Art-Kulture

‘Telegraph’: Shqipëria, koha për ta vendosur vendin antik në listën e vendeve të preferuara

Marrim tatëpjetën, larg ujit, lëmë pas tavolinat e kafeneve në trotuaret përgjatë bulevardit ”Epidam”. Pastaj marrim kthesën nga e majta drejt rrugës së Kalasë dhe një ditë e nxehtë e Shqipërisë së shekullit XXI shkrihet e tëra duke i lënë vendin shekullit II dhe Perandorisë Romake në gjithë pomozitetin e saj.

I rrethuar nga shtëpi në stilin modern të ndërtuara aty-këtu, por i dukshëm në madhështinë e tij, Amfiteatri i Durrësit, ende mund të oshëtijë edhe pa bërë ndonjë kapërcim të madh imagjinate, nga ndeshjet me shpata të gladiatorëve dhe vendet lart në shkallaren mbi arenë.

Carolyn Perry qesh vesh më vesh si nëna e një fituesi në garën e shkollës.

“Nuk e prisje, apo jo?, – buzëqesh ajo.

“Jo, nuk e prisja. Asnjë nga ne nuk e kishte parashikuar.”  Në vizitën e parë, Durrësi është saktësisht ajo çka pret nga qyteti i dytë më i madh në Shqipëri. Anijet me mallra kanë mbushur portin, që zhurmon e zhurmon përballë zemrës së qytetit, tragetet që presin në radhë të përshkruajnë Adriatikun drejt Barit dhe Ankonës.

Trafiku bllokon rrugët e ngushta të qytetit. Turistët mbushin hotelet shumëkatëshe që rrethojnë zonat e plazhit drejt juglindjes, që janë ngritur me bumin e vrullshëm të ndërtimit, kur vendi u çlirua nga kontrolli i komunizmit, në 1992.

Por, Amfiteatri i  Durrësit tregon një histori me shumë kapituj. Jo vetëm periudhën romake (ai u ndërtua gjatë sundimit të perandorit Trajan), por edhe epokën bizantine të mëvonshmë (mozaikët e shekullit VI, nga koha kur teatri përdorej si një kishë, dy dhoma të zbukuruara në katin e parë dhe periudha otomane që pasoi në shekullin XV (arena u mbulua në shekullin XVI nga shtëpitë që mbinë masivisht).

Dhe kjo është vetëm një pjesë nga përralla e një qyteti që u themelua si Epidam prej kolonizatorëve grekë në vitin 627 para Krishtit – ndonëse periudha e largët rikujtohet në statujat dhe copëzat e poçerisë që gjenden të ekspozuara në muzeun e shkëlqyer që ndodhet aty pranë.

Po kaq domethënës ishte qyteti edhe në pushtimin e Romës, i njohur si Dyrrahu, kur edhe filloi rruga ”Egnatia”, që vazhdoi 70 milje (161 kilometra) në lindje drejt Stambollit të sotëm. Çuditërisht, njëra nga portat e vjetra që të çon drejt kësaj rruge të rëndësishme mespërmes Ballkanit ende ekziston, si pjesë e hyrjes së vinotekës ”Portiku”, në rrugën ”Skënderbej”.

Ka kaq shumë detaje për t’u fiksuar, por ne do përpiqemi më vonë në mbrëmje, gjatë darkës në restorant ”Tirona”, larg vinçave dhe portit, në një zone të resortit të Durrësit.

Jemi 13 veta, nga fillimi i të 40-ave deri mbi 70 dhe kemi pak histori udhëtarësh për t’i treguar njëri-tjetrit teksa shijojmë gotat me verë.  Nga udhëtime në shtete më pak interesante si Uzbekistani dhe Taxhikistani, në kohë më të qeta, deri në vende të trazuara si Afganistani, Siria dhe Libia.

Por, megjithë vulat tona në pasaporta dhe dëshirën e madhe për të udhëtuar, asnjëri prej nesh nuk e kishte pasur një ekperiencë të mëparshme në Shqipëri, një vend të cilin e  kuptuam shumë shpejt se ka një të kaluar të komplikuar dhe të lavdishme.

Do të qendrojmë 48 orë në “Trojet e Ilirisë”, një udhëtim nëntëditor, të shoqëruar nga “Steppes Travel” që në të vërtetë shkon përtej emrit që mbart duke prekur historinë e shumë shqiptarëve gjatë 28 shekujve të fundit të Shqipërisë, përfshirë kryesisht, edhe periudhën komuniste.

Por, fokusi kryesor janë fiset ilire që lulëzuan gjatë këtij udhëkryqi europian midis shekullit V dhe vitit 168 para Krishtit, kur u pushtuan nga Roma.

Ne jemi shumë të interesuar rreth historisë. Pavarësisht miljeve të shumta, pak prej nesh e njohin historinë e fermerëve dhe luftëtarëve që kanë ekzistuar, së bashku me grekët e lashtë, por që janë lënë pas dore në tekstet shkollore.

Në zonat arkeologjike, në kafenetë e vogla, çdo mbrëmje ajo zbulon nga një element të së djeshmes, për të cilat, në fillim të çdo udhëtimi, shumë prej nesh nuk është i vetëdijshëm.

Fatmirësisht, ne kemi Carolyn, një eksperte e historisë antike, e cila ka punuar në Muzeun Britanik dhe ka drejtuar disa grupe në vende të ndryshme si Irani dhe Arabia Saudite dhe është tërhequr nga një ndjenjë e madhe për Shqipërinë, dhe ka vendosur të blejë disa prona pranë qytetit të Durrësit.

