Kulinari

Lakror fshati me lakra të egra, shije shtëpie

Falë prushit dhe nxehtësisë së tij të avashtë, tepsitë me gatimet e pjekura marrin një shije të veçantë.
Tradita shqiptare e gatimit është e pasur me shije e aroma të dashura, ndonjëherë mistike, pas të cilave shumëkush që i ka provuar, ka mbetur i magjepsur.

Mes mjeshtërisë së recetave në kuzhinën shqiptare padyshim tradita unike e lakrorit të fshatit është më tërheqësja e shijes jo vetëm për shqiptarët por më së shumti për turistët e huaj, të cilët lënë mendjen pas tij.

Lakrori njihet si traditë e Korçës dhe zonave përreth saj, tradita e do që ai të piqet në saç, një mënyrë tipike e moçme shqiptare e pjekjes së lakrorëve, byrekëve apo tavave të ndryshme me perime në prush.

Falë prushit dhe nxehtësisë së tij të avashtë, tepsitë me gatimet e pjekura marrin një shije të veçantë.

Lakrorët mund të kombinohen me një larmi produktesh, lakrorë me djathtë e qumësht, me qepë e domate, me spinaq apo me presh por lakrori i fshatit me lakra të egra është më i mrekullueshmi i të gjithëve. Ai ka jo vetëm një shije unike, por dhe vlera të larta ushqyese që vijnë nga lakrat e egra me të cilat përgatitet.

Ja receta e Lakrorit të Fshatit, krejt lehtë për t’u përgatitur vetë në shtëpi.
Përgatitja krejt lehtë në shtëpi
Përbërësit:

200 gr Spinaq
200 gr Pazi
200 gr Lëpjetë
200 gr Labot
200 gr Hithra
500 gr Miell
250 ml Ujë
10 gr Kripë
200 gr Djathë i thërrmuar
Vaj Ulliri
Gjalpë
Sodë Buke
1 Qepë
Përgatitja e Lakrorit të Fshatit në Shtëpi
Si fillim, përgatisim brumin, duke hedhur në një tas të madh miellin. Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë.

Në këtë moment nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës.

Brumin e përftuar e mbulojmë me një pecetë të pastër. E lëmë përreth gjysmë ore që të fryhet ndërsa nisim përgatitjen e lakrave të egra.

Qepën e grirë hollë e hedhim në një tigan të madh ku e skuqim me 4 lugë vaj ulliri derisa volumi i qepës të ulet dhe të marrë një ngjyrë të artë.

Më pas, hedhim lakrat, të cilat më parë i kemi pastruar dhe i kemi zjerë me një valë.

Kaurdisim qepët me lakrat e egra derisa të njëtrajtësohen e më pas hedhim djathin e thërrmuar dhe pak kripë.

I përzjejmë për dy minuta. Për të përftuar një masë pak të trashë të gjellës, në një gotë të vogël hedhim një lugë miell dhe e tretim me dy lugë kos.

Këtë masë, më pas e shtojmë tek lakrat e egra dhe përzjejmë masën. Të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe me qumësht në vend të kosit.
Procesi i pjekjes në furrë apo në saç
Pasi e përgatisim gjellën me lakrat e egra, e lëmë të ftohet. Gjatë kësaj kohe brumi është gati për t’u punuar.

Brumin e ndajmë në dy pjesë, ku pjesa e sipërme duhet të jetë më e vogël se e poshtmja.

Pasi hapim petën e poshtme e shtrojmë në tepsi, të cilën e kemi lyer njëtrajtësisht me vaj ulliri, hedhim mbushjen me lakrat e egra në të gjithë petën që kemi shtruar më parë.

Ndërkohë, hapim petën e dytë më të madhe dhe e vendosim sipër duke i kthyer pak anët.

Në mungesë të saçit tradicional, fare mirë lakrorin mund t’a pjekim në furrë në 180 gradë për 20-30 minuta deri sa të marrë pjekjen e duhur.

Në fund të përgatitjes, pasi lakrori është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me një lugë gjalpë fshati.

