Problematika

Vlorë: Biznesmeni i dënuar për falsifikim dyshohet se tjetërsoi 500 hektarë tokë

Prokuroria e Vlorës ka ankimuar një seri procesesh gjyqësore, ku shtetasi Pëllumb Petritaj është akuzuar për tjetërsimin nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të qindra hektarëve tokë në rivierën shqiptare.

Bëhet fjalë për prona në Zvërnec, Ujin e Ftohtë, Karaburun dhe Palasë – ku sipërfaqja e tjetërsuar përllogaritet në rreth 500 hektarë.

Sipas prokurorisë, prodhimi i dokumenteve të falsifikuara, certifikimi i tyre nga institucionet shtetërore dhe më tej shitja tek palë të treta është skema e përdorur nga Petritaj në tjetërsimin e pronave që sot zotërohen nga politikanë, biznesmenë apo edhe kompani që kanë përfituar nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama statusin e investitorëve strategjikë në turizëm.

Vendimet gjyqësore të dosjeve të tjetërsimit të këtyre pronave janë ankimuar nga Prokuroria e Vlorës në Gjykatën e Apelit. Deri në fillim të këtij muaji, 54 vjeçari nga Vlora, edhe pse i proceduar disa herë, kishte rezultuar i suksseshëm në përballjet e tij me drejtësinë.

Megjithatë, fitoreve të tij juridike u erdhi fundi me datë 3 prill, kur Gjykata e Vlorës e shpalli fajtor për falsifikimin e dokumenteve për përfitimin e paligjshëm të 181.12 hektarëve tokë në fshatin Zvërnec, duke e dënuar me tre vjet heqje lire.

Në një komunikim me BIRN pas shpalljes së vendimit, i pandehuri Petritaj i mohoi akuzat, ndërkohë që e akuzoi gjykatën si të korruptuar.

“Gjykata vendosi mbi atë që kërkoi prokuroria dhe është e kuptueshme se këtu ka interesa të tjera. Kështu është kur nuk u jep para”, akuzoi Petritaj.

Avokati i Petritajt, Enkes Hysendhima i tha BIRN në një bisedë telefonike se fakti që emri i klientit të tij dilte në disa çështje, vinte sepse ai ishte përfaqësues i një familje të madhe pronare e shumë tokave.

“Duke qenë përfaqësues i familjes pronare më të madhe në Vlorë, normalisht sipërfaqet janë të mëdha dhe krijohen konfliktet civile. Civile (padi) nuk bën asnjëri dhe i kanë mësuar bëjnë penale”, tha Hysendhima.

“Prokuroria ka qenë e njëanshme, shumë e njëanshme. Pala që ka bërë kallëzimin penal, i ka dokumentet e falsifikuara dhe kundër saj është bërë kallëzim penal këto ditë,” shtoi ai.

Tjetërsimi i 182.12 ha tokë në Zvërnec

Falsifikimi i një dokumenti të vjetër në gjuhën osmane i ka shërbyer Pëllumb Petritajt që në emër të familjes Shehu të njohë të drejtën e pronësisë mbi 182.12 ha tokë në Zvërnec. Pjesë e këtij dokumenti është dhe pretendimi për zotërimin e një sipërfaqeje prej 59 800 m2 në zonën e quajtur Uji i Ftohtë në Vlorë.

Në gusht të vitit 2007, i pajisur me një prokurë përfaqësimi nga familja Shehu, Petritaj dorëzoi në zyrën rajonale të Kthimit dhe Kompensimin të Pronave në Vlorë, dokumentet me objekt njohjen, kthimin dhe kompensimin e kësaj prone.

Në dokumentet e dorëzuara, Petritaj ngre pretendimin se sipërfaqja e tokës prej 182 ha i është sekuestruar shtetasit Seit Shehut në vitin 1944.

Prona është njohur nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë në qershor 2008. Një muaj më vonë, Petritaj i drejtohet Gjykatës së Rrethit Vlorë për njohjen e faktit juridik të pronës së familjes Shehu.

Dokumentet që BIRN disponon tregojnë se gjyqtarit Erarbër Madhi i është dashur vetëm një seancë të njohë të drejtën e pronësisë, pasi dosja në Gjykatën e Rrethit Vlorës është dorëzuar më 30 qershor dhe vendimi që i njeh të drejtën mbi pronën është marrë më 30 korrik të vitit 2008.

“Të njihet e drejta e pronësisë për një sipërfaqe të përgjithshme prej 187.12 ha; të kthehet sipërfaqja e përgjithshme prej 52.1 ha dhe të njihet e drejta e kompensimit për diferencën e tokës bujqësore prej 49.6 ha dhe 340 m² truall në kuptim të ligjit,” shkruhet në vendimin e formës së prerë të gjyqtarit Madhi.

Në vitin 2010, kjo pronë regjistrohet në emër të Ramiz dhe Kudri Shehut, duke u mbivendosur në një sipërfaqe prej 24 ha mbi pronat e njohura dhe të kthyera më herët pasardhësve të Arshi Dajlanit, familja e të cilit u persekutua gjatë regjimit komunist për shkak të pronave që zotëronte.

Në këtë moment, të gjitha veprimet juridike për familjen Dajlani pezullohen.

Konflikti mes familjes Dajlani dhe familjes Shehu është hetuar në vitin 2009 nga prokuroria e rrethit të Vlorës. Përveç familjes Dajlani, ankesa për sipërfaqen e madhe të tokës së kthyer në favor të familjes Shehu kanë parashtruar në prokurorinë e Vlorës edhe banorët e zonës së Nartës.

Por hetimet janë pushur me argumentin se nuk ekzistojnë provat që mund të ngarkonin me përgjegjësi penale shtetasin Pëllumb Petritaj, pasi nuk vërtetohej falsifikimi i dokumenteve arkivore.

Në tetor të vitit 2011, një grup punëtorësh filluan punimet për rrethimin e tokës prej 52.1 ha që gjykata ia rikthehu familjes Shehu në Zvërnec. Prona, nëpërmjet një kontrate shitje me kusht, i kishte kaluar ish- deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shkëlqim Selami – i cili në Dhjetor 2016 humbi mandatin për shkak se nuk kishte deklaruar problemet me ligjin në të kaluarën.

Dokumentat tregojnë se Pëllumb Petritaj, në emër të Ramiz dhe Kudri Shehut i shet sipërfaqen prej 54 138 m2 ish deputeti Selami me çmimin e 9.7 milionë lekëve.

“Kur kam parë që po kryheshin punimet kam mësuar që prona ime i kishte kaluar ish deputetit, i cili kishte filluar të ndërtonte aty,” kujton 72 vjeçarja Dhurata Dajlani, trashgimtare e familjes.

“E kam paditur për kryerjen e ndërtimeve pa leje, pasi çështja ishte ende në gjykim por dhe për këtë rast hetimet mbylleshin, pasi prokuroria arsyetonte që muri rrethues mbi lartësinë e 50 centimetrave nuk konsiderohej ndërtim pa leje,” shtoi ajo.

