Art-Kulture

A keni degjuar per shpellen e Boderit?Ja ku ndodhet …

Shpella ka vlera shkencore (speleologjike, gjeomorfologjike), didaktike dhe ekonomiko – turistike

Ndodhet pranë fshatit Smokthinë, komuna Shushicë e rrethit të Vlorës, 800 m mbi nivelin e detit.

Përfaqëson një shpellë karstike të formuar në shkëmbinjtë gëlqerorë.

Ka dy kate, ngushtime e zgjerime. Gjatësia është rreth 200 m, ndërsa lartësia e gjerësia mesatare ështe 10 -15 m. Ka edhe konkrecione.

Shpella ka vlera shkencore (speleologjike, gjeomorfologjike), didaktike dhe ekonomiko – turistike.

Vizitohet duke ndjekur rrugën rurale: qyteti i Vlorës – fshati Smokthinë – monumenti.

A keni degjuar per shpellen e Boderit?Ja ku ndodhet … Read More »

Kanionet e Nivicës – Mrekulli përmes një kolazhi fotosh

Për 10 ditë me radhë një ekip alpinistesh profesionistë nga Holanda, Slovenia, Franca dhe Australia bënë zbritje me litarë në disa prej majave me të vështira të Kanioneve duke pasur mundësi ti eksplorojnë ato në thellësitë mbi 200 metra.

Nga këto thellësi vijnë edhe fotot të cilat për here të parë sjellin imazhe të bukurive mahnitëse të këtyre kanioneve të cilat për gati 30 km përshkojnë malësitë e Kurveleshit. Imazhet e mëposhtme janë publikuar nga Auron Tare.

Kanionet e Nivicës – Mrekulli përmes një kolazhi fotosh Read More »

Himara, një copëz nga “Mbretëria e Arbërisë”

E ndërtuar në pjesën jugore të bregdetit shqiptar, qyteti i Himarës ka qenë gjithmonë qendër e një zone që ka përfshirë jo vetëm fshatrat e Jugut, por dhe Labërinë e Kurveleshin.

Ajo përmendet që në kohët e lashta, por historia e saj moderne fillon në 1199, kur në qytet u vendos sundimi i venedikasve.

Fqinjët tanë veriorë nuk mund ta mbanin për shumë kohë dhe në shekullin XIII-të, zona e Himarës u përfshi nga Karli i Anzhuve në atë që ai e quajti “Mbretëria e Arbërisë”.

Zona ka qenë gjithmonë me një popullsi autoktone shqiptare, kryesisht me origjinë nga ajo që njihet si zona e Labërisë dhe duke filluar nga shekulli XV-të dhe me të ardhur nga zona e Mirditës dhe Krujës.

Më 1431, Himara u përfshi si një nahije e Sanxhakut të Shqipërisë.

Duke filluar nga shekulli XVI-të, si pasojë e disa kryengritjeve, Himara siguroi një sërë privilegjesh dhe një lloj autonomie, që e lejoi të ruante fenë dhe flamurin.

Himara, – para disa shekujsh, – veçanërisht pas vdekjes së Skënderbeut, quhej gjithë krahina e Labërisë së sotme, domethënë duke nisur nga Radhima, në Lekel e në Butrint.

Në këtë zonë, popullsia më e madhe i përket besimit ortodoks. Në Himarë mund të vizitosh kalanë e vjetër, por edhe dhjetëra kisha shekullore. Ato datojmë prej shekullit XI-të apo edhe më herët.

Neço Muko, zgjodhi brilantin e këngëve himariote dhe i thoshte botës “lulja e vilajetit” shtatë fshatrave që përmbledh kjo zonë, ndërsa Lord Bajroni “i këndoi”: Nuk falin as mikun, si mund të falin armikun? Ndaj mbrojtën me gjak dhe këngën e brezave pavdekësinë e Himarës, përkrah trevave të tjera të gjithë Shqipërisë.

Kështu dhe Neço Muko (Himarjoti) së bashku me “Artisten e Popullit”, Tefta Tashko Koço, i incizoi në këngë vargjet për Himarën e krahinën, në disqe gramafoni, në “Radio Parisi”, në vitin 1934.

Qyteti i Himarës, është kryeqendra e krahinës së Himarës, që shtrihet edhe në brendësi të kështjellës (Kastros).

Këtu mahnitesh nga Himara e vjetër me monumentet e saj të lashta dhe arkitekturën e saj të veçantë; nga Spileja me plazhin e saj që është qendra e sotme ekonomike dhe historike…me Potamin e Livadhin.

Sipas Censusit të vitit 2011, Himara ka 7.818 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil, kjo Bashki numëron 27.049 banorë.

Me sipërfaqe prej 571.94 kilometra katrorë, densiteti i popullsisë në bazë të Censusit rezulton vetëm 13.7 banorë/ kilometra katrorë, ndërsa sipas regjistrit civil, densiteti është 47 banorë/ kilometra katrorë.

Himara, një copëz nga “Mbretëria e Arbërisë” Read More »

Historia e Malit të Tomorrit – ‘Olimpit të Perëndive Shqiptare’

Tomorri mbetet Mali simbol nga tw gjithw shqiptarwt. Ai me plot gojwn mund tw cilwsohet si “Olimpi i Perwndive Shqiptare”.

Tomori është një mal në lindje të qytetit të Beratit. Ai është mali më impozant në Shqipërinë e Jugut. Me majën më të lartë 2416 metra, ai ngrihet vetmitar në një rrafshinë pa fqinjë që ta rivalizojnë dhe zotëron kështu pamjen nga të gjitha pikat e horizontit. Kjo e bën atë madhështor, si e bëjnë të bukur livadhet malore, e të frikshëm majat e thepisura shkëmbore, humnerat e thella dhe stuhitë e befasishme. Etnologia angleze Margaret Hasluck, që u ngjit në majë të tij më 1930, konstatoi midis të tjerave se pelegrinët besonin në një fuqi të mbinatyrshme me seli në atë majë e se betimi për Baba Tomorin ishte më i fortë se betimi mbi Ungjill ose Kur’an. Kuptohet se ky adhurim është mbeturinë e kultit pagan të natyrës, brenda të cilit kanë mbetur besimet e shqiptarit.

Nga kulti pagan i majave të larta, i përhapur në gjithë Shqipërinë, kulti i malit të Tomorit ka mbijetuar në rrjedhë të shekujve e të ndërrimeve fetare. Duke gëzuar një [[prestigji|prestigj të veçantë në botën shqiptare, ai ka fituar atributin e malit të shenjtë. Fakti që ky mal në gojëdhënën popullore, në periudhën antike e mesjetare dhe në letërsinë romantike përfytyrohet si Olimpi shqiptar, besohet se është dëshmi e njësisë kulturore ballkanike.

