Art-Kulture

Një kryevepër e ANTONIO VIVALDIT, në Teatrin “Petro Marko” Vlorë

Jeta artistike ne qytetin e Vlores e pasur. Vetem ne 6 muaj ne qytet 14 koncerte dhe te tjera do te kete ne vazhdim ne kuader te  nismes ‘Çdo Javë 1 Koncert. Sezoni Koncertor Vlorë 2017-2018’!

Teatri i Operas dhe Baletit në bashkpunim me Bashkinë Vlorë dhe Konsullatën italiane në Vlorë, në një koncert të jashtëzakonshëm në Vlorë. Vetëm pak ditë pas mbërritjes së drejtoreshës së teatrit dhe operas dhe baletit në Vlorë Zana Cela, në Vlorë kanë startuar aktivitetet, të cilat edhe gjatë sezonit turistik do të jenë të shumta.

Në teatrin Petro Marko datë 16 prill u vendosën në skenë dy premiera boterore: Gloria e Vivaldit për kor dhe orkestër dhe koncerti i J S Bach për violinë dhe oboe.

Gëzim Bulcari, violinë, Xhovana Marku, oboe dhe orkestër Harqesh, me dirigjent Dritan Lumshin.

Këshilltari për kulturën në bashkië e Vlorës, kompozitori vlonjat Aulon Naci ka falenderuar organizatorët, për zhvillimin e këtij koncerti madhështor në skendën e teatrit Petro Marko Trupa e Teatrit të operas dhe Baletit mori duartrokitje të zjarrta nga publiku Vlonjat.

Koncerti u organizua nga Konsullata italiane dhe Teatri i Operas me mbështetjen e Bashkisë Vlorë.

 

Një kryevepër e ANTONIO VIVALDIT, në Teatrin “Petro Marko” Vlorë Read More »

Mirush Kabashi sot 70 vjeç, ja pse krenohemi me të

Aktori Mirush Kabashi do të ndërrojë sot një fletë tjetër në kalendarin e jetës së tij. 70 vjeç dhe me një karrierë shumë të pasur, aktori i mirënjohur i skenës dhe ekranit, vazhdon të punojë intensivisht brenda dhe jashtë vendit, kudo ku ka shqiptarë.

Një javë më parë në Kosovë; dy turne radhazi në SHBA dhe po aq shfaqje të monodramave në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, Kabashi ka vendosur prej vitesh një sinor të ri në veprimtarinë aktoriale.

Që nga mesi i viteve ’90, kur ngriti në skenë “Apologjinë e vërtetë të Sokratit” ai punon në mënyrë thuajse vetmitare, duke krijuar një profil të veçantë aktorial.

Mirush Kabashi njihet dhe vlerësohet nga publiku për mesazhet që përçon përmes veprave që përzgjedh, pikërisht kur vendin dhe popullin e shqetësojnë ngjarje të rëndësishme për të ardhmen e kombit.

Monodrama “Apologjia e vërtetë e Sokratit” e ka premierën në vitin e vështirë 1997; një vit më vonë “Poem kosovar” i Mitrush Kutelit e vendos Kabashin përballë qindra e mijë shqiptarëve në skenat e thuajse të gjitha vendeve të Evropës, ku artistët e vendit amë mbledhin të ardhura për çlirimin e Kosovës; poezitë e Nënë Terezës e Pano Taçit, Rudy Kiplingut e Vinçenc Prenushit, Gjergj Fishtës, Kadaresë, Naim Frashërit e Bardhyl Londos, Ali Asllanit, Dritëro Agollit, Edmond Rostand, e shumë të tjerëve, kthehen nën interpretimin e Kabashit në një mjet komunikimi artistik tepër efikas me spektatorët dhe dëgjuesit e shumtë, që shohin në fjalën e tij të vërtetën për të cilën kanë nevojë, dhe jo deformimin e saj. Mirush Kabashi ka guxuar ta bëjë këtë shumë më parë, kur rrëzohej monumenti i diktatorit, në shkurt të vitit 1991, dhe kur në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” bëhet organizator dhe protagonist i koncertit të fjalës poetike “Për Demokracinë”. Një koncert të ngjashëm me materiale nga korifejtë e letërsisë shqiptare dhe botërore përsërit ai edhe vitin e kaluar, me titullin e trishtuar “Ah, moj demokraci”. Edhe në ekranet televizive, me të njejtin shqetësim qytetar, ai sjell vazhdimisht vargje që godasin dhe që mbeten në mëndjet e shikuesve. Megjithëse thuajse i vetëm në ndërmarrjet e tij artistike, spektatorët e ndjekin dhe e duartrokasin Kabashin. Repertorit të monodramave, një gjini që fillojnë ta qëmtojnë edhe aktorë të tjerë, Mirushi i shton në vitin 2009 “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”. Vepra e Erik Emanuel Shmitt ngjitet në skenë në kohën kur në botë, afër dhe larg nesh, forcohen elementët e terrorizmit. Monodrama, titulli i së cilës ndonjëherë i “tremb” organizatorët, fiton mbështetjen e publikut, jo vetëm në qytetet e Shqipërisë, por edhe në ato të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, në SHBA dhe në Kanada. Ndërkohë, “Apologjia e vërtetë e Sokratit” i ka lënë pas prej kohësh 100 shfaqjet, duke u kthyer në zëdhënësin më të mirë për nivelin e teatrit shqiptar në botë. Pas çmimit “Sfinksi I artë” në Festivalin e 9-të Eksperimental të Kajros, Mirush Kabashi merr miratimin e specialistëve dhe admirimin e publikut në disa festivale dhe turne ndërkombëtarë. Athina, Vjena, Prishtina, Kievi, Toronto, Plovdivi, Beogradi, Gjeneva, Lioni, Parisi, etj. janë vetëm disa nga kryeqytetet me traditë teatrore, ku aktori i shquar prezanton skenën shqiptare. 5 vjet pasi ka dalë zyrtarisht në pension, Kabashi vazhdon të jetë edhe sot jo vetëm një artist i preokupuar për ngjarjet më të rëndësishme të vendit, por edhe për ato të komunitetit teatror, zëdhënës i të cilit bëhet shpesh në veprimtarinë sindikaliste dhe në intervistat mediatike.

