Opinione

Kryeministri Rama ishte ‘LIVE’ në facebook, por ajo që bën ky komentues i ka habitur të gjithë.

[sgmb id=”1″]

Kryeministri Edi Rama ishte ‘Live’ në facebook gjatë emisionit “Tek Unë me Arjola Shehun” në IN Tv. 

Gjatë kohës që kryeministri ishte ‘Live’ në facebook një komentues ka bërë një kërkesë për kryeministrin e cila i ka lënë të gjithë të habitur.

Ai i kërkonte kryeministrit ‘një ligj me vdekje për të gjithë ato gra apo femra të cilat tradhëtojnë burrin e tyre. Burri i tyre duhet të kishte të drejtën për ta vrarë e të mos bënte asnjë ditë burg’, kjo kërkesë sic duket i ka habitur të gjithë. /shqiperiaime.al

Kryeministri Rama ishte ‘LIVE’ në facebook, por ajo që bën ky komentues i ka habitur të gjithë. Read More »

Rama i përgjigjet letrës së 7-vjeçares, Mikaela dhe jep një lajm të mirë për të.

[sgmb id=”1″]

Kryeministri Rama i është përgjigjur letrës së 7-vjeçares Mikaela e cila i shkruante se nuk i kuptonte fjalët e mamit të saj kur i thoshte se me zor e siguronte bukën e gojës.

Në një postim të bërë sot në mëngjes Rama njofton lajmin e mirë për Mikaelën dhe nënën e saj duke bërë me dije se Bashkia e Tiranës do t’i paguaj qeranë për tre muaj dhe nënës së saj do t’i ofrohet mundësia e punësimit sapo të bëhet më mirë.

POSTIMI I RAMËS:

MIRËMËNGJES 
dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë foto të Mikaelës 7-vjeçare, që me një letër të jashtëzakonshme më tregoi për vështirësitë që ajo dhe nëna e saj e sëmurë po kalonin. Mikaela e vogël mori dje lajmin e bukur të mbështetjes së plotë për qiranë e shtëpisë nga Bashkia, bashkë me sigurimin e një pagese për familjen për 3 muaj. Ndërkohë që nënës së Mikaelës do t’i ofrohet mundësia e punësimit sapo të bëhet mirë ”, shkruan Rama.

Rama i përgjigjet letrës së 7-vjeçares, Mikaela dhe jep një lajm të mirë për të. Read More »

Sali Berisha flet për shpërthimin e gazit në Velipojë.

[sgmb id=”1″]

Ka reaguar dhe ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, lidhur ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm në Velipojë, ku disa persona u plagosën si pasojë e shpërthimit të një cisterne gazi në një hotel turistik.

Në një postimi në rrjetin social “Facebook”, Berisha thotë se për shkak të mungesës së sigurisë, turizmi është kthyer në një sektor shqetësues. Duke iu referuar rasteve të regjistruara këtë verë, Berisha thotë se janë mbytur 15 turistë në brigjet shqiptare.

“Vetëm në ujërat e plazheve të vendit janë mbytur 15 turistë”, thotë Berisha, ndërsa vijon: “Vrasja me mjetet ujore të mafies, e vajzës 15-vjeçare ruse, dhe shpërthimi i ujërave të zeza ne Ksamil (për shkak të BE thotë kryetarja siçiliste e bashkisë së Sarandës), dërguan lajme skandaloze në mbarë botën”.

POSTIMI I PLOTE

Turizmi skandaloz ne shtetin e Norieges!

Nje shperthim i fuqishem i nje cisterne gazi dhe nje zjarr i madh ne nje hotel turistik, tronditi sot mijra e mijra pushues ne Velipoje. Nga ky shperthim qe mund te merrte shume jete, por duket se çisterna e madhe nuk ishte plot gaz, u dogjen rende tre qytetare, te cileve nga zemra ju urojme sherim te shpejte.

Por mund te thuhet se ky ishte nje muaj skandaloz per turizmin shqiptar. Vetem ne ujerat e plazheve te vendit jane mbytur 15 turiste, dy here me shume se ne te gjitha plazhet e Europes te marra se bashku, dhjetra turiste te tjere humben jeten apo u plagosen ne trafikun jashte kontrolli te rrugeve te vendit.

Vrasja me mjetet ujore te mafies, e vajzes 15 vjeçare ruse dhe shperthimi i ujerave te zeza ne Ksamil (per shkak te BE thote kryetarja siçiliste e bashkise se Sarandes), derguan lajme skandaloze ne mbare boten.

Po te shtojme ketu sherbimet skandaloze dhe cmimet marramendese te pakontrollura, mungesa e energjise elektrike dhe ujit te pijshem, te gjitha keto perbejne nje bilanc skandaloz te turizmit te nje vendi pa zot dhe turpin e kesaj qeverie qe noton ne korrupsion. 

Sali Berisha flet për shpërthimin e gazit në Velipojë. Read More »

“Me Policinë e Shtetit po lëmë leshtë”, reagon Rama: Mund të me tregosh si…

[sgmb id=”1″]

Kryeministri Rama ka shkëmbyer replika me komentuesit pas postimit te tij per preferencat e qytetareve lidhur me planin 10 pikesh te 100 diteve te para te mandatit te ri qeveritar.