Lakror fshati me lakra të egra, shije shtëpie Read More »

Të hash kos cdo ditë – Zbuloni përfitimet shëndetësore

Kosi është një nga ushqimet që nuk mungon kurrë në frigoriferin e një amvise shqiptare.

Shumë amvisa e zënë kosin vetë një herë në dy ose tre ditë për t’u siguruar që ky produkt nuk do të mungojë asnjëherë.

Kosi është një produkt mirëbërës për të rritur dhe për fëmijë.

Ai prodhohet nga fermentimi i qumështit dhe është i pasur me proteina, kalçium, vitaminë B6, B12 dhe probiotikë.

Nëse kjo larmi përfitimesh nuk ju bind mjaftueshëm atëherë lexoni nga AgroWeb.org për arsyet përse duhet të hani kos çdo ditë.
I bën mirë stomakut
Kulturat e gjalla tek kosi janë efikase kundër konstipacionit, diaresë, inflamacionit të zorrëve, kancerit të zorrës së trashë e të tjerë.

Këto probiotikë përforcojnë imunitetin dhe mbrojnë stomakun nga infeksionet.
Osteoporoza
Brishtësia e kockave vjen si pasojë e ndryshimeve hormonale dhe mungesës së vitaminave D dhe kalçiumit.

Kosi është i pasur me kalçium dhe konsumimi i rregullt i tij përmirëson strukturën e kockave.
Tensioni i gjakut
Studimet kanë konfirmuar se produktet e bulmetit kanë aftësinë të rregullojnë tensionin e gjakut.

Me sasinë e duhur të produkteve me pak yndyrë, rreziku i tensionit të lartë të gjakut bie me 50 përqind.
Pesha
Kosi është ideal për të kufizuar kaloritë. Ai shuan urinë dhe nepsin për ushqime të ëmbla.

Pasi përthithet, kalçiumi nga kosi ndikon që qelizat e yndyrës të ulin prodhimin e kortizolit ndërkohë që amino acidet djegin yndyrën e tepërt.

Rekomandimet gjithnjë vlejnë për kosin me pak yndyrë.
Skuqjet e lëkurës tek bebet
Ky ushqim është ideal për lëkurën e ndjeshme të bebeve. Atë mund ta përdorni për të trajtuar skuqjet në lëkurë të shkaktuara nga pelenat.
Vitaminat
Kosi përmban fosfor, kalium, jod, zink, vitamin B5 dhe B12. Kjo e fundit është një vitaminë shumë e rëndësishme për rruazat e kuqe të gjakut dhe sistemin nervor.
E ftohura
Kur imuniteti është i fortë, do të mund të mposhtë viruset ose bakteret. Konsumoni 150-200 gramë kos në ditë për t’i shpëtuar simptomave të të ftohurës, gripit dhe problemeve me fytin.

Ky produkt përgjysmon shanset e shfaqjes së këtyre sëmundjeve.
Shëndeti i lëkurës
Kosi është një nga kurat më të mira për femrat. Ai përmirëson lëkurën, shtrëngon poret dhe i jep lëkurës elasticitet dhe shkëlqim.

Kosi është i dobishëm kundër simptomave të plakjes, ankthi më i keq për shumë femra.
Shëndeti i flokëve
Kosi është i dobishëm edhe kundër flokëve të thatë dhe të hollë. Ai forcon çdo qimë të flokut dhe pastron skalpin nga zbokthi.

Sigurisht që kosi duhet të jetë nga ai që përgatitet me farë dhe jo i përpunuar.

Të hash kos cdo ditë – Zbuloni përfitimet shëndetësore Read More »

Vllaznat : Janë fruta krejt të veçanta, me një shije fantastike e të mrekullueshme

Janë fruta krejt të veçanta, me një shije fantastike e të mrekullueshme. Aq sa, nëse nis të konsumosh disa kokrra nga këto fruta të vogla të shijshme, vështirë se mund të ndalesh.