48 vjet karrierë, mes skenës dhe ekranit

Bashkë me duartrokitjet e publikut në të gjitha skenat e vendit, por edhe në ato të Evropës, SHBA dhe Kanadasë, Mirush Kabashi është nderuar nga Presidenti I Republikës me titujt “Artist i Merituar” në vitin 1983, “Mjeshtër i Madh i Punës” në vitin 1998 dhe me titullin e lartë “Nderi i Kombit” më 2014.

Karriera e tij 48-vjeçare si profesionist ka nisur në bankat e shkollës së mesme me rolet e kuestorit te “Qielli i kuq” i Tefik Çaushit dhe doktor Adhamudhit në komedinë e Çajupit “Pas vdekjes”. Fëmijë i tretë mes katër djemve në familjen e Musa dhe Menduhije Kabashit, aktori i ardhshëm u dallua menjëherë për cilësitë e tij sportive dhe artistike, çka i bëri drejtuesit e vëmendshëm të jetës artistike në Durrës që ta drejtojnë atë në Institutin e Arteve.

Një shkollë ku Mirushi ndjeu vështirësi në vitet e para, po ku më pas e gjeti veten mirë në klasën e profesor Pirro Manit, i cili beson në aftësitë e tij edhe më parë se sa tema e diplomës me rolin e Vozhevatovit te “Vajza pa prikë” e Ostrovskit.

Pak muaj pasi ishte emëruar në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, regjisori Vangjel Heba i beson atij rolin e Hlestakovit në komedinë “Revizori” të Gogolit. Pjesa konsiderohet një sukses, që e ndal vetëm fshirja nga repertori me urdhër nga lart, ndërsa aktori vlerësohet si një zbulim. Vetëm 23 vjeç, Mirush Kabashi hyn kështu me këmbën e djathtë në skenën e teatrit shqiptar. Për 23 vjet të tjera, artisti durrsak nuk mungon thuajse në asnjë premierë teatrore të trupës “Aleksandër Moisiu”.

Kabashi matet njëlloj si me dramën, ashtu edhe me komedinë, e cila gjithsesi i jep më shumë popullaritet. “Kartela e verdhë” bëhet shfaqja më e shikuar e teatrit të Durrësit, edhe për shkak të rolit të Telit. Ai fiton vendin e parë dhe të dytë si aktori më i mirë në dy festivale kombëtare në pjesën “Mirë se erdhe Elona” të Haxhi Ramës dhe “Hija e tjetrit” të Ruzhdi Pulahës. Një nga rolet e fundit në dramën “Koleksioni I përhershëm” në skenën e Teatrit Kombëtar e bën Kabashin bashkëregjisor dhe partner me aktorin dhe regjisorin amerikan Clarenc Gilliard.

Në të njëjtën kohë i përkushtohet prezantimit televiziv, ku dallojnë Koncertet festive të natës së ndërrimit të viteve, ndërsa nuk lë pa provuar edhe shfaqjet e Estradës me trupat e Durrësit dhe të Lushnjës. Në moshën 30-vjeçare vjen debutimi në kinema. Regjisori Ylli Pepo preferon ta ketë për rolin e Veniamin Papës në filmin televiziv “Emblema e dikurshme”. Më pas interpreton rolin e toger Shazivarit në filmin “Koncert në vitin 1936” të Saimir Kumbaros.

Në teatrin e Durrësit kolegët vazhdojnë të kujtojnë rolin e Marin Mirojut te drama “Ylli pa emër” me regji nga Mario Ashiku, ndërsa në kinema Kabashi e ndërton suksesin me rolet episodikë. Kanë mjaftuar disa batuta të veçuara në skenarin e filmit të Rikard Ljarjes “Radiostacioni” për rolin e njërit prej punonjësve të Radio-Tiranës. Në filmin e Spartak Pecanit “Kohë e largët”, Mirushi bën të kundërtën. Ai e fshin tekstin për ti dhënë jetë figurës së heshtur e misterioze të eremitit. Batutat “bisht qeni do të mbetesh” apo “Bakja për dy orë kap Korçën” lidhen me interpretimet në dy filma të tjerë dhe që hyjnë shpejt në zhargonin e shikuesve shqiptarë. Bëhet fjalë për “Dora e ngrohtë” më 1983, apo “Gëzhoja e vjetër”më 1980.

Më shumë se 100 premiera teatrale e 20 filma artistikë janë vetëm një pjesë e kontributit të aktorit që ka lindur në Shkodër më 17 prill 1948 dhe që bashkë me artin e tij, nuk harron asnjë çast të ushtrojë pasionin e vjetër, notimin, por edhe atë të më të riun, skijimin.

