Art-Kulture

A e dini ku ndodhet Qyteza e Kamenicës ?Ja ku …

Në Shqipëri ruhen shumë fshatra mesjetare të rrënuara, me rëndësi për historinë e vendit. Ndër to një vend të rëndësishëm zë Kamenica që për madhësinë dhe shkallën e ruajtjes nuk ka paralele në vendin tonë. Atë e kemi studiuar së bashku me Emin Rizën duke botuar dhe një artikull si botim paraprak. Rrënojat e Kamenicës gjenden në rrethin e Delvinës, rrëzë shpatit jugperëndimor të Malit të Gjërë. Ato shtrihen mbi dy kodra të ulta, me pjerrësi të butë të bashkuara me një qafë të ulët prej lindjes në drejtim të perëndimit. Fshati, në të kaluarën, zinte dy lartësitë e kodrave, qafën që i bashkon ato, si dhe shpatin e tyre jugor. Terreni rreth paraqitet mjaft i favorshëm për zhvillimin ekonomik: poshtë, nga jugperëndimi, shtrihet një fushë e gjerë me toka pjellore, në veri gjënden kullota të mira për bagëti, ndërsa klima e butë favorizon rritjen e ullirit. Nga ana tjetër, para Kamenicës kalonte rruga që lidhte Delvinën me luginën e Kardhiqit dhe më tej me atë të Drinos. Rruga që të çonte në fshat kalonte duke ndjekur qafën ndërmjet dy kodrave, në jug te tij. Ajo përfundon në qendër të fshatit, i cili është sheshi më i gjere, në masën e dendur të ndërtimeve. Kësaj qendre i përket dhe toponimi : « Qafa e Pazarit ». Ndërtimet rrethojnë atë duke u shtrirë kryesisht nga kodra e madhe në perëndim të saj, dhe më pak në kodrën e vogël, në lindje. Kodra e madhe ka një rënie më të butë në drejtim jugor, kështu që ndërtimet shtrihen më poshtë se ato të kodrës tjetër. Zona veriperëndimore dhe ajo veriore e të dy lartësive bie thikë. Ndërtimet kanë një dendësi të madhe, por kjo është veçanërisht e theksuar në zonën rreth qendrës së fshatit. Ato janë të orientuara, përgjithësisht, nga jugu dhe me pak nga juglindja dhe jugperëndimi, duke ndjekur pjerrësine e terrenit. Nga sa mund të shihet sot, rrugët fillonin nga qendra e fshatit duke u shpërndarë drejt dy grupimeve kryesore të ndërtimeve. Ato kanë qenë të ngushta dhe gjarpëruese, herë duke ndjekur konturet horizontale të terrenit, herë duke përshkruar atë normal vijave rrushkulluese. Ndërtimet janë vendosur buzë rrugëve, ose në mjaft raste ato rreshtohen me mure që krijojnë oborre të vegjël. Në gjendjen e sotme, fshati i rrënuar i Kamenicës ruan, deri diku mirë ,një numër të madh ndërtimesh, ku pjesën dërmuese e zenë banesat por krahas tyre ruhen dhe disa kisha. Numri më i madh i tyre ndodhet në pjesën jugperëndimore të kodres madhe. Muratura e ndërtimeve për shkak të punimit të mirë dhe lidhësit të fortë, ruhet shpesh,thuajse deri në lartësinë origjinale, ndërsa nga elementet e drurit kanë mbetur vetëm gjurmë. Burimet historike që përmendin fshatin e Kamenicës janë relativisht të pakta. Në rregjistrin e vitit 1431-32, fshati i Kamenicës, i përfshirë në vilajetin e Vajonetës, kishte gjithësej 267 banesa, dhe si pronë të fshatit 400 rrënjë ullinj. Të ardhurat nga ky fshat ishin 19740 akce. Këto të dhëna e bejnë Kamenicën, në atë kohë, një nga qendrat e banuara më të mëdha të kësaj zone. Mjafton, të përmendim se Gjirokastra, kryeqendra e sanxhakut te Shqipërisë, në këtë kohe kishte 163 banesa dhe të ardhurat, pa taksat e vilajetit dhe tregut, ishin 16938 akce. Në rregjistrin e vitit 1583, fshati kishte rreth 200 banesa. Këto janë të dhënat që disponojmë deri me sot për Kamenicën. Çelebiu, i cili kaloi në mesin e shekullit XVII nga Delvina në Kalasë, përbri Kamenicës, nuk e përmend këtë të fundit Aravantinoi në listën e hollësishme të fshatrave të Epirit, që i përket gjendjes së fillimit të shek.XIX nuk e përmend Kamenicën si fshat, por në një pasazh ai flet për vendin e quajtur Kamenicë, çka është mjaft domethënëse. Për të patur një tablo të plotë do duhen punime pastrimi e gërmimi që do të bëjnë të mundur të sqarohen dhe thellohen shumë çështje në lidhje me historinë, ndërtimet, urbanistikën, jetën dhe kohën e ndërtimit dhe braktisjes së Kamenicës. Vetëm atëhere do të kemi një botim të plotë, që të pasqyrojë në mënyrë të gjerë e sistematike këtë qendër banimi, dikur të lulëzuar, e cila, padyshim, zë një vend me rëndësi të posaçme ne trashëgiminë arkitektonike të mesjetës Në aspektin tipologjik ndërtimet e Kamenicës janë banesa me kullë, kulla, banesa dhe kisha.Në rrënojat e Kamenicës ruhen në gjendje relativisht të mirë dy ndërtime interesante; një banesë me kullë tre katëshe dhe një kullë në kuptimin e plotë të fjalës. Banesa me kullë për nga kompozimi përbën dëshminë më të vjetër,deri më sot, në vëndin tonë. Barinjtë e zonës e emërtojne “Kulla e Rrahës”. Ajo zë pikën më të lartë të kodrës, në perëndim të qafës së pazarit, duke pasur keshtu një pozicion sundues mbi krejt fshatin. Volumi masiv e prizmatik i kullës lartësohet deri 6,70 m. nga pika më e ulët e terrenit. Ky ndërtim nuk qëndron më vete, por është pjesa më e rëndësishme e kompleksit. Kulla në pjesën veriore zgjerohet në plan, duke përfshirë edhe një ndërtim tjetër, i cili duket qartë se është i njëkohshëm me kullën dhe ka qenë lidhur funksionalisht me të. Për shkak të rrënimeve, është vështirë të përcaktohet në se kjo pjesë e kompleksit ka qenë një apo dy katëshe.Kulla është ndërtuar me muraturë prej guri, lidhur me llaç gëlqereje. Veçanti konstruktive, në dallim nga ndërtimet e tjera, është përdorimi i dy kontureve me breza druri në nivelet e dyshemeve të katit të parë dhe atij të dytë. Në nivelin e dyshemesë së katit të dytë, në mesin e murit jugperëndimor duket qartë vrima ku mbështetej një tra, i cili shkurtonte hapësirën e dritës, për trarët e tjerë, tërthor tij, mbi të cilët shtrohej dyshemeja prej dërrase. Të tre mjediset e kullës kanë gjurmë të qarta që tregojnë se ata kanë qenë të suvatuar. Suvatimi formohej nga dy shtresa: shtresa e parë prej llaç gëlqereje, ndërsa ajo e dyta, shumë e hollë, me patinaturë gëlqereje. Dhe në mjedisin përngjitur kullës, gjejmë gjurmë suvaje në faqet e brendshme të muraturës. Mbulesa e kullës duhet të ketë qenë me çati katërujshe, mbasi nuk ruhet asnjë gjurmë kallkani në dallim nga pjesa tjetër e ndërtimit, e cila ka qenë e mbuluar me çati dyujshe. Ndërtimi tjetër i tipit kullë ndodhet në jugperëndim të banesës me kullë, në pjesën më periferike të fshatit. Ajo është një kullë e vetmuar, e pa lidhur me asnjë ndërtim tjetër. Në plan ajo ka formë katërkëndësh këndrejt, dhe është tre katëshe: kati përdhes dhe kati i parë kanë afërsisht lartësi të barabartë rreth 2.0m, ndësa kati i dytë është më i lartë. Hyrja e vetme për në kullë ka qenë në katin përdhes, nga balli verior, siç tregon një fragment i njërës paturë, në të cilën gjëndet kanali i katarahut. Në katin përdhes, në gjendjen e sotme nuk dallohen gjurmë dritaresh në formë frengjije. Kati i parë le të dyshosh se mund të ketë pasur dritare në faqen jugore dhe ndoshta edhe në atë perëndimore. Kati i dytë ruan mirë muraturën në gjysmën lindore ndërsa pjesa tjetër është e dëmtuar. Faqja lindore ruan shumë mirë disa elementë, deri tashti unikalë në arkitekturën e banesës dhe kullave të Kamenicës. Eshtë fjala për një oxhak të ndërtuar, afërsisht në mesin e kësaj faqeje. Kanali i tymit të tij fillon me një thellim në muraturë dhe në lartësi mbyllet në formë harku, duke lëne të vazhdojë në masën e muraturës një kanal të ngushtë me seksion rrethor. Dy kamare ndodhen anash dhe pranë kamares së djathtë, një sqoll. Dëmtimi i madh i qoshes veriperëndimore, dhe sidomos asaj jugperëndimore, të le të dyshosh se në këto pjesë mund të kenë qënë ndërtuar dritare dhe me shumë gjasë, edhe ndonjë qoshk jashtë konturit të muraturës, siç e gjejmë në kullat e Goranxise. Muratura e gurit është e lidhur me llaç gelqereje. Në dallim nga të gjitha ndërtimet e tjera të Kamenicës, brezat e drurit që lidhin muraturën e kullës janë të futur brenda trashësisë së saj. Në se krahasojmë kullën e Rrahut me këtë do të vërejmë një sërë ndryshimesh jo vetëm në kompozimin e tyre, por edhe në elementë të veçantë. Kështu kulla e Rrahut është pjesë e një ndërtimi më të madh, i cili përfshin dhe një apo dy ambjente, një kat më të ulët se vetë kulla. Ajo, pra, është pjesë e një banesë, siç tregon dhe qënia e oborrit dhe e murit të avllisë. Kompozimi i saj është i njëjtë me banesat e zhvilluara të fshatit. Kurse kulla është e veçuar, qëndron si njësi më vehte, e palidhur me ndonjë pjesë tjetër. Ajo është ndërtuar në një zonë periferike, disi e veçuar nga fshati. Oxhaku dhe kamaret, anash tij janë vendosur dhe realizuar me të njëjtën mënyrë si në shumë banesa të shek. 18 dhe fillimit të shek.19 në qytetet tona, duke qenë elemente unikale në fshatin e Kamenicës. Këto dallime, që në disa drejtime janë mjaft të rëndësishme, lejojne që kulla Nr. 1 të vendoset kronologjikisht mjaft pas asaj të Rrahut. Gjendja e saj më e rrënuar, në krahasim me kullën e përmëndur më të vjetër, duhet shpjeguar me një punim më të dobët të muraturës. Në Kamenicë ruhen një numër shumë i madh banesash, disa prej të cilave në gjëndje relativisht të mirë. Natyrisht në gjendjen e sotme nuk ka mbetur asnjë gjurmë e mbulesave dhe e konstruksioneve prej druri. Kompozimi elementet e veçantë arkitektonikë- konstruktivë, si dhe teknika e ndërtimit, tregojnë qartë se banesat janë të ndërtuara në një periudhë relativisht të afërt me njera – tjetrën. Vetëm një grup banesash të ndërtuara në jugperëndim të “Qafës së Pazarit”, duket se i përkasin një kohe më të vonë, pasi janë të ndërtuara në një zonë periferike të fshatit dhe, në to, gjejmë të ndërtuara në katin