Dikur, kur fshatrat kanë qenë më të populluara se sa sot, vallzat kanë qenë ndër frutat që jo vetëm kënaqnin fëmijë, të rritur e mysafirë me ëmbëlsinë e tyre. Një pjesë e mirë e tyre përgatitej nga gratë si pjesë e zahireve të dimrit.

Ato ndaheshin me një thikë në mes. Kaloheshin përmes një gjilpëre në një fill të trashë dhe lidheshin në formën e një vargu.

Më pas, vargjet e përgatitura gratë i linin që të thaheshin në diell. Për t’i konsumuar më pas gjatë stinëve të tjera të vitit, si fruta të thata apo si çaj gjatë dimrit.

Të Rrallat e Maleve të Shqipërisë
Nga veriu në jug të saj, Shqipëria është e bekuar me këtë frut unik. Sot, vallzat nuk gjenden lehtë në treg ato janë përherë pjesë e sasive të vogla me fruta që shiten në tregjet e fshatarëve.

Vallzat, emri botanik i të cilave është Sorbus aucuparia janë fruta kokërr vogla të cilat rriten kryesisht në male e kodra.

Ky frut është i rrallë për pjesë më të madhe të botës. Më shumë e përhapur është në zonën e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë, Amerikën e Veriut si dhe Azinë Veriore gjithashtu.

Vallëzat rriten në klimë të ftohtë ndaj dhe karakteristikë e tyre është rritja në zonat malore.

Frutat e Vogla me Vlera të Mëdha
Këto fruta kokër vogla janë të paketuara me një numër të lartë vlerash ushqyese. Përfshirë këtu një nivel të lartë të vitaminës C, fibra ndërsa cilësohen gjithashtu sit ë çmuara për vetitë e tyre antioksiduese.

Falë nivelit të lartë të vitaminës C, vallzat ndihmojnë në forcimin e imunitetit. Përfshirë këtu edhe përmirësimin e nivelit të kolagjenit, i cili ndihmon në forcimin e muskujve dhe ndihmon në mirëfunksionimin e enëve të gjakut.

Kundër baktereve
Këto fruta janë fantastike përsa i përket aktivitetit të tyre antibakterial. Acidi sorbik tek këto fruta ndihmon në eliminimin e baktereve dhe mikrobeve që prekin lëkurën dhe trupin gjithashtu.

Vallzat kanë gjithashtu veti shumë të mira përsa i përket ndikimit të tyre në mirëfunksionimin e sistemit të tretjes.

Çaji i vallzave të thara është përdorur që në lashtësi për të kuruar dhimbje e barkut, diarrenë si dhe dhimbjet e stomakut.

Vllaznat : Janë fruta krejt të veçanta, me një shije fantastike e të mrekullueshme Read More »

Lakër me mish të thatë në tavë balte – Receta e traditës

Lakra është një nga perimet më të përdorura në kuzhinën shqiptare.

Atë e përdorim në sallata të ndryshme kryesisht me simotrën e saj të kuqe, karrota e majdanoz.

Lakrën e përgatisim edhe në turshi për tu dhënë shije mbrëmjeve dimërore.

Lëngu i turshisë së saj shuan etjen për vlera të rëndësishme.

Kjo perime e rëndësishme në traditën e kulinarisë shqiptare përdoret edhe në gatimin e një gjelle, nga ato që të bëjnë të lëpish gishtat.

Gjella me lakër, e gjen veten në tryezat tona të paktën një herë në javë.

Ajo gatuhet thjeshtë dhe ka shumë shije, por duke u kombinuar me mishin e thatë, shija arrin në nivele superiore.
Receta e Gjellës Me Lakër dhe Mish Të Thatë
Përbërësit
Gjysëm lakre të grirë hollë

2 qepë

1 spec të kuq

1 filxhan kafeje oriz (sipas preferencës)

500 gr mish të thatë

5-6 thelpinj hudhre

Katër lugë me vaj ulliri

1 gjethe dafinë

1 lugë gjelle salcë domate (sipas preferencës)

Një pjatë me lakër turshi të prerë hollë (sipas preferencës)
Përgatitja
Vendoseni tenxheren në zjarr dhe hidhni vajin e ullirit.

