Art-Kulture

‘Stambolli i vogël’ i Tepelenës në sytë e historisë (Foto)

E ndodhur mes qytetit të Përmetit dhe Tepelenës, me një urë të varur të dhuruar nga Pashai i saj Ali Tepelena, aq afër  me lumin e Vjosës dhe me një klimë shumë të favorshme për rritjen e agrumeve dhe bimëve të tjera, e bëjnë këtë fshat të vogël shumë të preferuar. Në zonën përreth e thërrasin ndryshe edhe “Stambolli i vogël”.

Po flasim pikërisht për Dragotin, vend i cili njihet shumë mirë nga të gjithë jugorët për arsye se është e vetmja urë e cila bën të mundur lidhjen e pjesës juperëndimore me atë juglindore të vendit. Ura e Dragotit ka qenë një dhuratë nga Ali Pashë Tepelena që vazhdon edhe sot e kësaj dite të qëndrojë në këmbë, sigurisht e rikonstruktuar.

Mendohet se emri “Dragot” vjen nga fjala “Dragoi” qenie mitologjike e fortë, mbrojtëse, për shkak të pozicionit të favorshëm për të jetuar dhe klimës së butë që më të drejtë udhëtarët e kanë quajtur “Stambolli i vogël”. Rruga kryesore vjen paralel me shtratin e lumit dhe Janina e Konica e kishin si rrugën e tyre kryesore që i lidhte me pjesën tjetër. Këtë rrugë ka ndjekur edhe Edith Durham, diku nga fillimi i shek. XX.

Është thënë se ishte shoqëruar nga një djalë me emrin Sadik e që udhëtarja paska qëndruar në shtëpinë e tij në Dragot.

Edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet po aq mahnitës si për vendasit edhe për të huajt, por fakti që i tërheq më shumë turistët është se aty afër, në Beçisht ka lindur edhe Ali Pashai, por Dragoti ka edhe një simbolikë tjetër, ka një urë që ka marrë emrin e tij.

Është një urë shumë elegante e që silueta e saj e harkuar duket që larg e harmonia e strukturës së saj të befason.

Është plot 100 metra e gjatë e nuk ka këmbë në mes. Bashkon malin e Golikut me Shëndëllinë dhe është një urë me një peshë të madhe strategjike. Kështu është quajtur në kohë lufte dhe paqeje.

Është ruajtur me rojë në kohën e socializmit. Dhe në historinë e saj të luftërave është bombarduar disa herë, por pozicioni strategjik e ka bërë të pamundur shkatërrimin e saj. Një pllakë çeliku, e vedosur në një nga harqet e saj lexohet “Asaldo. Genova 1936-XIV”. Asaldo duhet të jetë firma ndërtuese e urës, ndërsa “XIV” është viti i 14-të i “erës fashiste”.

Ndërsa në hyrje të urës, në faqen shkëmbore djathtas, ndodhet një gur i cili nuk është i të njëjtës strukture të shkëmbit mbi të cilin ai rri. Ka ngjyrën e betonit dhe një legjendë se kjo urë do të jetojë sa të jetojë edhe ky gur.

Dikush thotë se ai gur është pikë orientimi për ndonjë thesar të fshehur të Ali Pashës. Këto dhe të tjera histori e gojëdhëna, bëjnë kurioz shumë udhëtarë e vizitorë të ngiten në këto anë e të shikojnë nga afër fshatin dhe historinë e tij.

Dragoti është edhe vendlindja e aktorit të madh hollivudian Stan Dragoti.

Është një vend shumë i bukur për tu vizituar dhe sigurisht për të njohur dhe pak mikpritjen e vendasve e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë tipike e kohëve të vjetra.

Fshati vizitohet sipas intenerarit Tepelenë- Dragot- Përmet./konica.al

‘Stambolli i vogël’ i Tepelenës në sytë e historisë (Foto) Read More »

Ura ‘Veneciane’ ne Brataj monument kulture !

Koha e ndërtimit: Shek. XVII.

Vendndodhja: Fshati Brataj.Ura e Bratajt, ndodhet në fshatin Brataj të rrethit të Vlorës. Ajo është ndërtuar mbi lumin Shushicë, në luginën e ‘Epërme’ të tij. Është urë guri e tipit me tre qemerë, me kreun e rrafshët.

Imazh i ngjashëm

Në qendër ndodhet një hark i madh dhe në të dy anët ndodhen dy harqe më të vegjël, të mbështetur në masivin monolit të shkëmbit. Harqet janë ndërtuar me qemere dyfishe, ku i sipërmi del pak në formë dhëmbëzimi duke krijuar një nervaturë që e hijeshon krejt pamjen ballore të harkut kryesor. Ajo është ura më e madhe e periudhës osmane në rrejedhën e lumit Shushicë, rreth 50 m e gjatë, 4 m e gjerë dhe arrin deri në 12 m lartësi. Monumentaliteti i saj qëndron në harmonizimin e elementëve arkitektonikë me peizazhin dhe terrenin shkëmbor, mbi të cilin është ndërtuar.

Imazh i ngjashëmImazh i ngjashëm

Ura ‘Veneciane’ ne Brataj monument kulture ! Read More »

Sazani : Ishulli i thesareve dhe çudive historike !

Arkeologët në shekujt 5 dhe 6 para erës së re, kanë  publikuar të dhëna, ku shprehen se Sazani në fillim u quajtur “gur” (që rrjedh nga fjalia saso-gur). Sipas autorit të vjetër romak Sklymi, ky ishull i është dedikuar hyjneshës Athina, e cila paraqitej në vizatimet e lashta me uniformë të praruar ushtarake. Që në antikitet ishulli thërritej me emrin Sasan, që do të thotë ishulli i Shpresës. I pari që e përmend është autori i antikitetit Skilariaki, i cili thotë: “Më afër maleve Kereune është një ishull i vogël që quhet Sasan. Prej këtej në qytetin Orik (Orikum) lundrimi mban një të tretën e ditës”. Ndërsa gjeografi i shquar Aleksandër Ptolemeu shek.II-të p.e.s përmend ishullin e Sazanit në koordinatat gjeografike të tij  44º 10’ dhe 30º 30’, që janë afër realitetit të sotëm. Detari i shquar romak Plini në shekullin I p.e.s thotë, “Tremijë hapa larg nga Oriku gjendet Ishulli i Sazanit i përmendur si qendër piratësh.

