Kulinari

Supa me e forte se antibiotiket me qepe,hudhra,ereza

Nëse kërkoni të mposhtni virozat e stinës, mos gërmoni kot në kutinë e barnave që mbani në shtëpitë tuaja apo t’i drejtoheni farmacisë. Zgjidhjen e keni brenda në kuzhinën tuaj! Mjafton një supë me përbërësit e duhur dhe virozat do të qendrojnë larg organizmit tuaj.

Receta e mëposhtme është shumë interesante sepse kombinon dy nga përbërësit kryesorë të shëndetit të mirë: Qepë, hudhra dhe erëza. Bëhet fjalë për tre superfuqi në një pjatë të vetme.

Por si çdo e mirë, edhe kjo supë ka nevojë për shumë durim nga fillimi deri në fund.

Pavarësisht lodhjes, kjo është një nga supat më shpërblyese. Supa me qepë, hudhra e erëza është tërësisht vegjetariane.

Një tjetër përbërës interesant është djathi i shkrirë apo buka e thekur që plotësojnë panoramën e një mbrëmjeje të bukur vjeshte nën magjepsjen e një supe të shijshme.

Përbërësit

Supa:

  • Gjysëm gote me vaj ulliri
  • 6 thelpinj hudhre të shtypur
  • 1 kilogram kokrra domate të qëruara dhe të prera në copa të vogla.
  • 1 ose 2 lugë çaji me kripë deti
  • 2 lugë gjelle me vaj vegjetal
  • 1 kilogram qepë të grira hollë
  • 4 gota me verë të bardhë të thatë (opsionale)
  • Çerek gote me uthull të bardhë
  • Majdanoz, Piper dhe Dafinë

Buka e thekur/pjekur:

  • 1 lugë gjelle me vaj vegjetal
  • Një panine mesatare e prerë në copa të vogla
  • 1 lugë gjelle me gjalpë pa kripë
  • Gjysëm filxhani me djathë (për shkrirje) të grirë

Përgatitja

Në një tenxhere të madhe përzieni vajin e ullirit dhe hudhrën. Kavërdisini në zjarr mesatar dhe përziejini vazhdimisht për 2 minuta. Shtoni domatet dhe një ose dy lugët e çajit me kripë.

Rriteni temperaturën deri sa lëngu të ziejë dhe më pas uleni atë. Domatet duhet të gatuhen për 45 minuta deri sa të shpërbëhen dhe shija e saj dhe hudhrës të ndërthuren plotësisht.

Merrni një tigan të thellë dhe hidhni vajin vegjetal. Shtoni qepët dhe dy lugë gjelle me kripë. Ngrijeni temperaturën dhe përziejini vazhdimisht. Pas një minuti, uleni temperaturën dhe vendoseni kapakun dhe lëreni qepën të kavërdiset ngadalë për 20 minuta.

Kur të hiqni kapaku, avulli do të dalë dhe qepët do të kenë filluar të karamelizohen. Përzijini herë pas here deri sa qepët të marrin ngjyrën kafe. Hidhini në një tas dhe vendoseni tiganin sërish në zjarr.

Shtoni verën, uthullën, barishtet dhe erëzat. Zijini deri sa lëngu të pakësohet dhe të trashet. Shtoni gjashtë gota ujë, lërini të ziejnë sërish dhe më pas hiqeni tiganin nga zjarri.

Kullojeni lëngun dhe hidheni në tenxheren e domateve. Shtoni qepët e karamelizuara dhe dy lugë çaji me kripë. Lëreni supën të ziejë sërish për 20 minuta.

Gjatë kësaj kohe, kavërdisni copat e bukës në një tigan me skarë. Në fillim hidhni vajin dhe lëreni të ngrohet, më pas shtoni copat e bukës një e nga një. Kur të kenë marrë një ngjyrë të artë në pjesën e poshtme, kthejini nga ana tjetër.

Shtoni gjalpin dhe kavërdisini copat e bukës për 3-4 minuta deri sa të marrin një nuancë kafe. Hiqini nga tigani dhe vendosini në një pjatë.

Hidhni nga 3 copa buke në 6 pjata supe rezistente ndaj zjarrit dhe shtoni nga pak djathë. Hidheni supën në pjata dhe shtoni sërish nga pak djathë. Futini në furrë për 2-3 minuta deri sa djathi të ketë shkrirë dhe të ketë formuar bulëza.

