Kulinari

Trahanaja:Tre receta tradicionale per dite te ftohta

Në ka një gatim special nga tradita shqiptare që të ngroh shpirtin e organizmin në ditët e ftohta të dimrit, padyshim është trahanaja.

Tradita e gatimit të trahanasë ndryshon sipas krahinave të ndryshme.

Disa e përgatisin trahananë të ëmbël me qumësht e gjalpë, disa të tjerë me kos, disa me lëng domatesh e të tjerë me lëng mishi.

Më poshtë tre receta tradicionale të krahinave të ndryshme por njëlloj të shijshme e fantastike, ideale për mëngjese të shëndetshme apo edhe darka gjithashtu.

Tre Receta Tradicionale Të Përgatitjes Të Trahanasë  

Trahana me Qumësht e Gjalpë

Për një kg miell, dy gota qumësht, dy lugë gjelle gjalpë, 1 lugë gjelle kripë.

Sitet mielli, të cilit i hapet një gropë në mes ku hidhet gjalpi i shkrirë, qumështi dhe kripa.

Duke filluar nga mesi e përzjejmë brumin duke mos e gatuar shumë, por të përzihet aq sa të mos thithë krejt miellin.

Brumi duhet të jetë i fortë dhe i shkrifët.

Sipër e spërkasim me miell, e mbulojmë dhe e lëmë të vijë për 2-3 ditë.

Pastaj e hapim copa copa në çarçafë të pastër, e lëmë të thahet pak e shkoqim me dorë.

E kalojmë në sitë të rrallë, e thajmë përsëri dhe e vendosim në qeska prej pëlhure (beze).

Ruhet në vende të thata dhe të freskëta.

Trahana me kos

Për 1 kg miell përdoren dy gota kos dhe një lugë e gjysmë gjelle me kos.

Procesi i përgatitjes është i njëjtë si përgatitja e trahanasë me qumësht.

Trahana me Domate

Dy gota me lëng domatesh të shtrydhura, dy lugë gjelle gjalpë, një lugë e gjysmë gjelle kripë.

Edhe kjo recetë përgatitet si trahanja me qumësht, në këtë rast në vend të qumështit hidhet lëngu idomateve.

Përgatitja e Trahanasë si Supë

(Përbërësit e Recetës më poshtë janë për 4-5 persona)

6 lugë gjelle trahana

2 lugë gjelle vaj ulliri

Djathë i thërrmuar

Gjysmë filxhan çaji me shëllirë djathi

Një litër ujë

Në një tenxhere hedhim vajin e ullirit, shtojmë trahananë dhe e skuqim lehtë.

Shtojmë ujin e vluar dhe vazhdojmë ta trazojmë me telin e kuzhinës  që të mos krijohen kokërriza.

Shtojmë djathin e thërmuarr, shëllirën dhe nëse duhet edhe pak kripë.

E lëmë të zjejë rreth 10 minuta. Serviret e ngrohtë.

Trahanaja:Tre receta tradicionale per dite te ftohta Read More »

13 ushqimet që nuk duhen ruajtur në frigorifer

Të gjithë e ruajmë ushqimin në frigorifer, por jo çdo ushqim është i përshtatshëm për t’u ruajtur në temperatura të ulta. Ka raste që i ftohti përshpejton shpërbërjen ose ndryshon shijen origjinale. Është e vërtetë se shumë produkte ushqimore duhet të ruhen në frigorifer, ndërsa ka disa ushqime të veçanta që kurrë nuk duhet të qëndrojnë në të ftohtë. Më poshtë po ju prezantojmë me një listë produktesh që nuk e “duan” ambientin e ftohtë.

Borziloku
Borziloku nuk mund të ruhet në frigorifer, sepse temperaturat e ftohta e bëjnë të thahet shpejt. Ai gjithashtu ka tendencën të thithë aromat e ushqimeve të tjera në frigorifer.

Domatet
Në qoftë se ruhen në frigorifer, domatet humbasin shijen. I ftohtii i pengon ato të piqen.

Patatet
Patatet përkeqësohen në temperatura të ulëta. I ftohti i bën ato më të pudrosura me miell; niseshteja kthehet në sheqer dhe shija e tyre ndryshon.

Buka
Buka është një nga ushqimet që shumë njerëz e mbajnë në frigorifer dhe ky është një gabim i madh. Me temperaturat e ulëta, buka “plaket” para kohe dhe humbet shije.