Gjatë mesjetës ishulli kaloi në zotërimin Venecian. Gjatë Mesjetës Sazani ishte zotërim i Venedikut, që zotëronte pothuaj pikat më strategjike të Adriatikut, madje dhe të Mesdheut”. Edhe mbreti Ferdinand i Napolit në vitin 1481 e ka përdorur Sazanin si bazë ushtarake.

Në shekullin e XV-të u pushtua nga osmanët. Në fillimin e shekullit të XIX-të, Sazani së bashku me disa ishuj të tjerë jonianë u pushtua nga Anglia, e cila në vitin 1864 ia kaloi Greqisë. Gjatë luftërave Ballkanike, në vitin 1912, për të bllokuar daljen në det të qeverisë së parë shqiptare të Ismail Qemalit, grekët vendosën trupa në Sazan. Në 30 dhjetor të vitit 1914, Sazani u pushtua nga Italia.

Në vitin 1920 italianët u përzunë nga Vlora, por jo nga Sazani. Ai u kthye në një vend internimi, më saktë në një “burg natyror” për burrat shqiptarë të besimit mysliman që kundërshtonin fashizmin. Vendimet e Beunit nuk mundën të shkonin përtej Sazanit. Numëroheshin deri 1700 veta të burgosur, të cilët jetonin në kushte mjaft të vështira, si rezultat i mungesës pothuajse totale të ujit të pijshëm. Ata merreshin me punime mbrojtëse, rrethonin ishullin me tela me gjemba dhe minonin territorin e ishullit në ato pak vende tokë që ishulli “takon” detin.

Përkatësia e Sazanit ndaj Italisë është sanksionuar nga Traktati Italo-Shqiptar i 3 gushtit 1920, i ratifikuar nga Konferenca e Parisit në 5 nëntor 1921, edhe pse ishte një tokë tërësisht shqiptare. Ishulli i Sazanit i përkiste ëndrrës së madhe të Italisë, pasi siç thuhej ajo donte t’i kishte të garantuara e të sigurta “dyert e lindjes”.

Megjithatë kohët do të ndryshonin. Më 21 tetor 1944 ishulli merret nga partizanët dhe Sazani bëhet një herë e përgjithmonë tokë shqiptare. Ishulli u çlirua nga Ushtria Nacional Çlirimtare Shqiptare dhe që nga ajo kohë është pjesë e integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar. Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, në Orikum të Vlorës, u shndërrua në një ndër pikat kyçe të Ushtrisë së Kuqe sovjetike dhe asaj shqiptare në Mesdhe.

Nga viti 1997 në ishull u vendosën disa motovedeta dhe anije të forcave detare Italiane të cilat asistonin ne luftën kundër trafiqeve të jashtëligjshme dhe ndihmën për ringritjen e kapaciteteve operative të forcave detare dhe policisë kufitare shqiptare. Në vitin 2009, pas plot 12 vjet qëndrimi në ishull dhe një lufte të suksesshme kundër trafiqeve te jashtëligjshme, forcat detare italiane largohen nga ishulli, i cili në planet e Ministrisë së Mbrojtjes Shqiptare do vazhdojë të shërbejë akoma si bazë detare.

Sazani jo vetëm që është një vend strategjik ushtarak që kontrollon tërë bregdetin shqiptar edhe kanalin e Otrantos, por ai është edhe një vend i bukur, me resurse të papërsëritshme turistike. Sipërfaqja e ishullit është 5.7 kilometër katror dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër. Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër. Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer.

Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por i hapur dhe shumë i thellë. Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detaro-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut. Pikërisht këtu gjendet edhe Plazhi zallor i Admiralit. Ishulli përbëhet nga dy kodra shkëmbore monolite me lartësi maksimale 342 metra. Ngritja e këtij relievi në mënyrë të menjëhershme nga deti të krijon përshtypjen e një lartësie shumë të madhe. Lartësitë e ishullit ulen nga skajet në drejtim të qendrës. Dy luginat e tij, ajo e Përroit të Xhehenemit dhe Përroi i Shënkollit, që nisen nga Qafa e Vidheve, e ndajnë ishullin në dy pjesë, në atë Veriore, që është më e larta, plot 342 metra dhe në atë Jugore, me lartësi 331 metra. Klima e Sazanit është e butë, mesdhetare.

Temperatura mesatare vjetore është 16,2 gradë Celsius. Mesatarja e janarit është 10 gradë Celsius dhe e korrikut 23,4 Celsius. Sasia mesatare e reshjeve është 715 mm në vit. Ishulli nga pikëpamja e ekosistemit është një park i vërtetë, shumë i pasur dhe i mbrojtur, si rezultat i të qenit vazhdimisht zonë ushtarake. Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera. Shpellat nënujore, si ajo e Haxhi Alisë, Gjirit të Djallit e të tjera janë nga më të mëdhatë që mund të gjenden në Mesdhe. Ato sot përbëjnë një sfidë të vërtetë për zhytësit dhe një atraksion të veçantë për sportet nënujore.

Në Sazan ndodhen  7 specie amfibësh, nga të cilat 3 janë specie të rralla. Ishulli përmban 15 specie zvarranikësh nga të cilët 13 specie zvarranikësh janë të rrallë. Disa nga këto amfibë dhe reptilë janë: Hardhucë luspore me gushë blu, hardhuca jeshile ballkanase, zhapiku evropian i bakrit, nepërka amodite gjendet në pjesën tokësore të afërt, por mungon në Ishullin e Sazanit. Mungesa e kësaj nepërke prezanton një interes të lartë shkencor sepse tregon formimin dhe ndarjen e ishullit përpara shfaqjes së kësaj specieje.

Kërcënimi, Ja pse thoshte Enver Hoxha se çelësat e Otrantos i kemi ne!…

Që nga koha e Jul Çezarit e deri në Luftën e Dytë Botërore në bregdetin përreth Gjirit të Vlorës janë zhvilluar një numër betejash detare, pasojë e të cilave kanë qenë disa anije të mbytura. Një pjesë reliktesh nënujore si amfora e objekte të tjera janë rikuperuar nga arkeologët shqiptarë dhe janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar dhe atë sarkeologjik në Durrës. Gjatë kohës së luftës së ftohtë ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet katera siluruese, artileria bregdetare etj. Gjatë asaj periudhe ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull. Gjatë luftës së ftohtë ishulli i Sazanit bashkë me gjirin e Vlorës konsideroheshin si fronti me i vështirë për ushtrinë në rast lufte. Për këtë arsye njerëzit që shërbenin në ishull kishin trajtim të veçantë nga qeveria e asaj kohe. Udhëheqësi i asaj kohe e quante ishullin e Sazanit si një nga pikat me nevralgjike jo vetëm të Shqipërisë dhe të Ballkanit, por edhe të gjithë Evropës, duke thënë shprehjen e famshme dhe të frikshme njëkohësisht se “çelësat e Otrantos i kemi ne”.

