Art-Kulture
Tushemishti, fshati turistik që nuk “njeh” stinë
Tushemishti, fshati turistik që ndodhet 5 km larg qytetit të Pogradecit, ofron një pamje mahnitëse për të gjithë vizitorët. Shumë afër liqenit, Tushemishti ofron pamje te bukur në çdo stinë dhe plazh mahnitës në stinën e verës.
Në brendësi të fshatit gjenden shtëpi të vjetra (qindravjeçare), kisha e Shën Pandelimonit, por turistët mund të shijojnë edhe gatimet tradicionale dhe starkinkat, (mollët) e famshme të zonës. Një nga gjërat më “pikante” në brendësi të fshatit eshte shtëpia e “Teto Ollgës”, bashkë me bustin që është ndërtuar për nder të aktores Violeta Manushi.







Tushemishti, fshati turistik që nuk “njeh” stinë Read More »
Dajti magjia e ‘ballkonit te bardhe’
Në zemër të stinës së dimrit, në zemër të Tiranës, dhe në zemër të natyrës, kemi vendosur t’ju udhëheqim këtë radhë drejt një destinacioni shumë të afërt e që besojmë se nëse keni vizituar Tiranën, keni qenë patjetër edhe në Dajt.
Mali i Dajtit, me atë kurrizin karakteristik në formën e një deveje, është quajtur me plot meritë “ballkoni i Tiranës”, për pamjen e bukur që të fal në çdo stinë të vitit, ku mund të shihet edhe vija e horizontit të detit të Durrësit, sidomos në ditët e kthjellëta e të lara të pranverës.
Por ne donim të provonim edhe kënaqësinë e dëborës dhe vendosëm t’i bëjmë një vizitë në fund të dhjetorit. Për fat të keq nuk e merrnim dot rrugën automobilistike, sepse kushtet e saj janë përkeqësuar mjaft e mbi të gjitha akulli në rrugë nuk na lejonte të ngjiteshim lart. Kështu, për të mos pasur një aventurë të pakëndshme, që nuk do të na linte të shijonim dëborën, iu drejtuam teleferikut, për ta prekur edhe më shpejt nga ajri.
Udhëtimi me teleferik është një kënaqësi më vete, sidomos momenti i shkëputjes nga stacioni, sepse çdo zhurmë humbet dhe ty të duket një çast sikur do të biesh. Pastaj mbetesh vetëm ti dhe natyra, kuptohet, edhe bashkudhëtarët e tu, që shikojnë edhe ata përtej transparencës plastike ku shumë të tjerë para nesh kanë lënë gjurmët e emrave të tyre. Poshtë natyra është shumëngjyrëshe, sepse nga lart dëbora të lejon të shohësh atë çka nuk ka mbuluar dot, gjethet e thara të mbetura aty-këtu nëpër pemë, ndonjë lëndinë me reliev të thyer, copa shkëmbi vertikal që zbulojnë grinë e tyre dhe shkurre ku të blerta e ku të ndryshkura që plotësojnë mozaikun. Liqeni i vogël të ndjell ftohtë por në kabinën e teleferikut është shumë ngrohtë dhe këndshëm, ndonëse koha e udhëtimit është shumë e shkurtër, vetëm 15 min.
Mbërrijmë më në fund në stacionin e sipërm, ku vizitorët janë të shumtë. Askush nuk kishte ndër mend ta linte pa e shkelur borën e Dajtit. Këtë e pamë, sapo dolëm nga kulla e xhamtë e teleferikut dhe zbritëm në sheshin e parkut të Dajtit. Shumë zëra njerëzish, të vegjël e të mëdhenj, thërrisnin gëzueshëm, teksa shkëmbenin me forcë topat e borës. Dikush ishte kujtuar të bënte edhe një babagjysh, rreth të cilit tani vinin rrotull tre-katër fëmijë. Në buzë të rrugës që kalon pranë sheshit, dy kuaj prisnin duke shkrofëtitur e nxjerrë avull nga hundët e nga goja. Ai që u mbante frerët, thërriste: “Hajde mirësevini, bëni një xhiro me kalë, dymijë lekë, dymijë lekë”…
Pak më larg burrit me kuaj ishin rreshtuar fugonët që transportonin falas klientët që kishin zgjedhur të shkonin më poshtë për të drekuar tek qendra turistike “Panorama”, tek kompleksi “King Park” apo tek restoranti karakteristik me atë basenin e bukur të peshqve “Gurra e Perrisë”.
Tre djem ishin kujtuar të merrnin me vete pajisjet e skive (sa zili i pata në atë moment) dhe po i mbathnin. Me shkopinj në dorë, ata u drejtuan poshtë luginës, atje ku po bëheshin gati të rrëshqisnin me ski. Ne nuk kishim ski me vete, por do të shijonim gjithsesi ngrohtësinë e Ballkonit të Dajtit, ku mishi i pjekur dhe picat me furrë druri, ishin kryefjala e atyre që kishin zgjedhur të pushonin pasivisht, duke shijuar dëborën nga dritaret.