Frutat ekzotike
Përderisa bëhet fjalë për fruta që bëhen në klimë të ngrohtë, temperaturat e ulta të frigoriferit nuk bëjnë për to. Ananasi, avokado dhe banania nuk duhet të ruhen në frigorifer, pasi në këtë mënyrë ato dekompozohen.

Qepa dhe hudhra
Qepa dhe hudhra forcohen në frigorifer. I mbani ato në një vend të errët, të ftohtë dhe të thatë.

Pjeshka
Në më pak se 10 gradë pjeshka humb shijen dhe vetitë. Është e preferueshme të mbahet në temperaturë dhome.

Mjalti
Një tjetër gabim është të mbani mjaltin në frigorifer. Mjalti, në sajë të përbërësve dhe pH të tij, ruhet më mirë dhe më gjatë jashtë. Kur ruhet në frigorifer, priret te kristalizohet dhe të humbasë shumë nga vetitë e tij.

Vaji i ullirit
Vaji i ullirit, nëqoftëse ruhet në frigorifer, kondensohet dhe trashet, duke u bërë si gjalpë. Për më tepër, ai humbet shijen e tij origjinale. Ruajeni vajin e ullirit në një vend të ftohtë, larg nga drita.

Çokollata
Kur çokollata futet në frigorifer, në sipërfaqen e saj formohet një shtresë e bardhë, e cila i ndryshon shijen. Kafeja në frigorifer preket nga i njëjti ndryshim me atë të çokollatës.

Drithërat, makaronat, mielli dhe sheqeri
Drithërat, makaronat, mielli, sheqeri dhe ushqime të këtij lloji janë bërë për t’u ruajtur në temperaturë dhome. Nëqoftëse ju i mbani ato në temperatura të ulëta, ata do të humbasin vetitë e tyre, vitaminat, shijen dhe cilësinë.

Disa lloje të proshutës
Ka lloje të ndryshme të proshutave që në frigorifer humbasin shijen e “veçantë” që i dallon ato. Edhe pse kanë karakteristika të ngjashme me mishin, duhet të ruhen në temperaturë dhome.

13 ushqimet që nuk duhen ruajtur në frigorifer Read More »

Berthamat e hurmave te arabise me vlera te rralla mireberese

Bërthamat e hurmave të Arabisë ndihmojnë mëlçinë dhe veshkat dhe i mbrojnë ato nga toksinat.

Këto bërthama janë të dobishme edhe kundër diabetit. Ato janë të pasura me antioksidantë dhe parandalojnë dëmët e shkaktuara në ADN-në tonë, por edhe infeksionet virale.

Vlerat shëndetsore të bërthamave të hurmave të Arabisë

Diabeti

Bërthamat janë të dobishme në trajtimin e problemeve me sheqerin në gjak, diabetit dhe komplikacioneve të ngjashme.

Një studim i kohëve të fundit, tregon se bërthamat kanë potencial në mbrojtjen e organizmit ndaj komplikacioneve fillestare që shfaq diabeti, të cilat prekin mëlçinë dhe veshkat.

Veshkat dhe mëlçia

Bërthamat e hurmave të Arabisë janë të pasura me proanthocianidinë që mbron mëlçinë dhe veshkat nga dëme të ndryshme.

Një studim tjetër ka treguar se ekstrakti i bërthamave të hurmave të Arabisë mbron veshkat dhe mëlçinë nga toksinat dhe dëmet e substancave kimike të rrezikshme.

Antioksidantët

Bërthamat janë të pasura me antioksidantë, të cilët kanë aftësi shkatërrimtare ndaj radikaleve të lira.

Ato e mbrojnë organizmin ndaj dëmeve të shkaktuara nga stresi oksidues. Një studim i kohëve të fundit nxorri në pah potencialin e antioksidantëve të një proteine nga bërthamat e cila mund të përdoret për të garantuar një shëndet të mirë.

Një tjetër studim tregoi se bërthamat e hurmave arabike janë të mira kundër radikaleve të lira dhe mund të konsiderohen si një burim i mirë i antioksidantëve natyralë të dobishëm në përdorimet në mjekësi dhe kozmetikë.

Kundër virozave

Bërthamat e hurmave arabike  janë efikase kundër viruseve patogjene që sulmojnë organizmin. Ato janë të dobishme në trajtimin dhe parandalimin e shumë infeksioneve nga virozat. Studimet kanë treguar që ekstrakti i bërthamave në fjalë ka aftësinë të parandalojë shpërbërjen e qelizave si pasojë e baktereve.