Ish-banorët e ishullit: Jeta jonë në Sazan, e vështirë, por edhe e bukur dhe romantike

Të japësh një panoramë të plotë për ishullin e Sazanit, duhet të gërmosh në arkiva, që nga historia e hershme, për të mbërritur në dëshmitë e njerëzve që kanë jetuar e punuar atje në kohën e socializmit në bazën ushtarake detare, të cilët, siç thonë, ruajnë kujtime të bukura dhe mbresëlënëse. Ata kujtojnë një qytet i vogël të ngritur aty me të gjithë infrastrukturën e domosdoshme që ka një qendër banimi, me lokale shërbimesh dhe objekte të tjera social-kulturore. Në këtë qytet në mes ujërave të thella të Adriatikut, jeta bëhej njëlloj si kudo në qytetet e tjera të Shqipërisë. Kishte shoqëri të ngushtë, dasma, vdekje.

Për të thënë të vërtetën, thonë ata, jeta në ishull ishte e vështirë. E para, se ishe i izoluar, kishe ndonjë hall a fatkeqësi në tokë, do të prisje kur të nisej anija (luftarake), që nisej vetëm dy herë në javë për në Vlorë. Po kështu kur kishte ndonjë urgjencë do të ngrije në këmbë të gjithë ishullin, do merrej leje për lëvizjen e mjeteve deri në ministri, por edhe deti mund të ishte me dallgë. Vështirësi kishte edhe me ujin, ai vinte me autobote dhe përdorej me kursim, sidomos për të larë.

Lamtumirë Sazan!

Në shënimet e detarit të vjetër ushtarak, Diogjen Gjergji, gjejmë këtë fragment ditari, ku ai flet për largimin e një pjese të efektivit dhe të teknikës luftarake nga ishulli, në të cilin duken vlerat e një shoqërie dhe komuniteti të bashkuar mes vështirësish dhe sakrificash si pune dhe jetese. Ja ç’shkruan ai ndër të tjera:

Më 3 janar 1965, do të largoheshim përfundimisht nga ishulli i Sazanit.Në mbrëmje vijnë në anijen time Robert Bali, Kristaq Çito e më vonë Perikli Xhixho, pasi ata duke u gdhirë enesërmja, do të niseshin për Durrës. Vjen edhe Paskal Kote e Mihallaq Papadhopuli për t’u takuar, për t’u ndarë. Kur afroi koha që do të iknin, Perikliu më thotë: Dhiogjen, kurrë nuk të harroj. Fillova të qaja sifëmijë. Berti e Kristaqi më pushtuan si ata. Dëgjova Kristaqin që tha: Lëreni, katë drejtë! Në atë moment erdhi edhe Polo Guga, pa gjithë skenën e më tha: Po, ti ç’ke, në Flotë do jemi! Do të takohemi prapë.

U ndava me ta me mall e me emocion të madh. Pas orës 24:00 të asaj nate, jepet sinjali i përgatitjes së anijeve që do të shkonin në Durrës. Të gjithë u zgjuan, kuadro e detarë edhe të anijeve që do të ngeleshin në Sazan. Askush nuk shkoi në shtëpi. Do përcillnim shokët e anijet, të cilët do të shkonin në një bazë detare, në bregdetin e atdheut.  Dolën me radhë ngabaza: minaheqësja, dy gjuajtësit detarë, dragaminat, katerat silurues… Baza dhe vetë ishulli i Sazanit u duk sikur u lëkundën e lëvizën nga vendi. Buçiti ai ishull nga sirenat dhe fishekzjarrët (raketat shenjëdhënëse). Ishin momente prekëse. Sazanit, iu shkëput nga trupi i tij, një pjesë e mirë, prandaj dhe u duk se ra tërmet disa ballësh. Momente ndarjeje mjetesh e njerëzish. I gjithë ishulli, reparte e familje në këmbë, shikonin këtë largim historik e përcjellje të karvanit detar drejt veriut, i cili tashmë qe vendosur në formacion lundrimi të përbashkët. Ato lundruan derisa ne nuk i dallonim më. Lundrim të mbarë, shokëve tanë! Lundrim të mbarë, anijet tona!

U ndamë, por shoqëria mbeti e paprekur. Përsëri na dukej sikur ishulli rënkonte së bashku me grykën e Xhehnemit, atë të Arushës, shpellës së Haxhi Alisë dhe i tërë gjiri i Vlorës për atë largim. Edhe lepujt e famshëm të Sazanit kishin lënë strofullat e tyre dhe shikonin këtë skenë të papërsëritshme. Shikonin ato “gjemi” që lundronin drejt veriut, në Detin Adriatik.

Guidë, Sazani, resort turistik, një ëndërr me sy hapur!…

Në vitin 2001 një grup pune me emra të njohur arkitektësh dhe specialistësh të fushës së turizmit, hartuan një nga projektet më ambicioze turistike, që mund ta shndronin Sazanin, në një nga pikat më të lakmuara turistike të Mesdheut. Ky projekt iu dorëzua Kryeministrit të asaj kohe Ilir Meta, por që fatkeqësisht u mbulua vetëm me heshtje, që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Deri në ditët e sotme edhe qeveria aktuale, që pohon me të madhe se ka një strategji, që synon që turizmin ta shndërrojë në industrinë primare zhvilluese të bregdetit shqiptar, gjithçka është një retorikë fjalësh dhe projekti I dikurshëm , nuk dihet nëse ekziston edhe në letër. Nëse Qeveritë do të kthenin vështrimin nga  Sazani, kjo dhunti e natyrës do të shndërrohej në “ishulli i thesarit”, që do të tjetërsonte bregun nga Veriu në Jug. Duke u njohur me detaje projektin, mësohet se ishte  parashikuar që Sazani të shndërrohej në një resort turistik ekskluziv për të gjithë Mesdheun, për të mikëpritur kureshtarë dhe pushues. Me një kapacitet akomodues prej 3 deri në 4 mijë shtretër, aty nuk do të mungonte as edhe porti modern i jahteve, i ngritur mbi gërmadhat e portit ekzistues ushtarak të ishullit. Për ta kthyer ishullin edhe në një ambient argëtues për të pasurit, u mendua ndërtimi i një kazinoje, e cila do të qëndronte jashtë ambienteve të populluara lokale, duke shmangur kështu krijimin e problematikave sociale, të një vendi në zhvillim e sipër. Ishte parashikuar edhe ngritja e një muzeu, për të futur në muret e tij historinë e këtij ishulli, përfshi edhe ekspozimin e një koleksioni të uniformës së Ushtrisë Shqiptare, duke filluar që nga epoka e mesjetës. Për ta bërë të shfrytëzueshëm gjatë gjithë vitit këtë resort turistik u ngrit ideja e ndërtimit të një qendre për kongrese, konferenca, kurse trajnimi, madje dhe për spektakle muzikore. Ish-qyteza e ushtarakëve, krejt e braktisur, do të shndërrohej në një qendër administrative, për të ofruar argëtim, gjallëri dhe jetë nate në ishull, përmes një rrjeti të tërë baresh, restorantesh, klube nate, salla kinemash dhe aktivitete të tjera tregtare. Por të gjitha këto tani për tani mbeten vetëm një ëndërr, një ëndërr me sy hapur!… /Dita