Një komentues i shkruan se Policia e Shtetit eshte e korruptuar.

Qytetari: me policin e shtetit po lem lesht sot e 10 vjet komisarjati nr 3 shembull i keq i pa aftesis e korrupsionit , ah po harrova per ju quhet histori suksesi apo baltosje !
a do ket ndonje rreagim nga ju ?

Rama: Me fal mund te me tregosh si po i le floket e trupit sot e 10 vjet ti konkretisht, sepse nuk e kuptoj cfare lidhje kane qimet e tua me komisariatin nr.3?

“Me Policinë e Shtetit po lëmë leshtë”, reagon Rama: Mund të me tregosh si… Read More »

“Sa shumë paske ndryshuar pas zgjedhjeve more kryeministër”, shihni përgjigjet që jep Rama.

[sgmb id=”1″]

E ndërsa ministrat, deputetët, ambasadorët dhe të gjithë të pranishmit që ishin në ceremoninë e betimit të Metës si President, po qendronin në hollin e Presidencës dhe uronin presidentin e ri, kryeministri Edi Rama është larguar i pari nga aty.
Dhe e para gjë që bëri ai vetë, ishte postimi në rrjetet sociale të rubrikës së tij të përditshmë “AMARCORD”, dhe replikat me komentuesit të cilat mund t’i shihni më poshtë:
 

KOMENTET:

po zoti rama populli ka shum halle po seshte e nevojshme te vesh ne ter qytetet populli do para te dal nga varferia ku eshte zhyttur te tjerat jan brrockllat e tua

Meleq, u lodhe ti vella duke levizur une?

Permireso websiten e matures o mjeshter se kemi qe ne 8 te mengjesit nuk po regjistrohemi dot. Na lat pa shkoll

Jo jo, s’ka asnje problem website i matures, thjesht do durim sepse ka mbingarkese dhe mos ki merak se nuk mbetet askush pa u regjistruar

Nuk e kuptoj dobine e ketyre degjesave kur dihet shume mireburimi I vuajtjeve te shqiptareve. Duhen investime te huaja qe te hapen vende pune. Sdo punesohemi te gjithe ne administrate shteterore.

Kur te rritesh me shume keto kater vjet qe vijne do e kuptosh ndoshta Elda, jo te gjithe i kuptojne te gjitha menjehere, rendesi ka te duash te kuptosh

Sa shumë paske ndrryshuar tani pas zgjedhjeve more kryeministër!
Përcilleni thotë!!!!!!!!! Kështu i dëgjon hallet e popullit ti?!

Askush ne emer te popullit nuk ka te drejte te bertase dhe prishe bashkebisedimin sepse ashtu i pelqen atij! Keshtu qe mos merr shembuj te keqinj ne emer te popullit dhe shkollohu sa me shume sepse sa me shume te mesosh aq me pak do te te duket sikur i di te gjitha

More po lei degjesat po, sa me lart cemimet e tatimet se jemi mesuar ne shqiptaret e mbaim hurin dhe ne katersh

 Ti meso shqip njehere pastaj jep mend ketu

Spom pelqen edi tubim koti qka lyp ku nuk zgjedh asni problem kot je aty

Besi, shko ne shkolle mos rri duke pare qka nuk kupton

Kjo eshte uleritese😉 Po kush je ti qe te japesh zgjidhje si te jesh MESIA? Erdogani nuk eshte shembulli per tu ndjekur…kjo nuk eshte demokraci! Demokracia eshte diktatura e institucioneve jo e nje njeriu si ju. Skandaloze

ahaha nuk eshte demokraci te degjosh njerezit? Pastaj ku bie kjo ne kundershtim me ndertimin e institucioneve? Mos u ngjir kot, thjesht shkollohu sa me mire e sa me shum

“Sa shumë paske ndryshuar pas zgjedhjeve more kryeministër”, shihni përgjigjet që jep Rama. Read More »

Rama acarohet me qytetarin : Ka mundësi të ulesh , ça mi tund ato letra.

[sgmb id=”1″]

Kryeministri Edi Rama vijoi sot në Shkodër dëgjesat publike me qytetarët, ku u ngritën shqetësime të ndryshme, çka bëri që të shkaktohej një kaos në takim.

Në një moment kryeministri ka ndërhyrë ndaj një qytetari nga fundi, i cili po tundte disa letra që mbante në dorë.

“Ka mundësi të dëgjoj tjetrin? Ça mi tund ato letra se nuk shoh gjë unë që këtu…Ka mundësi të uleshdhe të respektosh zonjën se mua nuk po më respekton”- iu kthye Rama. 

Rama acarohet me qytetarin : Ka mundësi të ulesh , ça mi tund ato letra. Read More »

SHQIPËRIA “BIE NË DEPRESION”!