Supa me e forte se antibiotiket me qepe,hudhra,ereza Read More »

A mund te konsumohen qepet me filiza?

Qepa është perimja që konsumohet më shumë në vendin tonë.

Qepa është pjesë e familjes botanike Allium. Kjo perime ka qenë në krah të njerëzimit prej 5000 vitesh.

Prej shumë vitesh, qepët janë përdorur për vlerat e shumta mjekësore.

Si e tillë, çdo konsumator shqiptar mund të ketë hasur të paktën një herë në jetë fenomenin e qepëve me filiza.

Sa herë që kjo ndodh, mëdyshjet janë të paevitueshme: duhet përdorur qepa që ka lëshuar filiza apo duhet hedhur në plehra ose duhet mbjellë në saksi?

Ja  përgjigjet për shumë pyetje lidhur me qepët me filiza.

A mund të hahet një qepë e tillë? 

Ndoshta. Nëse qepa ka lëshuar rrënjë dhe filiza të vegjël, ndoshta mund të jetë akoma e ngrënshme.

Disa njerëz e pëlqejnë shijen e qepës që shpohet tej për tej nga filizi i gjelbër.

Vegjetarianët adhurojnë qepë të tilla për shkak të nivelit të lartë të proteinës) ndërsa disa të tjerë shprehen se shija është shumë e hidhur.

Ndodh që filizat nuk janë gjithnjë të gjelbër. Shpesh ato janë të bardhë.

Nëse përballeni me një situatë të tillë, prijeni qepën në gjysmë dhe hiqeni filizin.

Kontrolloni nëse ka zënë myk ose ka filluar të kalbet, sidomos në rastet kur qepa ka qëndruar për më shumë se një javë.

Nëse vini re pak myk, prijeni pjesën e prekur dhe konsumojeni atë të mbetur.

Nëse qepa është e qullët hidheni menjëherë në kosh.

Qepët duhen ruajtur në një temperaturë të freskët, në të kundërt ato do të fillojnë menjëherë të lëshojnë filizat.

Këta të fundit tregojnë se qepa është thjesht e vjetër dhe jo që ajo mund të jetë e kalbur ose e prishur.

Përdorimi i filizave

Filizat e qepëve mund të hiqen dhe të përdoren në sallata dhe në supa. Filizat mund t’i hiqni duke e prerë qepën për së gjati.

Nëse ju pëlqejnë filizat, atëherë qepën vendoseni në një enë me ujë (nga ana e rrënjës) që të inkurajoni çeljen e më shumë filizave dhe përdorimit të tyre nëpër sallata.

Në rast se qepa nuk ka filiza por është e lagësht në pjesën e rrënjës, atëherë ajo ka nisur të kalbet.

Ruajtja e qepëve

Qepët mund t’i ruani në një vend të ajrosur mirë dhe larg nxehtësisë dhe dritës.

Kjo perime nuk ka nevojë të ruhet në frigorifer, përveç se në rastet kur keni blerë qepë të njomë.

Mund të zgjidhni një kosh kashte ose një rrjetë, të cilat garantojnë një qarkullim optimal ajri.

Qepët mund të qëndrojnë deri në një muaj, nëse i mbani në kushtet optimale.

Qepët e njoma kanë një jetëgjatësi më të shkurtër. Nëse i ruani në frigorifer, ato qëndrojnë për një javë.

Mos harroni të mbani qepët larg patateve sepse ato përthithin gazin dhe lagështinë e qepës dhe prishen më shpejt.

A mund te konsumohen qepet me filiza? Read More »

Pasta flora:Per te embelsuar ditet e ftohta

Pasta Flora është një ndër ëmbëlsirat më të preferuara të shqiptarëve.

E thjeshtë për t’u përgatitur, fantastike për t’u shijuar me një filxhan kafeje apo çaji në çdo kohë të ditës.

Është ëmbëlsira ideale për të pritur miqtë dhe për të ëmbëlsuar më të dashurit në familje.

Kjo ëmbëlsirë është shndëruar tashmë në një traditë të kuzhinës shqiptare.

