Art-Kulture

Bazilika e Linit, gati të presë turistët

Mozaikët në Bazilikën e Linit, në Pogradec janë të vizitueshëm gjatë sezonit turistik.

Sot u zbulua për vizitorët ambienti i Baptisterit, i cili shërben për pagëzimin e kandidatëve të bashkësisë kishtare.

Në qendër të tij ndodhet vaska e pagëzimit në formën e një luleje katërfletëshe dikur e veshur me pllaka mermeri. Në këtë ambient dominon motivi i pjergullës.

Për të gjithë të interesuarit, ambienti i cili do të jetë i vizitueshëm është pastofori, ambient polifunksional i cili shërbente për ruajtjen e teksteve ungjillore dhe sendeve të shenjta të përdorimit liturgjik.

Gjatë zbulimit të mozaikëve së bashku me specialistët e IMK-së, Gon Islami, dhe arkeologen Froseda Angjellari, ishte i pranishëm dhe profesori i Historisë së Artit dhe Muzeve në Universitetin e San Franciskos, Nathan Dennis./atsh

Bazilika e Linit, gati të presë turistët Read More »

Thesarët historikë të Vlorës, tre muzeume për të mos u humbur

Turistët që vizitojnë Vlorën kanë aq shumë në ofertën e qytetit bregdetar, sa nuk do t’u mjaftonte koha e pushimeve të tyre. Deti, natyra e mrekullueshme, vendet e veçuara e të paprekura që duhen soditur, por edhe historia dhe kultura e këtij qyteti me rëndësi të veçantë në historinë e vendit, përbëjnë një pasuri të madhe që duhet programuar për t’u  shijuar.

Kështu, pas një dite në plazhet e Vlorës, pasditja mund të jetë një moment i mirë për t’ia kushtuar muzeumeve.

Në qytetin e Vlorës ndodhen dhe funksionojnë 3 muzeume. Secili prej tyre përfaqëson vlera, problematikë dhe periudha të caktuara në historinë e rrethit.

Muzeu i Pavarësisë Kombëtare, Muzeu i Relikeve Historike (Muzeu Historik) dhe Muzeu Etnografik, janë të vendosur në tre godina në pozicione të ndryshme në qytet. Madje, secila prej këtyre godinave përfaqëson dhe mbart në vetvete vlera të caktuara historike e arkitektonike.

Viti pas viti, numri i turistëve, veçanërisht atyre nga Kosova ka njohur rritje në vizitat e regjistruara në këto muzeume, veçanërisht në atë të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, ku gjenden pjesë të rëndësishme të historisë së kombit.

Muzeu i Pavarësisë Kombëtare

Është krijuar në vitin 1936 dhe është muzeu i parë shqiptar. Prej krijimit e deri në ditët tona, është rritur, plotësuar e konsoliduar si një nga objektet më të rëndësishme muzeale jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë. Me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, u shpall Muze Kombëtar. Vetë godina dhe gjithçka ndodhet e ekspozuar në të, përfaqësojnë një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Në këtë godinë, janë hedhur themelet e shtetit shqiptar.

Për 6 muaj, aty u vendos dhe funksionoi Qeveria e Ismail Qemalit, që u krijua pas shpalljes së pavarësisë. Muzeu i Pavarësisë Kombëtare, konsiderohet si një objekt muzeal i pëlqyeshëm. Ai përbëhet nga 2 dhoma dhe 2 korridorë. Në të janë ekspozuar objekte origjinale të kohës që pasqyrojnë, dokumente të rëndësishme të periudhës së Rilindjes e të Pavarësisë, si dhe vepra të ndryshme arti kushtuar kësaj periudhe, pesha e së cilës i kalon caqet lokale.

Ai ndodhet në jug të qytetit të Vlorës, në afërsi të portit.

Muzeu i Relikeve Historike (Muzeu Historik)

Ndodhet në qendër të qytetit, në një godinë mjaft të veçantë, e cila më parë ka shërbyer për organet e qeverisjes vendore dhe organizatat e masave. Ky muze u krijua në vitin 1962.

