Kulinari

Buka me ullinj,kryevepra e shijes.Si ta beni vete

Kjo është receta fantastike e bukës së përgatitur në shtëpi me ullinj, erëza e hudhër.

Një shije mahnitëse që shoqëron e i shton lezetin çdo gatimi po aq sa të kënaq nepsin e oreksin duke e ngrënë edhe thjeshtë pa asnjë ushqim tjetër shtesë.

E ngrohtë, pak krokante nga jashtë dhe e butë brenda, buka me ullinj është ndër gatimet më të shijshme për të shoqëruar të gjitha vaktet, sidomos drekën e darkën.

Ata që kanë provuar të pjekin bukë në shtëpi, nuk kanë hequr më dorë prej saj.

Recetat e bukës së bërë në shtëpi janë të shumta dhe tepër të shijshme.

 

Buka e Pjekur me Ullinj

Buka me ullinj të zinj është një recetë tipike mesdhetare.

Ajo është shumë e shijshme, sidomos për ata që preferojnë ullinjtë.

Kjo recetë është shumë e thjeshtë dhe ka nevojë për pak përbërës.

Përbërësit:

3 filxhanë me miell gruri

2 lugë çaji me maja buke

Kripë

Pak sheqer

Një lugë e gjysëm çaji me hudhër pluhur

1 lugë çaji me erëza (piper, rigon, rozmarinë)

Gjysëm filxhani me ullinj

3 lugë gjelle me vaj ulliri

1 filxhan e gjysëm me ujë të ngrohtë

1 lugë gjelle me miell misri.

Udhëzimet

Në një enë të madhe përzieni miellin, majanë, sheqerin, kripën, hudhrën, erëzat, ullinjtë e zinj, vajin e ullirit dhe ujin.

Përziejini mirë dhe më pas transferojeni brumin në një sipërfaqe të sheshtë.

Punojeni brumin me duar për 5-10 minuta dhe lëreni të vijë për 45 minuta deri sa të dyfishohet në masë.

Pasi të ketë ardhur brumi, punojeni sërish për 5 deri në 10 minuta dhe lëreni sërish të vijë për 30 minuta të tjera.

Më pas, punojeni sërish dhe jepini brumit një formë rrumbullake.

Mbështilleni me një napë të lyer me miell dhe dhe lëreni sërish të vijë për 30 minuta të tjera.

Teksa brumi fryhet për të tretën herë, ndizeni furrën dhe në të vendosni një tenxhere të vogël me ujë.

Merrni një tepsi dhe lyejeni lehtas me vaj ulliri dhe me miell misri.

Jepini brumit formën e preferuar dhe futeni në furrë.

AgroWeb.org u sugjeron ta piqni për 15 minuta në temperaturë prej 250 gradësh dhe më pas 30 minuta të tjera në temperaturë 180 gradësh deri sa të piqet plotësisht.

Buka me ullinj,kryevepra e shijes.Si ta beni vete Read More »

Farat e mandarines : Pse cmohen nga mjekesia popullore

Mandarinat janë ndër agrumet më të preferuara në vendin tonë, madje edhe prodhimtaria është e lartë.

Ato konsiderohen një thesar vlerash, sepse ofrojnë shumë vitaminë C, folat dhe beta karoten.

Për më tepër, konsumi i mandarinave ndihmon në parandalimin e diabetit, ishemisë e shumë sëmundjeve të tjera.

Përveç frutit dhe lëkurës, farat e kësaj agrumeje konsiderohen të shkëlqyera për shëndetin.

Farat e Mandarinave dhe vlerat potenciale

Antioksidantët

Mandarinat dhe farat e tyre përmbajnë shumë antioksidantë, të cilat ju mbrojnë kundër radikaleve të lira.

Këto të fundit prodhohen nga trupi si kundërpërgjigje e ndotjes, radiacionit, tymit të duhanit, etj.

Radikalet e lira dëmtojnë qelizat dhe i çelin rrugën një sërë sëmundjesh.

Polifenolët

Polifenolët janë antioksidantë të fuqishëm.

Studimet shkencore për sasinë e polifenolëve në agrumet dhe farat e tyre kanë treguar se mandarinat dhe farat e tyre kanë sasinë më të madhe të polifenolëve në krahasim me agrumet e tjera.