Transformojini bërthamat në pluhur dhe përfitoni prej tyre

Lajini bërthamat dhe lërini të thahen plotësisht. Ato kanë nevojë për 3 ditë të thahen plotësisht në varësi të vendndodhjes suaj. Sapo të jenë tharë, grijini farat në të njëjtën mënyrë si kokrrat e kafesë.

Shurupi i bërthamave në kushtet e shtëpisë

Lajini bërthamat dhe zhytini në ujë për 24 orë. Më pas, bashkë me ujin futini në mikser.

Si t’i përdorni pluhurin dhe shurupin e bërthamave

Disa njerëz i përdorin si një shtesë për kafenë.
Shurupin e bërthamave të hurmave mund ta përzieni me ujë të vakët me limon dhe ta pini si çaj.
Shurupin mund ta përzieni me mjaltë dhe ta përdorni në vend të reçelit.
Pluhurin mund ta shtoni në lëngjet e frutave apo në ëmbëlsira.
Shurupin mund ta përfshini në sallata për më shumë vlera shëndetsore.

Berthamat e hurmave te arabise me vlera te rralla mireberese Read More »

Supe krem brokoli me djath:Per nje darke te lehte

Në Shqipëri mund të gjesh djathin e dhisë më të mirë në botë.

Me shije dhe nuanca shumë dimensionale, djathi i dhisë ka një gamë të gjërë adhuruesish dhe kundërshtarësh.

Kur vjen puna tek djathi i dhisë, njerëzit ose janë besnikë ose nuk e fusin dot në gojë, a thua se e ka fajin dhia. Nuk ka rrugë të ndërmjetme!

Njerëzit që nuk e honepsin dot djathin e dhisë, argumentojnë se aroma e tij është shumë e fortë dhe aspak ndjellëse.

Dashamirësit e djathit, duan pikërisht aromën dhe mënyrën se si ky djath kërcen në gjuhë.

Djathi i dhisë ka një profil kimik të atillë që e bën të përshtatshëm për njerëzit që vuajnë nga probleme me stomakun të shkaktuara nga qumështi i lopës apo deles dhe nënpprodukteve të tyre.

Djathi i dhisë ka më pak laktozë dhe më pak bulëza yndyre, ndaj tretet më lehtë.

Një racion me djathë dhie përmban më pak substanca të dëmshme se variantet e tjera të djathit dhe më shumë vitamina dhe minerale.

Recetat me djathë dhie janë të shumta dhe të larmishme.

Ky djathë plotëson dhe ndërvepron mirë me aroma të forta dhe shije të mprehta e të buta në të njëjtën kohë.

Ai mund të marrë një profil inferior në një pjatë me produkte të tjera ose të nxjerrë në pah superioritetin e tij nëpër sallata dhe supa.

I tillë është rasti i supës me brokoli dhe djathë dhie.

Supa Me Brokoli Dhe Djathë Dhie

Ky kombinim është thjesht fantastik dhe të bën të lëpish gishtat.

Djathi i dhisë shkrihet në supë duke formuar një shtresë kremoze, të mprehtë e aromatike që përshtatet shumë mirë me brokolin.

Kjo supë rekomandohet për njerëzit dhe fëmijët që nuk e hanë brokolin sepse djathi e maskon mjaft mirë prezencën e perimes.

Përbërësit

3 gota me lëng pule

Gjysëm gote me pana

240 gramë tufëza brokoli

300 gramë djathë dhie

1 lugë çaji me kripë

Çerek gote me bajame të grira

Përgatitja

Në një tenxhere të madhe hidhni lëngun e pulës, panën, tufëzat e brokolit dhe djathin e dhisë.

Pasi të marrin një valë, lërini të ziejnë së bashku për 10-15 minuta.

Shtoni kripën dhe hiqeni tenxheren nga zjarri.

Pasi supa të jetë ftohur pak, hidheni me një garuzhdë në një mikser për ta bërë kremoze.

Hidheni sërish në tenxhere dhe më pas servireni sipas dëshirës.

Pjatat e supës mund t’i zbukuroni me bajame të grira.

Supe krem brokoli me djath:Per nje darke te lehte Read More »

Mburoje e fuqishme per organizmin:Qumeshti me xhenxhefil

Qumështi me xhenxhefil është nga ato kura të cilat e mbrojnë organizmin nga shumë sëmundje që mund t’i kanosen atij në të njëjtën kohë.