Këtu janë ekspozuar dhe ruhen qindra objekte origjinale, të cilat përfaqësojnë dhe pasqyrojnë periudha të ndryshme historike, që fillojnë me antikitetin dhe vazhdojnë me ditët tona. Në këtë muze, vizitorët mund të shohin objekte arkeologjike që u përkasin qyteteve të ndryshme antike në rrethin e Vlorës si, Orikut, Amantias, Plocës, Olimpias (Mavrovë) e më tej, Kioninës (Kaninë). Në mjediset e këtij muzeu ndodhen gjithashtu, objekte origjinale që i përkasin periudhës së mesjetës. Mes tyre, përfshihen dokumente origjinale për qytetin e Vlorës, armë, sende luftëtarësh të njohur në histori. Në Muzeun Historik, ka një kënd të vecantë ku pasqyrohet kontributi i popullit të rrethit të Vlorës për shpalljen e pavarësisë. Në të ndodhen njëkohësisht edhe 2 pavione të veçanta, që evokojnë Luftën e Vlorës në 1920, si dhe Lëvizjen Demokratike të Qershorit 1924.

Në këtë muze, është vendosur edhe arkivoli origjinal ku prehej trupi i patriotit Avni Rustemi, në momentin që u varros e deri në çastin kur u zbulua për t’u rivarrosur në të njëjtin vend. Arkivoli me trupin e tij u gjet rastësisht në mesin e viteve ’80-të të shekullit të kaluar, gjatë punimeve për rikonstruksionin e bulevardit Vlorë-Skelë. Gjatë gërmimeve në vendin ku ndodhet sot statuja e Avni Rustemit, punëtorët zbuluan papritur një mjedis të nëndheshëm me të paktën dy kthina, në njerën prej të cilave ndodhej arkivoli me trupin e Avni Rustemit, i ruajtur në një gjendje mjaft të mirë. Më pas ai u rivarros pothuajse në të njëjtin vend, ndërkohë që arkivoli origjinal u vendos në mjediset e Muzeut Historik. Arkivoli, mjaft hermetik dhe i mbuluar nga flamuri kombëtar, është një objekt mjaft i rrallë. Ai është ndërtuar prej plumbi dhe një pjesë xhami.

Muzeu Etnografik

Është vendosur në një nga godinat më të vjetra të qytetit, që është ndërtuar në mesin e shekullit XIX. Kjo godinë është shpallur monument kulture. Muzeu është mjaft i pëlqyeshëm për vizitorët dhe në të pasqyrohen të veçantat e traditave të rrethit të Vlorës. Mes tyre, përfshihen traditat më të mira të kulturës materiale, të punuara nga banorë të rrethit të Vlorës, ku vecojnë ato të punimit të metaleve, drurit, veshjeve dhe qëndisjes, peshkimit. Në godinën ku është vendosur Muzeu Etnografik, në vitin 1908 u krijua klubi patriotik “Labëria” me president nderi Ismail Qemal Vlorën. Po ashtu, në vitin 1909 këtu u çel shkolla e parë në gjuhën shqipe për vashat e qytetit, e drejtuar nga patriotja Marigo Posio. /atsh

Thesarët historikë të Vlorës, tre muzeume për të mos u humbur Read More »

Gjirokastra, bukuria dhe pasuria shqiptare e UNESCO-s

Ta quash vetëm të bukur Gjirokastrën nuk është e drejtë, shkruan http://www.francescaonthetopoftheworld.it.

Ky qytet në jug të Shqipërisë, i vendosur në një pozicion skenografik, i rrethuar nga male dhe pak kilometra nga kufiri i Greqisë, është një arkitekturë vërtet e mrekullueshme e një qyteti nga më të bukurit e Ballkanit. Kam pasur kënaqësinë të vizitoj dy herë, në dimrin e  2010 dhe këtë verë. Që herën e parë ngela e hutuar nga bukuria e saj, por pas kësaj vizite ngela pa fjalë.

Pazari i vjetër ishte i rikonstruktuar si dhe muret e dritareve ishin zbardhur me ngjyra të ëmbla dhe ky është sezoni më i mirë për të ndenjur këtu.