Në fakt ishte shumë bukur ta shijoje dëborën edhe nga dritaret e Ballkonit të Dajtit, sado që, ne do të kishim dashur të kishim me vete edhe ndonjë palë ski. Por në fund të drekës, vendosëm gjithsesi të bënim një shëtitje në pyll. Dëbora nuk kishte shtresëzuar aq shumë sa të humbisje në të, mund të lëvizej edhe nëpër shtigjet e pyllit me ahe. Dhe vërtet ashtu bëmë. Nuk kishte kënaqësi më të madhe sesa të dëgjoje zhurmën e butë të çizmeve e këpucëve që zhyteshin në bardhësi. Ndonjë trumcak që lëvizte nëpër degë e shkundte një vrundull dëbore, ishte e vetmja zhurmë që prishte qetësinë e pyllit në ato momente.
Ja pra sesi u dashka fare pak, për të provuar kënaqësitë e thjeshta të jetës, një biletë për të udhëtuar me teleferik, një picë në furrë druri dhe një shëtitje në dëborë, ku takimi me natyrën kthehet në një takim me kënaqësinë. Mjaftojnë ca flokë dëbore për të të kujtuar se edhe fare pranë mund të argëtohesh pa masë, pa qenë nevoja që të ngresh valixhet e të shkosh për pushime. Faleminderit Dajti…
Parku kombëtar i Dajtit
Është një 15 parqet kombëtare të Shqipërisë, i vendosur në lindje të kryeqytetit. Parku zë një sipërfaqe prej 3300 hektarësh dhe është destinacioni më i frekuentuar ditor i kryeqytetasve por edhe i vizitorëve të shumtë. Një nga parqet më të mëdhenj kombëtarë të Shqipërisë, ai bëhet gjithmonë objekt vizitash edhe për ata që në Tiranë nuk vijnë për turizëm po për punë ose aktivitete të ndryshme.
Vera në Dajt është e freskët dhe dimri është i ftohtë, kryesisht me dëborë. Temperaturat gjatë dimrit arrijnë edhe në minus. Reshjet janë të bollshme gjatë të gjithë vitit, por kryesisht në pranverë dhe në vjeshtë. Për shkak të malit të Dajtit, Tirana është një nga qytetet e Shqipërisë ku bien më shumë reshje. Në të katër stinët e vitit, natyra prezanton një spektakël të vërtetë në parkun e Dajtit.
Tarraca detare e Dajtit. Ndodhet 1000 m mbi nivelin e detit, në shpatin perëndimor të malit të Dajtit, Brenda Parkut Kombëtar. Është e gjatë rreth 2 km dhe e gjerë 600-800 m. formon fushë me livadhe e pyje ahu përreth. Vizitohet me teleferik Tiranë-Dajt 14 minuta, ose sipas rrugës Tiranë-Dajt. E veçanta e bimësisë së parkut nuk është vetëm shumëllojshmëria por edhe shtresëzimi. Flora fillon me shkurret, vazhdon duke u ngjitur në lartësi me dushkun dhe përfundon
me ahet 200-vjeçarë dhe halorët. Pisha e bredha të lartë zbukurojnë majën e malit si gjatë dimrit të mbushur me dëborë, ashtu edhe gjatë stinëve të tjera të mbushura me gjelbërim. Ndonëse tashmë me një numër të kufizuar, fauna e parkut është e larmishme. Brenda pyllit strehohet ariu i murrmë, ujku, dhelpra, derri i egër, lepuri i egër, macja e egër etj.
Aktivitete dhe sporte të ndryshme
Maja e malit të Dajtit është 1600 m mbi nivelin e detit. Në shpatet e tij të pyllëzuara rriten mjaft kafshë të egra. Kështu ju mund të ushtroni sportin e gjuetisë gjatë sezonit, mund të bëni ski në dimër, mund të ngjiteni malit, të bëni ekskursione, kamping, etj. Të gjitha këto aktivitete do ta pasurojnë më tepër qëndrimin tuaj në Dajt.
Teleferiku
Ka disa vite që në Malin e Dajtit ju ofrohet një shërbim mjaft komod dhe i këndshëm, ai i transportit me teleferik, nga rrëza e Dajtit e deri në majë të tij. Vizitorët mund ta përshkojnë rrugën ajrore të Dajtit vetëm për 15 min, duke paguar një biletë prej 700 lekë të reja për të rriturit dhe 400 lekë për fëmijët. Në këtë rast ata paguajnë edhe shijimin e një panorame të mrekullueshme që u ofron zona.