Në zhvillimet e mëvonshme etno-historike e fetare të shqiptarëve, substrati pagan u tregua shumë i qëndrueshëm; ai mbijetoi si një element i vazhdimësisë së traditës mitologjike ilire dhe si shprehje e njësisë shpirtërore të tyre. Vendet e peligrinazheve të epokës pagane dhe ritet pagane mbetën po ato në epokat e mëvonshme fetare, ndryshuan vetëm përfytyrimet që lidhen me këto rite, duke marrë një veshje kristiane ose islame. Ky evolucion dhe stagnacion njëherësh është karakteristik edhe për kultin e Tomorit dhe ritet e pelegrinëve në nderim të tij.

Për të ardhur tek ekzaltimi romantik i shekullit XIX, kulti pagan i malit të shenjtë të Tomorit kaloi dy faza, që iu përgjigjën dy periudhave të historisë fetare të shqiptarëve: periudhën e lulëzimit të kristianizmit dhe atë të islamizmit. Por, sikur të mos ekzistonin këto dy faza, siç do ta provojmë më poshtë, letërsia romantike e Rilindjes shqiptare, u nis nga kulti pagan dhe mbeti te përmbajtja dhe përfytyrimi i tij primitiv mitologjik. Ajo çka i shtoi kjo letërsi këtij kulti ishte fryma e ekzaltuar e romantizmit nacional.

Për të kuptuar çka u tha duhet të hapim këtu një parantezë të shpejtë. Deri në fund të shek. XV, kur ra kështjella e fundit e rezistencës shqiptare, feja e shqiptarëve ishte krishterimi. Ata i përkisnin ritit katolik dhe ritit ortodoks. Pas vendosjes së sundimit osman në shek. XV, nisi procesi i islamizimit të popullatës vendëse. Në shek. XVII, 70% e shqiptarëve ishin kthyer në besimin islam. Gjatë shek. XVIII njohu një përhapje relativisht të gjerë në Shqipëri bektashizmi. Kështu që shqiptarët erdhën në epokën e lëvizjes së tyre nacionale të ndarë në katër grupe fetare. Ata paraqiteshin tanimë si katolikë e ortodoksë në minorancë dhe si myslimanë e bektashinj e synitë në mazhorancë.

Fati i kulteve pagane dhe i vendeve të këtyre kulteve në Shqipëri është i lidhur me historinë fetare në këto treva. Sot në Tomor praktikohet kulti bektashi, por midis këtij të fundit dhe atij të parit, kultit pagan, qëndron kulti i fesë që ndan këto dy periudha fetare, pra kulti i krishterë. Këtë nuk e dëshmon vetëm tradita gojore për ekzistencën e Kishës së Shën Mërisë në mal të Tomorit dhe për peligrinazhin e besimtarëve ortodoksë më 15 gusht, ditën e Shën Mërisë së gushtit. Edhe në maja të tjera, në veri, në qendër dhe në jug të Shqipërisë, si në majën e Gjallicës e të Pashtrikut, në Shën Llesh të Krujës dhe në majën e Këndrevicës së Kurveleshit, pelegrinët e krishterë festojnë po në mes të gushtit festën e Shën Mërisë. Duke mos dashur ta thyejnë këtë vazhdimësi, bektashinjtë që kanë përvetësuar të paktën një shekull e ca më parë kultin e Tomorit, e organizojnë pelegrinazhin në majë të tij po më 15 gusht të çdo viti. Në këtë pelegrinazh nuk do të merrnin pjesë, si marrin edhe sot, as synitë, as të krishterë, sikur ky kult të mos lidhej me një traditë të lashtë parafetare.

Po sipas M. Hasluck bektashinjtë e pranojnë se kanë zëvendësuar një kult shumë më të vjetër. Ata i besojnë gojëdhënës se Haxhi Babai, duke parë pelegrinë që ngjiteshin në Tomor çdo mes gushti për t’iu falur një hyjnie pagane, shkoi në Qerbela, mori një dorë dhe nga varri i vërtetë i Abas Aliut, e hodhi në majë të Tomorit dhe e konsakroi atë si varrin e dytë të shenjtorit. Burime të pavërtetuara bëjnë fjalë për një tyrbe të vitit 1620 kushtuar heroit të Qerbelasë, kurse teqeja bektashiane është ngritur më 1916.

Nga gjithë ky trashëgim pagan dhe postpagan, shkrimtarët e Rilindjes Kombëtare ruajtën bërthamën pagane dhe iu referuan admirimit gati mistik të ndërgjegjes popullore për kultin e malit në fjalë. Me këtë lëndë ata ndërtuan mitin romantik të malit të Tomorit, në frymën e idealeve patriotike.

Për shkollën e romantizmit shqiptar të shekullit XIX, që u përftua nën ndikimin e fuqishëm të lëvizjes mendore e politike për çlirim nacional nga zgjedha osmane, poetizimi i traditave historike dhe evokimi i së kaluarës heroike legjendare, fitonte përparësi të veçantë. Kjo ishte rruga e afirmimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve si banorë të lashtë të gadishullit. Por ky ishte edhe një argument i njësisë së tyre shpirtërore e kulturore. Feja, që për popujt e tjerë të gadishullit ishte një faktor integrimi kombëtar, për shqiptarët e ndarë në disa besime ishte një faktor disintegrimi. Në këtë mes nuk duhet harruar edhe fakti që fetë e ndryshme në Shqipëri ishin edhe përçuese ndikimesh të huaja politike e kulturore. Duke mos qenë të bashkuar rreth një feje, shqiptarët duhet të ishin të bashkuar rreth një miti kombëtar. Shkrimtarët romantikë këtë mit e krijuan me lëndë historike kur evokuan shekullin e qëndresës shqiptare që lidhet me emrin e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Por e krijuan dhe me lëndën e legjendës e të besimeve të lashta popullore, kur poetizuan kultin e Tomorrit.

Për t’i dhënë prestigj shkencor e thellësi historike këtij miti ata iu referuan trashëgimit antik. Toponimin Tomaros ose Tamari a Tmari që del te Straboni dhe te Plini Secundi (Talar) si mal pranë Dodonës, pra si mal i Shenjtë, ata e lidhën pa asnjë mëdyshje me Tomorin e Shqipërisë. Kështu kulti i Tomorit u shndërrua në kultin e malit ku ka selinë perëndia e lashtë e shqiptarëve. “Shqiptarët e moçëm, – shkruan poeti kombëtar Naim Frashëri, – besoninë Hyjninë, dhe në mal të Tomorit ish falëtore e ti, që thuhej Dodonë”.

Ky kult nacional i shqiptarëve në letërsinë romantike u kthye në një kult poetik të cilit iu drejtuan shumica e shkrimtarëve romantikë si Kostandin Kristoforidhi (1830-1895), Naim Frashëri (1846-1900), Andon Zako Çajupi (1866-1930), Asdreni (1872-1947), Hilë Mosi (1885-1933), Ndre Mjeda (1866-1937), etj.

