Art-Kulture

Udhëtimi i një fshati trimash në shekuj !

Nga HAMZA MALAJ

Sado me flatra të jetë fantazia ime, sot pas 100 vjetësh, ajo kurrë nuk mund të arrijë të pasqyrojë madhështinë e veprës së gjyshërve tanë, të cilët që në momentet e para të shpalljes së pavarësisë, u nisën vullnetarë për të çliruar Janinën.

Ata u nisën në mëngjes herët. Lanë fëmijët në gjumë duke u dhuruar puthjen e fundit kur flinin si ëngjëj, lanë kopetë pa nxjerrë nga vathi dhe nënat e nuset me lotët në sy e duke iu dridhur buza dhe ikën. Ikën me kokën prapa por me shumë shpresa. Atmosfera ngazëllyese që kishte mbuluar gjithë Shqipërinë, tashmë të pavarur e me shtetin e saj, i kishte bërë me krahë. Shqipëria u bë, dhe kjo ishte kryesorja. Kjo ishte gjithçka: gëzimi, hareja, jeta dhe vdekja. Të gjitha tashmë i takonin, asaj, Shqipërisë.

Askush nuk e di numrin e saktë të tyre. Dihet vetëm që si çetë bënin pjesë në batalionin e Vlorës. Dihet po ashtu se në ato luftime lanë 16 dëshmorë. 16 dëshmorë nga një fshat me 80 shtëpi. Shumica e tyre ishin të rinj. Me shtatin e gjatë si lisat e Qyramengës, me cullufet që u vareshin mbi ballë, me ata sy të bukur e vetullat kaleshe, me atë ecjen e shkathët si gjahtarët e egërsirave, ata përfaqësonin një forcë si ujët e përroit të Brashecit që kur del nga shtrati, nuk vë re se kë e çfarë gjen përpara. Donin të bashkonin të gjitha krahinat me Atdheun, donin ta bënin Shqipërinë të plotë.

Kur dolën te kthesa e Brashecit kthyen dhe një herë kokën prapa. Një tis i hollë mjergulle trazuar me tymin e zjarreve të porsandezur kishte mbuluar fshatin.

-Si vello nusërie, tha dikush.

-Në dasëm vemi, e pasoi tjetri dhe pas kësaj ra një heshtje e trishtë. Secili mendonte për punët dhe hallet që la prapa.

U nisën në dimër. Nuk kishin çelur akoma lulet e kumbullës dhe të lofatës. Në pllajat e Vaskes, Drenikës dhe Shullerit të Policës bari i mbrojtur gjatë gjithë vjeshtës ishte bërë për t’u korrur. Lule delet midis gjelbërimit ngjanin si miliona flutura të bardha të cilat i bënin karshillët ngricës. Poshtë lumi Shushica, atë ditë vezullonte një ngjyrë kristali. E shikoje dhe magjia e tij të rrëmbente. Ç’ishte gjithë ai shkëlqim mbi sipërfaqen e tij? Mos vallë donte edhe ai të përshëndetej e të ndahej me ta? Natyra fshatit tonë, Bratit, i ka falur shumë bukuri, por mbi të gjitha, Shushicën. Me të ishin të lidhura gjithë kujtimet e djemve që u nisën. Lamtumirë Shushicë, perla e fshatit tonë!

Fshatit i kishin ikur djemtë, pjesa më e bukur e jetës së tij. Por kjo nuk ishte hera e parë. Ai në luftë e kishte kaluar jetën dhe prandaj e dinte që te kjo ikje qëndronte madhështia e tij. Vitet që do të vinin më pas, do të kishte ikje të tjera dhe, përsëri, madhështia do të rritej dhe jehona e saj do t’i kalonte hapësirat e tij. Te këto ikje do të qëndronte krenaria dhe stoicizmi i gjithë fshatit. Dhe këto ikje do të ngjiznin atë që ne e quajmë ndjenja e traditës dhe e vazhdimësisë, ndjenjë e cila, për ditë pasurohet dhe asnjëherë nuk ka fund. Sa herë u lëndua, sa herë u palgos e u vra, sa herë u shkretua ky fshat, por kjo ndjenjë bëri që ai të qëndronte në këmbë. Lindnin brezat e rinj dhe në kokën e djepit pikturohej shqiponja dhe dyfeku. Dhe fshati im lindte shumë fëmijë, të cilët para ABC mësonin kuptimin e këtyre simboleve, që nënat e tyre të reja dhe gjyshet ua këndonin në ninullat për t’i zënë gjumi.