Limonoidët

Limonoidët janë përbërës që gjenden tek farat, lëkura dhe fruti.

Këto substance pengojnë formimin e qelizave kancerogjene.

Limonoidët tek farat ulin edhe kolesterolin e keq.

Farat e Mandarinave në Mjekësinë Popullore 

Ekspertët e mjekësisë tradicionale përdorin farat e thata të mandarinës për të rregulluar energjinë trupore dhe larguar dhimbjet e organizmit.

Ata shprehen se farat e thata përdoren dhe janë efikase kundër hernies diskale.

Mjekët popullorë përdorin zakonisht fara të thata e të bluara.

Niveli i Toksinave tek Farat e Mandarinave

Megjithatë në shumë vende, farat e mandarinës nuk kanë gjetur përdorim të njëjtë dhe mjekët kanë rekomanduar kujdes.

Në vendet perëndimore, shkencëtarët besojnë se farat e agrumeve siç janë portokallet, qitro, limonët, limonët jeshilë dhe mandarinat përmbajnë sasi të vogla toksinash.

Megjithatë farat e një fruti të vetëm nuk përmbajnë mjaftueshëm toksina sa të shkaktojnë dëm në organizëm.

Farat e mandarines : Pse cmohen nga mjekesia popullore Read More »

Supe krem me bizele : Shije e lehte plot shendet

Bizelet janë ndër perimet e para që njeriu ka kultivuar në tokë. Kjo besohet të ketë ndodhur mijëra vite më parë.

Asokohe, njerëzit i konsumonin bizelet të thata, deri sa arritën në konkluzionin se kokrrat e gjelbra mund të haheshin edhe të freskëta.

Jo më kot, bizelet konsiderohen si një prej ushqimeve më të shëndetshme në botë. Recetat për gatimin e bizeleve janë të larmishme.

Një prej këtyre recetave është ajo e supës kremoze e cila është ideale për këtë stinë gripi dhe virozash.

Përgatitja e Supës Krem me Bizele

Përbërësit

Një lugë gjelle me vaj ulliri

Një qepë të madhe të grirë hollë

2 filxhanë me lëng pule ose perimesh pa kripë

Gjysëm luge çaji me kripë

Piper të Zi

300 gramë bizele

4 lugë çaji me kos

1 patate mesatare

Përgatitja

Merrni një tenxhere të madhe dhe vendoseni në zjarr. Shtoni vajin e ullirit dhe më pas qepët.

Kavërdisini në zjarr mesatar për pesë minuta. Shtoni patatet, lëngun e pulës ose të perimeve, kripën dhe piperin.

Lërini të ziejnë deri sa patatet të jenë zbutur tërësisht. Më pas shtoni bizelet dhe lërini të ziejnë për 5-7 minuta.

Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni të ftohet pak. Më pas transferojeni supën në një mikser.

Nëse keni mikser të madh mund ta përpunoni në një herë të vetme. Nëse mikseri është i vogël, përpunimin mund ta bëni në dy herë.

Pasi supa të jetë bërë tërësisht kremoze, hidheni sërish në tenxhere. Lëreni të marrë një valë dhe shtoni kosin.

Patatja dhe kosi i japin supës trashësinë e duhur. Sipas preferencës mund të shtoni sërish pak piper, majdanoz dhe lëng limoni.

Nëse bizelet zihen së bashku me qepën dhe kanellën, mund të transformohen në një shije edhe më të veçantë.

Vlerat Ushqyese Të Bizeleve 

Bizelet janë një burim i shkëlqyer i vitaminës K, manganit, fibrës dietike, vitaminës B1, bakrit, vitaminës C, fosforit dhe folatit.

Kokrrat e gjelbra përmbajnë gjithashtu vitaminë B6, niacinë, vitaminë B2, zink, proteinë, magnez, hekur dhe kalium.

Bizelet e ushqejnë sistemin imunitar me vitamina.

Një filxhan me bizele të njoma përmban 58 miligramë vitaminë C, duke plotësuar 65% të dozës ditore të nevojshme për meshkujt dhe 77 përqind për femrat.

Kjo do të thotë se një racion me bizele përmban të njëjtën sasi të vitaminës C që merren tek dy mollë dhe më shumë fibër se një fetë buke integrale.

