Kulinari

Si te perdorni bimet mjekesore kunder ankthit dhe stresit

Keni dëgjuar për ‘Herbalizmin’? Tingëllon një fjalë e çuditshme, por në të vërtetë ka të bëjë me përdorimin e barishteve dhe erëzave në kura shëndetsore.

Kjo kulturë shumë shekullore ka pasur në zemër të saj bimët më të mira për të kuruar shumë sëmundje.

Roli i bimëve mjekësore në shëndetin e mendjes është studiuar, testuar dhe pranuar si nga ekspertët mjekësore ashtu edhe nga përdoruesit e këtyre bimëve.

Rezultatet e këtyre bimëve janë shumë të mira, dhe vetëm falë shkencës moderne dhe teknologjisë, këto kura të lashta kanë marrë famën e merituar.

Bimët mjekësore dhe medikamentet  

Bimët mjekësore ofrojnë efekte të ngjashme me medikamentet farmaceutike, por me më pak efekte anësore.

I vetmi problem, nëse mund të quhet i tillë, është se funksionojnë më ngadalë se medikamentet, edhe pse efektet e bimëve janë më afatgjata. Kjo është arsyeja përse bimët mjekësore shpesh anashkalohen.

Bimët mjekësore kundër sëmundjeve të mendjes

Lule basani dhe sanëza janë dy nga barishtet më të mira që përdoren për shëndetin e mendjes. Studimet shkencore kanë treguar se këto bimë kanë cilësi të jashtëzakonshme për të përmirësuar shëndetin e trurit.

Këto bimë rekomandohen dhe përdoren gjërësisht në ditët e sotme. Lule basani përdoret për të trajtuar rastet e depresionit të një niveli mesatar. Sanëza nga ana tjetër përdoret kundër ankthit dhe pagjumësisë.

Bimët mjekësore rekomandohen jo vetëm nga mjekët, ekspertët e ndryshëm, por edhe nga psikologët. Sipas tyre, bimët mjekësore mund të përdoren për të parandaluar sulmet që i kanosen trurit gjatë përditshmërisë.

Sidoqoftë, mos u përpiqni të vetë-diagnostikoheni apo vetë-kuroheni. Lule basani për shembull bën mirë por edhe mund të shkaktojë dëme tek pacienti në varësi të diagnozës.

Bimë si kamomili mund t’ju qetësojnë pa asnjë efekt anësor. Kamomili konsumohet si çaj dhe rekomandohet në mbrëmje, ose si zëvëndësues për çajrat e tjerë me kafeinë.

Këto bimë përdoren në formë çaji me lule të thata.

Tabela e bimëve mjekësore dhe luleve të mira për mendjen

Hudhra – Ndihmon të Qetësojë Muskujt- Konsumohet e freskët apo e gatuar. Përdoreni edhe për t’i dhënë aromë vajrave.

Mentja – Ndihmon të qetësojë muskujt dhe kontraktimet nga gastriti. Konsumohet e freskët, çaj ose e gatuar.

Kamomili – Bimë qetësuese pa efekte anësore kundër depresionit, stresit, ankthit, irritimeve dhe pagjumësisë. Konsumohet si çaj.

Borziloku përmban vajra esencialë. Lufton inflamacionin. Përmban magnez dhe qetëson zemrën dhe enët e gjakut. Përdoret i freskët, çaj, në gatime ose për të aromatizuar vajra të ndryshëm.

Livandoja është analgjezik, ka efekt qetësues, zbut nervat dhe dhimbjet. Vaji esencial përdoret për të nxitur gjumin. Përdoret në terapitë e aromave, ndërsa në variantin e thatë përdoret si çaj ose si aromatizues ambienti

Majdanozi, ruan ekuilibrat hormonalë. Zbut irritimet dhe depresionin e ulët. Gatuhet ose konsumohet i freskët.

Si te perdorni bimet mjekesore kunder ankthit dhe stresit Read More »

Perimet ne mengjes:Pse duhen patjeter per shendetin

Mëngjesi i mirë është gjysma e punës, ndaj edhe perimet duhen ngrënë në mëngjes.