Ish deputeti Selami i tha BIRN se e kishte blerë tokën nga Petritaj me dëshirën për të ndërtuar një stallë kuajsh – një nga pasionet e tij të mëdha në jetë, por shpejtë kishte zbuluar se prona ishte e kontestuar nga dy familje.

“Para vitit 2011 unë kam shkuar tek kryetari i komunës Nartë dhe i kam shprehur dëshirën time për të investuara në atë zonë. Doja të bëja një stallë kuajsh pasi unë jam i pasionuar, kam kuajt e mi. I kam kërkuar të më jap me qira një pronë jo produktive,” kujtoi Selami.

Sipas Selamit, pasi ishte dakordësuar me kryetarin e komunës dhe filloj punimet, vjen shtetasi Pëllumb Petritaj i cili i thotë se në këtë zonë ishte pronar familja Shehu të cilën ai e përfaqësonte, por kjo e fundit ende nuk i kishte nxjerrë certifikatat e pronësisë.

Selami thotë se ka rënë dakord të bëjë kontratë me kusht me Petritajn, deri në mometin zgjidhjes së plotë të problemeve juridike të pronës . Më pas ai ka mësuar se për pronën kishte pretendime edhe një familje tjetër.

“Që nga ai moment unë jam tërhequr dhe nuk kam bërë asnjë investim. Pres që shteti të saktësoj një herë e mirë këtë çështje dhe unë më pas të kontaktoj pronarin e vërtetë të tokës pasi jam shumë i interesuar të zhvilloj projektin tim,” tha Selami.

“Unë mbas kuajve jam i pasionuar dhe ajo që doja të bëja është një ambient të mirë për to,” përfundoi ish deputeti.

Tjetërsimi i sipërfaqes së konsiderueshme të tokës në Zvërnec është denoncuar edhe në Task Forcën e e ngritur nga Kryeministri Edi Rama për tjetërsimin e paligjshëm të pronave shtetërore.

Në letrën drejtuar Tak Forcës në vitin 2014, Dhurata Djalani shpjegon të gjitha peripecitë e pronës së familjes së saj, të cilat nisin pas kërkesës së bërë në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të qarkut të Vlorës nga shtetasi Pëllumb Petritaj.

“Të gjitha ankesat e mia apo dhe kallëzimet në prokurori mbylleshin. Unë vazhdoj të jem ende në procese gjyqësore për shkak të mbivendosjes së kryer, pas regjistrimit të pronave të familjes Shehu,” tha Dhurata Dajlani në një intervistë për BIRN.

Çështja e tjetërsimit të pronave në Zvërnec rihapet nga Prokuroria e Vlorës vetëm në nëntor të vitit 2015.

Pas tre vitesh hetime për tjetërsimin e pronave, Prokuroria ngarkoi me përgjegjësi penale Pëllumb Petritajn. Bashkë me të u akuzua dhe ish drejtor i zyrës së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë, Petro Puleri, ish përgjegjës i sektorit juridik në zyrën vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe aktualisht nëndrejtor i Hipotekës së Vlorës, Klodian Jahaj, si dhe specialistja në zyrën vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Mirjam Isufaj.

Organi i akuzës argumenton se nga të gjitha aktet shkresore të depozituara, nuk rezulton që shtetasi Seit Shehu të jetë shpronësuar apo t’i jetë sekuestruar apo konfiskuar ndonjë pasuri nga autoritetet e shtetit nga data 29 nëntor 1944 e në vazhdim.

“Del qartë se i pandehuri Pëllumb Petritaj, duke u paraqitur si përfaqësues me prokurë i shtetasit Ramiz Shehu, ka pasur si qëllim finalizimin e një veprimtarie për marrjen dhe kthimin me anë të dokumenteve të falsifikuara të pasurisë shtetërore në favor të trashëgimtarëve të shtetasit Seit Shehu,” thuhet në kërkesën për gjykim të prokurorisë së Vlorës, e cila e akuzon Pëllumb Petritajn se ka konsumuar veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”.

Më 3 prill 2018, Gjykata e Vlorës e dënoi biznesmenin Petritaj me 3 vjet burg. Gjykata gjithashtu dënoi me burg dhe tre punonjësit e agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë për akuzat e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.

Rigjykim dosjeve të pronave në Jug

Dosja e falsifikimit të pronave në Zvërnec nuk është përballja e parë e Pëllumb Petritajt me drejtësinë. Nga qershori 2016 deri në korrik 2017, ai ishte një person i shpallur në kërkim nga prokuroria e Vlorës.

Prokuroria fillimisht dyshonte se Petritaj kishte një rol kryesor në një grup të strukturuar kriminal i përfshirë në falsifikimin e pronësisë të 220 hektarëve tokë në Karaburun, 89 hektarëve tokë në Zvërnec dhe 33 hektar tokë në Palasë.

Tjetërsimi i secilës prej këtyre pronave, sipas hetimit të Prokurorisë, u ngrit mbi krijimin dhe futjen në arkivën e Gjykatës së Rrethit Vlorë të dosjeve gjyqësore të sajuara dhe vendimeve fiktive të tre gjyqtarëve – firmat e së cilëve rezultuan gjithashtu të falsifikuara.

Ndër dosjet e falsifikuara rezulton një vendim i gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi – i vrarë në vitin 2011 në Vlorë me një sulm me eksploziv i tipit mafioz, dhe të një gjyqtari tjetër Qatip Bylykbashi, i cili rezulton të jetë larguar nga Shqipëria që në fillim të vitit 1990.

Vendimet e falsifikuara gjyqësore u përdorën më pas në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë, ku u certifikua tjetërsimi i pronësisë së tre sipërfaqeve të mëdha të tokës.

Pas regjistrimit në hipotekë, pronat iu nënshtruan ndarjes në parcela më të vogla dhe u shitën përmes kontratave multimilionëshe apo u shkëmbyen me prona të tjera përgjatë viteve 2012-2016, ku në pjesën më të madhe të transaksioneve rezulton emri Pëllumb Petritaj.

Megjithatë, pas një viti hetimesh Prokuroria e rrudhi numrin e personave të implikuar dhe akuzat në kërkesën për gjykim, duke përjashtuar biznesmenin Pëllumb Petritaj, njëherazi ish-kryetar i Partisë Republikane të Vlorës dhe noteren Belona Seraj.

Pas një viti, Gjykata e Vlorës shpalli përgjegjës kryesor të kësaj dosje Rajmond Mëzin – një 56 vjeçar me profesion varrmihës, dhe vendosi dënimin e tij me 18 vjet burg për falsifikimin e pronësisë së 220 hektarëve tokë në Karaburun dhe 89 hektarëve të tjerë në Zvërnec. Një tjetër i pandehur, Lefter Gjergji, i cili akuzohej për tjetërsimin e 33 hektarëve tokë në Palasë u dënua me 16 vjet burg.