Supe krem me bizele : Shije e lehte plot shendet Read More »

Limontozi : Perdorimet fantastike per organizmin dhe shtepine

Acidi citrik ose siç e njohim rëndom limontozi është një substancë e nevojshme që gjendet tek shumë fruta si limonët, portokallet, qitro, kivi, mollët, luleshtrydhet, dardhat, qershitë, mandarinat.

Këtë substancë e gjejmë edhe tek patatet, bizelet, kërpudhat, shpargu dhe domatet.

Acidi citrik përdoret edhe për të ruajtur jetëgjatësinë e një produkti farmaceutik apo pijeve.

Ai përdoret për t’u dhënë aromë ushqimeve apo për të pastruar shtëpinë.

Acidin citrik ose limontozin mund ta blini në formën e pluhurit.

Deri në vitet 1900, Italia njihet si prodhuesi më i madh i limontozit duke plotësuar plot 90% të prodhimit global.

Vlerat Ushqimore të Limontozit

Acidi citrik ka natyrë alkaline dhe ekuilibron nivelet e acidit në organizëm.

Ai shërben si antioksidant ndaj është miqësor me lëkurën.

Në aplikimet në lëkurë, kjo substancë largon qelizat e vdekura dhe e mban atë të butë.

Acidi citrik gjendet edhe në organizëm dhe është i rëndësishëm në prodhimin e energjisë.

Sasitë e prodhuara në trupin tonë janë minimale ndaj është e nevojshme që këtë acid ta marrim nëpërmjet ushqimeve.

Përdorimet e Limontozit Pluhur

Acidin citrik në formën e pluhurit mund ta përdorni për përgatitjen e pijeve dhe ëmbëlsirave me aromë agrumesh.

Mund ta përdorni për të larë enët ose për të pastruar banjën.

Acidi citrik është ideal për shëndetin e këmbëve dhe kundër erës së keqe të tyre.

Përdoreni bashkë me sodën e bukës dhe bëni banjë të ngrohtë për këmbët dy herë në ditë.

Acidi citrik përmirëson shëndetin e veshkave duke parandaluar formimin e gurëve.

Si antioksidant ai largon radikalet e lira, përgjegjëse për zhvillimin e qelizave kancerogjene.

Acidi citrik mund të përdoret edhe si gargarë për të zbutur fytin.

Maskat e Fytyrës me Limontoz

Pluhurin në fjalë mund ta përdorni në sasi të vogla për të shpërlarë gojën ose në maska shtëpie për pastrimin dhe ushqimin e lëkurës.

Ai është ideal kundër njollave të akneve, rrudhave dhe shenjave të moshës.

Maska kundër qelizave të vdekura

Një nga maskat më të mira përfshin përzierjen e çerek gote me ujë, çerek gote me qumësht pa yndyrë, dhe dy lugëve me limontoz pluhur.

Pastën e formuar vendoseni në lëkurë dhe mbajeni për 15 minuta.

Maska kundër plakjes

Përzieni pak kos, mjaltë, një kapsulë me vitaminë E dhe një lugë çaji me acid citrik.

Vendoseni maskën në lëkurë dhe shpërlajeni pas 15 minutash.

Efektet anësore

Konsumi i tepërt i acidit citrik mund të jetë i dëmshëm.

Ai mund të shkaktojë dhimbje abdominale, të vjella, mungesë oreksi, marramendje, diare dhe rënie të tensionit të gjakut.

Njerëzit që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe gratë shtatzënë duhet ta shmangin këtë produkt sepse përthith mineralet e nevojshme.

Limontozi : Perdorimet fantastike per organizmin dhe shtepine Read More »

Buke me veze : Shija unike e nje mengjesi te shendetshem

Bukët me vezë janë tradita më e njohur e kuzhinës shqiptare, sidomos mëngjeseve kur nënat shpejtonin përherë t’i përgatisnin për të vegjël e të rritur para se të niseshin në shkollë a në punë.

Ashtu si dikur edhe sot buka me vezë mbetet ideale për një mëngjes të shëndetshëm plot shije që të kënaq nepsin e oreksin dhe të dhuron ndijesinë e nisjes së ditës mbarë.