e parë dritare në dallim nga banesat e tjera, që ndriçohen nga të çara në formë frëngjije. Banesat ndjekin drejtimin e terrenit, duke pasur kështu orientime të ndryshme nga juglindja, jugperëndimi dhe jugu Ato janë gjithmonë të vendosura me ballin e ngushtë në drejtim të vijave rrushkulluese, duke qenë kështu volumi i tyre normal me to. Kjo vendosje është më racionale në terrenet jo shumë të pjerrët shkëmborë, mbasi nukështë shumë i nevojshëm gërmimi për të bërë të përdorshëm katin përdhes, në anën tjetër largohet më shumë kontakti eventual me ujrat e rreshjeve dhe, së fundi, rritet në mënyrë të ndjeshme aftësia mbrojtëse e banesës. Shumica dërrmuese e banesave janë dy katëshe, ndërsa banesat përdhese janë shumë të pakta.Për shkak të pjerrësisë të terrenit, në shumicën e rasteve banesat kompozohen me gjysmë-kat, d.m.th. sipërfaqja e katit të parë shtrihet përtej asaj të katit përdhes. Konfiguracioni i tyre në plan është gjithmonë katërkëndësh këndrejtë, në shumë raste me brinjë jo të barabartë dhe, disa herë, edhe me ndonjë qoshe të harkuar apo të thyer për të mos ngushtuar rrugën apo për të bërë më të lehtë kalimin në kthesa. Në përgjithsi banesat kanë nga një ambient në secilin kat. Sipërfaqja, disa herë, mjaft e madhe e katit nuk e përjashton mundësinë e ndonjë ndarjeje të lehtë prej druri tërthor saj. Mjaft të rralla janë banesat me dy ambiente, në katin përdhes dhe po aq në katin e parë. Ngushtësia e truallit, dhe natyra shkëmbore e tij ka bërë që edhe në ato raste kur banesa kishte një oborr të rrethuar me mure guri, përbri faqes ku ishin hyrjet, ai ishte shumë i vogël. Por ka dhe shumë raste kur hyrja për në banesa bëhet drejtpërdrejt nga rruga. Për t’u vërejtur është dhe një praktikë e përhapur gjërësisht në ndërtimin e banesave; ajo e ndërtimit të një banese të dytë, ngjitur me të parën dhe, disa herë edhe të një banese të tretë. Në shumicën e rasteve shtesa e re përbën një banesë më vehte, që për nga kompozimi është e njëjtë me banesën së cilës i përngjitet. Më të rrallë janë rastet kur banesës i shtohen një apo dy ambiente. Kjo dukuri shpjegohet me rritjen e numrit të pjesëtarëve të familjeve, mbasi gjurmët e komunikimit të brëndshëm, ndërmjet tyre, tregojnë se ato i shërbenin një familjeje të vetme. Në grumbullimin e madh të rrënojave të fshatit, u studiuan rrënojat e shtatë kishave të shpërndara në zona të ndryshme të tij. Tri prej tyre ndodhen në pjesën e lartë të kodrës perëndimore, një në pjesën jugore të saj, dy në “ Qafën e Pazarit” dhe kisha e fundit në kodrën më të ulët lindore, të cilat paraqesin më së miri ndërtimet e kësaj gjinie ndërtimesh. Një kishë e rrënuar ndodhej larg fshatit, në anën juglindore të tij. Të gjitha ato janë me planimetri një nefshe e mbuluar me çati druri. Së pakut dy prej tyre, që janë dhe më të mëdhatë, datojnë të shekujve XIII-XV ndërsa të tjerat nuk vendosen lehtë në kohë dhe duhen studime të mëtejshme. Studimi i këtyre kishave për këtë arsye paraqet interes sepse ndonjë prej tyre na jep të dhëna me mjaft vlerë për vendosjen në kohë të fshatit dhe ndërtimeve të tij. Arkitektura e ndërtimeve të fshatit të braktisur të Kamenicës përbën një dëshmi të lashtë në trajtimin arkitektonik- konstuktiv të banesës. Për këtë arsye ajo zë një vënd me rëndësi të veçantë në trashëgiminë arkitektonike të së kaluarës. Ky vendbanim i ruajtur relativisht mirë, dallohet për një unitet të theksuar të ndërtimeve në planin arkitektonik dhe atë konstuktiv. Tipizimi i ndërtimeve ështe një dukuri që shfaqet në mënyrë të spikatur dhe vjen i natyrshëm, kryesisht për shkak të thjeshtësisë së kompozimit të banesave që përfshijnë një numer relativisht të vogël ambientesh, duke pasqyruar kushte ekonomiko- shoqërore relativisht të qëndrueshme dhe duke ruajtur kështu, traditën në mënyrën e jetës, pra, dhe në ndërtimin e banesave. Banesa e Kamenicës është një tip i thjeshtë, ajo është e ndarë funksionalisht në dy kate. Kati përdhes, zakonisht me sipërfaqe më të vogël se ajo e katit të parë, është i pabanuar, ndërsa kati i parë është i banuar. Banesa është mjaft e mbyllur. Muret e fortë prej guri, hapësirat minimale për ndërlidhje me ambientin e jashtëm dhe mungesa, thuajse e plotë e dritareve apo hapësirat e tyre shumë më të vogla, i japin banesës një karakter të theksuar mbrojtës. Banesat e Kamenicës dallohen për një primitivizim të theksuar, ku utilitarizimi është realizuar me mjetet më të thjeshta. Megjithëse nuk ruhet thuajse asnjë gjurmë për të gjykuar mbi arkitekturën e brendshme, kuptohet qartë se ajo ka qenë shumë e thjeshtë. Mungojnë krejtësisht oxhaqet, gjë që tregon se zjarri ndizej në vatër, pra, mungonte dhe tavani. Mungesa e dritareve i bënte të errët ambientet por këtu duhet pasur parasysh dhe fakti se banesa ishte më fort një strehë për fjetje, mbasi të aftët për punë, burra e gra, e kalonin ditën jashtë me punët e shumta të blegtorisë e bujqësisë. Kompozimi volumor i tyre është përcaktuar nga pjerrësia dhe natyra shkëmbore e terrenit. Ekzemplarët e shumtë të banesës me gjysëmkat me një kthinë të banuar, janë një dëshmi bindëse se kjo banesë lindi si një zgjidhje racionale me konditat e një zhvillimi relativisht të ulët të jetës ekonomike të fshatit,që kushtëzonte një minimum prej dy kthinash. Ky numër minimal ambientesh bëri që faktori i terrenit, në rastin tonë jo i rrafshët të merrte një rëndësi thuajse vendimtare në kompozimin volumor të banesës me gjysëmkat. Kjo ngritje jo e plotë e banesës në lartësi, pra, qenija e ambientit të banuar pjesërisht në kat e pjesërisht përdhes, konsiderohet si hapi i parë drejt kalimit nga banesa përdhese në atë me kat. Po të jetë kështu banesës së zonave kodrinore e malore, i takon së pari, të tentojë drejt të banesës me kat, që , padyshim, përbën një hap cilësor në rrugën e gjatë të zhvillimit të banesës. Me shumë interes është sidomos banesa me kullë, e cila për nga kompozimi dhe raporti volumor, ndërmjet kullës dhe banesës e konceptuar si njësi e vetme, përbën një lloj të veçantë në arkitekturën e banesës shqiptare. Bashkërendimi i kullës, në kuptimin e një ndërtimi me tipare të theksuara mbrojtëse me banesën, është një fenomen i njohur në banesën shqiptare. Kështu një lloj “kamerijeja” në banesat gjirokastrite është një kullë me tipare të theksuara të mbrojtjes pasive. Gjithashtu të njohura janë dhe banesat e tipit “kullë”, pra, banesat e fortifikuara, në të cilën mund të përfshihet kulla e Kamenicës. Por ajo që përbën të veçantën në banesën me kullë të Kamenicës është kompozimi i saj dhe raporti sipërfaqësor ndërmjet këtyre dy njësive. Në banesën me kullë, sipërfaqja e dobishme e kullës zë më tepër se gjysmën e sipërfaqes së përgjithshme të ndërtimit. Ky tregues, si dhe kompozimi me lidhje organike funksionale, ndërmjet kullës dhe pjesës tjetër të ndërtimit, tregon se vetë kulla kishte dhe funksione banimi dhe nuk ishte për mbrojtje pasive në rast të ndonjë rreziku. Ne gjëndjen e sotme të njohjes dhe studimit të trashëgimisë në lëmin e banesës popullore, banesat e Kamenicës përbëjnë një dëshmi mjaft të lashtë të kësaj kategorie ndërtimesh në vëndin tonë dhe, janë padyshim, më të vjetrat në lloin e banesave me gjysëmkat, aq të përhapura në vëndin tonë si në qytete dhe në fshatra të ngritur në terrene të pjerrët. Kualiteti i mirë i muraturës dhe në përgjithësi niveli i mirë i ndërtimeve, e bëjnë të qartë se Kamenica është ndërtuar nga mjeshtra profesionistë. Teknika e ndërtimit është mjaft e thjeshtë, mungojnë harqet dhe qemeret. Arkitrarë prej një blloku të vetëm mbulonin hapësirat e dyerve, por nuk përjashtohet dhe përdorimi i drurit. Mungesa e brezave të drurit në banesat, shpjegohet me përdorimin e lidhësit të fortë prej llaçi gëlqereje, lartësisë relativisht të ulët të ndërtimeve dhe terrenit të fortë shkëmbor. Banesat e Kamenicës kanë aftësi në kompozimin e tyre me rrënojat banesave të Mistrës. Por banesat e Mistrës, në dallim nga të Kamenicës, janë mjaft të pasura në elementë të veçantë arkitektonike dhe më të mëdha në përmasa. Me interes është gjithashtu të vërejmë se në Mistra takohet dhe ndërtimi i kullave së bashku me banesën; në disa raste me kompozim të njëjtë me ato të Kamenicës Orlandos i daton ato rreth shekujve XIII-XV. Problem i vështirë për t’u zgjidhur, për mungesë hëpërhë të dhënash, është datimi i ndërtimeve të Kamenicës dhe braktisjes së fshatit. Gjendja e rrënimeve, e cila është thuajse e të njëjtit nivel në të gjithë ndërtimet e tij sugjeron një braktisje kolektive të fshatit që ndodhte shpesh në ato kohë të vështira. Për kohën e braktisjes së fshatit merren në konsideratë: përmëndja në tefterin e rregjistrimit të vitit 1583, dhe mospërmëndja nga Çelebiu në mesin e shek. XVII duke mbetur kështu fillimi i shek. XVII koha më e mundëshme gjatë të cilës të jetë kryer braktisja. Ndërtimet e Kamenicës, siç kemi pëmëndur mund t’i ndajmë kronologjikisht në dy grupe: Në grupin e parë, bëjnë pjesë ndërtimet në “qafën e pazarit” dhe në dy lartësitë pranë tij, në grupin e dytë, më të vonë, ndërtimet në jugperëndim të “qafës së Pazarit”.Për mendimin tonë ato të grupit të parë mund të datohen rreth shek. XIV-XV ndërsa të grupit të dytë rreth XV-XVI. Në grupin e parë përfshihet dhe banesa me kullë ndërsa kulla duhet t’i përkasë shek. XVI-XVII. Studimi sistematik i rrënimeve të kësaj qëndre të banuar në të ardhmen, pa dyshim, do t’i japë një përgjigje më të bazuar e më të saktë shumë çështjeve, sidomos vendosjes në kohë të këtyre ndërtimeve.