Pasta Flora në fakt është një tartë e përbërë nga një petë brumi e shkrifët e mbushur me reçelra të ndryshëm.

Shija e kësaj ëmbëlsire është si ajo e një biskote të shkrifët të kombinuar me reçel.

Sidomos në këto ditë festash, përgatitja e kësaj ëmbëlsire do të shtonte edhe më shumë atmosferën festive duke e shijuar në familje apo mes miqsh.

Më poshtë receta tipike të përgatitjes së pastës Flora në shtëpi.

Përgatitja e Pastës Flora në Shtëpi

Përbërësit

2 gota ujë me miell

5 lugë gjelle sheqer

2 filxhanë kafeje margarinë

1 kokërr vezë

Gjysmë luge kafeje me sodë

5 lugë gjelle me kos

Një tas mesatar me reçel (lloji i reçelit zgjidhet sipas preferencës)

Përgatitja

Në një tas të madh rrahim si fillim vezën, më pas shtojmë sheqerin dhe sodën, i përzjejmë dhe shtojmë kosin.

Vijojmë përzjerjen derisa masa është bërë homogjene.

Në vijim, masën e përgatitur e shtojmë nga pak tek mielli që kemi vendosur në një tas dhe përgatisim brumin me dorë.

Pasi brumi është shndërruar në një masë të njëtrajtshme e hapim në tavolinën e punës në formën e një pete të trashë, e cila nuk duhet të jetë më e trashë se një centimetër.

Para se të hapim petën kujdesemi që mënjanë të lëmë një masë brumi më vete, të cilën do ta përdorim për shiritat që do vendosim mbi tartë.

Petën e përgatitur e vendosim në një tavë. Sipër saj shtrojmë masën e reçelit. Në fund marrim brumin që kemi lënë mënjanë, e ndajmë në shirita të hollë dhe e vendosim në formën e rombave (si në foto) mbi reçelin që kemi shtruar.

Shiritat nëse dëshironi mund t’i lyeni me vezë me ndihmën e një furçe kuzhine.

Piqet në furrë, derisa shiritat e sipërm të marrin ngjyrë të artë në të kuqërremtë përreth 40 minuta.

Pritet në pjesë dhe serviret kur është e ftohtë.

Pasta flora:Per te embelsuar ditet e ftohta Read More »

Ndjeni fryrje?Mesoni cilat produkte e shkaktojne

Perimetri i belit është padyshim një nga njësitë matëse të shëndetit tuaj.

Sigurisht, ngrënia e tre byrekëve nuk i bëjnë shumë favore belit tuaj.

Por nuk është vetëm byreku fajtori. Lajmi i ri është që as tre pjata plot brokoli nuk kanë efektin e mirë për shëndetin.

Ja pse: Ushqime të caktuara njihen si ‘marrës të frymës’.

Kjo do të thotë se ata do të rritin fryrjen e trupit dhe do të dukeni më të rëndë dhe të shëndoshë se sa jeni në të vërtetë. Kjo deklarohet nga Instituti Middleberg Nutrition në New York City.

Ja katër produktet ushqimore që sjellin fryrjen e habitshme të organizmit:

Perimet lakërishte të gjelbëra

Brokoli, lulelakra, lakra e brukselit, kale janë nga zarzavate më të bukura të kësaj stine.

Por ato janë edhe fryrësit më të mëdhenj të stomakut, në sajë të përmbajtjes së tyre të lartë të fibrave.

Ushqimi nga këto perime është shumë i nevojshëm pasi janë shumë të shëndetshme.

Një sasi ditore prej 300-400 gramë perimesh të tilla janë shumë të nevojshme, por mos ekzagjeroni t’i konsumoni pa limit.

Mjaftohuni me sasi normale të konsumit të tyre, veçanërisht në fundjavë pasi të hënave do të vini re vështirësi të hyni prapë në rrobat e zakonshme të punës.

Produktet e përpunuara të kripura sjellin fryrje

Patatinat, krakerat, ushqimet e konservuara përmbajnë sasi të mëdha të kripës.

Nga ana tjetër, pas konsumit të kripës organizmi kërkon ujë me shumicë. Sa më tepër kripë të keni marrë gjatë ditës, aq më shumë ujë do të mbajë trupi brenda vetes.

