Opinione

Ish-ministri Ylli Manjani sulmon kryeprokuroren e përgjithshme Arta Marku

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar ashpër për sa i takon vendimit që ekstradoi të hetuarin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Nezar Seiti drejt Italisë. Personi që ka krijuar këtë situatë të rëndë ligjore, për Manjanin është Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku. ”Nuk mund të ketë faj prokurori i thjeshtë, pse Prokurori i Përgjithshêm vendos, pa e pyetur, largimin e personit që ai (prokurori i çështjes) po e heton”,-shkruan Manjani në facebook. Akuza e rëndë e ish-minsitrit është se me ligjet e drogës dhe të krimit zbatohet, dhe se kjo është prova e kapjes së drejtësisë.

”Në krye të Prokurorisë duke larguar çdo provë apo person nga hetimi dhe drejtësia shqiptare”,-shton më tej Manjani. Prokuroria e Përgjithshme dje sqaroi se nuk kishte asnjë informacion për statusin e Nezar Seitit.

Statusi i plotë i Ylli Manjanit

Drejtësi me ligjet e drogës.

Në asnjë shtet ku vepron ligji nuk ndodh që prokurorit i heqin nga duart të pandehurin dhe e marrin në përgjegjësi penale, për këtë gjë!

Është kulmi i maskarallëkut!

E përsëris: i thonë prokurorëve që hetojnë trafikantin, jeni fajtorë për faktin se ne (dmth eprorët) ta hoqëm trafikantin nga dora!!!

Kjo ndodh në prokurorinë e përkohshme të përgjithshme që merret me çështje të përveçme! Zgjedhja e zonjës Arta Marku në dhunim të Kushtetutës, nuk mund të mos prodhonte kësi ngjarjesh të shëntuara!

Ligji i shtetit ngarkon me përgjegjësi Prokurorin e Përgjithshëm që të mbledhë të dhëna e të koordinojë prokuroritë e çdo hallke! Nuk mund të ketë faj prokurori i thjeshtë, pse Prokurori i Përgjithshêm vendos, pa e pyetur, largimin e personit që ai (prokurori i çështjes) po e heton. Ja largojnë të pandehurin fshehtas dhe i thonë “fajin e ke për largimin që bëmë ne”! Kulmi!

Kjo llogjikë vetëm në ligjet e drogës e të krimit zbatohet, jo nga drejtuesit e Anti-krimit! Kujt i bëhet qejfi duke goditur pa faj prokurorë e çështjes? Fare e thjeshtë: trafikantëve dhe politikanëve që janë me ta! Ja ku është prova e kapjes së drejtësisë: në krye të Prokurorisë duke larguar çdo provë apo person nga hetimi dhe drejtësia shqiptare!

Asnjë filtër i shtetit nuk funksionoi asnjë! Se me ç’urdhër doli nga paraburgimi i pandehuri? Si ka mundësi që drejtuesja e Prokurorisë dhe Ministrja e Drejtësisë pretendojnë se nuk e dinin që ai ishte i arrestuari i drejtësisë sonë?

Ka shumë pyetje, por përgjegjëse është PROKURORIA e PERGJITHSHME! Ajo është e para! E kishte për detyrë ta dinte këtë gjë! Bashkë me të duhet ta dinte Drejtoria e Burgjeve dhe Policia e Shtetit, por këto vijnë të dytat në radhë.

Në fund pa dyshim edhe Ministrja e Drejtësisë e cila e kishte për detyrë të dinte statusin e te paraburgosurit! Drejtoria e Burgjeve pyetet gjithmonë sa herë merret një vendim ekstradimi!

Çdo me thënë kjo “nuk e dinim”?!

Nëse duam të argumentojmë me llogjikën e ligjit të shtetit. Nëse përdoret llogjika e drogës ajo që bënë me këtë ekstradim është krejt “e rregullt”!

