Kulinari

Sallata tri ngjyreshe me e shendetshmja e stines

Lakër e bardhë, lakër e kuqe dhe karrota, një kombinim perfekt në një sallatë fantastike, super të shijshme e mbi të gjitha të pasur me vlera shëndetësore.

Kjo është ndër ndër sallatat tipike shqiptare, e përgatitur prej dekadash nga nënat e gjyshet shqiptare.

E lehtë, plot shije dhe fantastike për të shoqëruar gatime të ndryshme tradicionale ose jo në vaktet e drekës. Por sigurisht, sallata tri ngjyrëshe e njohur si tri kolor është e shkëlqyer edhe për t’u konsumuar për një vakt të lehtë darke.

Plotësimi i tre përbërësve kryesorë të kësaj sallate me vaj ulliri, lëng limoni, piper e majdanoz e shndërron atë në një pjatë të preferuar për shijen.

Kjo sallatë është fantastike në shoqërimin e gjellëve të ndryshme, mishrave por edhe të tjera gatimeve të kuzhinës shqiptare.

Jo vetëm shija por mbi të gjitha vlerat ushqyese të saj janë fantastike për organizmin.

Të dyja lakrat, si e kuqja dhe e bardha janë të mira për shëndetin. Ato janë të pasura me antioksidantë, vitamin C, A dhe K. Gjithashtu ato janë të pasura  me hekur duke i ofruar organizmit më të mirat vlera të natyrës.

Nga ana tjetër, vlerat shëndetësore dhe ushqimore të karrotës janë fantastike duke nisur që nga ulja e kolesterolit deri tek parandalimi i humbjes së kujtesës.

Më poshtë keni recetën tipike të sallatës tri kolor, e cila mund të përgatitet shpejt dhe lehtë në pak minuta në shtëpi.

Përgatitja Krejt Lehtë

Përbërësit

(Sasia e përbërësve përzgjidhet sipas preferencës)

Çerek lakër e bardhë mesatare

Çerek lakër e kuqe mesatare

3 karrota mesatare

Kripë

Piper

Vaj ulliri

Lëng Limoni

Majdanoz

Uthull (sipas dëshirës)

Përgatitja  

I pastrojmë mirë lakrat dhe karrotat dhe më pas i grijmë hollë përmes një thike të mprehtë.

I hedhim në një tas të madh prej qelqi.

U hedhim kripë dhe piper dhe i shtypim pak me duar në mënyrë që fortësia e tyre të zbutet.

Më pas, i marinojmë me vaj ulliri dhe lëng limoni.

Sipas preferencës mund të shtoni edhe pak uthull.

Në fund sallatës i shtohet pak majdanoz i grirë hollë.

Sallata tri ngjyreshe me e shendetshmja e stines Read More »

Perimet me te shendetshme qe duhet te hani

Perimet janë një ndër ushqimet më të shëndetshme që njeriu mund të konsumojë gjatë gjithë jetës së tij.

Por, si me do ushqim tjetër, edhe perimet janë në konkurencë me njëra tjetrën.

Ka disa që janë shumë të mira, e të tjera mjaftueshëm të mira për shëndetin.

Nëse i keni vënë synim vetes që të ushqeheni shumë shëndetshëm këtë vit atëherë do të zbuloni se lista e pesë perimeve më të shëndetshme është shumë e vyer për ju.

Një nga përfitimet kryesore që merrni duke ngrënë perime të freskëta është se qëndroni të ngopur për shumë kohë.

Nëse hani perimet e mëposhtme, jo vetëm që do të ndiheni të ngopur, por edhe nuk do të keni fryrje.

Barishtet

Ato janë të pasura me vitaminat A dhe C të cilat pakësojnë hormonin e stresit që është një ndër përgjegjësit e masës dhjamore në pjesën e belit dhe akumulimin e ujit në trup.

Spinaqi dhe lakrat e egra si lëpjeta apo laboti janë disa prej barishteve me pak kalori dhe shumë fibër.

Kungujt e vegjël

Nëse jeni në kërkim për një dozë të mirë ushqyesish atëherë zgjidhni kungujt e vegjël.

Ato përmbajnë pak kalori dhe ju ngopin menjëherë.

Përveç përdorimit në gatim, zijini kungujt dhe pijeni ujin në mëngjes.

Ky lëng pastron trupin dhe ju mban të hidratuar.

Kastraveci

Kastraveci është një perime e pasur me ushqyes dhe ndihmon kundër fryrjes dhe akumulimit të lëngjeve.

Kastraveci ju mban të ngopur më gjatë.

Ju mund ta përfshini atë në lëngje të ndryshme me mollë, mente për të marrë sa më shumë vitamina dhe freski.

Brokoli

Brokoli dhe perimet e të njëjtës familje si lulelakra apo lakrat e brukselit, luftojnë inflamacionin dhe balancojnë sheqerin në gjak.

