Kulinari

Receta unike Dimerore:Ftonjte turshi

Ftonjtë konsiderohen si një frut mjaft festiv sidomos në stinën e ftohtë të dimrit.

Ata kanë një paraqitje të ngjashme me dardhën ose mollën e megjithatë mund të quhen kokëfortë, sepse është janë të vështirë për t’u ngrënë në formën e tyre të pjekur.

Si i pjekur, si i papjekur ftoi është shumë i fortë dhe i vështirë.

Ai duhet gatuar për të çliruar potencialin e tij të plotë. Pjekuria e ftoit dallohet nëpërmjet nuhatjes.

Nëse pjesa e bishtit të ftoit mban aromë lulesh të freskëta, atëherë ftoi është i pjekur.

Në traditën shqiptare, ftoi përdoret për përgatitjen e reçelit, prevedesë, shurupit apo glikosë.

Por AgroWeb.org sugjeron përdorimin e një recete unike që do të nxjerrë në pah të gjitha avantazhet e frutit.

Njihuni me ftoin turshi

Frutat e fermentuara janë të adhurueshme dhe janë një oaz i së ëmblës dhe të athtës.

Ftoi është një frut shumëpërdorimësh që gatuhet lehtë dhe bujar në vlera.

Në këtë recetë, fetat e ftoit zhyten në uthull molle, sheqer, kripë, dëllinjë, piper të zi dhe gjethe të njomë dafine.

Rezultati është një turshi e athët me nuanca të së ëmblës dhe pikantes.

Ftonjtë turshi të plotësuar me disa erëza të ngrohta, kombinohen mjaft mirë me mishin dhe djathin apo edhe sallatat dimërore.

Përbërësit

1kg ftonj

600ml uthull molle

50 g sheqer

50 gr kripë

6 kokrra dëllinje

12 kokrra piper të zi

4 shirita të lëkurës së limonit

Përgatitja

Vendosini të gjithë përbërësit përveç ftonjve në një tenxhere të madhe dhe lërini të ziejnë.

Përziejeni rregullisht deri sa sheqeri të shkrihet dhe më pas hiqeni nga zjarri.

Qëroni dhe ndani në gjysma ftonjtë. Përdorni thikë të mprehtë dhe hiqni farat.

Më pas ndajini ftonjtë në katër copë. Ngroheni lëngun e uthullës që keni ndarë mënjanë dhe shtoni ftonjtë.

Mbulojini me kapak dhe lërini të ziejnë deri sa ftonjtë të zbuten.

Kjo mund të zgjasë 20 minuta ose më shumë në varësi të fortësisë së ftonjve.

Më pas ftonjtë hidhini në kavanozë të sterilizuar duke përdorur një lugë druri.

Lëngu në tenxhere duhet zier deri sa të arrijë në 450 ml.

Kullojeni me një napë dhe hidheni mbi ftonjtë në kavanoz.

Hiqni lëkurën e limonit. Mbyllini kapakët e kavanozëve dhe ruajini ftonjtë turshi për një vit të tërë.

Receta unike Dimerore:Ftonjte turshi Read More »

Caji qe sjell gjumin e embel dhe zgjon endrra te mira

Nëse keni kaluar një ditë të lodhshme, stresuese të mbytur në punët e përditshme, e doni të gjeni qetësinë shpirtërore mos shkoni më larg se sa kuzhina juaj.

Me siguri aty do të gjeni përbërësit e duhur për përgatitjen e një çaji fantastik shlodhës për mendjen e shpirtin.

I përgatitur me lëkura të thata argrumesh, mandarina, portokalle dhe limona.

Shoqëruar bashkë me kamomil, kanellë e karafila dhe ëmbëlsuar me pak mjaltë, ky çaj i shëndetshëm është një balsam i vërtetë që nxit qetësinë shpirtërore, pozitivitetin në mendje, gjumin e qetë dhe zgjon ëndrrat e mira.

Gjendja shpirtërore e njeriut dikton gjumin dhe ëndrrat që ai sheh gjatë natës.

Nëse shtrihemi të flemë duke qenë të stresuar dhe jo të qetë me një lumë mendimesh që na mundojnë dhe që përpiqemi t’u japim zgjidhje, ne përcjellim tension në sistemin tonë nervor duke nxitur një gjumë jo të qetë dhe aspak shplodhës.