Kristoforidhi, themeluesi i prozës moderne shqiptare, shkrimtari që solli në shqip Dhjatën e Redhe shumicën e shkrimeve të shenjta, njërit prej rrëfimeve të tij më të bukura, Gjahu i malësorëve(1884) i vë si nëntitull Hieja e Tomorit, d.m.th. sipas etimologjisë që jep ai, Perëndia e Tomorit. Kjo prozë evokon perëndinë pagane të shqiptarëve si mbrojtëse të tyre qysh nga kohët kur, si shkruan autori, Krishti e Muhameti nuk kishin ardhur në botë.
Z. Çajupi përmbledhjen e tij më të rëndësishme poetike e titulloi “Baba – Tomori” (1902). Vjershame të njëjtin titull e kësaj përmbledhjeje është ndërtuar si një dialog poetik midis autorit dhe baba Tomorrit që është personifikuar si dëshmitar i ndodhive historike të shqiptarëve dhe si një orakullqë parathotë të ardhmen e kombit.

Në poezinë e Naim Frashërit, poeti më i madh kombëtar i shqiptarëve, tradita pagane e kultit të Tomorit u rigjallërua në një sfond mitologjik si Olimp i shqiptarëve dhe si seli e zanave të maleve. Ky element i fundit paraqet interes të veçantë si një figurë tradicionale mitologjike e trashëguar nga lashtësia ilirike. Sipas Eqrem Çabejt, nga një “interpretatio latina”, Zana, nuk është veçse Diana iliro-romane, që në shqip dha Zana e në rumanisht Zina. Këtë personifikim të bukurisë dhe të trimërisë, mbrojtëse të maleve, figurë tipike për mitologjinë pagane të trevave veriore, poema e Naimit “Bagëti e bujqësia” (1886) e ka sjellë në mal të Tomorit dhe e ka thirrur si “perëndi e ligjësisë” (e ligjërimit). Mbetet e diskutueshme nëse kjo neologjizëm e Naimit lidhet me trajtën Zërë (Zana) që haset në Jug të Shqipërisë, dhe që është një dëshmi për njësinë shqiptare. Po këtu është rasti për të vënë në dukje se poetizimi i Tomorit si seli e muzave të maleve është në funksion jo vetëm të krijimit të mitit romantik për malin e shenjtë të shqiptarëve. Poeti i lutet zanës të mbrojë fusharakët si edhe malësorët, dhe kjo i jep Tomorit atributin e simbolit të unitetit kombëtar të shqiptarëve.

Besohet se rasti i kultit të Tomorit në letërsinë romantike shqiptare është një dëshmi e plotë e rolit që kanë lojtur kultet pagane ose fetare të popujve ballkanikë për ndërtimin e miteve dhe të simboleve të tyre kombëtare.Wikipedia

Historia e Malit të Tomorrit – ‘Olimpit të Perëndive Shqiptare’ Read More »

Bëhuni gati! “Colour Day Festival” për herë të parë në Shqipëri!

Më 12 maj do të vij për herë të parë në Shqipëri një nga festivalet më të njohura në botë, “Colour Day Festival”.

Patenta ndërkombëtare e këtij festivali që ka në bazë të tij muzikën dhe hedhjen e bojës me ngjyra të ndryshme tek njerëzit do të vij për herë të parë edhe në vendin tonë.

Prezantimi i këtij festivali i është besuar moderatorëve Fatma Methasani dhe Flori Gjini.

Gjithashtu të ftuar special do të jenë kantautori Alban Skënderaj, reperi Capital T, Dj Olti, këngëtari Gjergj Kaçinari, Dj Abel dhe Dj Aldo për të ndezur atmosferën e sheshin “Nënë Tereza” më 12 maj.

Ky festival konsiderohet si një ndër më të këndshmit për të rinjtë.






Bëhuni gati! “Colour Day Festival” për herë të parë në Shqipëri! Read More »

UNESCO të ruajë trashëgiminë kulturore të Çamërisë

Nga Nexhat Merxhushi

Për 19 prillin edhe shqiptarët e Çamërisë kanë për të thënë për Monumentet e Kulturës.

Në këtë shkrim jam përpjekur të hedh dritë mbi disa vlera të kulturës materiale të Çamërisë. Këto vlera që zakonisht emërtohen si Monumente të Trashëgimisë, e kanë një origjinë, një funksion dhe një komunitet që I kanë shërbyer. Evropa e kulturuar demokratike i njeh këto objekte të piketuara dhe nga Organizata Nderkombëtare prane OKB-së, UNESKO-s gjithashtu dhe nga historianë grekë, që meren me këto objekte kulturore-historike.

Zëri im në këtë shkrim ka një të vërtetë nëpërmjet dy burimeve: I pari- Unë kam lindur në Paramithi (Camëri) dhe sot jamë 83 vjeç. Disa prej këtyre objekteve i kam parë dhe prekur. Dhe burimi i dytë, kam shfrytëzuar studiues grekë dhe europianë.

Kur isha fëmijë, unë luaja me shokë në rrënojat e gurta të mbetjeve arkeologjike të qytetit të lashtë të Paramithisë dhe nuk dija ku luaja. Më vonë kuptova se çfarë emra dhe objekte të shenjta kisha shkelur. Studiuesve që u intereson kultura kombëtare u them se mund t’u vlejnë për t’i vënë në jetë dmth t’i integrojnë në Historine tonë Kombëtare, këto vlera materiale.

Problemi i trashëgimisë kulturore dhe historike nuk duhet trajtuar si politik, pasi objekti i ketij studimi është thjesht shkencor dhe si I tillë nuk duhet anashkaluar, sepse i shërben njerëzimit, por natyrisht edhe vendit ku është kultivuar- shqiptarëve të çamërisë dhe camëve, Shqipërisë dhe shqipëtarëve, Greqisë dhe grekëve, Evropës dhe evropianëve.

Deklarata e OKB-së e vitit 1966 thotë: “Të gjitha kulturat bëjnë pjesë në Trashëgiminë e Perbashkët të Njerëzimit” Si krime kundër njerëzimit janë edhe shkelja e të drejtave ekonomike, politike dhe kulturore të popullsisë autoktone.

Studiuesi anglez Xheims Petifer, që merret edhe me trashëgiminë e vlerave kulturore të shqiptarëve të Çamërisë, duke parë se Greqia I ka lënë në pikë të hallit, thotë: “Në qoftëse nuk merren masa të shpejta, Evropa do të ketë humbur një pjesëzë të mahnitshme të së kaluarës së saj otomane”.(Gazeta Telegraf 1 tetor 2015)Shteti mund t’i nënvleftësojë shumë herë këto probleme, shkenca dhe shkencëtoret jo.

