Kulinari

Uthulla e ngrohte e molles me kanelle , pija e shijshme e mbremjes

Këto ditë të ftohta kërkojnë receta interesante që shkojnë përtej atyre që jemi mësuar të përgatisim çdo vit.

E tillë është edhe receta e uthullës së ngrohtë të mollës, e cila përgatitet shumë lehtë dhe shpejt.

Nuk e keni lexuar gabim. Me uthull molle mund të përgatitet një pije e ngrohtë, e shijshme dhe befasuese.

Për përgatitjen e saj kërkohet padyshim mollë, uthull molle, erëza aromatike siç është kanella, por edhe agrume të ndryshme.

Këto nuk janë përbërësit e vetëm të recetës, të cilën do e gjeni të zbardhur më poshtë në këtë artikull .

Përbërësit:

1 ose dy mollë

Dy lugë çaji me fara karafili

Një portokall i prerë hollë

Katër gota me uthull molle

Çerek filxhani çaji me sheqer kaf

Një lugë çaji me erëza të përziera sipas dëshirës

3 shkopinj kanelle

Udhëzimet

Prijini portokallet në feta të holla.

Mollët ndajini në gjysmë.

Në tulin e tyre dhe në pjesën e jashtme ngulni farat e karafilit

Hidhini të gjithë përbërësit në një tenxhere mesatare dhe vendoseni në zjarr.

Lëreni të marrë një valë në zjarr të ngadaltë për rreth 10 minuta.

Gjatë kësaj kohe, aromat e përbërësve do të jenë ndërthurur mirë me njëra tjetrën.

Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe shtoni rum nëse dëshironi.

Lëngun kullojeni me një napë ose kullesë dhe hiqini mollët dhe portokallët.

Lëngun mund ta hidhni nëpër gota apo filxhanë dhe të shtoni nga një shkop kanelle në secilën prej tyre.

Koha e përgatitjes së kësaj recete është 20 minuta.

Me përbërësit e lartpërmendur mund të prodhoni lëng të ngrohtë e të shijshëm për 4 deri në 8 persona.

Kjo recetë ofron 229 kalori dhe shumë vitaminë C, përkatësisht 27 përqind.

Vitamina C është shumë e dobishme sidomos në këto ditë të ftohta, ndaj duhet të konsumoni sa më shumë ushqime dhe pije të pasura me këtë vitaminë.

AgroWeb.org ju këshillon që gjithsesi të mos e teproni me sasinë e kësaj pije, pra mund të pini një gotë në ditë.

Uthulla e ngrohte e molles me kanelle , pija e shijshme e mbremjes Read More »

Caj apo kafe ? Cila eshte e keqja e shendetit

Për shumë njerëz, kafeja është një pije ekzaltuese.

Ajo arrin të ndezë trupin dhe të largojë lodhjen, dhimbjen e kokës dhe plogështinë.

Pavarësisht kësaj, kafeja mund të krijojë varësi dhe të shoqërohet me nervozizëm dhe të dridhura.

Një gjë e tillë, i shtyn njerëzit të zgjedhin çajin, një alternativë më e butë për organizmin.

Për më tepër, çaji ka fituar reputacionin e të qenurit një pije shumë e shëndetshme.

 

Përfitimet

Kafeja dhe çaji kanë avantazhe dhe disavantazhe.

Studimet për të dyja janë kontradiktore, ndonëse disa prej tyre pohojnë se kafeja ka aftësinë të ulë predispozitën e shfaqjes së sklerozës, Alzheimerit apo të diabetit.

Kafeja ka përmbajtje më të lartë të kafeinës dhe stimulantët e saj ndihmojnë njerëzit që vuajnë nga azma të qetësohen.

Kafeina pakëson migrenën dhe rekomandohet të pihet pasi e keni tepruar me alkolin.

Shkencëtarët e Harvardit që kanë analizuar rolin e kafesë në shëndet thonë se ajo nuk shkakton probleme shëndetsore, por nuk ka ndonjë përfitim të mirëfilltë.

Çaji është i pasur me antioksidantë dhe substanca që luftojnë qelizat e dëmshme.

Të dhënat  konfirmojnë se këto antioksidantë luajnë rol në parandalimin e shfaqjes së tumorëve por jo në uljen e rrezikut të këtyre sëmundjeve.