Më poshtë keni recetën e dashur nga të gjithë, atë të përgatitjes së bukëve me vezë lehtë dhe krejt shpejtë në shtëpi.

Përgatitja e Bukëve Me Vezë

Përbërësit

(Sasia e përbërësve përzgjidhet sipas preferencës në bazë të numrit të personave për të cilët do gatuhet)

Vezë

Pak qumësht

Kripë

Piper

Gjalpë të freskët ose vaj ulliri (Për një gatim sa më të shëndetshëm AgroWeb.org rekomandon përdorimin e vajit të ullirit)

Përgatitja

Në një tas hedhim vezët, pak qumësht, kripë dhe piper dhe nisim i rrahim fortë derisa masa të jetë bërë e njëtrajtshme.

Nëse dëshironi për më shumë shije para se të nisni të rrihni vezët mund të shtoni edhe pak djathë të bardhë të thërrmuar.

Vendosni një tigan në zjarr, hidhni gjalpë ose vaj ulliri sipas preferencës.

Më pas, lyeni fetat e bukës një e nga e një nga të dyja anët me masën e vezës dhe skuqini në tigan.

Bukët me vezë shërbehen të ngrohta dhe janë fantastike për nisjen e ditës shëndetshëm .

Vlerat Ushqyese

Veza është një ndër produktet që mbart vlera të jashtëzakonshme ushqyese. Renditur në listën e 10 super-ushqimeve. Nuk ka mëngjes më të këndshëm se vezët, sido të jenë të gatuara.

Vezët janë një burim i shkëlqyer i kompleksit të proteinave cilësore dhe nga ana tjetër ofrojnë pak kalori. Një vezë e plotë përmban 5.5 gramë proteinë dhe 68 kalori.

Nga ana tjetër qepët e njoma padyshim nuk duhet të mungojnë asnjëherë në tryezë, sidomos kur ato janë të stinës.

Këto perime jo vetëm që i japin ushqimeve shumë shije, por janë të mbushura me vitamina dhe minerale.

Buke me veze : Shija unike e nje mengjesi te shendetshem Read More »

Xhenxhefill,karrota,portokalle : Lengu magjik per organizem te forte

Pirja e lëngut të karrotës, portokallit dhe xhenxhefilit është fantastik në shije ndërsa i dhuron organizmit vlera të panumërta shëndetësore.

Në këtë artikull  do të keni mundësinë të merrni informacione të sakta mbi vlerat e kombinimit të lëngut të karrotës, portokallit dhe xhinxherit.

Vitamina C

Nëse përfshini lëngun e karrotës, portokallit dhe xhenxhefilit, në dietën tuaj, do të plotësoni dozën e rekomanduar ditore të vitaminës C.

Një gotë normale me lëng të nxjerrë nga një sasi e barabartë karrotash dhe portokallesh ku mund të shtoni edhe pak xhenxhefil përmban 85 përqind e dozës së rekomanduar ditore të kësaj vitamine për femrat dhe 71 përqind për meshkujt.

Vitamina A

Një racion i lëngut të karrotës, portokallit dhe xhenxhefilit është një burim i shkëlqyer i vitaminës A.

Në çdo gotë do të gjeni përafërsisht 508 përqind të dozës së rekomanduar për meshkujt dhe 652 përqind të asaj të rekomanduar për femrat.

Vitamina A ndihmon në zhvillimin e indeve, ruan shëndetin e sistemit imunitar, qelizat e kuqe të gjakut dhe lëkurën.

Folati

Lëngu i karrotës, portokallit dhe xhenxhefilit ofron folat, ose vitaminën B-9 që ndihmon në metabolizmin e acideve nukleike dhe amino acideve, përbërës që janë pjesë e ADN-së dhe proteinës.

Një dietë e pasur me folat e bën jetën tuaj më të gjatë.

Folati mbron kundër difekteve në lindje dhe komplikimeve të tjera tek femrat shtatzënë.

Vlera të tjera

Pirja e lëngut të karrotës dhe portokallit me xhenxhefil ofron ushqyes të tjerë të dobishëm për qarkullimin e gjakut. Ky lëng përmban 732 miligramë kalium, ose 16 përqind të dozës së rekomanduar ditore.