Sazani : Ishulli i thesareve dhe çudive historike ! Read More »

A e dini se ku ndodhet Varri i Marigosë së flamurit ? Ja ku …

15 gushti është një datë e shënuar për të gjithë besimtarët e krishterë, pasi shënon ditën e Shën Mërisë e një nga manastiret më të vizituar është edhe ai i Zvërnecit. Qindra besimtarë mbushin manastirin datën e katërmbëdhjetë të gushtit, duke pritur që të zbardhet e pesëmbëdhjetë. Manastiri i Shën Mërisë është i një rëndësie të veçantë, jo vetëm nga ana arkitekturore, por edhe ajo historike.

Manastiri i Shën Mërisë ngrihet mbi pllajën kodrinore në brendësi të gjirit të Kakomesë, larg nga qendrat e banuara. Pozita e manastirit dhe niveli arkitektonik – konstruktiv i ndërtimeve që kanë mbetur, dëshmojnë për rëndësinë dhe vlerat e tij. Kompleksi manastiror përbëhet nga kisha, kulla dhe një ndërtesë dykatëshe, që përdorej për ambiente shërbimi. Sipas studiuesit të saj, Prof.Dr. Aleksandër Meksi, kisha e Shën Mërisë së Manastirit të Zvërnecit është e tipit “kryq i lirë” me kupolë. Ajo mbart në vetvete dy faza ndërtimi, duke u veçuar në pjesën e vjetër dhe atë të re. E vjetra përbëhet nga Naosi (salla) dhe Narteksi (parasalla). Naosi ka formën e një kryqi të lirë, ku krahët lindor dhe perëndimor, janë më të gjatë se krahët jugor dhe verior. Ai përbëhet nga absida, një protezis gjysmë-rrethor dhe diakonikoni. Ndërsa ndërtimi i ri është organizuar në pjesën perëndimore të manastitit, ku ndodhet këmborja.

Kompozimi i jashtëm i kishës dallon për çatinë dyujëse dhe përvijimin e volumeve të tamburit tetëfaqësh dhe krahëve verior dhe jugor, të cilët mbulohen nga çati njëujëse. Për ndërtimin e muraturës janë përdorur gurë, me fugatura të rrafshuara mirë me llaç gëlqereje, ndërsa disa elemente janë suvatuar.
Çatia është e mbuluar me tjegulla. Trajtimi arkitektonik i kullës është i thjeshtë me sipërfaqe të rrafshëta e të mbyllura, me hapësira të pakta dhe të ngushta ndriçimi si dhe frëngjitë e shumta për mbrojtje.

Ndërtesa përmban elemente të shumta arkitektonike e dekorative, si harqe, kolona, korniza, pragje dritaresh, etj., të realizuara me gurë të gdhendur. I gjithë kompleksi manastiror rrethohet nga mure të larta guri, ku ndodhet porta e hyrjes e mbrojtur mirë.

Për përcaktimin e kohës së ndërtimit të kësaj faltore kristiane ekzistojnë disa mendime. Studiuesi shqiptar Aleksandër Meksi argumenton se kisha i përket shek. XIII-XIV. Ndërsa çifti i studiuesve austriakë Helmut dhe Herta Bushhausen mendon se koha e ndërtimit i përket shek. X. Kurse një tjetër studiues, Krauthemeri, mendon se ky tip e ka marrë stilin arkitektonik nga mauzoleumet romake dhe është ndërtuar larg qendrave urbane midis shekujve X-XI. Kjo ide duket interesante, sepse, çuditërisht, brenda kishës në naos ndodhet në dyshemenë e saj edhe një pllakë varri. E shkruar në greqishten Bizantine, ajo ka shërbyer si mbulesa e një sarkofagu, i cili ose ka qenë aty qysh në fillim, ose është marrë nga ndërtuesit për t’u vendosur në dyshemenë e sallës së kishës. Autori Theofan Popa, duke iu referuar shënimeve të Historianes Bizantine Ana Komnena, mendon se varri duhet të ketë qenë i Dukës Argjiro Karanxhas, i cili u dërgua në këtë rajon në shekullin XI nga Perandori Bizantin Aleks Komneni.