KAMENICA 1Burimet nga regjistrat osmane tregojnë që fshati në fund të jetës së tij ka pasur 606 familje dhe ishte një nga qendrat që paguante më shumë taksa nga çdo qyte tjetër i Shqipërisë, kishte 606 familje, ishte një qendër e rëndësishme ekonomike. Kishte pesë lagje. Lagja kryesore e Kamenicës kishte rrënoja që i kemi dokumentuar tashmë. Bëhet fjalë për 110 banesa dhe 12 kisha. Janë zbuluar nja katër punishte vaji, etj”. Ndër zbulimet më të rëndësishme, arkeologu Skënder Muçaj përmend dy nga rezidencat kryesore të fshatit, ku sipas tij njëra është ajo e kishës e tjetra e pronarit administrativ të fshatit. “Nga kërkimet që kemi bërë janë zbuluar se dy prej ndërtesave janë rezidenca shumë të mëdha, me ambiente të shumta, me një sipërfaqe tepër të madhe, me punishte e me prodhime të ndryshme. Kështu që marrin vlera në këtë këndvështrim, sepse fillimet e këtij fshati, ne i kemi që në shekullin e 12-të. Që nga shekulli i XII, e kemi të argumentuar se ka filluar jeta në këtë fshat dhe ka vazhduar të ketë jetë deri në fillimin e shekullit të XVII. Në fillim të shekullit të XVIII këto banesa janë braktisur, sidomos lagja kryesore që është Kamenica është braktisur përfundimisht. Kemi dokumentuar në mënyrë sipërfaqësore edhe një lagje tjetër, ku duken gjurmët e banesave, ku është një kishë e një manastir, etj. Është edhe një lagje tjetër që duhet studiuar, ku ruhen toponimet, e ku ka edhe banesa, që është e paeksploruar deri tani”. Arkeologët e kësaj ekspedite, të zhvilluar vetëm përgjatë tri javëve në muajt korrik-gusht, pohojnë se me këto zbulime Kamenica po merr vlera të veçanta. Është bërë tashmë dokumentimi grafik,duke u ruajtur materialet e para sipërfaqësore që do të studiohen për të parë periudhën se kur ka filluar ky fshat dhe se kurrë ka përfunduar. “Ky fshat hyn në atë periudhë, kur në zonën e Mesdheut fillojnë të ndërtohen fshatra dhe të kthehen në qytete”, rrëfen drejtuesi i ekspeditës, Skënder Muçaj. “Madje ishin hapat e para të ndërtimit që nisin të funksionojnë si qytete deri në shekullin e X dhe të XI. E tillë do të jetë panorama e fshatit që po studiojmë, një zhvillim që ndodhte paralelisht në territorin Mesdheut, edhe me fshatrat e Italisë dhe Greqisë. Duke zbuluar nivelin e jetesës në fshatin e Kamenicës zbulojmë se territori i Shqipërisë në atë kohë ishte në të njëjtin nivel me vendet e tjera.

KAMENICA 3Aty kemi banesa me dy, tre, katër kate. Kemi një urbanistikë të përcaktuar. Në qoftë se shohim sot lagjen e Mangalemit, në Kamenicë është një shumëfish i lagjes së Mangalemit”, thotë Skënder Muçaj, duke rrëfyer edhe se fizionomia e këtij fshati është i së njëjtës periudhe mesjetare, ku arkitektura e kësaj periudhe ka marrë edhe tipare orientale. Mendimi i arkeologut pas këtij zbulimi është që të hapen mjedise të vizitueshme dhe nëse ky fshat do të ruhet i gjithi do të ketë interes të madh për turistët. “Ka ndërtesa në këmbë që vetëm çatitë u mungojnë dhe ruhen me shenja të qarta të 3 dhe 4 kateve nëpër muret e tyre. Janë elementë që datojnë deri në shekullin e XII dhe kanë vijuar deri në shekullin e XVI-XVII. Edhe pse janë braktisur që nga shek. i XVII, muret qëndrojnë ende në këmbë, për arsye të teknikës së përsosur të ndërtimit”, shpjegon arkeologu Muçaj, ndërsa kujton se për zbulime të mëtejshme arkeologjike Shqipërisë i mungojnë arkeologët. “Problemi është se ka pak persona që merren me arkeologji. Ka pak arkeologë. Numri i arkeologëve në Shqipëri është i pamjaftueshëm për ekspeditat arkeKAMENICA 1ologjike, që bëhen me tre-katër veta”, shprehet ai, ndërsa i kthen sytë sërish nga zbulimet në Kamenicë. “Duhet parë se ç’domethënie kanë këto banesa me tre e madje me katër kate, të cilat u kanë rezistuar shekujve. Ne shohim se ato plotësojnë kushtet e topografisë së një qyteti të kohës, edhe pse nuk arriti të kthehet në një qytet plotësisht, por ka shumë elementë të një qyteti si dyqanet e punishtet. Shkaku mund të ketë qenë se ishte larg rrugëve të kalimit dhe në këtë zonë më afër rrugëve të kalimit ishte Delvina. Kështu Kamenica mbeti jashtë vëmendjes si qendër administrative dhe e zhvilluar, ku gjenden të dhëna të rëndësishme për studimin e gjithë mesjetës”. Ndërsa rrëfen për rëndësinë e këtyre zbulimeve arkeologu Skënder Muçaj tërheq vëmendjen se “kërkime duhen bërë edhe në veri me gërmimet si në Dalmaci, Banjë, etj, ku ka të dhëna me interes që fillojnë nga shekulli IX deri në shekullin e XV

A e dini ku ndodhet Qyteza e Kamenicës ?Ja ku … Read More »

Një nga perlat e natyrës shqiptare, “Syri i Kaltër”

Një nga perlat e natyrës shqiptare, tepër e lakmuar prej vizitorëve që rendin nëpër Shqipëri është edhe “Syri i Kaltër”. Por, mund të udhëtosh rehat prej Gjirokastrës apo Sarandës drejt tij dhe “merohesh” siç thonë gjirokastritët për dy kilometra rrugë. Kthesa nga rruga nacionale deri te burimi është një torturë e vërtetë.

Rruga është e paasfaltuar dhe me gropa. Janë bërë shumë  promovime për këtë perlë të natyrës shqiptare si një destinacion turistik, por akoma nuk është menduar për 2 kilometra rrugë të paasfaltuar.

Është një destinacion që vizitohet shumë edhe nga të huajt, por shërbimi në këtë pikë turistike lë për të dëshiruar. Edhe shërbimi ambulant apo i përhershëm atje duhet menaxhuar më mirë. Të kujdesemi që këtë sy të kaltër ta kthejmë në një sy që shikon drejt një turizmi modern.

Syri i Kaltër ndodhet  pranë rrugës midis Sarandës dhe Gjirokastrës. Është një luginë shumë piktoreske ku nga një burim i kaltër del një ujë i kristaltë. Nga thellësia e burimit uji merr ngjyrën e kaltër nën rrezet e diellit dhe hijes së pemëve. Eshtë burimi më i madh dhe më interesant ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë malit të Gjerë.

Syri i Kaltër është shpallur monument natyre. Forma e tij është ovale e ngjashme me formën e një syri, shpërthen nga toka i errët në mes dhe i kaltër anash. Thellësia e tij është tepër e madhe, arrin deri në 45 m thellësi. Ndodhet përballë fshatit Krongj, 45 m nën nivelin e luginës së Drinos dhe është shkarkim kryesor i malit të Gjerë. Është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm.

Burimi i lumit të Bistricës, që përshkon një pjesë të jugut të Shqipërisë, i shëmbëllen vërtet një syri të madh rrumbullak me diametër afro dhjetë metra.

Bebja e syrit, një gropë e thellë pus, nga ku uji ngjitet lart si në një kazan që sapo ka filluar të vlojë ka një ngjyrë blu në të zezë. Ajo vjen e rrethohet pastaj nga pjesa e kaltër e syrit që bëhet e tillë ngaqë thellësia e burimit aty është më e pakët.

Bukuria e kërkuar nga shumë vizitorë, gjendet pikërisht  aty buzë rrugës nacionale Sarandë-Delvinë-Gjirokastër. Nëse udhëtimi ndjek të kundërtën e rrjedhës së Bistricës, arrin në burimin e Syrit të Kaltër, aty ku gjelbërimi shkrihet në ujërat që rrjedhin.

Një tabelë udhëzuese të drejton për nga Syri i Kaltër. Një ndalesë e vogël për të hyrë në parkun që administrohet nga ndërrmarrja pyjore Delvinë, në një rrugë gjarpëruese, paralel me basenin e madh të burimit.

Gjithë uji i ëmbël i burimit rrethohet nga një bimësi e shumëllojshme. Kënga e zogjve, aromat e gjelbërimit dhe fëshfërima e rrepeve mbetet grishëse. Këtu vizitorët e huaj ndalen, fotografojnë, shijojnë ujin e burimeve që rrjedhin, si dhe gatimet në dy lokalet turistike.

Rezultate imazhesh për foto syri i kalterRezultate imazhesh për foto syri i kalterRezultate imazhesh për foto syri i kalterRezultate imazhesh për foto syri i kalterRezultate imazhesh për foto syri i kalter

Një nga perlat e natyrës shqiptare, “Syri i Kaltër” Read More »

Lugina e Drinos,tërheq jo vetëm studiuesit dhe arkeologët por edhe turistët.Ja ku ndodhet …

Në Luginën e Drinos në Gjirokastër gjenden gjurmë të 15 qendrave urbane të lashtësisë, të cilat po tërheqin jo vetëm studiuesit dhe arkeologët por edhe turistët.
Qyteti antik i Antigonesë është njëra prej këtyre qendrave që është bërë pjesë e guidave turistike.