Brokoli është një burim i shkëlqyer fibre dhe kalciumi.

Lulelakra nga ana tjetër përmban shumë vitaminë C ndërsa lakrat e vogla janë një burim i shkëlqyer folate dhe vitaminash A dhe C.

Të gjitha këto e ndihmojnë metabolizmin të bëjë një punë të shkëlqyer.

Preshi

Preshi përmban shumë fibër dhe ul kolesterolin.

Ai është i pasur në kalium dhe vitamin C.

Në këtë mënyrë, preshi mbështet sistemin kardiovaskular duke mbrojtur shtresat e brendshme të enëve të gjakut nëpërmjet antioksidantit të quajtur kamferol.

Perimet me te shendetshme qe duhet te hani Read More »

Produktet e pasura me fosfor kunder lodhjes kronike

Fosfori është një ushqyes thelbësor për funksionin e duhur të qelizave, përthithtjen e kalciumit, për kocka dhe dhëmbë më të fortë si edhe për formimin e një molekule të quajtur ATP e cila i jep energji qelizave tona.

Pamjaftueshmëria e fosforit arrin të ulë oreksin, shkaktojë anemi, dhimbje muskujsh, formim të çrregullt të kockave, mpirje dhe një sistem të dobët imunitar. Fosfori gjendet në shumë ushqime.

Nga ana tjetër, konsumi i tepërt i fosforit e shtyn trupin të dërgojë më shumë kalcium në kocka dhe në gjak në përpjekje për të rikthyer ekuilibrat.

Kjo i dobëson kockat dhe shkakton kalcifikim të organeve të brendshme, duke rritur rreziqet e shfaqjes së sëmundjeve të zemrës dhe sëmundjeve të tjera vaskulare. Pra gjithçka duhet me masë.

Studimet shkencore tregojnë se fosfori përthithet më lehtë nga produktet shtazore ndërkohë që nga ato bimore mund të merrni pothuajse gjysmën e sasisë së fosforit.

Sasia e fosforit që përthithet nga organizmi është i ndryshëm në varësi të njeriut.

Megjithatë ushqyesit nga produktet bimore janë të një niveli më optimal për shëndetin. Më poshtë do të gjeni një listë të burimeve të fosforit, duke pasur në konsideratë që doza e rekomanduar ditore e fosforit është 1000 mg.

1. Farat e kungullit dhe kungulleshkave
2. Djathi
3. Peshku (kryesisht Salmon)
4. Arrat
5. Mishi i viçit dhe lopës
6. Nënproduktet pa yndyrë të qumështit (kosi pa yndyrë)
7. Ushqimet me bazë soje
8. Thjerrëzat dhe fasulet

Fosforin mund ta gjeni edhe në ushqime të tjera siç janë qumështi, bizelet, vezët, drithi dhe disa lloje të bukës.

Doza e nevojshme

• Të rriturit kanë nevojë mesatarisht për 700 miligramë fosfor në ditë

Kini kujdes

• Të rriturit deri në moshën 70 vjeç nuk duhet të konsumojnë më shumë se 4,000 miligramë në ditë.
• Femrat shtatzënë nuk duhet të konsumojnë më shumë se 3,500 miligramë në ditë
• Të rriturit mbi moshën 70 vjeç nuk duhet të konsumojnë më shumë se 3,000 miligranë në ditë.

Nevojat për fosfor janë në varësi të funksionit të veshkave.

Të rriturit që vuajnë nga sëmundjet e veshkave nuk duhet të konsumojnë më shumë se 800-1000 miligramë fosfor në ditë. Shumë njerëz që janë të shëndetshëm konsumojnë dyfishin e kësaj sasie.

Nëse jeni në fazat e para të diagnostikimit të sëmundjeve të veshkave, ose i nënshtroheni dializës, duhet të konsultoheni me mjekun mbi limitin e dozës së fosforit.

Roli i fosforit: Ndihmon qelizat të funksionojnë siç duhet dhe ndihmon në prodhimin e energjisë dhe rritjen e kockave.

Produktet e pasura me fosfor kunder lodhjes kronike Read More »

Omleta receta e hershme jo vetem e Kuzhines Shqiptare

Omleta është një ndër recetat më të hershme jo vetëm të kuzhinës shqiptare por gjithë kuzhinës botërore.

Një ushqim i shijshëm por mbi të gjitha i pasur me vlera ushqyese, me përbërës kryesor vezët, omleta vijon të mbetet simboli i një mëngjesi të shëndetshëm.

Omleta përgatitet shumë lehtë dhe kërkon pak kohë ndërkohë që është e pasur me vlera të shëndetshme.

Ajo përgatitet e kombinuar në mënyra të ndryshme, me djathë të bardhë a kaçkavall e erëza, proshuta të ndryshme e salsice etj.