Argjiro Karanxha ishte komandant i gardës Perandorake Bizantine (Eteriarh). Ai u dërgua në vitin 1091 nga Perandori Aleks Komneni me mision në Durrës, i pajisur me dy letra. Njëra ishte për Joan Komnenin Dukën e Durrësit, ndërsa tjetra ishte për parinë e këtij qyteti. Argjiro Karanxha u nis drejt këtij qyteti me qëllim të dyfishtë. Si fillim ai do të dorëzonte letrën e parë, e cila i kërkonte Dukës Joan që të shkonte në Kostandinopol për të dhënë shpjegime, pasi dyshohej për veprimtari komplotiste ndaj Perandorit. Qëllimi kryesor i Argjiros ishte ta bindte Dukën Joan që të kthehej në Kryeqytet dhe vetë të merrte kontrollin e Durrësit. Ndërkohë që letra e dytë me të cilën Perandori e kishte ngarkuar Karanxhasin ishte tepër sekrete. Atë ai do ta përdorte në rast se vërtetohej fakti se Duka Joan ishte vërtet komplotist. Atëherë Argjiro Karanxhas do ta përdorte këtë letër, duke i kërkuar në emër të Perandorit Parisë së Durrësit ndihmë, për të arrestuar Dukën Joan, që ishte njëkohësisht nip i Perandorit. Por në këtë mision u përdor vetëm letra e parë, sepse Joan Komneni u bind nga Argjiroja dhe u nis drejt Perandorit, që ndodhej në Filipol të Bullgarisë. Këtu Perandori e priti dhe pasi u bind se akuzat e përhapura për të nipin ishin të rreme, e nisi përsëri drejt Durrësit. Ky ishte njoftimi që na jep në librin e saj “Aleksiada” historiania bizantine, Ana Komnena, rreth misionit të Komandantit Argjiro Karanxhas, i cili u dërgua në Durrës për të marrë drejtimin e kësaj theme në vitin 1091. Argjiro duhet të ketë qëndruar në Durrës për një periudhë të shkurtër, pothuajse dymujore. Për fatin e tij nuk dihet gjë se ç’ndodh më tej. Por erdhi dita kur studiuesi i monumenteve të kultit kishtar, i ndjeri Theofan Popa, publikon në librin e tij “Mbishkrime të kishave të Shqipërisë”, një mbishkrim nga Kisha e Manastirit të Shën Mërisë në Zvërnec të Vlorës. Mbishkrimi ndodhet në dyshemenë e sallës së kishës mbi një pllakë varri prej guri gëlqeror. Ai është vendosur në një fushë të sheshtë. Pllaka anash është zbukuruar nga imitimi i dy kolonave korintike, sipër të cilave qëndron një hark. Mbishkrimi përbëhet nga 3 rreshta dhe përmban këtë tekst : “Këtu prehet Kondos Karanxhas, burrë fisnik me prejardhje prej një fisi fisnik, degë fisnike”. Poshtë mbishkrimit dora e  një skulptori ka gdhendur me shumë art një kafkë njeriu rrethuar prej një gjarpri e të kurorëzuar prej dy kockash, simbol i cili nuk është shpjeguar deri më tani.

Ne librin e tij “Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera” Eqrem Bej Vlora citon një kronikë anonime normane “Breve cronaca normanna”. Sipas saj, gjatë fushatës Normane të vitit 1081, Boemundi i Tarentit, pasi pushtoi Vlorën, rrethoi edhe kështjellën e Kaninës. Njerëzit e tij e bindën gruan e komandantit bizantin të kështjellës që ta eliminonte të shoqin dhe të hapte portat e fortesës. Kështu u veprua dhe gruan tradhtare e shpërblyen për këtë gjë. Por kur në Vlorë zbarkoi Robert Guiskardi, i ati i Boemundit, ngjarjet morën një tjetër rrjedhë.

Duke dëgjuar këtë ndodhi, ai dha urdhër që gruan tradhtare ta burgosnin në Manastirin e ishullit të Zvërnecit. Këtë fakt sipas autorit të mësipërm e citon edhe kryepeshkopi i Ohrit, Dhimitër Homatjani në librin e tij “Biografi e shkurtër”, botuar në vitin 1230. Histori të tjera që lidhen me këtë objekt janë edhe ato që tregohen për Patrikun e Kostandinopojës Shën Nifonin, i cili kaloi një periudhë kohe duke shërbyer këtu gjatë shekullit të XV.

Ndërkohë, në vitin 1932 në varrezën e vogël të këtij Manastiri u varros edhe qëndistarja e flamurit kombëtar, Marigo Pozio. Por historia më interesante është ajo e gjetjes së këtij varri, i cili pas furisë ateiste të shkatërrimit të objekteve fetare, që nisi në vitin 1967 ishte braktisur dhe askujt nuk i shkonte ndër mend se ku mund të ndodhej ai. Ndërkohë diku në mesin e viteve 1980 në adresë të sesionit të kulturës së rrethit të atëhershëm të Vlorës erdhi një letër. Atë e dërgonte një plak nga Kolonja, i afërm i Marigo Pozios, i cili këmbëngulte se në varrezën e këtij manastiri ndodhej varri i Marigosë, i cili tek pjesa e poshtme kishte një kryq hekuri të ngulur në tokë. Ndërkaq nisën menjëherë kërkimet dhe kështu u gjend varri i saj, që sot përbën një tjetër element që i shton vlerat këtij manastiri.

Puna kërkimore e Ilirjan Gikës
Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, shek. X-XV, Tiranë 1975.

A e dini se ku ndodhet Varri i Marigosë së flamurit ? Ja ku … Read More »

Legjenda e themelimit të një perandorie nga një bari delesh. Më mitike se legjenda e Romës me Romulin dhe Remin

Çdo perandori e madhe e historisë i ka rrënjët në legjenda dhe mite si, Perandoria Romake me Romulin dhe Remin apo Perandoria Osmane me ëndrrën e Osmanit, edhe Perandoria e begatë Perse (546-330 pr. K), Irani i sotëm e ka zanafillën në një legjendë mbresëlënëse të treguar nga historiani grek Herodoti, që sigurisht ka karakter apokrif.

Duke ndërthurur elementet e tiranisë, Herodoti formulon një histori rreth mbretit të Medës, Astiagesit.

Një natë Astiagesi pau një ëndërr ku vajza e tij, Mandana, po urinonte aq shumë, sa urina e saj kapërceu muret e kryeqytetit të Perandorisë Mede dhe doli jashtë gjithë vërshim. I shqetësuar, ai shkoi të nesermen të takonte priftin e tij, që quhej ndryshe maxhai, sipas Herodotit gjithmonë.

Ai pasi e dëgjoi ëndrrën e mbretit, ai i tha se Mandana do të lindte një fëmijë, dhe ai fëmijë do të ishte shkatërrimi i Perandorisë Mede. Mbreti u shqetësua dhe menjëherë pyeti maxhain se si mund ta parandalonte këtë. Maxhai e këshilloi ta martonte të bijën me dikë që nuk do të kishte kurrë mundësinë që të mbretëronte mbi medët, me një pers. Në atë kohë persët shikoheshin si inferiorë ndaj medëve.

Dhe kështu u bë. Astiagesi e martoi të bijën me një pers. Ajo që pasoi më pas ishte një ëndërr tjetër e parë nga mbreti. Këtë herë, Mandana nuk po urinonte por nga vagina e saj po rridhte verë. Ashtu siç veproi herën e fundit ai u konsultua me maxhain e tij. Maxhai i tha se diçka e tmerrshme do të ndodhë, fëmija që do të lindë do ta rrëzojë atë nga froni dhe e sugjeroi që ta vriste në mënyrë që ta shmangte atë fat.