Në kryengritjen fshatare të vitit 1847 kundër reformave të Tanzimatit ata kishin ikur përsëri dhe përkrah Gjolekës luftuan në Mifol e në Delvinë. Në letrën e drejtuar mbretit të Greqisë më 15.8.1847 ku i kërkohej ndihmë për luftën kundër Turqisë, është edhe firma e burrit trim e të zgjuar, bashkëfshatarit tonë Lilo Qendro. Në vitin 1848 Turqia internoi shumë udhëheqës të Labërisë e midis tyre edhe Matan Haxhiun e Lilo Qendron nga Brataj.

Gjemit ‘e detit arrinë,

Na kërkojnë parësinë,

Në Brataj Matan Haxhinë,

Lilo Qëndro nishallinë.

Kjo, këngë, megjithëse kanë kaluar mbi 200 vjet, këndohet edhe sot. Këndohet sepse ajo pasqyron jo vetëm një gjëmë të madhe, mbi 500 vetë të internuar, por edhe një heroizëm të madh, një atdhedashuri të zjarrtë. Matan Haxhiu ynë vdiq në internim, ndërsa Lilo Qendrua u kthye pas pesë vjetësh.

Dhe ikje të tilla, të mbuluara me zulmë, pasonin njëra tjetrën. Pas Lidhjes së Prizrenit, veprimet antiturke, si kudo edhe në fshatin tonë u rritën së tepërmi. Sulmoheshin karvanet e prapavijave turke, kapeshin patrulla e korjerë, dhe organizoheshin kudo prita. Pasho Poraqi bashkëfshatari ynë kishte organizuar një grup të tillë. Tregojnë se ua nxiu jetën trupave turke. Por, më në fund, në befasi e kapën në fshatin Shkozë të Kudhesit. E çuan në burgun e Beratit, ku pas disa ditësh e gjetën të vrarë brenda në qeli. Kushedi çfarë qëndrimi burrëror do ketë mbajtur, sepse nga ky qëndrim u keqtrajtua në mënyrën më mizore krejt fisi i tyre. Turqit u morën gjithë pasurinë, përfshi edhe shtëpitë, duke i detyruar kështu të iknin nga fshati. Ata ikën por fshati nuk i harroi. Bashkëfshatarët e mi të mrekullueshëm, megjithëse i kishin blerë nga turqit, për të mos i lënë shkretë, përsëri ato prona edhe sot mbajnë emrin e Poraqe. E bënë këtë sepse ajo familje kishte bërë histori në jetën e fshatit.

Ju bëtë luftën e madhe,

Kur Shqipëria kish halle,

I vinin ujqit vërdallë,

Mes për mes donin ta ndajnë.

Mbrëmja i zuri në mal të Nanoit. Fshehur pas gurëve e kodrave ndezën nga një zjarr që të merrnin veten. Gjatë udhëtmit kishte rënë shi dhe ishin lagur. Të nesërmen morën vesh se garnizoni turk i Janinës, pas disa luftimesh u ishte dorëzuar grekëve. Djemtë zunë pozicione. Përballë Janina u kujtonte Ali Pashën, u kujtonte birbilejtë e burgun famëkeq ku kishin qenë të burgosur shumë bashkëfshatarë të tyre. Por ajo u kujtonte edhe “Zosimenë” ku kishin mësuar shumë atdhetarë të Rilindjes. “Janinës ç’i panë sytë” është një këngë e vjetër labe. Po më keq akoma po u shikonin sytë djemve tanë.  Misioni për të cilin ata shkuan dështoi. Janina nuk do të ishte më jona. Por qëllimet e grekëve synonin shumë më larg. Ata donin gjysmën e Shqipërisë, deri në lumin Shkumbin. Duhej ndërprerë ky marshim ogurzi i tyre. U duhej dalë përpara ushtarëve grekë. Pa luftë asnjë hap mbrapa! Dhe kështu filloi përleshja me një ushtri të organizuar e me armatim modern të kohës. Ranë dëshmorët e parë dhe siç thotë kënga:

Hallall gjirin djemtë tanë,

U mbeti dora në kamë,

Vratë shum’e pra u vranë,

Me nder e mbuluat fshanë!