Por mund të kombinoni edhe të gjitha perimet që u gjenden në shtëpi, domate, patate, karrota, kunguj, lulelakër, brokoli etj.

Sa më shumë përbërës të hidhni, aq më shumë e shijshme dhe e shëndetshme do të bëhet omleta.

Ja dy receta të shëndetshme të përgatitjes së omletës krejt lehtë në shtëpi për të nisur ditën mbarë bashkë me familjen, omletën me djathë të bardhë dhe erëza si dhe omletën me perime.

Omleta me Djathë dhe Erëza

(Përbërësit e kësaj recete janë për katër persona)

4 kokrra vezë

Djathë i bardhë, i thërrmuar

4 lugë gjelle qumësht

3 lugë gjelle vaj ulliri

kripë

piper

rigon

Përgatitja 

Rrihen vezët, i shtohet djathë i thërrmuar, kripa, qumështi, piperi dhe rigoni.

Vendosim tiganin në zjarr dhe shtojmë vajin e ullirit.

E lëmë të nxehet pak dhe hedhim masën e vezëve të rrahura.

Skuqet nga të dyja anët dhe mblidhet në formën e rolesë.

Omleta me Perime

Përbërësit

(Përbërësit e kësaj recete janë për katër persona dhe përveç vezëve që janë baza e omletës perimet e tjera mund të shtohen sipas dëshirës dhe atyre që keni në kuzhinë)

4 vezë

Vaj ulliri

Një lugë çaji gjelle miell

Pak qumësht

1 kokërr domate

Një qepë e njomë (vetëm pjesa e bardhë)

Gjysmë kungull i njomë

100g djathë i bardhë ose kaçkavall i grirë

Një spec i vogël

Kripë dhe piper

Përgatitja

Si fillim pastroni perimet dhe prijini në kubikë shumë të vegjël.

Grijeni qepën shumë hollë. Në një tigan që nuk ngjit hidhni vajin e ullirit dhe hidhni qepët kavërdisni pak dhe më pas shtoni domatet dhe perimet e tjera të prera në kubikë.

Hidhni piperin dhe kripën dhe kavërdisini herë pas here derisa volumi i perimeve të bjerë.

Nga ana tjetër, në një tas rrihni vezët, shtoni miellin dhe qumështin dhe rrihni derisa të bëhet masa e njëtrajtshme.

Hidheni masën e vezëve në tigan dhe trazojeni në sekondat e para. Në momentin që  pjesa e fundit nis të skuqet shtoni djathin, fikni zjarrin dhe vendosini kapak.

Pas dhjetë minutash mundohuni ta ktheni omletën për ta pjekur edhe nga ana tjetër ose paloseni dhe lëreni të piqet edhe pak minuta.

Në fund vendoseni në një pjatancë dhe servireni me kastraveca ose domate të freskëta por edhe më pak sallatë jeshile apo sallatë spinaqi.

Omleta receta e hershme jo vetem e Kuzhines Shqiptare Read More »

Si te rrisni perimen e superfuqishme

Nëse po kërkoni ide për perime interesante dhe të shëndetshme për të mbjellë në shtëpinë tuaj atëherë lexoni me poshte.

Panxhari është një perime shumë e shëndetshme për organizmin.

Ajo mbillet shumë lehtë dhe ka një prodhimtari të mirë.

Panxhari preferon freskinë e pranverës dhe vjeshtës dhe është një ushqim i mirëpritur në tryezë.

Çfarë ju nevojitet për të mbjellë panxharin në shtëpi

Vazo

Panxharit i janë thurur lavde si një perime që arrin të rritet pa u shqetësuar në çdo klimë apo terren.

Zgjidhni enë të thella që garantojnë lirshmërinë e rrënjëve

Dheu

Panxhari kërkon terren të pastër nga guralecët, të shkrifët, organik dhe me ushqyes.

Fertilizimi

Plehu organik është i domosdoshëm për mbarëvajtjen e rritjes së panxhari në shtëpi.

Drita e diellit

Zgjidhni një vend të ndriçuar mirë.

Panxhari ka nevojë për të paktën 8 orë dritë nga dielli.

Mbjellja e Panxharit dhe Përkujdesja

Panxhari është një perime të cilës nuk i pëlqen të lëvizë shumë, ndaj zgjidhni vazo të mëdha.

Në fund të vazos vendosni një shtresë gurore ose rënore për të garantuar një kullim të mirë.

Më pas hidhni dheun dhe mbulojeni shtresën gurore mirë sepse në të kundërt do të lëndojë zhardhokët.

Farat e përzgjedhura kërkojnë shumë kohë të çelin filiza, ndaj përpara mbjelljes futini ato në ujë për të zbutur shtresën e trashë të farave.

Farat duhen mbjellë në një distancë 5 centimetra nga njëra tjetra.