Ajo i testoi njohuritë e saj në Lezhë, një qytet në lumin Drin, 45 milje (72 kilometra) në veri të Durrësit, ku i vinte rrotull një muri të vjetër që përbëhej nga mbetjet e “Lissos” (Lezha) një kala ilire e themeluar në vitin 385 para Krishtit.

“Një nga problemet me ilirët”, zbulon ajo, ”është se ata nuk kishin kulturë të shkruari”.

Nuk ka të dhëna të drejtpërdrejta nga historia e fiseve ilire. Ajo që dihet është shkruar nga grekët dhe romakët.

“Megjithatë, rrënojat flasin me zë të lartë duke mbështetur pikëpamjet e saj – prerjet diagonale të gurit, të projektuara për t’i ndihmuar ata që të përballonin tërmetet, një dëshmi e zgjuarsi ilire; ekzistenca e gjurmëve të duarve romake në një sauna. Gjithashtu,  gjenden edhe prova të tjera.

Dikur, një tempull ilir dhe më vonë katedralja e “Shën Nikollës”, tani është një mauzole kushtuar Gjergj Kastriotit, një figurë e fuqishme ushtarake, i njohur ndryshe si “Skënderbeu”, i cili arriti të ndalte përparimin osman në Ballkan në shekullin XV.

Ne admirojmë 25 mburojat metalike të mbështetura në tulla, secila prej tyre përfaqëson fitoret e betejave që i atribuohen këtij ushtaraku midis viteve 1444 dhe 1468.

“Shqipëria është një sagë me shumë shtresa”, shpjegon Carolyn. “Dhe, kjo përben gjithë gëzimin e historisë së saj”.

Ajo u ndihmua nga Dorian Disha, me banim në Tiranë, për të kuptuar më tepër rreth historisë së kombit.

Dhe ndërsa, drejtohemi drejt jugut, ai ngre temën e zymtë të bunkerëve, – një trashëgimi paranojake e viteve komuniste, sidomos të viteve ’ 70, kur diktatori Enver Hoxha ishte i bindur se Shqipëria ishte nën kërcënimin e pushtimit të të huajve .

Doriani gjen gëzim në hijet e betonit, aty pranë ku lopët përtypin barin, madje edhe në kryeqytet.

“Në vitin 1992, kur barrierat mbi lëvizjen u hoqën, të gjithë dëshironim të shkonim në qytet. Tani, të gjithë nuk e durojmë dot. Të gjithë duan të kthehen në fshat”, thotë ai duke qeshur.

Tirana shfaqet shumë drithëruese, me bare të reja që ndriçojnë lagjen më në zë Bllokun. Ajo hedh gjithashtu dritë mbi Ilirinë, në Muzeun Kombëtar, mbushur me armë bronzi që i përkasin shekullit III para Krishtit, helmeta me pllaka të gjata mbrojtëse, një varr i ndërlikuar me tre nivele.

Me pllaka të shkruara të të njëjtit shekull, ku çdo shtresë përfaqëson një brez të familjes së burrit të vdekur që i uron atij lamtumirën dhe një vazo  prej argjile e shekullit V para Krishtit, e zbuluar në Kukës, në verilindje të Shqipërisë.

Të shohësh ekzebicione të tilla në ekran është diçka. Por, të shohësh trashëgiminë ilire në vendin ku lindi është tjetër gjë. Është një rrugë e gjatë, 145 kilometra në jug, në mbetjet e Bylisit, por shpërblimi ynë do të jetë që të shikojmë ilirët dhe romakët sërish të ndërthurur.

Një tjetër amfiteatër, një pllakë e shekullit III para Krishtit e kulturës ilire, kulmon këtë kodër të sheshtë. Shumica e ndenjëseve nuk është më, por madhësia e tij, që mund të ketë arritur deri në 40 nivele, është e dallueshme.

Fiksuam kamerat tek një tufë delesh që ushqehen me barishtet e rritura mes gurëve antikë, para se Karolina të na dërgojë në anë të një gremine, ku lumi Vjosa gjarpëron në luginën poshtë dhe emri i Augustit, perandori i parë romak, është i shkruar në një shtyllë porte prej graniti.

Udhëtimi vazhdoi atë mbrëmje, 48 kilometra në veriperëndim në Apolloni, që lindi në Iliri, në vitin 588 para Krishtit dhe njohu një lulëzim gjatë epokës romake në shekullin II pas Krishtit duke u bërë një vend mirqenieje dhe shijeje.

Jehona kumbon, në hyrjen me gjashtë kolona në Bouleuterion (Dhoma e Këshillit) ku ende ndihen debatet. Një nuse shqiptare dhe bashkëshoti i saj kalojnë të gëzuar përgjatë kësaj zone, duke bërë fotot e dasmës së tyre me imazhin e hijeve të paraardhësve.

Ne vazhdojmë të jemi të etur për bukuri kur hyjmë në Berat dhe ku zbulojmë se ndalimi ynë për natën po aq i bukur sa çdo gjë që na ka dhuruar antikiteti shqiptar. Në një farë mënyre, ky qytet, është i ndarë mes lagjes Gorica, në bregun jugor të lumit, që është me shumicë të krishterë dhe Mangalemit në pjesën veriore, me shumicë myslimane.