Kujdesuni që vaji të mos digjet dhe hidhni copët e grira hollë të specit të kuq.

Speci duhet kavërdisur i pari sepse është më i fortë dhe kërkon më shumë kohë.

Pasi të jetë zbutur, shtoni copat e grira hollë të qepëve dhe kavërdisini së bashku.

Më pas shtoni lakrën por jo të gjithën menjëherë, sepse në të kundërt tenxherja do të mbushet plot dhe do të kërkojë shumë kohë lakra të zbutet.

Pasi lakra të jetë kavërdisur për 5-7 minuta hidhni ujin, kripën e piperin dhe mbulojeni me kapak.

Lëreni të ziejë me zjarr mesatar dhe përziejeni herë pas here duke garantuar që nuk ngjitet në fund të tenxheres.

Nëse uji përthithet shpejt dhe lakra nuk është zier, shtoni më shumë ujë.

Kontrolloni përmbajtjen e kripës dhe rregullojeni atë sipas preferencës.

Kur lakra të jetë pothuajse e gatuar, shtoni orizin, hudhrat, dafinën dhe mishin e thatë.

Orizi është opsional. Disa amvisa e preferojnë gjellën me oriz për shkak të aftësive lidhëse që ai ka në një gjellë.

Pasi lakra të jetë zbutur, kontrolloni përmbajtjen e piperit.

Gjella e lakrës kërkon patjetër një shije pakëz pikante.

Në disa receta të veriut të Shqipërisë, gjella në fjalë gatuhet në gjysëm racioni me lakër të freskët dhe gjysëm me lakër turshi.

Lakra turshi i jep gjellës një nuancë pakëz të hidhur por të thellë dhe shumë të shijshme.

Gjella me lakër nuk duhet të jetë shumë e lëngshme.

Servireni të ngrohtë duke e shoqëruar me kos dhe perime të pjekura.

Lakër me mish të thatë në tavë balte – Receta e traditës Read More »

Për një darkë të lehtë, të shëndetshme – supë krem brokoli me djathë

Në Shqipëri mund të gjesh djathin e dhisë më të mirë në botë.

Me shije dhe nuanca shumë dimensionale, djathi i dhisë ka një gamë të gjërë adhuruesish dhe kundërshtarësh.

Kur vjen puna tek djathi i dhisë, njerëzit ose janë besnikë ose nuk e fusin dot në gojë, a thua se e ka fajin dhia. Nuk ka rrugë të ndërmjetme!

Njerëzit që nuk e honepsin dot djathin e dhisë, argumentojnë se aroma e tij është shumë e fortë dhe aspak ndjellëse.

Dashamirësit e djathit, duan pikërisht aromën dhe mënyrën se si ky djath kërcen në gjuhë.

Djathi i dhisë ka një profil kimik të atillë që e bën të përshtatshëm për njerëzit që vuajnë nga probleme me stomakun të shkaktuara nga qumështi i lopës apo deles dhe nënpprodukteve të tyre.

Djathi i dhisë ka më pak laktozë dhe më pak bulëza yndyre, ndaj tretet më lehtë.

Një racion me djathë dhie përmban më pak substanca të dëmshme se variantet e tjera të djathit dhe më shumë vitamina dhe minerale.

Recetat me djathë dhie janë të shumta dhe të larmishme.

Ky djathë plotëson dhe ndërvepron mirë me aroma të forta dhe shije të mprehta e të buta në të njëjtën kohë.

Ai mund të marrë një profil inferior në një pjatë me produkte të tjera ose të nxjerrë në pah superioritetin e tij nëpër sallata dhe supa.

I tillë është rasti i supës me brokoli dhe djathë dhie.
Supa Me Brokoli Dhe Djathë Dhie
Ky kombinim është thjesht fantastik dhe të bën të lëpish gishtat.

Djathi i dhisë shkrihet në supë duke formuar një shtresë kremoze, të mprehtë e aromatike që përshtatet shumë mirë me brokolin.