Megjithatë çaji është konsideruar gjithnjë një pije mjekësorë dhe terapeutike.

Çaji i zi, i bardhë dhe jeshil përmbajnë polifenolë që ofrojnë shumë përfitime shëndetsore.

Këto çajra dhe jo ato të ftohtë e të konservuar janë të pasur me polifenolë që mbrojnë qelizat nga dëmet e radikaleve të lira.

Rreziqet

Nëse e teproni me çajin ose kafenë do të përballeni me më shumë ankth, takikardi, çrregullime të rrahjeve të zemrës, pagjumësi, parehati dhe të përziera.

Sasitë e mëdha të kafesë pa filtër rrisin nivelet e kolesterolit të keq.

Çaji mund të përmbajë edhe floride, një substancë që u rrit rrezikun e frakturave të kockave.

Disa çajra me bustinë me origjinë nga Kina, India apo Sri Lanka përmbajnë alumin dhe plumb që janë shumë të rrezikshme.

Rrjedhimisht, origjina e produktit ka shumë rëndësi.

Armiku

Sipas studimit ka një tjetër armik më të fortë. Duhet të hiqni dorë nga sheqeri dhe kremërat e ndryshëm dhe mos u shqetësoni se cila pije është më e mira.

Të dyja janë të mira nëse nuk e teprioni.

Shqetësimi kryesor duhet të jetë sheqeri.

Ai është armiku i vërtetë e i fshehur në garën mes kafesë dhe çajit të cilat nuk i kanë bërë keq askujt që kur u shfaqën në jetën e njeriut mijëra vite më parë.

Caj apo kafe ? Cila eshte e keqja e shendetit Read More »

Ana “e errët” e panxharit

Panxhari është një nga bimët që na pëlqen jashtë mase t’a konsumojmë sidomos gjatë stinës së ftohtë. Parandalon patologjitë kardiovaskulare dhe venat varikoze, përveçse garanton rregullimin e presionit të gjakut dhe ka një ndërveprim antinflamator të fuqishëm.

Falë indeksit të ulët glicemik, panxhari ndihmon në humbjen e peshës, sidomos nëse konsumohet i pa gatuar dhe favorizon drenazhimin e toksinave dhe tepricës së lëngjeve.

Por kjo bimë ndikon për keq tek ata që vuajnë nga gastriti, pasi stimulon prodhimin e lëngjeve gastrite si dhe atyre që luftojnë çdo ditë kundër diabetit, pasi panxhari përmban jo pak sheqer. Gjithashtu prezenca e kalciumit e bën panaxharin një produkt të natyrës me të cilin duhet të kenë kujdes personat që kanë problem me gurët në veshka.

Ndërkohë panxharët janë shumë të këshillueshme për gratë shtatzëna për meritë të hekurit dhe acidit folik të cilët i kanë me shumicë dhe që ndihmojnë në zhvillimin e mirë të fetusit.

Ana “e errët” e panxharit Read More »

Kura me karrote dhe mjalte:Me e mira kunder kolles

Kolla është një mekanizëm që trupi e vë në punë për të eliminuar çdo substancë të huaj që akumulohet në rrugët e frymëmarrjes dhe në mushkëri.

Por nëse kolla përsëritet gjithnjë e më shpesh, atëherë ajo shkakton dhimbje, irritim në fyt dhe pagjumësi.

Trajtimet kundër kollës janë të panumërta por shumë prej tyre kanë aftësi qetësuese dhe jo shëruese ndaj viruseve dhe baktereve që e shkaktojnë atë.

Në këtë artikull  do të mësoni për një kurë natyrale me karrotë që shëron kollën, shkatërron bakteret dhe forcon sistemin mbrojtës të organizmit për tu përballur me të.

Kura Me Karrotë Dhe Mjaltë Kundër Kollës

Sekreti i kësaj kure qëndron tek kombinimi i këtyre dy përbërësve të vyer të kuzhinës.

Si karrota, ashtu edhe mjalti janë shumë të suksesshëm në mjekësinë popullore.

Ato kanë aftësinë të forcojnë sistemin mbrojtës të organizmit kundër të ftohurës, gripit dhe sëmundjeve respiratore që shkaktojnë kollën.