Xhenxhefili është përdorur si mburojë e organizmit prej mijëra vitesh.

Në bashkëpunim me qumështin, xhenxhefili përçon një pije që i ka gjithë të mirat.

Përfitimet e Qumështit Me Xhenxhefil

Qumështi me xhenxhefil ofron një sërë përfitimesh për organizmin.

Ai e mban ngrohtë atë, sidomos gjatë dimrit dhe stinës së ftohtë. Për më tepër, kjo pije ndihmon njerëzit që kanë fytyrë të yndyrshme duke e mbajtur atë nën kontroll.

Mbron kundër të përzierave dhe të vjellave

Të përzierat në mëngjes shkaktohen shpesh kur prishen ekuilibrat e trupit dhe trurit. Qumështi me xhenxhefil e ndihmojnë trupin të jetë më i qetë dhe në ekuilibër. Qumështi me xhenxhefil është i dobishëm kundër të vjellave që vijnë në fazat e hershme të shtatzanisë.

Fyti i thatë

Fyti i thatë shkaktohet nga disa baktere që pushtojnë rrugët e frymëmarrjes. Në disa raste, fyti i thatë është një rezultat i të ftohurës, gripit e të tjerë. Duke konsumuar qumësht me xhenxhefil, fyti do të qetësohet shumë shpejt.

Mbrojtja e zemrës

Pirja e qumështit me xhenxhefil e mban zemrën të sigurt. Kjo pije ul kolesterolin e keq dhe shmang shfaqjen e sëmundjeve të zemrës ose goditjes së ishemisë.

Imuniteti

Qumështi me xhenxhefil rrit aftësitë mbrojtëse të sistemit imunitar që rrezikohet çdo ditë nga radikalet e lira.

Këto të fundit e sulmojnë organizmin së jashtmi dhe së brendshmi duke shkaktuar një sërë sëmundjesh vdekjeprurëse siç është kanceri, ataku në zemër, apo veshkat.

Çdo ushqim ose pije që përmban xhenxhefil, fuqizon sistemin imunitar dhe na mbron nga radikalet e lira.

Osteoporoza

Qumështi me xhenxhefil ngadalëson procesin e osteoporozës që nis në moshën 30-40 vjeçare.

Sistemi tretës

Qumështi me xhenxhefil është i dobishëm përshpejton tretjen dhe mbron njeriun nga konstipacioni.

Kjo pije mund të konsumohet edhe për të përmirësuar përpjekjet tuaja për të humbur në peshë.

Rrugët e frymëmarrjes

Xhenxhefili është një nga ushqimet me efekt më pastrues për rrugët e frymëmarrjes.

Nëse jeni prekur nga gripi apo e ftohura, duhet të konsumoni qumësht me xhenxhefil rregullisht.

Kjo pije jo vetëm do të përcjellë ngrohtësi në organizëm por edhe do t’ju pajisë me ushqyesit e duhur për të mposhtur këto simptoma.

Si Të Përgatisni Qumështin Me Xhenxhefil

Grijeni xhenxhefilin hollë dhe shtypeni fort deri sa të bëhet pluhur.

Ziejeni qumështin dhe shtoni pak sheqer kaf.

Pasi të ketë marrë valë, shtoni xhenxhefilin dhe ziejeni sërish për pak minuta.

Kullojeni sipas dëshirës dhe konsumojeni të ngrohtë.

Mburoje e fuqishme per organizmin:Qumeshti me xhenxhefil Read More »

Per nje gjume pa gerhitje:Mesoni kurat

Gërhitja është një problem që prek shumë njerëz në mbarë botën.

Zhurma e bezdisshme e gërhitjeve gjatë natës, prish gjumin e çdo personi me të cilin ndan dhomën. Gërhitja ndodh gjatë thithjes së ajrit nga rrugët e frymëmarrjes. Zakonisht gërhitja konsiderohet si çrregullim i gjumit por sipas intensitetit mund të ketë pasoja serioze mjekësore dhe sociale.

Në botë gjenden produkte të pafundme kundër gërhitjes, por shumica prej tyre nuk kanë rezultuar efikase.

Ndonëse nuk ka një kurë mrekulli-bërëse kundër gërhitjes, duhet pranuar që disa ndryshime në stilin e jetesës dhe receta tradicionale e natyrale mund të ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të saj.Më poshtë disa kura krejt natyrale kundër gërhitjes.