[sgmb id=”1″]

Mungesa e mundësive për rritjen e mirëqenies, tranzicioni i zgjatur dhe mospasja e perspektivës e kanë thelluar depresionin në shoqërinë shqiptare. Importet e medikamenteve antidepresive Loram dhe Xanax u rritën me ritme dyshifrore në vitin 2016. Mjekët pohojnë se, numri i të prekurve është shtuar ndjeshëm tre vitet e fundit. Vrojtimi i Monitor në 20 farmaci tregon për përhapje të sëmundjes në mosha më të reja. Vetëvrasjet janë shtuar. Ja kostot që krijohen nga sëmundja në zhvillimin ekonomik dhe rrugët për daljen nga gjendja

Nga Blerina Hoxha

Arjana Rreli është një psikiatre me përvojë të gjatë pune, por vitin e kaluar u përball me një klientelë jo të zakontë. Biznesmenët kishin qenë pacientë të rrallë më parë, po dy vitet e fundit janë shtuar. “Siç duket, punët nuk po iu shkojnë mbarë”, pohon Arjana, e cila zotëron me kompetencë profesionin e saj dhe është më e rezervuar për shkaqet që kanë çuar në ankth të pasurit. Ky konstatim i Rrelit vjen në akordancë me një aksion masiv kundër informalitetit në ekonomi, që në muajt e fundit të 2015-s dhe pjesën e parë të 2016-s, ishte tejet agresiv. Të gjendur përballë situatave të paparashikuara, që mund të sillnin edhe dënimin me burg, shumë biznesmenë kanë rënë pre e ankthit dhe depresionit, aq sa kanë zënë edhe dyert e spitaleve dhe klinikave të specializuara.

Kjo gjendje stresi dhe ankthi, që është shtrirë me shpejtësi edhe në shtresa të tjera të popullatës, i ka dhënë drejtim tjetër zhvillimit ekonomik të vendit. Bizneset po hezitojnë të investojnë dhe konsumatorët shmangin blerjet e mëdha.Radha në Qendrën e Shëndetit Mendor në Tiranë është e gjatë që në orët e para të ditës. Burra, gra të reja, nëna, pleq presin të çelet dera e psikiatrit.

Numri i pacientëve që kërkojnë shërbimet mjekësore është rritur tre vitet e fundit, por doktoresha pohon se situata në realitet është edhe më e rëndë, pasi shoqëria ende nuk ka kulturën e mjaftueshme për të marrë diagnozë te mjeku dhe më pas trajtimin e nevojshëm. Rreli thotë se një shoqëri e stresuar minimalisht nuk është produktive dhe krijon predispozitë për të përthithur edhe pjesën tjetër të shëndoshë të popullatës. Depresioni është ndër sëmundjet më të kushtueshme, me ndikime negative zinxhir në ekonomi.

E lodhur nga tranzicioni i gjatë, krizat politike dhe ekonomike që nuk po ndahen dhe me pak mundësi në sfond, shoqëria shqiptare është duke përjetuar një gjendje të thelluar të stresit. Konfirmimi vjen nga rritja dramatike e konsumit të medikamenteve kundër depresionit.

Sipas të dhënave konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, importet e Loram-it, Xanax-it dhe Citolex-it janë rritur ndjeshëm tre vitet e fundit. Për vitin 2016, ato janë 6-17% më të larta sipas llojit të medikamentit. Më 2016 u zhdoganuan 195,137 pako Loram (2.5 miligramë) nga 167,000 më 2015, me një rritje vjetore 18%. Me ritme dyshifrore (11%) janë rritur edhe importet e Xanax-it dhe rritje 6% edhe ato të Ciltolex-it. Burimet në dogana pohojnë se ritmet e rritjes së importeve të këtyre medikamenteve kanë qenë të larta në dy vitet paraardhëse.

Zhdoganimet e antidepresivëve
Sipas të dhënave konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, importet e Loram-it, Xanax-it dhe Citolex-it janë rritur ndjeshëm tre vitet e fundit. Për vitin 2016, ato janë 6-17% më të larta sipas llojit të medikamentit. Më 2016 u zhdoganuan 195,137 pako Loram (2.5 miligramë) nga 167,000 më 2015, me një rritje vjetore 18%. Me ritme dyshifrore (11%) janë rritur edhe importet e Xanax-it dhe rritje 6% edhe ato të Ciltolex-it.

Farmacitë: Konsumi i antidepresivëve, në rritje të shpejtë
‘Monitor’ ushtroi një vrojtim në të paktën 20 farmaci në rajonin Tiranë-Durrës, 18 prej të cilave pohuan njëzëri se është rritur konsumi i antidepresivëve, ndërsa 2 refuzuan përgjigjet. Në Tiranë, farmacitë e pyetura ishin në zonën e spitaleve, Medresesë, Siri Kodrës, 5 Majit dhe në zonën e Bllokut. Pothuajse të gjitha njësitë e shitjes së medikamenteve pohuan se është shtuar konsumi nga moshat 25-40 vjeç. Loram-i, një medikament popullor kundër shenjave të para të stresit dhe depresionit që në Shqipëri konsumohej më së shumti nga të moshuarit me Parkinson dhe Alzhaimer, tani po merret nga moshat e reja, pohojnë farmacistët. Shumica e tyre pohuan se këto medikamente po konsumohen nga kategori të shoqërisë që më parë nuk ishin klientë. Biznesmenë, punonjës të administratës, persona në vështirësi ekonomike, personat që jetojnë vetëm dhe adoleshentët janë klientët e rinj të antidepresivëve, pohojnë farmacistët. Ata shtojnë se ka një numër të madh personash që kërkojnë të blejnë pa recetë qetësues për gjumë, si Diazepam etj.