Avokati i biznesmenit Petritaj, Enkes Hysendhima, i cili akuzohej nga Prokuroria e Vlorës si një ndër protagonistët e falsifikimit të dokumenteve u shpall i pafajshëm nga trupi gjykues. Prokuroria kishte kërkuar dënimin e Hysendhimës me 24 vjet burg.

Këtë dosje, Prokuroria e Vlorës e ka apeluar në gjykatën e Apelit ndërkohë që i është rikthyer hetimeve për të gjitha pronat që rezultojnë të lidhura me aktivitetin e Petritajt.

Në një material prej më shumë se 70 faqesh, Prokuroria e Vlorës kundërshton vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës së këtij rrethi. Prokuroria insiston në dënimin e avokatit Enkes Hysendhima, duke e cilësuar atë si njeriun kyç në krijimin e skemës kriminale të tjetërsimit të pronave. Sipas akuzës, gjykata ka dhënë vendime të pabazuara në ligj në shpalljen e avokatit të pafajshëm, dhe si i tillë është i pavlefshëm.

Në një investigim i BIRN zbuloi se përfituesi kryesor i pronës në gadishullin e Karaburunit ishte shtetasi Artur Shehu- një personazh kontrovers i viteve të tranzicionit në Vlorë, i cili jeton prej dy dekadash në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikë.

Nëpërmjet transaksioneve të kryera nga Pëllumb Petritaj dhe avokati Enkes Hysendhima, prona i janë shitur gjithashtu në shuma të konsiderueshme biznesmenëve, politikanëve apo dhe njerëzve me rekorde kriminale./reporter.al

Vlorë: Biznesmeni i dënuar për falsifikim dyshohet se tjetërsoi 500 hektarë tokë Read More »

Banoret e Orikumit ne proteste – Nderpresin mbledhjen e Keshillit Bashkiak

Ndërpritet mbledhja e Këshillit Bashkiak të Vlorës nga qytetarët ata kërkojnë uje dhe dëmshpërblim.

Dhjetëra banorë të zonës së Orikumit kanë ndërprerë ditën e sotme mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Vlorës duke kërkuar investime në zonën e tyre.

Çështja ende e pazgjidhur e ujit ka bërë që banorët sot të futen në ambientet e Bashkisë së Vlorës dhe të kërkojnë të drejtën e tyre.

Ata janë shprehur se Bashkia e Vlorës dhe Edi Rama i kanë lënë në baltë, pasi u kanë premtuar ujësjellësin, por deri më tani nuk kanë bërë asnjë gjë.

Ata janë shprehur se sezoni turistik ka ardhur, por ata nuk kanë ujë.

Gjithashtu banorët e lagjes Kushtrimi kërkojnë dëmshpërblim për banesat e prekura nga Rruga lidhëse me autostradën.

Dëmshpërblim kërkojnë 28 familje në lagjen Kushtrimi që nuk janë dëmshpërblyer për shtëpitë e tyre të prekur nga ndërtim i rrugës së re.

Banoret e Orikumit ne proteste – Nderpresin mbledhjen e Keshillit Bashkiak Read More »

Qytetarja nga Orikumi ankese : Uji derdhet ne det dhe ne nuk kemi uje te pijshem

Banorja nga Orikumi  telefonon ne emisionin e mengjesit te Bashkim Hoxhes ‘Koha per tu zgjuar te News 24 dhe shume e indinjuar shpreh ankesat e saj per ujin e pishem i cili derdhet ne det dhe banoreve ju leshohet me orar dhe fare pak me te cilin nuk arrijme te mbarojme asnje pune.

Gjithashtu dhe dritat na i nderpresin cdo dite.

A kemi faj ne …

Ne jemi taksapagues te rregullt.Perse duhet te vuajme keshtu ne vitin 2018.Perse?

Prandaj te lutem shume Zoti Bashkim te vij ne Orikum nje gazetar dhe ta shikoj nga afer gjendjen ketu.

Qytetarja nga Orikumi ankese : Uji derdhet ne det dhe ne nuk kemi uje te pijshem Read More »

Nënës vlonjate i marrin vajzën me dhunë dhe padrejtësisht

Sot në emisionin “Stop” u trajtua një temë mjaft delikate, largimi i fëmijës nga nëna e tij në mënyrë të padrejtë. Lisiana Hoxha përpos faktit që kaloi një martesë të dështuar, endet prej vitesh për të fituar kujdestarinë e të bijës, Theodhorës.

“Unë kam pasur vajzën të martuar me Renato Xhogun. Nga martesa e tyre lindën një fëmijë, Theodhora Xhogun. Gjatë martesës së tyre patën shumë kontradikta me njëri – tjetrin, ishin shumë të dhunshëm si vetë personi, edhe prindërit e tij, sidomos e ëma dhe e motra. Vajza nuk i duroi dot dhe një ditë mori fëmijën dhe erdhi në Shqipëri. Vjen i ati dhe e merr vajzën me dhunë. Nuk kishte orë që të mos merrnim kërcënime dhe vajzës i thoshte që do ta fuste në qese të zezë dhe do ma sillte në Shqipëri. Për këtë ka tabulate telefonike, janë të gjitha të vendosura dhe të shkruara. Ia la kujdestarinë e tij. Martesa e tyre zgjati deri në vitin 2008”, u shpreh i ati i Lisianës, Naim Hoxha.

Më datë 8 Maj të vitit 2008, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë pranoi kërkesë-padinë e Lisiana Xhogut dhe zgjidhi martesën me të paditurin Renato Xhogu, duke ia lënë kujdestarinë e vajzës këtij të fundit dhe duke i lënë të drejtën paditëses ta takojë dy herë në muaj.

Por ky vendim nuk e respektua, pasi Lisiana Xhogu nuk e ka parë më vajzën e saj, Theodhorën. Naim Hoxha tregoi se më 13 Prill 2017, ish-bashkëshorti i të bijës ndërroi jetë në Greqi, si pasojë e një aksidenti. Familja e tij u rikthye në Shqipëri dhe fillimisht i premtoi familjes Hoxha se do të mund ta takonin vajzën e vogël, por rezultoi krejt e kundërta.

Ndaj dhe Lisiana iu drejtua sërish Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë me një kërkesë-padi për ndryshimin e përgjegjësisë prindërore të Theodhora Xhogut, por gjyqtarja Mirela Mishgjoni e rrëzoi kërkesën e saj, duke ia lënë kujdestarinë gjyshërve nga ana e të atit.

Motra e Lisianës, Eriselda Hoxha tregoi se mbesa e saj ka kaluar kufirin e Shqipërisë me vendim të prokurorit Aurel Zarka, pa qenë në dijeni e ëma. Gjatë një takimi me këtë prokuror, Lisiana ka mundur ta regjistrojë duke i thënë se është ai që vendos se çfarë ndodh me denoncimin e saj.

Lisiana – Si jeni? Mirë?

Prokurori Aurel Zarka  Mirë!

Lisiana – Mund të hyj brenda?

Prokurori Aurel Zarka – Çfarë ke?

Lisiana – Dua të bëj një pyetje!

Prokurori Aurel Zarka – Po!