Përpara një force të tillë qëndresa këmbëngulëse do të thoshte asgjësim. Varrosën dëshmorët e rënë dhe filloi tërheqja nga vija në vijë. Me luftë, me prita, me kundërsulme. Gjakun e derdhur do ta paguanin edhe forcat armike. Dhe e paguan. Por në çdo vijë luftimi, gjatë përleshjes, binin luftëtarë të rinj. Numri i tyre mbërriti në gjashtëmbëdhjetë. Gjashtëmbëdhjetë lapidarë të cilët do t’i flisnin historisë se sa dhe si e donin shqiptarët atdheun e tyre, sa të etur kishin qenë për liri. Varrosnin bashkëfsahtarin dhe ja merrnin vajit me këngë të cilën e improvizonin në çast: “Ali Çaush Memokendi / O trimi që s’luan vendit”. “O Halim Sherifi ynë / Bashkë me Jakup Myslinë/ Drit’e shkruat historinë / Ne as varret nuk ua dimë”.

Kështu deri sa arritën në Qafën e Mëretes në Kuç, ku gjetën luftëtarë të tjerë të komanduar nga biri i Bratit Memo Metja.

Me respektin dhe mirënjohjen më të madhe për gjyshërit tanë, me dashurinë për fshatin që i lindi dhe i rriti dhe me krenarinë për kombin vital, që u dha krahë djemve dhe vajzave të tij, për të qëndruar në mbrojtje të atdheut, po rendis më poshtë emrat e dëshmorëve të fshatit tonë që ranë në luftën e Janinës. Ali Çaush Memokendi, Adem Selfo Brahimi, Çelo Aliko Muçaj,  Emin Hasan Nikaj, Hakan Miftar Nika, Halim Sherif Lilo, Isa Memisha Koçi, Jazo Memisha Koçi, Jazo Veliko Jazaj, Jakup Musli Lilaj, Maske Feta Barjamaj, Ramadan Kamber Ferraj, Rushit Çaush Memokëndaj, Veiz Iljaz Durmishi.

…Ajo pjesë e çetës që shpëtoi u kthye në fshat. Me një dhimbje të thellë në shpirt u shpërndanë nëpër shtëpitë e dëshmorëve. Do shpinin atje amanetin e tyre. Fshati ishte në një zi të thellë. Edhe gurët e drurët të dukej se rënkonin. Ky rast ishte vërtetë një pellg gjaku, dhe liria ruhej e çmohej me kaq fanatizëm, pikërisht sepse i kishte rrënjët në pellgje të tilla. Elegjitë e nënave u përhapën hapësirave të fshatit.

Ramadani yn’o djalë,

Mir’e ngjeshe jataganë,

Martin’e gjysdan’e larë.

…Në male përmbi Janinë

Mbet’atje për Shqipërinë.

Vatë e nuk u kthyet kurrë,

Po se lëshuat flamurë!

Ata e deshën Atdheun jo se ishte i madh, por sepse ishte i tyre.

Kanë kaluar  mbi 100 vjet prej atëherë, por kujtimi i tyre kurrë nuk është harruar, sepse edhe misioni i tyre kurrë nuk është tjetërsuar. Sa herë që e kërkon koha, ata janë aty, në Brataj, si simbole të atdhedashurisë.

Udhëtimi i një fshati trimash në shekuj ! Read More »

A e dini se Aleksandri i Madh, kishte një djalë me Emrin Phinton?, Por për të gjithë ju që e doni shumë historinë shqiptare, po ju tregoj një Sekret të Jashtëzakonshëm.

A e dini se Aleksandri i Madh, kishte një djalë me Emrin Phinton?, Por për të gjithë ju që e doni shumë historinë shqiptare, po ju tregoj një Sekret të Jashtëzakonshëm.