Falë turit ”Limitless Albania”, që organizon ekskursione në të gjithë Shqipërinë, kam patur kënaqësinë të vizitoj disa nga pikat kryesore të Gjirokastrës. Udhëtimi me ”Limitless  Albania” është i përbërë nga dy etapa. Njëra 3-ditore, vizita në të gjitha rrugët e trashëgimisë së UNESCO-ve shqiptare, Gjirokastër, Berat , Butrint.  Ose një udhëtim më të gjatë, për një javë, që ka si itinerar Gjirokastrën dhe një varg vendpushimesh  të bukura dhe arkeologjike në afërsi të Zhulatit, Lunxherisë, me parkun arkeologjik të Antigonesë, Zagorisë dhe Libohovës.

Një legjendë e vjetër tregon historinë se nga e mori emrin qyteti. Princesha Argjiro, motra e guvernatorit Gjin Zenebishi gjatë pushtimit osman nga Turqia, në shekullin XV refuzoi të dorëzohej te turqit dhe kështu ajo u hodh nga pika më e lartë e kalasë me të birin e vogël disa muajsh. Fatmirësisht fëmija i mbijetoi rënies, ndërsa princesësh filloi t’i rridhte qumësht, ku edhe sot në gurët poshtë këmbëve të kalasë janë zbuluar gurë gëlqerorë.

Gjirokastra është shtëpia e dy shqiptarëve më të famshëm të të gjitha kohërave, diktatorit Enver Hoxha, shtëpia e të cilit është transformuar në një muze etnografik, dhe Ismail Kadaresë , shkrimtarit madhështor që ka shkruar shumë vepra arti, për qytetin e gurtë.

Bëhet fjalë për një  roman për Gjirokastrën gjatë Luftës së Dytë Botërore, që është e këshillueshme të lexohet  para se të shkohet këtu.

Çfarë të shihni?

Pazarin e vjetër

Ka stil otoman, dyqane të vogla, ku mund të blihen gjëra tipike, interesante, tapete, produkte gastronomike, tavolina, zbukurime dhe orendi për shtëpi, suvenire, të cilat përfshijnë bluza dhe çanta. Në afërsi të pazarit gjendet edhe një nga xhamitë e vetme në qytet e quajtur Xhamia e Pazarit , e mbijetuar në vitet e diktaturës komuniste kur regjimi e shpalli Shqipërinë si shtetin e  parë laik në botë,  i cili urdhëroi shkatërrimin e objekteve të kultit.

Shtëpinë e Skëndulajve

Nuk është larg nga zona më e famshme e Gjirokastrës, ajo e pazarit të vjetër. Një nga shtëpitë më tradicionale të Gjirokastrës. Shtëpia është një labirint me dhoma, banja, hamame, sallone, dritare, porta, të cilat i viziton nën shoqërinë e pasardhësit të familjes, zotit Skenduli, një njeri i këndshëm i cili flet disa gjuhë mes të cilave italishten. Në sajë të rrëfimeve është e mundur të hyhet në historinë e familjeve dhe të imagjinohet jeta e përditshme e pjesëtarëve të saj në Shqipëri të vitet ‘700 dhe ‘800.

Muzeun ”Ismail Kadare”

Kush vendos të vizitojë Gjirokastrën, nuk mund të mungojë të vizitojë shtëpinë e  transformuar në një muze të qytetarit më të shquar shqiptar, Ismail Kadare.  Është një shtëpi e stilit osman, e konvertuar në muze.

Të humbasësh në rrugicat e Gjirokastrës

Një nga gjërat më interesante për të bërë në Gjirokastër janë të humbësh në rrugët dytësore. Në vend të ecni përgjatë rrugës që të çon në kështjellë, më mirë është të shkoni djathtas për të shkuar në zbulimin e Gjirokastrës më autentike, me banesat tradicionale të saj, me pemë të gjelbërta dhe me pemë që zvarriten mureve. Ju do të bëni edhe ndonjë takim të këndshëm me ndonjë nga banorët e zonës.

Kështjella e Gjirokastrës

Nuk mund të shëtisni Gjirokastrën pa vizituar kështjellën e saj të mrekullueshme. Për  të arritur atje do të  nevojitet të kaloni një rrugë të gjatë që ka fillon nga pazari deri në hyrje. Kështjella në të kaluarën është shfrytëzuar si burg nga mbreti  Zog dhe më më vonë nga Enver Hoxha dhe  ka në brendësi të mureve Kullën e Orës, Muzeun e Armëve dhe një  avion amerikan.  Nuk ka asgjë më të mirë për të bërë që të kalosh pak kohë dhe të shohësh prej atje çatitë e  Gjirokastrës që janë fantastike.