Dhe po në llogjikën e ligjit të shtetit, them se Prokuroria e Krimeve të Rënda fillon direkt çështjen dhe fillon arrestimet e të gjithë zinxhirit të atyre që lejuan dhe kryen këtë ekstradim! Ky është pengim i pastë i drejtësisë! Është reagim i krimit të organizuar mbi drejtësinë! Nëse nuk mendohet kështu, kush i thotë vetes prokuror e gjykatës, ta lërë më mirë atë detyrë!

Ish-ministri Ylli Manjani sulmon kryeprokuroren e përgjithshme Arta Marku Read More »

Pse e anuloi Rama vizitën në Shkodër? Berisha zbulon të vërtetën e arratisjes

Ish-kryeministri Sali Berisha shkruan se, kreu i qeverisë, Edi Rama gjatë protestës së opozitës ditën e djeshme u arratis.

Berisha thote se, pavaresisht se kishte njoftuar se do të shkonte në Shkodër por që për 24 orë mbajti frymën në arrati duke mbyllur edhe ERTV, shkruan Berisha.

Postimi i Berishës:

Arratia e trete e Edi Rames!

Te dashur miq, Edi Rama dje mori arratine. Per te zhdukur cdo gjurme ai mbylli per here te pare edhe verver TV-ne apo teleneverine, siç po e quan populli ERTV-ne e tij.

Ai kishte njoftuar se do te shkonte ne Shkoder por ne fund zgjodhi vrimen e miut ku mbajti frymen ne arrati per 24 ore. Pas 20 shkurtit te vitit 1991 dhe 14 shtatorit te vitit 1998 kjo ishte arratia e trete e tij. Por, siç i thone fjales “e treta e verteta”!

Kjo sepse e para ishte nje evakuim me autoblinda i Bllokut diten e rrezimit te shtatores se Enver Hoxhes. E dyta, diten e varrimit te Azem Hajdarit zgjati vetem 10 ore kurse kjo e fundit ne te vertet rreth 48 ore, pasi perveç disa pamjeve nga Davos ai u zhduk nga ekranet e TV dhe valet e radiove 48 ore.

Militantet socialiste u deshperuan thelle me liderin e tyre mbatharak. Papagajte e tij u thane mediave se qendrimi i Berishes ne zyre me 21 janar ishte shkaku i viktimave prandaj Rama mire beri qe ia mbathi!

Kurse analistet u mjaftuan me konstatimin por nuk analizuan shkaqet e kesaj zhdukje, kesaj heshtje te plote te tij ndaj ketij tmerri infernal te paperjetuar prej tij kurre me pare!

Ketu me poshte po rendis disa nga arsyet e heshtjes mortore te Edi Rames, heshtje qe tronditi aq shume narkoqeveritaret, narkodeputetet, narkozyrtaret e tij.

Se pari, Rama u tmerrua sepse pa dje nga vrima ku ai ishte futur ate qe ai kurre nuk e kishte imagjinuar. Ai pa se bashkimi i opozites ne te gjithe spektrin e saj, te cilen ai vetem nje jave me pare e quante se nuk ekziston, prodhoi dje jo nje proteste por nje tsunam popullor, shprese per mbare shqiptaret dhe urrejtje ndaj narkoshtetit te tij, qe ne cdo cast e ne pak minuta mund ta fshinte dhe mund ta fshije nga faqja e dheut!

Se dyti, Rama u tmerrua sepse ai si vote-killer, vrases i votes se qytetareve shqiptare, pa dje, pothuaj ne harkun kohor te 100 diteve te formimit te qeverise se tij te ngritur mbi drogen dhe krimin, ate qe kurre nuk e kishte besuar se do te shihte, protesten gjigande, siç e quajten mediat e huaja te atyre qe me 25 qershor ai me droge, banda dhe pushtet krimi iu kishte vrare voten dhe se bashku me te edhe shpresen.