Djali i Aleksandrit të Madh, Phinton, zgjodhi që në fundin e jetës së tij, “të flinte” në fshatin Plloç të Vlorës, së bashku me Perëndeshën e Bukurisë Afërdita /Më poshtë keni edhe një listë arkeologjike, për disa nga monumentet e rëndësishme arkeologjike të gjendura në Shqipëri.

Këto informacione, janë gjendur, në bibliotekën mistike të Aleksandrisë…. / Do mbeteni të befasuar, nga thesaret tona kombëtare!

PHINTON, THE SON OF ALEXANDER AND APHRODITE – Illyria – Amantia (Plloçë – Vlora, Albania / Dedication to Aphrodite Pandamos / -Pinton, Djali i Aleksandrit, dhe Afërdita, Fragment Arkeologjik në Fshatin Plloç të Vlorës / FRAGMENTE BIBLIOGRAFIE MBI ANTIKITETIN DHE ARKEOLOGJINË E SHQIPËRISË /FRAGMENTE THESARESH ARKEOLOGJIKE SHQIPTARE.

Illyria — Amantia (Ploçë) — 2nd c. BC / Varri i Pinton-it, djalit të Aleksandrit në Fshatin Plloçë të Vlorës!/njekomb

A e dini se Aleksandri i Madh, kishte një djalë me Emrin Phinton?, Por për të gjithë ju që e doni shumë historinë shqiptare, po ju tregoj një Sekret të Jashtëzakonshëm. Read More »

Troja, lindi Romën apo Orikumin?

Pjesa jug-perëndimore e vendit njihet jo vetëm për plazhet e bukura dhe ujin e kristaltë, por edhe për historinë e pasurinë e saj që në antikitetin e hershëm. Një nga vendet më të rëndësishme dhe që ka pasur një rol strategjik gjatë gjithë kohës është pikërisht qyteti i Orikumit, ose ndryshe i quajtur Pashaliman, porti detar i Jonit dhe Adriatikut.

Për herë të parë Orikumi përmendet nga gjeografi dhe historiani grek Skylaksi, shek. VI-V p. Krishtit në veprën e tij “Lundrimi”. Sipas legjendës, fisi pellazg i Eubeasve, pas shkatërrimit të Trojës, kthehet në tokat e të parëve dhe themelojnë qytetin e Orikut në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër.
Duke marrë parasysh që ishte një qytet i cili kishte dalje në dy dete të rëndësishme për kohën, do të bënte që qyteti i Orikut të ishte një qendër me vlera të larta dhe sigurisht me një arkitekturë të veçantë. Kjo vihet re në mënyrën se si ishte ndërtuar qyteti dhe gjithë çfarë mbante brenda. Një nga ndërtesat ka qenë edhe teatri Antik i Orikut, i ndërtuar në shek. III-II p. Krishtit, i cili vjen gati identik me teatrin ë Trojës. Kapaciteti i Teatrit shkon nga 400-600 spektatorë dhe është përdorur për mbledhje publike e për shfaqje të ndryshme. Madje në epokën romake (shek. III-I p.  Krishtit) janë organizuar edhe ndeshje me gladiatorë dhe kafshë të egra dhe kjo dallohet vetëm 40 metra në jug-perëndim të teatrit, ku mund të shikosh fare mirë vendndodhjen e Altarit. Thuhet se para se të fillonte një mbledhje, ceremoni ose shfaqje në Teatër bëhej theroria e zakonshme në Altar. Pastaj fillonte shfaqja.

Akropoli- Në faqen lindore të Akropolit zbresin dy palë shkallë të gdhendura në trupin shkëmbor të kodrës, me gjerësi 2.5 metra që kufizojnë ambiente godinash publike, të gdhendura thellë në gurë me dimensione të ndryshme.

Pusi antik nr.1 është i gdhendur në trupin shkëmbor të Akropolit. Përdorej për ujë të pijshëm në raste kur ujësjellësi binte në dorë te armikut.

Pusi antik nr.2 është më i ruajtur. Tullat e murit dhe të dyshemesë ruhen pjesërisht.

Puset antik nr. 3 dhe 4 ndodhen e pjesën jugore dhe Jug-Perëndimore të Akropolit.