Ku të hash

Kam provuar shumë restorante në Gjirokastër, por atmosfera më e mirë është  tek ‘’Oda’’ një restorant tradicional me stil shumë të thjeshtë në të cilin është vendosur një piano dhe  një foto e një  ndërtese historike të vjetër të pazarit .Menuja është e përbërë nga më shumë pasta lokale, ku përfshihen fileto me bazë karamele, patate dhe qoftet e shijshme e Gjirokastrës me oriz dhe vezë.  Çmimi mesatar për person shkon në shtatë euro.

Ku prenotohet 

Gjatë qëndrimit në qytet, pronotova në hotel ”Kalemi 2”, me tri yje, i vendosur në hyrje të pazarit të vjetër . Hoteli në stil otoman është vendi i përsosur për të qëndruar në Gjirokastër për shkak të pozicionit të tij ideal pranë qendrave kryesore të interesit të qytetit. Ju mund të shijoni mëngjesin në tarracë në katin e tretë të hotelit, nga e cila mund të shohësh pamje të mrekullueshme mbi kështjellën dhe qytetin. Më e rëndësishmja e ”Kalemit 2”, përveç bukurisë së strukturës dhe në panoramën e mrekullueshme të saj, ka qenë gjithmonë një personel i gatshëm për të pritur nevojat e klientëve, për t’i këshilluar dhe për t’i ndihmuar për çdo nevojë./ atsh

Gjirokastra, bukuria dhe pasuria shqiptare e UNESCO-s Read More »

Koncert Premierē by Aulon Naçi /Arti i Aulonit do të lerë gjurmë në Artin shqiptar .

Koncert by Aulon Naçi
Koncert Premierē

U bë disa kohë që qarkullon se do të bëhet një koncert ndryshe me krijime të komppzitorit Aulon Naçi ! Nëpër disa koncerte të realizuar nga Bashkia Vlorë apo Konsullata Italiane ne kemi dëgjuar Milongën që ështē duartrokitur shumê por tek-tuk edhe gjëra esenciale.
Sot në mbrëmje Auloni vjen me njē koncert të fuqishëm që do të realizohet në një vend të shenjtë, tek Kisha e Nartës ku ai do të luajë vetëm nji pjesë e pastaj instrumentistë shqiptarë e të huaj në nji orkestër prej rreth 25 artistësh do të luajnë 10 pjesë të krijuara nga Auloni por te interpretuara për herë të parë në skenē .!
Them i fuqishëm pasi i kam dëgjuar pjesët nji nga nji dhe e them me sinqeritet se ardhja e Aulon Naçit në Shqipëri, pas njē arsimimi dhe Edukimi jashtë atdheut sjell një ndryshim niveli artistik e kreativ jo vetëm në qytetin e Vlorës, por edhe në Shqipëri .
Ndoshta ju mendon se shtoj, zmadhoj diçka siç mund të komplimentojmë çdo artist tê ri. Gaboni !
Auloni ashtu siç realizoi në Vlorë koncerte të krijuesve shqiptarë e të huaj , sot po prezanton një nivel shumë të lartë të krijimtarisë së tij moderne, bashkëkohore dhe me risi në muzikën shqiptare e cila ka kohë që fle. Të gjitha kompozimet Luledielli, Deti im, Prekja e huaj, Zëri i heshtjes së humbur, Poseidon, Pergjerim nënës sime, Prekja e huaj, Lotët e shiut, Stuhi në det etj paraqesin njē arritje të një niveli të lartë të Aulonit në vetvete, të artit shqiptar në tërësi, por edhe tregon se pērgatitja e studentëve shqiptarë në shkollat e huaja e shkeput nivelin e shkollës profedionale , Universitetit apo formimit të artistëve në vend. Një e vërtetë e hidhur!
Kur hyn në muzikën e Aulonit ndien se shpirti kalon në disa stade të panjohura, forca dhe aftësia shprehëse nëpërmjet tingujve që krijojnë një harmoni të bukur njerëzore dhe hyjnore mund të them të mbajnë peng .
Do të doja të shkruaja pa fund për muzikën e tij pasi aty ndiej forcën, gëzimin, dhimbjen por edhe shpresën në njē forëm që duket sikur shpirti ndihet rob i asaj që dëgjon dhe krenohet që dikush mund të shprehë ato që ai nuk arrin ti thotë, që i vuan në heshtje!
Arti i Aulonit do të lerë gjurmë në Artin shqiptar .
Ju do ta shikoni miq që nuk zmadhoj asgjë …
Do ta ndieni , aty … Në një vend të shenjtë, Në Kishën e Nartës ku as Janullato nuk u kursye para këtij djali të talentuar !
Mos u kurseni as ju të pranoni me shpirt të hapur se diçka duhet të ndryshojê pêr mire !