Drejtuesit e Parkut Arkeologjik thonë se po bëjnë përpjekje të shtojnë vizitorët dhe të nxisin bashkëpunimin me komunitetin e zonës.

Së fundmi në drejtim të këtij parku, përfunduan edhe disa rrugë që I lidhin këto qendra arkeologjike me Gjirokastrën dhe rrugën nacionale, raporton atsh.

Lugina e Drinos përbënë kuriozitet dhe për turistët e natyrës apo të aventurës aq sa ata që janë kurioz pas historisë apo arkeologjisë. Kjo luginë dhe lartësitë e saja kodrinore çdo ditë vizitohen nga turistë të huaj dhe vendas.

Lugina e Drinos,tërheq jo vetëm studiuesit dhe arkeologët por edhe turistët.Ja ku ndodhet … Read More »

Kurveleshi dhe monumentet e natyres te kesaj zone destinacione te mirefillta turistike

Krahina e Kurveleshit  është zonë malore, e ndërtuar kryesisht nga shkëmbinj gëlqerorë të kretakut e pjesërisht nga flishi, me reliev të lartë e të ashpër në pjesën më të madhe të tij, që në Kurveleshin e Sipërm merr karakterin e një rrafshnalte shumë të copëtuar nga përrenjtë me shtretër të thellë e gryka të ngushta në trajtë kanionesh  deri 150 m të thella, rrëpirash e humnerash si në Nivicë, Lekdush etj.

Janë të përhapura shumë dukuritë dhe format karstike si : gropa, puse, galeri, shpella si dhe mjaft fusha karstike si ajo e Progonatit, e Golemit etj., ku janë përqendruar edhe qendrat kryesore të banimit dhe tokat bujqësore.

Ujërat e shirave e të borës së shumtë, nëpërmjet hinkave, puseve e të çarave të tjera karstike, depërtojnë shpejt në thellësi të tokës. Kjo bën që, sidomos Kurveleshi i Sipërm, të ketë burime të kufizuara uji.

Më e pasur është zona barishtore me kullota të shumta, ku gjenden shumë bimë mjekësore, mjaltesa e aromatike çaji, salepi, trëndelina etj., duke e bërë Kurveleshin një vend të përshtatshëm për zhvillimin e blegtorisë, sidomos asaj të imët deles e  dhisë.

Kurveleshi i Sipërm, në pikëpamje natyrore, është një kështjellë nga ku, për të dalë në qendër të tij, në Gusmar, mund të futesh vetëm nëpër disa drejtime e kryesisht grykash malore si  Gryka e Bënçës, Gryka e Vërmikut, Gryka e Borshit për në Kuç e Grykë të Shurit deri në Gusmar dhe Gryka e Kaparielit, që të nxjerr në Golem-Gusmar apo edhe Qafa e Kreshtës.

Ky pozicion gjeostrategjik e shkëput disi Kurveleshin, sidomos atë të Sipërm, nga krahinat e tjera dhe ka favorizuar qëndresën e armatosur të kurveleshasve, por edhe ruajtien e vlerave etnokulturore  autoktone.

Sot, kjo zonë është future në projekte të shumta turistike që nisin nga bregdeti I Jonit dhe ngjiten drejt zonës malore.

Turistët e parë eksploratorë të natyrës, historisë dhe aventurës, kanë filluar të udhëtojnë drejt këtyre zonave me bukuri të rrallë mjedisore.

Monumentet e natyrës si maja malesh, shkëmbinj,drurë apo ujvara,janë kthyer në destinacione të mirfillta turistike që shfrytëzohen nga agjenci të shumta të turizmit lëvizës.

Kurveleshi dhe monumentet e natyres te kesaj zone destinacione te mirefillta turistike Read More »

Fshati me bukuri te paperseritshme ne zemer te Alpeve Shqiptare !

Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve Shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar.

Në bukuritë e rralla të vendit tonë, futet dhe Thethi. Ai gjendet në mes të Alpeve me një bukuri mahnitëse, në Veri të Shqipërisë, shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500m mbi nivelin e detit. Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.

Historia e Thethit dhe e Shalës është e lidhur me atë të fisit ilir të Labeatëve. Thethi është vendbanim shumë i hershëm duke u bazuar në të dhënat historike dhe zbulimet arkeologjike. Këtu kanë banuar Oksetët, Bythdosët, Berbati, Vladët, Kelmendas e ndoshta edhe grupe te tjera popullsie të pa njohura. Thethi për herë të parë shfaqet i dokumentuar në Defterin e regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës, në vitin 1485, me emrin Fusha dhe në atë kohë kishte vetëm 7 shtëpi të mëdha. Në shekullin e XVI–të, turqit e izoluan këtë zonë nga Shkodra dhe Malësia e Madhe, duke e bashkuar administrativisht me Sanxhakun e Dukagjinit me qendër në Pejë. Që nga ajo kohë Thethi konsiderohet pjesë e Dukagjinit. Edhe sot, Shala, Shoshi dhe Pulti konsiderohen pjesë e Dukagjinit.

Më pas, në fillim të shekullit të XIX-të, fisi i Ahcajve nga Thethi arriti ta bashkojë këtë zonë me bushatëllinjtë e Shkodrës. I pari që përmend Thethin në hartën e vitit 1668, është Cornelli, ndërsa në vitin 1916-1917 shkon në fshatin Theth at Shtjefën Gjeçovi, i cili shkruan për të dhe e bën të njohur. Viti 1921 e gjen Thethin me shkollë të ndërtuar nga Kryqi i Kuq Amerikan dhe më pas në 1936 hapet rruga automobilistike që shoqërohet një vit më vonë me hapjen e një agjencie turistike.

Me kalimin e viteve që nga viti 1968 e në vazhdim do të hapen disa qendra të tjera turistike dhe do të ndërtohen godina, hotele e shumë objekte të tjera, që do të prisnin vizitorë të shumtë nga e gjithë Shqipëria dhe Evropa Lindore për 35 vjet rresht. Kapaciteti i sezonit veror ishte mesatarisht deri në 600 vetë dhe në dimër mbi 400 vetë, mesatarisht 1 pushues për 1 banor. Në vitin 1976, Thethi shpallet “Park Kombëtar”

Pas ‘90–tës, pati shumë ndryshime dhe sot është një nga pikat turistike më të frekuentuara nga vendasit dhe turistët e huaj. Aty ndodhen hotele dhe bujtina që presin dhe strehojnë vizitorët dhe pushuesit. Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve Shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit, Parku quhet Parku i Paqes, ku të përfshihen territore edhe nga Kosova dhe Mali i Zi.

Emri, midis historisë dhe gojëdhënës

Origjinën e këtij emri mund ta kërkojmë: nga emri “thep”, Thethi ndodhet midis malesh të larta dhe të thepisura. Njerëzit duke punuar, kullotur bagëtinë, gjuajtur e te tjera, shpreheshin: “Në ata thepa kullota bagëtinë”, “Po shkoj në ata thepa për të gjuajtur”.
Thethi rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse.
Fshatrat e kësaj zone shtrihen në të dy anët e lumit nga Okoli deri në Grunas, ku spikasin shtëpitë karakteristike që të gërshetuara me sfondin alpin, të shfaqen si peizazhe të papërsëritshme dhe të papara ndonjëherë. Thethi si park zoologjik natyror quhet i tillë nga banorët dhe nga vizitorët, pasi ka një hapësirë të admirueshme, e cila i ofron kushte të mira jetese disa llojeve të ndryshme të kafshëve të egra, shkruan atsh.

Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.

Një bukuri natyrore, të veçantë, të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zone, Ujëvara e Thethit me lartësi 25 m, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mulliri i Blojes, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar.

Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, burimet e të cilit nxjerrin 2.5 deri në 3 m kub ujë në sekondë, që vë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj, që shërbejnë për ujë të pijshëm, cilësia dhe pastërtia e të cilit është për t’u admiruar. Thethi, turizëm në çdo stinë.

Thethi, fshati me bukuri të papërsëritshme

Fshati me bukuri te paperseritshme ne zemer te Alpeve Shqiptare ! Read More »

Shtëpia simbol i Pavarësisë në Vlorë ! Krenaria e Vlorës

Shtëpia e selisë së Qeverisë së Vlorës të vitit 1912, është buzë detit. Një godinë me dy kate. Ngjyrë në të verdhë. Në pamjen e parë ka ballkonin ku u ngrit flamuri.
Ka dy dritare për çdo katë si dhe dy dyer. Porta hyrëse brenda godinës autoktone, sipër porta e daljes në ballkon. Në katin e dytë, në ballkon është i shpalosur një flamur që rri vazhdimisht aty si tregues domethënës, përcjellës i gjurmës dhe historisë sonë. Në pamjen e majtas gjenden dhe dy dritare të tjera.

Në koridorin hyrës brenda janë disa tablo me foto në përmasa të mëdha të luftëtarëve të pavarësisë kombëtare si dhe nga kryengritjet shqiptare për pavarësi.  Kjo është ndërtesa autoktone ,origjinale e selisë Qeverisë së Ismail Qemalit, sot Muzeu Kombëtar i Pavarësisë. I vetmi në llojin e vetë. Gjithçka origjinale. Por i lënë në harresën e madhe, nga investimet nga qeveritë e 14 viteve më rradhë. Nuk është ndonjë godinë me arkitekturë moderne, por gjithsesi është një ngrehinë e asaj kohe, që ka funksionuar asaj kohe si godinë publike dhe spital me ballkon me fytyrë nga deti. Ka 6 dhoma, 8 pavijone dhe 2 sallone. Ka qenë selia e parë e qeverisë së I.Qemalit. Në 1962 shpallet muze kombëtar i pavarësisë.

Duke u ndalur tek porta e tij në Skelë të Vlorës, një tabelë e vendosur nga bashkia e qytetit dhe një shkrim në xham në ngjyrimin e flamurit. Në të djathtën tënde ke tashmë përpara syve dhe vëmendjes tënde. Muzeu i Pavarësisë Kombëtare është ndërtesa origjinale, i përket asaj kohe, c’ndodhet në Vlorë, qyteti ku flamuri kuq e zi, në ditët e fundit të vjeshtës të vitit 1912,u ngrit ky flamur duke shpallur independencën e shtetit shqiptar.