Gjithashtu shumica e farmacive të pyetura pohuan se është shtuar numri i të rinjve që konsumojnë antidepresivë. Ka rritje të numrit të rasteve nga të rinjtë që konsumojnë hashash, efekti i të cilit në disa persona është gjendja e depresionit. Kështu që përdoruesit e hashashit, në një masë të konsiderueshme, po përjetojnë përkeqësim të shëndetit mendor e për pasojë, po konsumojnë më shumë antidepresivë. Farmacitë në rajonin e Durrësit pohuan kryesisht fenomenin e depresionit nga përdoruesit e hashashit. Ndërsa njësitë e shitjes së ilaçeve në Tiranë pohuan se konsumatorët e antidepresivëve janë më së shumti të ardhurit në Tiranë, të cilët gjenden nën presionin e ndryshimit të kushteve të jetesës dhe përshtatjes me kultura të tjera.

Alban Ylli, mjek ekspert në Institutin e Shëndetit Publik, tha se depresioni është sëmundje e nëndiagnostikuar në Shqipëri për shkak të mungesës së kulturës për trajtim që ka shoqëria jonë. Ai tha se mbetet shumë shqetësues fakti që kjo kategori personash nuk u drejtohet mjekëve specialistë dhe tentojnë mjekim amator pa recetën e mjekut. Ylli vuri në dukje se konsumi i qetësuesve pa recetë është shumë i lartë dhe se të prekurit nga depresioni e përkeqësojnë edhe më tej situatën, duke u trajtuar në këtë mënyrë. Përveçse me depresion, ata krijojnë varësi nga medikamenti, duke e bërë më pas mjekimin protokollar edhe më të vështirë.

Kostot ekonomike
Dy vitet e fundit, shqiptarët janë populli që kanë emigruar më së shumti në Europë, pas vendeve të Lindjes së Mesme që janë në luftë të tilla si Siria. Rreth 67 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil politik në vendet e Bashkimit Europian në vitin 2015, ndërsa gjatë vitit të kaluar, edhe rreth 29 mijë të tjerë.

Për dy vite, 4% e popullsisë së vendit ka tentuar të largohet vetëm në vendet e BE-së. Mjekët shpjegojnë se emigracioni është treguesi më i qartë se vendi është duke kaluar një situatë jo të mirë psikologjike. Doktoresha Rreli thotë se faktori ekonomik, përveç predispozitës biologjike, është ndër më kryesorët që krijon depresion. Ajo shton se sëmundjet e shëndetit mendor kanë kosto të shumëfishta në jetën ekonomike dhe sociale të një vendi. Një shoqëri që ka stres të shtuar dhe depresion, më e pakta që mund të ndodhë është mungesa e eficencës, d.m.th. e të bërit të gjërave mirë. Por nga ana tjetër, trajtimi i sëmundjeve mentale është i kushtueshëm. Këta persona kërkojnë angazhimin e shumë burimeve të tjera si njerëzore edhe materiale. Medikamentet që trajtojnë shëndetin mendor kushtojnë shumë, ndërkohë që depresioni nuk zgjedh. Në këtë këndvështrim, Shqipëria një vend i vogël, por me problematika të mprehta, nuk ka mjete të mjaftueshëm për të trajtuar me dinjitet këto kategori pacientësh që po shtohen çdo ditë e më shumë, – shton doktoreshë Arjana.

Studimet globale mbi depresionin kanë gjetur se, fenomeni është mjaft i përhapur në vendet në tranzicion. Sëmundja po vjen në rritje gjithnjë e më shumë. Organizata Botërore e Shëndetit ka gjetur se njerëzit e prekur nga çrregullimet mendore, kryesisht depresioni, kanë performancë të ulët në punë, sigurojnë pak të ardhura dhe kanë cilësi të ulët martese. Gjithashtu këto sëmundje bëhen shkak për invaliditet, vdekje më të hershme, shumica e të cilave janë vetëvrasje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë i rendit çrregullimet depresive si faktorin e katërt që krijon aftësinë e kufizuar, por deri më 2020, OBSH vlerëson se depresioni do të jetë shkaku i dytë.Edhe pse të dhënat për prevalencën dhe kostot e depresionit nuk ekzistojnë për shumicën e vendeve, anketat psikiatrike janë kryer në shumë vende të zhvilluara, si dhe në një numër në rritje të vendeve në zhvillim dhe rezultatet tregojnë rritje të sëmundjes.