Vlerësime nga personalitete të huaja për Mirush Kabashin

Luigi Maria Musati, Kryetar i Jurisë Ndërkombëtare të Festivalit Teatror Kajro ’97

…Por shumë e rëndësishme për mua, në këtë Festival , ishte zbulimi i këtij aktori, një aktor i jashtëzakonshëm. Por nuk ishte vetëm për mua i jashtëzakonshëm , ai shtangu të gjithe Jurinë, që mbetën të mahnitur. Për  1 orë e 20 minuta, ai zotëroi skenën me një gjuhë, të cilën asnjë nuk e kuptonte, por që ai e bëri të kuptueshme nëpërmjet shpirtit të tij, nëpërmjet mesazhit të asaj që ai thoshte, mesazh i të domosdoshmëm për tu thënë . . .

Chrisanthi Douzi, e cila u vlerësua si Aktorja më e Mirë e Festivalit Ndërkombëtar të teatrit në Kajro 1997: “E vutë re i dashur koleg, se nga 1000 artistët pjesmarrës që përfaqësonin 46 shtete nga e gjithë bota,  “Sokrati” Shqiptar dhe “Atrida” Greke u vlerësuan si Aktori dhe Aktorja më e Mirë e këtij Festivali Madhështor.”

Festivali Ndërkombëtar “Kyiv Top Fest” zhvilluar në Kiev ( Ukrainë) Maj 2004

Aleksei Kuzhjelni – President i  Festivalit

Aktorë të tillë botërorë si Mirush Kabashi përbëjnë një thesar për njerëzimin. Ai është një emër i nderuar dhe dinjitoz jo vetëm për teatrin shqiptar, por edhe për atë botëror. Në qoftë se më pyesni: A kishte yje ky festival, unë do tu përgjigjesha: A nuk është I tillë aktori shqiptar Mirush Kabashi.

Igor Negresku-regjizor, Profesor  në Akademinë e Arteve të Kievit.

Unë mund të them vetëm një fjalë: Falenderoj Zotin që më dha mundësinë të shikoj këtë shfaqje të mrekullueshme dhe këtë aktor të shkëlqyeshëm. Mirushi është një aktor gjenial, me një teknikë të përsosur, që për asnjë sekondë nuk të le të marrësh frymë.

Gazeta “Starts” e Beogradit – Nga L. Goluboviq 2004

“Sokrati” shqiptar në Beograd”

“Për herë të parë në historinë e teatrit serb, u shfaq teatri I Tiranës! “Nuk kam para, as edhe lakmi për to, të gjithë kënaqësinë dhe prehjen e gjej vetëm në shpirt –tha në fund të shfaqjes “Apologjia e vërtetë e Sokratit” aktori I madh shqiptar Mirush Kabashi. Për fat të keq në sallë nuk ndodhej asnjë politikan që ta dëgjonte këtë mesazh të artistit.“Sokrati shqiptar” la te publiku një përshtypje të mrekullueshme”.

Gazeta “Politika” nga M. Jovigjeviç

Koha e përafrimit tonë

“Prania e legjendës së gjallë të aktrimit shqiptar Mirush Kabashi me inskenimin e “Apologjisë së Sokratit” të Kostas Varnalis (një Sokrat origjinal i viteve ’30 të shekullit të XX) në Festivalin ndërkombëtar Teatror “Sllavija 2004” përbënte dhe përbën të vetmin rast që publiku ynë të shohë të paktën një pjesëz nga ç‘farë po ndodh me teatrin te fqinji ynë, që deri më sot, për shkak rrethanash jo fatlume, ka qenë gjithsesi një vend ekzotik”.

Festivali i 11 i Festivalit teatror Plovdiv (Bullgari) 2007

Krasimira Filipo, Drejtore e Drejtorisë së Arteve në Ministrinë e Kulturës Bullgare

“Të nderuar zonja e zotërinj. Për herë të parë në Festivalin tonë “Teatri në udhëkryq”, kemi si të ftuar Teatrin Kombëtar nga Shqipëria. Ju u bindët vetë se sa bashkëkohor tingëllon teksti I shkrimtarit grek Kostas Varnalis në interpretimin e shkelqyer të Aktorit, z.Mirush Kabashi.  Në emër të Festivalit, dhe ne emer te Drejtorit artistik të tij, Profesor Danajlov (Ministër i Kulturës) më lejoni t’i dorëzoj Z. Kabashi kupën e Festivalit, si dhe t’i urojmë trupës së Teatrit Kombëtar të Tiranës, shikim sa më të shpeshtë”.

s.k./ Shqiptarja.com

Mirush Kabashi sot 70 vjeç, ja pse krenohemi me të Read More »

Vallja e shpatave , nga Eqerem Bej Vlora në muzeun e pavarësisë !

Në mjediset e Muzeut të Pavarësisë Kombëtare në qytetin e Vlorës, ndodhet një tablo e piktorit të njohur kroat, Pajo Jovanovic. Ajo emërtohet “Vallja e shpatave” dhe sipas piktorit Hilmi Bani, është një kompozim mjaft i veçantë.
Autori i saj Pajo Jovanoviç (1850-1930), punimet e të cilit janë ekspozuar në mjaft sallone në vende të ndryshme të Evropës, ka punuar për një periudhë të konsiderueshme edhe në Shqipëri dhe ishte mik i Kolë Idromenos.
Në këtë tablo paraqiten një grup valltarësh, të veshur me kostume popullore, nga treva të ndryshme, jo vetëm shqiptare. Në qendër, një burrë i veshur me kostumin popullor të krahinës së Labërisë, i cili ndiqet në interpretimin e tij nga një numër valltarësh e valltaresh, që gjithashtu bëhen gati të kërcejnë. Në kostumet, që përvijohen në këtë kompozim, përfshihen edhe ato të veriut të Shqipërisë, por dhe të trevave jashtë vendit.