Kjo supë rekomandohet për njerëzit dhe fëmijët që nuk e hanë brokolin sepse djathi e maskon mjaft mirë prezencën e perimes.
Përbërësit
3 gota me lëng pule

Gjysëm gote me pana

240 gramë tufëza brokoli

300 gramë djathë dhie

1 lugë çaji me kripë

Çerek gote me bajame të grira
Përgatitja
Në një tenxhere të madhe hidhni lëngun e pulës, panën, tufëzat e brokolit dhe djathin e dhisë.

Pasi të marrin një valë, lërini të ziejnë së bashku për 10-15 minuta.

Shtoni kripën dhe hiqeni tenxheren nga zjarri.

Pasi supa të jetë ftohur pak, hidheni me një garuzhdë në një mikser për ta bërë kremoze.

Hidheni sërish në tenxhere dhe më pas servireni sipas dëshirës.

Pjatat e supës mund t’i zbukuroni me bajame të grira.

Për një darkë të lehtë, të shëndetshme – supë krem brokoli me djathë Read More »

Mbretëroret e ëmbla të veriut

Është një ëmbëlsirë krejt e veçantë, karakteristikë e traditës shqiptare e cila është përcjellë mes amvisave si një recetë sekrete e misterioze.

Në disa zona të Shqipërisë quhet Mbretërore e në disa të tjera Bushe, por shija e saj e përsosur të lë me të vërtetë pa fjalë.

Mbretëroret apo Bushet janë aq të buta sa duket sikur të përkëdhelin shijen menjëherë sapo i provon, teksa të përfshijnë tërësisht e s’mund të ndalesh pa ngrënë edhe një tjetër.

Zbulohet më poshtë për të gjitha amvisat recetën fantastike dhe të panjohur të përgatitjes së kësaj ëmbëlsire unike.
Përgatitja e Mretëroreve në Shtëpi
Përbërësit
1 filxhan kafe miell

1 filxhan kafe qumësht pluhur

1 kokërr vezë

1 lugë kafe të sheshte sodë buke

Përgatitja

Në një tas të gjerë përzieni miellin, qumështin pluhur, sodën e bukës dhe vezën.

Përziejini deri sa të formohet brumi.

Nëse masa e përftuar nuk mblidhet siç duhet, atëherë shtoni pak miell.

Brumin e përpunoni me duar dhe i jepni forma të rrumbullakëta.

Bushet apo Mbretëroret shtypen me dorë që të jenë të sheshta dhe të vogla.

Më pas vendosini në një tavë të lyer me gjalpë.

Në sipërfaqen e secilës prej ëmbëlsirave vendoseni pak gjalpë.

Tavën futeni në furrë dhe piqini në 180 gradë.

Hiqini nga furra kur bushet të kenë marrë një ngjyrë të kuqerremtë.

Ndërkohë që bushet piqen në furrë, vendosni një tenxhere në zjarr për të përgatitur sherbetin.

Hidhni një litër ujë, 23 lugë gjelle sheqer dhe një majë luge çaji me vanilje pluhur.

Këtu është edhe pjesa më delikate e procesit të përgatitjes, këshillohet që kur uji të ketë marrë valë dhe sheqeri të jetë shkrirë, hidhni bushet në tenxhere dhe lërini në zjarr të ngadaltë deri sa të thithin të gjithë sherbetin.

Gjatë kësaj kohe, ëmbëlsirat kthejini herë pas here nga të dyja anët në mënyrë që të thithin sa më mirë sherbetin.

Më pas, vendosini në një tepsi për t’u ftohur.

Bushet serviren të ftohta dhe ruhen në frigorifer.

Mbretëroret e ëmbla të veriut Read More »

Qepa kundrejt preshit – Cila ka më shumë vlera shëndetësore

Qepa dhe preshi janë dy perime të shëndetshme me pak kalori që kombinohen mjaft mirë së bashku në supa, gatime të pjekura e të ziera.

Të dyja këto perime ofrojnë pak proteinë ndaj duhen kombinuar me perime të tjera me shumë proteinë për të garantuar një ushqyerje të balancuar e të shëndetshme.