Kaliumi ul tensionin e gjakut dhe ndjeshmërinë ndaj ndikimit të kripës në rritjen e tensionit.

Jeni në kërkim të një recete të thjeshtë dhe të shijshme të cilën mund ta ndani me të gjithë familjen?

Karrotat dhe portokallet, në sasi të barabarta, funksionojnë mirë së bashku dhe janë një burim i shkëlqyer i vitaminës C e cila ndihmon organizmin të përthithë më mirë hekurin.

Të dyja ofrojnë beta karoten që kthehet në vitaminë A dhe ju ndhmon të keni një paraqitje rinore nëpërmjet sasive të larta të kolagjenit dhe sistemit të fuqizuar imunitar.

Nga ana tjetër, xhenxhefili konsiderohet si një prej bimëve më të shijshme dhe më të shëndetshme të planetit, vlerat e të cilit shkojnë përtej një stine të vetme, por shtrihen përgjatë gjithë vitit. Xhenxhefili është një antioksidant i fuqishëm që pastron trupin nga helmet.

Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, ai bën një punë të mrekullueshme në kurimin e shqetësimeve në stomak, kundër inflamacionit, stimulon qarkullimin e gjakut, hollon gjakun, lehtëson dhembjet e muskujve dhe lufton infeksionet e brendshme.

Receta e lëngut të karrotës, portokallit dhe xhenxhefilit

Koha e nevojshme: 5 minuta
Racionet: 2

Përbërësit

6 karrota
1 portokall
1 copë xhenxhefil

Udhëzimet

Pasi keni qëruar portokallet dhe larë karrotat, shtoni të gjithë përbërësit në shtrydhësen e frutave.

Përzijeni lëngun dhe pijeni menjëherë që të mos lejoni oksidimin e tij.

Xhenxhefill,karrota,portokalle : Lengu magjik per organizem te forte Read More »

Receta unike e qepujkave me mish

Një recetë e veçantë, e cila përgatitet shumë lehtë dhe thjeshtë por ka një shije të mrekullueshme që të përfshin tërësisht.

Dikur ka qenë një nga specialitetet e shijshme të nënave në fshat, të cilat e përgatisnin këtë gjellë në formën e jahnisë.

Aroma fantastike e gjellës mbushte gjithë shtëpinë duke të ftuar drejt tryezës për ta shijuar me një frymë.

Më poshtë keni përgatitjen e kësaj recete krejt shpejt në shtëpi.

Përgatitja e Qepujkave me Mish

Përbërësit

500 gr mish viçi

500 gr qepujka

Vaj ulliri

Një karrotë

Një patate

2-3 lugë salcë domate

Kripë

Piper

Përgatitja

Mishin e pastrojmë dhe e ndajmë në copa.

Pastrojmë qepujkat nga lëkura.

Gjithashtu pastrojmë karrotat dhe patatet dhe i presim në kubikë të vegjël.

Më pas, hedhim mishin në një tenxhere me pak vaj ulliri dhe e kaurdisim duke e skuqur lehtë nga të dyja anët.

Shtojmë qepujkat, i kaurdisim për pak, e më pas shtojmë patatet dhe karrotat. Vijojmë t’i kauridisim.

Shtojmë salcën e domateve, kripën, piperin i kaurdisim dhe u hedhim ujë derisa të gjithë përbërësit të mbulohen.

E lëmë të ziejë për 30-40 minuta derisa gjella të jetë gati.

Gjellën me Mish dhe Qepujka mund ta kombinoni me sallata të freskëta të stinës, sallatë jeshile marinuar me vaj ulliri e limon, perime të pjekura apo të ziera, salcë kosi por edhe turshi.

Vlerat

Kjo pjatë përveç shijes ka dhe shumë vlera ushqyese.

Qepujkat janë një kurë e mirë natyrale kundër radikaleve të lira.

Ato shërbejnë edhe për të detoksifikuar trupin dhe ulur shanset e prekjes nga alergjitë ndaj ushqimit.

Në botë qepujkat përdoren për të shëruar fytin e acaruar, fryrjet, infeksionet, etj.

Ndonëse të vogla, qepujkat kanë më shumë flavonoidë dhe antioksidantë se çdo anëtar tjetër i familjes së qepëve.