Profesori anglez, Xhejms Petifer

Disidenti hungarez i shek XX, thotë: “Trashëgimia nuk është emocion historik, nuk është Revolucion Shoqëror, nuk është themelim feje. Trashëgimia është prehje përfundimtare e së vërtetes”. (disidenti hungarez I shek XX Bela Hamvash)

Dhe së fundi, historiani amerikan Scharls M. Andreys, shkruan: “Niveli qytetërimit të një vendi varet nga fakti se sa i kushtohet kujdes e rëndësi ruajtjes së monumenteve të së kaluarës së tij”.(Historiani Scharls M. Andreys)

Me të drejtë studiuesi anglez Xheims Petifer, për këtë problem, jep alarmin. “Sot Epiri bashkëkohor, karakterizohet nga një zbrazëti shpirtërore. Ndërtesat e vjetra të Epirit të Camërisë, përbëjnë një nga zonat më të rëndësishme të periudhës Veneciane dhe Otomane. Gjendja e mjerueshme e këtyre monumenteve, të lëna mbas dore nga Qeveria Greke duhet të bëhet shqetësim Nderkombëtar . Varrezat e Myslimanëve janë përdhosur nga ndërtimet pa leje.”( Gazeta Telegraf 1 tetor 2015)

Shumë ligje te BE-së, Greqia nuk i ka përshtatur brënda Legjislacionit Kombëtar Grekë.Gjykimi me vërtetësi I trashëgimisë është I lidhur me identitetin dhe autoktoninë e një populli. Shqiptarët e Çamërisë kanë qenë në ato vende prej shekujsh.

Për këto territore, Tukididi thoshte: “Barbarët nuk ishin greqishtfolës” (vepra 1-46-4). Kurse Straboni thoshte: “Ai (Homeri) i njihte mirë gjithë Elenët, deri tek Thesprotët, që nuk ishin Helene.”Po të flasim për autoktoninë tonë shqipëtare kemi shumë për të thënë, por dua të përmend autorët e vonët Grekë, Vasil Krapsiti dhe Jani Sharra, që në veprat e tyre shpesh kanë shkruar: “Çamët me origjinë Shqipëtare ishin banorë autoktonë”.

Prandaj sot ngremë zërin, që vlerat Monumentale të së kaluarës, duhen ruajtur si vlera të një populli vital dhe të vjetër, që ka ruajtur gjuhen shqipe, duke mos pasë shkolla, por ka dorë në këto vlera historike, ka mënyren e jetesës dhe që ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve botërorë. Unë jam munduar të vë në dukje disa vlera historiko-kulturore të qytetit tim, Paramithisë, që sipas Enciklopedisë Greke “Paramithia është kërthiza e Çamërisë”.(Enciklopedia e Madhe Helenike e vitit 1856, volumi 23, faqe 405).

Më shumë kam folur në gjuhën e të huajve, por edhe të vetë Grekërvë. Historiani grek V. Krapsitipërforcon thëniet e shumë të tjerëve për Paramithinë. “ Në këto territore (Thesproti-Çamëri) janë zbuluar shenja jete që në periudhën e Paleolitit (40000 vjet para Krishtit, ndoshta edhe më herët”. (Vasil Krapsiti tek Libri “ Istoria tis Paramithjas” 1986, faqe 115)

Sëpatë e periudhës së neolitit

Nuk dëshiroj t’i paragjykoj, por si politika ashtu edhe Kisha Greke, kam bindjen, që menjëherë do vënë alarmin se shqipëtarët janë iredentistë dhe duan të na marin tokat “tona”.

19 Prill i vitit 2018është caktuar nga UNESCO si “Dita Ndërkombëtare e Monumenteve të kulturës dhe Siteve Arkeologjike”.Në këtë ditë përkujtimore, ne Intelektualët Çam u bëjmë thirrje Organizatës Ndërkombëtare UNESCO-s, Monumens in Danger(Monumenteve në Rrezik), Save Europe’s Heritage(Organizatës Britanike, Ruani Pasurinë e Evropës), Institucioneve pranë Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Galerisë së Arteve etj. të marrin masa që kjo trashëgimi kulturore-historike të ruhet si vlerë kulturore për t’I sherbyer njerëzimit.

Këtu poshtë po japim të dhëna për monumentet e kulturës historike në territorin e Thesprotisë (Çamëdisë).

Dodona

Shtrihet në L.P. të lartëaive 1658m të Malit Korrilla të Paramithisë që zbret butë dhe gradualisht në luginën e këtij qyteti të lashtë. Quhet Dodona e Thesprotisë ose Thesprotia e Dodonës. Fjalën Thesproti camët e shpjegonin edhe kështu: thes-I (vend) dhe proto-I (I parë) Vend I Parë. Kulla e Bollatatëve ( I Ekdhosi)

Kulla e Bollatatëve e periudhës veneciale. Viti 1200

Autorët grekë Spiro Muselimi (“Shëtitje historike nëpër Thesproti” Faqe 692)dhe Vasil Krapsiti (I myslimani Camidhes tis Thesprotias faqe 115)thonë se kjo kullë është ndërtuar nga Venecianët në vitin 1200, gjë për të cilën, që të dy nuk ishin fort të binduar. Kur Ali Pasha kalonte nga Paramithia, qëndronte në Kullë. Në majë të kullës kishte një ulli. Kulla ishte ndërtuar me gurë të latuar, karakteristikë e ndërtesave të këtij qyteti.

Shtëpi karakteristike me gurë kishte plot në Paramithi, dallonin shtëpia e Salih Hafuzit (Muhedinit) dhe shtëpia e Xhemil Efendiut.

Shën Donati (Ajeos Donates)

Ishte Peshkop dhe jetoi në gjysmën e parë të shek.IV. Si Peshkop i përkiste gjithë Dioqezës së Camërisë me qendër në Eure ( Seli Ipeshkvore) e ngritur në një mal të goditur nga natyra, me shkallë, që më vonë u quajt Paramithi ose Ajdonat.

Emrin e mori nga kijuesi I saj Shën Donat dhe turqit më vonë e mbajtën këtë emër, duke e quajturAjdonat Kala ose Ajdonat Kasaba. (studiuesit bashkëshortë, Engjellushe dhe Gjin Varfi, Gazeta “Camëria” Nëntor 2006)

Sipas hartës greke me shkallë 1:300 000, monumentet kulturore në Paramithi janë të barazlarguar nga qendra sipas skicës së poshtëshënuar

Kulla e Sahatit

Ndërtuar me iniciativën e Venecianëve më 1750. Kur Ali Pasha kalonte në Paramithi, sahati punonte dhe kishte një tingull melodioz. (Vasil Krapsiti tek Libri “Historia tis Paramithias 1985 fq 68)

LagjiaTsardakia në Paramithi

Në këtë Lagje Tsardakia (Shardhaqa) sipas autorit grek Vasil Krapsiti kishte: mbetje Arkeologjike, si vegla guri, qeramika që datojnë që nga Epoka e Paleolitit (Guri I Vjetër – 40.000 vjet para lindjes së Krishtit) e deri në Epokën e Bakrit. Në këtë Lagje ka mure shumë-këndëshe dhe varre në formë kutie, që dëshmojnë për kulturën Mikene. (V. Krapsiti “Historia tis Paramithias” Athinë 1985 fq 63). Në këtë lagje banonte familja e Merxhushejve.