Rezultati është që do të ndjeheni të fryrë në mënyrë të pabesueshme dhe krejtësisht artificiale.

Edhe një qese e vogël me patatina kontribuon fuqishëm në fryrjen e trupit tuaj.

Pijet e sheqerosura me gaz sjellin fryrje

I keni parasysh ato flluskat që i bëjnë pijet freskuese aq tërheqëse për shijen megjithëse krejt të pashëndetshme?

Kur i gëlltitni ato flluska, në fakt po dërgoni në organizëm sasi jo të vogla ajri, që përfundojnë rrugën e tyre në stomakun tuaj.

Këto sasi ajri në stomak e ngrenë ushqimin lart dhe ngatërrojnë organizmin që kërkon edhe më tepër ushqim.

Pini ujë, por jo pije të gazuara që të mos lejoni grumbullimin e mbipeshës dhe problemeve që ajo sjell.

Sheqeri Artificial dhe Ushqimi Dietetik

Në përgjithësi, trupi juaj nuk pajtohet me produktet ushqimore artificiale. Në veçanti produktet me ëmbëlsues artificialë ju shkaktojnë fryrje të organizmit.

Produktet që përmbajnë ëmbëlsues kimikë përfshijnë çamçakëz pa sheqer, koset me shije artificiale frutash dhe një listë pafund të gjatë të tjerash.

Duhet të tregoni kujdes kur lexoni në përbërjen e produkteve që blini të substancave si sukralozë, aspartam, mjaltë industrial, glukozë misri dhe çdo produkt tjetër të panjohur në etiketa.

Kënaquni me ushqime të vërteta dhe të thjeshta.

Ajo kanë shije më të mirë dhe për sa kohë që konsumoni në moderim dhe si pjesë e një ushqimi të shëndetshme, ato nuk ndikojnë në belin dhe mbipeshën tuaj.

Ndjeni fryrje?Mesoni cilat produkte e shkaktojne Read More »

Mengjeset e shendetit : Cfare duhet te hani dhe cfare jo

Cilat ushqime të vijnë ndër mend kur mendon për mëngjesin? Zakonisht, një filxhan kos, një filxhan kafe dhe lëng i freskët portokalli plotësojnë pritshmëritë bazë për një mëngjes perfekt në dukje.

Për fat të keq, të paktë janë ata që janë të ndërgjegjshëm mbi pasojat që disa ushqime lënë në stomakun tonë kur konsumohen me të hapur sytë.

Ushqimet që nuk duhen ngrënë në mëngjes

Brumërat

Gatimet që përmbajnë maja irritojnë shtresat e stomakut dhe shkaktojnë fryrje.

Ëmbëlsirat

Sheqeri rrit nivelet e insulinës, e cil nga ana tjetër shton barrën që rëndon mbi pankreasin e sapozgjuar. Një barrë e tillë ushqimore shkakton diabet.

Kosi dhe produktet e tjera të fermentuara

Nëse konsumoni kos me stomakun bosh, veçanërisht kur është i thartë, atëherë acidi hidroklorik që formohet në stomak shkatërron bakteret e acidit laktik. Ngrënia e këtyre produkteve në mëngjes nuk është e mirë për organizmin.

Domatet

Domatet përmbajnë sasi të larta të acidit tanik që rrit aciditetin në stomak, duke shtruar rrugën e formimit të ulçerës gastrike.

Trangujt dhe perimet e tjera të gjelbra

Perimet e pa gatuara janë burime të pasura amino acidesh, megjithatë ato mund të shkaktojnë urth, fryrje dhe dhimbje sidomos kur konsumohen me stomak bosh.

Erëzat pikante

Ushqimet pikante dëmtojnë dhe irritojnë mukozën gastrike dhe rrisin prodhimin e acidit në stomak. Një gjë e tillë shkakton probleme dhe çrregullime në sistemin tretës.

Pijet e ftohta të gazuara

Pijet e gazuara dëmtojnë membranën e stomakut dhe pakësojnë furnizimet me gjak në stomak duke shkaktuar urth dhe rritur rrezikun e gastritit dhe ulçerës.