Të dhënat shkencore provojnë që nëse shtoni perimet në mëngjes, do të keni plotësuar shumicën e rekomandimeve për një shëndet më të mirë.

A do të donit ta nisnit ditën plot ankth dhe stres? Me siguri jo!

Po të marrim në konsideratë faktin që një përqindje mjaft e ulët e shqiptarëve hanë shumë pak perime, atëherë duhet të gjejmë motivimin e duhur që të shtojmë dozat e ushqimeve të shëndetshme.

Vlerat e perimeve për mëngjes

Ngrënia e perimeve në mëngjes është mjaft e thjeshtë, e lehtë dhe e shijshme.

Vende të ndryshme të botës i kanë perimet pjesë të pandarë të mëngjesit.

Francezët për shembull hanë rregullisht kastravecë, domate dhe ullinj në mëngjes.

Në Spanjë, hanë sallatë perimesh në mëngjes.

Rekomandohet fort përvetësimin e kësaj tradite edhe në regjimin ushqimor të shqiptarëve.

Më poshtë do të gjeni disa receta të cilat do t’ju vijnë në ndihmë për të ngrënë sa më shumë perime në mëngjes

Brokoli me vezë të skuqur

Në fillim zjejmë për 10 minuta brokolit e ndara në lule të vogla.

Më pas në tigan hedhim dy lugë gjelle me vaj ulliri, e lëmë pak të nxehet dhe më pas hedhim vezët sy.

U hedhim pak kripë dhe i lëmë të skuqen pak apo shumë sipas preferencës.

Krepa me miell misri me spinaq dhe djathë të bardhë

Brumin e krepave e përgatisni me miell misri në vend të miellit të grurit.

Për mbushjen e nje krepe, në një tigan hidhni një grusht me spinaq.

Lëreni në zjarr sa të avullojë uji, hidhini pak kripë, vaj ulliri dhe thërrime djathi dhe mbushni krepën.

Omletë me spinaq dhe avokado

Grini një grusht me spinaq, gjysmë avokado të prerë në kubikë.

Hidhni në një tas dy vezë, pak kripë dhe rrihini fortë. Më pas shtoni spinaqin dhe avokadon dhe përzjejini bashkë.

Vendosni një tigan në zjarr. Hidhni pak vaj ulliri dhe shtroni omletën në tigan. Lëreni të skuqet mirë nga njëra anë dhe më pas kthejeni nga ana tjetër.

Vezë dhe spinaq

Grini një grusht me spinaq.

Vendosni një tigan në zjarr. Hidhni spinaqin e grirë hollë dhe lëreni sa të avullojë uji, hidhini më pas pak vaj ulliri, kripë dhe hidhni vezët sy që të skuqen.

Lulelakër të skuqur me vezë

Në fillim zjejmë për 10 minuta lulelakrat e ndara në lule të vogla.

Më pas në tigan hedhim dy lugë gjelle me vaj ulliri, e lëmë pak të nxehet dhe më pas hedhim lulelakrat dhe vezët sy.

U hedhim pak kripë dhe i lëmë të skuqen pak apo shumë sipas preferencës.

Ju mund të përzieni të gjithë perimet që ju pëlqejnë dhe të angazhoheni në krijime të reja në kuzhinë.

Perimet ne mengjes:Pse duhen patjeter per shendetin Read More »

Uje me kanelle:Per te mbrojtur organizmin nga virozat

Me aromën dhe delikatesën e saj, kanella është një erëz fisnike me një rol të pazëvendësueshëm në kuzhinë dhe në trajtimet mjekësore apo ato të bukurisë.

Kjo erëz në formën e pluhurit është përdorur gjerësisht në trajtimet kundër problemeve të rrugëve të frymëmarrjes, organeve riprodhuese dhe tretjen.

Uji me kanellë mund t’ju shoqërojë mjaft mirë këto ditë të ftohta dhe t’ju mbrojë nga një sërë virozash.