Ai u lebetit dhe u zhduk dje me keq se me 14 shtator te vitit 1998, sepse protesta e djeshme iu duk si monster gjigande apo si marshi i fantazmeve qe vershoi nga te kater anet e vendit dhe pushtoi Tiranen e atyre qe u kishte vrare voten dhe shpresen, te cilet u ngriten si feniksi dhe me fuqine e tyre mund te benin pluhur dhe fshinin ne pese minuta nga faqja e dheut pushtetin e narkoshtetit te tij.

Se treti, Rama u tmerrua dhe heshti duke mbajtur frymen ne skuten ku ishte futur sepse dje konstatoi se shqiptaret e te gjithe spektrit politik opozitar, madje edhe qindra e mijra socialiste, shume prej te cilve ishin dje, konsiderojne dosjen Tahiri-Habilaj, dosjen e Xibrakes, aferat e Armos, djegesve, tarifave te sterlarta te universiteteve etj etj, shume me te rrezikshme se sa bombat dhe armet kimike te Sirise.

Mirepo ne vjeshten e vitit 2013 ai arriti te shuaj zemerimin popullor duke dale genjeshtar dhe anulluar premtimin e dhene, kurse tani nga keto dosje, skllav i te cilave eshte, nuk ka shpetim.

Perpjekjet e fundit donkishoteske, si zgjedhja e tij kryegjykates dhe kryeprokuror, mbyllja njera pas tjetres e dosjeve te aferave te medha, pengimi i drejtesise per arrestimin e Tahirit dhe kthimi i pasaportes se tij, lirimi i Sotes, ekstradimi i financierit te Habilajve ne Itali etj etj, jo vetem qe nuk kane frikesuar njerezit por perkundrazi i kane revoltuar per vdekje ata, ndaj dhe vershuan si asnjehere me pare drejt Tiranes per ti kthyer restin qe meritonte ai dhe narkoshteti i tij.

Si perfundim, dje qytetaret e Tiranes dhe te mbare Shqiperise nen udheheqjen e opozites, ndryne Edvin Kristaq Ramen ne vrimen e miut, ne banesen e heshtjes mortore dhe e shnderruan ate ne kufome politike te pakallur…!

Nderim dhe mirenjohjen me te madhe per ata qindra mijra qytetare, qe me protesten e tyre madheshtore iu treguan shqiptareve dhe botes se ne Shqiperi shumice eshte opozita kurse narkoshteti po shkon ne kazanin e plehrave te historise! Revolucioni vazhdon! Fitore!! sb

Pse e anuloi Rama vizitën në Shkodër? Berisha zbulon të vërtetën e arratisjes Read More »

Gabimi i opozitarit që mungoi në protestën e sotme

Nga Erl Murati

Ja si e shoh unë: mund të jesh votues i PS-së, por mund të dalësh në protestë. Në rrugë a në shesh, ti nuk po zgjedh midis Ramës dhe Bashës. Atë do ta bësh ditën e votimit.

Në protestë, ti si qytetar i kujton kryeministrit të radhës të dëgjojë zërin tënd. I kujton që e ka marrë zyrën me qira. Për të shërbyer, jo sunduar.

Dikush tha: nuk dola në protestë, sepse opozita është e dobët.

Sa qesharake. Po të ishte opozita e fortë, ndoshta s’do kish nevojë për ty. Ndoshta s’do kish nevojë për protestë fare.

Nëse opozita në këtë vend është e dobët, aq më keq për të gjithë. Atëherë kryeministri i rradhës, kushdo qoftë ai, do qeverisë pa dëgjuar askënd dhe pa e çarë kokën për asgjë.

Protesta nuk është hedhje vote ku ti zgjedh mes PS, PD a LSI.

Protesta është mjet demokratik, ku një qytetar pavarësisht se për kë voton, i thotë qeverisë “më llogarit edhe mua” me shpresën se do ta bëjë të mendohet 2 herë dhe ndoshta, të vetëkorrigjohet. Për të mirën e të gjithëve.