Kuzhina dhe akomodimi
Dajti ofron një strukturë të mirëfilltë turistike, si për turizmin ditor ashtu edhe për llojet e tjera të tij. Përgjatë rrugës së Dajtit dhe në zonën e tij turistike janë ndërtuar një sërë hotelesh e restorantesh, që mirëpresin pushuesit dhe vizitorët. Kushtet e hoteleve dhe komplekseve turistike janë moderne dhe shumë të rehatshme, të pajisura me shërbime të shumta. Komplekset Panorama dhe King park që ndodhen në majë të Dajtit, dhe restorant “Gurra e Perrisë”, mundësojnë transportin falas të vizitorëve që vijnë me teleferik. Që nga stacioni i teleferikut e deri tek kompleksi përkatës, transporti është falas. Kuzhina që ju ofron Kompleksi King Park është tradicionale shqiptare, me produktet e mishit të gatuara në shumë mënyra dhe perime të freskëta të stinës,verëra shqiptare dhe franceze si dhe peshk të freskët nga basenet e kompleksit. Edhe qengji i pjekur në hell ju serviret në këtë zonë. Këtë do t’jua tregojë shumë mirë çdo restorant, i cili në një kënd të ambientit të tij të jashtëm, ka vendosur furrën për të pjekur në hell qengjin, krenarinë e kuzhinës së kësaj zone. Por restorantet ju ofrojnë gjithashtu edhe kuzhinë ndërkombëtare apo piceri, siç do të gjeni në kompleksin Panorama.
Çfarë mund të vizitoni tjetër
Shpella e Zezë
Ndodhet në grykën e Skoranës, pranë fshatit Pëllumbas. Njihet dhe me emrin “Shpella e Pëllumbasit”. Është shpellë karstike, e cilësuar Sensanioni i Speleologjisë Shqiptare, sepse eksplorimi i fundit nga speleologët e Firences dhe P. Qiriazi, gjetën skelete të arinjve të shpellave, që kanë jetuar nga 10.000-400.000 vjet më parë dhe mbetje të kulturës humane, që u takojnë periudhës nga paleoliti i lartë në mesjetën e hershme. Është e gjatë 360 m, 10-15 m e gjerë, 15-45 m e lartë, e mbushur me shumë stalaktit, stalagmite, kolona, që dallohen për një bukuri të rrallë. Është përgatitur projekti që synon ta kthejë në muze gjeologo-gjeografik, paleontologjik dhe arkeologjik, i cili, si dhe homologët europianë, do të ngjallë interesin shkencor dhe sidomos turistik. Vizitohet sipas rrugës Tiranë-Bërzhitë-Pëllumbas-rruga këmbësore te shpella.
Shkalla e Tujanit
Gjendet në luginën e lumit të Tiranës. Është formuar prej tij në gëlqerorë me antecedencë. Përfaqëson një kanion rreth 1,2 km të gjatë, 20-50 m të gjerë dhe 200-300 m të thellë , me guva e shpella karstike të paeksploruara. Përgjatë saj kalonte rruga antike Tiranë-Dibër e Madhe dhe më tej. Ka vlera gjeomorfologjike didaktike, kulturore, turistike. Vizitohet sipas rrugës Tiranë-Brar-Zall Dajt.
Karsti i Malit me Gropa. Gjendet në lindje të vargut malor Krujë-Dajt, në kreshtën tepër të karstëzuar të Malit me Gropa. Është peizazhi më klasik i karstit në Shqipëri. Emri i malit lidhet me gropat, hinkat, puset e dendura karstike, që ngjasojnë me hojet e bletëve. Ka shumë kullota e livadhe cilësore. Ka vlera shkencore gjeomorfologjike didaktike, turistike. Vizitohet sipas rrugës Tiranë-Dajt-Bizë.
Mali më enigmatik në Shqipëri që u vizitua nga 170 mijë persona brenda vitit
Mali i Tomorrit bën pjesë në Parkun Kombëtar me të njëjtin emër.
Për vitin 2017, në këtë park janë futur rreth 160 mijë turistë vendas e të huaj të cilët kanë vizituar edhe qytetin e Beratit. Ky është një numër i konsiderueshëm për një Park Natyrorë që kërkon aftësi fizike të veçantë për ta eksploruar për shkak të terrenit të tij malor dhe të vështirë në rrugë kalime.
Mali i Tomorrit shtrihet në lindje të qytetit të Beratit dhe verilindje të qytetit të Çorovodës dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar. Edhe këtë fillimvit,nuk kanë munguar ngjitjet sportive në shpatet me borë apo aventurier të rafftingut në kanionet e Osumit.
Ecjet në këmbë dhe me motorra në shtigjet e hapura posaçërisht për vizitorët turistik vendas e të huaj, e kanë bërë më të lehtë orientimin dhe ngjitjen në lartësitë e vështira të këtij mali mitik shkruan ATSH..
Parku Kombëtar i Tomorrit ka qenë tepër i vizitueshëm këtë vit.
Nga Administra e këtij parku raportohet se numri i vizitorëve në 2017 ka qenë rreth 170 mijë vizitorë dhe nga këta rreth 20 mijë kanë qenë turistë të huaj, kryesisht nga vendet nordike.