Për së bashku, ato takohen dhe buzëqeshin si një pjesë e vogël e kujtesës së epokës së ndritur osmane, ku shtëpitë janë vendosur në anë të shkëmbinjve, ndërkohë që rrezet e diellit ndriçojnë muret e tyre duke nderuar pseudonimin që mban, “qyteti i një mbi një dritareve”. U ulëm për një darkë me qengji të pjekur dhe salsice me mish të grirë në taracën e hotel ”Mangalemi” dhe po shijonim të mrekulluar fotot e bëra gjatë ditës.

Por ka akoma. Në mëngjes ikëm drejt lindjes, në brendësi të tokës, ku rruga gjarpëron, ndërkohë që sipërfaqja nuk dallohet më. Rruga na dërgoi në zonën rurale të Plloçës, ku shfaqen fillimisht mbetjet e qytetit ilir të Amantias që ruhen nga asgjë dhe nga askush.

Aty Karolina fillon të na tregojë një amfiteatër në formë patkoi ku shenjat e volejbollit, vizatuara në tokë, tregojnë përdorimin e kohëve të fundit. Në hyrje na pret Luka, roja që mbledh pagesën simbolike të hyrjes.

Ne e ndoqëm atë më këmbë pasi automjeti i tij në dërgoi në një rrugë të prishur, tek një fermë në kodër, ku ne ndiqnim nga pas një gjel dhe zogjtë cicëronin nga mërzia.

Më pas u ngjitëm për te guri i lakuar i portës gjashtë, një hyrje e madhe për në Amantia, që prej shekullit IV para Krishtit.

Më tutje, duke ndjekur gjurmët e lëna nga traktori në baltë, ne arritëm buzë një rrëpire, ku toka bie. Poshtë janë blloqet e themelit të tempullit të Afërditës, ngjyrosur bojë mjalti nën dritën e mjegullt të verës.

Rruga më pas do të na dërgojë në jug, në Butrint, një tjetër mrekulli iliro-romake. Por këtu, parë nga ky kënd të duket, për një çast, sikur po shikon Maçu Piçu që nga Dera e Diellit. Presim që edhe këtu të gjejmë diçka po aq emocionuese, por vëzhgimi ynë i heshtur nuk është më pak vlerësues.

‘Telegraph’: Shqipëria, koha për ta vendosur vendin antik në listën e vendeve të preferuara Read More »

Ishujt e Greqisë? Jo, faleminderit. Ja mrekullitë e Karaburunit që të ndryshojnë mendjen

Gushti është shumë afër dhe me të po afron edhe piku i sezonit turistik. Jeni në mëdyshje dhe nuk e dini çfarë të zgjidhni? Epo ja tek vjen edhe një sugjerim për ju. Mrekullia mbi tokë, bukuri e pamasë, ujë i kristaltë dhe kujtime të paharrueshme në Parkun Kombëtar detar Karaburun-Sazan.

E gjithë kjo zonë njihet për vlerat e saj të larta dhe unike të biodiversitetit detar dhe rëndësinë e madhe që ka për sa i takon potencialit të zhvillimit të qëndrueshëm për rajonin e Vlorës.

Zona e Mbrojtur Detare Karaburun-Sazan ose, siç njihet Parku Kombëtar i ekosistemit natyror detar pranë Gadishullit të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit, është shpallur si zonë e mbrojtur më 28 prill 2010 nga Këshilli i Ministrave.

Vlerat e identifikuara në këtë ekosistem janë të shumta  dhe  përfshijnë vlera natyrore, në radhë të parë livadhe detare, vlera socio-ekonomike (peshkimi artizanal, turizmi) si dhe vlera kulturore, arkeologjike dhe historike. Këto vlera e bëjnë këtë zonë, një nga më tërheqëset për zhvillimin e turizmit me burime të balancuara në tokë dhe në det.

Por le të flasim pak më gjerë për dy nga zonat më të bukura, për Gadishullin e Karaburunit dhe për ishullin e Sazanit.

Si fillim Karaburuni ndodhet midis Gjirit të Vlorës në Lindje dhe Detit Jon në Perëndim. Gadishulli i Karaburunit është gadishulli më i madh i jugut të Adriatikut lindor dhe një nga pikat më strategjike në rrafshin ushtarak, që ndan Kanalin e Otrantos midis Shqipërisë dhe Italisë. Lartësia e Karaburunit shkon nga 15-30 m deri në 800 m mbi nivelin e detit. Pikat më të larta janë Maja e Flamurit (826 m) e ajo e Caderes (839 m). Kjo zonë ka statusin Rezervat Natyror i Menaxhuar, kategoria e IV.

Zona e Karaburunit karakterizohet nga një diversitet biologjik dhe peisazhor, i cili i dedikohet pozitës gjeografike, orografisë, hidrografisë, vertikalitetit, kushteve tokësore dhe klimatike të ndryshme. Kjo zonë mban habitate të ndryshme, të cilat nga ana e tyre përdoren nga një numër i konsiderueshëm kafshësh (shpend e gjitarë) të një rëndësie kombëtare dhe rajonale për ruajtje. Zona e Karaburunit aktualisht gjendet afër një popullate të konsiderueshme ku qendra më e madhe urbane është qyteti i Orikumit.

Mjedisi social ekonomik i zonës është pothuajse agrar, ndërsa në verë merren me turizëm. Banorët përreth zonës së Karaburunit merren kryesisht me pemëtari, vreshtari, bimë foragjere, blegtori. Brenda zonës Karaburun gjatë periudhës së dimrit, është zhvilluar aktiviteti i blegtorisë (dhi e dhënë). Duke qenë në një pozicion të ndërmjetëm në rrugën e vetme nacionale që lidh Vlorën me Orikumin, Himarën e me tej deri ne Sarandë, ajo ka favorin të ofrojë pika me interes historik si Vlora, Kanina, Amantia, Mavrova, Orikumi, Himara etj.