E keqja në Shqipëri është se njerëzit janë të polarizuar partiakisht dhe i shohin politikanët si yje futbolli, jo si të punësuar për të përmirësuar jetën tonë.

Ndaj, as mund të mendohet këtu që një socialist të dalë në protestë kundër Ramës, apo një demokrat kundër Bashës. Kjo do të quhej tradhti e madhe, “ndërrim lëkure”. Miqtë e fisi do ta përbuznin këtë njeri. Kjo është një mendësi primitiviste, që i ndan individët në kamikazë të njërit apo tjetrit udhëheqës.

E kundërta është normale: mund të jesh votues i cilësdo forcë politike, nëse ke pakënaqësi del në shesh dhe i kërkon pushtetit të ndryshojë kahjen apo tempin e qeverisjes.

Përsa kohë qytetarët do ta ndajnë veten mekanikisht në “të majtë e të djathtë” njësoj siç ndahen në tifozë Reali apo Barcelone, kërkesa e llogarisë ndaj politikës do jetë shumë larg. Afërmendsh, edhe politikani as do ta mendojë llogaridhënien.

Nëse vazhdon kjo ndarje tifozlliku “o me PS – o me PD”, qeveritarët e këtij vendi nuk do ta shohin popullin si një masë të vetme, së cilës duhet t’i përgjigjen. Por, do ta shohin të ndarë në 2 kampe: ku Rama e Basha kanë secili të verbërit e tij.

Pse duhet t’i interesojë Ramës ca thonë demokratët, ai ka socialistët e tij besnikë? Dhe anasjelltas, Basha është në opozitë, ç’i duhet atij ç’mendojnë socialistët? Ai ka demokratët e betuar pas tij, si në pushtet, si në opozitë.

Siguria që kanë liderët që “populli i tyre” i ndjek edhe në fitore edhe në humbje, edhe në suksese edhe në vjedhje e korrupsion, ja bën atyre jetën më të lehtë.

“Divide et impera” ka thënë latini dhe nuk e ka thënë kot. Kjo ndarje e popullit qorrazi në “demokratë e socialistë” e zhduk llogaridhënien si koncept.

Sjell këtë: ti mund të qeverisësh si bedel, mund të mos kesh asnjë bilanc në 4 vite, por besnikët do t’i kesh pas vetes në çdo rast.

Për sa kohë kjo s’do të ndryshojë, për sa kohë mendja nuk do të emancipohet duke qenë gjithnjë e në çdo rast opozitare, kërkuese dhe kritike ndaj realitetit, Rama dhe Basha (para tyre Nano-Berisha) thjesht do të ndërrojnë vendet çdo 8 vjet.

Dikush tjetër tha: unë s’marr pjesë në protesta të organizuara nga partitë politike. Eshtë e qartë se kjo është një alibi për të justifikuar përgjumjen e letargjinë: thua i ndritën këtu protestat jopartiake intelektualët dhe shoqëria civile?!

S’ka asgjë të keqe të ngresh zërin, të mos rreshtohesh, të mos konformohesh. “Po s’qau fëmija, s’i jep nëna të pijë”, thonë të vjetrit. Ditën e zgjedhjeve bë ç’të duash, por kur ke mundësi të flasësh, fol, mos u bëj filozof mbi mjerimin tënd.

Por, për sofistët e Tiranës ka gjithnjë një arsye për të qenë anti-opozitar.

Nëse protesta do shënonte incidente do thonin se ishte e dhunshme, por meqë doli paqësore thanë ishte e zbehtë. Po të kishte pak njerëz do thonin opozita nuk frymëzon, por meqë pati shumë thanë s’kishte entuziasëm. Po të ngulej çadra do shfrynin protestë demode, por meqë gjithçka u mbyll në 2 orë thanë s’pati surpriza.