Nën këmbët e Tomorrit rrjedh Lumi Osum që duke zbritur në terrene tepër malore ka krijuar kanionet e famshëm të tijë tepër të vizituar sidomos në stinën e verës.
Por, jo vetëm kanionet, në këtë intenerar gjenden dhe disa objekte kulti të feve kristiane e bektashiane. Gjenden Monumente të Natyrës dhe të Kulturës.
Berati, qytet i mbrojtur nga UNESCO, ka një sërë objektesh kulturore për tu vizituar.
Është kalaja, themelet e së cilës prekin lashtësinë me 2400 vitet e saj, kishat bizantine, muzetë e shumtë që nga Onufri deri te ai i etnografisë, xhamitë karakteristike si ajo e “ Beqarve”, xhamia “ Plumb” etj.
Drejtori i AdZM-së Berat Fatos Nako thotë se turizmi i bardhë i këtij dimri do të na gjejë me një strukturë të re rrugore (shtigje turistike) drejt lartësive të pa shkelura më parë.
Ai tha se rangersat dhe specialistët e guidave po përgatiten për këtë sezon.
Turizmi i bardhë ka nisur, po kështu kanë nisur dhe përgatitjet për ta shfrytëzuar atë.
Tomorri është mali më i veçantë në Shqipëri dhe më enigmatiku. Është quajtur froni i perëndive për lartësinë, egërsinë, bukurinë dhe enigmën e tij.
Aty mbretëronte sipas mitologjisë Dodona Pellazgjike ose Dodona “Dimër Keqe”. Ka zona të mbuluara me borë të përjetshme si dhe shumë burime ujore disa edhe të çuditshëm si ai i kuçedrës.
Gojëdhëna thotë se atë e komandon një kuçedër që e lëshon dhe e pret ujin kur do ajo.
Dhe vërtet uji në këtë burim rrjedh me ndërprerje.
Mund të jesh duke pirë ujë në të dhe befas ai ndërpritet. Gjeologët e shpjegojnë si një fenomen gjeologjik që ndodh në shtresat tektonike të nëntomorrit, por ka dhe një gojëdhënë që flet se ai mal qëndron sipër diçkaje, pra poshtë tij fshihet diçka.
Në stinën e dimrit zbardhet i gjithi dhe vizitorët nuk i mungojnë.
Turisti duke udhëtuar drejt tij, mund të shfrytëzojë kanionet e Lumit Osum, shpellat e rrjedhës së tij, mund të njihet me monumente kulture të vjetra si ura, kisha e teqe, por mund të ushtrojë dhe sportin e skive apo të ngjitjeve malore.
Në fundjavë drejt këtij mali udhëtojnë aventurier e borës të ngjitjeve malore si dhe ata që pëlqejnë rrëshqitjet me ski.
Nga agjencitë turistike të Beratit por dhe nga Tirana, kanë bërë pronotime për të kaluar festat e fund vitit ne qytetin e Beratit dhe në zonat me borë të Tomorrit./ATSH

Mali më enigmatik në Shqipëri që u vizitua nga 170 mijë persona brenda vitit Read More »
Parku arkeologjik i Orikumit, një destinacion për turizmin kulturor
Orikumi nuk është vetëm një qytet turistik bregdetar në Shqipëri, por edhe një qytetërim i lashtë ilir.
Pranë qytetit të sotëm shtrihet qyteti antik i Orikut themeluar nga Eubeait në shekullin Vl p.e.r në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokaster.
Përmendet nga autorët antike të shekullit të V p.e.r si port i rëndësishëm i Adriatikut.
U shfrytëzua nga romakët në luftrat kundër ilirëve dhe maqedonëve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.
Flota maqedonase e Aleksandrit të Madh e pushtoi në vitin 214 p.e.r e në shekullin e lll p.e.r preu monedha me emrin e bashkësive qytetare. Në shekullin e ll p.e.r u dëmtua nga një tërmet i rëndë, u rindërtua dhe fortifikua në shekujt e V-Vl.
Në kohën bizantine dhe në mesjetë njihet park1si një port i vogël me emrin “Jeriko”.
Në shekullin e Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin e Marisë.
Po t’i hedhësh një sy manastireve ortodokse në Shqipërinë Jug-Perëndimore vë re se pjesa mbizotëruese e tyre mban emrin e Marias, nënës së Jezusit.
Këtë gjë e shohim tek manastiret e Ardenicës (Lushnje), Apolonisë (Fier), Manastirin rrënojë të Ballshit, Manastirin e Zvërnecit, Manastirin e Dhërmiut, etj.
Të ndodhur në këto kushte mund të hedhim hipotezën se edhe kisha e këtij manastiri ka mbajtur emrin e Maries ashtu si shumica e simotrave të saj, përgjatë bregdetit nga Shkumbini në Himarë.
Ndërkohë që në traditën kristiane, Maria është mbrojtësja e bujqësisë, e cila ushtrohej pikërisht në këtë fushë ngjitur me të cilët u ndërtua dikur edhe ky manastir.