Mbreti Astiages, urdhëroi Harpagusin, vezirin e tij, që ta vrsite të porsalindurin, dhe kështu Harpagusi ia jep një bariu duke e urdhëruar që të kryejë aktin barbar. Bariu e merr foshnjën dhe shkon në shtëpi ku gruaja e tij po qante, pasi fëmija biologjik i tyre kishte lindur i vdekur.

Ata më pas vendosin ta adoptojnë duke e ditur që fëmija që po birësonin ishte nipi i mbretit. Ata mbështjellin trupin e vdekur të foshnjës së tyre biologjike me rrobat e purpurta të foshnjës mbretërore.

Djali u rrit nga bariu pa asnjë ide të origjinës së tij biologjike dhe shoqërore.

Një ditë ai po luante me shokët dhe ai kishterolin e mbreti. Gjatë lojës, ai mori një shkop dhe rrahu djalin e një fisniku. Nuk kalon shumë kohë dhe “viktima” e tij e padit tek i ati, që punonte në pallat. Pasi i ati i ankohet tek mbreti bariu i vogël thirret në një audiencë me mbretin.

-Pse e rrahe këtë fëmijë të vogël? – e pyet Astiagesi bariun e vogël.

-Por madhëri, unë isha mbreti. – dhe vazhdon – ai duhej të bëjë si them unë.

-O çfarë përgjigjeje fisnike. Prit pak, prit pak; kthehu në profil- i tha Astiagesi i kuriozuar me habi bariut.

-Ti më ngjan mua. çfarë po ndodh këtu.- shqetësohet mbreti.

Ai thërret vezirin e tij, dhe e pyeti a e kishte vrarë foshnjën shumë vite më parë siç e kishte urdhëruar.

-Sillni babain e këtij bariu të vogël në pallat. – thotë Astiagesi.

Babai i tij erdhi, dhe mbreti e peti se pse djali i tij i ngjante kaq shumë.

-Pyet vezirin tënd? – thotë bariu.

Harpagusi u mundua të justifikohej, por mbreti tha të mos shqetësohej sepse ai do ta pranonte nipin e tij. Mbreti organizoi një darkë ku ishte i ftuar edhe veziri me djalin e tij, si dhe nipi i mbretit.

-Harpagus, sille dhe djalin tënd dhe kështu do të bëhen shokë për kokë – e sugjeron mbreti vezirin e tij.

-Dërgoje herët djalin tënd në pallat, miku im- dhe kështu përfundon mbreti.

Harpagusi kështu bëri. Biri i vezirit erdhi herët në pallat, ku u vra dhe u nda në copa, mishin e tij e gatuan dhe e servirën për darkë si shishqebab me rozmarinë. Duke mos ditur gjë, Harpagusi mirëpritet për darkë nga mbreti, por djali i tij nuk dukej asgjëkundi.

-Mirëseerdhe – i thotë mbreti, Harpagusit – të kam ruajtur një ushqim shumë të veçantë.

-Është fantastik ky shishqebab, qenka i gatuar shumë mirë – thotë Harpagusi i babazitur.

-Prit ruaj pak dhe për ëmbëlsirën – i thotë me cinizëm vartësit të tij që po e shijonte darkën.

Dhe aty vjen një enë e argjendtë. Harpagusi heq kapakun dhe zbulon kokën, këmbët dhe duart e fëmijës së tij.

Kjo është pra historia më e hershme që kemi për Siriusin, i rritur bari delesh dhe dhensh për të qënë në të ardhmen bariu i Azisë së Vogël. Siriusi u lejua të kthehej tek prindërit dhe ngjitja e tij filloi me shpejtësi duke themeluar kështu një nga perandoritë më të mëdha që ka parë Azia.

Legjenda e themelimit të një perandorie nga një bari delesh. Më mitike se legjenda e Romës me Romulin dhe Remin Read More »

Sazani : Ishulli më i madh i Shqipërisë !

Ishulli i Sazanit është ishulli më i madh i Shqipërisë i cili ndodhet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Sipërfaqja e ishullit është 5.7 kilometër katror. Lartesia e tij është 342 metra. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër. Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër. Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer dhe ka gjatësinë 11.3 kilometra.
Emri i ishullit të Sazanit përmendet që në kohërat antike, duke filluar nga shekulli i VI p.e.s. me emrin SASON. Në vitin 1389 ishulli kaloi në zotërimin e Venedikut. Në 1815 së bashku me ishujt Joniane të Greqisë u pushtua nga Anglia. Gjatë periudhës së sundimit të Ali Pashë Tepelenës, fshati që ndodhej në ishull quhej Sebep dhe banorët e tij u dëbuan nga ky i fundit dhe migruan drejt brigjeve të Vlorës duke u vendosur në qytetin e Vlorës dhe në fshatin Zvërnec duke ndërruar dhe fenë.
Vlen të përmendet ish kryebashkiaku I qytetit të Vlorës Ibrahim Abdullai i cili ishte pinjoll i familjes Noti, njëra prej familjeve të dëbuara nga ishulli. Gjatë Luftërave Ballkanike, Greqia e pushtoi ishullin. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 e detyruan atë që të tërhiqej nga Sazani. Gjatë Luftës së Parë Botërore në 1915 ishulli u pushtua nga Italia dhe një vit më vonë në 1916 nga Austria.
Lufta e Vlorës në vitin 1920 bëri të mundur që Italianët të tërhiqeshin nga Vlora, por mbajtën ende nën sundim Sazanin, deri më 1943, kur Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë. Më 21 tetor 1944 ishulli u çlirua nga Ushtria Nacional Çlirimtare Shqiptare dhe që nga ajo kohë është pjesë e integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar.
Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, në Orikum të Vlorës, u shndërrua në një ndër pikat kyçe të Ushtrisë së Kuqe sovjetike dhe asaj shqiptare në Mesdhe. Gjatë kësaj periudhe ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet katerasuluruese, artilieria bregdetare etj. Gjatë asaj periudhe ishulli ka qenë i banuar nga rreth 3 mijë banorë të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull. Gjatë kësaj periudhe në ishull u ndërtuan 3600 bunkerë dhe 2840 qëndra zjarri.
Në Sazan gjenden varret e patriotit ulqinak Haxhi Aliu dhe të birit të tij. Aty ka jetuar dhe shkrimtarja salentine Rina Durante.
Ishulli i Sazanit eshtë i pasur me atraksione dhe bukuri natyrore ku vlejnë të përmënden Gryka e Xhehenemit, Gjiri i Djallit, Gjiri i Japrakut, Gjiri i Shënkollës, Plazhi zallor i Admiralit etj. Në Sazan ndodhen dhe dy kisha, ajo e Shën Kollit dhe e Shën Mërisë si dhe një murë venecian. Atraksion turistik në këtë ishull janë edhe reliket e mbetura nga regjimi komunist.