Karrota dhe mjalti ndihmojnë organizmin të largojë më shpejt sekrecionet dhe të qetësojë rrugët e frymëmarrjes.

Karrota është e pasur me antioksidantë që parandalojnë dëmtimin e qelizave dhe ushqejnë mushkëritë.

Karrota përmban shumë vitaminë A, B, C, K, hekur, kalium, magnez dhe fosfor.

Po ashtu, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka cilësuar mjaltin si një prej ushqimeve më të mira kundër kollës dhe të ftohurës.

Ai qetëson fytin dhe përmirëson mekanizmat mbrojtës të organizmit.

Mjalti përmban antioksidantë dhe luftojnë mikrobet dhe patogjenët që pushtojnë rrugët e frymëmarrjes.

Sheqernat natyralë tek mjalti janë një burim energjie për trupin dhe metabolizmin.

Nga pikpamja ushqimore, mjalti përmban acide organike, vitaminat B dhe C, minerale si magnezi ,fosfori, kalçiumi e të tjerë.

Mjalti përmban edhe enzima, flavonoidë dhe polifenolë.

Si Ta Përgatisni Kurën Me Mjaltë dhe Karrotë

Kjo pije mund të përgatitet shumë lehtë në shtëpi dhe është e përshtatshme si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit.

Përbërësit:

500 gramë karrota

100-150 gramë mjaltë (rreth 6 lugë gjelle)

Përgatitja:

Lajini karrotat dhe pritini në copa të vogla.

Vendosini në një tenxhere me ujë dhe ziejini deri sa të zbuten.

Më pas futini në një mikser bashkë me mjaltin.

Masën e trashë hidheni në një kavanoz dhe konsumojeni sapo të vëreni shenjat e para të kollës.

Ju mund të konsumoni deri në katër lugë gjelle gjatë ditës.

Dozën e parë mund ta merrni menjëherë në mëngjes dhe të tjerat gjatë vakteve.

Nëse kolla vazhdon edhe natën, mund të merrni një lugë tjetër për qetësim.

Efekti i kurës ndihet në ditën e dytë, megjithatë ju duhet të vazhdoni ta merrni kurën deri sa kolla të jetë larguar plotësisht.

Nëse kolla vazhdon për më shumë se një javë, atëherë duhet të konsultoheni menjëherë me një mjek.

Kura me karrote dhe mjalte:Me e mira kunder kolles Read More »

Pufka me sherbet nga Tradita e embel Shqiptare.Sa te mira…

Pufkat me sherbet janë një ëmbëlsirë tradicionale shqiptare, fantastike për të ëmbëlsuar familjen e më të dashurit, por edhe për t’u servirur si gosti ndaj miqve.

Receta e përgatitjes së tyre është trashëguar brez pas brezi nga amvisat shqiptare, ndërsa sot gjendet në çdo pastçeri të vendit.

Receta për Pufka me sherbet është mjaftë e thjeshtë dhe nuk kërkon shumë mundim por shija delikate e tyre pasi janë përgatitur të përfshin tërësisht me ëmbëlsinë e saj.

Më poshtë  keni përgatitjen e pufkave krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e pufkave në Shtëpi

Përbërësit

4 filxhan kafeje me niseshte

4 kokërr vezë

4 filxhan kafe me qumësht pluhur

1 lugë e vogël kafeje me sobë buke

Për Sherbetin

1/2 -1 kg sheqer

1 litër ujë

Disa karafila

Përgatitja  

Si fillim rrahim vezët. Më pas, në një tas shtojmë qumështin pluhur, vezën e rrahur dhe niseshtenë.

I përzjejmë mirë derisa masa e brumit të bëhet e njëtrajtshme. Brumi duhet të jetë i hollë.

Shtrojmë një letër pjekjeje në një tavë dhe përmes një luge vendosim masën e brumit si toptha të vegjël një e nga një me rradhë në tavë.

Kujdesemi që sa herë të marrim brumin me lugë, lugën më parë ta fusim në një gotë me ujë në mënyrë që brumi të mos ngjitet pas lugës.

E fusim tavën me pufkat në furrën e parangrohur me 180 gradë. I lëmë të piqen për 15 minuta. Më pas i nxjerrim nga furra dhe i lëmë të ftohen.