Muzeu i pavarësisë Kombëtare ka patur vazhdimisht një varësi nga bashkia e qytetit të Vlorës,deri në ditët e fundit të verës së 2006.Me një vendim të Qeverisë dhe me interes të ish-Ministrit të Kulturës Bujar Leskaj,muzeu i Pavarësisë kombëtare merr një status tjetër më të rëndësishëm duke shprehur rëndësin e tij. Qeveria i ka dhënë statusin e favorizuar:” Muze kombëtar”, administrohet në vazhdimësi nga institucioni më i ngritur i kulturës shqiptare, Ministria e Kulturës. Kanë përfunduar punimet restauruese të festës .Një përurim bustesh.10 bustet e qeverise se I.Qemalit, janë vendosur ne sheshin përpara godines dhe pritet përurimi i tyre ne ditën e ngritjes se flamurit. Bustet e qeverise se plakut te Vlores jane vendosur për here te pare dhe janë punime ne bronz.

Shtëpia simbol i Pavarësisë në Vlorë ! Krenaria e Vlorës Read More »

Vlorajt dhe Kanina !Një histori e lashtë

FATOS BAXHAKU

Pas vdekjes së Ismail Qemalit askush nuk e vuri në dyshim se ai duhej të varrosej në Kaninë. Ishte e vërtetë, ai vinte nga familja Vloraj, por deri në fillim të shekullit XX, familja e vjetër fisnike, që ishte zhvendosur ndërkohë poshtë në qytet, e konsideronte si “shtëpinë e vjetër” Kaninën, kështjellën e vjetër që vigjilon mbi Gjirin e Vlorës.

Një histori e lashtë

Disa gurë të palatuar që u gjetën dikur në themelet e një kulle në kala kanë shtyrë studiuesit të mendojnë se Kanina ka qenë e banuar që në kohë antike, porse emri i saj nuk del gjëkundi.

Në këtë zonë përmendet Aulona, Orikumi dhe Amantia si qytete antike. Kanina përmendet për herë të parë në shekullin X.

Ajo përmendet në disa dekrete perandorake bizantine, madje edhe në eposin e njohur francez të Rolandit. Kështjella ishte e vogël, në qendër të saj ishte ndërtuar edhe një kishë që i qe kushtuar Shën Mërisë. Me kalimin e kohës Kanina u bë qendra e një zone të gjerë që zbriste deri poshtë në Aulonën e vjetër. E mbrojtur nga sulmet e piratëve dhe lakmitarëve, kështjella u jepte siguri banorëve të saj dhe të zonave përreth. Në 1018 Kanina ishte seli e një arkimandriti dhe bënte pjesë ende në ipeshkëvinë e Orikumit. Në prill të 1081-it normanët, e komanduar nga Boemundi ia hoqën nga zotërimi perandorit Aleks I. Që këtej ata u shtrinë deri në Sarandë, Butrint dhe në zonën e Lumit të Vlorës. Vetë prijësi norman, Robert Guiskardi, u mor me fortifikimin e kalasë dhe me ndërtime të tjera shtesë. Sundimi norman nuk zgjati shumë në anët e Kaninës. Shkruan Eqrem bej Vlora: “Si valët që përthyhen mbi buzëdet, që venë e vijnë, ashtu erdhi dhe iku ky pushtim i huaj”.

Që nga 1204 Kanina, nisi të bëjë pjesë në Despotatin e Epirit. Andej nga mesi i shekullit të XIII vajza e despotit të Epirit, Elena, u martua me Mafred Hohenshtaufen, Mbret i Napolit. Kanina ishte pjesë e pajës e ndaj në kala mbërriti një kapiten nga Napoli, që asokohe quhej “castellan”. Ky “castellan” quhej Jacques de Baligny. Kur Karli Anzhi zuri vendin e Manfredit në oborrin mbretëror të Napolit ky duhej të dorëzonte çelësat e kështjellës, porse Jacques në Kaninë na paska qëlluar kokëfortë. Kështu që fisniku nga larg qëndroi edhe për tre vjet të tjera në kështjellë. Shkruan Eqrem bej Vlora: “Në kalanë e Kaninës, pas Jaques de Baligny u emëruan edhe shtatë kastelanë të tjerë që qeverisën vendin në namë të anxhovinëve që në vitin 1284. Mbas kësaj date punët e mbretit të Napolit në Vlorë e në rrethin e saj filluan të keqësohen edhe nuk sundoi dot më zyrtarisht ndonjë kastelan në Kaninë”.

Kur perandori bizantin, Androniku II (1296-1341) ribashkoi Despotatin e Epirit me perandorinë, Kanina iu kthye sundimit bizantin. Ndërkohë, shkruhet se vendi nuk ishte më ai fshati i harruar i dikurshëm. Kishte një popullsi prej 7000 shtëpish dhe gjashtë apo shtatë kisha. Në 1345-n serbët e Car Stefan Dushanit pushtuan Vlorën dhe Kaninën. Ky sundim do të vazhdonte, me ndonjë ndërprerje deri në 19 qershor të 1417-s. Në këtë ditë një trupë e vogël osmane, e komanduar nga Hamza bej Evrenozi hyri në kështjellën e vjetër. Dy ditë më parë kishte pushtuar Vlorën. Kur turqit hynë në kështjellë e gjetën atë të braktisur. Banorët ishin larguar së bashkë me Rugjinën, sundimtaren e fundit vendase. Gjatë gjithë periudhës deri në pushtimin e plotë të Shqipërisë Kanina u shndërrua në një bazë të rëndësishme ushtarake osmane, megjithëse edhe këtu sundimi kalonte herë në dorë të osmanëve e herë në dorë të kryengritësve vendas. Pikërisht në Kaninë ishte qendra e sanxhakut të Vlorës. Në 1479 u emërua si sanxhakbej një nga figurat më të njohura të mesjetës osmane: Xhedik Ahmed Pasha. Ky i nisi nga Kanina ekspeditat e tij drejt brigjeve përballë që shkuan që nga Otranto e deri në Leçe. Kur Mehmeti II, i quajturi “Fitimtari”, dha shpirt atëherë vendin e tij e zuri i biri, Bajaziti II. Ky kishte prej kohësh armiqësi me Xhedik Ahmet pashën. Në 1482 pashai i famshëm dhe i biri u vranë në afërsi të Durrësit. Sipas Eqrem bej Vlorës varret e të dyve deri në 1939 ishin ende në një varrezë të vjetër në Durrës. Në 1485 Bajaziti I emëroi si sundimtar në Vlorë e Kaninë dhëndrin e tij, Gjegju Sinan Pashën, i cili ishte njëkohësisht edhe admiral i flotës turke në Adriatik, dhe këtu nis të hyjë në lojë familja e Vlorajve, prej nga doli “plaku i Pavarësisë”, Ismail Qemali.

Nga legjenda te e vërteta

Një gjenealogji të familjes Vlora ka lënë pas vetë Eqrem beu, pinjoll i shquar i saj, në kujtimet e tij të botuara së pari në gjermanisht. Eqrem beu na transmeton një legjendë të përhapur në shekullin XIX sipas së cilës i pari i familjes Vlora vinte nga Kanina. Ai ishte një djalë i krishterë, i cili u shndërrua në mysliman në kohën kur turqit pushtuan Kaninën. Sipas legjendës, djali mori emrin Mehmet bin Abdullah.

Eqrem beu vë buzën në gaz me ironi kur kujton se të parët e tij i mëshonin fort versionit të prejardhjes anadollake nga Gjegju Sinan Pasha. “Kështu e kërkonte asokohe politika dhe moda – shkruan ai – sepse nuk ishte aspak e hijshme që një ‘derë’, e cila për katër shekuj me radhë kishte qenë mëkëmbëse e sulltanit në vend, ta ketë prejardhjen prej një të krishteri të rëndomtë e të panjohur nga malet e Labërisë”.

Prejardhja në të cilën vetë Eqrem beu duket se beson vërtet është kjo: “Burime turke tregojnë se në vitin 1422, korsarë dalmatinë kapën në Adriatik një anije, me të cilën po udhëtonin për të marrë pjesë në një ceremoni martese në Italinë e Jugut, një djalosh me të motrën. Këta të rinj u nxorën në tregun e Vlorës ku u blenë prej kështjellarit (dizdarit) të Kaninës, Mehmet bin Abdullah, i cili i ktheu në fenë islame dhe u dha emrat Ahmet dhe Aishe. Kështjellari, Ahmetin e ri ia çoi si dhuratë vezirit të madh, Isak Pashës (që kishte si kumbar shqiptarin Pasha Jijit), ndërsa vajzën e mori vetë për grua. Nga kjo martesë duhet të ketë lindur Gegju Sinan Pasha. Fakti që në 1501 ai ndërtoi një teqe (bektashiane) dhe për vete një seli në kala (1498), e cila ka qenë në këmbë deri para 50 vjetësh, mund të ishte një dëshmi se ai kishte lindur në Kaninë. Sinan Pasha mbeti i vrarë në një betejë  detare midis flotës turke dhe një flote armike (mbase napoletane apo veneciane), që kishte depërtuar në Gjirin e Vlorës më 26 prill 1503 dhe u varros në një tyrbe të vogël në oborrin e teqesë së ndërtuar prej atij vetë. Pas vdekjes së tij sanxhakbej u emërua i biri, Mehmet beu, por në vitin 1515, me urdhër të vezirit të madh, Ajaz Pashës (edhe ky vlonjat), shkarkohet ‘për paaftësi’. Pas tij, si mëkëmbës i sulltanit, erdhi i vëllai, Hysen beu. Por edhe ky ra gjatë rrethimit të Rodosit (1522). Me lutjen e popullsisë, si sanxhakbej (1524) u emërua përsëri Mehmet beu, që jetonte në çifligun e tij të vogël në Qishbardhë. Pas vdekjes së Mehmetit (ai u varros në anën e djathtë, në tyrben e të atit) erdhi i biri, Kara Sinan Pasha (1538), për shpirtmadhësinë e të cilit shkruajnë aq shumë kronikat e kohës. Pas Kara Sinan pashës deri në 1828 (sanxhakbej Sulejman pasha) ne gjejmë pothuaj pa ndërprerje 18 anëtarë të kësaj shtëpie në ofiqin e mëkëmbësit të Sulltanit në Vlorë…”.

(Për këtë shkrim u cituan të dhëna nga: Eqrem bej Vlora, Kujtime, Vëllimi II, SHLK, Tiranë 2001; Eqrem bej Vlora, Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera, Koçi, Tiranë 2004).

 

Vlorajt dhe Kanina !Një histori e lashtë Read More »

VLORA – QYTETI I DY DETEVE ! ATJE KU SHKRIHET KALTËRSIA E DETIT ME GJELBËRIMIN E PËRHERSHËM.

Vlora është një nga qytetet më të bukur të Shqipërisë dhe ka me se të krenohet. E quajtur si “Qyteti i flamurit’’, “qyteti me dy dete” apo “porti jugor i Adriatikut’’ ajo konsiderohet si perla e turizmit shqiptar, me brigjet e saj, Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, Lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit. Vlora zë një vend të merituar në historinë e Shqipërisë duke gëzuar edhe statusin e qytetit hero.