Karaburuni është gadishulli më i pasur me shpella të lashta në të gjithë Shqipërinë. Rreth 20 shpella të shoqërojnë në të gjithë gjatësinë e Karaburunit në të dyja anët e deteve Adriatik dhe Jon. Shpella më e madhe që i ngjan një katedraleje gjigante është ajo e Haxhi Aliut, e cila përbënë një dukuri të pazakontë të këtij gadishulli.

E lartë sa një pallat 20 katësh, ku thellësia e shpellës shkon në rreth 40 m, kjo shpellë të ofron një magji të vërtetë pasi brenda saj ujërat e errëta nga thellësia dhe të qeta nga magjia të krijojnë përshtypjen e zhytjes në pjesën tjetër të botës, apo në botë paralele.

E për sa i përket ishullit të Sazanit ai ka një sipërfaqe prej 5.7 kilometërash katror dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër. Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër. Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer.

Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por i hapur dhe shumë i thellë. Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detaro-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut. Pikërisht këtu gjendet edhe Plazhi zallor i Admiralit. Ishulli përbëhet nga dy kodra shkëmbore monolite me lartësi maksimale 342 metra.

Dy luginat e tij, ajo e Përroit të Xhehenemit dhe Përroi i Shënkollit, që nisen nga Qafa e Vidheve, e ndajnë ishullin në dy pjesë, në atë Veriore, që është më e larta, plot 342 metra dhe në atë Jugore, me lartësi 331 metra. Klima e Sazanit është e butë, mesdhetare. Temperatura mesatare vjetore është 16,2 gradë Celsius. Mesatarja e janarit është 10 gradë Celsius dhe e korrikut 23,4 Celsius.

Sasia mesatare e reshjeve është 715 mm në vit. Ishulli nga pikëpamja e ekosistemit është një park i vërtetë, shumë i pasur dhe i mbrojtur, si rezultat i të qenit vazhdimisht zonë ushtarake. Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera. Në Sazan ndodhen  7 specie amfibësh, nga të cilat 3 janë specie të rralla.

Ishulli përmban 15 specie zvarranikësh, nga të cilët 13 specie zvarranikësh janë të rrallë. Disa nga këto amfibë dhe reptilë janë: Hardhucë luspore me gushë blu, hardhuca jeshile ballkanase, zhapiku evropian i bakrit, nepërka amodite gjendet në pjesën tokësore të afërt, por mungon në Ishullin e Sazanit. Mungesa e kësaj nepërke prezanton një interes të lartë shkencor sepse tregon formimin dhe ndarjen e ishullit përpara shfaqjes së kësaj specieje.

I quajtur “Ishulli i thesareve”, ishulli i Sazanit e mbart mbi vete histori mijëravjeçare. Sapo zbret në breg dallon bunkerët, objektet ushtarake dhe ndërtesat e shkatërruara të periudhës komuniste, ku strehoheshin rreth 300 familje. Ishte një ndër sekretet më të mëdha të Shqipërisë komuniste.

Për 50 vjet u përdor si bazë ushtarake e ndërtuar nën influencën e rusëve dhe të kinezëve si vija e parë e frontit të mbrojtjes nga pushtimet e bllokut perëndimor. Me ndërrimin e sistemeve, baza u braktis dhe prej 20 vjetësh objektet ushtarake dhe civile janë lënë në mëshirën e fatit dhe të elementëve të natyrës. Tani është hapur një kapitull i ri për ishullin, ka projekte për ta  kthyer në një destinacion turistik dhe ekologjik të vizitueshëm.

Parku Kombëtar i Karaburun-Sazanit ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një dite ndryshe ne gjirin e Vlorës.

Në tërësinë e tij ky park është një mrekulli natyrore më vete që të fal magjinë e të qenit pjesë e një hapësire gati magjike. Po cilat janë vendet më të vizituara në këtë park? Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Alisë (atraksioni me i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar),ishullin e Sazanit dhe falezat e tij si atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun.

Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit,eksperiencë natyrore unike.

Në hapësirat e gadishullit të Karaburunit, në fund, aty ku bashkohet me luginën e Dukatit gjendet Kisha e Marmiroit, ndërsa në faqen jugore, në lartësinë 400 m, në vendin e quajtur Petrunë, gjendet një shpellë shumë e bukur, që quhet Shpella e Dukë Gjonit.

Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë boten unike dhe pasuritë nënujore. Po kështu një rëndësi kanë edhe studimet e ndryshme nga partnerë ndërkombëtarë dhe ekspertët vendas, të cilat e cilësojnë zonën e mbrojtur Karaburun-Sazan në parametra të kënaqshme për sa i përket peshkut, cilësisë së lartë të ujitdhe monitorimit e kontrollit që ka në zonë.

 

Ishujt e Greqisë? Jo, faleminderit. Ja mrekullitë e Karaburunit që të ndryshojnë mendjen Read More »

Mbi një mijë turistë ”pushtojnë” parkun arkeologjik të Orikut

Hapja zyrtare e sezonit turistik në fillim të muajit maj, është shoqëruar me një interesim të madh të vizitorëve vendas dhe të huaj, për të parë parkun arkeologjik të Orikut.

Në harkun kohor të rreth dy muajve, këtë park arkeologjik kanë zgjedhur ta vizitojnë rreth një mijë vizitorë, ku përfshihen grupe të organizuara vizitorësh, vizitorë individualë, familjarë, nxënës shkollash dhe grupe studentësh.