Lisiana – Kam pasur një denoncim që kam bërë dhe doja të dija, çfarë është bërë me këtë denoncim?

Prokurori Aurel Zarka – Është mosfilluar.

Lisiana – Pse është mosfilluar?

Prokurori Aurel Zarka – Se ashtu e kam vendosur unë

Lisiana – Si mund të vendosni juve ashtu?

Prokurori Aurel Zarka – Unë jam ai që vendos!

Lisiana – Po kush është arsyeja, që keni vendosur ashtu?

Prokurori Aurel Zarka – Po i kam shkruajtur aty. Ke të drejtën e ankimimit në gjykatë!

Naimi tha se disponon gjithashtu një regjistrim të bisedës së të bijës me ish-kunatën e saj, Entela Mehmetit, e cila është shprehur se ajo dhe prindërit e saj janë kompetentë për vajzën dhe Lisianës do t’i duhej ta harronte kujdestarinë.

Lisiana – Dua vajzën!

Ish-kunata – Ok, lëre kujdestarinë mënjanë!

Lisiana – Si ta lë kujdestarinë?

Ish-kunata – Lëre! Kaq kohë vajza me kë ka jetuar? Kush e ka pasur atë kujdestari? Atë kujdestari e ka pasur Spirua (Renato, ish-bashkëshorti)

Lisiana – E kishte Spirua…

Lisiana – Entela, unë nuk shoh…

Ish-kunata – Ne tek ajo çupë i kemi sytë! Vajzën e kemi ne. Jemi ne kopetentë, Ana. Unë, mami, babi. Asnjë tjetër! Po më dëgjon, çfarë them?

Lisiana – Po, të dëgjoj!

Ish-kunata – Unë, mami dhe babi. S’ka asnjë tjetër në mes! Çdo gjë e kam në dorë! E kemi në dorë, Ana! Do t’i japësh drejtim… do të vazhdosh me gjyqet? Jepi! Do dalësh e humbur! Do dalësh e humbur!

Por sipas nenit 225 të Kodit të Familjes, nëse një nga prindërit ka vdekur, përgjegjësia prindërore ushtrohet automatikisht nga prindi tjetër.

Ndërsa gjykata e ka vlerësuar këtë një natyrë tjetër konflikti dhe kërkesën të pabazuar në ligj dhe prova e si rrjedhojë e ka rrëzuar.

Moderatorët e emisionit “Stop” thanë se gjyqtarja ka bërë parashtrimin e ligjit e më pas e ka rrëzuar kërkesën, çka rezulton e pakuptimtë.

“Kjo është e tmerrshme! Është një paçavure!”, u shpreh Saimir Kodra.

Lisiana rrëfeu historinë e saj të trishtë të martesës së dështuar dhe kërkesës së pashpresë për të qenë pranë vajzës së saj tanimë 12-vjeçare.

“Vajza nuk e dinte që ekzistonte mamaja e saj dhe sot e kësaj dite ajo i flet gjyshes ‘ma’. Pas 12 vitesh m’u dha mundësia ta takoj vajzën time vetëm në Gjykatën e Greqisë”.

Ajo tha se ka kryer tre denoncime për kujdestarinë e të bijës, por nuk ka mundur dot të gjejë zgjidhje.

“Nuk kërkoj asgjë më shumë, kërkoj vetëm fëmijën tim! I drejtohem shtetit shqiptar: Jam nënë! Vjehrri im është marrë me drogë dhe ka bërë 5 vjet burg në Shqipëri. Burri im punonte me punë të pista, me prostituta në rrugë. Si mund të jetoj vajza ime me ata njerëz?”, u shpreh Lisiana Hoxha

Nënës vlonjate i marrin vajzën me dhunë dhe padrejtësisht Read More »

Historia e Boçarëve, pronarë të bregdetit në Vlorë: 30 vite në gjyq për pronat

Familja Boçari është pronare e 142 hektarëve në Vlorë. Në komunizëm u shpronësuan për t’u ngritur ndërmarrje bujqësore. Në vitin 1996, Komisioni i Kthimit të Pronave i ktheu Gëzim Boçarit 2 hektarë toke.

Por dokumenti ju dorëzua me mangësi materiale pa firmë të kryetarit të komisionit, raporton në një kronikë Top Channel.

Gjykata e Lartë vendosi në 2003 plotësimin e mangësisë dhe dorëzimin siç e kërkon paditësi”, shprehet Gëzim Boçari për TCH.

Për vite me radhë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk e zbatoi vendimin e Gjykatës së Lartë, atëherë Gëzim Boçari ju drejtua Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

“Gjykata vendosi që të ekzekutojë pa vonesë vendimin e Gjykatës së Lartë si dhe e dënoi shtetin shqiptar me një gjobë prej 49 mijë eurosh për dëmin moral. Në atë kohë ka qenë kryeministër Berisha, paratë i kemi marrë, pronën jo”, thotë Boçari.

Ju drejtohet për vite me radhë institucioneve të shtetit.

“Të gjithë ose s’janë përgjigjur ose janë përgjigjur tjetër për tjetër. I jam drejtuar sërish Strasburgut që të evidentojnë që vendimi i tyre nuk po zbatohet”, shprehet Gëzimi.

Deri në 2017, Avokati i Shtetit ka reaguar që vendimi i Strasburgut është ekzekutuar.

“Ekzekutimi konsiston në dhënien e një firme nga kryetari i ATP pro ose kundër kjo nuk është ë bërë, pra shteti ka mashtruar përsëri Strasburgun”.

Në zonën e Jonufrës, ndërkohë lulëzojnë përditë ndërtime në prag të sezonit të ri veror.

“Në këtë pronë kryetarët e bashkisë, të mëparshmit, në mënyrë të veçantë Shpëtim Gjika, kanë bërë biznes ose pis-nez”, thotë Boçari.

Ka qenë 40 vjeç kur e nisi këtë betejë, tani është 70 vjeç.

“E gjithë shtëpia është plot me dokumente. Me pyet ku nuk kam qenë jo ku kam qenë”.

Profesor Boçari thotë se gjithë dosja e tij duhet t’i nënshtrohet vettingut.

“Të gjithë këta që janë këtu, asnjë nuk është pronari, pra po zhvillohet strategjia e Katovicës që t’i qarkullojnë pronarët nëpër gjyqe derisa të lodhen. Unë kam vendosur të mos lodhem”, shprehet Gëzim Boçari.

Historia e Boçarëve, pronarë të bregdetit në Vlorë: 30 vite në gjyq për pronat Read More »

Del video që po trondit prindërit shqiptarë, shikoni si mësuesja rreh fëmijët, më pas i…

Emisioni investigativ “Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së hënës një skandal në arsim.

