, ka krijuar një problem të madh për pushuesit.

Vitin e shkuar, Plazhi i Vjetër dhe ai pranë Akademisë së Marinës janë cilësuar si dy nga plazhet më të ndotura në bregdetin e Vlorës. Bëhet fjalë për dy plazhe publike, ku edhe interesimi i qytetarëve mbetet mjaft i madh, pavarësisht mungesës së pastërtisë së ujit dhe ndotjes nga ujërat e zeza. Me përfundimin e projektit të Lungomares u mendua se ky problem do të zgjidhej, minimalisht në zonën e plazhit të Akademisë së Marinës.

Por as ky projekt nuk i dha zgjidhje situatës në këtë zonë, ku mjaft qytetarë, që nuk kanë mundë- si të paguajnë shezlongje, janë të detyruar ta bëjnë aty plazhin. Ndërkohë, në lidhje me këtë problematikë të pazgjidhur, burime në Bashkinë e Vlorës bëjnë të ditur se projekti final për ujërat e zeza në Vlorë është akoma në fazën e studimit.

“Do të synohet sa më shpejt implementimi tij, për të zgjidhur përfundimisht këtë problem shqetësues, jo vetëm gjatë sezonit turistik, por gjatë të gjithë vitin”, thanë burime të bashkisë. Bëhet fjalë për një projekt me vlerë rreth 8 milionë euro që do t’i japë zgjidhje derdhjes së ujërave të zeza në det dhe nuk do të lejohet më ndotja në gjirin e Vlorës. “Gjatë këtij sezoni turistik, nga Bashkia e Vlorës është bërë e mundur ndërhyrja nga ana e institucionit dhe Ujësjellës-Kanalizimeve, për të përmirësuar gjendjen gjatë periudhës së verës. Gjithsesi, zgjidhja përfundimtare mbetet padyshim projekti final i parashikuar për ujërat e zeza, çka do të bënte që ujërat e detit në Vlorë të ishin edhe më të pastra dhe ndotja të reduktohej”, u shprehën më tej burime të Bashkisë së Vlorës.

Megjithatë, edhe për këtë verë problemi duket se do të jetë prezent dhe dy janë zonat më shqetësuese, ajo e Plazhit të Vjetër dhe plazhi pranë Akademisë së Marinës. PANORAMA.J.J

Dy plazhet në Vlorë ku nuk duhet të laheni për shkak të ndotjes së madhe Read More »

Skandali/ Qytetari denoncon me emra deputetë, prokurorë dhe biznesmenë të përfshirë në vjedhjen e pronave në Shëngjin

Skandal me prona në Malin e Shëngjinit. 15 vjet përpjekje për të regjistruar një pronë në Hipotekën e Lezhës, që me letra e gëzojnë ndër të tjerë ish-deputetë, ish-regjistrues e juristë, prokurorë, punonjës të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe biznesmenë.

Nikollë Palokaj ka gati 15 vjet që paraqitet tek Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë për të regjistruar pronën prej 107 dynymesh të kthyera me vendim gjykate dhe nga Agjencia e Kthimit të Pronave.

Janë gjithsej 18 familje bashkëpronare që e trashëgojnë prej shekujsh këtë truall. Beteja gjyqësore nisi në vitin 2006.

“E fituam gjyqin! Zyra e Regjistrimit të Pasurive, në vend që ta regjistronte pronën në emrin tonë, nisi të bëjë transaksione. Në 2007 kam çuar numrin e ekzekutimit nga përmbaruesi shtet”, thotë Nik Palokaj.

Ai akuzon të vëllanë, nipin, noteren dhe ish-drejtuesit e Hipotekës se me falsifikim dokumentash i kanë tjetërsuar pronën.

Vëllai i Nikollës, nipi i tij dhe noterja Zana Dema ishin tre personat që u dënuan me burgim, të tjerët u lanë të lirë dhe përsëri çështjes iu vu kapak.

Në vitin 2012, i lodhur nga sorollatjet e Përmbarimit Shtetëror, i drejtohet një përmbaruesi privat.

“Në 2012 bëra një urdhër ekzekutimi, se më tha përmbaruesi privat që ta ekzekutoj unë. Sot e kësaj dite nuk është bërë gjë”, shton ai.

Për vite me radhë i drejtohet Krimit Ekonomik.

“Krimi ekonomik e çoi çështjen në Prokurorinë e Rrethit, Prokuroria e pushoi çështjen. Krimi ekonomik ja dorëzoi Prokurorisë së Përgjithshme. Prokuroria e Përgjithshme e çoi në Shkodër. Edhe në Shkodër po e njëjta gjë ndodhi, pushoi hetimet, sepse prokurori prokurorin nuk e dënon, as gjyqtari gjyqtarin”, shton Nik Palokaj.