Piktura, perceptim i piktorit kroat për Shqipërinë

Piktori vlonjat Hilmi Bani thotë se në këtë punim të tij, Jovanoviç kërkon të transmetojë perceptimet e tij të udhëtimit në vende të ndryshme të Ballkanit. “Është një perceptim i realizuar në mënyrë artistike dhe, ndoshta asgjë më tepër”, thotë Bani. Sfondi i saj, një mjedis fshati, është gjithashtu i papërcaktuar, gjë që e bën edhe më të vështirë interpretimin e brendisë së këtij kompozimi.
Në fakt, kjo është një nga dy punimet me të njëjtën temë të piktorit kroat Jovanovic. Në variantin e parë të kompozimit, “Vallja e shpatave”, të gjithë protagonistët janë në gjendje statike. Ky variant, sipas Banit, ndodhet në një Muze të arteve të bukura në Vjenë. Ndërkohë, po sipas tij, mendohet që punimi që është ekspozuar në mjediset e Muzeut të Pavarësisë në Vlorë të jetë realizuar më vonë.

Piktura, pronë e Eqerem Bej Vlorës

Por, ajo që e bën të veçantë tablonë që ndodhet në Muzeun e Pavarësisë në qytetin e Vlorës është historia e saj. “Vallja e shpatave”, e piktorit Pajo Jovanovic, ka ardhur në qytetin e Vlorës në fund të viteve ’20-të apo fillimin e viteve ’30-të të shekullit të kaluar. Ajo është blerë nga një emër i njohur i parisë së asaj kohe të Vlorës, Eqerem Bej Vlora. Mendohet se Vlora e kishte porositur tablonë në Francë, ku jetonte në atë kohë Jovanoviç. Këtu nis edhe interpretimi mbi origjinalitetin e veprës, e cila, gjithsesi duhet t’i ketë kushtuar shumë pinjollit të familjes së njohur të Vlorës, që mendohet se ka paguar mjaft për ta sjellë nga Franca.
Piktura u ekspozua në një vend të dukshëm të shtëpisë së Vlorajve, që ndodhet në qendër të qytetit dhe, që vlonjatët e njohin me emrin “Shtëpia e Beut”. Këtu e gjeti edhe nëntori i vitit 1944, kur vila e famshme u sekuestrua nga komunistët, së bashku me gjithçka që ndodhej brenda saj. Krahas bibliotekës së madhe të familjes Vlora, ku ndodhej një fond i jashtëzakonshëm titujsh, u sekuestrua edhe tabloja në fjalë. Sipas piktorit Hilmi Bani, ndoshta për shkak të mosnjohjes së vlerave të saj, kompozimi “shëtiti” në mjedise të ndryshme, shpesh të dorës së dytë. Ashtu si mjaft sende dhe orendi të “Shtëpisë së Beut”, që në shumicë u shpërndanë pa destinacion, piktura përfundoi në muret e zyrave të ndryshme, ndërkohë që diku në fundin e viteve ’70-të deri në fund të viteve ’80-të, qëndroi e varur në një nga muret e Zyrës së Urbanistikës dhe Projektimeve, vetëm pak metra larg vendit ku ishte ekspozuar për herë të parë pas mbërritjes në Vlorë.

Një dhuratë në tentativë për gjeneralin Zhukov

Për këtë pikturë ka edhe një histori interesante, që lidhet me një nga emrat e njohur të Luftës së Dytë Botërore, gjeneralin sovjetik Zhukov. Në vigjilje të vizitës së tij në qytetin e Vlorës në vitin 1957, drejtuesit e atëhershëm të pushtetit lokal vendosën që krahas të tjerash, t’i dhuronin Zhukovit tablonë “Vallja e Shpatave”. Por, gjatë një mbledhjeje ku ishte i pranishëm edhe piktori i vetëm i asaj kohe në Vlorë, Vasil Talo, ai e kundërshtoi këtë ide.
Argumenti ishte se tabloja ishte e vetmja pikturë në qytetin e Vlorës, madje e një autori që nuk ishte vlonjat e madje, as shqiptar. Arsyetimi, tregon piktori Hilmi Bani, u pranua dhe piktura i shpëtoi emigrimit në një vend të largët.
Autori i saj Pajo Jovanoviç (1850-1930), punimet e të cilit janë ekspozuar në mjaft sallone në vende të ndryshme të Evropës, ka punuar për një periudhë të konsiderueshme edhe në Shqipëri dhe ishte mik i Kolë Idromenos.

Burimi : ATSH

Vallja e shpatave , nga Eqerem Bej Vlora në muzeun e pavarësisë ! Read More »

Zverneci – Bukuroshja e fjetur e Vlores

Gurë-varri apo statueta e vajzës greke është rrëmbyer. Në vitin 1997, ajo ishte gjëja më e vogël, që mund të ndodhte në këtë vend. I ati i saj, doktor, nuk kishte mundur të shpëtonte. Kishte derdhur të gjitha ato, që profesioni i kishte mësuar nga Hipokrati, por më kot. Në fund kishte gjetur pajtimin. E kishte lënë në prehjen e gjelbërimit dhe në kujdesin e shpendëve të shumtë, që popullojnë këtë ishull të vogël. Kishte ikur. I qetë. Pas, qetësi. Në amshim…Një ditë, krijesat e luciferit e kishin marrë. E kishin dërguar diku gurin. Ia kishin tretur në keqësi.