Një mësuese e shkollës fillore në Zharrëz, Patos, qëllon me shpullë dhe shkop fëmijët e klasës së dytë, të moshës 7 dhe 8 vjeç.
Ajo ushtron edhe dhunë psikologjike, duke i quajtur të miturit zhulsa, të palarë, të këqij etj. Pas dhunës, mësuesja i mëson fëmijët që mos të tregojnë në shtëpi se çfarë ndodh në klasë.
Pak ditë më parë, disa prindër nga fshati Zharrëz, u ankuan në redaksinë e emisionit “Fiks Fare”, se, në datën 17 prill, mësuesja Juliana Dine, ka qëlluar me shkop disa fëmijë të klasës së dytë.

Ata pretendonin se, krahas dhunës fizike, mësuesja ushtron edhe dhunë psikologjike. Prindërit u ankuan se, kohët e fundit, fëmijët kanë ndryshuar sjellje, nuk donin të shkonin në shkollë, nuk donin që të bënin detyrat dhe sjellje të tjera.

Në datën 19 prill, “Fiks Fare” shkoi në shkollën “Sotir Çapo” në Zharrëz, në Patos, për të vëzhguar një ditë mësimi të klasës së dytë.

Fillimisht, mësuesja u kërkon nxënësve nëse kanë bërë apo jo detyrat. Një prej tyre, thotë se i ka harruar. Mësuesja Juliana i kërkon që t’i afrohet. “Ç’a, gënjeshtre do më thuash, ëëë? Ja të marr pak V. dhe ça gënjeshtre do thuash. Më thuaj pse si ke bërë ti detyrat?”, i thotë mësuesja, dhe më pas, e qëllon me shpullë në kokë. Nxënësi, i tmerruar i përgjigjet se i ka harruar. Mësuesja i kërkon nxënësit të klasës së dytë që të shkojë t’i thërrasë nënës. Nëna dhe gjyshja i kërkojnë djalit se çfarë ka ndodhur, dhe ai i përgjigjet se e kishte rrahur mësuesja “më qëlloi me pëllëmbë”.

Më pas, të tre, gjyshja, nëna dhe djali shkojnë në klasë, të takojnë mësuesen. Mësuesja Juliana Dine i thotë gjyshes që mos t’i shkojë fare në klasë, pasi nuk është ajo kujdestarja e fëmijës. “Se ke kujdestari. Nëse më kërcënon, shkon direkt në burg” i thotë mësuesja. Më pas i thotë nënës së fëmijës se nëse s’ia kërkon ajo detyrat, asaj nuk i bëhet vonë fare. “Mua nuk më bëhet vonë fare nëse mëson apo s’mëson fare, do troç ti”, vijon ajo, ndërsa më pas vijon t’i kërkojë llogari nënës, madje i thotë se në shkollë, asnjë mësues nuk përdor fjalën budalla. Por, më vonë, pranon se ka përdorur shkopin për fëmijët. “Unë vetëm njëherë kam përdorur shkopin me fëmijët”, i thotë ajo, ndërsa nëna i kërkon të mos e rrahë “bamp e bamp”.

Më tej kërcënon një prej nxënësve se “ty do të të rrahë mësuesja”.

Pas largimit të nënës së një nxënësi, mësuesja vijon të dhunojë fëmijët, kësaj herë psikolgjikisht.

“Ti ule kokën aty, mos ta shoh të ngresh kokën dhe të mos flasësh pa leje. Dhe do ta kontrollojmë ne çantën, ëëë mësuese Majlinda. Do ja kontrollojmë ne çantën, po mos të tregojnë nxënësit”, vijon mësuesja Juliana. Ajo i thotë se “pas dy vitesh godita njërin me shkop, me vrap vajti i tha llafazania. Mirë që kjo nuk rregullohet, vjen njëherë e pastër, e ka mamanë nuk e vesh njëherë të pastër D… Vetëm e ka mësuar vish këtë e atë. Je shumë e pisët. Çohu në këmbë” i bërtet fëmijëve, ndërsa i thotë se “Je çupa shumë e keqe. Pushooooo. Pse t’i tregojmë njerëzve”. Pas dhunës, nxënësja fillon të qajë, ndërsa mësuesja vijon ta dhunojë. “Është shumë e keqe, s’ke punë të flasësh, se e pyet njeri, ti do flasësh. Mos i flisni. Nuk bëhesh mike me këto se këto janë qafë pa lara, zhulse”, thotë mësuesja.

Biseda e mësuese Juliana Dine

Nxënësit: Mirëmëngjesi.
Mësuesja: Mirëmëngjesi.
Mësuesja: Keni mësuar sot? … Çohu, çohu! Pse si ke bërë detyrat?
Nxënësi: Mësuese, unë…
Mësuesja: Ça, ça gënjeshtre… Dale, dale, ule. Ça gënjeshtre do më thuash, ëëë? (E qëllon me shpullë në kokë) Ja të marr pak V. (nënën e fëmijës) dhe ça gënjeshtre do thuash. Ajo, dhe ti bashkë. F… më thuaj pse si ke bërë ti detyrat?
Nxënësi: Harrova mësuese.
Mësuesja: F. ik çik te mami dhe thuaj ku i kam detyrat. Me vrap! Ku i kam detyra thuaj, me vrap!
Nxënësi: O Ma?! Të kërkon mësuesja (qan)?
Gjyshja: Ça ke? Hë?
Nxënësi: Të kërkon mësuesja.
Gjyshja: Të rrahu re?
Nxënësit: Eeee.
Gjyshja: Pse, për çfarë të rrehu ty ajo?
Mamaja: Hape gojën.
Gjyshja: Nuk dije mësimin ti?
Nxënësi: Eee.
Gjyshja: Me çfarë të shtyri?
Nxënësi: Me pëllëmbë.