Ndërkohë përgatisim sherbetin. Hedhim në një tenxhere, ujin, sheqerin dhe karafilat, nëse dëshironi mund të shtoni edhe pak vanilje.

Pasi sherbeti është gati shtojmë në të pufkat derisa të përthithin sherbetin nga të dyja anët dhe më pas i vendosim në një pjatancë.

Nëse dëshironi sipër mund t’u shtoni arra ose bajame të thërrmuara imët, ose lëkura portokalli apo limoni të grira shumë hollë.

Gjithashtu sipas dëshirës, pufkave mund t’u hidhni sipër edhe pak kanellë në momentin kur i servirni.

Pufka me sherbet nga Tradita e embel Shqiptare.Sa te mira… Read More »

Urthi:Ushqimet e demshme dhe me te mirat.Ja cilat jane

Njerëzit po vuajnë gjithnjë e më shumë nga aciditeti i lartë në stomak ose urthi.

Urthi është një çrregullim tretës që prek stomakun dhe ezofagun.

Ndjesia e djegies është e dhimbshme dhe e parehatshme.

Kjo sëmundje shoqërohet nga simptoma të tjera që përfshijnë fryrjen, të vjellat, të përzierat, lemza, rënie në peshë, kollë e thatë dhe tharje e fytit.

Urthi kërkon një disiplinë të fortë në regjimin ushqimor.

Disa ushqime e nxisin atë dhe disa të tjera i zbusin simptomat.

Nëse vuani nga urthi atëherë duhet të shmangni domatet, djathin, kafenë, qumështin, të skuqurat, agrumet, çokollatën, ushqimet pikante, pijet e gazuara dhe sheqerin e rafinuar.

Lajmi i mirë është se disa ushqime të caktuara zbusin simptomat e urthit dhe janë ideale për shëndetin tuaj.

Selinoja

Kjo barishte arrin të neutralizojë aciditetin në stomak.

Ajo është e pasur me proteina dhe antioksidantë që mbrojnë shtresat e stomakut dhe ulin rrezikun e ulçerës në këtë organ.

Mund ta konsumoni në sallata ose lëng bashkë me mollë.

Tërshëra

Ushqimet e pasura me fibër ulin rrezikun e simptomave të aciditetit të stomakut.

Këto ushqime, siç është tërshëra dhe drithërat e plota duhen konsumuar rregullisht për të parandaluar urthin.

Xhenxhefili

Ky zhardhok është i pasur me substanca që luftojnë inflamacionin dhe fuqizojnë imunitetin.

Xhenxhefili ul prodhimtarinë e aciditetit në stomak.

Xhenxhefilin mund ta konsumoni si çaj ose ta përfshini në gatime.

Shafrani 

Kjo erëz është plot me antioksidantë aktivë që luftojnë kancerin dhe bakteret.

Studimet kanë konfirmuar se këto antioksidantë luftojnë dhe parandalojnë inflamacionin në ezofag.

Shafranin e gjeni në supermarkete.

Salmoni 

Salmoni është një burim i shkëlqyer i astaksanthinës.

Ky antioksidant, bashkë me të tjerët munden të pakësojnë ndjeshëm simptomat e urthit.

Salmoni shkatërron bakteret që shkaktojnë ulçerën në stomak.

Salmoni i egër në veçanti përmban pak yndyrë dhe rekomandohet të konsumohet rregullisht nga njerëzit që vuajnë nga urthi.

Urthi:Ushqimet e demshme dhe me te mirat.Ja cilat jane Read More »

Molle te pjekura ne furre me arra dhe kanelle

Mollët janë mbretëreshat e çdo stine. Të kuqe flakë plot lëng, të gjelbra pak të athëta, apo të verdha të ëmbla ato na tërheqin përherë me shijen e tyre fantastike.

Të gatuara në receta të ndryshme ëmbëlsirash, ato përherë mbëten ndër frutat më të preferuara të recetave të amvisave shqiptare.

Janë të njohura tashmë recetat e shijshme të marmalatës së mollës, reçelrave të ndryshëm, kekëve me mollë apo shurupit të tyre.

Por një recetë krejt unike, e thjeshtë  në përgatitje e shumë e shijshme që të kënaq oreksin dhe nepsin janë mollët e pjekura në furrë.