Si parim, opozita – qoftë ajo më e keqja – nuk mund ta dëmtojë kurrë një vend më shumë se qeveria, andaj është mirë dhe në çdo rast, qofsh demokrat, socialist apo jopartiak, ti thuash qeverisë dhe kryeministrit të rradhës: dëgjoje zërin tim!

Ndryshe, shqiptarit të ngratë, atij që nuk e klasifikon veten partiakisht, i mbetet të ikë nga sytë këmbët në vende ku njerëzia nuk është e lyer me bojë blu dhe të kuqe. Në ato vende ku dinë ta ndajnë të mirën nga e keqja, ku protesta nuk është tabu dhe ku “heroi” është i drejti e jo i forti.

Gabimi i opozitarit që mungoi në protestën e sotme Read More »

Fevziu komenton lëvizjet e fundit në media: Si e shoh rikthimin e Ben Blushit në gazetari, s’do thyhet kollaj

Ka patur lëvizje interesante këto kohë në tregun e moderatorëve më të rëndësishëm të programeve politike, ndërkohë që superlajmi është rikthimi i Blushit në gazetari. Si i sheh këto ndryshime moderatori i “Opinion”, Blendi Fevziu dhe si e sheh veten në raport me këtë konfigurim të ri të konkurrencës. Lexoni intervistën e realizuar për “Panorama Plus”.

Këto kohë po flitet se Ben Blushi, miku juaj i hershëm, do i rikthehet gazetarisë si Drejtor i Përgjithshëm në Top Channel. Si ju duket kjo zgjedhje e tij për të këmbyer politikën me gazetarinë si prioritet?

Për mua ishte i papritur dhe e përjetova me dy ndjesi kontradiktore. Me keqardhjen që politika humbi edhe një tjetër ndër personazhet e saj cilësorë; me trishtimin që një ide e re si LIBRA nuk rezultoi fituese, por, për mua, rezultoi padyshim e suksesshme. Pak kush ka triumfuar me tentativën e parë, por me gjasë, Blushi vendosi të ndalojë. Jam munduar të flas me të, por ndihej që ai s’donte të vazhdonte më. Keqardhja në këtë rast është edhe përtej Blushit. Veç tij, ky vit, largoi nga vendimmarrja politike edhe emra të tjerë me personalitet e histori në politikë. Për shumë prej tyre, unë besoja se mund të jepnin ende kontribut, por kjo s’ka më rëndësi. Rëndësi ka fakti që prurjet e reja, në të gjitha partitë, ngjajnë më shumë si prodhime skarco dhe pak ose aspak të krahasueshme me emrat dhe personalitet që zëvendë- suan. Që ndryshimi të jetë i suksesshëm, ai duhet të vijë në një përfaqësim më cilësor. Për fat të keq, në prurjet e reja, shumica janë njerëz pa identitet ideologjik; pa personalitet të fortë; pa imponim publik dhe pa asnjë lloj karizme. Janë më shumë burokratë, që e shohin politikën si çështje numrash dhe jo fryme. Kjo ka sjellë trishtimin dhe mungesën e besimit që ekziston sot. Kjo ishte pjesa e trishtuar e lajmit. Ndjesia e mirë që pata, ishte lajmi për kthimin e tij në media.

Ju ka kërkuar ndonjë mendim, nëse po, çfarë këshille i keni dhënë?