Gjyshja: Si kaluat?
Mësuesja: Mirë si je.
Gjyshja: Ça ka ky që ashtu, çuni që më tha mua të do mësuesja.
Mësuesja: Tani ti erdhe e revoltuar, sikur unë djalin tënd e kisha vrarë dhe nipçen tënd. Thuaj njëherë si je. Tani ti mos më hajde mua të më kërcënosh, po hajde si gjyshe. Ti se ke kujdestari, ejjjj… Të lutem shumë zonjë, mos më hajde e revoltuar. Nuk e ke kujdestari që të vish të më kërkosh llogari mua. Dhe e pyeta, ik e thuaji mamit ku i kam detyrat, kështu i the mamit?
Nxënësi: Po.
Mësuesja: Për të qarë, për çfarë qave?
Mësuesja: Je nëna e tij, kjo (gjyshja) nuk e ka kujdestarinë me ligj. Kjo të vij, të më kërcënojë mua, futet në burg. Je ti nëna.
Gjyshja: Nuk të kam kërcënuar.
Mësuesja: Po jo të më vish mua tërë… Ti më kërkon llogari mua.
Gjyshja: Si prind.
Mësuesja: Po të më vije si bashkëfshatarja ime
Gjyshja: Gjyshe, gjyshe.
Mësuesja: Nuk je kujdestarja
Gjyshja: Mirë, moj mirë, mos i gjuaj se e kam
Mësuesja: Me rregulla, Juli ç’kemi si je, si dukesh, do jenë gjerat ndryshe.
Gjyshja: Mirupafshim.
Mësuesja: Shko nga të duash.
Mësuesja: Vojsava, ai është fëmija jot, nëse ti nuk i kërkon, mua nuk më bëhet vonë fare.
Mamaja: Jo, unë të kam ardhur, ti më thojë mëson.
Mësuesja: Po. Hajde çik këtu F… ku i ke detyrat?
Mamaja: Ku i ke detyrat që bërë mbrëmë ti mami?
Nxënësi: Në çantë.
Mamaja: Nxirri.
Mësuesja: Je ti prindi i saj, të vish këtu, mësuese e dashur, çfarë detyrash kërkon.
Mësuesja: Jo nuk janë këto detyrat, dua detyrat e shtëpisë.
Mamaja: Ku i kishe mami?
Mësuesja: Mua nuk më bëhet vonë fare, do troç ti, se mëson se nuk mëson ai. Në kofidencën time, e kthen ndryshe. Domethënë, ti si nënë e re nuk di kofidencë, unë kam pasur pesë pare muhabet me ty, fare. I thashë F… ik i thuaji mamit ku i kam detyrat, për të më zbuluar që më gënjeu ai, apo çfarë.
Mamaja: Më tha që më ka qëlluar mësuesja me shpullë, e vërtetë është?
Mësuesja: Ooooo, i ramë
Mamaja: Pse e rrahe atje.
Mësuesja: Ça me?
Mamaja: Me shkop.
Nxënësja: Edhe kur ngrihem, të rrahin.
Mësuesja: Po, se ke thënë ti vetë, futi ndonjë pëllëmbë.
Mamaja: Me pëllëmbë po, jo me shkop…
Mësuesja: Njëherë që kisha shkopin unë atje, ja ceka çik gishtin.
Mësuesja: V… (nëna e fëmijës) për shkopin vjen me vrap. Për mësimet e ka pyetje. Qave ti F… kur vajte te mami dhe nëna?
Nxënësi: Jo.
Mamaja: Qau?
Mamaja: Po, më ka qëlluar mësuesja me pëllëmbë.
Mësuesja: Po, qau djali jot atje. Ajo duhet të vijë atje, pse nuk e shtroi njëherë problemin. Me psikologji tani u mbush ai, e ke parasysh, se e thotë edhe psikologia. Tani ai u mbush me të qara. Dhe thuaji çfarë të duash, ai nuk thotë asnjë gjë tani, se u mbush.
Mamaja: Ta ketë çik gabim…
Mësuesja: Ejjj, jam mësuese, asnjëherë nuk e ul. Në shkollë, nuk është ai; ej, budalla, nuk e di. Nuk e përdor. Budalla, ulu. Nuk përdoren.
Mamaja: Prandaj po them unë, je prindi i dytë.
Mësuesja: Asnjë mësues këtu nuk u thotë këtyre fëmijëve të vegjël që ulu ti se je budalla. Ulu se nuk e di. Vazhdo ti tjetri. Jo. Përsërite. Dhe tjetër gjyshja, të më sjellë fletën e kujdestarisë mua, që të bisedojë me mua. Po erdhe ti si V… se ti ke të drejtë të vish te mua, dhe jo brenda orarit të mësimit se prishet dhe cënohet ora e mësimit.
Mamaja: Punë kalamaqësh… jo ta rrahësh ti me shkop!
Mësuesja: Atë shkopin do ja tregoj unë asaj. Vetëm njëherë unë kam përdorur shkopin. Dhe u kam thënë (nxënësve) ma hiqni çik shkopin që këtu u kam thënë.
Mamaja: Po tani shiko, se i dhe një pëllëmbë kështu, po jo ta rrahësh bamp e bamp.
Mësuesja: Kë kam rrahur bamp e bamp. Çou!
Nxënësi: Mësuese, ashtu tha D…
Mamaja: F… e rreh më shumë mësuesja.
Mësuesja: E kam rrahur F… më shumë se…?
Nxënësit: Jo.
Nxënësja: Mësuese unë i thash që ai e rrahu.
Mësuesja: Ty, do të rrahë mësuesja po the më kështu, pastaj do të ujdis mësuesja ty para bankës së klasës. Ulu!
Mësuesja: Ti bërë mirë që erdhe, unë t’i thashë ato që kisha për të thënë. Ejjj e mban mend ça të kam thënë?! Di të them që qëlloi, pastaj kur preket interesi fëmijëve bëhen shembullor
Mamaja: Po jo o Juli se…
Mësuesja: Dëgjo me shkop nuk rrah unë, por atë dite e kisha shkopin në dorë se po bënim zhurmë. Pse i rashë ndonjërit unë!?

Mësuesja dhunë psikologjike fëmijëve pasi ikin prindërit
Mësuesja: Ti ule kokën aty, mos të shikoj të ngresh kokën dhe të mos flasësh pa leje. Dhe do ta kontrollojmë ne çantën, ëëë mësuese Majlinda. Dhe do ja kontrollojmë ne çantën, po mos të tregojnë nxënësit.
Mësuese Majlinda: Tregoni juve?
Nxënësit: Joooooo.
Mësuesja: Kemi dy vite bashkë, më dëgjoni pak mësuesen. Kemi dy vjet bashkë?
Nxënësit: Pooooo.
Mësuesja: Pardje e nxori mësuesja shkopin për herë të parë?
Nxënësit: Poooo.
Mësuesja: Për herë të parë pardje qëllova me shkop unë. Pas 2 vitesh qëllova njërin. Ju me vrap vajtët i thatë llafazanes së klasës. D.m.th R… në dy vite njëherë e qëlloi mësuesja dhe qysh ju thashë, ma hiqni qafe që këtu. Dhe me vrap kjo llafazane. Mirë që kjo nuk rregullohet, nuk vjen njëherë e pastër, ka mamanë që nuk e vesh njëherë të pastër dalshin mend. Vetëm që e ka mësuar vish këtë e atë. Pastaj vajti spiunoj me vrap kjo tek vajza. E ça do më bënte mami mua? Cohu moj! F… kjo erdhi te shtëpia jote, apo luani bashkë ju?
Nxënësja: Mësuese erdhi atje te oborri. Na ndan një bahçe.
Mësuesja: Je çupa shumë e keqe, të kam dashur shumë, por fare. Pse duhet të … kush të pyeti ty, e pyeti mami jot apo nëna?
Nxënësja: Jo mësuese D… nisi vetë.
Nxënësja D: Jo mësuese …
Mësuesja: Pushooo! Dhe ti duhet t’i tregoje. Ça kam thënë unë që t’i tregojmë njerëzve? Pse t’i tregojmë njerëzit. Duhet t’i thoshe jo.
Nxënësja D: Mësuese më pyeti … (fillon e qan).
Mësuesja: Ti qysh duhet t’i thoshe? Jo!
Nxënësja D: Unë nuk i fola edhe po të them të vërtetën.
Mësuesja: Se e shpiku, nuk gënjen mami i F… Se e tillë je vetë, kështu bërë edhe njëherë tjetër që gënjeve mamin e R…. Ishte bërë Selvia, nuk e di se për çfarë gënjeu njëherë mamanë e R… Erdhi Selvia këtu, ishte bërë për ujë të ftohtë, se është shumë e keqe për të ngatërruar llafet kjo. E di sa i qarkullon llafet kjo, është shumë e keqe,
Nxënësja D: Mësuese atë dite më tha mami…
Mësuesja: Nuk dua t’ia di ça të tha, as më intereson fare. Ti s’ke punë të flasësh fare ik shiko… R. (nxënës) s’flet. Se e pyet e ëma, se e pyesin të tërë, ai s’tregon asgjë. Nuk flet fare. Ti do flasësh. Mos i flisni F… Ju çua atëherë, i dogji menderja mamasë së këtij. Duam të bëjmë njerëz ne, njerëzit janë të trashë, t’i bëjmë njerëz. Dhe vinte tërë kompetencë ajo, jam gjyshja tha. Ti s’njeh ligjet, ik njih ligjet injorante dreqit. Se i respektoj unë se janë fshatarkat e mia, m’u bë vonë mua se ku shkojnë. Gjyshe është në shtëpi, këtu në shkollë shko mëso ligjet më tha mësuesja, kur të llafosesh në shtëpi. Po të kesh ti një certifikatë një kujdestari, kur ndahen mami me babin që thonë që çunin tim s’e dua më po ia lë mamasë, atëherë po ka të drejtë të ankohet. Po kështu ajo as e ka për detyrë fare të vijë këtu. Që këtej e tutje nuk dua të kthehesh mbrapa e të flasësh me O… Bëre një muhabet me shokët e të tjera, e të tjera do të nis direkt te drejtoresha. E doni kështu, me dhunë ua bëj unë. Po ta jap këshillën, të pash të bisedosh me F… të qëllon F… apo të shanë F… do ta godasësh dhe do shkosh drejt e tek drejtoresha. Dakord!
Nxënësja D: Po.
Mësuesja: Ah sa telendare janë këto, sa kujdes duhet të kesh me këto! Bëhesh e mirë me këto, po këto janë qafë pa lara, zhulse.