Kombinimi i përbërësve të këtij çaji, janë fantastik në shplodhjen e mendjes duke dhuruar kënaqësi shpirtërore si dhe çlirimin e energjive pozitive.

Lëkurat e agrumeve kanë vlera të jashtëzakonshme përsa i përket vitaminave që ato mbartin ashtu si edhe ushqyesve të tjerë natyralë.

Të kombinuara me kamomilin, i cili njihet gjerësisht në botën e mjekësisë për efektin e fortë qetësues që ka, bashkë me aromat dhe shijet fantastike të xhinxherit, kanellës dhe karafilit të gjithë këta përbërës shndërrohen në një çaj që të magjeps tërësisht.

Ja receta për përgatitjen e çajit që nxit qetësinë shpirtërore, përbërësit e të cilit gjenden me patjetër në kuzhinën e kujtdo.

Si ta përgatisni krejt lehtë në shtëpi

Përbërësit

Lëkura të thata mandarinash

Lëkura të thata limonësh

Lëkura të thata portkallesh

Kamomil

Pak xhinxher

Kanellë

Karafila

Pak mjaltë

Përgatitja

Hidhni në një filxhan të madh çaji një lugë kafeje me lëkura të thata mandarinash, portokallesh, limonash dhe kamomili.

Shtoni pak pluhur kanelle dhe disa karafila.

Zjeni ujë dhe hidheni të nxehtë në filxhanin e çajit.

Lëreni për 15 minuta dhe trazojeni herë pas here.

Në fund hidhini një lugë çaji me mjaltë dhe trazojeni sërish.

Pijeni të ngrohtë para se të flini gjumë. Do të shihni se si shija unike dhe aromat fantastike do t’iu përfshijnë tërësisht duke u ofruar qetësi pozitive.

Caji qe sjell gjumin e embel dhe zgjon endrra te mira Read More »

Lulelakra vjollce zbukuron fermat Shqiptare

Tregu i frutave dhe perimeve është zakonisht një mozaik ngjyrash. Në vjeshtë e dimër, ky mozaik ka ngjyrat e tokës, siç është ajo e kungullit.

Por ju ftojmë të lexoni për një kultivim të ri eksperimental që ende nuk ka hyrë gjerësisht në treg – lulelakrat ngjyrë vjollcë dhe ngjyrë portokalli.

Lulelakrat me ngjyrë të ndezur kanë nisur të lulëzojnë disa vite më parë në disa ferma të veçanta shqiptare të orientuara drejt eksportit.

Këto ferma prodhojnë perime me porosi për blerësit jashtë shtetit. Këto produkte të papara për konsumatorin e thjeshtë janë kthyer tashmë në objekt interesi për shumë tregje Evropiane.

Ku e merr ngjyrën vjollcë lulelakra?

Nëse mendoni se lulelakra lyhet me bojë ose ngjyrosës artificialë, e keni krejt gabim.

Kjo ngjyrë e bukur vjollcë, nuancat e së cilës janë të shumëfishta, shkaktohen nga një antioksidant i quajtur anthocianinë që gjendet tek lakra e kuqe dhe vera e kuqe.

Lulelakra me ngjyrë u zbulua për herë të parë në Kanada në vitin 1970, ndonëse u deshën shumë vite përpara se konsumatori të prodhonte shijen e saj. Ngjyra vjen nga një proces shartimi natyral që e lejon bimën të përmbajë më shumë beta karoten.

Lulelakra vjollcë përmban 25% më shumë vitaminë A se sa lulelakra e bardhë.

Çfarë shije ka?

Lulelakra ngjyrë vjollcë ka të njëjtën kurorë, përmbajtje dhe fortësi si simotra e saj e bardhë.

Ndryshimi qëndron tek shija. Lulelakra ngjyrë portokalli ka një shije të më të fortë, pak të ëmbël dhe kremoze.

Lulelakra ngjyrë vjollcë ka të njëjtat karakteristika, por ka një shije me nuanca arrorësh.