Kosto e sëmundjes dhe hulumtimet rreth saj kanë treguar se depresioni krijon një barrë të madhe ekonomike. Një studim i fundit tregon se depresioni i kushton SHBA-së 210 miliardë dollarë në vit. Sipas studimit, 40% e kësaj shume është kosto e drejtpërdrejtë që lidhet me depresionin, por shumica janë të lidhura me shëndetin mendor, të tilla si ankthi dhe stresi post-traumatik, si dhe për shkak të sëmundjeve të tjera apo çrregullime të gjumit dhe migrenës. Studimi ka gjetur se për çdo dollar të shpenzuar për trajtimin e depresionit, një shtesë 4.7 dollarësh ka shkuar në shërbime direkte apo indirekte, që lidhen me sëmundjen, 1.9 dollarë të tjera janë humbje që vjen si rezultat i kombinimit të faktorëve që lidhen me produktivitetin në punë dhe vetëvrasjet, që lidhen direkt me depresionin.

Të dhënat për sëmundjen kanë lidhje të drejtë me ciklin ekonomik të një vendi. Studimi për SHBA ka gjetur se në periudha të mira ekonomike, të sëmurët me depresion kanë më shumë mundësi për punësim dhe më shumë mjete në dispozicion për të shmangur faktorët e jashtëm që stimulojnë depresionin. Ndërsa është vënë re një prevalencë shumë e lartë e sëmundjes pas krizës ekonomike, ku mundësitë për punësim janë më të kufizuara. Studimi tregon se rritja e depresionit në një shoqëri ndikon në zinxhirin e të gjithë ekonomisë që nga konsumi deri tek investimet dhe prodhimi.

Kostot sociale
Fenomenet sociale që reflekton një shoqëri në depresion lidhen me cilësinë e ulët të martesave, nivelin e lartë të divorceve dhe emigracionin e lartë, shpjegojnë mjekët.
Koeficienti bruto i martesave në Shqipëri ka pasur luhatje përgjatë viteve 2001-2015, nga një vlerë minimale 6,9 në vlerë maksimale 9,0 martesa për 1.000 banorë. Viti 2015 karakterizohet nga 8,7 martesa për 1.000 banorë. Divorcet kanë shënuar një rritje drastike nga viti 2001 në vitin 2015, përkatësisht nga 9,6 në 21,0 divorce për 100 martesa. Viti 2015 shënon vlerën dhe normën më të lartë të divorceve ndër vite, përkatësisht 5.255 divorce dhe 21,0 divorce për 100 martesa.

Ndërsa burimet nga QSUT pohojnë se janë rritur ndjeshëm rastet e tentativave për t’i dhënë fund jetës, në mënyra të ndryshme, sidomos helme. Madje fenomeni është shtuar dukshëm tek adoleshentët, aq sa qendra spitalore më e madhe në vend ka shtuar kapacitetet e trajtimit me mjekë dhe shtretër.

Numri i vetëvrasjeve, tre herë më i lartë se ai i vrasjeve

Depresioni në shkallën e tij më të lartë i çon në vetëvrasje ata që vuajnë. Psikiatrikja Arjana Rreli thotë se numri i vetëvrasjeve dhe sidomos tentativave për të kryer aktin është rritur.

Opinioni publik në vendin tonë është mësuar të konsiderojë vdekje nga vrasjet rastet kur personat marrin jetën e njëri- tjetrit, por pak kujt ja merrte mendja se numri i vetëvrasjeve është trefish më i lartë se numri i vrasjeve.Për vitin 2016 sipas të dhënave të INSTAT personat e vrarë nga të tjerët ishin 85 gjithsej, ndërsa personat që kishin vrarë vetën në të njëjtin vit ishin 235.

Vendet e tjera në Europë kur raportojnë statistikat e krimeve njoftojnë si numrin e vrasjeve dhe atë të vetëvrasjeve, por në Shqipëri nuk ekziston kjo praktike. Treguesit u zbardhen në mënyrë indirekte kur INSTAT raportoi javën e kaluar shkaqet e vdekjeve në Shqipëri.Sipas portalit më të madh global mbi statistikat e shëndetit, “Healthdata”, stresi dhe depresioni janë shkaktari i tretë për aftësinë e kufizuar në Shqipëri, sipas të dhënave të vitit 2015. Rregullimet nga depresioni që janë bërë shkak për aftësinë e kufizuar janë rritur me 9.3% në vitin 2015 në krahasim me 2005. Por ndërkohë sëmundja është e nëntrajtuar dhe e nëndiganostikuar. Ekspertët e ISSH pohojnë se nuk ka një regjistër kombëtar mbi nivelin e sëmundjeve që kanë lidhje me shëndetin mendor. Të dhënat referohen me mesatarizime.