Nuk kemi folur konkretisht, sepse, mesa di, nuk është ende një çështje e mbyllur, por në parim unë mendoj që vajtja e tij në krye të Top Channel, është një lajm i mirë për të gjithë. Për Topin në rradhë të parë, për gazetarinë serioze dhe për ne që punojmë në Klan apo televizione të tjera. Unë e njoh Ben Blushin që fëmijë. Ai është ndër njerëzit që merret me thelbin e gjërave, që lexon, ndjek zhvillimet në botë dhe del tej vizionit provincial që dominon shpesh mediat tona. Unë nuk e di se si do të jetë ai si drejtor, por jam i bindur që Blushi do investohet në gazetarinë serioze, në gjërat me thelb dhe nuk do ndjekë trendin fatkeq të 3-4 viteve të fundit që e ka reduktuar gazetarinë në nivele karnavaleske. Kudo në botë, gjërat janë bërë më fun. Mediat on line e kanë detyruar televizionin të lehtë- sojë formatet e tij. Nuk ka emisione shumë të rënda dhe shumë serioze. Por nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës, që çështjet serioze të injorohen, që thelbi të anashkalohet. Këtu po ngatërrohen padashje rrjetet sociale me televizionin. Po bëhen njësh. Edhe pse janë dy gjëra kaq të ndryshme. Për fat të keq, kjo po ndodh vetëm në Shqipëri. As në vendet fqinjë, si Kosova. E dyta, Blushi ka një staturë të fortë dhe nuk do thyhet kollaj nga presionet në media. As nuk besoj që do të reflektojë aty ndjesitë e tij personale ndaj qeverisë. E treta, shpresoj shumë që ai të krijojë një traditë ndryshe nga ajo e gazetarisë së pazareve dhe gazetarëve pazarxhinj, që po gëlojnë në media dhe që po i shohin hapësirat e tyre mediatike si mundësi për gjobvënie dhe shantazh financiar. Së fundmi, ardhja e tij në Top Channel shpresoj se do ndikojë në rritjen e konkurencës me Klan-in dhe si e tillë do të reflektohet edhe te ne. Kjo është padyshim pozitive. Ka vetëm një formulë magjike për ta çuar përpara një media dhe kjo është konkurrenca.

Mbi 20 vite të programit tuaj “Opinion”, ajo që i bie në sy audiencës, është një opozitë e fortë ndaj qeverisë në emisionet e muajve të fundit. Pse kjo zgjedhje? Si janë marrëdhëniet tuaja me Ramën, pasi ka kohë që nuk është parë në emisionin tuaj?

Emisionet e mia të fundit kanë reflektuar zhvillimet që kanë ndodhur. Nëse ato kanë qenë problematike për qeverinë, ky nuk është problemi im, por i qeverisë. Nëse çështja e hashashit, çështja Tahiri, ngjarjet e Elbasanit apo ARMO kanë qenë temat më të mprehta të këtyre 5 muajve, unë i kam trajtuar ato. Marrëdhëniet me Ramën s’kanë qenë as mirë, as keq, thjesh të korrekte. Aq sa marrëdhënie ka pasur. Sa për praninë në emision, ardhja e Ramës në “Opinion” nuk ka qenë kurrë e lehtë dhe këtë mund t’jua shpjegojë ai më mirë.

Ky vit ka filluar me lëvizje të bujshme në tregun e moderatorëve të rëndësishëm të emisioneve politike. Si e shihni këtë proces në të tërën e tij?

Nuk ka qenë një proces ristrukturimi i emisioneve, as produkt i analizave të audiencës, por lëvizje të imponuara nga largimi i papritur i Sokol Ballës prej Top Channel.

Thuhet se Sokol Balla hyri në konflikt me drejtuesit e “Top Channel” pas emisionit me Saimir Tahirin në shtëpinë në tij. Si ju duket Balla tani në Vizion plus? A është më pak konkurrent për ju?