Xhamia Vasilius (E mbretit)

Sipas Krapsitis, kjo xhami është ndërtuar më 1490 nga Sulltan Bajaziti (fq 115)Autori Krapsiti, those se për origjinën e kësaj xhamie, flet një dokument I vjetër që ndodhet në Dhimarhion (Komunën) e Paramithisë. Në këtë xhami, me lejen e Administratoritte saj, Hafuz Dules, ne fëmijtë bëmë 2-3 muaj mësim për gjuhën shqipe.Ishte xhamia më e vjetër në Ballkan.

(V. Krapsiti tek Libri I tij thotë se për këtë xhami ndodhet një dokument në Dhimarhion (komunën) e Paramithisë. fq 75)

Kështjella e Paramithisë

Kështjella

Në kohën time quhej ta hallazmata(të prishurat). Dhe me të vërtetë kishte mure gjysëm të prishura dhe disa guva ku ne fëmijtë loznim, pa e ditur se ku. Veç kësaj kishte dhe një Kështjellë të vogël në Gallata. Në këtë kështjellë ka mjaft mbetje arkeologjike.

Hulumtuesi anglez, piktori Eduart Lir është shprehur: “Në veri të këtij qyteti, vihej re Kështjella e Gurtë, mbështetur pas maleve e shpateve në forma të magjishme. Parase të largohesha nga ky qytet I lashtë, realizova portretin e një vajze shqiptare nga Paramithia. Vajza kishte një hijeshi e bukuri të mahnitshme.”(Vasil Krapsiti Fq 115 dhe Gazeta Tirana Observer dt 31.07.2015)

Vakëfet

Këtu poshtë po japim një dokument që Vakëfet në Çamëri ishin konfiskuar nga Grekët dhe se banorët e kësaj treve ishin me origjinë shqiptare.

Myslimani Hasan Abdulla Hasani lindur në Paramithi, i regjistruar në Regjistrat Themeltar të meshkujve të Komunës tonë, me numër rendor 263 dhe vit lindjeje 1876, regjistruar në të gjatë vitit 1914, kur u krijuan Regjistrat Themeltar, kur u dha shtetësia në bazë të Traktatit të Athinës, është nënshtetas Grekë, I fesë myslimane, origjinës (prejardhjes) shqiptare dhe jo I përfshirë në këmbimin e popullatës dhe banor I përhershëm I Paramithisë qysh nga viti 1912 e këtej.

I lartëpërmenduri është Myftiu i Paramithisë dhe në bazë të ligjit 2345 Administruesi i pronave Vakëfeve të Rrethit të Paramithisë.

Ky dokumentlëshohet jo I plotë në bazë të Nenit 131 të Kodit Agrarme qëllim që ta përdorë për marrjen e dëmshpërblimit nga Pronat e Xhamive të Shenjta, të shpronësuara si cifliqe.

Paramithi 4 Mars 1935

Myftiu I Paramithisë Kryetari Komunës

Hasan Abdulla Anastas Haliqa

Vërtetohet

Prefekti i Janinës

(Emër i palexueshëm)

I njëjti vërtetim është lëshuar për Kryetarin Sali Hafuzi (Muhedini) gjithashtu dhe për banorë të tjerë shqipëtarë cam, por tek Myftiu janë shënuar vakëfet e konfiskuara.

Vakëfet

1) Agora (Lugati)

2) Zervehori (Dragoni)

3) Rahliu (Ciflia)

4) Qira Panaja

5) Vëlani

6) Kardhiqi

7) Stanovo

8) Miminë

9) Njihori

10) Prodhromi

Të gjitha këto vakëfe sot figurojnë të tjetërsuara, por unë jam i detyruar t’i përmend, në bazë të dokumentit që veç të tjerave tregon edhe autoktoninë e banorëve shqiptarë të Çamërisë. Autoktoninë e tregon dhe dokumenti i Sali Hafuzit dhe dokumenti i Namik Merxhushit.

Bronxet

Në “Muzeun British” të Londrës në dhomën 70 ka një mbishkrim të tillë “Statujë prej Bronxi të gjetur nga disa fshatarë thesprotas (shqiptarë-cam) të Paramithisë më 1771” “Këto Statuja I përkasin Perëndeshës Romake të Dashurisë, Venusit dhe janë pronë e një shtëpie të pasur Romake.”(Henri Holland- Anglez)

Holland vazhdon:“Janë 8 figura të plota Bronxi, që thuhet se janë nga Paramithia. Ka dy Jupiterë dhe një Apollon, nga më të bukurat në Botë.”Ministria jonë e Kulturës kur të ketë kohë le të shkojë t’I shikojë. (Henri Holland, studiues anglez, tek “Ravles in the Jonian Isles Albania (Shqipëri), Thesali,Maqedoni, Byron, gjatë viteve 1812-13 Londër 1815)

Nikolas Hammond, studiues I historisë Antike Greke tek Libri “Epiri” thotë: “Pjesa më e madhe e këtyre bronxeve u blenëmë 1798 nga dy udhëtarë anglez; Peini dhe Knaiti që I paraqitën në Muzeun Britanik.

Vija Egnatia

Kjo rrugë fillonte në Epidamus dhe kalonte mbi shtëpitë tona. Nga qendra e Paramithisë (Pazari) dhe deri tek kjo rrugë, distanca ishte 2.6km. (sipas Hartës greke1:130.000) Sipas thënieve, emrin e kishte marrë nga camët: e glatë është. (Shih skicën e mësipërme)

Studiuesi Arvanitas Niko Stillo

“Studiuesi Niko Stillos, Arvanitas, me pasion dhe dëshirë për të gërmuar në vlera të kulturës të Shqiptarëvë të Camërisë ka gjetur një pllakë varriqë daton në shek. V të pas Krishtit në fshatin Huvjan të Paramithisë, ku shkruhej: “Unë sitë ula, pres teksa hij në rrotullimet e Diellit, gjithnjë duke rrënkuar”.