Të kombinuara me arra, kanellë e mjaltë apo edhe me të tjerë përbërës si karafila a fruta të thatë, shija e përftuar nga kjo recetë është perfekte, mbresëlënse.

Kjo recetë është fantastike për të mbyllur vaktet e drekës apo darkës por sigurisht është po aq fantastike për t’u shijuar në çdo kohë të ditës duke dhuruar një ëmbëlsi të lehtë, natyrale.

Më poshtë do të gjeni recetën  për përgatitjen e mollëve të pjekura në furrë.

Mollët e Pjekura në Shtëpi

Përbërësit

(Sasia e mollëve përzgjidhet në bazë të numrit të personave në familje)

Mollë

Mjaltë

Arra

Pak sheqer

Kanellë, fruta të thata ose karafila (Sipas dëshirës)

Përgatitja – Shpejt dhe Lehtë

Pastrojini mirë mollët me ujë të bollshëm dhe thajini me një pecetë kuzhine.

Më pas, prisni pjesën e sipërme të mollës dhe me ndihmën e një luge largoni farat.

Më pas, secilën prej mollëve lyejeni me pak sheqer nga të gjitha anët dhe tek pjesa e brendshme që kemi hapur hedhim disa arra të thërmuara me mjaltë.

Vendosini me radhë në një tavë ku kemi shtruar më parë letër pjekjeje.

I pjekim në furrë me temperaturë 200 gradë përreth 30 minuta.

Pasi mollët të jenë karamelizuar i heqim nga furra.

Sipas preferences mund t’i spërkasim me pak pluhur kanellë ose fruta të thata apo disa karafila.

Kjo ëmbëlsirë shërbehet e ngrohtë por edhe ftohtë me akullore ose kekë të ndryshëm.

Molle te pjekura ne furre me arra dhe kanelle Read More »

Petulla me kos dhe hudher

Nëse ka një kërkesë drejt nënave apo gjysheve për të gatuar diçka të mirë e të shijshme, padyshim në krye të listës së gatimeve shqiptare janë petullat.

Tradita e hershme e gjysheve dhe nënave përsëritet brez pas brezi. Receta e petullave pavarësisht se pasurohet me përbërës të tjerë ajo mbetet përherë e gjithmonë më e preferuara.

Të shijshme, me sipërfaqen pakëz krokante dhe të buta nga brenda, nga fëmijëria e në çdo moshë ato tërheqin shijen e kujtdo.

Më poshtë  keni përgatitjen e petullave të shtëpisë të futura në kos dhe hudhër, një recetë fantastike për ta përgatitur në familje në çdo kohë.

Receta e Shijshme e Përgatitjes së Petullave të Shtëpisë

2 gota uji me miell

1 gotë uji me kos

1 kokërr vezë

Gjysmë luge kafeje me sodë

Vaj

Pak kripë

Pak nenexhik i freskët i grirë hollë

Pak gjalpë (një lugë të vogël)

Përgatitja e petullave

Në një tas të madh hedhim vezën, kosin, kripën, nenexhikun dhe pak gjalpë.

I rrahim fortë të gjithë përbërësit dhe më pas hedhim miellin dhe sodën.

Vijojmë t’i rrahim fortë derisa masa e brumit të jetë e njëtrajtshme.

Brumi duhet të jetë gjysmë i trashë dhe elastik.

Hedhim vajin në një tigan, të cilin e vendosim në zjarr.

Kur vaji të jetë nxehur nisim të skuqim petullat.

Mund të përdorim një lugë gjelle për ndarjen e brumit për çdo petull.

Duhet të kujdesemi që largësia nga njëra tjetra duhet të jetë deri në 3 apo 4 cm sepse gjatë skuqjes brumi hapet.

Petullat skuqen nga njëra anë dhe pastaj kthehen nga ana tjetër.

Përgatitja e kosit me hudhra

Për një person merret një gotë kos, hollohet me pak ujë, i shtohet pak kripë, një thelpi hudhër e shtypur, përzihen pak dhe në të shtohet disa petulla, sipër sipas preferencës mund ta spërkasni me pak gjalpë të shkrirë ose vaj ulliri.

Petulla me kos dhe hudher Read More »