Mjafton të zjeni ujin, për një filxhan çaji ujë duhet një lugë çaji kanellë pluhur. Pasi të ketë zjerë ujin, shtoni kanellën dhe lëreni për 10 minuta sa të tretet plotësisht duke e trazuar. E ëmbëlsojmë me pak mjaltë ose pak sheqer sipas dëshirës.

Sipas dëshirës, për më shumë shije dhe vlera kur ta konsumoni mund t’i shtoni disa feta mollë.

Më poshtë do të gjeni disa sugjerime për vlerat më të  mira shëndetësore që përfitoni duke pirë çajin me kanellë.

Ushqyesit e erëzës 

Kanella është shumë e pasur me antioksidantë.

Ajo përmban gjithashtu minerale si kalium, kalcium, mangan, hekur, zink dhe magnez.

Kjo erëz e mrekullueshme është e pasur edhe me vitaminë A.

Llojet e kanellës

Në botë gjenden qindra lloje të kësaj erëze, por njeriu mund të përdorë vetëm katër prej tyre: Kanella Autentike e Sri Lankës, Kanella Cassia e Kinës, Kanella Korintje e Indonezisë dhe Kanella Saigon e Vietnamit.

Kanella pluhur ju vjen në ndihmë në përpjekjet tuaja për të humbur në peshë.

Kanellën mund ta përzieni me tërshërë, çaj ose lëngje frutash.

Nëse jeni minimalistë në shije, mund të zgjidhni ujin me kanellë që ofron vlerat e mëposhtme.

Kanella përmirëson tonalitetin e lëkurës

Konsumoni të paktën një lugë gjelle me kanelle në ditë që të merrni sa më shumë fibër.

Kanella largon toksinat dhe përmirëson tonalitetin e lëkurës.

Ajo është miqësore me lëkurën e ndjeshme ndaj rekomandohet kundër akneve dhe problemeve të tjera.

Ndihmon në rënien në peshë

Çaji me kanellë dhe mjaltë është shumë i mirë për të rënë në peshë.

Kombinimi i të dyjave shuan urinë dhe parandalon ngrënien e tepërt.

Përmirëson funksionet e trurit

Me ujin me kanellë do të jenë më të përqendruar dhe vigjilentë.

Ai vazhdon të përdoret kundër disa sëmundjeve si Alzheimeri dhe Parkinsoni sidomos tek të moshuarit.

Pasi të lexoni këtë artikull përgatisni një çaj ose lëng me kanellë për gjyshërit.

Kuron dhimbjen e dhëmbit

Herën tjetër kur t’ju dhembë dhëmbi përzieni pak kanellë me mjaltë dhe vendoseni direkt mbi dhëmb.

Mbajeni pastën për pak kohë dhe më pas lani dhëmëbt.

Forcon sistemin imunitar dhe dëgjimin

Nëse pini rregullisht ujë me kanellë, sistemi juaj imunitar do të jetë më i fortë dhe më i mbrojtur nga bakteret dhe virozat.

Për më tepër, kanella ka aftësinë të rimëkëmbë dëgjimin e dëmtuar.

Përdorimet e kanellës në shtëpi.

Përveç të mirave që i sjell të shëndetit, kanellën mund ta përdorni në shtëpi edhe për të neutralizuar aromat e këqija, larguar insektet, masazhe,  e të tjera.

Kini kujdes

Kanella shoqërohet me efekte anësore siç janë: rritja e temperaturës, probleme gjatë shtatzanisë sidomos kontraktime dhe lindje të parakohshme.

Në rastin e grave lehonë, kanella nuk duhet konsumuar sepse mund të shkaktojë alergji tek fëmijët.

Shmangni çdo produkt me kanellë nëse jeni shtatzënë apo lehonë.

Kanella nuk rekomandohet për diabetikët sepse mund të ulë ndjeshëm nivelet e glukozës në gjak.