Ky park u ofron turistëve jo vetëm vlerat historike dhe arkeologjike, por edhe peizazhin e mrekullueshëm dhe plot kontraste mes lagunës, detit dhe gadishullit të Karaburunit.

Pak historik…

Qyteti antik i Orikut shtrihet pranë qytetit të sotëm të Orikumit, themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r., në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër. Përmendet nga autorët antikë të shekullit të V p.e.r., si port i rëndësishëm i Adriatikut. U shfrytëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonëve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.

Në shekullin Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin Maria. Këtë gjë e shohim tek manastiret e Ardenicës (Lushnje), Apollonisë (Fier), Manastirin rrënojë të Ballshit, Manastirin e Zvërnecit, Manastirin e Dhërmiut, etj.

Sot, qyteti i Orikumit mbetet një destinacion turistik tepër i preferuar, për natyrën detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, për detin dhe plazhet ranore./atsh

Mbi një mijë turistë ”pushtojnë” parkun arkeologjik të Orikut Read More »

Zbulohen në Shkodër rrënojat 2000-vjeçare të qytetit të humbur ilir, Bassania

Është një nga vendet më të rëndësishme për historinë e Ilirisë, si dhe të gjithë zonën e Ballkanit.

Që nga kohët neolitike ishte një vendbanim i rëndësishëm dhe i pasur në udhëkryqin e rrugëve të rëndësishme të tokës dhe ujit.Mbretëria më e hershme e regjistruar ilire, Enchele, daton që nga shekulli i VIII para Krishtit.

Ekipi nga Qendra e Studimeve të Antikitetit të Evropës Juglindore të Universitetit të Varshavës ka punuar në këtë zonë që nga vitet 1960.

Zbulohen në Shkodër rrënojat 2000-vjeçare të qytetit të humbur ilir, Bassania Read More »

Zbulohet qyteti ilir i para 2300 vjetëve në Bushat !

Në pamje të parë, i ngjante vetëm një toke bujqësore. Deri në vitet 1990, aty qe vendosur edhe një repart tankesh. Në vitet 1980 u gjetën krejt rastësisht varre antike, mandej një fontanë e prapë, ajo dukej si një fushë krejt e zakonshme, derisa një grup arkeologësh duke përdorur metoda invasive, hasi në anomali që çuan më pas në një zbulim.

Një qytet ilir rreth 2300-2400 vjeçar ka dalë në dritë në zonën e Bushatit në Shkodër, gjatë gërmimeve arkeologjike të ekspeditës shqiptaro-polake.

Saimir Shpuza në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” thotë se lulëzimi i tij u shënua në shekujt 4-2 para erës sonë dhe se me rënien e mbretërisë ilire të Ardianëve, qyteti pësoi rënie graduale deri sa u braktis totalisht. I shtrirë në rreth 20 ha, sipërfaqja e tij është e përafërt me qytetet e tjera të mëdha të zonës si Shkodra dhe Lezha. Shpuza thotë se ende nuk është mësuar se cili ka qenë emri antik të këtij qyteti. Por pikërisht ky eksplorim drejt së panjohurës e bën punën e arkeologut ende më të bukur./gazetashqiptare

Zbulohet qyteti ilir i para 2300 vjetëve në Bushat ! Read More »

Si përfunduan armët e Skënderbeut në Vjenë ?

Shqipëria ka famën se është vendi i “Atletit të Krishtërimit”, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, por në arkivat e saj nuk ka asnjë relike origjinale të tij. Përkrenarja dhe armët ndodhen në Vjenë, një vulë që mendohet se është e tij, gjendet në Danimarkë, ndërsa në Krujë dhe në Tiranë pak gjëra, më shumë imitime. Por cila është historia e relikeve të Heroit Kombëtar, si përfunduan ato në Vjenë gati 300 vjet më parë.

Një histori që zgjatet prej pesë shekujsh dhe që debatet për të nuk mungojnë edhe sot. Historinë e rrugëtimit të relikeve e ka zbuluar 72 vjet më parë, Leo Alexander Freundilich, një austriak i apasionuar pas historisë së Shqipërisë. Por më shumë se relike tashmë ato janë pjesë e identitetit kombëtar. Përkrenarja me kokën e dhisë që mbante Skënderbeu është një simbol i huazuar nga legjendat e Pirros së Epirit dhe Aleksandërit të Madh. Ajo është me metal të bardhë dhe me një rrip (ruban) të larë me ar.

Ndërsa sipas historianëve Skënderbeu ka përdorur dy shpata. E para i është dhuruar nga Papa në Krishtlindjet e vitit 1466 dhe është me trup të drejtë, e gjatë 85.5 centimetra dhe e gjerë 5.7, peshon 1.3 kg. E dyta është model turk, është 121 cm dhe peshon 3.2 kg. Kjo e fundit gjendet së bashku me përkrenaren në muzeun e Historisë në Vjenë.

Historia e armëve sipas Leo Alexander Freundlich
Historinë se si armët përfunduan në Vjenë e jep konsulli i Shqipërisë në Austri gjatë Mbretërisë së Zogut, Leo Alexander Rfeundlich. Në Arkivin e Shtetit në dosjen e Skënderbeut gjendet një shkrim ku tregohet historia e udhëtimit të tij. Artikulli i Freundlish, një njeri i pasionuar pas historisë së Shqipërisë, përdor rrëfimin e drejtorit të mbledhjeve të Muzeut Historik të Vjenës për të treguar të vërtetën e armëve të Skënderbeut. Sipas tij, për herë të parë këto objekte janë përmendur në vitin 1578.