Çezma e Sebehit në Paramithi

Ndërtuar në kohë të Osmanëve. Nga pikpamja arkitekturore dhe ndërtimore është shumë e vecantë dhe Monumentale. Paramithia kishte 12 cezme. (V. Krapsiti “Historia tis Paramithias” fq 70)

Llabovo

Sami Frashëri për Paramithinë dhe Llabovon

“Eshtë Kasaba dhe njihet për tregti dhe në javën e fundit të shtatorit bëhej Llabovo.”

Niko Zhango për Llabovon

“Cdo vit në Paramithi, javën e fundit të shtatorit, bëhej Llabovo (Panair). Dy ditë përpara vinin camë nga gjithë Camëri. Ata hipur nëpër kuaj elegantë me kostumet karakteristike të tyre, zbrisnin nga kuajt dhe drejtoheshin në han. Pastaj leventët camë , uleshin në kafe, gjithë hijerëndë me mustaqe të holla dhe me kalcet e bardha, binin në bisedë më vendasit për mallrat që do të tregtonin. Atë ditë s’kishte shtëpi paramithiote që mos të priste miq, camët leventë. Skishte asgjë më shumë sesa madhështia, rregulli dhe pastertia e këtij pazari.”

(Niko Zhango tek Libri “Imperializmi Anglez dhe Lufta e Popullit grek për Liri”)

Këtë Panair e përmend edhe Martin Lik më 1814

Xheims Petifer flet për një ndërtesë të madhe të Pashait Otoman, në Margëllic dhe për një monument tjetër me vlerë, Xhamia Islamike e Ali Pashës në Janine.

Xheims Petifer

Duhet patjetër të bëhet një regjister investor për Monumentet e Kulturës Historike dhe Kulturore.

Në këto objekte historiko-kulturore unë, fëmijë luaja bashkë me shokët, por pa e ditur se c’thesare fshihte ky qytet i lashtë i Thesprotisë (Camërisë) Paramithia, objekte të cilat tregojnë lashtësinë e këtij vendi, lashtësinë e këtij populli vital.

Ky artikull nuk është iredentist dhe as politik. Nuk jemi mësuar të gllabërojmë pronat e të tjerëve. Ky artikull është historik dhe kulturor. Vlerat e monumenteve të kulturës i takojnë gjithë njerëzimit, por edhe atij komuniteti shqiptar çam, që ka jetuar në ato territore prej shekujsh ( që me krijimin e botës) dhe prandaj UNESKO nxjerr ligje pë ruajtjen dhe restaurimin e këtyre vlerave.

Njëkohësisht është dhe një kundërpërgjigje për politikën dhe kishën greke që sot duan ti mohojnë edhe emrin kësaj nuse shqiptare, që me plot mburrje, patrioti Murat Toptani i thotë: “O e bukura e dheut, parajsa shqiptare e shtrenjta Çamëri”./ Panorama

UNESCO të ruajë trashëgiminë kulturore të Çamërisë Read More »

“Nga Ksamili në Theth”, njihuni me 20 mrekullitë e natyrës shqiptare

Shqipëria është një tokë e mbushur plot me peisazhe shumëngjyrëshe, liqene, male të larta, lumenj, lugina, dete që mahnisin edhe turistin më “skeptik”.
Më poshtë janë 20 vendet më të bukura në Shqipëri që duhet t’i vizitoni të paktën njëherë në jetë.

  1. Gjiri i Gramës në Dhërmi

Gjiri i Gramës në Gadishulli i Karaburunit i njohur si Gjiri i Grammatas, ndodhet në rrëzë te shpatit perëndimor, shumë të thiktë të tij në Orikumin e afërt. Gjiri i Graeës ka shërbyer si një vend strehimi për anijet që gjendeshin në vështirësi përgjatë këtij bregdeti të rrezikshëm në vështirësitë e motit.

Ky gji ka shërbyer fillimisht si zonë e shfrytëzimit të gurit lokal, në gurore të mëdha, gjurmët e të cilave duken edhe sot në të dy shpatet.

Emri i Gramës është i lidhur në mënyrë të qartë me mbishkrimet e gdhendura që në antikitet, mbishkrimet shkëmbore kanë qenë të shumta në gjirin e Gramës, aty numërohen me shumë se 1500 mbishkrime.

  1. Gryka e Valbonës

Kulla e Ngujimit ndërtuar në Theth, Dukagjin është tipike e kësaj zone. Një fortesë e ndërtuar në fund të fshatit dhe që përdorej nga i gjithë fshati për ngujimin nga gjaksi. Ishte banesa e atyre familjeve që për arsye gjakmarrje detyroheshin të mbylleshin aty (gjithë meshkujt mbi moshën 14 vjeç).

Vetëm gratë e shtëpisë ishin të lira të dilnin e të punonin pak tokë para kullës. Sot kulla është e vizitueshme dhe ndodhet në një zonë me vlera të mëdha turistike. Gjendet në jug të fshatit Theth dhe shumë pranë të lumit të Shalës. Për shkak të rrugëve të këqija e të pa depërtueshme në dimër, ajo kthehet në objekt vizitash e kurioziteti vetëm në stinën e verës.

  1. Liqeni i Pogradecit

Korani, mjellmat dhe lulet….e pastaj vargjet lasgushiane! Mjafton të përmendësh këto fjalë kyçe dhe kuptohet se fjala është për një nga mrekullitë e natyrës në vendin tonë, liqeni i Ohrit, syri shpirti dhe jeta e Pogradecit.

Liqeni i Ohrit është tepër i famshëm në Europë për nga vjetërsia, thellësia dhe specien e rrallë, peshkun koran që rritet në ujërat ngjyrë smeraldi. Mosha e tij llogaritet të jetë 2 deri më 5 milion vjet. Liqeni u krijua nga një shembje e tokës.

  1. Gadishulli i Karaburunit

Gadishulli i Karaburunit është ajo pjesë e bregdetit vlonjat, ku turizmi mund të gjejë terrenin më të përshtatshëm për t’u zhvilluar. 25 km larg qytetit të Vlorës, në rrugë tokësore, Gadishulli i Karaburunit ofron surpriza në çdo stinë për këdo që e viziton atë.

Agjenci turistike aplikojnë jo vetëm udhëtime përgjatë këtij masivi, por edhe pushime njëditore, në plazhet që ndodhen aty. Udhëtime të tilla organizohen kryesisht gjatë stinës së verës, ndërsa synohet që ato të shtrihen gjatë gjithë vitit.

  1. Ujëvara e Grunasit, Theth

Një ndër bukuritë natyrore më të veçanta në Alpet Shqiptare është dhe ujëvara e Grunasit e cila është shpallur monument natyre që mbrohet nga shteti. Ujëvara e Grunasit me trupin e saj te hollë me mbi 30 metër të larte së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar nga çdo turist që viziton Thethin.