Sot qyteti i Orikumit është një destinacion turistik tepër i preferuar, për natyrën e tij detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, për detin dhe plazhet ranore.


Parku arkeologjik i Orikumit, një destinacion për turizmin kulturor Read More »
Ishulli mistik i gjarpërinjve në mes të Prespës së Madhe
Ndër pikat kryesore turistike në Shqipëri është edhe Liqeni i Prespës së Madhe, i cili vlerësohet për bukurinë natyrore që ka. Por është një vend akoma më i veçantë që ndodhet në mes të këtij liqeni të mrekullueshëm, ishulli Maligrad ose siç quhet ndryshe edhe ishulli i gjarpërinjve.
Ky ishull i vogël mban brenda vetes një objekt të madh. Në bregun e tij perëndimor ndodhet shpella e Kishës, e cila për formën e veçantë dhe të çuditshme, u quajt vend i shenjtë. Aty është ndërtuar një kishë e vjetër në shek. XIV.
Ajo është kisha e Shën Mërisë. Kisha është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore. Në këtë ishull janë gjetur edhe objekte arkeologjike si tjegulla, kollona e kapitele që i përkasin një kishe paleokristiane, që mendohet të ketë qenë në pjesën e sipërme të liqenit.
Sipër këtij ishulli, ndodhen edhe rrënojat e vilës verore të Car Simeonit të shekullit XI. Kisha e Shën Mërisë është një themelim i vjetër dhe ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësat shqiptarë. Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti.
Kisha është krejt e veçantë, me cikle ikonografike dhe mbishkrime historike të viteve 1345 dhe 1369. Në murin perëndimor ka afreska të princërve Kezar Novakut, afreska të gruas së tij Kalia, dhe femrave Maria dhe Amirali.
20 vjet më vonë më 1389, princi Amiral Novaku ka lënë një mbishkrim në Kishën e Ristozit, pranë Korçës. Ikonografia kështu në shekullin e XIV paraqet figura laike dhe historike.
Pikturat e Maligradit i takojnë stilit të ri ikonografik të quajtur “stili paleolog”, një rilindje artistike të ikonografisë bizantine. Këto piktura janë studiuar, por jo në mënyrë shteruese. Më tërhoqën vëmendjen disa skena, që dalin jashtë programit rigoroz ikonografik.
Për herë të parë zbulova se në gjoksin e disa figurave të shenjtorëve dhe profetëve kishte grumbuj fytyrash pa aurola në gjokset e tyre. Këtë nuk e kam parë në asnjë kishë deri më sot. Jo larg kishës në faqen shkëmbore pashë pikturat në shkëmb, bërë me ngjyrë të kuqe, me anë të oksidit të hekurit.
Pikturat janë thjesht vizatime antropomorfe, në një stil ekspresiv, primitive, vendosur pa rregull, në mënyrë të çrregullt. Në një faqe guri është pikturuar një figurë femërore: Shën Maria, e cila në dorën e djathtë mban një shkop mbi majën e të cilit është një fryt shege.
Pranë është figura e Krishtit fëmijë dhe një figurë burri me aureolë dhe me mjekër. Një skemë tjetër tregon një figurë kalorësi mbi një kalë skematik në lëvizje, bien në sy edhe figura e një kryqi me dy boshte horizontale në boshtin vertikal, që mbaron me figurën e një peme të jetës.
Mbi kryqin është figura e Krishtit fëmijë. Dallohen edhe disa gërma si TE, mbase të emrit THEUS=ZOT. Ka një numër portretesh, si edhe disa figura kryqesh të brendashkruar nëpër rrathë. Pashë afro 12 figura, por qe e pamundur të ngriheshe më lart në shkëmbin e pikturuar.
Duket qartë që kjo faqe shkëmbore ka qenë e shenjtëruar si një tempull i hapur në natyrë, e shumë më vonë pranë u ngrit kisha. Pse ka ndodhur ky shenjtërim tek piktorët në shkëmb? Çfarë ka ndodhur? Stili primitive i skenave, me koka të mëdha e trupa të vegjël tregojnë origjinën e ikonografisë së krishterë.
Këto piktura ngjajnë me afresket e katakombeve të shekujve IV-V të erës sonë. Ky zbulim është tepër i rëndësishëm dhe unikal në Shqipëri. Këto piktura primitive në shkëmb duhet të jenë para zyrtarizimit të fesë së krishterë nga Konstandini i Madh.
Figura mashkullore me mjekër pranë Shën Marisë me Krishtin fëmijë duhet të përfaqësojnë një martir të krishterë, ndoshta martirizuar në këtë ishull.
Sipas kronikës, më 22 maj 1016, princi i Dioklesë Gjon Vladimiri u vra nga cari Vladislav në një ishull të Prespës. Besoj pikërisht në Maligrad. Kjo shpjegon pse në shekullin e XIV, shenjtërimi i vendit bëhet më i rëndësishëm.