Qyteti ku u martua Skëndërbeu, ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë, arenë e luftërave për liri dhe qëndresës shqiptare, Vlora ka edhe një status tjetër si atelje natyrore e piktorëve, vatër e artistëve dhe urë lidhëse e Shqipërisë me botën.  Të vizitosh Vlorën, do të thotë t’i japësh vetes privilegjin e të shijuarit ndjesinë më të këndshme e më mbresëlënëse  të shijes së mirë, humorit gjithnjë në nivele të larta dhe natyrës së mrekullueshme. Duke zgjedhur Vlorën për pushimet tuaja, natyrisht që do të bëni një zgjedhje inteligjente por duhet të keni parasysh se Vlora është një qytet magjik që ta bën të vështirë kthimin. E ashpër në dukje, me shkrepa e natyrë të sertë mes detit të trazuar, ajo ka njëkohësisht një zemër të butë, njerëz të dlirë si dielli, ushqim të shëndetshëm e karakteristik e mbi të gjitha një lloj sugjestioni të pashpjegueshëm që të bën për vete me përmbajtjen plot shije. Natyra e rrëmbyer e lebërve, është njëkohësisht e nxehtë por edhe mikpritëse, plot dinamizëm e dëshirë për jetën, karakteristika këto me efekte ngjitëse që do t’ju rrëmbejnë edhe juve për të shijuar gjallërisht ditët plot jetë të verës vlonjate. Por mos harroni se Vlora nuk është e bukur vetëm në verë. Përveç atraksioneve të shumta kulturore dhe historike, ju mund të vizitoni në çdo stinë të vitit detin e saj të mrekullueshëm, panoramat e të cilit krijojnë momente të papërsëritshme kënaqësie

Vlora ndodhet në J-P të Shqipërisë përgjatë bregdetit të ulët të Adriatikut dhe atij shkëmbor të Jonit. Me një sipërfaqe prej 1609 km2 dhe një popullsi prej 200 000 banorësh, rrethi i Vlorës kufizohet në veri me Fierin, në lindje me Mallakastrën dhe Tepelenën, ndërsa në jug me Sarandën dhe Gjirokastrën. Në perëndim ujërat e ngrohta të Adriatikut dhe Jonit lagin një vijë të larmishme  bregdetare, ku mund të ndeshësh laguna, gjire, ishuj, gadishuj dhe plazhe të shumtë. Vlora është rrethi ku alternohen midis tyre të gjitha format e relievit, si ai i ulët fushor, kodrinor dhe malor. Relievi përbëhet nga fusha e Myzeqesë së Vlorës , luginat e Dukatit dhe Shushicës, disa masive kodrinore, malësia e Kurveleshit dhe vargmalet Shashicë-Lungarë-Cikë (2045 m), si dhe Gribë-Çipin-Pleshevicë. Hidrografia përfaqsohet nga rrjedha eposhtme e lumit Vjosa, lumi i Vlorës apo i Shushicës, përroi i Dukatit, etj. Pjesë të tjera të hidrografisë së pasur janë edhe dy liqenet detare të Nartës dhe Orikumit, si dhe një sërë përrenjsh malorë.

Klima është tipike mesdhetare me verë të nxehtë dhe të thatë dhe dimër të butë dhe të lagësht, ku gërshetohen ndikimi zbutës i detit në perëndim dhe ai i relievit malor në lindje.Temperaturat mesatare arrijnë në 16o, ku ajo e korrikut dhe janarit kapin shifrat 24 dhe 6 gradë celcius. Klima regjistron 2000 orë rrezatim diellor në vit, ndërsa reshjet bien përgjithësisht në formë shiu dhe pjesërisht në formë dëbore në malet e larta. Sasia maksimale e tyre arrin në shpatet e maleve të larta shifrën 2405 mm.

Qyteti i Vlorës është qendra administrative e Qarkut. Ai shtrihet buzë gjirit detar me të njëjtin emër duke nisur nga pusi i Mezinit në veri dhe deri në Ujin e Ftohtë në jug. Githsej me një sipërfaqe prej 30 km 2 qyteti ka një gjatësi veri-jug prej 19 km dhe gjerësi lindje-perëndim prej 16 km.

Popullsia. Dialekti tipik, kultura dhe traditat i dallojnë lehtësisht vlonjatët, të cilët shquhen dhe për temperamentin e zjarrtë dhe humorin e hollë dhe plot shije. Qyteti së bashku me rrethinat ka një popullsi prej 200 000 banorësh shumica e së cilës banon në katër bashkitë e këtij rrethi si Vlora, Orikumi, Selenica dhe Himara. Vlora është një nga 12 qarqet e Republikës së Shqipërisë dhe përfshin rrethet e Vlorës, Sarandës dhe Delvinës. Vetë Vlora përbëhet nga katër bashki, dhe 96 fshatra të përqendruara në nëntë komuna. Njerëzit janë mikpritës, komunikues, të ngrohtë dhe me një botë të pastër shpirtërore. Ndoshta natyra ka krijuar si askund tjetër një ekuilibër midis malit, detit dhe gjelbërimit, duke ndikuar drejtëpërdrejt tek karakteri i njerëzve. Mjedisi gjeografik dhe shoqëria e bëjnë Vlorën një vend të dashur që i tërheq si me magji vizitorët dhe turistët. Nga ky komunitet kanë dalë një sërë personalitetesh dhe njerëzish të shquar, ku mund të përmendim emrat e Ismail Qemalit, Jani Mingës, Eqrem Vlorës, Ali Asllanit, Petro Markos, Drita Pelingut, Shaban Demirajt, Fatos Arapit, Liza Laskës, Bardhosh Gaçes, Mexhit Haxhiut, etj

Transorti  Duke qenë porti i dytë i vendit, Vlora gjendet 72 km larg nga Otrantoja (Itali) dhe 123 km nga ishulli i Korfuzit (Greqi). Transporti detar funksionon rregullisht në linjat me portet e Barit dhe Brindizit. Në funksion të transportit të mallrave dhe udhëtarëve në këtë port përpunohen 3 milion ton mallra në vit. Gjithashtu Vlora komunikon me Tiranën (135km) dhe Durrësin (100) edhe nëpërmjet autostradës dhë arteries së Hekurudhës Shqiptare. Në linjat e brendshme kryhet nëpërmjet mjeteve autobus, taksi dhe furgon. Itinerarët turistikë më të rëndësishëm janë Vlorë-Kaninë, Vlorë-Llogora-Himarë dhe Vlorë-Amantia dhe Vlorë-Zvërnec. Shërbimi postar bëhet nga Posta Shqiptare e cila kryen disa shërbime, ndërsa kompanitë e njohura ofrojnë shërbimet postare DHL, Visa Card, Money Gram, Western Union,etj.

Kultura dhe Trashëgimnia.  Vlora njihet si një nga qytetet që ka dhënë kontribut të shquar në kulturën kombëtare. Janë të shumta fushat nga ku ky qytet ka nxjerrë personalitete. Këtu u hap muzeu i parë arkeologjik në vitin 1936, në të cilin u ekspozuan objektet e zbuluara në Apoloni nga arkeologu francez Leon Rei. Gjithashtu Vlora është quajtur edhe qyteti i statujave dhe monumenteve ku mund të përmendim atë të Luftëtarit Kombëtar, Avni Rustemit, Monumentit të Pavarësisë, Marigo Poisos, Jani Mingës, etj. Sot Vlora është qytet universitar dhe janë të shumta institucionet arsimore, kulturore dhe sportive si Biblioteka Shevqet Musaraj, Teatri Petro Marko, Gjimnazi Ali Demi, muzetë e shumtë, si ai historik, etnografik apo ai I pavarësisë. Çdo vit këtu zhvillohen aktivitete të rëndësishme kombëtare si Festivalii i Polifonisë Mesdhetare, Panairi i librit, Festivali Kombëtar i Teatrove të Estradave. Dy nga vlerat e trashëgimnisë kulturore që mbart rajoni i Vlorës janë edhe Polifonia Labe, e vlerësuar si pasuri e UNESKOS, apo këngët qytetare vlonjate. Vlora për vlerat e shumta që mbart dhe falë vendodhjes gjeografike vizitohet nga turistët gjatë gjith vitit, duke ofruar disa lloje turizmi si atë kulturor, historik, malor, sportive, bregdetar, etj.

Historia. Në periudhën e antikitetit qyteti i Vlorës njihej me emrin Aulona dhe shtrihej atje ku sot ndodhet vendi i quajtur Treport. Në një pozicion të favorshëm gjeografik, Aulona u përfshi shpesh herë në territorin e shtetit Ilir, Epirot dhe të Maqedonisë. Pas vitit 229 pk, kur Roma theu mbretëreshën Ilire Teutën, Aulona u bë pjesë e këtij shteti. Më pas ajo dhe rajona përreth përmendet si ‘’teatër’’ i luftërave civile të zhvilluara midis Çezarit dhe Pompeut të madh, ku qytetet e Thronit (Kaninës), Amantias dhe Orikut, u bënë baza të Çezarit gjatë operacioneve të tij ushtarake. Gjeografi nga Aleksandria, Klaud Ptolemeu, e përmend Aulonën në shekullin e II-të, ku thekson edhe koordinatat e saj gjeografike prej 40o45′. Peshkopata e Vlorës u krijua gjatë shekullit të II-të dhe këtu ushtroi aktivitetin e tij Shën Lefteri, një nga shënjtorët e Kishës. Rëndësia e Aulonës u rrit sidomos në fund të shekullit të V-të, kur pas braktisjes së Apolonisë ajo doli si piknisje rrugës Egnatia. Ndërkohë që gjatë mesjetës së hershme qyteti zhvendoset nga Treporti duke u vendosur atje ku është sot duke vijuar jetën qytetare pa ndërprerje. Burimet historike e përmendin në shekullin e IX përsëri me emrin Aulona si një ndër qytetet e Themës bizantine të Durrësit . Do të jenë fushatat e Dinastisë normane Altavila ku ky rajon do të jetë përsëri ‘’teatër’’ i përplasjeve midis Bizantit dhe normanëve. Më pas pushtimet normane do të pasohen nga ato të Despotatit të Epirit, princi Mihali i II-të, ja dha Vlorën dhe rajonin e saj si prikë të martesës të së bijës me Manfredin mbretin e Napolit në vitin 1258. Në vitin 1345 Vlora do të pushtohet nga Perandoria Serbe e Stefan Dushanit. Me vdekjen e Stefan Dushanit në vitin 1455 do të krijohet Despotati i Vlorës. Në vitin 1468 në prani të despotit Aleksandër të Vlorës nënshkruhet dokumenti me Republikën e Raguzës, në të cilin përmendet edhe i pari i familjes së Kastriotëve si kështjellar i Kaninës. Më pas Vlora bie në duart e Muzakajve, Balshajve dhe së fundi Arianitëve. Në kalanë e Vlorës, në Kaninë u zhvillua edhe dasma e Donikës, vajzës së princit Gjergj Arianiti, me Heroin tonë kombëtar Skëndërbeun. Turqit e pushtuan Vlorën në 1417 duke e zotëruar deri në vitin 1912. Gjatë shekujve të mëvonshëm Vlora u bë bazë e marinës turke për pushtimin e Italisë. Në 28 Nëntor 1912 nën drejtimin e Ismail Qemalit Kuvendi Kombëtar shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe Vlora u bë në vitet 1912-1914 kryeqyteti i parë i Shtetit Shqiptar. Gjatë Luftës së Parë Botërore Vlora u pushtua nga Italia. Gjatë vitit 1920 lufta e Vlorës si luftë popullore i detyroi Italianët të tërhiqeshin nga ky rajon.   Gjatë Luftës së Dytë Botërore krahina e Vlorës shërbeu si baza kryesore e rezistencës antifashiste, ndërsa gjatë viteve të luftës së ftohtë regjimi komunist e ktheu Vlorën në bazën më të madhe ushtarake detare të traktatit të Varshavës në detin Mesdhe.