 

Kujdes me freskinë

Nuancat e lulelakrës me ngjyrë variojnë nga më të butat në më të ndezurat, ndaj ngjyra nuk është shenjë e freskisë.

Megjithatë ngjyra duhet të jetë uniforme dhe kokrrat e lulelakrës duhet të jenë të pastra nga pikat ose njollat.

Lulelakra duhet të peshojë ndjeshëm në dorë dhe gjethet duhet të duken të freskëta dhe të ndezura.

Nëse gjethet janë të ‘lodhura’ atëherë do të thotë që nuk keni të bëni me një produkt të freskët.

Si të gatuani lulelakrën me ngjyrë?

Lulelakra me ngjyrë gatuhet në të njëjtën mënyrë si ajo e bardha. Mund ta piqni, ta gatuani me avull, ta bëni pure, ta shoqëroni me oriz ose ta bëni supë.

Mos harroni që lulelakrën me ngjyrë mund ta hani edhe të gatuar në avull. Është shumë e shijshme dhe me vlera. Por në mungesë të ngjyrave, edhe lulelakra e bardhë është plot shëndet.

Lulelakra vjollce zbukuron fermat Shqiptare Read More »

Lengu i ullirit:Pse duhet ta pini dhe si ta pergatisni

Ulliri na ofron një sërë përfitimesh mbresëlënëse dhe jo vetëm nëpërmjet vajit të tij.

Lëngu i ullirit është një prej lëngjeve më të shëndetshme.

Ky lëng shpesh ngatërrohet me vajin e ullirit por janë gjëra të ndryshme.

Lëngu i ullirit është baza e kripur që u hidhet ullinjve për përgatitje.

Kjo substancë e ngjashme me shëllirën është e shëndetshme, kremoze dhe një alternativë e volitshme në gatim.

Kjo masë paksa e trashë përdoret në sallata ose pjata me mish dhe peshk.

Lëngun e ullirit e gjeni kryesisht të përfshirë nëpër shumë kokteile alkolike siç është ai me martini.

Shumë njerëz e çojnë dëm lëngun e ullirit, por ai duhet ruajtur dhe përdorur me kujdes.

Përfitimet e lëngut të ullirit

Lëngu i ullirit ruan ekuilibrat e lëngjeve në trup, përmirëson funksionet e nervave, mbron sistemin imunitar, parandalon sëmundjet kronike dhe forcon muskujt.

Sodiumi konsiderohet si diçka e keqe por ky mineral kur bashkohet me kaliumin dhe nuk konsumohet në sasi të mëdha, përmirësojnë shëndetin.

Nëse e pini lëngun e ullirit pa e tepruar do të merrni sodiumin dhe kaliumin e duhur në formën e elektroliteve.

Prania e sodiumit është e rëndësishme për funksionin e nervave por kjo nuk do të thotë që duhet ta teproni me lëngun e ullirit.

Ju duhet të pini sasi të vogla të këtij lëngu të fermentuar që u bën mirë njerëzve që i nënshtrohen një regjimi ushqimor me pak kripë.

Prania e sodiumit dhe e elektroliteve apo mineraleve të tjera është e nevojshme për të gjithë muskujt.

Përbërësit e tjerë të lëngut të ullirit janë uji dhe uthulla që lufton bakteret dhe përmban antioksidantë të rëndësishëm kundër infeksioneve.

Uthulla tek lëngu largon inflamacionin dhe ul rrezikun e sëmundjeve kronike.

Për më tepër, uthulla në fjalë ul nivelin e sheqernave në gjak, sidomos pas ngrënies së  një vakti.

Ndaj ekspertët rekomandojnë një lugë të vogël të këtij lëngu përpara ushqimit për të parandaluar rritjen e menjëhershme të sheqerit në gjak.

Me lëngun e fermentuar të ullirit por edhe lëngjet natyrale të ullirit duhet të tregoni kujdes sepse përmbajnë shumë kripë.

Ja  si ta bëni vetë lëngun e ullirit:

Përbërësit:

Një filxhan me ullinj të freskët me ose pa bërthamë.

Një gotë me ujë

Një lugë gjelle me kripë

Një lugë çaji me uthull.