Nuk i di detajet e konfliktit të Ballës me Top Channel dhe as e kam pyetur për këtë. Me emisionin në Vizion është një konkurrent më shumë. Po secili ka shikuesit e tij. Ju besoj e keni vënë re që unë jam nga të paktët që nuk postoj audiencat krahasuese. Ato janë thjesht orientuese për mua, në raport me vetveten, pra, nga një temë në tjetrën. Ndërkohë, në tregun e përgjithshëm mediatik shqiptar, “Opinion” është emisioni më i konkurruar. Unë kam nisur ditën e enjte, 20 vjet më parë dhe që nga ajo kohë kanë ardhur të enjten, edhe 5 emisione të tjera. Apo më shumë. Asnjë emision tjetër, i çdo dite të javës, në mëngjes apo në mbrëmje, i çdo zhanri, nuk ka një konkurrencë të tillë. Madje, as telenovelat. As lajmet. As muzika e as humori. Çdo televizion që nis, ose që do të rritet, tenton të sfidojë audiencën e “Opinion”, duke e konsideruar emision influent. Për fat, kjo i ka dhënë më shumë fuqi emisionit. Është pak a shumë si ato kampionatet e futbollit, që janë më të ndjekur, aty ku ka më shumë skuadra që garojnë. Ndërkohë, unë mbush 21 vite në ekran këtë vit.

Po Ylli Rakipi si ju duket tani në Top Channel, pasi është në të njëjtën orë me programin tuaj më të rëndësishëm të ditës së enjte. Do të preferonit Sokol Ballën apo Ylli Rakipin për çështje audience?

Unë kam konkurrencë nga e hëna të mërkurën 22:00 me 23:15 dhe të enjten 21:00 me 23:00. Çdo lloj emisioni, çdo emër moderatori, e madje edhe çdo film apo telenovelë janë konkurrentë. Të enjteve ajo që më shqetëson është një telenovelë turke e Klan Plus.

Ndërkohë, ka marrë mjaft kohë televizive edhe Eni Vasili, në ekranin më të ndjekur informativ, në News 24, duke u shfaqur tri herë në javë, por mund të jetë dhe të enjten në një kohë me “Opinion”. Si e shihni këtë ndryshim?

Ylli Rakipi, Sokol Balla, Eni Vasili, Zheji tek Ora News apo Roland Qafoku, janë të gjithë konkurrentë. Secili ka pjesën e tij të shikueshmërisë dhe merr një pjesë të shikuesve të tu. E thashë, asnjë mbrëmje tjetër televizive nuk krahasohet me të enjten në 21:00. Dhe kjo është për t’u krenuar.

Fevziu komenton lëvizjet e fundit në media: Si e shoh rikthimin e Ben Blushit në gazetari, s’do thyhet kollaj Read More »

Pas proteste Basha zbulon planin për të “masakruar” Ramën, por i lutet edhe Zotit…

Kryeopozitari Basha e sheh protestën e sotme si fitoren e parë kundër së keqes.

Basha përmes një statusi në Facebook, Basha shkruan se sot shqiptarët të bashkuar u ngritën për të marrë në dorë fatet e vendit.

Ja postimi i Lulzim Bashës:

Sot, të bashkuar me gjithë shqiptarët e ndershëm në shesh, u ngritëm besimplotë për ta marrë fatin në duart tona.

Strategjia jonë është përballja, është rezistenca, është beteja totale me gjithë sa kemi në dorë, në shpirt, në zemër dhe me gjithë fuqinë që na jep Zoti i madh KUNDËR kësaj të keqe që ka pushtuar vendin tonë, që ka marrë peng njerëzit dhe të ardhmen tonë, ka gllabëruar liritë dhe të drejtat tona! Kjo është strategjia.

Për ata që pyesin çfarë doni të arrini: Përgjigja është vetëm NJË FJALË: FITORE! FITORE! FITORE! — me çdo kusht dhe sado sfiduese dhe e mundimshme të jetë rruga drejt saj!

Sepse pa fitoren e kësaj kauze, nuk ka të ardhme. Nuk ka të ardhme për fëmijët tanë, nuk ka të ardhme për popullin shqiptar, nuk ka të ardhme për Shqipërinë!