Për tu vizituar.  Kurora e Uliinjve ndodhen në hyrje të Vlorës në kodrat e Bestrovës, përgjatë rrugës së vjetër automobilistike. Janë me dhjetra ullinj shekullorë, të cilët të japin një kënaqësi mbresëlënëse të kësaj mrekullie njerëzore. Midis tyre gjejmë edhe llojet e tipit kalinjot dhe vlonjat të përmendur për frutat dhe vajin.

Sheshi i Flamurit përbëhet nga disa objekte kulturore. Në qëndër ndodhet Monumenti i Pavarsisë, simbol i qëndresës kombëtare. I ndërtuar në vitin 1972 ai është 17 m i lartë dhe konsiderohet si një nga kryeveprat e skulpturës monumentale. Midis gjashtë figurave të bronzta spikat ajo e Ismail Qemalit, arkitektit të Pavarësisë Kombëtare. Në të majtë të monumentit ndodhet shtiza e flamurit, një piedestal në formë kolone me faqe të dekoruara nga data e pavarësisë dhe shqiponja kombëtare. Ajo u ndërtua në vitin 1937 nën kujdesin e kryetarit të atëhershëm të bashkisë, poetit lirik Ali Asllani. Pas shtizës së flamurit, disa metra brenda lulishtes ndodhet varri i Ismail Qemalit.

Varri është ndërtuar në vitin 1932, kur eshtrat e tij u zhvendosën këtu nga Kanina. Sipër tij qëndron skulptura e Luftëtarit Kombëtar, vepër e skulptorit Odise Paskali.

Në këndin perëndimor të Sheshit të Flamurit në vitin 1988 arkeologët nxorën në dritë një pjesë të murit të kështjellës romake të qytetis të Aulonës. Nga gërmimi doli një trakt i gjatë muri prej 40 m, i cili mund të shihet nga vizitorët edhe sot.

Xhamia e Muradies ndodhet në qendër të qytetit, në fillim të zonës së vjetër historike të qytetit. Është ndërtuar në vitin 1537 nga arkitekt Sinani, i cili shoqëronte në Vlorë sulltan Sulejman Madhështorin. E ndërtuar me një teknikë të përzier ku gurët e bardhë të ndërtesës janë kombinuar me tulla të kuqe dhe llaç. Xhamia është e paisur me kupolë të mbuluar me tjegulla të kuqe e cila bën kontrast me minaren të ndërtuar krejtësisht me gurë të bardhë.

Kuz-Babai është në Vlorë kodra më e lartë e cila bie thikë në pjesën lindore të qytetit. Ndërkohë që në këto vite të fundit është rindërtuar edhe tyrbja–mauzoleum e Kuzum babait, një kleriku të mbështjellë nga legjenda, arkitektura monumentale e së cilës ku mbizotëron ngjyra jeshile, është një nga simbolet e sektit bektashi.

Muzeu i Pavarësisë ndodhet në Skelë përballë portit detar. Përbëhet nga një ndërtesë e thjeshtë me disa dhoma, e cila ka shërbyer si seli e Qeverisë Shqiptare në vitet 1912-1914. Midis sallave dhe relikeve në katin e dytë ndodhet edhe studjoja e kryeministrit Ismail Qemali.

Stadiumi Flamurtari bie lehtë në sy nga ngjyrat kombëtare kuq e zi. Me një kapacitet prej 15 000 vendesh ai është i njohur për triumfet e Flamurtarit në vitet 1980 dhe ndeshjeve të paharruara në përballjet historike me Barcelonën.

Universiteti teknologjik Ismail Qemali u themelua në 10 tetor 1994. Përbëhet nga disa fakultete nga të cilët mund të veçojmë atë të lundrimit detar.

Të tjera objekte me vlera për tu vizituar në qytet janë edhe rruga historie Justin Gotard, ku kaluan delegatët e kuvendit të pavarësisë; shtëpia e familjes Vlora, e cila sundoipër 400 vjet qytetin; rruga e Hebrenjve, Kulla e Sahatit, Bashkia, e ndërtuar në stilin neoklasik, Teatri Petro Marko, etj.

Kalaja e Kaninës ndodhet në pjesën J-L të qytetit të Vlorës në një kodër të lartë 380 m. Ka patur funksion mbrojtës për bashkësinë e ilirëve amantë qysh nga periudha antike. Arkeologët kanë specifikuar mure të periudhave të ndryshme historike që I përkasin stileve dhe teknikave të ndyshme. Sipërfaqja e konsiderushme prej 3.5 ha tregon për arsenalin ushtarak dhe njerëzit që mund të strehonte. Nga bedenat e saj kontrollohej gjiri i Vlorës, fusha bregdetare dhe lugina e poshtme e Shushicës. Janë të shumta historitë e mbështjella në formë legjendash për këtë kështjellë, të cilat bëjnë fjalë për gruan vrastare të kështjellarit, për princeshën Rugina, apo për martesën e Donikës me Skëndërbeun.

Gjiri i Vlorës. Gjiri i Vlorës është gjiri më i madh i bregdetit shqiptar, që nis që nga Kepi i Pllakës në Treport dhe vazhdon drejt jugut, duke krijuar formën e një krahu të hapur deri në gjirin e Shën Janit në veri të Karaburunit. Në hyrje të tij gjendet ishulli i Sazanit me një largësi prej 17 km nga qyteti i Vlorës. Gjiri i Vlorës ka një gjatësi prej 19 km, gjerësi prej 9.5 km dhe thellësi 54 m. Pjesa perëndimore e tij që shtrihet përgjatë gadishullit të Karaburunit përbëhet nga një bregdet shkëmbor ndërsa pjesa lindore përbëhet nga një bregdet i ulët ranor, I pasur me disa plazhe. Ujërat e Adriatikut që përbëjnë këtë gji arrijnë temperatura që variojnë nga 130 c në stinën e ftohtë të dimrit e deri në 250 C në muajt e nxehtë të verës, të cilat mundësojnë banjat detare dhe peshkimin pothuajse gjatë gjith vitit. Relievi përreth i mbart të gjitha format, duke nisur nga kurrizi i kodrave të Treportit, pasqyra e Lagunës së Nartës, Kodrat e Zvërnecit, gropa e Vlorës, kodrat rreth saj, kalaja e Kaninës, mali i Shashicës, mali i Lungarës, Llogoraja, për të vazhduar më tej me Rrëzën e Kanalit, luginën e Dukatit, Karaburunin duke e mbyllur unazën në Sazan, pikën më perëndimore të Shqipërisë. Gjiri i Vlorës është përdorur dhe vazhdon të përdoret edhe sot si një vend me mundësi të shkëlqyera për strehimin e anijeve të tipeve të ndryshme. Në të funksionojnë gjithsej gjashtë porte, të gjithë specifik për nga përdorimi. Porti i Vlorës është porti më i madh i Shqipërisë Jugore dhe i shërben të gjithë rajonit përreth, në transportin e mallrave dhe udhëtarëve. Për nga karakteristikat ai është një port i hapur i përbërë nga dy mole kryesore, ku mbahen mjetet lundruese si: anije transporti dhe tragete. Nuk ka rryma të forta dhe zbatica që mund të ndikojnë në navigimin e mjeteve, prandaj ankorimi mund të bëhet edhe pranë tij jashtë sistemit të moleve. Në veri-perëndim të këtij porti ndodhet porti i Zvërnecit, i cili shërben për ankorimin e anijeve të flotës të peshkimit. Ndërsa në Jug të qytetit të Vlorës ndodhet porti i vogël i Radhimës, i cili u shërben anijeve të vogla të transportit. Në pjesën më Jugore të gjirit, atje ku fillon gadishulli i Karaburunit ndodhet porti ushtarak i Pasha Limanit. I quajtur me këtë emër nga Marina turke në shekullin e XVI, ai u bë një bazë e madhe ushtarake e Traktatit të Varshavës në vitet e luftës së ftohtë. Aty sovjetikët investuan miliona dollarë dhe për një periudhë disa vjeçare ajo u bë gati për ti shërbyer një skuadre detare të përbërë nga 12 nëndetëse dhe dhjetra anije të tjera ndihmëse. Sot ky port në kuadrin e marrëdhënieve të partneritetit me Naton është marrë nën kujdesin e marinës turke. Edhe Porti që ndodhet në Ishullin e Sazanit është përdorur për qëllime ushtarake. Sot ai përdoret nga Guardia di Finanza Italiane, për të patrulluar brigjet shqiptare, duke parandaluar trafiqet e paligjshme. Në Orikum ndodhet porti më i ri i gjirit të Vlorës i cili është i vetmi port Turistik i Jahteve në Shqipëri, quajtur Marina e Orikumit.