Në krahun e djathtë ai mban lart shpatën e zhveshur nr. 345 (550) dhe poshtë në tokë afër këmbës së majtë qëndron elmi nr. 71 (127). Në kokë mban një beretë. Objektet që janë pikturuar në fotografi i ngjajnë shumë atyre në origjinal që ndodhen në muzeun e Artit Historik të Vjenës.

Shihet qartë që këto dy objekte njiheshin që në vitin 1601 si sendet e Skënderbeut. Ja një përshkrim i imët mbi dy shpatat e mbi përkrenaren: Në sallën XXV Nr.71/127 ndodhet një përkrenare e shtrirë në një piedestal të ulët, e cila duhet të jetë prerë si mbas stilit italian. Në majë të përkrenares janë vendosur kryet dhisë, por asht fiksue mirë. Përkrenarja përbëhet prej dy pjesëve, një pjesë prej bakri dhe pjesa tjetër sipër me një copë metali buzët e secilës janë zbukuruar me ar. Syve të dhisë u mungojnë gurët.

Akoma duket vendi bosh, i cili të jep të kuptosh se brenda kanë qenë vendosur gurë. Në mesin e përkrenares është vendosur një rreth prej bakri. Në këtë rreth janë shkruar këto shkronja: I.N.P.E.RA.TO.RE.BT. Ky shkrim është shumë i vështirë për t’u kuptuar çfarë thotë. Deri më tani e kanë deshifruar si: “Jesus Nazarenus Principi Emathiae Regi Albaniae Terrori Osmanoru Regi Eperi Benedicat”.

Pesha e përkrenares është 3000gr.
Kjo përkrenare është një “unikum”, i vetmi e i veçantë që gjendet në muzeun dhe i përket artit të punimit të metalit në stilin gotik të vonshëm. Përpara së gjithave kjo përkrenare në pikëpamjen estetike është një vepër e mrekullueshme dhe i ka hije vetëm një burri të fuqishëm të fortë e me vullnet të hekurt.

Shpata që ndodhet në sallën XXVII, rafti V.Nr.345(550) është e gjatë 88.5 cm e gjerë 57 cm, me dy tehe dhe me një formë të drejtë dhe në një vend të kthyer përmban disa shkronja latine. Prej këtyre shkronjave lexohen këto fjalë: “Heroi i perëndisë, Iskander Beg”.

Doreza është e përbërë prej druri të mbështjellë me lëkurë, pesha e kësaj shpate asht 1300 gr. Shpata me dorezë është e veshur me lëkurë shagreni, ka nga anët e jashtme 4 arabeska të thella, tre rripa për hijeshim. Anët e jashtme përshkohen prej fildishi dhe në anët e brendshme shohim disa germa të kuqe, të cilat janë shkruar më shekullin e XVI e që përmbajnë emrin “Scënderbeg”. Pesha është 600gr dhe pesha e përgjithshme 1900 gr. Kjo shpatë është e shënuar dhe pikturuar në librin e sekretarit privat të arqidukës së Tirolit, Jakob Schrenckh, “Armametarium heroicum”, në faqet XVI.

Përveç këtyre në sallën e armëve historike të muzeut të Vjenës gjendet dhe një tjetër, e cila quhet si një nga shpatat e Gjergj Kastriotit dhe është shënuar në inventarin mbajtur në vitin 1593. Kjo shpatë të jep të besosh nga pesha e rëndë dhe nga gjatësia se Kastrioti me një të goditur i ndante në dy pjesë trupat e armiqve. Kjo shpatë gjendet në sallonin XXV, rafti II Nr.92(143), gjatësia e saj 121 cm dhe doreza është e zbukuruar me ar dhe me lëkurë. Pesha e saj është 3.2 kg.

Si përfunduan armët e Skënderbeut në Vjenë ? Read More »