Del video që po trondit prindërit shqiptarë, shikoni si mësuesja rreh fëmijët, më pas i… Read More »

Djegia e fabrikës së riciklimit, punëtorët zbulojnë një tjetër detaj implikues për pronarin

Zjarri në fabrikën e riciklimit në Kashar vazhdon ende, por ndërkohë është zbuluar një tjetër detaj për pronarin e saj, Vullnet Haka. Ende nuk është e qartë se cili është shkaku i zjarrit të madh që ra papritur.

Ekspertët po kryejnë verifikime në terren për një zjarr aksidental, por duke qenë se flakët u përhapën me shpejtësi po kryen hetime edhe për një zjarr të qëllimshëm. Ndërkohë përfaqësuesit e fabrikës së riciklimit kanë thënë në polici se ata dyshojnë se zjarri ka ardhur për shkak të luhatjes së tensionit të energjisë elektrike, por OSHEE e ka mohuar.

Punonjësit e sigurisë deklaruan dje se zjarri nisi nga mesi i fabrikës. Pranë fabrikës së riciklimit sot ka shkuar pronari Vullnet Haka. I pyetur nga gazetarët, ai tha se nuk dëshiron të prononcohet dhe se ia lë në dorë hetimeve të zbardhin ngjarjen.

“Nuk dëshiroj që të flas, ia lë në dorë hetimeve, nuk kam se çfarë të them”, tha Vullnet Haka, pronari i fabrikës ‘Everest’ që u dogj.

Drejtori i Zjarrfikëses deklaroi dje se fabrika në pronësi të Vullnet Hakës, që është kryetar i Shoqatës së Ricikluesve është gjobitur më parë se nuk kishte marrë masat për kushtet e sigurisë, ndërsa shtoi se edhe dje nuk funksionoi alarmi i zjarrit. Grupi po heton nëse janë plotësuar të gjitha masat kundër zjarrit për të dalë në konkluzione zyrtare.

Por ky duket se nuk ka qenë problemi i vetëm. Punëtorët të pyetur nga gazetari i Report Tv, Driçim Caka thonë jashtë kamerave se kanë nga 2-4 muaj paga të prapambetura pa marrë. Në takimin që kanë zhvilluar me pronarin Vullnet Haka, punëtorëve u është premtuar se do u jepen rrogat e prapambetura.

Vonesa e pagave me disa muaj është një tjetër skandal, pasi punëtorët kanë qenë të siguruar, por pavarësisht kësaj jo cdo muaj u kalohej paga. Djegia e fabrikës ka shkaktuar ndotje të madhe në zonë, por shqetësimin e banorëve për erën e rëndë dhe ndotjen askush nuk e ka marrë në konsideratë nga institucionet.

E kontaktuar nga Report Tv, ISHP deklaroi se nuk mund të kryejë inspektime në zonë, ndërsa Inspektorati i Mjedisit u shpreh se merret me licencimet dhe jo kontrollet. Ping-pongu mes institucioneve ka bërë që deri në paraditen e sotme shqetësimet e banorëve të bien në vesh të shurdhët.

Djegia e fabrikës së riciklimit, punëtorët zbulojnë një tjetër detaj implikues për pronarin Read More »

Eni Çobani kërkon LIVE ndihmën e prokurorit të Fierit

Spiro Shapka ka sjellë në rubrikën “Shihemi në Gjyq” në emisionin “E Diela Shqiptare” ish – kryetarin e Komisionit të Ndarjes së Tokave për komunën e Libofshës, Ali Mersalën për t’i kërkuar llogari për një pjesë toke që ka qenë në pronësi të tij dhe tanimë rezulton në emër të dikujt tjetër.

Sipas ligjit 7501, Aliu i ka dhënë Spiros një certifikatë pronësie për një tokë në vitin 1991, e cila rezulton me probleme, pasi ka gjithashtu pronar Petraq Kulen, po ashtu të pajisur me certifikatën e pronësisë.

“Kam përfituar tokë nga ligji 7501 dhe më ka dalë me probleme, prandaj kam sjellë dhe zotin Ali. Tani dal me mbivendosje dhe Qendra Vendore e Libofshës më ka bërë dosjen dhe e kam çuar në Hipotekë. 22 vjet e kam patur pa probleme, por në 10 Korrik 2016 del që dy tapitë janë mbivendosje dhe këtu fillon konflikti”, u shpreh Spiro.

I pyetur nga juristja Eni Çobani nëse ka qenë gabimi i tij në vendosjen e kufijve apo ndryshimi i mekanizmit që ka sjellë këtë problematikë, Aliu tha se gjithçka ka ndodhur pasi ai është liruar nga detyra. Ai shtoi se Petraq Kule i ka vjedhur tokën Spiros, duke falsifikuar dokumentet.