Kishte disa shpella, disa dru mani shekullore, fiq dhe trëndafila të egër. Mbi ishull janë gjurmët e një ndërtimi, kurse në anën veriore pashë një mur si edhe tulla bizantine të shekullit të VI. Maligrad do të thotë “qytet i vogël”. Por, në shekuj, ishulli ka qenë përgjithësisht i pabanuar, si edhe sot.
Zbulimi i pikturave paleokristiane të shkëmbinjtë e Maligradit është një ngjarje e madhe dhe e papritur historike dhe e artit. Shqipërisë i shtohet kështu një motiv i ri i lashtësisë dhe fillimit të Mesjetës. Ky zbulim është i një rëndësie në rrafsh evropian.
Ishulli ka gjatësi rreth 800 metra e gjerësi rreth 200 metra dhe rrethohet nga shpate shumë të pjerrët, me përjashtim të pjesës perëndimore të tij. Në këtë ishull ka bimësi natyrore barishtore dhe shumë pak shkurre, shpella e zgavra karstike.
Prej kohësh, banorët e zonës së Prespës shkojnë aty me varka për të kryer shërbesa e rite fetare.
Ishulli nuk është i banuar, por popullohet në sezonin veror nga turistët e shumtë kurioz të historisë dhe kulturës vendase.
Mund të vizitohet duke ndjekur itinerarin Korçë – Zvezdë – Liqenas.
Marrë me shkurtime nga shkrimi i Dr. Moikom Zeqos
Ishulli mistik i gjarpërinjve në mes të Prespës së Madhe Read More »
Parku Arkeologjik i Orikut !
Qyteti antik i Orikut pozicionohet në jug të gjirit të Vlorës, mbi një kodër të ulët gëlqerore të quajtur Paleokastër. Mendimi i studjuesve shqiptarë është se Oriku figuron i themeluar nga korinthasit në vitin 558 p.e.s., pothuajse në të njëjtën kohë me Apolloninë. Duke filluar nga shek.II p.e.s. Oriku figuron në të gjitha konfliktet midis Maqedonisë dhe Romës kurse gjatë periudhës otomane është quajtur Pasha Liman. Aktualisht, është zbuluar vetëm një përqindje e vogël e qytetit antik,vazhdojnë gërmimet arkeologjike dhe është i vizitueshëm lehtësisht me anë të rrugës automobilistike Vlorë-Orikum. Orikumi është një nga sitet më të rëndësishëm të bregdetit Adriatik, si nga pikëpamja historike, arkeologjike ashtu dhe nga ajo natyrore. Sipas të dhënave arkeologjike qyteti antik i Orikut themelohet në mesin e shek. VI p. Kr, ndërsa në burimet historike përmendet që në shek. V p. Kr nga Herodoti dhe Hekateu i Miletit, si një nga limanet më të mbrojtur dhe më të rëndësishëm të Epirit. Në shek. III p. Kr, Oriku merr fizionominë e plotë të një qendre urbane. Pjesa më e madhe e infrastruktës së brendshme, duke përfshirë shkallaret, bazamentet e ndërtesave, kanalet dhe cisternat për depozitimin e ujit ndërtohet në shkëmbin natyral të kodrës. Në këtë periudhë ndërtohen dhe monumentet publike. Në burimet historike është një qytet i përmendur për rëndësinë e tij në betejat midis Maqedonisë dhe Romës në fund të shek. III p. Kr, si dhe në luftën civile midis Çezarit dhe Pompeut në vitin 48 p. Kr. Çezari në kujtimet e tij për Luftën Civile e përshkruan Orikun, si një qytet të fortifikuar mirë, me mure të forta dhe disa hyrje të pajisura me kulla. Për shkak të kësaj lufe qyteti duhet të ketë pësuar dëme të konsiderueshme, aq sa në periudhën romake të dhënat arkeologjike tregojnë për një braktisje të tij. Qyteti rindërtohet dhe rifortifikohet në antikitetin e vonë, ndërsa rezultatet e gërmimeve arkeologjike tregojnë se jeta vijon edhe në shekujt e mëvonshëm. Emri i tij mesjetar, Ericho, i përmendur nga historjania bizantine Ana Komnena në shek. XI, reflekton origjinën e emrit të vjetër, ndërkohë që kodra ku u ndërtua qyteti njihet sot si Paleokastër. Në periudhën osmane ka shërbyer si bazë për flotën detare, ndërsa mbas Luftës së Dytë Botëroe territori ku bën pjesë qyteti antik u izolua, duke qenë se bënte pjesë në territorin e Bazës Ushtarake Detare të Pashalimanit. Në vitin 2005 për shkak të vlerave historike, arkeologjike dhe mjedisore rrënojat e qytetit antik të Orikut shpallen Park Arkeologjik Kombëtar.