Udhëzimet

Lajini ullinjtë me ujë të bollshëm. Mbusheni 2/3 e kavanozit me ullinjtë (preferohen pa bërthamë) dhe lëreni mënjanë.

Përzieni ujin, uthullën dhe kripën në një enë tjetër dhe hidheni në kavanoz duke mbushur 80 përqind të tij.

Mbylleni kapakun dhe tundeni kavanozin.

Futeni në frigorifer dhe mbajeni për gjithë natën.

Përpara se ta hapni kapakun, tundeni edhe një herë dhe më pas kullojeni lëngun në një enë tjetër.

Ullinitë shtypini dhe bëjini pelte duke i hedhur në një napë të pastër.

Shtrydheni napën për të nxjerrë lëng të pastër ulliri të cilën duhet ta bashkoni me lëngun tjetër në kavanoz.

Futeni në frigorifer deri sa të jeni gati për ta përdorur.

Lengu i ullirit:Pse duhet ta pini dhe si ta pergatisni Read More »

Zbuloni perdorimet e habitshme te qepes

Pavarësisht aromës dhe lotëve që shkakton, qepa është një nga ushqimet më të vlerësuara në botë.

Qepa është aq e mirë dhe e shëndetshme për njeriun sa ndoshta do të ishte me vend të thuhej “një qepë në ditë i thua mjekut ik.”

Qepët janë të dobishme kundër sëmundjeve dhe baktereve, madje e mbrojnë organizmin nga dëmtimet e qelizave.

Kurat e mëposhtme me bazë qepe mund të duken të çuditshme por funksionojnë me të vërtetë.

Kur ftohesh, var një qepë

Zgjidhni një qese rrjetë, futeni qepën në të dhe vareni sa më pranë shtratit.

Aroma e qepës do të mbushë dhomën dhe do të çlirojë hundën dhe fytin e bllokuar.

Qepa nuk duhet qëruar sepse flavonoidët ndodhen pikërisht në shtresën e jashtme.

Kur të zgjoheni në mëngjes, do të habiteni me frymëmarrjen pa probleme që vjen si pasojë e qepës.

Qepa kundër gjakderdhjes nga hundët

Nëse ju del gjak nga hundët, vendosni një copë qepë nën hundë.

Qepa do të ndalojë gjakderdhjen menjëherë.

Qepa për gjumë të mirë

Qepa kuron pagjumësinë.

Prisni një qepë në dysh dhe nuhateni pesë deri në dhjetë herë përpara se të bini për të fjetur.

Për rezultate më të mira, vendoseni qepën në një gotë pranë shtratit dhe do ju zërë gjumi menjëherë.

Qepa kundër mushkonjave

Priteni një qepë në gjysëm dhe vendoseni në një enë të mbushur me ujë.

Vendoseni enën pranë vendit të punës apo ndenjes dhe insektet do rrinë larg jush.

Një alternativë më e shpejtë është që të lyeni lëkurën e pickuar nga insektet me lëngun e qepës.

Qepa kundër njollave të moshës

Qepët eliminojnë njollat e errëta në lëkurë sepse përmbajnë sulfur dhe acide që shërbejnë si eksfoliantë.

Prisni një qepë të kuqe dhe me të fërkoni njollat e lëkurës.

Fytyrën shpëlajeni pas 10-15 minutash.

Përsëriteni dy herë në ditë dhe do të vini re zhdukjen e njollave.

Qepa kundër dhimbjeve të fytit

Çaji i qepës zbut fytin e lënduar.

Përdorni lëkurën e jashtme të qepës dhe zijeni në ujë.

Pasi uji të ketë marrë ngjyrën e lëkurës së qepës, hiqeni nga zjarri, lëreni të ftohet dhe pijeni.

Pas një ore nuk do të keni më dhimbje.

Kundër dhimbjeve të ciklit

Qepët zbusin dhimbjet e ciklit tek femrat.

Ekspertët rekomandojnë konsumin e qepëve të freksëta 4-5 ditë përpara nisjes së ciklit që të keni më pak dhimbje.

Pilafi i djegur

Nëse pilafi që keni gatuar për drekë është djegur pak, atëherë përdorni qepën.

Prini një qepë në gjysmë.