Në vendin tonë, niveli i vdekshmërisë nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes në vitin 2010 ishte 5.3 për 100,000 banorë te meshkujt dhe 2.3 për 100,000 banorë te femrat. Në të dy gjinitë, niveli i vdekjeve nga këto çrregullime u rrit gradualisht nga viti 1990 në 2010, sidomos te meshkujt, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik.Niveli i standardizuar në total i vdekjeve nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes në Shqipëri në vitin 2010 (3.6 vdekje për 100,000 banorë) ishte i krahasueshëm me atë të Malit të Zi dhe Greqisë, por më i ulët se i Serbisë, Sllovenisë, dhe sidomos Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Në fakt, në Bosnjë-Hercegovinë dhe Slloveni, niveli i vdekjeve nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes ka mbetur praktikisht i pandryshuar në dy dekadat e fundit (në Slloveni: 5.9 dhe 5.8 respektivisht në vitin 1990 dhe 2010, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë: 8.3 dhe 8.5, respektivisht).

Kanabisi, si shkak shtesë
Nga vrojtimi i farmacive doli në dukje fakti se shumë të rinj përdorues të hashashit po japin shenja në rritje të depresionit. Përdorimi kronik i bimës krijon efektet e depresionit në disa raste, prandaj të prekurit kanë nisur mjekimin me antidepresivë.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, krahasuar me vitin 2011, në vitin 2015 u vu re një rritje e prevalencës së konsumit të marijuanës të paktën një herë në jetë me 2.2 pikë përqindje në tërësi (nga 4.4% në 6.6%) dhe për çdo grup në studim. Krahasuar me vitin 2011, në vitin 2015 rritja ishte më e madhe te nxënësit e shkollave tekniko-profesionale (me 7.8 pikë përqindje), nxënësit e shkollave private (me 3.8 pikë përqindje) dhe te djemtë (me 3.5 pikë përqindje).

ISHP analizon se përdorimi i kanabisit nga të rinjtë është i lidhur me një numër problemesh shëndetësore, duke përfshirë rritjen e rrezikut për lëndime, sëmundje kronike, depresion dhe probleme të tjera të shëndetit mendor. Përdorimi i kanabisit lidhet me faktorë të tillë si deprimimi ekonomik, mjedisi rrethues, koha e gjatë që kalohet me bashkëmoshatarë që janë përdorues të drogës, si dhe mbikëqyrja e paktë nga prindërit.

Studimi i ISHP në vitin 2015 ka nxjerrë në pah se, përdorimi i rregullt i marijuanës ishte në mënyrë domethënëse më i lartë në shkollat tekniko-profesionale (2.7%) dhe social-kulturore e gjimnazet (1.3% secila vs. 0.9% në klasat e 9-ta), në shkollat private (1.9% vs. 1.1% në shkollat publike), shkollat urbane (1.4% vs. 0.7% në shkollat rurale) dhe pothuajse i njëjtë në shkollat e Tiranës vs. shkollat e rretheve të tjera (1.1% vs. 1.2%, përkatësisht). Këto tendenca janë të ngjashme me ato të raportuara në vitin 2011, me përjashtim të shkollave të Tiranës vs. rretheve të tjera, të cilat në vitin 2011 kishin një diferencë prej 0.5 pikësh përqindje në favor të shkollave të Tiranës.ISHP referon se në vitin 2015 bie në sy ulja e përdoruesve rastësorë “1-2 herë në muaj” dhe rritja e përdoruesve të shpeshtë të marijuanës, dhe tek vajzat këto tendenca janë më të theksuara, krahasuar me vitin 2011. Për shembull, midis atyre që përdorën marijuanë në vitin 2015, 9.7% e djemve dhe 25% e vajzave e përdorën atë në 40 raste ose më shumë gjatë muajit të fundit (krahasuar me 11% dhe 12.5%, përkatësisht në vitin 2011). Kurse përdoruesit rastësorë u ulën me 12 dhe 29.5 pikë përqindje tek djemtë dhe vajzat përkatësisht në vitin 2015, krahasuar me vitin 2011

Si po rritet fenomeni
Depresioni është një problem shëndetësor shumë i shpeshtë në popullatë. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, vlerësohet se rreth 1 në 4 persona vuajnë nga depresioni të paktën një herë në jetën e tyre. Për fat të keq, ky problem nuk trajtohet si sëmundjet e tjera, por rrethohet nga stigma. Për një kohë të gjatë, depresioni në vendet komuniste është konsideruar gabimisht si shenjë e dobësisë së karakterit.Gjithmonë e më shumë vërehet se depresioni rrit rrezikun për sëmundje të tjera të rëndësishme, si sëmundjet kardiovaskulare.

Në Shqipëri, përhapja e depresionit në popullatë është shumë më e madhe sesa mund të vlerësohej nga rastet e diagnostikuara në shërbimet shëndetësore. Kështu, Studimi Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri (ADHS) i vitit 2009 nuk identifikonte më shumë se 2% të popullatës 15-49 vjeç, si persona të cilët një mjek i kishte diagnostikuar me depresion. Në të vërtetë, prevalenca e problemit në popullatë është shumë herë më e madhe dhe shumica dërrmuese e individëve, të rinj apo të moshuar, vuajnë më gjatë dhe më rëndë nga ç’do të ndodhte nëse do të flisnin për të dhe do të merrnin trajtimin apo mbështetjen e duhur.