Anila Toto

Janë çastet e fundit të provave të disa njerëve shumë të talentuar artiste shqiptarë dhe të huaj të cilët sot do të interpretojnë.

https://youtu.be/eH1-93pYpdk

Fotografia e Anila Toto

Fotografia e Anila TotoFotografia e Anila Toto

Koncert Premierē by Aulon Naçi /Arti i Aulonit do të lerë gjurmë në Artin shqiptar . Read More »

Ministria e Kulturës, gati 64 projekte për restaurimin e objekteve kulturore

Ministria e Kulturës ka gati 64 projekte të gatshme për t’u zbatuar, të cilat kanë të bëjnë me restaurimin e objekteve kulturore.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro gjatë takimit të saj ditën e sotme në qytetin e Lezhës për programin “100 fshatrat” theksoi se pikturat murale të katër kishave në Voskopojë do të restaurohen.

“Ministria e Kulturës ka mbi 64 projekte të gatshme për t’u zbatuar, të cilat mund të jenë që nga rindërtimi i një ure, rikualifikimi i një sheshi, rindërtimi i një shtëpie, restaurimi i një kishe apo xhamie, si një tjetër veçori e jashtëzakonshme e turizmit kulturor shqiptar, siç është bashkekzistenca e institucioneve fetare.

Tashmë ka edhe disa kërkesa për mbështetje, madje një bankë, ABI bank, i ka tërhequr projektet e veta për restaurimin e katër kishave në Voskopojë të pikturave murale, kështu modelet i kemi, projektet i kemi dhe na mbetet vetëm që të takohemi më shpesh”, – theksoi Kumbaro.

Duke u ndalur te qyteti i Gjirokastrës, Kumbaro bëri me dije se ky qytet, edhe pse kishte 13 vite që ishte shpallur qytet i UNESCO-s, kishte shumë pak hotele për të akomoduar turistët, ndërsa sot realiteti është ndryshe, hotelet janë shtuar, por përsëri kërkesat janë të larta.

“Po të marr Gjirokastrën dhe nuk mund të merrja shembull tjetër veç Gjirokastrës sigurisht, për 1 milion arsye, që nga ato personale, deri tek ato politike, por sidomos kulturore, sepse është një ndër ato që ne i quajmë klishe, ama vetë Gjirokastra ka 13 vite që është qytet i UNESCO-s, por në qytetin e Gjirokastrës deri në 2013-ën kishte vetëm 2 hotele e gjysmë, tre nuk bëheshin. Ndërsa sot, në qoftë se do të futemi te “booking.com” kemi mbi 67 oferta dhe është e vështirë që të gjesh sidomos në fundjavë hotele të disponueshme. Bëhet fjalë për një qytet të vogël, cilido në fakt nëse e viziton e mbaron atë listën e vendeve për të vizituar në harkun kohor të 48 orëve, por nëse del vetëm 10 minuta nga Gjirokastra dhe fillon të lëvizësh në fshatrat që ka qarku, pa frikë aty ka një ofertë turistike, kulinare, natyrore, turistike dhe bujqësore që të mban minimalisht 10 ditë.

Sipas ministres Kumbaro, zgjedhja e “100 fshtrave” nga pikëpamja kulturore është një lloj ekuilibri mes disa pikave ose fshatrave që e kanë të garantuar suksesin që sot dhe janë sot model.

“Dhe në fakt ky ishte synimi, që të gjitha këto pika që zgjerojnë hartën, turistike, kulturore të zhvillohet përmes “100 fshatrave”.