Këtë nuk mund të na e shpjegojë një roje objektesh, që tash ruan Kishën e “Fjetjes së Hyjni-lindses në Manastirin e Zvërnecit. I duket si tjetër gjë. Duhet të jetë rreth 50 vjeç, ndërsa hedh sytë tutje-tëhu si për të kapur ndonjë të pabërë. Jemi vetëm: Ne dhe Ai. Bash në sheshin brenda manastirit, ku sapo kemi kaluar urën e drunjtë.
Më në fund qetësohet dhe roja. Bindet se para vetes ka vetëm tre njerëz, që janë të interesuar të shikojnë manastirin, kishën dhe pyllin. Ndaj, sikur ta ketë krejt në terezi, ulet… dhe kërkon shpjegim: “Pa ta marrim shtruar.
Çfarë doni?” I shpjegojmë se duam të fotografojmë dhe të shikojmë pyllin. Tund kokën, sikur do të thotë: mua doni të ma hidhni. Duket qartë se do të shtyjë shërbimin, ndërsa ne, që duam të mos na bezdisë, dhe të na krijojë mundësinë të shohim të gjithë hapësirën ku gjendet manastiri. Na bën pritë për aparatin, për diktofonin, për lëvizjen, për gjithçka. Sus. Jam unë. Sa i mjerë?-mendojmë. “Sa kot”, duhet të mendojë çapkëni i vjetër, që tashmë butaforisë së tij i ka shtuar edhe një fije bari në gojë.

Sa i pistë
Dikur ky vend ka qenë pronë e Frashërlinjve. Mit’hat bej Frashërit ia mori më pas një familje nga Kanina. Më vonë, ajo bëhet pronë e shtetit shqiptar. Ishulli i vogël prej 7 ha është një monument natyror. Në një gazetë kam lexuar se vetëm 0.1645 ha janë pronë e objektit të kultit, pjesa tjetër është monument natyror. Por, shqiptarëve, pak u bën për monumentin. Në vend të tij, janë të kënaqur me zdërhalljen në këtë mrekulli të natyrës. Ku më shumë vlerën ia provojnë, kur lëshohen të hazdisur në ditën e nderuar të pelegrinazhit. Dhe, atë ditë bëjnë qejf. Në Shqipëri pelegrinazhi është qejf, piknik..urraaaa. Kjo ka bërë që kisha të vuajë damkën e përvetësimit të gjithë mjedisit. Çdo fund-verë, falë saj bëhen kampingje me të rinj, gjë që ia ka përcjellë imazhin e mrekullisë së këtij vendi, shumë më larg. Por, gjithashtu dhe duke i sjellë probleme drejtuesve të kishës shqiptare, të cilët i akuzojnë se kanë marrë të gjithë ishullin. Jo se nuk kanë dhe ata pak siklete. Eshtë e pamundur, falë një rregulli të brendshëm, që t’i të kesh mundësi të takosh priftin. Ai nuk është, por edhe po të jetë- duhet leje që të shikosh interiorët brenda. E vërteta është se vendi është krejt i papastër dhe mungon dora e njerëzve. Ajo rregullohet disi në momentin, kur afrohet kremtimi i 15 gushtit. Por, kaq. Besimtarët e Zotit nuk e kanë shumë qejf pastërtinë, ndërsa pylli, tutje manastirit është edhe më i pistë. Kushdo mund ta provojë, po të ngjitet nga pas manastirit dhe të ikë tutje. Plastmase, mbeturina, të pëgëra që duket se nuk treten- i gjen kudo. Një tabelë akoma më e vjetër se manastiri, për hir të së vërtetës të përgatit që në hyrje me rregulloren e brendshme. Por, ndryshku dhe shëmtia e saj (e para ca kohëve) ta konfirmonte se nuk mund të bëhej më shumë. Roja ka tagër që të shoqërojë vizitorin deri brenda në manastir; Nuk lejohet futja e njerëzve të armatosur; Nuk lejohet njeri veç ditës dhe ndalohet gjuetia. Na bind kështu edhe karshillëku i rojes, që me sa duket e ka mësuar përmendsh këtë tabelë, që është e lakuar nga pas. Në ditën e festës të këtij viti, një kremtues më ka thënë se për “të nderuar”, Hyjni-lindsen, shqiptarët zbrisnin nga pylli me degë të thyera dafine. Qeshnin. Lumturoheshin. Dhe, askujt nuk i bënte përshtypje se po e dëmtonin këtë mrekulli. Kremtimi i ditëve do të thotë thjesht orgji ngrënie, ndërsa vari i Marigosë, këtij personazhi interesant, ishte i pa pamundur, që ta shpëtonte këtë zallamahi…

Këto objekte gjenden në perëndim të lagunës së Nartës, në brezin ranor, që ndan lagunën me detin. Përfaqëson një grup dunash ranore, të formuara nga veprimi i erës. Gjatësia e brezit me duna arrin disa kilometra. Ato kanë lartësi deri ne 5-6 m. dhe gjerësi deri 20-30 m. Dunat kanë vlera shkencore, estetike, turistike dhe ekonomike.
I gjithë vendi vizitohet duke ndjekur almanakët turistikë-duke ndjekur itinerarin qyteti i Vlorës-Kriporja-bregdeti i Nartës-Hidrovori. Manastiri i Zvërnecit është monumenti kulturor më i rëndësishëm në hapësirën e Nartës. Një nga arsyet për të vizituar ishullin e Zvërnecit është fakti që të shikohet ky manastir. Ai është ndërtuar më shekullin e XIII, sipas karakterit bizantin, dhe i kushtohet Shën Mërisë. Çdo 15 gusht ka një festim të kishës ortodokse me rastin e lindjes së Shën Mërisë në këtë kohë.