Sazani : Ishulli më i madh i Shqipërisë ! Read More »

Manastiri i Zvërnecit dhe mendime që ekzistojnë për këtë faltore kristiane !

Për përcaktimin e kohës se ndërtimit te kësaj faltore kristiane ekzistojnë disa mendime. Njeri prej tyre studiuesi shqiptar A. Meksi argumenton se kisha i përket shek XIII-XIV. Ndërsa çifti i studiuesve austriake Helmut dhe Herta Bushhausen mendon se koha e ndërtimit i përket shek. te X.

Kurse një tjetër studiues Krauthemeri mendon se ky tip e ka marre stilin arkitektonik nga mauzoleumet romake dhe është ndërtuar larg qendrave urbane midis shekujve X-XI. Kjo ide duket interesante sepse çuditerisht brenda kishës ne naos ndodhet ne dyshemene e saj edhe një pllake varri. E shkruar ne greqishten bizantine, ajo ka shërbyer si mbulesa e një sarkofagu, i cili ose ka qene aty qysh ne fillim, ose është marre nga ndërtuesit per tu vendosur ne dyshemenë e sallës se kishës. Autori Theofan Popa duke ju referuar shënimeve te Historianes Bizantine Ana Komnena mendon se : varri duhet te këtë qene i Dukes Argjiro kANXHAS i cili u dërgua ne këtë rajon ne shekullin e XI nga Perandori Bizantin Aleks Komneni. Mbishkrimi i vetëm i kësaj kishe ndodhet siç e thamë edhe me sipër ne dyshemenë e Naosit ne një pllake prej guri gëlqeror. Ai ka përmasat 1,87 m x 0,67 m dhe anash është i zbukuruar me një kornize prej kapitelesh jonike. Brenda saj ndodhet mbishkrimi ne forme libri, i cili është i përkthyer nga Profesori i Universitetit te Vjenës kl Paç, i cili e vizitoi këtë manastir ne vitin 1902 dhe arriti te përkthente këtë tekst. Ne këtë kishë është gjetur edhe një ikone e Shën Mërisë vepër e piktorit ikonograf Tërpo Zografi, i cili e nisi veprimtarine e tij ne vitin 1782, ku midis te tjerave punoi ne Shën NAum, Voskopoje, Libofshe dhe Malin e Shenjte. (Th. Popa. Piktoret mesjetare shqiptare Tirane 1961. fq.99)./wikipedia

Manastiri i Zvërnecit dhe mendime që ekzistojnë për këtë faltore kristiane ! Read More »

Shpellat e Smokthinës dhe Guri me Qiell i Vranishtit

Zona e Lumit të Vlorës, një pjesë e të cilës përfshihet në atë që njihet me emrin Krahina e Labërisë, është një nga hapësirat më me vlerë në qarkun e Vlorës.

Resurset natyrore dhe ato kulturore-arkeologjike, spikasin në këtë mjedis me emër, që përmbledh 58 fshatra me një popullsi prej rreth 50 mijë banorësh.

Kjo zonë nis me Kurveleshin e Poshtëm tek Buronjat dhe gryka e Kuçit dhe vazhdon deri në Myzeqenë e Vlorës, në një gjatësi të përgjithshme prej rreth 80 km dhe një sipërfaqe 332 km katrorë.

Me ndarjen e re administrative në Lumin e Vlorës përfshihen dy komuna dhe shtatë njësi administrative, mes të cilave, Horë-Vranisht, Brataj, Kotë, Sevaster, Vllahinë, Shushicë dhe Armen.

Bukuria natyrore, pyjet, malet, traditat në gatime dhe në veshje, përbëjnë ato vlera që kanë nisur të ngacmojnë kuriozitetin dhe vëmendjen e turistëve për zonën e Lumit të Vlorës. Mjaft të huaj, kanë mbërritur dhe kanë kaluar në fshatrat e kësaj zone, ditë të këndshme, të mbushura me surpriza.

Ata kryejnë udhëtime të paharruara që zgjasin 5-6 ditë me nisje fshatin Lapardha e sosje në bregdet, duke të gjithë zonën deri tutje në Kuç, në atë që emërtohet Qafa e Dërrasës. Ose duke kaluar nga Vranishti për të dalë në Dhërmi.

Lumi i Vlorës është një zbulim i vërtetë për turistët, pasi kalojnë në vende ku rrallë shkel këmba e njeriut. Në këtë rrugëtim turistët shuajnë etjen në ujërat e burimeve, hanë mish qengji të pjekur, pinë raki të vërtetë dhe kënaqen me bukuritë e rralla natyrore që ka kjo zonë, ndër të tjera edhe me këto dy që po përmendim më poshtë:

Shpellat e Smokthinës…

…Kompleksi Velçë, Matogjin, Ramicë, Bashaj dhe Vërmik

Kompleksi i shpellave është nga atraksionet kulturore më të veçanta që gjenden në vendin tonë. Është shenjë e ekzistencës së jetës në kohët e hershme dhe është dëshmi, që ruhet e trashëgohet si pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit tonë.

Nëse s’do të kishin ekzistuar këto banesa të gdhendura në brendi të shkëmbit, atëherë dëshmitë e së kaluarës do të ishin të mangëta.

Një vendbanim i veçantë me një kompleks shpellash, janë shpellat në zonën e Smokthinës në fshatrat Velçë, Matogjin, Ramicë, Bashaj dhe Vërmik të njësisë administrative Brataj të Bashkisë së Vlorës.

Dëshmi interesante rreth këtyre vendbanimeve sjell Luigi Cardini, i dërgua nga zbuluesi i “Trojës Shqiptare”, drejtori i Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, Luigi Maria Ugolini.

Prehistoriani italian i cili udhëtoi gjerësisht në të gjithë Shqipërinë jugperëndimore dhe që ka regjistruar mbi 60 shpella natyrore( strehime guri), ndërkohë që në vitin 1936, ai ka hulumtuar shpellat e Velçës dhe ka kryer një studim paraprak të dhjetë shpellave atje.