Rrënojat arkeologjike në Orikum kanë tërhequr vëmendjen e udhëtarëve të huaj që në fillimin e shekullit të XX, por gërmimet e mirëfillta arkeologjike filluan në vitin 1958 nga një ekspeditë shqiptaro-sovjetike e drejtuar nga Dh. Budina dhe N. Kabilina. Këto gërmime përfshinë një sipërfaqe prej 400 m2 dhe zbuluan një monument në formë eksedre të cilin e interpretuan si teatër dhe disa shkallë të gdhendura në shkëmb që përbëjnë dhe elementin kryesor për të kuptuar organizimin urbanistik. Mbas një ndërprerje prej disa dekadash, gërmimet do të rifillonin sërisht në vitin 2007 nga një projekt i përbashkët shqiptaro-zviceran i Institutit të Arkeologjik së Tiranës dhe Universitetit të Gjenevës. Nga puna tashmë dhjetëvjeçare e këtij projekti, u zbuluan një sërë monumentesh të reja, si dhe u përftuan të dhëna të reja mbi historinë dhe kronologjinë e sitit. Nga gërmimet në tarracën jugore, u zbuluan rrënojat e një ndërtese të tipit monopter. Bëhet fjalë për një monument atipik me formë katrore që përbën një shembull unik për gjithë botën antike, i datuar në shek. III-II p.kr. Një arritje tjetër ka qenë edhe studimi i fortifikimit të qytetit. Këto gërmime përveçse nxorrën në dritë disa element thelbësorë të fortifikimeve antike, siç janë porta hyrëse veriore për në qytet si dhe platforma e artilerisë, sollën dhe një datim shumë të saktë stratigrafik të këtyre mureve në vitet 150 p. Kr. Gjithashtu u rimor në shqyrtim dhe u rigërmua një nga monumentet simbol të sitit të Orikumit, i ashtuquajturi “teatër”. Gërmimet e viteve 2013-2014 në këtë monument e hodhën poshtë këtë hipotezë dhe sollën në dritë elementë të rinj që nuk ishin zbuluar më parë, siç është rasti i një kanali të madh. Hipotezat e reja e identifikojnë këtë monument si një fontanë monumentale. Gërmimet e dy viteve të fundit kanë nxjerrë në sipërfaqe element të fortifikimit të antikitetit të vonë, siç është rasti i një kulle të kësaj periudhe në tarracën lindore. Një tjetër monument i vizitueshëm është kisha mesjetare e zbuluar nga gërmimet e viteve 2016-2017, në pjesën e akropolit.
Të gjithë elementët historik, arkitektonik dhe peizazhi unik ku është vendosur siti, midis lagunës, detit dhe gadishullit të Karaburunit si dhe elementët arkeologjik, që dalin në vijimësi nga gërmimet e bëjnë këtë park arkeologjik një nga më intersantët për t’u vizituar.
Ka qenë qytet antik, sot është Park Arkeologjik Kombëtar.
Hyrja: Me biletë/Çmimi 200 Lekë.
Pensionistët, veteranët e luftës, invalidët tetraplegjikët dhe paraplegjikët, ish të dënuarit politik si dhe jetimët, përfitojnë reduktimin në 50% të çmimit të biletës. Studentët e shkollës së lartë, përfitojnë reduktimin në masën 70 % të çmimit të biletës. Fëmijët deri 8-vjeç, përfitojnë hyrje të lirë.
Itinerari: Drejt parkut arkeologjik të Orikut mund të shkoni me çdo mjet transporti, duke ndjekur rrugën nga qyteti i Vlorës drejt qytezës së Orikumit, në brendësi të bazës detare të Pashalimanit.
Procedura e hyrjes nëpërmjet postbllokut ushtarak të Pashalimanit: Për të hyrë nëpërmjet postbllokut ushtarak vizitorët individual ose familjarë, duhet të jenë pajisur me një dokument identifikimi dhe nëpërmjet një procedure regjistrimi që zgjat jo më tepër se një minutë, mund të hynë për të vizituar parkun arkeologjik. Grupet e organizuara nga agjencitë turistike, duhet të dorëzojnë për regjistrim në postbllokun ushtarak një listë emërore të pjestarëve të grupit që do të vizitojnë parkun./DRKK VLORE
Shqipëria shpirtërore, destinacionet që nuk duhet të humbasësh (Foto)
Vendet shpirtërore janë vende ku pelegrinët kërkojnë mrekulli ndërsa udhëtarët shohin mrekulli. Shqipëria shpirtërore është e pasur me tradita, vende të shenjta dhe vendet e pelegrinazhit.
Këto vende janë në të njëjtën kohë atraksione të mrekullueshme turistike nisur nga vlerat e tyre historike dhe kulturore. Ju mund t’i vizitoni këto destinacione popullore të besimeve të ndryshme dhe të gjeni mënyra shpirtërore për të përjetuar.