Një shpellë shumë e rëndësishme ka qenë edhe ajo  Gramës e cila ndodhet në bregun perëndimor të gadishullit të Karaburunit e ku ruhen rreth 2000 mbishkrime të cilat datohen nga shek. IV para Krishtit deri më tani. Shpella e Gramës ka qenë e shfrytëzuar si gurore për ndërtime publike. Shpella vetë ka ambiente të brendshme qe janë përdorur si objekte kulti.

Duket qenë se pozicioni i saj ishte  strategjik, u shfrytëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonasve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.

Flota maqedonase e Aleksandrit të Madh e pushtoi në vitin 214 p.e.r e në shekullin e lll p.e.r preu monedha me emrin e bashkësive qytetare. Në shekullin e ll p.e.r u dëmtua nga një tërmet i rëndë, u rindërtua dhe fortifikua në shekujt e V-Vl.

Në kohën bizantine dhe në mesjetë njihet si një port i vogël me emrin “Jeriko”.

Në shekullin e Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin e Marisë.

Parku Arkeologjik i Orikumit, me qytetin e fortifikuar, akropolin e teatrin, portin, shkallët shkëmbore, altarin, oborrin e pusit dhe tempullin, dëshmon për një zhvillim të hershëm të jetës qytetare. Shtrirja e tij midis gjirit të Vlorës dhe lartësive me pyll pishe të Llogorasë, me një peizazh të larmishëm, me florë e faunë të pasur, përbën një destinacion të kërkuar nga të gjithë në të gjitha kohërat.

Troja, lindi Romën apo Orikumin? Read More »

Se shpejti ne Teatrin ‘Petro Marko’ Komedia …

Se shpejti ne skenen e teatrit “Petro Marko” komedia

” Senatori Foks” nga trupa profesioniste e teatrit ” Petro Marko”.
Ne prag…premiera me e re  e regjisorit Roland Minga.

Nje komedi e Luigi Lunari me te papritura dhe situata te shumta

Muzika Artur Dhamo

.Skenograf,kostumografi Drini Shehu

Aktore :

Astrit Mamaj

Matilda Avduli

Artan Islami

Bruna Belaj

Jorgaq Tushe

Vladimir Abilaj

Foto nga momente provash

Fotografia e ONETV VLORAFotografia e ONETV VLORAFotografia e ONETV VLORAFotografia e ONETV VLORA

Se shpejti ne Teatrin ‘Petro Marko’ Komedia … Read More »

Një mrekulli për turistët dhe një mister për arkeologët – Laguna e Orikumit

Laguna ndodhet në brigjet e Gjirit të Vlorës dhe Detit Adriatik. Sipërfaqja ujore e kësaj lagune është 1.5 km2. Në periferi dhe nën ujërat e lagunës gjenden gërmadhat e qytetit të vjetër të Orikumit.

Kjo lagunë veç vlerave historike është e pasur dhe me specie të ndryshme të florës e faunës. Laguna e Orikumit është në një zonë përherë e lidhur me detin nëpërmjet një kanali. Gjiri është shumë i përshtatshëm për zogjtë migrues.

Rezerva e madhe e peshkut rrit mundësinë për Karabullakët, Çafkat e mëdha të bardha dhe Çafkat gri. Peshkimi dhe rritja e peshkut në lagunë nuk janë shumë të shfrytëzueshme.

Kryesisht peshkohen Ngjalat, Venerupis pullastra dhe Koca.

Poshtë shtratit të ngjelmët të lagunës, ndodhet misteri i pa zbuluar i një qytetërimi të hershëm, Oriku.

Një nga qendrat më të mëdha në këtë zonë ka qenë dhe është Orikumi, që shtrihet në bregun jugperëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore gëlqerore në fundin e një skele druri që e ndanë nga laguna e vogël nga gjiri (Pasha-Liman).

Orikumi ka qenë qytet antik i disa periudhave, që nga ato greke, romake dhe deri në mesjetën e hershme.
Sot ai është kthyer në një qytet modern, që merr më shumë rëndësi dhe gjallëri në vërshimin e turistësh të shumtë vendës dhe të huaj, që vijnë dhe e vizitojnë atë.

Orikumi ka akoma mundësi dhe resurse të tjera turistike të pashfrytëzuara.

Ende një pjesë e tij, mbase më intriguesja, nuk është zbuluar akoma apo mbahet peng nga repartet ushtarake në një vijë të gjatë bregdetare.