Nëse hani sasi të mëdha të kanellës do të përballeni me një nivel të madh toksinash në organizëm.

Dozat e rekomanduara

Mos konsumoni kurrë më shumë se 1-6 gramë kanellë në ditë.

Kanella Autentike është më e mira dhe më e shëndetshmja nga të gjitha.

Uje me kanelle:Per te mbrojtur organizmin nga virozat Read More »

Berdullaku barishtja Shqiptare e miresise

Bërdullaku është nga ato barishte që kur e sheh, të duket sikur të thotë “eja më ha.” E në fakt, gjethet dhe kërcenjtë e bërdullakut janë vërtet joshës.

Kjo barishte, që rritet nëpër lëndina dhe kopshte, është një thesar i vërtetë për njerëzit që janë në kërkim të burimeve të egra natyrale të ushqimeve.

AgroWeb ka përgatitur këtë material me të dhëna mjaft interesante dhe receta që lexuesit dhe konsumatorët ta vlerësojnë më shumë këtë barishte fantastike.

Emri botanik i bërdullakut është Portulaca oleracea. Portulaca vjen nga Latinishtja që do të thotë “portë” ndërsa Oleracea do të thotë “perime e kuzhinës.”

Në lashtësi, bërdullaku njihej për vlera shëruese, madje disa historianë të asaj kohe ishin të bindur që kjo bimë dhe lulet e saj duheshin mbajtur në rroba për të mbajtur të keqen larg.

Bërdullaku ka kërcenj të kuqërremtë dhe të butë, lule të verdha me nga pesë petale në formë ovale me një gjërësi prej 6 milimetrash.

Në varësi të shirave, lulet çelin shpesh gjatë gjithë vitit. Lulet hapin petalet e tyre kryesisht në orët e para të mëngjesit, kur farat që mbrojnë me fanatizëm janë të pjekura mjaftueshëm.

Kjo barishte ka krejt pak kolesterol. Është një burim i shkëlqyer i tiaminës, niacinës, vitaminës B6 dhe folatit.

Bërdullaku përmban vitaminë C, A, riboflavinë, kalcium, hekur, magnez, fosfor, kalium, bakër dhe mangan.

Një nga gjërat që ngjall shumë kuriozitet për bërdullakun është se kjo bimë ka më shumë acide yndyrore Omega 3 se sa çdo bimë tjetër e njohur në planet.

Në mbrëmje, gjethet përthithin dioksidin e karbonit dhe e transformojnë atë në acid malik (që i jep mollëve thartësinë karakteristike) dhe gjatë ditës atë e kthejnë në glukozë.

Nëse e mblidhni bimën në mëngjes herët, gjethet kanë dhjetë herë më shumë acid malik se sa po t’i mblidhni pasdite.

Kërcenjtë, gjethet dhe gonxhet e bërdullakut janë të gjitha të ngrënshme. Bima mund të përdoret e freskët në sallatë, mund të gatuhet si spinaqi dhe mund të përdoret në supë ose gatime të tjera.

Në Shqipëri, kjo bimë përdoret si perime, në mënyrë të njëjtë me spinaqin. Shërbehet me vaj ulliri ose përdoret në përgatitjen e byrekut.

Grekët e quajnë Andrakla. Ata përdorin gjethet dhe kërcinjtë me djathë feta, domate, qepë, hudhër, rigon dhe vaj ulliri. E përdorin në sallata, e ziejnë ose e gatuajnë me mish pule.

Në Turqi, e përdorin për sallata dhe për byrek. Edhe ata e gatuajnë në të njëjtën mënyrë si spinaqi.

Libanezët e njohin bërdullakun si Bakleh. E hanë të freskët në sallatë, e përdorin si garniturë ose në byreçka dhe pite.

Si të njihni bërdullakun?

Bërdullaku ngatërrohet lehtësisht me një bimë tjetër të njohur si Euphorbia maculate e cila është helmuese dhe të sëmur.

Ndonëse të dyja bimet rriten në sipërfaqen e tokës, gjethet e Euphrobia Maculate janë të vogla dhe në mes kanë njolla të kuqe.