Çfarë fsheh Gjiri i Vlorës? Prapatoka në epokën e gurit të vjetër

Nga Prof. MUZAFER KORKUTI

Së bashku me kolegun e vjetër, mjeshtrin e monumenteve Novrus Bajrami, vizituam disa stacione paleolitike të reja dhe u njohëm me gjetjet, veglat e strallit, të zbuluara në këto site.
UJI I FTOHTË
Vizitën e parë, në të cilën na u bashkua edhe prof. Aleks Trushaj, njohësi e studiuesi i vlerave historiko-arkeologjike të Kaonisë, e bëmë në zonën e Ujit të Ftohtë, pikërisht në gjirin e vogël e të bukur që gjendet menjëherë pas tunelit, ku shumë vite më parë kisha zbuluar rastësisht disa vegla stralli të periudhës së paleolitit të mesëm. Duke vazhduar gjurmimin rreth 200-300 m në jug, në një xhep të vogël, që formon përsëri deti, e ku sot punohet për ngritjen e një resorti të ri, në shtresën e dheut me ngjyrë të kuqe (Terra rosa), u gjet një nukleus (bërthamë) stralli me ngjyrë gri me gjurmë të qarta përdorimi, i cili tipologjikisht i takon epokës së gurit të vjetër. Kjo gjetje, së bashku me një vegël tjetër të përgatitur nga strall ngjyrë mjalti, me retush anësor, me gjurmë përdorimi, e cilësisë shumë të mirë, janë vegël tipike për kohën e paleolitit të mesëm. Këto vegla stralli, ndonëse të pakta në numër, por tipologjikisht të përcaktuara qartë, d.m.th. të bëra e të përdorura rreth 30.000-40.000 vjet më parë e të depozituara në një shtresë gjeologjike të përcaktuar kohësisht, provojnë se në këtë buzë deti, me kushte të shkëlqyera gjeoklimatike, ka ekzistuar një stacion paleolitik i rëndësishëm për kohën e gurit të vjetër, e që ruan vlera parësore për të gjitha kohët.
GJORM
Në fshatin Gjorm, në vendin e quajtur Fusha e Frengut, e cila ndodhet rreth 3 km larg qendrës së fshatit, në krahun e majtë të lumit të Shushicës, në një sipërfaqe rreth 400 m2, gjurmimi i kujdesshëm i “gjuetarit të strallave” (N.Bajrami), zbuloi gjurmët e një siti paleolitik të dëshmuar nga gjetja këtu e 10-12 veglave të dallueshme tipologjikisht. Stralli i përdorur për bërjen e veglave është ngjyrë gri, mjalti, krem etj., i cilësisë së mirë. Veçohen për cilësinë e punimit një ashkël tipike e teknikës musteriane, një majë mprehte me retush të thellë anësor, një kruese me retush të thellë e gjurmë të shumta përdorimi. Të gjitha veglat e gjetura në Gjorm i takojnë tipologjikisht periudhës musteriane (paleolitit të mesëm). Me interes të veçantë janë gjithashtu edhe dy vegla stralli që kanë karakteristika të kulturës salutre, kulturë e cila kohësisht i takon paleolitit të lartë.
VAJZË
Në fshatin Vajzë, në vendin e quajtur Brus, rreth 700-800 m larg vendit ku në vitin 1954-1956 janë zbuluar tumat e Vajzës, janë gjetur disa dhjetëra vegla stralli të cilësisë së mirë e që tipologjikisht i takojnë kohës së neolitit dhe kohës së bronzit. Vegla të tilla janë gjetur edhe në varret kur u zbuluan tumat e Vajzës. Me shumë gjasë kemi të bëjmë me të njëjtin rit të varrimit të përdorur edhe në tumat e tjera të vendit tonë, ku në vendvarrim sillej dhé e mbetje të tjera nga vendbanimi. Rit që nënkupton vazhdimësinë e jetës edhe në botën tjetër.
DRASHOVICË
Në Palohor (Drashovicë), dëshmia e aktivitetit të njeriut të gurit të vjetër provohet nga dy vegla masive të bëra nga strall që ruan gjurmë të mellës (shtresa e hollë që mbështjell bërthamën), të cilat kanë retush anësor e të thellë, tipare teknike karakteristike për paleolitin e mesëm.
TRAGJAS
Në vendin e quajtur Kodra e Çure, që ndodhet në periferi të kalasë mesjetare të Gjon Boçarit, gjetjet e mbledhura nga “gjuetari i stralleve” përfaqësohet, nga një ashkël masive me pjesë mëlle, me gjurmë të thella përdorimi, e bërë nga strall ngjyrë gri e cilësor, që provon se në këtë kodër ka pasur veprimtari të njeriut që ka jetuar në epokën e musties (rreth 40.000 vjet më parë).
AMANTIE
Në akropolin e qytetit antik gjetja në sipërfaqe e disa veglave stralli si kruese, shpuese etj., të bëra me strall ngjyrë gri, teknikë cilësore retushimi, janë dëshmi e jetës paraurbane në akropolin e Amanties.
ZVËRNEC
Vendbanimi më i madh e me përfaqësi për epokën e gurit të vjetër, jo vetëm në gjirin e Vlorës, por edhe për territorin e vendit tonë, i zbuluar vitet e fundit në sajë të përkushtimit, vëmendjes e kujdesit të vazhdueshëm të Novrus Bajramit është vendbanimi i Zvërnecit. Ai shtrihet përgjatë bregut, aty ku vija e ujit puqet me tokën saktësisht në mikrotoponimet Dalan i Parë, Porto Nuova e Putanjë, në një brez më shumë se një kilometër të gjatë. Batica vepron çdo ditë mbi rripin e tokës ku shtrihet stacioni dhe pas zbaticës, në rërën e pastër shndrisin veglat e strallit dhe “gjuetari i stralleve” çdo ditë shëtitjen e tij e bën buzë detit ku shtrihet vendbanimi. Dhe koleksioni i stralleve të mbledhura është i jashtëzakonshëm për nga numri (mbi 2000 copë), dhe sidomos për treguesit cilësorë të industrisë litike, prandaj vendbanimi i Zvërnecit, mund të krahasohet e barazohet me kulturat me të zhvilluara paleolitike të Evropës (Musteriane e Salutriane). Studimi e publikimi i gjetjeve të vendbanimit paleolitik të Zvërnecit do të zgjerojë e do të plotësojë ndjeshëm njohjen tonë për epokën e gurit të vjetër jo vetëm për jugun e Shqipërisë, por për tërë trevën e Ballkanit Perëndimor.
Zbulimet e bëra në shpellën e Velçës dhe gjetjet e rastit të bëra në vitet ‘30 të shekullit të kaluar në stacionin mezolitik të Rrëzës së Kanalit (Dukat) dhe të zgjeruara e plotësuar me gërmimet e viteve të fundit nga prof. I. Gjipali; të dhënat arkeologjike për epokën e bronzit e të epokës së hekurit të nxjerra në dritë nga gërmimet e tumave të Vajzës, në vitet ‘50 të shekullit XX, zbulimi dhe interpretimi historik i pikturës shkëmbore prehistorike të Lepenicës, së bashku me shumësinë e siteve paleolitike të zbuluara së fundi në Ujë të Ftohtë, në Gjorm, në Vajzë, në Drashovicë, në Tragjas, në Amantie dhe në kryeqendrën paleolitike të Zvërnecit, dëshmojnë se Gjiri i Vlorës e prapatoka e tij, kanë pasur një zhvillim parësor në prehistori e protohistori, që parapriu zhvillimin cilësor e kulturor të kësaj treve në epokën historike me ngritjen e katër qyteteve antike, Thronionin (Kaninën), Orikumin, Triportin dhe më pas Aulonën.
P.s. Në shkrim të vendoset edhe një vlerësim i shkurtër për N.Bajramin: “Novrus Bajrami, me veprimtari mbi 35-vjeçare si specialist në Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, me kujdes të vazhdueshëm e përkushtim ka dhënë një kontribut të veçantë në ruajtjen, zbulimin dhe hulumtimin e vlerave historike, arkitektonike, arkeologjike dhe etnografike. Bashkautor në ngritjen e Muzeut Historik të Vlorës dhe Muzeut të Pavarësisë; zbulues i sitit paleolitik të Zvërnecit”./voal