Në vitin 2014 më në fund nga Hipoteka e Lezhës merr një përgjigje. Një listë e gjatë me emra të të gjithë njerëzve që ishin bërë pronarë me certifikatë pronësie në tokën e Nikës. Disa prej tyre nuk ishin emra dosido.

“Deputeti i LSI-së, Gjovalin Kadeli, i cili pastë dritë ka vdekur, ka prona në të dyja parcelat diku tek 10 dynymëshi, sepse mendonin të bënin një fshat turistik atje. Arjan Qafa, ish-inspektor i KLD-së, që është në punë në gjykatë. Mira Markvuka, që ka të bëjë me Përparim Vukën, që ishte deri vonë kryeprokuror që nuk ka lejuar të ekzekutohej vendimi.

Është edhe Angjelin Fusha, biznesmen që merret me këto matrapazllëqet e pronave. Një herë e kam gjetur Angjelin Fushën vetë të pestin duke më shitur tokën. Më njoftuan dhe kam dalë bashkë me kushëririn tim dhe i kam thënë që për 5 minuta nuk iku nuk e gëzon as ai dhe as unë”, rrëfen Nik Paloka.

Nik Palokaj thotë se në listën e atyre që kanë marrë nga një copë tokë është edhe ish-Prokurori i Lezhës, Gjin Niklekaj me të bijën e tij. Sipas tij ishte pikërisht ky prokuror që në 2008, pas ankesës që bëri një nga pronarët e ligjshëm nuk kreu asnjë veprim, përkundrazi i hapi rrugën vjedhjes së pronës.

“Gjin Niklekaj, ish-prokurori që i nxorri të gjithë nga burgu. Sot është në pension në Tiranë, bën punën e avokatit”, sqaron ai.

Nikolla tregon se si është realizuar gjithë kjo listë e gjatë shit-blerjesh.

“45 transaksione, që të gjitha janë bërë për një ditë më 06 dhjetor 2012. Për një ditë janë të bërë të gjitha këto, janë bërë 105 transaksione në pronën time. Është ndarë në parcela të vogla vetëm si e si që të humbnin adresën e saj duke i bërë shit-blerje”, deklaron Nikolla.

Pas një pritje prej 1 orë në Hipotekën e Lezhës, regjistruesi Ilir Dibra na kërkoi që të dorëzojmë një kërkesë me shkrim për të marrë përgjigje në lidhje me këtë çështje, që punonjës të vjetër të Hipotekës së Lezhës, ndoshta e kanë mësuar edhe përmendësh.

Ka 14 vjet që Nikoll Paloka po lufton për pronën e tij që ndodhet rreth 2 km larg Ranës së Hedhun, që ishte kryefjala e një skandali tokash që shpërtheu pak kohë më parë në Shëngjin.

“Të gjitha të zezat më kanë kapur vetëm prej stresit dhe dallavereve që më janë bërë në këtë pronë. Lekë nuk kam, ligj s’ka, shtet nuk ka. Sot nuk kam asgjë, vetëm letrat”, shton ai.(T.CH)

Skandali/ Qytetari denoncon me emra deputetë, prokurorë dhe biznesmenë të përfshirë në vjedhjen e pronave në Shëngjin Read More »

Kapet mbi gjysmë ton mish i prishur! Rreziku tashmë është kaq afër

“Paraditen e sotme, Policia e Kosovës, kanë njoftuar drejtuesit e Inspektoratit Komunal për një mjet transportues i cili po barte mish dhe nënprodukte të mishit të dyshimta, me ç ‘rast inspektorët e veterinarisë dhe sanitar kanë dal menjëherë në vend të ngjarjes nga ku pas kontrollit të cilësisë së produktit që po bartej me këtë mjet transportues, kanë konstatuar se një sasi prej afro gjysmë toni mish dhe nënprodukte të tij janë të prishura, kjo për faktin se mjeti me të cilin po transportohej kjo sasi mishi nuk përmbushte kushtet e nevojshme higjieno-sanitare për ruajtjen e freskët të mishit dhe nënprodukteve të tij”.

“Pas ekzaminimit të produkteve, inspektorët përkatës kanë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për konfiskimin dhe asgjësimin e tyre dhe procedimin e mëtutjeshëm konform rregullativës ligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin e Komunës së Ferizajt.
Kujtojmë se një skandal i muajve më parë me mish të prishur në Belgjikë ka prekur edhe Kosovën. Insajderi kishte raportuar për dy kompanitë kosovare që kishin eksportuar mish të prishur nga kompania belge’Veviba’

Kapet mbi gjysmë ton mish i prishur! Rreziku tashmë është kaq afër Read More »