Drejt Zvërnecit
Po. Zvërneci nuk është shumë larg magjistralit kryesor. Si të gjitha, objektet e religjionit dhe ato kulturore-historike kudo në Shqipëri, nuk janë shumë larg magjistraleve kryesore…Por, pas kësaj rruge të gjatë që të drejton në të ashtuquajturin “Pusin e Mezinit”, nuk jemi në Lagunë. Duhet të përshkosh qetësinë e Nartës, një qytezë-fshat, me shtëpira, që i ngjajnë pa fund shtëpive të Bregut të Jonit.
Ende, gratë e vjetra, që ngjasojnë me ato të Jonit, të flasin me një greqishte arkaike, ndërsa burrat e pakët nuk i sheh kurrkund. Më të rinjtë në kurbet, kurse më të vjetrit në kafene. Askush nuk di për Kompleksin e madh, por të gjithë të konfuzojnë. Në sheshin, që përbën qendrën e Nartës, gjendet një kishë, e cila është e mbyllur zakonisht. Më duket sikur i shoh sërish ato dy karrige dhe togun e hedhurinave, që i gjej gjithmonë në këtë vend dhe sërish të patrazuara. Por, nuk kemi kohë.
Rendim për në Lagunë, një vend ku dikur punohej për të gjetur naftë. Njësoj sot, pretendohet që të bëhen afër Depozitat e mëdha. Sërish naftë. Sërish protesta. Dhe, jo më kot, rrugës i has plehrat kudo. Inertet. Tashmë, nuk ka rëndësi.
Shumë shpejt brazat e pishave nuk do të jenë. Dikur, banorët e Zvërnecit i bën një rezistencë të mirë INA-Naftaplin, operatori kroat i kërkimit të naftës, që kishte marrë në konçesion Bllokun e Panajasë në Shqipëri.
Kurse, nuk po e përballojnë dot Kompleksin e madh, që po merr jetë pak nga pak…
Edhe pse Këshilli Bashkiak po i bën rezistencë, puna duket se do të marrë jetë. Fshatarët kanë heshtur. Janë paqtuar. Këtë herë ambjentalistët duken si të nënshtruar…

Invers-Kisha dhe manastiri i njohur
Rruga bëhet më strapacuese dhe shtuar me aq shumë kodrina rrugës, të nxjerr jashtë pyllit. Me një makinë të mirë për gati 20 minuta të duhet të lësh pas Nartën. Pas një traseje të gjatë, rruga i ngjitet nga shumë afër Lagunës. Në këtë vend, ajo qarkon një ishull të vogël , ku gjendet manastiri dhe kisha e kahershme e zonës. Me një pasarelë, që shkon drejt, ndërtuar nga kisha ortodokse për 60 milionë lek (?)- futesh në një ishull të mbuluar me pisha, ku gjendet kisha e ndërtuar e shekullit të XIII dhe manastiri i vitit 1636. Historianët pretendojnë se në anën tjetër të ishullit, është edhe një kishë tjetër, të cilës i kanë mbetur rrënojat. Ajo është restauruar për herë të fundit në shekullin e XVIII. Në varrezat e saj ishte varrosur Marigoja e flamurit të Ismail Qemalit, bashkë me dy fëmijët dhe pak njerëz të tjerë. Dominon mbi gurët e varrit, greqishtja bizantine. Edhe vetë kisha është bizantine, sepse është e ndërtuar me gurë dhe me tulla të asaj kohe, sipas specialistëve. Një hajat me kolona, që i ngjan “Shën Nikollës” së Voskopojës, të mirëpret në hyrjen e kishës së njohur. Por gurët janë ngrënë nga motet dhe duket se nuk do e kenë të gjatë. Një dorë restaurimi i pret akoma t’i fusë në jetë. Një tjetër, ajo e kohës, pret t’i shkatërrojë. Roja, i cili na shoqëron me një bisedë absurde në ishull, bën rezistencë pasive. Kam urdhër,- thotë. Por, na mundëson të rifutemi në kishën e manastirit. Nuk na lë të fotografojmë brenda. Eshtë kategorik. Brenda nuk ka ndryshuar shumë, por duket se kisha ka dorë dhe është e restauruar më mirë. I veçuar, roja, ruan për ndonjë padrejtësi, kurse ne gjejmë mundësinë që të shikojmë në absidën e Kishës figurat bizantine. Ky element ka mbetur pak edhe në kupolën e vogël, që është mbi kishë. Ajo që ndoshta është shumë e njohur për kishën e Zvërnecit dhe që përmendet si një gjë unikale, është një kafkë me një gjarpër dhe mbishkrimi i greqishtes bizantine, që i qëndron sipër, rrasës së varrit të një personazhi, përballë hyrjes kryesore. Eshtë varri i Kostas Karanxhas dhe ka të ngjarë, sipas Prashnikerit, që të ketë qenë një figurë shumë e njohur e lidhur me perandorët e Bizantit. “Këtu prehet Kostas Karanxha, burrë fisnik, filiz i një dere fisnike”, thuhet mbi varrin e tij.
Një pjesë dafinash, që janë mbi varret e të paktëve të mbetur mbi manastir, janë shenja e plotë e paqësisë të manastirit. Pasi bëjmë një qarkore rreth tij, ai na drejton vetë drejt largimit…Njësoj kanë bërë ndoshta dhe ata. Ashtu si zbrisnin atë ditë me dafina dhe dukeshin të gëzuar se po i blatoheshin Shën Mërisë. Por mua më dhimbsen dafinat, më kujtohen fjalët e njeriut, që më ka shpjeguar pak për festën e vitit 2007.