Çfarë fsheh Gjiri i Vlorës? Prapatoka në epokën e gurit të vjetër Read More »

Vlorë: Biblioteka e Eqrem Bej Vlorës, një ndër më të mëdhatë në Ballkan

Mes pasurive të Eqrem Bej Vlorës studjues dhe hulumtues i mjaft momenteve të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, ishte biblioteka e famshme, e cila u dëmtua pas vitit 1944. Kjo bibliotekë e vendosur në sarajet e familjes Vlora, e njohur ndryshe me emrin “Shtëpia e Beut”, në qendër të qytetit, ishte e krijuar nga pinjollët e familjes Vlora, ndër më të njohurat në Shqipëri.
Studiuesi vlonjat, Fahri Shaska, thotë se, biblioteka ishte ndër më të mëdhatë në Ballkan në dekadat e para të shekullit XX. “Prej saj u zhdukën vlera të jashtëzakonshme”, sqaron Shaska. Sipas tij, përveç një numri të jashtëzakonshëm titujsh, në këtë bibliotekë, përfshiheshin dokumente të rralla. Mes tyre, ai përmend një ditar të shënimeve të Hoxhës të fshatit Armen, Sali Efendiut, e vitit 1757; shënimet e Hafës Zenel Efendiut, nga Armeni, që përkojnë me vitin 1768; përmbledhje e kopjeve të letërkëmbimit të Ismail Pashë Velebishtit, me njerëzit më të shquar të Vlorës; letërkëmbimin e Çelo Picarit me Ismail Beun; shënimet historike “Mbi “oxhaqet” e Shqipërisë, e Azem Bej Janinës, e vitit 1889; dy libra të shtypura në shtypshkronjën e Voskopojës, në vitet 1720-1769, korrespondencë e pinjollëve të kësaj familjeje me shkrimtarin Dyma etj.

Në vitin 1914, në bibliotekën e Eqerem Bej Vlorës ndodhej një fond prej 14640 vëllime në gjuhët arabisht, turqisht, gjermanisht, italisht, greqisht, shqip. Në të kishte dorëshkrime të rralla arabe, libra fetarë si Kurani, Bibla etj.

-Biblioteka u shkatërrua në 1944-

Çlirimi i qytetit të Vlorës në 15 tetor të vitit 1944, shënoi edhe fillimin e procesit të dëmtimit pa kthim të bibliotekës së njohur të familjes Vlora. Pinjolli i saj, Eqerem Bej Vlora, u largua jashtë vendit, ndërkohë që banesa dykatëshe ku ndodhej biblioteka, në qendër të qytetit u bastis. Gjithçka u dëmtua dhe pakkush pyeste për ata libra të rrallë që griseshin e shkatërroheshin. Por, mes atyre që ndodheshin gjatë kontrolleve në mjediset e banesës së Vlorajve, që sot njihet me emrin Shtëpia e Beut, kishte edhe nga ata që mendonin se ata libra kishin një vlerë të madhe dhe mund të duheshin një ditë. Mes tyre ndodhej edhe një ushtarak i cili tërhoqi një numër të konsiderueshëm titujsh të vjetër. Ai i ruajti ata në banesën e tij, për vite me rradhë, ndërkohë që, pas vdekjes, ja la vëllait të vet. “Sot këta libra ndodhen në fshatin Vuno, në banesën e vëllait të ish-oficerit, që është në emigracion”, tregon Shaska, ndërkohë që për arsye etike nuk përmend emra. Ai thotë se, rastësisht ka rënë në gjurmë të këtyre librave të cilët janë botime të rralla të dy shekujve më parë.

Megjithatë, pavarësisht atyre që ndodhën, një fond prej rreth 2000 librash e dorëshkrimesh të fushës së albanologjisë, u shpëtuan dhe u përfshinë në fondin e bibliotekës publike “Shevqet Musaraj” të qytetit, ku ndodhen edhe sot. Ato u vendosën në këtë bibliotekë në 22 gusht të vitit 1946, që shënon themelimin zyrtar të këtij institucioni. Duke filluar nga viti 1974, gjatë 10 vjetëve, banesa e Eqerem Bej Vlorës, shërbeu edhe si bibliotekë duke krijuar kështu një lidhje simbolike mes dy periudhave të ndryshme, të pangjashme me njera-tjetrën./ATSH-Harilla Koçi

Vlorë: Biblioteka e Eqrem Bej Vlorës, një ndër më të mëdhatë në Ballkan Read More »