Njërën gjysmë vendoseni sipër pilafit. Në më pak minuta aroma e djegur do të zhduket

Kundër pickimit të bletës

Nëse bleta ose grenza ju kanë vënë në shënjestër atëherë përdorni lëngun e qepës dhe dhimbja do të zhduket pothuajse menjëherë.

Përmirëson humorin

Qepët përmirësojnë humorin dhe shëndetin mendor.

Sulfuri tek qepa kombinohet me proteinat e sistemit dhe stimulojnë prodhimin e aminoacideve në tru.

Konsumi i qepëve zbut simptomat e stresit, depresionit dhe problemeve të tjera mendore.

Zbuloni perdorimet e habitshme te qepes Read More »

Kjo është mënyra më e mirë për të ndaluar vetën të mos hani ëmbëlsira

Nëse ju jeni adhurues i ëmbëlsirave, do të jetë shumë e vështirë t’i rezistoni qoftë edhe një pjesë shumë e vogël e ëmbëlsirë në mbrëmje.

Por, çelësi për të ndaluar vetën të mos hani diçka të ëmbël, është thjeshtë të shkoni në shtrat.

Një studim i ri ka zbuluar se 20 minuta më shumë të gjumit, mund të ju ndihmojë njerëzve që të kontrollojnë më shumë vetën sa i përket ngrënies së ëmbëlsirave.

Kjo gjë sigurisht që ndikon për një dietë më të shëndetshëm, pasi gjumi është i shëndetshëm për të gjithë.

Kjo është mënyra më e mirë për të ndaluar vetën të mos hani ëmbëlsira Read More »

Vaji i ullirit Shqiptar:Llojet dhe faktet qe duhet ditur

A e dini që në Shqipëri ka ende ullinj pa u vjelë dhe kthyer në vaj?

Maja e sezonit të vajit të ullirit ka përfunduar në muajt e Nëntorit dhe Dhjetorit. Por gjatë këtij Janari, ka ende pemë ulliri pa vjelë dhe ende prodhohet vaj i freskët.

A e dini cila është diferenca mes një prodhuesi vaji ulliri dhe një prodhuesi vaji ulliri ekstra të virgjër? Një punë ekstra.

Për të prodhuar vaj ekstra të virgjër një ullishtar i mirë e çon ullirin çdo natë në mulli.

Në këtë mënyrë prodhohet vaj më i mirë me ngjyrë tipike jeshile. Vaji i pasur me aromë e shije e me aciditet më të ulët.

Zoti Dhimitër Panajoti, specialist i vajit të ullirit pranë AAC Lushnja thotë për AgroWeb se nga çdo ditë qëndrimi në fermë, vaji në brendësi të frutit humbet 10-20% të cilësisë.

Si rrjedhim rritet aciditeti, pakësohen elementët cilësorë si polifenoli dhe pakësohet aroma, tregon zoti Panajoti.

Procesi i përpunimit ndikon në 60% të cilësisë së vajit. Kini kujdes! Vaji nuk përmirësohet nëse vjetërohet, por ka jetë më të gjatë nëse ruhet mirë.

Armiqtë kryesorë të vajit janë ajri, nxehtësia dhe drita. Qelqi i errët është më i mirë për ruajtje në shtëpi.

Çeliku inoks është më i miri për ruajtjen e sasive të mëdha.

Ju nevojitet ndihmë për të zgjedhur vajin më të përshtatshëm të ullirit?

Si të zgjidhni vajin e duhur të ullirit si edhe disa fakte interesante:

Cilat janë ndryshimet mes vajit të ullirit – Të ‘virgjër’, vajit të ‘lehtë’ dhe atij të zakonshëm?

Vaji i ullirit i virgjër

I shoqëruar edhe me parashtesën “Ekstra” përbën nivelin më të lartë të vajit të virgjër dhe më i miri që mund të tregëtohet.

Vaji i virgjër i prodhuar nga mekanizmi i shtypjes mund të quhet si ekstra nëse ka më pak se 1% acid oleik dhe sjell shije, ngjyrë dhe aromë të mirë. Pra praktikisht vaji ekstra i virgjër është vaji më i mirë.