Kërcenjtë e kësaj bime helmuese janë me push dhe lulet ngjajnë ndryshe. Një mënyrë tjetër për të bërë dallimin mes tyre është që të ndani kërcenjtë në dysh.

Kërcelli i bimës helmuese nxjerr një lëng kremoz ngjyrë të bardhë. Ndaj kini kujdes!

Berdullaku barishtja Shqiptare e miresise Read More »

Si te pergatisni cokokrem ne shtepi

 

Aspak të shëndetshme

Teksa kërkoja në internet për çokokremin, u terrorizova. Përbërësit më të shumtë të saj, ishin vaji i palmës dhe sheqeri i bardhë, ndërkohë që kakao dhe lajthitë zinin një vend minimal.

Pra im bir ishte dendur në sheqer e vaj palme. Kështu vendosa ta bëj vetë në shtëpi, duke qenë se përbërësit janë tepër të thjeshtë e gjenden gjithkund.

Pas shumë tentativave që më çalonin kryesisht te copëtimi i bajameve arrita të bëj çokokremin perfekt.

E nëse juve keni të njëjtin problem, po ju tregoj mënyrën si bëhet një çokokrem i shëndetshëm. Kryesisht masën e përbërësve e përzgjedh me sy, por si për fillim duhet kjo recetë.

Përbërësit:

80 gram lajthi

100 ml qumesht

60 gram sheqer ngjyrë e kaftë

100 gram çokollatë e zezë

2 lugë gjalpë

Në fillim pjek lajthitë për 10 minuta në furrë të paranxehur, ndërsa në një tenxhere shkrij çokollatën me qumështin. Më pas lajthitë e pjekura i fus në mikser.

Duan pak punë për t’u copëtuar se shpesh ngelin thërrime-thërrime dhe fëmijët nuk e pëlqejnë. Për t’i dhënë pak ndihmë në mikser shtoj edhe sheqerin e kuq (apo ndryshe sheqerin kaf) e më pas 2 lugë gjalp.

Vazhdoj t’i përzjej për disa minuta. Më pas i shtoj çokollatën e shkrirë në qumësht duke mos ndalur së përzjeri.

Pasi të gjithë përbërësit shkrihen me njëri tjetrin, i fus në enën e çokokremit të supermarketit, të cilën e ruaj sepse maskoj çokokremin e bërë në shtëpi.

Im bir është ende i vogël dhe duhet të vazhdojë të besojë se të gjitha ushqimet që sheh në market apo TV janë të mira.

Pasi ftohet për dy-tri orë, e le po kaq kohë edhe në frigorifer dhe është gati për përdorim. Ndërkaq edhe për akulloret përdor sërish çokokremin tim dhe është mjaft e lehtë.

Në mikser fus gjysëm kavanozi çokokrem, i shtoj qumësht dhe një paketë vanilje. Pasi i miksoj, mbush format e gatshme dhe i vendos në akull.

Kështu të paktën dy kërkesat më të zakonshme të fëmijës tim i zgjidh në mënyrën më të shëndetshme për të.

Jo vetëm çokokrem

Të njëjtën gjë kam nisur të bëj edhe me patatinat. Në këtë rast përdor patate të freskët të prerë hollë me renden thikë, të cilat i kripos, i hedh një pikë vaj ulliri dhe i pjek në furrë me 200 gradë deri sa të zverdhen e të bëhen krokante.

Mos harroni që maskimi i paketimit është i nevojshëm edhe në këtë rast, sepse fëmija është më inteligjent sa ne e mendojmë.

 

Si te pergatisni cokokrem ne shtepi Read More »

Mjalte me spec djeges,efekte fantastike per organizmin

A e keni provuar ndonjëherë mjaltin me spec djegës?