Orikumin nuk duhet ta marrësh të shkëputur nga e gjithë zona për rreth që fillon nga Lugina e Llogarasë deri në Pasha-Liman tek Gjiri i Bristanit duke u kufizuar me Gadishullin e Karaburunit, me luginën e Llogarasë dhe Dukatit fushë duke përfunduar me lagunën e Orikumit.

E vendosur midis Parkut Kombëtar Llogara dhe Rezervatit Natyror të Menaxhuar Karaburun kjo zonë shërben si një urë lidhëse midis dy ekosistemeve natyrore, dhe është pjesë e pandarë natyrale e tyre.
Edhe laguna zë pjesën e vetë në aktivitet turistike dhe mjedisore të kësaj zone të pasur me vepra arkeologjike që dëshmojnë historinë e saj. Misteri nuk është zbuluar akoma i gjithi, nuk dihet çfarë ka nën shtratin e Lagunës?!…

Një mrekulli për turistët dhe një mister për arkeologët – Laguna e Orikumit Read More »

Pak histori brenda shpellës së Haxhi Aliut

Ka shumë pak kohë që ishulli i Karaburunit është bërë i mundur që të vizitohet nga vendasit, por edhe nga të huajt, të cilët tashmë kanë mundësi ta shijojnë në maksimum madhështinë e kësaj pjesë të Shqipërisë. Një nga shpellat më të bukura në këtë zonë është ajo e Haxhi Aliut, e cila mban mbi supe një legjendë po aq të mrekullueshme sa ç’ është vetë.

Kjo mendohet se ka qenë banesa më e sigurt e ulqinakasit Haxhi Ali Ulqinaku, i cili bashkë me tartanët e tij kishte qenë kryekomandant i flotës turke të Mesdheut e në fund të shekullit XIX, kapedani i detit erdhi u vendos në Karaburun dhe mbronte brigjet shqiptare nga sulmet që bënin venecianët, saraçenët nga Malta dhe Egjipti, spanjollët, anglezët dhe francezët. Për plotë 22 vjet u bë mbrojtësi i këtyre brigjeve. Në luftë me venedikasit ai u vra dhe varri i tij thuhet se është në det.

Anijet kur kalonin i binin sirenave dhe hidhnin bukë e vaj për shpirtin e tij në det. Këtë zakon e vijojnë dhe disa nga banorët e Dukatit, në zonën e Ravenës, ku kanë bagëtitë që jetojnë atje. Çdo mëngjes gushti hedhin bukë e vaj në det për shpirt të Haxhi Alisë.

Kjo është shpella më e madhe e bregdetit shqiptare cila ka një lartësi me hyrje mbi 60 metra mbi nivelin e detit dhe sipas historianëve kjo është edhe shpella që emrin e vjetër e ka dhe Shpella Iliriane. Shpella iliriane e përdorur  nga  Haxhi Aliu është një dëshmitare interesante e historisë.

Duke u futur në brendësi të shfaqet një liqen në forme eliptike me aksin e madh të drejtuar nga hyrja. Salla ka një shtrirje në gjatësi prej 60 m e orientuar sipas Veriperëndimi-Juglindja dhe një gjerësi nga baza (mbi nivelin e detit) rreth 40 m në pikën më të gjerë. Në tërësi shpella është e gjatë rreth 100 m.

Thellësia e liqenit të brendshëm arrin 10,4 m drejt anës verilindore të fundit të shpellës. Në paretet shkëmbore të sallës përballë hyrjes paraqiten stalaktite të pjerrta me origjinë të mundshme organogjene ose të përzier. Në hyrjen e saj janë gjetur fragmente amforash antike të shekujve të parë të epokës sonë. Kjo shpellë vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen e detarëve të huaj e shqiptare. Detari i guximshëm shqiptar Haxhi Aliu e ka përdorur atë si strehë mbrojtëse duke u përleshur me anijet e huaja grabitqare, të cilat tentonin të hynin në Gjirin e Vlorës apo të grabisnin piratisht bagëtitë e vendasve në Karaburun.

Rreth viteve 1540-1545, është përdorur nga piratët francez për t’u mbrojtur siç thuhet edhe në toponimet afër shpellës.