Vaji i zakonshëm i ullirit

Kjo kategori ka të bëjë me produktin e përzier të vajit. Prodhuesit e vajit të ullirit fillojnë me vaj të virgjër të një kualiteti më të ulët.

Që këto vajra të përshtaten për konsum duhet të përpunohen duke përdorur proçese mekanike termale apo kimike. Vaji i përpunuar i ullirit vjen me një ngjyrë dhe shije më të zbehur.

Përpara se produkti rezultant të shitet si vaj ulliri, prodhuesi e përzien ekstraktin me vaj ulliri të përpunuar dhe me një përqindje të vogël vaji të virgjër për të siguruar aromën dhe shijen.

Vaji i “butë” dhe i “lehtë”

Vaji i ullirit i lehtë është një variacion i vajit të ullirit të zakonshëm. Prodhuesit e këtij produkti përdorin vaj ulliri shumë të përpunuar dhe përdorin më pak vaj të virgjër me kualitet.

Mbase ndryshimi do të vihej re në shije dhe në aromë por sasia e kalorive dhe yndyrës është e njëjtë me vajrat e tjerë.

Vaji i “tulit” të ullinjve

Vaji i bërë me tulin e ullinjve konsiston në mbetjet e vajit të ekstraktuara me përbërës kimikë dhe të marra nga ullinjtë e parë që kanë kaluar proçesin e shtypjes.

Edhe në këtë rast përdoren sasi të caktuara vaji të virgjër në mënyrë që të shtojnë nivelin e shitjeve.

Janë të gjithë llojet e vajrave të ullirit të njejtë?

Jo. Ashtu si edhe vera, vaji i ullirit ekstra i virgjër mund të variojë shumë në shije dhe varet nga lloji dhe cilësia e ullirit të përpunuar, periudha e të vjelave, moti gjatë sezonit të rritjes dhe rajoni ku prodhohen.

Vaji i ullirit Shqiptar:Llojet dhe faktet qe duhet ditur Read More »

Shije e ngrohte e tradites:Supe krem me miell misri

Supa krem me miell misri është gatuar për breza me rradhë nga amvisat shqiptare sidomos në ditët e ftohta të dimri.

Një pjatë e lehtë, e pasur me vlera ushqyese dhe plot shije që shoqërohet në mënyrë fantastike me pak bukë të thekur dhe me sallata të freskëta të stinës.

Ideale për t’u përgatitur për një vakt të plotë dreke shoqëruar me gatime të tjera të kuzhinës shqiptare.

Receta e kësaj supe është pjesë e menusë së shijshme të kuzhinës tradicionale shqiptare dhe gatuhet në të gjitha trevat e vendit.

Përbërësit e saj janë të thjeshtë dhe gjenden me patjetër në kuzhinën e çdo amvise shqiptare. Falë përbërësve të saj, kjo supë është shije plotë është fantastike për ditët e ftohta të dimrit.Më poshtë receta e përgatitjes së supës me miell misri krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Supës Krem me Miell Misri

Përgatitja

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

3 lugë gjelle me miell misri

2 lugë gjelle gjalpë ose tre lugë vaj ulliri

6-7 garuzhde me lëng mishi

1 kokërr vezë

1 gotë qumësht

2 feta të hollë buke

Pak gjalpë për spërkatjen e bukës

Majdanoz

Përgatitja

Mielli i misrit i situr skuqet me gjalpë dhe shuhet me lëng mishi.

Përzihet shpejt që të mos krijojë kokërriza.

Pasi i hidhet kripë, masa lihet që të zjejë për 10 minuta në zjarr të ngadalshëm, derisa të përgatitet një supë e derdhur me trashësi mesatare.

Pasi ftohet pak, i hidhet veza e rrahur me qumësht të nxehtë. Sipër i hidhet pak gjalpë i freskët ose vaj ulliri.

Nga ana tjetër, buka e bardhë, bajate pasi pritet në kubikë të vegjël, vihet në një tavë.

Spërkatet me gjalpë dhe futet në furrë që të theket.

Kur shërbehet, në pjatë hidhet supa dhe sipër saj vendosen kubikët e bukës së thekur të spërkatur me disa pika gjalpë dhe majdanoz të grirë hollë.

Shije e ngrohte e tradites:Supe krem me miell misri Read More »