Është i ëmbël dhe i zjarrtë. Ka një shije, e cila duket sikur të ka munguar gjithë jetën. Në lugën e parë, ëmbëlsia e mjaltit të zgjon qiellzën ndërkohë që pak çaste më vonë përjeton nxehtësinë e papërmbajtur të specit djegës. Thënë shkurt, një kombinim i jashtëzakonshëm.

Duke marrë në konsideratë faktin që specat qëndrojnë shumë pak në përqafimin e ëmbël të mjaltit të ngrohtë, djegësia që ata çlirojnë është befasuese dhe ndjellëse.

Ata që janë të dhënë pas mënyrave të shëndetshme të pastrimit të organizmit, do të gëzohen kur të mësojnë se mjalti me spec djegës është një metodë pastrimi shumë popullore e cila përpos të gjithave ndihmon në rënien në peshë.

Speci djegës është përdorur prej shumë kohësh kundër disa problemeve shëndetsore përfshirë këtu urthin, kllapinë, ethet, sëmundjet e stomakut, temperaturën, problemet me tretjen, fryrjet e stomakut, problemet me fytin, çrregullimet hormolane, të vjellat, bajamet dhe difterinë.

Detoksifikimi i organizmit nëpërmjet kësaj formule shpesh njihet si ‘dieta e lemonatës.’

Në këtë artikull do të mësoni për vlerat dhe efektet e kësaj metode pastruese për organizmin.

Në mënyrë që ta kuptoni këtë metodë, duhet të dini që përbërësit janë ushqime natyrale të jetës së përditshme, ndaj nuk përbëjnë ndonjë rrezik për trupin.

Metoda e pastrimit ka të bëjë me ushqyerjen me lëngje.

Duhet të pini 1 lugë çaji mjaltë dhe spec djegës të tretur në një gotë ujë të ftohtë ose të vakët të paktën tetë herë në ditë.

Disa njerëz përdorin edhe limonin për një shije më të mirë.

E gjithë metoda e pastrimit synon të çlirojë trupin nga kthetrat e radikaleve të lira që akumulohen në trup dhe rikthimin në normalitet të sistemit tretës.

Nëse e pini limonatën në fjalë për tre deri në katër ditë, shëndeti juaj do të forcohet ndjeshëm. Sidoqoftë, është e udhës që të diskutoni për këtë çështje me mjekun dhe të mos ndërmerrni aktivitete fizike. Kura ka nevojë për pushim.

Si të përgatisni mjaltin me spec djegës

Përbërësit

1 filxhan me mjaltë

3 lugë çaji me speca djegës të grirë ose 5 speca të vegjël e të thatë të grirë.

Udhëzimet

Mjaltin dhe specat vendosini në një enë qelqi, të cilën duhet ta mbani futur në një tenxhere me ujë të valuar.

Përziejini specat dhe mjaltin ndërkohë që ngrohen për disa minuta duke rritur ngadalë temperaturën. Por duhet të kujdeseni që nxehtësia të mos jetë shumë e madhe sepse shkatërron enzimat mirëbërëse të mjaltit.

Fikeni zjarrin dhe lëreni enën me mjaltë të qëndrojë për 10 minuta. Më pas kullojeni mjaltin në një kavanoz qelqi.

Përveçse në formën e limonatës siç përmendëm më lart, mund ta përdorni këtë mjaltë në sallata, me djathë, mish, peshk ose perime.

Nëse jeni prekur nga të ftohtit, hidhni pak prej tretësirës në çajin tuaj me limon ose mente.

Mjalte me spec djeges,efekte fantastike per organizmin Read More »

Per sherim te shpejte perdorni cajin e rigonit.Ja cfare sheron

Jemi në periudhën kur problemet me rrugët e frymëmarrjes arrijnë kulmin. 

Lëngu i rigonit është zgjidhja më e mirë që ofron natyra për problemet e stinës. Alergjitë, azma, organizmat e dëmshëm dhe ndotësit e ndryshëm shkaktojnë probleme të shumta për rrugët e sipërme të frymëmarrjes.

Simptomat e këtyre problemeve përfshijnë por nuk janë të kufizuara me bllokimet e kraharorit, vështirësitë në frymëmarrje, irritimet në fyt dhe në hundë.