Pak histori brenda shpellës së Haxhi Aliut Read More »

“Shpresat e Ismail Bej Qemalit. Intervista e liderit shqiptar në Romë me gazetarin francez”

NGA: Aurenc Bebja*, Francë
Gazeta franceze, «Le Matin», ka botuar, të premten e 4 prillit 1913, në faqen n° 3, intervistën e rrallë të Ismail Qemalit, i cili gjendej në kryeqytetin italian, Romë. Lideri shqiptar ka folur për kufijtë e Shqipërisë, ku dhe ka ngritur shumë pyetje mbi qëllimet e Evropës (Fuqive të Mëdha) ndaj kombit tonë. Kufiri me Malin e Zi ka qenë çështja më shqetësuese për kryetarin e qeverisë së përkohshme, i cili nuk ka nguruar të japë mendimin e tij.

Për më shumë, do të gjeni intervistën e plotë, të sjellë në shqip Nga: Aurenc Bebja, Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania »:
« Romë, 3 Prill. Shkresë e veçantë e gazetës « Matin » – E takova sot Ismail Qemalin, i cili gjendej i rrethuar nga disa anëtarë të qeverisë së përkohshme dhe shumë patriotë shqiptarë, të cilët, në shenjë falenderimi, urimi dhe përkushtimi, kishin ardhur për të mbështetur shefin e tyre që mban mbi supe të gjithë përgjegjësinë për të udhëhequr hapat e parë të shtetit të ri.

Ismail Qemali sillej me të gjithë si një baba; protokolli u la mënjanë në këtë mbledhje.
Kur u gjeta vetëm me Ismail Bej Qemalin, folëm fillimisht për udhëtimin e tij, pastaj e pyeta për kufijtë e ardhshëm të Shqipërisë.

Ismail Qemali: Ja, kjo është pyetja kyçe, të tjerat janë pa interes ose të parëndësishme. Evropa, dëshiron një Shqipëri të qëndrueshme apo një vend fantazëm ? A dëshiron ajo një vend të pavarur apo preferon të krijojë një lodër, një instrument të thjeshtë për ambiciet e ndryshme të vendeve të Ballkanit ? A do të sigurojë paqen apo të përgatisë rrëmujat e ardhshme ? Nëse dëshira e saj është që të krijojë me të vërtetë një Shqipëri të lirë, atëherë duhet që kufijtë e dhënë prej saj të jenë të zgjeruar mjaftueshmërisht.

Gazetari: Kufijtë që Greqia ju propozon në jug a u përgjigjen aspiratave tuaja?
Ismail Qemali: Nuk janë ata që ne prisnim, por më së shumti është kufiri verior që na shqetëson. Traditat, zakonet e popullsisë në këto zona janë plotësisht shqiptare, dhe ne besojmë se Fuqitë e Mëdha do t’i marrin parasysh.

Gazetari : Ato (Fuqitë e Mëdha) kanë shprehur tashmë synimin e tyre për të ju dhënë Shkodrën, por çfarë do të ndodhë në qoftë se qyteti bie në duart e Malazezëve ?
Ismail Qemali : Ne jemi tërësisht në duart e Fuqive të Mëdha. Ne nuk mund të ushtrojmë asnjë lloj presioni tjetër perveçse atij që rezulton nga forca e ligjit dhe kotësisë së pretendimeve malazeze. Malazezët kanë jetuar vetëm në shkëmbinjtë e tyre ; ata nuk zbritën kurrë në fushë (ultësirë). Unë e kuptoj se ky rajon pjellor rrit oreksin e tyre. Traktati i Berlinit qe zemërgjerë për ta ; Po ashtu si Franca në Bruksel, ata nuk mund të kenë më shumë të drejta në Shkodër.
Në këtë qytet, çdo gjë është shqiptare, traditat, zakonet, feja. Banorët janë katolikë ose myslimanë, ndërsa malazezët, në të kundërt, janë ortodoksë. Shkodra është koka e Shqipërisë, dhe Fuqitë e Mëdha, nëse janë të gatshme të mundësojnë lindjen e saj, atëherë nuk mund ti presin kokën paraprakisht.
U ndava me Ismail Bej Qemalin. Sapo njoftuan ardhjen e ambasadorit të Turqisë. »
Burimi:  https://www.darsiani.com/la-gazette/le-matin-1913-shpresat-dhe-projektet-e-ismail-bej-qemalit-intervista-e-liderit-shqiptar-ne-rome-me-gazetarin-francez/