Ushqimet që duhen konsumuar në mëngjes

Tërshëra

Ajo krijon një shtresë mbrojtëse në stomak dhe parandalon çlirimin e acidit hidroklorik që është mjaft i dëmshëm për muret e stomakut. Tërshëra përmban fibër të tretshme që është mjaft e mirë për uljen e kolesterolit në organizëm.

Vezët

Shkencëtarët kanë zbuluar që ngrënia e vezëve në mëngjes jep energji dhe njëkohësisht pakëson nivelin e kalorive ditore në mënyrë të ndjeshme. Ndaj ju do të ndjeheni të lehtë gjatë gjithë ditës.

Boronicat

Studime të kohëve të fundit tregojnë se ngrënia e boronicave në mënyrë të rregullt dhe veçanërisht në mëngjes përmirëson kujtesën dhe rregullon tensionin e gjakut dhe metabolizmin.

Arrorët

Arrorët duhen ngrënë për mëngjes sepse përmirësojnë sistemin tretës dhe normalizojnë pehashin në stomak. Kujdes me sasinë.

Mjalti

Mjalti zgjon organizmin dhe i jep atij forcë dhe energji. Aktiviteti i trurit përmirësohet dhe nivelet e serotoninës, hormonit të humorit të mirë rriten.

Mengjeset e shendetit : Cfare duhet te hani dhe cfare jo Read More »

Caji i banabes mrekulli kunder pagjumesise

Të gjithë prej nesh kemi kaluar shumë ose disa netë pa gjumë, të shqetësuar për orët që kalojnë ngadalë, qetësinë vrastare dhe mendjen bredharake që nuk di të ndalojë.

Pagjumësia është e keqe dhe ushqehet nga depresioni, stresi dhe ankthi.

Pagjumësia mund të shkaktohet edhe nga disa medikamente, sidomos ato kundër dhimbjeve, ilaçet e zemrës dhe të tensionit të gjakut e të tjerë.

Këto ilaçe nxisin nevojën për të urinuar dhe ankthin.

Kura bimore kundër pagjumësisë ka shumë, por jo të gjitha funksionojnë.

Në këtë artikull  do të lexoni për një kurë ideale kundër pagjumësisë që funksionon vërtetë.

Çaji i Bananes Kundër Pagjumësisë

Kjo kurë organike bën mrekullira për gjumin.

Banania, veçanërisht lëkura e saj është e pasur me kalium dhe magnez.

Ky i fundit shmang çrregullimet e gjumit dhe relakson muskujt.

Magnezi është një nga mineralet më të mira për qetësinë e mendjes.

Çaji përgatitet në vetëm 10 minuta dhe mund të pihet çdo mbrëmje përpara gjumit.

Përbërësit e Çajit të Bananes:

1 banane

1 çajnik

1 majë luge me kanellë

Përgatitja e Çajit të Bananes:

Prijeni bishtin dhe majën e bananes dhe vendoseni me gjithë lëkurë në ujë të valuar.

Lëreni të ziejë për 10 minuta.

Përdorni një kullesë dhe hidheni çajin në një filxhan.

Nëse dëshironi mund të shtoni kanellën dhe ta pini një orë përpara gjumit.

Nëse shqetësoheni për shijjen, nuk ka arsye, sepse ky caj i ngrohtë është i shijshëm dhe çaji ka efekt qetësues.

Varësia e Rrezikshme Ndaj Ilaçeve të Gjumit

Ilaçet e gjumit ofrojnë një ndihmë të shpejtë dhe kanë efekt hipnoze dhe qetësuese.

Pavarësisht se me të marrë këtë ilaç, gjumi mund të duket i garantuar, duhet të dini se ilaçet shkaktojnë varësi , trullosje, dhe dëmtojnë sistemin qendror nervor.

E nëse nuk mjaftojnë këto, ilaçet e gjumit shkaktojnë:

Konstipacion

Marramendje

Vështirësi në përqendrim dhe probleme me kujtesën

Dhimbje stomaku

Dobësi

Lëvizje të panatyrshme gjatë gjumit

Ngadalësim të frymëmarrjes. Kjo është vdekjeprurëse dhe e rrezikshme për njerëzit që vuajnë nga azma.

Mungesa e Gjumit dhe Ndikimi në Organizëm

Kur trupi nuk pushon sa duhet (më pak se tetë orë) atëherë vuajtjet e trupit dhe organizmit janë të mëdha.