Po marr Labovën në të cilin kemi ndërtuar rrugët për të aksesuar atje para një viti, në të cilën kemi një nga kishat më të jashtëzakonshme Bizantine, me një histori të mbushur me piktura dhe me një traditë rreth e rrotull, është restauruar tashmë.

Aty ka filluar tendenca për agroturizëm por ajo që mungon është dija se si standardizohet agroturizmi që na mbetet për ta bërë në këtë fshat. Nëse unë do të thosha se çfarë mund të ofroni ju për këtë fshat është pikërisht ngritja e standardeve që janë pjesë e Ministrisë së Turizmit. Ndërsa kemi një fshat tjetër i cili ndoshta nuk ka këtë njohje, por mbetet për t’u ndërtuar, pra ekuilibri mes një fshati që e ka suksesin brenda dhe një tjetri që duhet të fillojë nga zero janë gjithashtu krijime të modeleve të ndryshme brenda “100 fshatrave”, – theksoi Kumbaro.

Kërkesat e larta të turistëve të huaj për vendin tonë, ministrja Kumbaro zgjodhi ta sillte me anë të një shembulli konkret.

“Ja ku jemi në Fishtë, këtë të hënën një grup miqsh të mi francezë, jo thjesht turistë, gazetarë dhe politikanë, janë me pushime në Shqipëri dhe më kërkuan t’i ndihmoja se ku mund të hanim drekë javën e kaluar dhe meqënëse ishim në Shkodër unë mendova për “Mrizin e Zanave”, por nuk kishte vend dhe nuk i pranoi për shkak se nuk kishte vend.

Është lajm i mirë në fakt ky, është një model suksesi i cili nuk u bë i tillë nga “100 fshatrat”, por sepse ishte i tillë prandaj e përfshimë te “100 fshatrat”, – përfundoi Kumbaro. /atsh

Ministria e Kulturës, gati 64 projekte për restaurimin e objekteve kulturore Read More »

Edhe aktorët e rinj u bashkohen kolosëve të skenës shqiptare në peticion: “Duam Teatrin e Ri”

Krahas emrave me peshë të skenës shqiptare, si: Robert Ndrenika, Reshat Arbana, Luftar Paja apo Todi Llupi, peticionin drejtuar krerëve më të lartë të shtetit në mbështetje të ndërtimit të një teatri të ri, e kanë firmosur edhe dhjetëra përfaqësues të brezit të ri të aktorëve dhe regjisorëve.
Në listën e firmëtarëve të peticionit janë emra të njohur Gazmend Paja, Erion Isai, Ledio Lako, Genti Deçka, Jorke Broka, Olsi Bylyku, Albana Perhati e shumë emra të tjerë, të mirënjohur për talentin dhe të qeshurat që i dhurojnë shqiptarëve.
Këtë të enjte, një grup artistësh, kryesuar nga të mëdhenjtë e skenës shqiptare si Robert Ndrenika, Reshat Arbana, Luftar Paja etj, iu drejtuan me një peticion Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe krerëve më të lartë të shtetit në vend, me anën e të cilit shprehin vullnetin e tyre pro ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar, bashkëkohor dhe modern.
Lista e aktorëve të rinj që kanë firmosur peticionin:
Genti Deçka
Paola Kodra
Blerta Belliu
Erion Isai
Gazmend Paja
Jorke Broka
Erblin Bajko
Olsi Bylyku
Ledio Lako
Irgen Çela
Klesta Shero
Miola Sitaj
Albana Perhati
Engjell Hoxha
Armela Demaj
Besart Cani
Danier Shkurti/atsh

Edhe aktorët e rinj u bashkohen kolosëve të skenës shqiptare në peticion: “Duam Teatrin e Ri” Read More »

Gjiganti mediatik “Sky”, jehonë projektit për Teatrin e ri

Nëpërmjet një shkrimi të publikuar nga kanali “Sky Arte”, i cili i kushtohet kryesisht artit dhe kulturës, i bëhet një pasqyrim zhvillimeve në Tiranë, ku po synohet që të ndërtohet një teatër modern.

Gjiganti mediatik “Sky” i ka bërë jehonë faktit që Tirana i ka besuar projektimin e Teatri të ri Kombëtar një prej arkitektëve më me emër dhe reputacion në botë, Bjarke Ingels.