Ka dy studime të Institutit të Shëndetit Publik, që kanë mundur të matin përmasat e depresionit vitet e fundit në Tiranë, bazuar në metodologji të krahasueshme. Një studim me ndjekje 2012-2016 te një kampion (kohorte) të moshuarish dhe një studim transversal te një kampion të rinjsh të shkollave të mesme i vitit 2013.Nga kohorti prej rreth 400 të moshuarish, të ndjekur gjatë 5 viteve lidhur me shenjat e depresionit, vërehet se, pavarësisht një rënieje në vite, ai ngelet shumë i lartë krahasuar me popullata të tjera në vende të zhvilluara, por në disa raste ngelet më i lartë edhe në vende me zhvillim të ngjashëm ekonomik. Në vitin 2016, 1 në 4 të moshuar kishte probleme me depresionin. Femrat gjithmonë janë në rrezik më të madh për të vuajtur nga depresioni.Faktorë socialë rreziku për depresionin mes të moshuarve në Tiranë rezultojnë arsimi më i ulët dhe pamjaftueshmëria e të ardhurave, ndërsa mes faktorëve biologjikë, më të rëndësishmit janë prania e më shumë se dy sëmundjeve kronike. Rrjetet e dobëta sociale dhe familjare rritin gjithashtu rrezikun.

Studimi dëshmon një proporcion shumë të ulët (më pak se 5%) të angazhimit të të moshuarve në jetën sociale (përfshirje në shoqata, klube e organizata të tjera me natyra të ndryshme).Një studim i vitit 2013, që përdorte metodologji të ngjashme tek të rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës (14-18 vjeç), tregonte se rreth 1 në 3 prej tyre paraqisnin shenja të depresionit. Sërish rreziku është shumë i madh mes femrave. Studimi tregoi se të rinjtë kanë ende shumë vështirësi për të komunikuar me profesionistët për çështje të lidhura me depresionin.

Ka tregues në vendin tonë që dëshmojnë se depresioni nuk menaxhohet mirë nga pikëpamja mjekësore në popullatë. Kështu, vërehet një nivel i lartë i përdorimit të anksiolitikëve pa kontrollin e mjekut (pa recetë), ndërkohë që përdorimi i medikamenteve antidepresive është minimal.

Programi i kontrollit bazë mjekësor 40-65 vjeç (i zgjeruar tashmë edhe në moshat 35-70 vjeç) përfshin mes të tjerash edhe një pyetësor të shkurtër për matjen e depresionit dhe kapjen e trajtimin e hershëm të tij nga mjekët e kujdesit parësor. Ndërkohë që programi po funksionon mjaft mirë me testet e tjera biologjike, nga një vlerësim i shpejtë pranë qendrave shëndetësore vërehet se shumica e personave nuk pranojnë ta kryejnë pyetësorin e depresionit, mesa duket për shkak të stigmës që e rrethon këtë sëmundje.Instituti i Shëndetit Publik thotë se ngelen prioritete të rëndësishme lufta kundër stigmës që rrethon depresionin, rritja e besimit mes komuniteteve dhe profesionistëve, integrimi i grupeve vulnerabël në shoqëri, shtimi i mundësive për një jetë më aktive etj.

SHQIPËRIA “BIE NË DEPRESION”! Read More »

Gianni De Biazi: Panuçi i duhuri por duhet të ketë kujdes me Kaçen dhe Xhakën!

[sgmb id=”1″]

Xhani De Biazi mendon se trajneri i ri i Kombëtares shqiptare është zgjedhja e duhur që ka bërë kreu i FSHF-së, Armand Duka. Ish-kreu i pankinës kuqezi që bëri histori me Shqipërinë, dje, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport” foli për Kristian Panuçin, duke mos ngurruar t’i japë disa këshilla edhe për lojtarë të veçantë. “Duhet të ketë kujdes me Kaçen dhe Xhakën”, ka thënë ndër të tjera De Biazi, i cili zbuloi se së shpejti do të ketë një takim me Panuçin.

Mister, ç’mendim keni për Panuçin në stolin kuqezi?

Është zgjedhja e duhur! Mendoj se do të bëjë mirë te Shqipëria.

E thoni këtë për mirësjellje apo e besoni vërtet?

Nuk e them për mirësjellje. Ai është i ri, i aftë dhe i vendosur.

Dakord, por ai nuk ka eksperiencë…

Në fakt, nuk është tamam kështu… Kristian ka luajtur në nivelet më të larta si futbollist, më pas ka drejtuar Ternanën, Livornon dhe ka pasur një eksperiencë mbresëlënëse si ndihmës i Kapelos në Rusi. Nuk është pak apo jo?

Megjithatë, ai si trajner i parë nuk është se mbahet mend për ndonjë gjë…

E kuptoj dyshimin tuaj, por mendoj se të qenit trajner është edhe çështje karakteri. Shikojeni Tramexanin. Edhe ai nuk ishte trajner i parë deri para disa muajsh, por tani është duke ecur me sukses dhe me hapa të shpejtë.

Panuçi u prezantua në konferencë si miku juaj. Nëse është kështu, ju a keni ndonjë këshillë për të?