Këto veti, i bëjnë qepujkat si ushqimin më të mirë anti-inflamator për të zvogëluar dëmet e shkaktuara nga radikalet e lira dhe për të luftuar një sërë sëmundjesh kronike.

Receta unike e qepujkave me mish Read More »

Vaji i qepes , kura e shendetit te mire ne shtepi

Qepët janë ndër perimet më të preferuara të shqiptarëve.

Të njoma, të thata, të kuqe, të verdha apo të bardha, të gjitha janë të mira e me vlera të jashtëzakonshme jo vetëm për shijen fantastike që dhurojnë në botën e kulinarisë. Ato janë me vlerë mbi të gjitha në përfitimet e mëdha kurative.

Sipas ekspertëve , një metodë fantastike është vaji esencial i qepës, i përgatitur edhe vetë në shtëpi.

Të Mirat Shëndetësore të Vajit Të Qepës

Vaji i qepës vlerësohet nga mjekësia bimore si një tonik superior ndaj të gjithë tonikëve të tjerë bimorë, i pasur me vitamina, përfshirë edhe ato më jetiket B2 (riboflavin), B1 (tiaminë) dhe C.

Ky vaj mirëbërës esencial njihet për vlerat e tij kurative në fuqinë që ka për mbrojtjen e sistemit imunitar, ai lufton mikrobet dhe bakteret në organizëm, përdoret si një anti grip i fortë, ka efektet fantastike kundër spazmave, është një diuretik i shkëlqyer, ndihmon sistemin tretës dhe ndimon në funksionimin e mirë të stomakut.

Ashtu si vet qepa edhe vaji esencial gëzon një reputacion të qenësishëm për problemet me peshën si dhe mbajtjen e saj në kontroll.

Mbi të gjitha, vaji esencial i qepës përdoret për fuqi dhe energji trupore. Ai ndihmon në parandalimin e të ftohtit dhe lufton infeksionet.

Ekspertët  vlerësojnë se vaji esencial i qepës ndihmon në forcimin e kockave. Po ashtu ai vepron si një pastrues efektiv i gjakut dhe ndihmon në mbajtjen në kushte të shkëlqyera dhe të pastër lëkurën.

Ai ndihmon në lehtësimin e dhimbjeve të veshit dhe njihet për përdorimin e tij si afrodiziak që në kohërat e lashta.  Në botën e kozmetikës ka një përdorim të gjerë përsa i përket rritjes së flokëve.

Vaji esencial i qepës është një diuretik efektiv dhe ka të njëjtat veti shëruese edhe në largimin e toksinave nga trupi.

Përdoret gjithashtu në kurimin e sëmundjeve si të ftohtit, sinoziti etj.

Vlerësohet se vaji i qepës është më efektiv kur përdoret i pa kombinuar me përbërës të tjerë. Megjithatë ai mund të përzihet me vajra të tjerë esenciale dhe aromatizues me qëllim largimin e erës së rëndë të tij.

Nga ana tjetër, vaji i qepës mund të përdoret edhe për dezinfektimin e ambjeteve të shtëpisë si dhe për largimin e energjisë së keqe.

Ai mund të përgatitet edhe si banjo terapi për lëkurë të shkëlqyer.

Si Të Përgatisim Vajin e Qepës në Shtëpi

Përbërësit

-100 gr qepë të thata të qeruara hollë
-50 gr qepë të njoma të qeruara hollë (vetëm pjesa e bardhë)
-Një filxhan çaji me vaj ulliri

Procesi

Bashkoni të gjithë përbërësit. Ndizni zjarrin në nivel të ulët-mesatar. Prisni derisa qepët të marrin ngjyrë të errët dhe më pas hiqni enën nga zjarri

Merrni një sitë dhe shtypni vajin e qepës në një tas. Lëreni të ftohet dhe më pas hidheni vajin e përftuar të qepës në një shishe qelqi

Dozat për disa nga përdorimet

-5-10 pika vajit të qepës në një tas me ujë të ngrohtë për kompresa
-5 pika në një filxhan me ujë të ngrohtë për të ftohtin
-10 pika të vajit të qepës në përdorimin e banjo terapisë
-10 deri 20 pika në masazhimin e trupit

Vaji i qepes , kura e shendetit te mire ne shtepi Read More »