Mendra

Mendra lufton inflamacionin dhe enjtjen në membranat e shtresës së fytit dhe flegrat e hundës. Rrjedhimisht ajo promovon një frymëmarrje të lehtë dhe të qetë. Kurat me mendër funksionojnë mirë edhe për gërhitjen e përkohshme që shkaktohet nga alergjitë, ajri i ftohtë apo i thatë.

Vaji i ullirit

Vaji i ullirit është një anti-inflamator i fortë dhe qetëson të gjitha indet përgjatë rrugëve të frymëmarrjes duke ulur enjtjen dhe ofruar një kalim të paqtë të ajrit. Ai përdoret edhe kundër pezmatimit të rrugëve të frymëmarrjes.

Avulli

Bllokimet e hundës janë një nga shkaktarët kryesorë të gërhitjes. Një nga zgjidhjet më të mira kundër këtyre bllokimeve janë trajtimet me avull.

Kardamom

Kardamom është një produkt natyral që ndihmon në çlirimin e sekrecioneve dhe zhbllokimin e rrugëve të frymëmarrjes. Ai është efikas ndaj këtyre dy problemeve dhe rrugët e pastra të frymëmarrjes do të shkaktojnë më pak gërhitje.

Shafrani i Indisë

Ai është një antiseptik dhe antibiotik i fuqishëm. Shafrani i Indisë mund të trajtojë inflamacionin dhe pakëson gërhitjen e rëndë. Shafrani i Indisë duhet të kombinohet me qumështin për të qenë efikas kundër gërhitjes. Kjo pije do ju ndihmojë të merrni frymë lirisht ndërsa flini.

Hithra

Nëse ju gërhisni në një periudhë të caktuar të vitit, kjo mund të jetë si pasojë e një alergjie të stinës që shkakton inflamacionin e rrugëve të frymëmarrjes. Gërhitja e përkohshme trajtohet me hithra, një barishte që lufton inflamacionin dhe luan rol kundër alergjive. Nëse pini dy ose tre filxhanë me çaj hithër në ditë gjatë stinës së alergjive do të gërrhisni më pak.

Hudhra

Hudhra pakëson akumulimin e mukusit dhe lufton inflamacionin në rrugët e frymëmarrjes. Nëse gërhisni si pasojë e sinozitit, hudhra do t’ju vijë në ndihmë. Përtypni një ose dy thelbinj hudhër dhe më pas pini një gotë ujë përpara se të flini. Do të keni një gjumë të qetë dhe pa gërhitje.

Mjalti

Lufton inflamacionin dhe pakëson enjtjet dhe bllokimet në zonat e frymëmarrjes. Për më tepër, mjalti zbut fytin dhe parandalon problemet e lartpërmendura që shkaktojnë gërhitjen.

Kamomili

Vlerat anti-inflamatore të kamomilit janë të pranuara gjërësisht. Rrjedhimisht kamomili ndihmon në ndalimin e gërhitjes. Ai qetëson nervat dhe muskujt e fytit dhe ju ndihmon të flini më mirë

Per nje gjume pa gerhitje:Mesoni kurat Read More »

Mrekullia ne nje filxhan caji per te ngrohur shpirtin

Çaji është një pije e shijshme dhe e pazëvëndësueshme, sidomos në këtë mot të ftohtë virozash.

Çaji përdoret jo vetëm për të luftuar gripin, por edhe për të humbur në peshë apo për të qetësuar muskujt

Përveç cajit të malit apo çajit jeshil që mund të përgatiten vetë në shtëpi dhe ofrojnë shumë vlera shëndetsore, ka çajra të tjerë që përcjellin shije dhe shëndet të mirë.

Një prej tyre është çaji me mollë dhe kanellë, një pije e shijshme dhe ndjellëse në aromë.

Receta e mëposhtme mund të përgatitet në 15 minuta.

Çaji me mollë dhe kanellë i bërë në shtëpi, është një variant më cilësor dhe më i shëndetshëm në krahasim me alternativat që ofrohen nëpër restorante ose bare.

Ndonëse receta e mëposhtme kërkon feta të thata molle, ju mund të përdorni edhe mollë të freskëta.

Përbërësit

300 gramë feta të thara molle ose të freskëta

2 shkopinj kanelle

4 fara karafili

1 litër ujë

Mjaltë ose sheqer

Udhëzimet

Vendosini fetët e mollës, kanellën, karafilin dhe ujin në një tenxhere.