Zonja Eni tregoi dy akt-marrjet e tokave të Spiro Shapkës dhe Petraq Kules të firmosura prej Ali Mersalës. Ky i fundit tha: “Firma ime edhe është edhe s’është. Ja dhe po e pranoj firmën, por ka një gjë që edhe një fëmijë e kupton. Kjo kolona këtu, zotëria e ka më poshtë 200 metra, te vëllai i tij në Libofshë”.

Pas këmbënguljes së Spiros për të thënë të vërtetën se cili dokument është i falsifikuar, ish-kryetari i Komisionit të Ndarjes së Tokave pohoi se akt – marrja e tokës së Petraq Kules është e falsifikuar. Ai pranoi që tokën ia ka dhënë si dhe dokumentin e ka firmosur, por pa përfshirë sipërfaqen prej 200 metrash katrorë të Spiros.  Ky i fundit akuzoi Qendrën Vendore se i ka dhuruar Petraqit 200 metra katrorë, duke e mbivendosur në tokën e tij.

Ndërsa në linjë telefonike, Petraq Kule tha se kjo sipërfaqe është pronë e tij dhe nuk ka për t’ia marrë njeri. Ai shtoi se Spiro Shapka “i ka vjedhur natën” dhe 200 metra katrorë që ka marrë.

Juristja Çobani tregoi se Petraqi dhe dy blerës të kësaj sipërfaqeje pohojnë që kjo tokë është në pronësi të Petraq Kules, ndërsa ish – kryetari i Komisionit të Ndarjes së Tokave, që gjendet në këtë seancë ndërmjetësi, thotë të kundërtën. Ajo shtoi se dokumenti i akt – marrjes së tokës është në dy kopje, pasi një e mban pronari dhe një zyra e kadastrës për regjistrimin përkatës.

Spiro tregoi certifikatën e trungut familjar për të vërtetuar që është prej vitesh banor i Libofshës dhe ka patur të drejtën për të përfituar tokë në bazë të ligjit 7501, pasi është çuar çështja te Krimi Ekonomik për t’u hetuar, por ka gjithçka ka rezultuar në rregull.

Zonja Eni u shpreh se sipas saj, dy dokumentet e akt – marrjes së pronës ndryshojnë, ndërkohë që janë shkruajtur nga një person. Gjithashtu në këto dokumente janë kryer llogaritjet gabim, pasi në numrin e pasurisë numër 38/14 në akt – marrjen e tokës së Spiro Shapkës shkruhen 600 metra katrorë arë dhe 200 metra katrorë truall, ndërkohë që në shumën totale është shkruajtur 600 metra katrorë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në dokumentin e Petraq Kules, ku në numrin e pasurisë 38/13 është shkruajtur 100 metra katrorë arë dhe 200 metra katrorë truall, ndërkohë që në shumën totale është 100 metra katrorë. Një faktor tjetër shqetësues në këtë çështje është se topografi Stefan Sema mohon të ketë firmosur dokumentin e Petraq Kules.

Ish – kryetari i Komisionit të Ndarjes së Tokave nënë komunën e Libofshës shpjegoi se nëse prona nuk është e vendosur në formularin numër 6, atëherë nuk ka më rëndësi se çfarë shkruhet në dokumentet e tjera, pasi ai është parësori.

Juritja Çobani – Në momentin që jeni vënë në dijeni nga ana e Spiros për këto falsifikime të ndodhura në aktin e marrjes, keni ndërmarrë ndonjë veprim kundrejt  organit të prokurorisë? Sepse përgjegjësia e parë bie mbi ju.

Aliu – Çfarë nuk kam bërë!

Juristja Çobani – Po çfarë keni bërë se unë këtu nuk kam asnjë dokument që keni shkuar keni bërë ndonjë kërkesë apo ankesë.

Aliu – Duke qenë kryetar aty, bashkë me shokët e mi, i kam thënë Spiros që ke tokën 39 sepse topografi që ka bërë tokën e Petraqit është false dhe ka thënë që 39 është tokë truall. Këto nuk i bëj dot unë se hyj në burg.

Spiro – Ka fakte të forta që noterja Flora Zoto e ka noterizuar atë tapi sepse ka kaluar në proces gjyqësor, por nuk ka vendosur numër serial të tapisë.

Juristja Çobani – Ç’lidhje ka noterja me aktin e marrjes së tokës?

Spiro – Zoti Petraq i ka dhënë prokurë zotit Ymer, i cili ka bërë ndërtim pa leje. E kam kallëzuar unë dhe ia ka prishur IKMT-ja. Gjykata i kërkoi dokumente, e ka noterizuar tapinë te noterja, por nuk ka numër serie këtu.

Ai rrëfeu se prej dy vitesh ndodhet në konflikt për këtë pronë, por nuk  i është drejtuar Prokurorisë Fier sepse mendon se do t’i korruptojë Petraqi.

Në lidhje telefonike, pronari aktual i një objekti në këtë tokë, Ymeri u shpreh se në hartën dixhitale kjo sipërfaqe toke është truall dhe jo arë siç pretendon Spiro. Për sa i përket çështjes gjyqësore që  ka hapur ndaj Spiros lidhur me formularin 6, ai tha se e ka bërë se dokumentet ishin të falsifikuara. Ndërkohë që ish – kryetari i Komisionit të Ndarjes së Pronave pretendon se është dokumenti i Petraqit i falsifikuar.

“Unë kam blerë objektin 44 metra katrorë. Ky truall është marrë nga 7501 në emër të Petraq Kules dhe ky objekt, pavarësisht se nuk është privatëzuar trualli, a qëndron mbi një truall? T’ja japim Spiro Shapkës truallin dhe objekti të qëndrojë në ajër!”, u shpreh Ymeri.

Ai gjithashtu akuzoi Aliun se ka kryer shumë falsifikime dokumentesh, por Spiro e ndërpreu duke thënë se është vendosur me votë popullore si kryetar i Komisionit të Ndarje së Pronave. Aliu iu përgjigj: “Nuk ke faj ti se të ka gënjyer hajduti, Petraq Kule”.

Juristja Çobani u shpreh se ish – kryetari i Komisionit të Ndarjes së Pronave do të mbajë përgjegjësi penale për këtë çështje deri në momentin që do të zbardhet nga prokuroria.

“I bëj thirrje prokurorit të Rrethit Gjyqësor Fier të marrë në dorë situatën se është alarmante! Nuk janë qytetarët e parë që vijnë nga Libofsha, janë të disatët. Kërkoj, duke filluar nga zoti Ali Mersala dhe të gjithë anëtarët e komisionit të thirren nga prokuroria dhe të zbardhet deri në fund se si është e vërteta e ndarjes së  këtyre tokave! Të mos ngelemi me thëniet e qyterëve apo me denoncimet sporadike të njërit apo tjetrit, por ta marë shteti në dorë, prokuroria, gjykata dhe t’i japë të drejtë qytetarëve!”, tha zonja Eni.

Ndaj kjo çështje do të shkojë në organet kompetente për të gjetur zgjidhje për të gjithë qytetarët e Libofshës./tvklan.al

Eni Çobani kërkon LIVE ndihmën e prokurorit të Fierit Read More »