Atëherë… Panuçi është zgjedhur nga presidenti Duka në krye të stolit, sepse në dijeninë time, Duka ka mbetur i befasuar nga impakti i parë që ka pasur me të. Këtë ma pohoi vetë Duka, sepse më tha që, në bisedën e parë, Panuçi i kishte ngjasuar shumë me mua sa i përket karakterit.

Ndërkaq, unë i thashë Dukës se, nëse ishte i kënaqur me zgjedhjen që po bënte, do ta mbështesja. I kam folur shumë për të, ashtu sikundër i kam folur edhe për gjëra të tjera në lidhje me Sedorfin, Malezanin dhe Zengën. Për të tjerët nuk i kam folur.

Pse besoni kaq shumë te Panuçi?

Sepse është i ri, i vendosur dhe i qartë. Ai mund t’i japë vazhdimësi punës që është bërë në këto 5 vite e gjysmë dhe unë jam i kënaqur me këtë.

Sa e mendoni se e njeh Panuçi skuadrën tonë?

Mendoj se Kristian e ka parë skuadrën tonë si luan, ka parë lojtarët dhe e ka një ide të qartë se çfarë përfaqëson Shqipëria…

Çfarë këshille do t’i jepnit atij?

Ndonjë këshillë edhe mund t’ia jap… Ai më tha se dëshiron të vijë të më takojë dhe aty do të flasim për gjithçka… për taktikën, për elementët teknikë dhe për karakterin që ka skuadra që ai do të drejtojë.

Besoj se do të jetë më së shumti bisedë në rrafshin taktiko-teknik, por dua të jem i ndershëm dhe t’ju them se nuk kam ndonjë këshillë speciale për atë. Ai është djalë i zgjuar, me këmbë në tokë dhe me shumë eksperiencë në futbollin e niveleve të larta…

A e keni idenë se si luajnë skuadrat e Panuçit. I keni parë ndonjëherë ekipet e tij?

Një trajner nuk gjykohet për mënyrën se si luan një ndeshje apo disa ndeshje skuadra e tij. Megjithatë, unë mbetem besimplotë se Panuçi ka eksperiencën e duhur për t’ia dalë mbanë.

Si duhet të sillet me lojtarët “rebelë” si Kaçe dhe Xhaka?

Nuk kam ndër mend të ndërhyj aspak në mënyrën se si ai menaxhon një grup lojtarësh. Unë kisha mënyrën time të punës, ndërsa ai ka të vetën. Megjithatë, përveç Kaçes, nuk ka asnjë problem me ndonjë tjetër. Zero, absolutisht zero.

Ergys Kace, perpara ndeshjes miqesore te futbollit ndermjet ekipeve kombetare, Shqiperi – Marok, 0-0, e luajtur ne stadiumin e rikonstruktuar Loro Borici ne qytetin e Shkodres.

Po Xhaka?

Panuçi nuk ka asnjë problem me Xhakën dhe natyrisht gjithçka do të nisë nga e para. Xhaka nuk ka asnjë problem, përveçse me shokët e tij, që i braktisi pas ndeshjes me Italinë dhe me tifozët, të cilëve u detyrohet një shpjegim për atë sjellje.

Xhaka duhet t’u kërkojë ndjesë tifozëve, sepse gjeste të tilla, sipas meje, nuk duhet kurrsesi të kalojnë në plan të dytë. Respekti për ata që na mbështesin, duhet të jetë maksimal. Gjithnjë! Xhaka duhet të mësojë shumë edhe nga shokët e tij dhe të mos sillet sikur është i pari i klasës, sepse nuk është hiç i pari i klasës…

Panuçi do të ketë një “problem” për të zgjedhur mes Berishës dhe Strakoshës. Ju cilin do t’i sugjeronit?

Detyra e trajnerit është që të zgjedhë. E rëndësishme është që ai të ketë lojtarët e duhur. Nëse ka lojtarë cilësorë, aq më mirë për të. Do luajë kush është në formë, por zgjedhjet i bën trajneri, sepse është e drejtë dhe përgjegjësi direkte e tij.

Panuçi tha dje se Shqipëria do të shkojë në Europian. Mos po rrezikon shumë me këtë premtim?

Po pse çfarë prisnit juve, që ai të thoshte se do të mbërrini të fundit?! E rëndësishme është që të ketë ambicie dhe të ketë një grup lojtarësh të gatshëm, të punojnë si një trup i vetëm. Nëse kjo ndodh, atëherë je më pranë objektivave, por gjithsesi asnjëherë nuk ke garanci nëse ia del apo jo. Këtë garanci nuk ta ofron askush.

Duhet mbështetur dhe i duhet dhënë besim, me qëllim që ai këtë besim t’ua transmetojë edhe lojtarëve. Duhet klimë pozitive dhe këmbëngulje. Pastaj varet edhe se çfarë fati ke në grup, sepse nëse Shqipërisë i bie sistematikisht Spanja dhe Italia, atëherë askush nuk ka se çfarë të bëjë dhe harrojeni kualifikimin…(qesh).

Gianni De Biazi: Panuçi i duhuri por duhet të ketë kujdes me Kaçen dhe Xhakën! Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com