Aktualisht jemi në periudhën kur problemet me rrugët e frymëmarrjes arrijnë kulmin, ndaj AgroWeb.org ju rekomandon të lexoni për lëngun e rigonit, aleati i mushkërive tuaja.

Rigoni organik është efikas dhe i fuqishëm. Ai është i pasur me karvakrol, flavonoidë dhe substanca të tjera që luajnë rol zhbllokues dhe anti-alergjikë.

Rigoni është një bimë e veçantë që ka sukses jo vetëm në kuzhinë por edhe në mjekësinë popullore. Kjo bimë është përdorur në kura mjekësore që në lashtësi, falë fuqive të mëdha në ndihmë të shëndetit.

Rigoni i përket familjes botanike Lamiaceae ku bën pjesë edhe mentja. Substancat kimike natyrale që i japin rigonit aromën unike dhe të kënaqshme janë të shumta.

Ato e plotësojnë rigonin me antioksidantë dhe e bëjnë efikas kundër baktereve, kancerit, inflamacionit e të tjerë.

Vlerat Ushqimore nga lëngu i rigonit 

Rigoni përmban vitaminat A, C, E dhe K. Ai është gjithashtu i pasur me fibër, kalcium, niacinë, mangan, folat, magnez, hekur, luteinë, zeaksanthinë dhe kriptoksanthinë.

Rigoni është i mrekullueshëm kundër shumë sëmundjeve. Kjo bimë aromatike e Mesdheut ndihmon në detoksifikimin e organizmit por edhe balancon hormonet.

Rigoni kundër alergjive

Në një stinë si kjo, organizmi është i brishtë sepse sulmohet nga poleni, pluhurat, myku, kimikatet dhe bakteret.

Këta agjentë sulmues çojnë në çlirimin e një kimikati që njihet si histaminë që shkakton një reagim alergjik  — bllokime hundësh, sekrecione dhe tështima. Rigoni pengon çlirimin e histaminës dhe zbut këto reagime alergjike.

Rigoni kundër kollës

Studimet kanë zbuluar se shumë bimë aromatike siç është edhe rigoni kanë potencial terapeutik.

Rigoni ka një ndikim të drejtpërdrejtë dhe pozitiv në traktin respirator, kollën dhe qarkullimin e lirë në rrugët e frymëmarrjes.

Rigoni përmban edhe kalcium, magnez, zink, hekur, kalium, vitaminat A dhe C, si dhe niacinë.

Ndonëse këta përbërës nuk kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, ato influencojnë shëndetin e mirë të të gjitha sistemeve të tjera të trupit, përfshirë atë imunitar.

Dozat e mjaftueshme të vitaminave dhe mineraleve janë të rëndësishme për të mbajtur trupin të shëndetshëm dhe parandaluar problemet në rrugët e frymëmarrjes.

Përgatitja dhe përdorimi i lëngut të rigonit

-Zieni një tufë me gjethe të freskëta të rigonit në 3 filxhanë ujë për 10-15 minuta.

Nëse jeni ftohur, atëherë pini gjysëm filxhani tre herë në ditë.

-Nëse dëshironi një lëng më të përqendruar, atëherë shtrydhini gjethet e rigonit dhe merrni një lugë gjelle çdo një orë për të zbutur kollën kronike, reumatizmën, azmën bronkiale dhe dispepsinë.

Per sherim te shpejte perdorni cajin e rigonit.Ja cfare sheron Read More »

Lengu i lakres:Perdorimen surprize per shemdetin

Lëngu i lakrës është një nga pijet më të shëndetshme që mund të konsumoni.

Është i pasur me polifenolë, kalcium, magnez, hekur, fosfor, sulfur, kalium, jod si dhe vitaminat A, B1, B2, B6, C, K por edhe acid folik.

Lakra përmban shumë polifenolë ose siç njihen ndryshe si antioksidantë që pakësojnë shfaqjen e sëmundjeve kancerogjene dhe atyre kronike.