AgroWeb.org këshillon që për gjumin të pini qetësues sa më natyralë.

Caji i banabes mrekulli kunder pagjumesise Read More »

10 ushqimet më të rrezikshme për organizmin tonë

1. Hot Dogët

Sipas Akademisë së Pediatrisë së Amerikes thuhet që Hot dogs, janë një rrezik për fëmijët dhe duhet të shërbehen patjetër me një etiketë paralajmëruese për efektet e dëmshme të saj. Rreth 17% e disa sëmundjeve tek të rinjtë është konstatuar që janë shkaktuar nga hot dogët, sipas studimeve të bëra në rreth 41 shtete të botës. Akademia gjithashtu rekomandon që hot dogët të ndryshojnë përmbajtjen e tyre që të bëhen më pak të kënaqshme për shijen e të rinjve.

2. Fugu

E shërbyer në fleta të holla e bën këtë peshk një ushqim tepër luksoz. Por zorrët, vezoret dhe mëlçisë e Fugu përmbajnë një helm të quajtur tetrodotoxin, e cila është 1200 herë më vdekjeprurëse se cyanida. Helmi është aq potent saqë një peshk eshte i aftë të vrasë plot 30 njerëz. Për shkak të rrezikut të lartë, kuzhinierët duhet të kalojnë në dy deri tre vjet të trajnimit për të marrë një licencë për të përgatitur dhe gatuar këtë peshk. Kjo e çon edhe koston e një pjate Fugu në 200 $. Por kjo nuk ka ndaluar Japonezët – rreth 40 lloje te Fugu janë kapur në Japoni, dhe njerëzit konsumojnë 10.000 ton peshk çdo vit.

3. Ackee

Në Xhamajkë, fruti ackee është thikë me dy presa. Edhe pse origjinën e ka ne Ameriken Jugore ajo emigroi në Xhamajkë në 1778 dhe është frut kombetar i vendit. Nëse konsumohet në mënyrë jo të rregullt mund të çojë në disa sëmundje deri në koma dhe vdekje. Ackee i papjekur përmban një helm të quajtur hypoglycin, kështu që vjelëit duhet të kenë kujdes të lënë frytin të hapet në mënyrë të natyrshme dhe të piqet sic duhet.

4. Kikirikët

Kikirikët janë një nga arsyet kryesore sipas Akademisë së Alergjive në Amerikë, të cilat çojnë në vdekjen e shumë personave. Dhe ky numër vazhdon e rritet çdo vit në mënyrë të çuditshme dhe të pashpjegueshme. Nga 1997 në 2002, incidentet e alergjive është dyfishuar tek femijët.

5. Ushqime të Mbuluara me Barishte

Gjethe të tilla si spinaqi, marule, lakër, arugula dhe të tjera janë të listuara si ushqimet më të rrezikshme të vitit 2009 sipas Qendrës së Shkencave për interesin Publik.

6. Jo tamam e ëmbël për një ëmbelsirë

Rhubarb, perimja e njohur për rolin e saj në ëmbëlsira ka edhe ajo anën e saj negative. Ajo duhet konsumuar jo e gatuar pasi mund të lëshojë helmin e saj (oxalate). Ky helm ndodhet në pjesën e kërcellit.

7. Peshku ton

Një nga ushqimet më të popullarizuara në shkollat e mesme dhe fillore, peshku ton është shndërruar në peshkun më të konsumuar në botë. Ajo gjithashtu ka disi një reputacion të përzier. Këshillohet të mos ketë një përdorim të shumtë nga gratë shtatzane dhe fëmijet e vegjël pasi përmban shumë hekur dhe dëmton sistemin nervor të femijës së palindur.

8. Cassava

E mirënjohur tek Amerikanet si tapioca, pudingu është prodhuar nga rrënjet e kësaj shkurreje. Por e përgatitur në mënyrë jo të saktë kjo mund të prodhojë Cyanide e cila është vdekjeprurëse për tu konsumuar. Ka disa persona të cilët janë alergjikë ndaj kësaj bime dhe Shoqeria Amerikane e Kancerit paralajmëron që këta persona mund të jenë më të ndjeshëm dhe duhet të marrin në kosideratë të ndryshojnë ëmbëlsirë.