Ujëvara e Thethit ka si karakteristikë të veçantë faktin që uji i saj buron i gjithi nga një shkëmb dhe është ujë dëbore. Për alpinistët që mund të vizitojnë burimin është një mrekulli e veçantë që nuk gjendet në asnjë ujëvarë të Europës.

  1. Apolonia, “Qyteti i Diellit”

Dikur këtu niste një nga rrugët më të rëndësishme që lidhte Perëndimin me Lindjen, apo Romën me Kostandinopolisin. Apolonia është qyteti antik në Shqipëri ndër më të mëdhenjtë në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera, me të njëjtin emër, të kohës antike.

Apollonia është një nga qendrat më të mëdha arkeologjike të Shqipërisë. Dëshmitë e shkruara dëshmojnë se qyteti antik Ilir është ndërtuar në vitet e para të shekullit të VI-te p.k viti 588 nga kolonistë të ardhur nga Korinthi dhe Korkyra, pas themelimit të Epidamit – Dyrrahut. Më parë në këtë zonë ishte një vendbanim Ilir, me ardhjen e kolonive qyteti mori emrin Apolloni për nder të të perëndisë Apollon.

Pozicioni gjeografik i qytetit ka luajtur një rol të rëndësishëm, kështu Apollonia ishte ngritur jo shumë larg detit, komunikonte nëpërmjet lumit Vjosa (Aoos) në një zonë mjaft të pasur të Ilirisë së jugut të banuar nga fiset ilirë të Taulantëve.

  1. Plazhi i Ksamilit

Ksamili përfaqëson një prej vendpushimeve bregdetare më të frekuentuara gjatë verës. Qyteza e vendosur në skajin jugor të vendit ofron plazhe të vogla e të pastra, ndër më të bukurat e bregdetit Jonian.

Shumë vizitorë e përzgjedhin Ksamilin për magjinë e ishujve dhe qetësinë. Plazhet e vendosura vetëm pak km në jug të qytetit të Sarandës dhe shumë pranë Parkut Kombëtar të Butrintit i lejojnë pushuesve akses të lehtë për këto dy destinacione të jetës së mbrëmjes dhe turizmit kulturor.

  1. Lugina e Valbonës

Të apasionuarit pas turizmit malor mund të bëjnë një udhëtim të mrekullueshëm në këtë sezon në Parkun kombëtar të Luginës së Valbonës e cila të magjeps me pasurinë natyrore.

Tashmë është shumë i vizituar jo vetëm nga të huajt por edhe nga mjaft shqiptarë, të ngopur me detin e të etur për aventurë dhe që duan të eksplorojnë bukurinë malore. Parku kombëtar “Lugina e Valbonës” ndodhet në Qarkun e Kukësit dhe në rrethin e Tropojës, 25-30 km në veriperëndim të qytetit Bajram Curri.

Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinthe e të papritura. Ka një sipërfaqe prej 8,000 hektarësh dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare.

  1. Hyjnesha e Butrintit

Vështrimi ëndërrimtar, balli i qetë dhe pamja dinjitoze dëshmojnë për paraqitjen e perëndisë Apolon me krehjen tipike të flokëve. Njihet me emrin Dea e Butrintit. Zbuluar në Butrint nga arkeologu italian Ugolini në vitin 1928.

Është koka prej mermeri e një burri i cili ndodhet në trupin e një gruaje. Statuja është 2,5 m e lartë, dhe është zbuluar në vitin 1928, gjatë gërmimeve arkeologjike të misionit italian në Butrint. Dëshmohet se objekti ka vlera të rralla kulturore dhe historike.

  1. Qyteti historik i Krujës

Kruja është një nga qytetet më me histori nga të gjitha ato shqiptare. Ajo karakterizohet jo vetëm për gjeografinë e veçantë, kalanë mbresëlënëse por dhe shumë tradita të përcjella brez pas brezi. Historia që u thurr në qytetin e lashtë na bën të ndihemi krenar sa herë që e vizitojmë.

Duke mos harruar betejat e Skënderbeut, folklorin e shumë tradita krutane. Kruja njihet ndryshe edhe si “qyteti i bardhë” dhe ka një lartësi gjeografike prej mbi 600 metrash mbi nivelin e detit dhe kur koha është e kthjellët e pa re prej maleve të këtij qyteti mund të shihet bregdeti Adriatik i Durrësit.

  1. Mrizi i Zanave, Fishtë

Për të provuar kuzhinën tradicionale shqiptare duhet të vizitoni restorantin Mrizi i Zanave, në jug të Shkodrës.

Të gjitha gatimet ofrohen me prodhime vendi. Mishi me salca të ndryshme është specialitet.

12.Shpellat, Shqipëria e jugut

Një tjetër shpellë e Karaburunit është edhe ajo e quajtur e Inglizit. Gjatë viteve të Luftës së II-të Botërore kur SOE, Drejtoria e Operacioneve të Posaçme me qendër në Kajro, krijoi një bazë detare për misionet e saj që vepronin në Shqipëri për të mbështetur rezistencën antifashiste.

“Inglez” është shqiptimi që dukatasit e asaj kohe i bënë fjalës “Anglez”, dhe prej asaj kohe shpella mban këtë emër. Ato kohë, burrat e krahinës, afroheshin tek kjo guvë e zezë për të rrëmbyer ndonjë rrobë, apo ushqim. Më shumë merrnin plasmas, që e bënin çobanët pelerinë për shi, apo një lloj sheqeri të verdhë, shumë të shijshëm, që tek ne nuk njihej deri në atë kohë.

  1. Shpella e piratëve

Shpella ujore ka një thellës prej 40 metrash, dhe nëpër muret e lagështa vihen re shenja bloze dhe gjurmë zjarresh. Ky objekt natyror, sipas gjeografëve vlonjatë, është shpella më e madhe detare e vendit, me xhepa të shumtë brenda saj. Për eksploruesit e natyrës, në Gadishullin e Karaburunit, ndodhet Shpella e Haxhi Alisë, detarit të njohur të Mesjetës së Vonë, i cili kishte ngritur në këtë shpellë portin për flotën e tij.

Ndodhet në Karaburun, midis kepave të Gjuhëzës dhe Golovecit.Sipas legjendës, Shpella dikur është përdorur nga Pirati i njohur i shekullit të XVII-të Haxhi Aliu. Këtu ai strehohej së bashku me anijen dhe njerëzit e tij. Pozicioni i favorshëm i Karaburunit i ofronte këtij pirati mundësinë e plaçkitjes së anijeve napolitane, turke, veneciane, dalmate, etj. Pasi u vra nga venecianët Haxhi Aliu u varros së bashku me të birin në Sazan. Por varret e tyre nuk janë gjendur asnjëherë. Pleqtë tregojnë se Haxhi Aliu ishte një hero deti, ujk i gjallë, që nuk i trembej as kohës së keqe, as përleshjeve me piratët e shumtë, çfarë kishte në kohën e tij nëpër Mesdhe. Thanasi, një prej burrave më të moshuar të zonës, tregon se legjenda e kishe zmadhuar çdo veprim dhe trimëri të tij.