Karaburuni  Karaburuni është gadishulli më i madh që ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë, i cili ndodhet midis detit Adriatik( gjirit të Vlorës) dhe detit Jon . Me një gjatësi prej 16 km, Karaburuni shërben si kufiri ndarës midis midis këtyre dy deteve. Peisazhi i çuditshëm i tij ofron forma nga më të ndryshmet si gjire të vegjël, pllaja, shpella karstike, kepe, plazhe, shpate të zhveshur, maja malesh, etj. Midis tyre mund të përmendim gjiret me emra të çuditshëm si ai i Ariut, Dafinës, Raguzës së parë, Raguzës së dytë, Ravenës, Shën Janit, Shën Vasilit,etj, Maja më e lartë e Karaburunit është Koreta me lartësi 826m, kurse fare pranë saj ndodhet pllaja karstike e Ravenës me lartësi që varion nga 200-300 m, në lartësinë e të cilës Sovietikët mendonin të instalonin raketat e tyre në fund të viteve 1950. Përhapja e dukurisë gjeografike të Karstit ka bërë që në gadishull të zhvillohet dukuria e shpellave. Janë gjithsej 20 të tilla përgjatë gjithë vijës bregdetare, nga ku mund të përmendim shpellën e Haxhi Aliut, atë të Dukë Gjonit, shpellën pranë gjirit të Ariut, Shpellën e pëllumbave, shpellën e Inglizit, shpellën e thellë, etj. Por shpella më e madhe dhe më interesante e Karaburunit është ajo e Haxhi Aliut, e cila ka formën e një tuneli me lartësi 60 m dhe gjatësi 40 m. Sipas legjendës shpella dikur është përdorur nga pirati i njohur i shekullit të XVII-të Haxhi Aliu. Këtu ai strehohej së bashku me anijen dhe njerëzit e tij. Pozicioni i favorshëm i Karaburunit i ofronte atij mundësinë e sulmit ndaj anijeve napolitane, turke, veneciane, apo dalmate. Në Karaburun midis gjireve të shumtë të bie në sy edhe ai i Gramatës. Gramata në greqisht do të thotë “shkrime”. Me këtë emër njihet ky gji i vogël qe ndodhet në pjesën perëndimore të Karaburunit. Qysh në periudhën antike këtu ankoroheshin anijet, të cilat dallgët e detit mund ti përplasnin në shkëmbinjtë e gadishullit. Të strehuar këtu udhëtarë të shumtë nga vende të ndryshme të mesdheut kanë lënë shënimet e tyre, të cilat i kanë gdhendur në faqet e shkëmbinjve, që janë përdorur edhe si gurore Mbishkrimet e para ju kushtohen perëndive dhe janë lutje për shpëtim nga furtuna në det. Ndërsa në të tjera mbishkrime përmendet figura historike të Romës si Pompeu, Dolabela, Mark Antoni ose Konsulli Tit Statit Tauri. Ndërkohë që interes paraqet edhe një mbishkrim i vitit 1396, i cili tregon se gjatë udhëtimit të tij për në Francë u strehua nga stuhia në Gramata, vetë Perandori Bizantin Joani i V-të Paleolog. Mbishkrimet janë bërë kryesisht në gjuhën antike greke, latine, dhe greqishten Bizantine. Shpesh herë ato janë të shoqëruara edhe me vizatime të ndryshme dhe simbole nga më të larmishmet.

Oriku Atje ku Karaburuni bashkohet me luginën e Dukatit ndodhen rrënojat e Orikut antik, i cili lindi si koloni e themeluar nga grekët e Eubesë në shekullin e VI.pk. Një nga autorët antikë, Plini, thotë se Oriku u themelua nga Kolkasit. I ndërtuar sipas stilit të Polisit grek ai mbështetej në shpinë të kodrës së Paleokastrës me pamje të gjerë nga gjiri i Vlorës. Gërmimet arkeologjike që janë kryer dikur kanë nxjerrë në dritë midis objekteve të tjera edhe një teatër të vogël, që merrte në shkallaret e tij rreth 500 spektatorë, disa shtëpi banimi, një mol disa shkallare, etj. Për tu përmendur në historinë e tij janë luftimet midis Çezarit dhe Pompeut gjatë vitit 48 pk.  Interesante është përshkrimi që i bën Çezari dorëzimit të qytetit në librin e tij Belli Civilis (lufta civile), ku midis të tjerave thotë: “Çezari zbarkoi ushtrinë po atë ditë u nis për në Orik. Këtu Luc Torkuati që sundonte në qytet me urdhër të Pompeut mbylli portat dhe u mat të mbronte qytetin, duke urdhëruar grekët të hipnin në mure, dhe të rroknin armët, por orikasit nuk donin të luftonin kundër Romës, bile qytetarët përpiqeshin të pranonin Çezarin vullnetarisht. Atëherë Torkuati çeli portat dhe u dorëzua tek Çezari me gjithë qytet.

Kisha e Marmiroit është një kapelë e një manastiri të vogël ndërtuar në shëkullin e XII-të. Quhet me këtë emër për shkak të gurëve të bardhë, dmth të mermertë (Marmiro) të marrë nga rrënojat e Orikut antik. Me një arkitekturë tipike për kishat bizantine në formë kryqi me kupolë, ajo ruan përreth edhe rrënojat e manastirit të dikurshëm.

Sazani Fare pranë Karaburunit ndodhet ishulli i Sazanit i cili njihet nga të gjithë si Ishulli më i madh i Shqipërisë. Me një sipërfaqe prej 5.5 km2 ai ndodhet në hyrje të gjirit të Vlorës, 16 km larg kësaj të fundit dhe ndahet nga Karaburuni prej ngushticës së Mezokanalit, 4.8 km e gjerë, ndërsa largësia e tij nga kepi i triporteve është 8.5 km. Iërbërë nga dy kodra pothuaj “binjake”, Sazani ka një lartësi maksimale prej 342 m, dhe një vije bregdetare të lartë e shkëmbore, të pasur me gjire të vegjël. Më i rëndësishmi ndër ta është ai i Shën Kollit ku ndodhet edhe Porti ushtarak i Sazanit. Dikur autorët grekë dhe romakë e quanin me emrin Sason. Njëri prej tyre Ptolemeu jep edhe koordinatat e tij gjeografike prej 44o51’. Kurse Plini e përmend ishullin si qendër piratësh. Si pjesë e Perandorisë Romake e më vonë asaj Bizantine Sazani nuk do të ketë ndonjë rëndësi të madhe. Ndërsa gjatë mesjetës do të bjerë nën sundimin e Venedikut. Në shekullin e XV ai do të pushtohet nga turqit, të cilët në vitin 1815 do tja dorëzonin atë Anglisë, që e mbajti deri në vitin 1864, kur Mbretëria e bashkuar do tja kalonte Greqisë  Gjatë viteve të luftës së I-rë Botërore pikërisht në vitin 1915 ishulli u pushtua nga Italia, e cila e mbajti atë deri në 8 Shtator të vitit 1943, kur Sazani u pushtua nga Gjermanët, të cilët u larguan që aty në 14 Tetor 1944. Që prej kësaj kohe e deri tani Sazani është pjesë e pandarë e shtetit Shqiptar, i cili e përdori atë vetëm për qëllime ushtarake. Gjatë viteve të komunizmit këtu u ngrit një bazë ushtarake detare dhe një qytezë ku banonin familjet e ushtarakëve. Ato u larguan nga ishulli kur baza u braktis në vitin 1992 nga ushtria shqiptare, e cila më vonë e vuri Sazanin në dispozicion të Natos. Fakt interesant është se në Sazan rritet edhe një lloj lepuri i egër, i cili u soll në ishull midis dy luftërave botërore nga Italianët. I quajtur Lepuri i gropave, kjo specie ka ardhur duke u shtuar sepse në Sazan nuk ka kafshë grabitqare.

Parku kombëtar i Llogorasë shtrihet atje ku nis lugina e Dukatit përgjatë shpateve të Lungarës dhë Rrëzës së Kanalit. Me një sipërfaqe prej 1010 ha kjo hapësirë shtrihet nga lartësia 500 m duke u ngjitur deri në lartësinë 1100 m. Brenda tij ndeshim një bimësi të dendur që nis nga shkurret mesdhetare, halorët e ndryshëm, drurët gjethegjërë, kullotat, etj. Llogoraja përmendet edhe për faunën e pasur të saj ku mund të përmendim shpendë të rrallë dhe gjitarë të ndryshëm. Brenda parkut, buzë rrugës në lartësinë 910 m ndodhet edhe monument culture shumë I veçantë, siç është pisha flamur, e quajtur kështu nga forma e degëve të përpunuara nga era.

Poshtë Llogorasë ndodhet fshati i Dukatit i përmendur për folklorin, historinë dhe traditat. Këtu ndeshim një nga monumentet e kulturës popullore siç janë kullat e Dervish Aliut, një shtëpi-kështjellë e shekullit të XVIII-të.

Laguna e Orikumit ndodhet midis Karaburunit dhe qytetit të Orikumit. Dallohet për shpendët dhe speciet e shumta të liqeneve detare, ku nga veprimtaritë ekonomike mund të veçojmë peshkimin.

Kisha e Marmiroit në Orikum Kalaja e Gjon Boçarit në Tragjas ndodhet pranë rrugës atomobilistike. Është ndërtuar në shekullin e XVII-të dhe ka një formë klasike katrore e pajisur me dy kulla. Funksioni I saj ishte ruajtja e rrugës Vlorë-Himarë.

Zvërneci është një nga zonat turistike të Vlorës. Këtu ndodhet Triporti një bukuri natyrore e paeksploruar nga vizitorët. Në vitet 1970 arkeologu Vasil Bereti kreu këtu disa fushata gërmimesh, ku dolën në dritë porti detar, disa mure rrethuese, disa ndërtesa, karkasën e një anijeje dhe qeramika të ndryshme.

Manastiri i Zvërnecit ndodhet në një nga dy ishujt e lagunës së Nartës. Kisha ndodhet në ishullin më të madh i cili lidhet me bregun nga një urë druri me gjatësi prej 200 m. Ajo i përket shekullit të XII-të dhe ka shërbyer edhe si mauzoleum, sepse brenda saj ndodhet varri i gjeneralit bizantin Argjiro Karanxhas, varrosur këtu në shekullin e XI-të. Në varrezën e këtij manastiri ndodhet që nga viti 1932 varri i qëndistares së flamurit Marigo Pozios.

Laguna e Nartës me sipërfaqe 45 km2 është liqeni i dytë detar për nga madhësia në Shqipëri. Veçori e saj është numri i madh i shpendëve dhe peshqve që jetojnë në të. Prej disa shekujsh këtu jeton edhe një koloni pelikanësh. Edhe sot në këtë lagunë ruhet tradita e peshkimit me varka druri. Në kodrat përreth peshkatarët nartiotë kanë treguar se janë kultivues të famshëm edhe të vreshtarisë, e cila prodhon verën e njohur të Nartës.

Në brendësi të territorit të Vlorës gjendet edhe qyteti ilir i Amantias, 35 km larg qytetit. Sot ai përbën një nga parqet më interesantë arkeologjikë të Shqipërisë, në të cilin ndodhen objekte unikalë siç është rasti i stadiumit të saj. Rrënojat e qytetit të dikurshëm ndodhen në një kodër me sipërfaqe prej 20 ha, e cila rrethohej nga një mur me perimetër prej 2100 m. Autorët antikë që japin të dhëna për amantët janë të shumtë. Njëri ndër ta Stefan Bizantini tregon se qyteti kishte si legjendë themelimin nga abantët e luftës së Trojës. Pavarëssht historive të shumta monumentet e Amantias si tempulli dorik i Afërditës, stadiumi, muret rrethues, bazilika, etj, përbëjnë një tur tërheqës për vizitorët.

Nga: Ilirjan Gjika

VLORA – QYTETI I DY DETEVE ! ATJE KU SHKRIHET KALTËRSIA E DETIT ME GJELBËRIMIN E PËRHERSHËM. Read More »