Artikulli thekson se disa muaj pas përfundimit të “LEGO House” në Billund, Grupi BIG-Bjarke Ingels është gati të matë veten në kryeqytetin shqiptar, për të krijuar në qendrën e tij Teatrin e ri Kombëtar të Shqipërisë.

“Klima e ‘gjallërisë arkitekturore’ e pranishme tashmë prej disa vitesh në kryeqytetin shqiptar, duket se po vazhdon, këtë herë me një ndërhyrje në aspektin funksional”,  thuhet në përshkrimin “Sky Arte”, i cili shton më tej se: “Teatri i ardhshëm Kombëtar i Shqipërisë do të jetë në gjendje të presë një gamë të gjerë të shfaqjeve të drejtpërdrejta, me hapësira të dedikuara për shfaqje brenda dhe jashtë”.

Më tej “Sky Arte” është ndalur në çështje teknike të projektit të Bjarke Ingels, duke raportuar se me rreth 9 mijë metra katrorë në dispozicion, kompleksi mund të krenohet edhe me një teatër të hapur në çati dhe një hapësirë publike të mbuluar, të vendosur poshtë ndërtesës. Për të gjeneruar ndërtesën, vëllimi i saj pëson një shtypje në qendër, për t’u ngritur pjesërisht nga toka. Në këtë mënyrë, krijohet një hendek mes dy pjesëve të sheshit publik, për të formuar një lidhje. Hapësira të mëdha me xhamë do të shtrohen në të dyja fasadat kryesore, duke zvogëluar distancat midis teatrit, i cili do të jetë gjithashtu një vend i prodhimit kulturor, i pajisur me shërbime restorantesh, dhe pjesës tjetër të qytetit./atsh

Gjiganti mediatik “Sky”, jehonë projektit për Teatrin e ri Read More »

Vittorio Sgarbi për Ramën: Ndër politikanët e pakët që transformoi Shqipërinë me shpirt artisti/Foto

Kryeministri Edi Rama mori pjesë si i ftuar nderi në eventin kulturor më të madh italian “Çmimi i kulturës Pio Alferano”, i cili u zhvillua gjatë kësaj fundjave në Salento.

Çmimi i kulturës “Pio Alferano” është një nga më të rëndësishmit që ndahet gjatë verës në Itali dhe në mesin e fituesve për këtë vit është edhe Kryeministri Edi Rama me ekspozitën e tij të titulluar, “Karakter i fortë, shpirt i butë.”

Kritiku dhe personaliteti i shquar i artit Italian Vittorio Sgarbi i cili ishte dhe kurator i ekspozitës së Kryeministrit Rama, përmes një statusi në “Facebook”, ka vlerësuar Ramën për ekspresionin e tij si artist i cili nuk e ndan artin nga aktiviteti i tij politik.

Ai thekson se Shqipëria sot është padyshim një vend më i mirë, falë lidershipit të kryeministrit dhe artistit Edi Rama.

“Në Cilento, në Castellabate, mbrëmë, kemi inauguruar tri ekspozita në kuadër të Çmimit “Pio Alferano”. Një nga këto i është kushtuar Edi Ramës, i cili përveç që është një artist i mirë, që nga viti 2013 është gjithashtu Kryeministri i Shqipërisë. E shikoj me admirim, sepse është ndër politikanët e paktë që kreativitetin dhe shpirtin artistik e ndërlidh me menaxhimin e përditshëm të pushtetit dhe në përgjithësi ndaj veprimeve të qeverisë. Nëse sot Shqipëria është një vend më i mirë, kjo është padyshim për shkak të tij”, – deklaroi Sgarbi.

Çmimi “Pio Alferano” organizohet nga Fondacioni me të njëjtin emër në kujtim të gjeneral të Policisë italiane Pio Alferano.

Gjatë viteve ’70 gjeneral Pio Alferano ka luajtur një rol të rëndësishëm në drejtimin e repartit të policisë për mbrojtjen e pasurisë kulturore./atsh

Vittorio Sgarbi për Ramën: Ndër politikanët e pakët që transformoi Shqipërinë me shpirt artisti/Foto Read More »