Farat e panxharit mund t’i gjeni në farmacitë bujqësore.

Më pas, farat duhen mbuluar mirë me dhe, si dhe ujitur mjaftueshëm.

Filizat duhet të çelin të paktën pas disa javësh.

Ato duhen krasitur lehtë dhe me kujdes për tu dhënë drejtimin e dëshiruar.

Më pas, duhet të përqendroheni tek ujitja.

Dheu duhet të jetë i njomë por jo i tejmbushur me ujë.

Nëse i mbani vazot në kopësht, atëherë duhet t’i ujisni çdo ditë.

Pas një muaji, panxhari kërkon të fertilizohet që të garantojë një prodhimtari cilësore.

Pas 50-60 ditësh, panxhari është gati për t’u nxjerrë nga vazoja.

Zhardhoku nuk duhet të jetë shumë i madh përndryshe humbet ëmbëlsinë.

Gjethet nga ana tjetër mund të mblidhen dhe të konsumohen kur të kenë arritur një gjatësi prej 10 centimetrash.

Gjethet mund të konsumohen në sallata të ndryshme ose të gatuhen bashkë me panxharët.

Panxhari është një perime shumë e shëndetshme dhe e  thjeshtë për t’u rritur në shtëpi dhe nuk të zhgënjen kurrë.

Si te rrisni perimen e superfuqishme Read More »

Salc kosi shtepie:Ja si ta pergatisni lezetin e tryezes Shqiptare

Salca e kosit është një ushqim që nuk mungon në tryezat shqiptare.

Receta e kësaj salce është shumë e thjeshtë.

Ajo është përvetësuar nga shumë vende të Ballkanit dhe konsumohet gjërësisht.

Përbërësit kryesorë të salcës janë kosi dhe hudhra.

Receta është aq e thjeshtë sa mund të ndryshohet ose plotësohet me elementë të tjerë siç mund të jetë kopra, limoni, kastraveci, arra e të tjerë.

Salca kremoze bëhet duke kulluar kosin.

Kjo recetë është mirë të përgatitet me kos të bërë në shtëpi dhe jo variante të tij që shiten në dyqan.

Kosi pa yndyrë ose me pak yndyrë nuk prodhon të njëjtën salcë kosi si varianti i shtëpisë.

Sa i përket hudhrës, shumë amvisa shqiptare zgjedhin ta shtypin atë me kripë që të çlirojë aromën e fortë e të ndezur.

Disa të tjera preferojnë ta kalojnë në rende, që hudhra të mos jetë aroma dominante.

Ndërsa për barishtet, zgjedhja qëndron gjithmonë mes koprës dhe majdanozit.

Salca e kosit mund të serviret si antipastë dhe është shoqëruese e shkëlqyer e mishrave, patateve apo sallatave.

Më poshtë do të gjeni një recetë të thjeshtë për përgatitjen e salcës së kosit në kushtet e shtëpisë.

Përbërësit :

2 kg kos

1 filxhan vaj ulliri ekstra të virgjër

1 lugë të vogël me kripë

2-3 thelpinj hudhër (nëse dëshironi mund të shtoni më shumë në varësi të aromës së preferuar)

1 tufë majdanoz të copëtuar hollë

Një gotë me arra të grira (nëse dueshironi)

Përgatitja

Marrim kosin dhe e transferojmë në një napë të pastër të cilës i japim formën e një traste të thjeshtë.

Trasta varet në një vend të caktuar në kuzhinë dhe lihet të kullojë për 12 orë. Vendosni një enë poshtë nëse nuk keni një vend ku të rrjedhë lëngu.

Pasi kosi ka kulluar plotësisht, hapeni trastën e napës dhe hidheni masën e përqendruar të kosit në një enë qelqi.

Shtojmë kripën dhe e përziejmë mirë.

Më pas hedhim një filxhan kafeje me vaj ulliri dhe e përziejmë mirë.

Në një enë të vogël shtypim thelpinjtë e hudhrës me pak kripë që të çlirojnë aromën e tyre karakteristike.

Mos harroni që hudhra duhet përdorur gjysëm ore pas prerjes, pasi ka lëshuar alicinën e cila përçon shumë prej vlerave më të mira të hudhrës.

Nëse dëshironi mund të shtoni majdanozin e grirë hollë dhe arra të copëtuara.

Në përfundim salca rrihet dhe përzihet mirë me një lugë druri.

Vendoseni enën në frigorifer dhe mbylleni mirë me kapak.

Salca është mirë tue konsumohet pas 2 orësh nga përgatitja.

Kjo kohë është e nevojshme për përzierjen e plotë të aromave të të gjithë përbërësve.

Salca mund të qëndrojë në frigorifer për të paktën 5 ditë.

Salc kosi shtepie:Ja si ta pergatisni lezetin e tryezes Shqiptare Read More »