“Shpresat e Ismail Bej Qemalit. Intervista e liderit shqiptar në Romë me gazetarin francez” Read More »

Vlora në vitet ‘20-30, kur “hidhte në det” italianët

Epopeja e Luftёs sё Vlorёs nё vitin 1920 ёshtё njё nga faqet mё tё lavdishme tё historisё tonё kombёtare. Mё 29 maj 1920 u mbajt kuvendi nё Barçalla, njё shpat mali pranё Dukatit ku pjesemarrёsit aprovuan propozimin pёr tё filluar sa mё parё kryengritjen çlirimtare kundёr pushtuesit Italian. Mё 26 prill 1915 midis qeverive tё Italisё dhe ANTANTЁS u nёnshkrua Traktatit i Fshehtё i Londrёs pёr copёtimin e trojeve shqiptare.

Nё kёtё traktat Vlora, ishulli i Sazanit, Himara dhe Hinterlandi i saj ju la Italisё. Pёr kёtё arsye nё Kuvendin e Barçallasё ku ishte pjesmarrёs dhe kryeministri i Qeverisё sё Lushnjёs Sulejman Delvina, u zgjodh njё Kёshill Kombёtar prej 30 vetёsh dhe nga gjiri i tij doli Komiteti “Mbrojtja Kombёtare” prej 12 anёtarёsh, tё cilёve ju ngarkua drejtimi i kryengritjes.

Kryetar i komitetit u zgjodh patrioti Osmёn Haxhiu. Mё 2 qershor 1920 nё Beun u mblodhёn rreth 4000 luftёtarё nё pёrgjigje tё thirrjes sё Komitetit tё Mbrojtjes dhe lidhёn besёn pёr tё luftuar deri nё vdekje kundёr pushtuesve.

Kjo ishte njё luftё jetike pёr mbrojtjen e kufijve tё shtetit shqiptar, tё cilat pёrveç rrezikut Italian, rrezikoheshin tё coptoheshin nё veri dhe jug nga ushtritё greke e serbe.

Bashkimi i Vlorёs dhe mbarё Shqipёrisё nё kushtrimin pёr liri kundёr ushtrisё Italiane bёri qё tё fitohej njё nga luftrat mё tё rёndёsishme nё historinё moderne tё Shqipёrisё, ku nё harkun kohor tё 5 qershorit dhe 3 shtatorit tё vitit 1920 trupat italiane tё mposhteshin nga ato shqiptare dhe tё ktheheshin kokёulur nё Gadishullin Apenin.

Udhëheqës të Luftës së Vlorës ishin Qazim Koculi, Ahmet Lepenica dhe Osmën Haxhiu. Çlirimi i Vlorёs i hapi rrugё çlirimit dhe tё krahinave tё tjera shqiptare qё mbaheshin tё pushtuara nga ushtritё greke e serbe, duke mundёsuar nё kёtё mёnyrё çlirimin e gjithё trojeve Shqiptare.

Betimi i datës 29 Maj 1920 në Barcalla: “Me ndihmë e pa ndihmë të viseve të tjera të Shqipërisë, do të luftojmë deri sa të bashkohemi me shtetin tonë ose, në mos e arrifshim këtë ideal, të vdesim me armë në dorë që ta marrë vesh bota e qytetëruar se shqiptari për lirinë e vet din të vdesë dhe kur vendos të vdesë, s‘e trembin milionat me ushtri e topa”.

Më poshtë janë disa foto të Vlorës së atyre viteve, para dhe pas luftës me italianët.

Rezultate imazhesh për 35 foto te luftes se vlores 20 30Rezultate imazhesh për 35 foto te luftes se vlores 20 30Rezultate imazhesh për 35 foto te luftes se vlores 20 30Rezultate imazhesh për 35 foto te luftes se vlores 20 30

Vlora në vitet ‘20-30, kur “hidhte në det” italianët Read More »