9. Kafeja

Perveç mundësisë së rritjes së rrahjeve të zemrës, njollave kafe nëpër dhëmbë, pagjumësia nuk ka tjeter mënyrë që një filxhan kafe të jetë e dëmshme për mirëqenien tuaj. Në 1992 Mac Donalds pati disa probleme me një gjyshe 79 vjece pasi ju sherbye një filxhan kafe prej 170 gradë dhe fatkeqesisht tërë filxhani ju derdh në trup duke i shkaktuar një djegje të shkallës së tretë. Gjyshes ju dha një shumë si dëmshpërblim prej 2.78 milio dollarësh. Që prej kësaj ngjarjeje uli temperaturën në të cilen shërbehej si dhe vuri etiketa me paralajmerim më të dallueshëm.

10. Kërpurdhat

U habitet? Pervec vlerave të saj të mëdha ajo gjithashtu mund të vrasë. Janë disa lloje kerpurdhash të cilat janë mjaft helmuese saqë mund të çojne në vdekje. Sikur të kishte etika parajmëruese edhe në pyll.

10 ushqimet më të rrezikshme për organizmin tonë Read More »

Majdanoz,limon,mjalte:Per shendetin e mendjes

Kur dëgjon për majdanozin, gjëja e parë që të vjen ndërmend është një supë e shëndetshme, ose një sallatë e zbukuruar me gjethet e gjelbra të kësaj barishteje.

Majdanozi mund të quhet kampion i barishteve që përdoren për shije shtesë në gatimet tona, por vlerat e tij janë shumë herë më të mëdha.

Majdanozi nuk është thjesht për zbukurim. Çaji i majdanozit është një nga mënyrat më të mira për të përfituar vlerat e jashtëzakonshme të tij, siç do ta mësoni më poshtë në këtë artikull të AgroWeb.org

Çaji i majdanozit me limon e mjaltë ul inflamacionin

Inflamacioni është nga fajtorët më të mëdhenj të sëmundjeve kronike, siç është atriti ose osteoartriti.

Majdanozi vjen në ndihmë kundër inflamacionit pasi është i pasur me vitaminë C dhe kombinuar me limonin, japin një dozë shumë të mirë të kësaj vitamine.

Trajton dëmtimet e nervave

Majdanozi është mjaft i dobishëm sa i përket dëmtimeve të nervave.

Ekspozimi ndaj substancave toksike, përfshirë metalet e rënda dhe pesticidet mund të tjetërsojnë aktivitetin normal të sistemit nervor dhe mund të shkaktojnë dëmtime në tru.

Kjo është mjaft shqetësuese, duke qenë se nervat luajnë një rol kryesor në transmetimin dhe përpunimin e informacionit në tru dhe në zona të tjera të sistemit nervor.

Lëngu i majdanozit është shumë efikas në heqjen e simptomave të neurotoksicitetit. Studimet e fundit kanë konfirmuar këtë aftësi të majdanozit.

Ndihmon në parandalimin e dëmtimit të qelizave

Kjo barishte ndihmon në luftimin e radikaleve të lira, falë pranisë së miristicinës, një përbërës që gjendet natyralisht tek majdanozi.

Kjo substancë parandalon rritjen dhe zhvillimin e qelizave të dëmtuara, veçanërisht në mushkëri.

Receta e çajit të majdanozit me limon e mjaltë

Ndiqni udhëzimet e thjeshta të AgroWeb.org për përgatitjen e çajit të majdanozit dhe përfitoni prej tij vlera fantastike shëruese.


Përbërësit:

– 4-5 tufa me majdanoz
– Gjysmë limoni
– 1 lugë çaji me mjaltë cilësor
– 3 gota ujë

Udhëzimet:

Hidhni ujë në një çajnik dhe lëreni të ziejë në zjarr të ulët. Lani dhe prisni hollë tufat e majdanozit.

Hidhini së bashku me limonin në një filxhan ose enë që duron temperaturën e nxehtë.

Më pas shtoni ujin e nxehtë dhe lërini së bashku për pesë minuta.

Më pas hiqni majdanozin dhe limonin, shtoni mjaltin dhe pini çajin plot vlera.

Majdanoz,limon,mjalte:Per shendetin e mendjes Read More »