  1. Pika turistike e Dardhës

20 kilometra në juglindje të Korçës, në një lartësi gjeografike impresionuese mbi 1300m, që vetvetiu e çon përfytyrimin te dimri i gjatë me borë te pranverat e ndezura nga blerimi. Shtëpitë prej guri me çati me rasa janë tipari dallues i fshatit.

Dhe shtëpitë shpesh janë vila dykatëshe të ndërtuara më së miri me kopshte të mrekullueshme të mbushura me lule. Tradita e ndërtimit me gur është respektuar në maksimum në këtë fshat. Dardha ofron mundësi për ecje në mal, ndonëse aktualisht njihet veçanërisht për turizmin malor dimëror. Është një nga të paktat vende në Shqipëri ku kanë mbetur pyje të larta.

  1. Kalaja e Petrelës

Kjo kala ndodhet në rrugën nacionale Tiranë – Elbasan, 18 km larg nga kryeqyteti. Ngrihet mbi një kodër shkëmbore sipër fshatit me të njëjtin emër. Ajo ka trajtë trekëndore me dy kulla vrojtuese. Ndërtimi i parë i saj i përket periudhës së antikitetit, ndërsa forma e sotme i daton shekullit të XV. Kalaja e Petrelës nga zbulimet e bëra, është kala mesjetare e ndërtuar në kohën e sundimit të Perandorit Bizantin Justianit të I, në shekullin e VI pas Krishtit.

Kjo qe një prej kalave të ngritura prej tij në sistemin mbrojtës së Perandorisë. Është kala e ngritur mbi një terren me shpate mjaft të pjerrëta, madje nga ana jugore dhe juglindore të thepisura, të cilat e kanë bërë kalanë shumë të mbrojtur. Ajo u ngrit në momentin kur Kalaja e Vilës, kala antike, e cila ndodhet përballë Kalasë së Petrelës, e humbi rëndësinë e saj. Ajo u ngrit kryesisht për qëllime ushtarake. Kalaja e Petrelës kontrollonte rrugën Egnatia, dega Durrës-Tiranë-Elbasan, e cila për kohën kishte rëndësi të veçantë. Sot në ambientet e saj ka shërbim restoranti. Prej andej hapet një pamje mjaft e bukur drejt luginës së Erzenit, kodrave me ullinj dhe maleve përreth.

  1. Berati

Njihet si “qyteti i një mbi një dritareve” dhe është shpallur një qytet muze. Ndodhet në shpatin e malit të Tomorrit ku ngrihet kalaja. Brenda mureve të kalasë ndodhen shtëpitë e banimit dhe “Muzeu i Onufrit”. Pikturat dhe ikonat e piktorit të madh shqiptar janë të ekspozuara atje. Pjesa e vjetër e qytetit ka disa ndërtesa fetare si kisha dhe xhamia. Qyteti i Beratit përbën rastin më unikal të një qyteti turistik, që pret e përcjell turistë gjatë gjithë stinës së vitit, kjo për faktin se Berati promovon turizmin kulturor. Berati vërtet nuk është qytet bregdetar, por ka një numër të madh monumentesh kulturore që janë pjesë e Trashëgiminë Kulturore Botërore. Ai është një qytet 2400-vjeçar si dhe është anëtar i Trashëgimisë Kulturore Botërore (UNESKO). Këto dhe pamja piktoreske e bëjnë Beratin një qytet me histori, vlera dhe kulturë të pasur.

  1. Syri i Kaltër, Sarandë

Nga thellësia e tunelit, përmes të cilit uji del në sipërfaqe, burimi merr ngjyrën blu, që i ngjan bebes së syrit. Po sa fillon rrjedhën, ngjyra fillon e çelet drejt së kaltrës. Bimësia që rrethon Syrin në pjesën e lartme të tij i ngjan më shumë qerpikëve, ndaj me të drejtë është quajtur “Syri i Kaltër”.

Ai është burimi më i madh dhe më interesant ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë malit të Gjerë. Sot gëzon statusin e monumentit të natyrës. Thellësia e tij është tepër e madhe, arrin deri në 45 metra. Ai ndodhet përballë fshatit Krongj, 45 metra nën nivelin e luginës së Drinos. Syri i Kaltër është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm.

  1. Kanionet e Osumit, Skrapar

Skrapari mund të quhet edhe rrethi i kanioneve madhështore. Në të gjenden dy kanione të mëdha, të dy monumente natyre, midis tyre kanioni i Osumit, më i madhi në gjithë Shqipërinë, që me të drejtë është quajtur “Koloradoja e Shqipërisë”.

Ai gjendet në sektorin Çorovodë – Hambull të luginës së Osumit, është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 m i gjerë, i thellë deri në 70-80 m, me shpate vertikale, përfund të cilëve rrjedh “lozonjar” Osumi, duke u “mburrur” me krijesën e vetë.

  1. Parku Kombëtar i Llogarasë

Parku Llogorasë gjendet afro 40 km në juglindje të qytetit të Vlorës, në kufirin hapësinor midis detit Adriatik dhe Jon. Afër Qafës së Llogorasë takohen drurë me forma kurorash mjaft interesante në të cilat ndihet ndikimi i korenteve.

Pisha Flamur, Llogora gjendet në parkun Kombëtar të Llogarasë, pak më në veri të qafës me të njëjtin emër, 910 m mbi nivelin e detit. Ka formën e flamurit si rezultat i veprimit të erërave të forta të juglindjes. Ky monument ka vlera shkencore, biologjike, estetike dhe turistike. Disa degë po thahen nga faktorët natyrorë.

  1. Kullat e Thethit

Kulla e Ngujimit ndërtuar në Theth, Dukagjin është tipike e kësaj zone. Një fortesë e ndërtuar në fund të fshatit dhe që përdorej nga i gjithë fshati për ngujimin nga gjaksi. Ishte banesa e atyre familjeve që për arsye gjakmarrje detyroheshin të mbylleshin aty (gjithë meshkujt mbi moshën 14 vjeç).

Vetëm gratë e shtëpisë ishin të lira të dilnin e të punonin pak tokë para kullës. Sot kulla është e vizitueshme dhe ndodhet në një zonë me vlera të mëdha turistike. Gjendet në jug të fshatit Theth dhe shumë pranë të lumit të Shalës. Për shkak të rrugëve të këqija e të pa depërtueshme në dimër, ajo kthehet në objekt vizitash e kurioziteti vetëm në stinën e verës.

“Nga Ksamili në Theth”, njihuni me 20 mrekullitë e natyrës shqiptare Read More »