Lërini të marrin një valë dhe më pas uleni temperaturën dhe ziejini së bashku për 15 minuta.

Gjatë këtyre minutave, shtëpia juaj do të marrë një aromë të këndshme, të ëmbël dhe ndjellëse.

Pas 15 minutave, hiqeni enën nga zjarri.

Lëngun kullojeni me një kullesë dhe në të shtoni mjaltë.

Servireni në gota dhe shoqërojeni me një copë kek ose pijeni veçmas.

Vlerat e Çajit Me Mollë dhe Kanellë

Çaji me mollë dhe kanellë është i rekomandueshëm gjatë stinës së ftohtë dhe jo vetëm.

Ai ka aftësi të stabilizojë nivelin e sheqerit në gjak dhe kolesterolin.

Mollët në veçanti ndihmojnë në transportimin e oksigjenit në të gjithë organizmit sepse përmbajnë shumë vitaminë B-6.

Kanella shumëfishon rolin e kësaj vitamine nëpërmjet antioksidantëve dhe ndihmon në ushqimin qelizor.

Mollët dhe kanella përmbajnë fibër dietike e cila parandalon konstipacionin dhe mbrojnë kundër kancerit të zorrës së trashë.

Nëpërmjet përmirësimit të lëvizjes së zorrëve, sistemi tretës është më pak i ekspozuar ndaj toksinave.

Çaji me mollë dhe kanellë rekomandohet edhe për ata që kryejnë aktivitet të ngjeshur fizik.

Pirja e rregullt e këtij çaji ushqen muskujt dhe largon dhimbjet si pasojë e sforcimit fizik.

Mrekullia ne nje filxhan caji per te ngrohur shpirtin Read More »

Omlete me spinaq per nje mengjes te shijshem

Spinaq dhe Vezë – dy burimet më të fuqishme të hekurit dhe proteinave, bazike për mirëqenien e organizmit në një pjatë të vetme në vaktin më të rëndësishëm të ditës: atë të mëngjesit.

Një mënyrë fantastike për të mbajtur trupin dhe organizmin në formë, për të nisur ditën mbarë me energji dhe shëndetshëm.

Veza është një ndër produktet që mbart vlera të jashtëzakonshme ushqyese renditur në listën e 10 super-ushqimeve dhe nuk ka mëngjes më të këndshëm se vezët, sido të jenë të gatuara.

Vezët janë një burim i shkëlqyer i kompleksit të proteinave cilësore dhe nga ana tjetër ofrojnë pak kalori. Një vezë e plotë përmban 5.5 gramë proteinë dhe 68 kalori.

Spinaqi është një nga barishtet më të kërkuara dhe më të përdorura nga konsumatorët. Ai njihet për vlerat e tij ushqyese dhe është parë gjithnjë si një bimë me aftësi të jashtëzakonshme për të të kthyer energjinë, që rrit vitalitetin dhe përmirëson cilësinë e gjakut.

E para është se është i pasur me hekur, i cili luan një rol kryesor në funksionimin e qelizave të kuqe të gjakut.

Më poshtë keni një recete të thjeshtë por të pasur në vlera të omletës me spinaq dhe djathë të bardhë.

Omleta me Spinaq

Përbërësit

(Përbërësit e kësaj recete janë për dy persona, sasia përzgjidhet bazuar në numrin e personave për të cilët do gatuhet)

Dy – tre kokrra vezë

Pak qumësht

Një tas mesatar me spinaq të freskët

Djathë i bardhë i thërmuar

Vaj ulliri

Kripë

Piper

Pak hudhër (Sipas dëshirës)

Përgatitja

Pastrojmë me ujë të bollshëm spinaqin, e këpusim disa herë me dorë dhe e vendosim në një tigan mesatar të zjejë me ujin e tij për disa minuta derisa uji të avullojë.

Nga ana tjetër, vezët i rrahim në një tas bashkë me qumështin, shtojmë spinaqin e zjerë, kripën dhe piperin.

I përzjejmë të gjitha bashkë dhe i hedhim në tigan, ku kemi hedhur më parë pak vaj ulliri.

Pasi piqet njëra anë e omletës, e kthejmë nga ana tjetër.

Pasi është pjekur nga të dyja anët, e heqim dhe e kalojmë në një pjatancë ku sipër i hedhim djathë të bardhë të thërrmuar dhe sipas preferencës pak hudhër të grirë gjithashtu.

Omlete me spinaq per nje mengjes te shijshem Read More »