Vetë ishulli
Ishulli i Zvërnecit është një nga peizazhet, ku paqja është e rrallë në Shqipëri. Në festën e 15 gushtit mblidhen bashkë të ikurit, lulëzojnë pemët dhe qetësohen peshkatarët. Pak më tej, në lagunën e Nartës, peshkatarët presin peshqit, ndërsa vreshtat përgatiten që nxjerrin ende atë rrushin kualitativ, që më pas prodhon atë verë të mrekullueshme, që e kërkojnë të gjithë. Pastaj, pelegrinët, prehen në ishull dhe para syve të natës i bëjnë fli gjumin dhe qetësinë- festës fetare. Në kohën e regjimit vinin fshehtas dhe e përshkonin ishullin me varka dhe depërtonin deri atje. Kurse sot, vinë në mes të ditës. Është mrekullueshëm. Ashtu, ishte bukur edhe atëherë në kohën e Anti-krishtit. Por, gjurmët e hershmërisë, sipas studiuesve, shkojnë që nga shekulli i 1 para Krishtit dhe më vonë. Duhet të largohemi. Puna e mirë veç të tjerave është kjo urë e stërgjatë 200 metra që i merr sëbashku vizitorët dhe i fut në ishull. E mirë se edhe të largon. Më 1967 bashkë me murgun e fundit që e liruan nga ky vend u dëbua për pak kohë dhe mrekullia e këtij vendi nga kujtesa. Thuhet se atje është djegur një thesar, nuk është më biblioteka e bollshme me literaturë…se kishte…
Roja është më shumë se indiferent, por tash bën dhe hokatarin. Na ngacmon pa fund dhe tallet me interesin. Na tregon për priftin, që meshon. Nga vjen dhe se duhet të hanë fëmijët… Nuk e dëgjojmë. Më nget për Marigonë, që e ka parë në film. Për ushtarakun, që është varrosur në kishë, nuk di pothuaj asgjë. Eshtë i qetë.

E pyesim për vajzën dhe gurin e saj. “Eh, ç’ia kini ngenë ju”, na përgjigjet, kur i dalim nga sfera e tij e logjikës. “Ta kisha ditur, një m…kisha për t’iu lënë”. I qeshim. A thua të ketë qenë ndonjë nga ata që e di, se ku është guri i vajzës greke?! Po ç’i duhet atij. E presin në shtëpi. Manastiri këtu ka qenë dhe këtu do të jetë. Eshtë viti 2007.
Ben Andoni  : Revista Mapo

Zverneci – Bukuroshja e fjetur e Vlores Read More »

Kur Napoleon Bonaparti admironte shqiptarët: Jeni një komb trim ! Ja letra e shkruar prej tij …

Letra e 16 Gushtit 1797: Shqiptarët, komb trim sipas Napoleon Bonapartit

Nga Aurenc Bebja

Napoleon Bonaparti, në letrën e 16 Gushtit 1797 dërguar pashait të Shkodrës (Ibrahim Pashë Bushatit, djalit të Mehmet Bushatit) shpreh admirimin dhe mbështetjen e tij për shqiptarët.

Shkrimi gjendet në faqen n° 499 të dokumentit me titull “Œuvres de Napoléon Bonaparte – 1822”.

image

Ja letra në vijim:

Shtabi i përgjithshëm, Milano – 16 Gusht 1797

Pashait të Shkodrës

Kam lexuar me kënaqësinë më të madhe lavdërimet në letrën e shkruar nga Zotëria juaj.

Republika franceze është një mike e vërtetë e Portës së Lartë; Ajo (Republika) ka një konsideratë të veçantë, sidomos, për kombin trim shqiptar, i cili ndodhet nën urdhërat tuaja.

Kam dëgjuar me dhimbje fatkeqësinë që i ka ndodhur vëllait tuaj (E ka fjalën për Kara Mahmud Pashë Bushatin): ky luftëtar i patrembur meritonte një fat më të denjë për trimërinë e tij ; por ai u shua nga një vdekje e guximshme.

I dërgoj Zotërisë suaj urdhërin e dhënë nga unë, që i lejon ushtrisë (flotës) osmane të udhëtojë (lundrojë) pa shqetësim në Adriatik. Turqit do të trajtohen si kombet e tjera, madje do të përfitojnë disa lehtësime…Në të gjitha rastet, unë do të mbroj shqiptarët dhe do të jem i lumtur t’i shpreh Zotërisë suaj respektin e konsideratën e lartë që kam për të.