Pas proteste Basha zbulon planin për të “masakruar” Ramën, por i lutet edhe Zotit… Read More »

Arsyet e thjeshta se përse duhet të protestojmë

Deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu ka ftuar qytetarët në protestën që do të mbahet të shtunën në orën 12:00 para kryeministrisë. Në një koment në Facebook, Spahiu thotë se kjo nuk është një protestë për PD, LSI apo partitë e tjera, por një protestë për dinjitetin e qytetarëve.

“Disa arsye të thjeshta dhe të vërteta, se përse çdo shqiptarë duhet të vijë nesër në protestë. Protestë jo për LSI apo PD, por qytetarët duhet të dalin në shesh për të mbrojtur dinjitetin e tyre”,- shprehet Përparim Spahiu.

Arsyet e thjeshta se përse duhet të protestojmë Read More »

Duhet të kishte arrestime. Vetëm Prokuroria dhe ministria nuk i njohin Habilajt

Nga Ylli Manjani

Krim shtetëror! Nezir Seiti u arrestua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për trafik droge! E ka ekzekutuar Policia e Shtetit këtë urdhër! E di këtë gjë çdo qytetar i Republikës!

Por, nuk e di këtë gjë as Prokuroria e Përgjithshme, as Ministria e Drejtësisë, as Drejtoritë përkatëse, as Policia e Shtetit që ka zbatuar urdhërat e arrestit e as Drejtoria e Burgjeve! Besojeni ose jo por NUK E DININ!!!! Ky është kulmi i mashtrimit publik!

Është kryer një krim i rëndë kundër drejtësisë. Është larguar nga paraburgimi një i pandehur i arrestuar nga Drejtësia Shqiptare, pa dijeninë e saj! Shefat e drejtësisë nuk mbajnë asnjë përgjegjësi! Prokuroria që e ka arrestuar, policia që e ka ekzekutuar urdhërin, burgjet që mbajnë dosjet për çdo të burgosur, NUK e DININ!

Nuk po i hyj arësyeve, por kjo që ka ndodhur nuk mund të mbaronte me procedime disiplinore. Kjo duhet të mbaronte me mandate arresti. Sot duhet të kishim arrestime e jo njoftime të papërgjegjshme për shtyp!

Për fat të keq ato mandate i bie ti presin për veten e tyre! Kjo ska si të ndodhë. Ndaj drejtësia përfundimisht është nën hyqmin e interesit politik të atyre që sundojnë!

Trafiku i drogës nuk mund ta hetojnë ata që e bëjnë!

Prokurorja e Përkohshme thjesht kontribuon në këtë interes të pa ligjshëm me përkohshmërinë anti kushtetuese të saj!

Drejtësi ku shteti komploton kundër saj nuk ka! Besim te kjo drejtësi , jo e jo!

P.S. Ndjesë për këtë komunikim intensiv, por kjo ngjarje ishte i tillë! Duhej pak durim për ta dëgjuar deri në fund se çdo thonin bashkëpunëtorët në këtë krim shtetëror kundër drejtësisë.

Duhet të kishte arrestime. Vetëm Prokuroria dhe ministria nuk i njohin Habilajt Read More »

Publikohet fotoja, Saimir Tahiri në një skaf me Artan Habilajn

Në një kohë, ku duket se çështja “Tahiri” është në pauzë, Politiko.al publikon foton e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në një skaf me kushëririn e tij Artanin, një prej krerëve të bandës së Habilajve.

Fotoja është bërë në verën e vitit 2014 në një plazh të Karaburunit dhe në të pamja e Tahirit është e dallueshme, siç është e dallueshme edhe stema e Policisë shqiptare në mëngën e një prej burrave që gjenden në skaf.

Deputeti Saimir Tahiri i Partisë Socialiste është nën hetim nga Prokuroria për implikim të mundohem në trafikun e drogës, pas indicieve të forta të siguruara nga dosja e Prokurorisë italiane.

Publikohet fotoja, Saimir Tahiri në një skaf me Artan Habilajn Read More »