Mineralet e rëndësishme që përmban ky lëng e bëjnë atë të rëndësishëm në mbrojtjen e kokcave por edhe në uljen e tensionit të gjakut.

Vitaminat që gjenden tek lakra dhe lëngu i saj janë të dobishme për sistemin riprodhues, atë imunitar, shëndetin e syve por edhe shëndetin e flokëve, lëkurës, mëlçisë, nervave, syve e shumë të tjera.

Lakra është një burim i shkëlqyer i vitaminës C që e ndihmon organizmin të jetë më rezistent ndaj baktereve, radikaleve të lira dhe virozave.

Lakra përmban më shumë vitaminë C se portokallet, një karakteristikë që e bën lakrën të domosdoshme kundër shumë sëmundjesh.

Lakra është një nga 10 ushqimet më të pasura me vitamiNë K, e cila është thelbësore kundër sëmundjeve të zemrës dhe kockave.

Arsye përse duhet të pini lëng lakre

Kundër ulçerës në stomak

Lëngu i lakrës trajton ulçerën në stomak, sipas të dhënave mbi këtë perime.

Sipas shkencëtarëve, ky lëng i pasur në vitamina dhe minerale forcon rezistencën e shtresës së stomakut ndaj acideve.

Ndihmon funksionin e mëlçisë

Lëngu i lakrës përmban antioksidantë që luajnë një rol në detoksifikimin e mëlçisë.

Mëlçia luan një rol vendimtar në funksionet e ndryshme metabolike të trupit.

Kundër helmimit nga alkoli

Lëngu i lakrës rekomandohet kur e keni tepruar me alkolin apo jeni helmuar nga ushqimi.

Alkoli shkatërron shumë prej baktereve të shëndetshme në stomak dhe vitaminave apo mineraleve.

Lëngu i lakrës pastron sistemin tretës sepse përmban shumë ushqyes.

Ekspertët rekomandojnë pirjen e një gote me lëng lakre në ditë me stomak bosh dhe më pas rritjen e dozës në dy gota në ditë.

Kundër shenjave të moshës

Pini një gotë me lëng lakre në ditë për të shmangur plakjen e parakohshme të lëkurës dhe tharjen e saj.

Lëngun e lakrës mund ta përdorni edhe si një maskë lëkure.

Nëse dëshironi të hiqni njollat apo të zbusni pigmentimin e lëkurës përzieni një lugë gjelle me mjaltë, pak shafran Indie dhe një çerek gote me lëng lakre.

Më pas shtoni miell orizi dhe përzijeni mirë që të krijoni një pastë të mirëfilltë. Lyeni zonat e njollave me këtë pastë, mbajeni për 10 minuta dhe më pas shpëlajeni fytyrën me ujë.

Flokë të shëndetshëm

Lëngu i lakrës përmban shumë sulfur dhe është shumë efikas për forcimin e flokëve dhe shmangien e rënies së tyre.

Pini një gotë me lëng lakre çdo mëngjes dhe përdoreni lëngun edhe si maskë flokësh..

 Lëngu i lakrës çdo ditë

Lëngu i lakrës do të plotësojë nevojat ushqyese të trupit dhe do ju ndihmojë të humbisni në peshë, të forconi sistemin imunitar dhe të mbani sëmundjet larg.

Si të përgatisni lëngun e lakrës

Është shumë e thjeshtë për të bërë lëng të freskët lakre në shtëpi. Merrni një lakër të fortë dhe hiqni gjethet e sipërme. Lajeni mirë me ujë dhe pastaj thajeni.

Nëse ka ndonjë njollë ngjyrë kafe, prejeni zonën e dëmtuar.

Vendosni gjethet në një shtydhëse, ose në një mikser. Kullojeni dhe pijeni. Ju gjithashtu mund të shtoni gjethe mente, mjaltë dhe limon për të shtuar shije dhe aromë.

Lengu i lakres:Perdorimen surprize per shemdetin Read More »