Në shenjë miqësie, i lutem Zotërisë suaj të merrni katër arkat me pushkë që ju kam dërguar.

image-1

Kur Napoleon Bonaparti admironte shqiptarët: Jeni një komb trim ! Ja letra e shkruar prej tij … Read More »

Die Welt – ‘Grekët nuk janë gjë tjetër veç një miks turqish, Sllavësh, Bizantinësh dhe Shqiptarësh’

Gazeta gjermane pranë partisë konservatore të Angela Merkel, Die Welt paralajmëron se “Greqia e ka shkatërruar edhe më parë rendin Europian” dhe “ka ringjallur teoritë racore të nazistëve”, në një artikull ku citohet historiani Jakob Philipp Fallmerayer, i cili ka thënë se “grekët nuk janë grekët e vërtetë”.

Sipas gazetës Die Welt, situata në Greqi nuk është vetëm ekonomike por edhe historike.

Në artikull thuhet se “grekët e kanë shkatërruar dhe më parë ekonominë europiane” dhe se grekët e sotshëm nuk janë pasardhës të civilizimit antik Grek, por një miks i sllavëve, turqve, bizantinëve dhe shqiptarëve, shkruan standard.al.

Më tej në artikull citohen fragmente nga libri i historianit Fallmerayer “Geschichte der Halbinsel Morea während des Mittelalters” ku thuhet se popullsia greke u zëvendësua gjatë periudhuës së dyndjeve slave (350-800 pas Krishtit).

“Raca e Helenëve u zhduk nga faqja e Europës. Bukuria fizike, inteligjenca intelektuale, harmonia dhe thjeshtësia, arti dhe konkurenca u zhdukën nga faqja e kontinentit. Asnjë pikë gjaku grek nuk rrjedh sot në venat e të krishterëve prezent në Greqi”, shkruan Fallmerayer.

Madje gazeta shkon edhe më tej duke propozuar që anëtarësimi në Bashkimin Europian të kryhet vetëm në bazë të analizave të ADN-së. “Grekët që sot pretendojnë se janë pasardhës të Perikliut dhe Sokratit, nuk janë gjë tjetër veç një miks turqish, sllavësh, bizantinësh dhe shqiptarësh”, thuhet në artikull./standard.al

Die Welt – ‘Grekët nuk janë gjë tjetër veç një miks turqish, Sllavësh, Bizantinësh dhe Shqiptarësh’ Read More »

Kumbaro : Vlora – Pol i rëndësishëm turistik

Qendra Historike e Vlorës po rijetëzohet duke u shëndrruar në një vlerë tjetër të shtuar për turizëm dhe në një destinacion atraktivë dhe tërheqës kulturor.

Punimet për Qendrën Historike të Vlorës kanë nisur dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka inspektuar punimet që po kryhen, ku u shpreh se pas përfundimit të projektit kjo zonë do të kthehet në një destinacion të rëndësishëm për turistët.

“Një qendër e re turistike e komerciale në Vlorë, e cila nuk është vetëm mure e fasada. Punimet do të përfshijnë rrjetin inxhinierik e atë të ujësjellësit, bashkëpunim i bashkisë e fondacionit me qëllim që kjo të kthehet në qendër komerciale turistike. Vlora është nga polet më të rëndësishme turistike”, u shpreh ministrja Kumbaro gjatë inspektimit.

Programi i qeverisë shqiptare, që udhëhiqet nga Ministria e Kulturës, për rijetëzimin e qendrave historike dhe kthimin e tyre në pole jo veç tërheqëse për turistët, por dhe për t’i dhënë hov zhvillimit ekonomik të zonës ka filluar të japë frytet e veta.
Brenda kufijve të zonës së projektit ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat arkitektonike‐historike që mbart: Rruga “Justin Godard”.

Rruga Justin Godard ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes së Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në Lagjen Partizani në drejtim të Babicës ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920. Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik.

Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “lagjja e hebrenjëve”, klubi “Laberia” dhe ish-Sinagoga. Në fund, nga ana lindore ka qënë dhe xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka patur disa ndërtesa shoqërore në shekullin e XIX, si një sahat (kullë) dhe Posta e qytetit. Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar dhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apolloni.

Ky projekt bëhet i mundur falë bashkëpunimit teknik dhe financiar me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, sipas të njëjtit model me të cilin është punuar për rijetëzimin e Pazarit të Korçës, të Krujës, Gjirokastrës./ATSH

Kumbaro : Vlora – Pol i rëndësishëm turistik Read More »

Buzëqesh se je në Vlorë… Nga Çlirim Hoxha

Nga Çlirim Hoxha

O Vlorë, o perëndimi vagëlluar… Buzëqesh se je në Vlorë, Ku moti të fton në vallzim, Ku deti dhe mali trimëron, të joshin në këtë përjetim. Ku vajzat e bukura si petale, me sytë si bajame lulëzuar, ku djemtë e gjatë si lastare, puhizën e mbrëmjes kanë freskuar.

Ku shëtitores i thonë Lungomare, ku gjëmon muzika e kulluar, ku restorantet dhe baret traditare, të ftojnë me gaz për të festuar. Ku mbrëmja me vellon magjistare, ku shëtisin njerëzit e gëzuar, ku dhe Hëna majë qiellit vetmitare, xhelozon me yjet e ndriçuar. Ku dashurohet rinia zemërzjarre, ku puthet buza përvëluar, ku rrahin zemrat gjokskrenare, buzë detit në mbrëmjen e praruar.

Buzëqesh se je në Vlorë… Nga Çlirim Hoxha Read More »