Ishulli Zverneci, Vlorë

E vendosur në Lagunën e Nartës, në veri të Vlorës, 156 km larg Tiranës, midis kripës dhe dunave bregdetare të bregut të Adriatikut, ishulli i vogël mund të arrihet përmes një shtegu të sapo rinovuar. Ishulli është i mbuluar me pyje pishe dhe është shtëpia e një manastiri të vjetër bizantin kushtuar Shën Marisë. Historianët thonë se ajo u ndërtua midis shekujve X dhe XIII. Është një vend i qetë dhe piktoresk, i rrethuar nga peizazhe mahnitëse. Pelegrinët dhe besimtarët vizitojnë ishullin çdo 15 gusht.
Marigoja, gruaja që ka qëndisur flamurin shqiptar të ngritur nga Ismail Qemali në Vlorë më 28 nëntor 1912, është varrosur në ishullin në varrezat e Manastirit
Mali Tomorri pranë Beratit

Mali Tomorri është një atraksion i mrekullueshëm natyror në Shqipërinë jugore qendrore. Pika malore e vendosur 2.416 metra mbi nivelin e detit shpesh është e mbuluar me mjegull dhe mister. Shqiptarët e quajnë edhe Fronin e Zotit. Të tjerë thonë, se ajo mbulon një strukturë, ndoshta një piramidë. Këto gojëdhëna dhe bukuria natyrore e Parkut Kombëtar të Tomorrit prej 23,444 hektarë e bëjnë atë një destinacion turistik por edhe sportiv ku mund të bësh hiking, treking, kampe, alpinizëm dhe pelegrinazh. Parku është gjithashtu një destinacion shpirtëror. Teqeja gjendet në majën më të lartë të malit. Mali është i lidhur ngushtë me qytetin e Beratit, një Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Mali i Tomorrit është një shesh lojërash i madh për tifozët e aktiviteteve në natyrë.
Sari Salltik në Krujë

Ky vend ndodhet në Malin e Krujës i njohur edhe si Skënderbeu, 1,176 metra mbi nivelin e detit dhe mirëpret shumë besimtarë dhe turistë kurioz. Ngjarjet e pashpjegueshme filluan kur Sari Salltik, një ndjekës i Haji Bektash Veils arriti në Krujë në vitin 1325. Pelegrinët e feve të ndryshme nga e gjithë Shqipëria vizitojnë teqenë dhe shpellën ku ata besojnë se ndodhin mrekulli. Pika malore mund të arrihet me makinë ose në këmbë. Një pamje e mahnitshme mbi Detin Adriatik të pret në krye të malit. Ky është një vend i mrekullueshëm për të shijuar pamjen dhe meditimin.
Shën Antoni (Shna Ndou) Kisha në Laç

Kisha e Shën Antonit e ndërtuar në kodrat mbi qytetin e Laçit është një nga vendet më të rëndësishme të pelegrinazhit në Shqipëri. Mbi një milion pelegrinë vizitojnë kishën çdo vit. Vizitorët preferojnë të ecin në këmbë për kishë, por ka edhe një rrugë dhe një zonë të madhe parkimi për ata që vijnë me makinë ose furgon. At Zef Pllumi, një prift francez, thotë në kujtimet e tij se Shna Ndou konsiderohet të jetë vendi më i shenjtë në tokat shqiptare p[r njerëzit e të gjitha besimeve dhe feve.
Vizitorët ndezin qirinj, marrin pjesë në masë dhe vizitojnë shpellën Shna Vlashi. Pa marrë parasysh se çfarë është feja juaj, Kisha e Shna Nout ja vlen të vizitohet.
Manastiri i Shen Kollit të Meso

potamit ndodhet përgjatë rrugës Sarandë-Gjirokastër përballë HEC-it Bistrica 2. Manastiri është ndërtuar mbi një tempull dhe në të gjenden gdhendjet e dragonjve, shqiponjave, luanëve dhe krijesave të tjera mitologjike. Ekspertët e konsiderojnë atë një monument unikal të llojit të tij në të gjithë Ballkanin.
Shen Kolli në Mesopotam

Xhamia e Gjin Aleksi është një ndërtesë fetare në zonën e Rusanit, Delvina. Shqiptarët nuk dinë shumë për këtë. Xhamia është ndërtuar gjatë shekullit të 16-të mbi rrënojat e një kishe bizantine të vjetër. Një shembull i tolerancës fetare, me të cilën shqiptarët krenohen.
Vende të tjera për tu vizituar në Shqipëri janë: Kisha Thethi, Ishulli Maligradi në Liqenin e Prespës, Kishat e Voskopojës, Gjinar, Xhamia e Plumbit në Shkodër, Manastiri i Ardenicës, Manastiri i 40 Saints të Sarandës, çdo kishë e vogël në bregdetare fshatra përgjatë Bregut Jon, Cape Rodoni, Melani Tekke në Libohova, dhe shumë të tjerë./ATSh/
Shqipëria shpirtërore, destinacionet që nuk duhet të humbasësh (Foto) Read More »