Gatimi i tyre është një proces që ndikon në vlerat ushqyese. Skuqja për shembull rrit nivelin e yndyrnave tek secila prej perimeve, ndaj nuk rekomandohet.
Vlerat e qepës

Kur e hani të pagatuar, qepa ka më pak kalori dhe yndyrë në krahasim me preshin.

Sipas ekspertëve, nëse jeni të përqendruar në uljen e sasisë së kalorive, rënies në peshë apo ruajtjen e peshës, atëherë zgjidhni qepën sepse ka më pak kalori se preshi.

Megjithatë si preshi ashtu edhe qepa kanë pak yndyrë dhe kalori. Një avantazh potencial i qepës qëndron tek aroma që është më e fortë se ajo e preshit.

Aroma do ju bëjë të hani më pak qepë, sepse është shumë e fortë. Qepa përmban më pak sodium se preshi.

Në 100 gramë qepë gjenden 4 mg sodium por në të njëjtën sasi preshi gjenden 20 mg sodium.
Vlerat e preshit

Preshi është më i pasur në disa vitamina dhe minerale në krahasim me qepën. Në 100 gramë presh gjenden 2.1 g hekur — 10 herë më shumë se sasia e gjendur tek qepa.

Të dhënat për qepën dhe preshin tregojnë se përmbajtja e kalciumit tek preshi është më e lartë, me përjashtim të qepëve të njoma.

Hekuri është i domosdoshëm për parandalimin e anemisë dhe kalciumi mbështet shëndetin e kockave.

Preshi përmban sasi të larta të vitaminës C në krahasim me qepën. Preshi përmban edhe vitaminë A ndërkohë që qepa jo.
Të dhënat ushqimore të qepës

Në 100 gramë qepë gjenden 40 kalori, 1.1 gr proteinë, 0.1 gr yndyrna. 9.3 gr karbohidrate, 1.7 gr fibër dietike dhe 4.2 gr sheqerna.

Mineralet përfshirë kalciumin, hekurin, magnezin, fosforin, kaliumin, sodiumin, zinkun, manganin, bakrin dhe seleniumin, gjenden gjithashtu tek qepa.
Të dhënat ushqimore të preshit

Në një racion prej 100 gramësh të preshit, gjenden 61 kalori, 1.5 gr proteinë, 0.3 gr yndyrna, 14.1 gr karbohidrate, 1.8 gr fibër dietike dhe 3.9 gr sheqerna.

Mineralet si kalcium, hekur, fosfor, kalium, magnez, sodium, zink, bakër, mangan dhe selenium, gjenden gjithashtu tek preshi.

Të dyja janë shumë të shëndetshme, ndaj rekomandohet t’i përfshini patjetër në ushqimin tuaj.

Qepa kundrejt preshit – Cila ka më shumë vlera shëndetësore Read More »

Gurabije me kakao – Te mira shume !

Me siguri këto do të jenë gurabijet më të shijshme që keni provuar ndonjëherë! Të shkrifëta, ma arra përsipër dhe kakao…Nxitoni t’i merrni recetën!

Përbërësit:

125 gr gjalpë,
1 vezë,
gjysmë gote çaji vaj ulliri,
2 gota çaji sheqer pluhur,
gjysmë gote çaj niseshte,
gjysmë bustine pluhur pjekjeje,
1 vanilje,
1 kakao,
miell,
arra
Përbërës:

Të gjithë përbërësit hidhini në një enë të thellë, brumin lëreni të vijë për rreth 1 orë.
Pas kësaj filloni të merrni pak nga brumi dhe formoni gurabije të vogla.
Secilës gurabije vendosini nga një arrë sipër. Këto të fundit i vendosni në tepsi dhe vendosini për pjekje në temperaturë 170 gradë celsius.
Gjatë pjekjes tregoni kujdes, pasi gurabijet janë ngjyrë kafe dhe mund të piqen më tepër seç duhet. Ju bëftë mirë!

Gurabije me kakao – Te mira shume ! Read More »