Pas tij me shpellat e Velçës janë marrë arkeologët tanë, të cilët edhe kanë propozuar që ato të shpallen monument kulture. Kështu ato janë shpallur si të tilla që në vitin 1948. Në kompleks ato tashmë njihen si shpellat e Velçës me emërtimet: Kalaja, Skota, Shpella me Qiell, Presarani, Shpella e Bushit, Shpella e Maçit, Kushtègjini , Mëngjilli , Rasali , etj.

Në qershor të vitit 2000, një ekip arkeologësh nga Instituti i Arkeologjisë Botërore ( Britania e Madhe)dhe Instituti Shqiptar i Arkeologjisë filluan një studim në terren me qëllim gjetjen e një numri shpellash prehistorike, që janë hulumtuar për herë të parë në vitin 1930 nga Luigi Cardini. Studimi gjeti se shpellat e Velçës kanë mbetur praktikisht të pandryshuar që prej gërmimeve të kohës Cardini.

Sipas studimeve italiane, kjo shpellë duhet të ketë qenë banesë 1000 vjet para Krishtit. Shpellat e Velçës duke radhitur kompleksin e tyre: shpella e Bushit, shpella e Prezaranit,shpella e Skotës etj, janë vendbanime të lashta të banorëve autoktonë. Katundi Velçë ka pasur një emërtim tjetër që lidhet me shpellat.

Ajo quhej Velçë-Shpella. Emërtimi sllav është vendosur më vonë. Po kështu edhe emri Smokthinë rrjedh nga sllavishtja dhe do të thotë vendi i fiqve. Sllavët dhe pushtuesit e tjerë, që qëndruan me shekuj në këto troje ndryshuan emrat e vendbanimeve, besimet, por nuk arritën dot të mbyllin apo të shkatërrojnë gojët e shpellave, sepse do t’u duhej të shkatërronin gjithë shkëmbinjtë e këtij vendi.

Veç shpellave, në këtë zonë ndodhet dhe Kalaja e Boderit e cila i përket periudhës së antikitetit të vonë. Kjo kala është e ndërtuar në një kodër në bregun e majtë të lumit të Smokthinës.

Muret e saj rrethojnë pjesën më të lartë të kodrës dhe formojnë një shumëkëndësh të çrregullt, me perimetër rreth 270 metra. Në pjesën jugore muret ruhen deri në 4 metra lartësi. Në këtë anë ndodhet dhe kulla e vetme e këtij fortifikimi.

Vlen të përmendet një tjetër objekt në këtë zonë që është monument kulture i kategorisë së parë dhe që është shpella në lagjen Hysaj në Ramicë e cila ka qënë e shfrytëzuar si spital partizan gjatë Luftës së Dytë Botërore ku janë kryer dhe operacione të vështira kirurgjikale me mjete primitive.

Në këtë zonë me bukuri mahnitëse rrjedh lumi i Smokthinës i cili është degë e Lumit të Vlorës për të cilin studiuesi E. Novak në vitin 1923 shkruan se Lugina e Lumit të Vlorës është një luginë me bukuri heroike.

Sofra e Zotit ose Guri me Qiell

“Sofra e Zotit” ose “Guri me Qiell” është atraksioni më i madh i natyrës në vendin tonë. Për nga mënyra e vendosjes, pesha dhe forma mund të quhet më i veçanti edhe më gjerë gadishullit tonë.

Asgjëkund syri, nuk të ndesh një monument natyre kaq të veçantë që të tundoj me pamjen e tij, formën, mënyrën e vendosjes. Larg çdo përfytyrimi, guri me qiell përbënë dhuratën e natyrës, për një vend të ashpër malor, vendosur në një vend me pjerrësi diku në faqet e një mali jugor.

Ky monument ngrihet në majën e malit të Lipes mbi fshatin Vranisht, rreth 50 kilometra larg qytetit të Vlorës. Prej lartësisë ku ndodhet ky monument i natyrës, spikat një pjesë e madhe e luginës së Lumit të Vlorës.

Banorët e zonës e konsiderojnë atë si një dhuratë e natyrës për një vend të ashpër malor, sikundër është Lumi i Vlorës, me fshatrat e veta.  Nga ana tjetër, ky monument, është i vendosur përballë malit të Bogonicës, që shqipërohet “Vendi i Zotit”.

Është një monument prehistorik i përhapur ne neolitin e vonë dhe ne epokën e bronzit 4 – 9 mijë vjet më parë.

Kjo vepër e arkitekturës prehistorike ka lidhje me kultet mbivarrore si dhe atë të Diellit. Sipas arkeologut të njohur Moikom Zeqo, “është një gur gjigant i vendosur nga dora e njeriut mbi dy shkëmbinj të tjerë, duke krijuar një tryeze për perëndite…”.

Përfundimi i studiuesit Zeqo niset nga fakti që shkenca monumente të tilla i njeh me emrin dolmenë, thënë ndryshe tipe varresh megalitikë të ndërtuar me gurë të punuar ose jo. Në disa raste ato ishin vend-prehje, në të tjera vend-sakrifikime apo edhe tempuj të shenjtë ku njerëzit u faleshin perëndive.

Gjatë verës në ditët me mot të keq në këtë vend ka shumë vetëtima (bubullima).

Nuk është çudi që edhe emërtimi Vranisht të vijë nga pellazgjishtja e vjetër, i vranët, dhe që më pas me krijimin e perëndive, mori  emrin Urani, si perëndia e stuhive dhe luftërave, duke u përjetësuar si planet në yjësinë e qiellit.

Lidhur me emërtimin si Sofra e Zotit, ka lidhje me shpellën Lëmi i Lelerëve, vendosur jo shumë larg, por edhe me malin përballë të Bogonicës.

Është për të ardhur keq, që, si për gjithçka tjetër të kësaj natyre në vendin tonë, edhe për Sofrën e Zotit plot enigma, mite dhe legjenda, mungon një studim, një guidë a përcaktim i saktë për t’u trajtuar si objekt natyror, historik apo si një resurs turistik, siç ndodh në shumë vende të botës për objekte e fenomene të tillë mbinatyrorë.

Të dhëna

Emërtimi : Sofra e Zotit ose Guri me Qiell

Pesha:Afërsisht rreth 10 ton

Forma: Drejtkëndëshe

Pozicionimi:Vendosur mbi dy gurë (këmbë)

Vendndodhja: Faqja veriore e malit të Bogonicës

Afërsia: Me vendin e shenjtë Lëmi i Lejlerëve

Rituali; Vend pagan

Rezultate imazhesh për foto guri me qiell

Shpellat e Smokthinës dhe Guri me Qiell i Vranishtit Read More »